14. Mëshira e Perëndisë – Atributet e Perendise

14. Mëshira e Perëndisë – Atributet e Perendise

“Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë” (Ps. 136:1). Për këtë përsosmëri të natyrës Hyjnore, Perëndia duhet të lavdërohet në kulm. Tre herë psalmisti u thërret shenjtorëve që të falënderojnë Zotin për këtë atribut të adhurueshëm. Dhe sigurisht që kjo është më e pakta që mund t’u kërkohet marrësve të këtij bollëku të madh. Kur soditim cilësitë e kësaj përsosmërie Hyjnore, nuk mund të mos bekojmë Perëndinë për këtë. Mëshira e tij është e “madhe” (1 Mbretërve 3:6), e “bollshme” (Ps.86:5), “thellë” (Luka 1:78), e “shumtë” (1 Pjet.1:3); është e përjetshme për ata që i druhen atij (Ps. 103:17).

Le të themi me psalmistin: “Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë” (Ps.59:16). “Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj” (Eksodi 33:19). Ku ndryshon “mëshira” nga “hiri” i Perëndisë? Mëshira e Perëndisë rrjedh nga mirësia Hyjnore. Tipari i parë i mirësisë së Perëndisë është zemërmirësia apo bujaria, me anë të së cilës ai u jep lirisht krijesave të tij si krijesa; prandaj u ka dhënë ekzistencë dhe jetë të gjitha gjërave. Pastaj është mëshira e tij që nxjerr në pah prirjen që ka Perëndia për të çliruar mjerimin e kriejsave mëkatare. Pra, “mëshira” presupozon mëkatin.

Megjithëse mund të mos jetë e lehtë të perceptohet që për herë të parë ndryshimi i vërtetë midis hirit dhe mëshirës së Perëndisë, na ndihmon vërtet, po por të shqyrtojmë me kujdes marrëdhëniet e tij me engjëjt e rënë. Ai nuk u ka treguar mëshirë asnjëherë atyre, sepse ata nuk kanë patur nevojë për të, pasi nuk kanë mëkatuar e nuk kanë qenë kurrë nën efektet e mallkimit. Megjithatë, ata janë sigurisht objektet e hirit të lirë e sovran të Perëndisë. Së pari, për shkak të zgjedhjes së tyre prej Tij, nga e tërë raca engjëllore (1 Tim. 5:21). Së dyti dhe si pasojë e zgjedhjes së tyre, për shkak të ruajtjes së tij nga rebelimi, kur Satani rebeloi dhe tërhoqi pas vetes një të tretën e ushtrisë qiellore (Zbul.12:4). Së treti, duke bërë Krishtin Kreun e tyre (Kol.2:10; 1 Pjet.3:22), me anë të të cilave ata janë të sigurtë përjetësisht në gjendjen e tyre të shenjtë, në të cilën u krijuan. Së katërti, për shkak të pozitës së lartësuar që u është caktuar: për të jetuar në praninë e drejtpërdrejtë të Perëndisë (Dan.7:10), për t’i shërbyer atij vazhdimisht në tempullin e tij qiellor, për të marrë mandate të nderuara prej tij (Heb.1:14). Ky është hir i bollshëm drejt tyre, por jo “mëshirë”.

Ndërsa përpiqemi që të studiojmë mëshirën e Perëndisë, siç na paraqitet në Shkrimet, një dallim i trefishtë duhet të bëhet, që Fjala e të vërtetës të “ndahet si duhet”. Së pari, kemi mëshirën e përgjithshme të Perëndisë, që nuk shtrihet vetëm ndaj të gjithë njerëzve, besimtarë apo jobesimtarë, por edhe ndaj tërë krijimit: “plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij” (Ps.145:9); “ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë” (Veprat 17:25). Perëndia ka mëshirë për bishat dhe u plotëson nevojat. Së dyti, kemi mëshirën e veçantë të Perëndisë, që ushtrohet ndaj bijve të njerëzve, duke i ndihmuar dhe përkrahur ata, megjithë mëkatet e tyre. Atyre u komunikon të gjitha domosdoshmëritë e jetës: “sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mat.5:45). Së treti, kemi mëshirën sovrane që ruhet për trashëgimtarët e shpëtimit, që u përcillet sipas besëlidhjes, përmes Ndërmjetësit.

