Lutje Pastorale 01

O Zot, ju jeni streha dhe forca jonë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi (Psa. 46:1). Ju na keni dhënë dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim ne Zotin tonë Krishtin (1 Kor. 1:30). Ju na i keni plotësuar të tëra nevojat sipas pasurisë tuaj në lavdi në Krishtin Jezus dhe rrjedhimisht ne mund të bëjmë gjithçka me anë të Krishtit që na forcon (Fil. 4:19, 13).

Por ne ende jemi një popull rebel, i dobët e i pamend. Ne kemi mëkatuar ndaj jush në mendime, fjalë e veprime, në ato që kemi bërë dhe në ato që kemi lënë pa përmbushur nga ligji i yt. Ne kemi ndërtuar idhuj në zemrat tona dhe i kemi adhuruar ato atje; ne kemi keq përdorur emrin tuaj, kemi kënaqur pasionet tona në ditën tuaj të shenjtë; kemi çnderuar prindërit tanë dhe tërë atë në autoritet mbi ne; në zemrat tona kemi vrarë përmes urrejtjes dhe kemi shkelur kurorën martesore; u kemi marrë të tjerëve atë që nuk na takon; kemi gënjyer apo deformuar të vërtetën dhe lënduar reputacionin e të tjerëve. Ne zemrat tona pllakos xhelozia, zilia, dhe lakmia që në vetvete është idhujtari. O Zot rrëfejmë e keqja na tundon dhe është ende ndjellëse për ne. Nga natyre ne dashurojmë errësirën dhe urrejmë dritën. Me të drejtë qëndrojmë të mallkuar pasi nuk qëndrojmë në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit tuaj të shenjtë, të drejtë, frymor dhe të mirë (Eks. 20:1; Mat. 5:21; Kol. 3:5; Gjo. 3:19-20; Gal. 3:10; Rom. 7:12,14).

Por ju o Zot jeni i hirshëm dhe zemërdhembshur, i ngadaltë në zemërim dhe i pasur në mirësi dhe besnikëri. Krishti Jezus erdhi në këtë botë për të shpëtuar mëkatarët. Dashuria dhe dashamirësia juaj për njerëzimin na janë shfaqur në të. Ju i premtoni fajle atyre që nuk e fshehin mëkatin e tre. Ne sot kemi pranuar dhe rrëfyer atë përpara jush. Ki mëshirë për ne në emër të Krishtit. Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia. Mbulo mëkatet tona. Pastrona që të jemi të pastruar, na laj dhe do të jemi më të bardhë se bora, përmes Jezus Krishtit, Zotit tonë (Eks. 34:6,7; 1 Tim. 1:15; Tit. 3:4; Psa. 32:2-5; 51:7-9).

Ne ju falënderojmë o Perëndi që ne Krishtin kemi shpengimin dhe faljen nga mëkatet tona si dhe çdo bekim shpirtëror. Ne ju falënderojmë për kishën tonë, drejtuesit, familjet, dhe kombin tonë. Ne ju jemi mirënjohës për bukën e përditshme, si shpirtërore ashtu edhe fizike. Ju jeni burimi i çdo gjëje të mirë dhe e çdo dhurate të përsosur, ndaj dhe ju adhurojmë o At i dritës në të cilin nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi (Kol. 1:13; Efe. 1:3; Jak. 1:17).

Ju na keni urdhëruar që të ofrojmë përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, dhe kështu ne vijmë tani me këto ndërhyrje (1 Tim. 2:1).

Së pari ne lutemi për ata që janë në pushtetin civil pasi besojmë se zemra e mbretit është në dorën e Perëndisë. Ju jeni ai që e kanalizoni atë si rrjedhën e ujit në drejtimin që ju dëshironi. O Zot, përkuljani zemrat politikanëve e qeveritarëve tanë me qëllim që ata të bëjnë vullnetin tuaj në gjithçka, me qëllim që kisha të shkojë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder (Fja. 21:1; 1 Tim. 2:2).

Së dyti ne lutemi për misionin e kishës dhe shpëtimin e njerëzimit. Fushat e misionit tonë tashmë zbardhojnë për korrjen. Derdhni Frymën tuaj si në kohët e vjetra. Jepu lyerje predikuesve të ungjillit. Hap dyert për shpërndarjen e fjalës tuaj pasi ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtim. Lutemi: dërgo një ringjallje të gjerë dhe të fuqishme. Tërhiq drejt vetes një mori shpirtrash që askush nuk mund ta numërojë, nga çdo komb, tribu, popull dhe gjuhë (Gjo. 4:35; Kol. 4:3; Rom. 1:16; Zbu. 7:9).

Së treti ne lutemi për shenjtërimin e shenjtorëve. Ne lutemi që populli juaj të dalë nga kjo botë e korruptuar dhe të mos prekë atë që është e papastër. Bëj që ne të mos duam botën dhe as gjërat e saj. Mos lejo që të joshemi nga lakmia e syve, lakmia e mishit dhe krenaria e kësaj jete. Bëj që ne të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e saj. Bëj që ambicia jonë të jetë të të kënaqim ty, adhurimi juaj dhe të gjeturit e tërë kënaqësisë tonë në ty (2 Kor. 6:12; 1 Gjo. 2:15-17; Mat. 6:33; 2 Kor. 5:9).

Së fundi, o Perëndi lutemi për të tërë ata që janë sot të rënduar me gjithfarë nevojash specifike. Lutemi o Mjeku hyjnor që ju të shëroni të tëra ata që lëngojnë në sëmundje, si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht. Ji për ta shkëmbi, fortesa, mburoja, streha, fuqia, dhe shpëtimtari i tyre. Dërgo Ngushëlluesin. Përdore pikëllimin a vuajtjen e tyre për të mirën e tyre, për shenjtërimin e tyre. Ndërto besimin, dashurinë dhe shpresën e tyre. Silli ata më pranë vetes tënde. Bëj që vuajtjet e tyre e gjithçka tjetër të bashkëveprojnë për bekim për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij (Psa. 18:1-2; 1 Kor. 13:13; Rom. 8:28).

Ne lutemi me besimin se çfarëdo që kërkojmë ne emrin e Krishtit do të na jepet që Ati të përlëvdohet në Birin. Dëgjo dhe përgjigju o Perëndi, përmes Zotit tonë Jezus Krisht (Gjo. 14:13-14). AMEN.