Në lidhje me ndryshimin midis dallimin e dytë dhe të tretë, ka rëndësi të vëmë re se mëshirat që Perëndia u jep të këqinjve janë krejtësisht të një natyre të përkohshme; pra janë të kufizuara vetëm ndaj kësaj jete. Nuk do të ketë mëshirë për ta përtej varrit: “Me qenë se është një popull pa zgjuaësi, prandaj Ai që e ka bërë nuk do t’i vijë keq për të, Ai që e ka formuar nuk do t’i japë hir” (Isa.27:11). Por, për disa prej lexuesve tanë mund të paraqitet një vështirësi, fakti që Shkrimi pohon se “mirësia e tij vazhdon përjetë” (Ps. 136:1). Dy gjëra duhet të theksohen në lidhje me këtë. Perëndia nuk pushon së qëni i mëshirshëm, sepse kjo është veti e esencës Hyjnore (Ps.116:5); por ushtrimi i mëshirës së tij rregullohet nga vullneti i tij sovran. Kështu duhet të jetë sepse nuk ka asgjë jashtë vetes që e detyron të veprojë, se po të kishte diçka, atëherë ajo “diçka” do të ishte supreme e Perëndia nuk do të ishte më Perëndi.

Ёshtë vetëm hiri sovran i kulluar që përcakton zbatimin e mëshirës hyjnore. Perëndia e pohon qartë këtë fakt, te Rom. 9:15. “Ai i thotë në fakt Moisiut: Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri”. Perëndia nuk nxitet nga gjendja e mjerë e krijesës që të tregohet i mëshirshëm, sepse ai nuk ndikohet nga gjërat jashtë vetes, ashtu si ne. Po të ndikohej nga mjerimi i ndyrë i mëkatarëve lebrozë, ai do t’i pastronte dhe do t’i shpëtonte të gjithë. Por jo. Pse? Sepse nuk është kënaqësia dhe synimi i tij. Aq më pak nuk është merita e krijesës që e nxit të vendosë mëshirën e tij, pasi është kontradiktore të flasësh për “mëshirë” merituese. “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij” (Titi 3:5). Këtu, veprat qëndrojnë në kundërshtim të madh me mëshirën. As nuk është merita e Krishtit që e nxit Perëndinë që të vendosë mëshirat e tij mbi të zgjedhurit, pasi ashtu do të ishte zëvëndësimi i efektit në llogari të shkakut. Por është “përmes” ose për shkak të mëshirës së madhe të Perëndisë sonë që Krishti u dërgua tek të tijët (Luka 1:78). Meritat e Krishtit mundësojnë që Perëndia të vendosë me drejtësi mëshira frymërore mbi të zgjedhurit, pasi drejtësia është përmbushur krejtësisht nga Garanti! Jo, mëshira rrjedh plotësisht nga kënaqësia madhështore e Perëndisë.

Përsëri, megjithëse mrekullisht e vërtetë, që mëshira e Perëndisë “zgjat përjetë”, ne duhet të shohim me kujdes objektet të cilave iu zbulohet “mëshira” e tij. Edhe flakja e rebelëve në Liqenin e zjarrtë është një akt mëshire. Dënimi i të këqinjve duhet të vëzhgohet nga një pikëpamje e trefishtë. Nga pikëpamja e Perëndisë, është një akt drejtësie, që vë në vend nderin e tij. Mëshira e Perëndisë nuk shfaqet kurrë në kurriz të shenjtërisë dhe drejtësisë së tij. Nga ana njerëzore, është akt barazie, gjatë të cilit detyrohen të vuajnë dënimin e duhur të paudhësive të tyre. Por nga pikëpamja e të shpenguarve, ndëshkimi i të këqinjve është një akt mëshire i papërshkrueshëm. Sa e tmerrshme do të ishte sikur të vazhdonte përgjithmonë gjendja e tanishme, kur bijtë e Perëndisë janë të detyruar që të jetojnë në mes të bijve të djallit! Qielli nuk do të ishte më ashtu si është, nëse veshët e shenjtorëve do të dëgjonin ende gjuhën e ndyrë dhe përdhosëse të rebelëve. Ç’mëshirë e madhe që në Jeruzalemin e Ri “Edhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit” (Zbul.21:27).

Që lexuesi të mos mendojë se jemi mbështetur në imagjinatën tonë, gjatë paragrafit të fundit, le t’i drejtohemi Shkrimit të Shenjtë, për të pohuar atë që është thënë. Te Ps.143:12, shohim Davidin që lutet: “Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt”. Përsëri, te Ps.136:15 lexojmë se Perëndia “fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë”. Ishte akt hakmarrjeje mbi faraonin dhe ushtrinë e tij, por ishte akt “mëshire” ndaj izraelitëve. Përsëri, te Zbulesa 19:1-3 lexojmë “Dhe pas këtyre dëgjova në qiell zërin e madh të një turme të shumtë, duke thënë: “Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë, sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj”. Dhe thanë për të dytën herë: “Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në shekuj të shekujve”.

Nga çfarë kemi parë, le të vëmë re sesa arrogante është shpresa e të këqinjve, të cilët, pavarësisht nga provokimi i vazhdueshëm i Perëndisë, mbështeten te mëshira e tij. Sa ka nga ata që thonë se nuk besojnë se Perëndia do t’i flakë në ferr, sepse është mjaft i mëshirshëm. Një shpresë e tillë është një nepërkë, që po të futet tek ta do t’i helmojë për vdekje. Perëndia është një Perëndi drejtësie, siç është edhe Perëndi mëshire dhe e ka shpallur qartë se “nuk e lë të pandëshkuar fajtorin” (Eks.34:7). Po, ai ka thënë “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë” (Ps. 9:17). Njerëzit mund të arësyetojnë në këtë mënyrë: Nuk besoj se po të mblidhen gjithnjë e më shumë fëlliqësitë dhe ujrat e zeza bëhen të ndenjura, duke rënduar ajrin, një Perëndi i mëshirshëm do t’i lërë që të bien pre e një ethe vdekjeprurëse. Në fakt, ata që shpërfillin ligjet e shëndetit sëmuren, pavarësisht nga mëshira e Perëndisë. Edhe ata që shpërfillin ligjet e shëndetit frymëror do të vuajnë përjetësisht Vdekjen e Dytë.

Tejet solemne është të shohësh shumë veta që e abuzojnë këtë përsosmëri Hyjnore. Ata vazhdojnë ta përbuzin autoritetin e Perëndisë, nëpërkëmbin ligjet e tij, ngulmojnë në mëkat, por e marrin të garantuar mëshirën e tij. Por Perëndia nuk mund të jetë i padrejtë ndaj vetes. Perëndia u tregon mëshirë atyre që janë me të vërtetë të penduar, por jo ndaj të papenduarve (Luka 13:3). Të vazhdosh në mëkat dhe të mbështetesh megjithatë në mëshirën e tij për të hequr ndëshkimin është djallëzore. Ёshtë sikur të thuash: “”Të bëjmë të keqen që të vijë e mira” dhe për të tillë njerëz thuhet se “dënimi i këtyre është i drejtë” (Rom. 3:8). Arroganca do të zhgënjehet me siguri, mjafton të lexoni me kujdes Ligji i Përt. 29:18-20. Krishti është Froni shpirtëror i Mëshirës dhe të gjithë ata që përbuzin dhe mohojnë sundimin e tij do të “vdesin rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast” (Ps. 2:12).

Por le të shohim së fundi mëshirat shpirtërore të Perëndisë ndaj popullit të tij. “e madhe deri në qiell është mirësia jote” (Ps.57:10). Pasuritë e kësaj mëshire e tejkalojnë mendimet tona më të larta. “Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij” (Ps. 103:11). Askush nuk mund ta masë. Të zgjedhurit janë përgatitur si “enë mëshire” (Rom.9:23). Mëshira u dha jetë kur ishin të vdekur në mëkat (Efes. 2:4-5). Mëshira i shpëton (Titit 3:5). Mëshira e tij e bollshme që i lindi në një trashëgimi të përjetshme (1 Pjet.1:3). Nuk ka kohë që të flasim për mëshirën e tij ruajtëse, falëse dhe siguruese. Për të tijët, Perëndia është “Ati i mëshirave” (2 Kor.1:3).

Kur shpirti im sodit tënden mirësi

Humbas i tëri në lavde, mrekulli e dashuri.