Sakrifica e Besimit – Marku 14:1-11

Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin. 2 Por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli”. 3 Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye. 4 Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: “Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit? 5 Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t’u jepeshin të varfërve”. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj. 6 Por Jezusi tha: “Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. 7 Sepse të varfërit do t’i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t’u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë. 8 Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim. 9 Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj”. 10 Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t’ua dorëzonte Jezusin. 11 Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.

Për trembëdhjetë kapituj radhazi, historia e jetës dhe veprës së Krishtit sipas Markut rend drejt një pike të fuqishme kulmore, kryqëzimi i Krishtit i ndjekur nga ngjallja e Tij. Kapituj 14 dhe 15 përmbajnë tradhtimin, arrestimin, gjykimin dhe kryqëzimin e Tij, që ndryshe njihen si “pasionet” e Krishtit (nga fjala Latine passionis – vuajtjet). Subjekti i kapitullit 14, kapitulli më i gjatë i këtij Ungjilli është braktisja dhe tradhtimi i Krishtit. Ky kapitull hapet me Krishtin dhe dishepujt në Jerusalem, ku ai mëson dhe debaton me drejtuesit religjioz të vendit, ashtu siç e kemi parë ë bëjë në kapitujt e mëparshëm. Por duke filluar me Judë Iskariotin, fillon dezertimi që bëhet total pas Darkës së Fundit. Fronti në rreshtimin e dishepujve të tij thyhet dhe të gjithë ata, që nga Juda deri tek Pjetri largohen duke e lënë Zotin plotësisht të vetmuar dhe të braktisur. Në kryq Ai vdes plotësisht i vetmuar, i dënuar nga Romakët, i braktisur nga kombi i tij, dishepujt, e madje edhe vetë Ati i tij (15:34). Fati i Jezusit plotëson profecinë e Isaiah 53:4-9. Secili ndoqi rrugën e vet,  ndërsa Ai “i keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën.”

Braktisja e Jezusit fillon me komplotin e Judës (14:1-2, 10-11), në mes të së cilës si në një sandviç, Marku fut një ngjarje tjetër, devocionin e një gruaje, të cilën Marku e përdor si mesazhin qendror dhe çelësin e interpretimit të tërë pasazhit. Devocioni i një gruaje që nuk i përkiste rrethit të ngushtë të Apostujve dhe tradhtimi nga një Apostull i atij rrethi krijon atë kontrastit therës ndërmjet besimit dhe tradhtisë. Parfumi i kushtueshëm i gruas është shembulli i sakrificës së besimit ndaj Krishtit, ndërsa tradhtia e Judës është shembulli sakrifikimit të besimit ndaj Krishtit në altarin e përfitimeve e ofertave të kësaj bote.

Ligësia e Njeriut dhe Sovraniteti i Perëndisë

Gjëja e parë që duhet vënë re në këtë pasazh është se si Perëndia prish dhe përdor planet e armiqve të tij për lavdinë dhe qëllimin e Tij. Ligësia e njeriut dhe sovraniteti i Perëndisë është subjekti i dy vargjeve të para. “Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin. 2 Por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli”.” Nuk ishte hera e parë që drejtuesit e Izraelit dëshiruan që ta kaptin në gabim e izolonin Krishtin. Veprimi i Krishtit që me sa duket ua mbushi mendjen përfundimisht atyre për ta vrarë ishte ngjallja nga të vdekurit e Llazarit. “Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë:Ç’të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja” (Gjoni 11:47). “Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin” (Gjoni 11:53). Por parametrat për të cilat ata ranë dakord ishin këto, (a) jo publikisht, (b) jo gjatë javës së festimeve. Kuptohet që kjo ishte jo për të mirën e Krishtit që do të vritej apo të nderit të familjes së tij, por për qëllimin e tyre politik.

Por providenca sovrane e Perëndisë plotësisht ua përmbysi atyre përllogaritjen e tyre politike. Tradhtimi dhe arrestimi i Krishtit ndodhi shumë më herët se sa ata e kishin planifikuar, ndërsa vrasja e tij u bë në ditën kryesore të festimeve kur Jerusalemi do të kishte numrin më të madh të vizitorëve. Ata planifikuan që ti vinin kapak një herë e përgjithmonë çështjes së Krishtit dhe të mbretërisë së tij shpirtërore, kur në realitet ata u bënë edhe pse me pahir instrumente në dorën e Perëndisë për themelimin e mbretërisë së Tij, për përmbushjen e Shkrimeve të Dhiatës së Vjetër, dhe përmbushjen e planit shpëtues të Perëndisë për mëkatarët e gjithë botës. Ata planifikuan poshtërimin e Krishtit përmes kryqit që në fakt është lavdia e dashurisë së Perëndisë  dhe “për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë” (1 Kor. 1:18). Ata planifikuan që ta vrisnin në fshehtësi, ndërsa ai u vra publikisht para syve të tërë botës. Ata menduan se do të heshtnin dishepujt por në fakt iu dhuruan atyre mesazhin që do të dëgjohet kudo e madje edhe në përjetësi. “Edhe zemërimi i njerëzve do të shndërrohet në lavdi për ty,” (Psalmi 76:10).

Por ironia më e madhe e kësaj historie është se Krishti kishte dy ditë që tashmë e kishte profetizuar vdekjen e tij, ndërsa ata po planifikonin që ta vrisnin të paktën pas nëntë ditësh. Njerëzit komplotojnë, por është gjithmonë vullneti i Perëndisë ai që përmbushet. “Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar (Prov. 19:21). Dhe plani i Zotit ishte që Krishti duhej të vritej publikisht në të njëjtin moment kur qengjat e Pashkës po thereshin në Tempull, për të treguar se Jezusi është në të vërtetë “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29).

Kjo është një ngushëllim për të Krishterin sot. Ne jetojmë në një botë të mbushur me trazira e makinacione si në jetën personale ashtu edhe atë publike. Le të prehemi në faktin se çdo gjë në këtë botë orkestrohet përsosmërish nga një Perëndi i mirë e sovran në njohjen dhe fuqinë e tij. Le të mos dyshojmë se gjithçka ndodh për lavdinë e Perëndisë dhe bekimin e Kishës. Le ti kujtojmë vetes fjalët e Psalmit 2: “Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,” dhe vazhdon “Ai që ulet në qiejt do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.” Kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë gjithmonë.

Demonstrimi i Besimit Përmes Një Dhurate Dashurie

Së dyti, le të vëmë re fokusin e këtij pasazhi që është devocioni ideal i dishepullit ndaj Krishtit në një demonstrim besimi që kryhet përmes një dhuratë të kushtueshme dashurie ndaj Tij. “3 Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.” Ndërsa liderët e Izraelit përgatisnin vdekjen e Krishtit, dikush tjetër po pregatitej për vdekjen e tij, por në një mënyrë dhe frymë tjetër. Gruja për të cilën bën fjalë Marku është Maria, motra e Martës dhe e Llazarit. Gjoni thotë se “Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji” (Gjo. 12:3). Tradita historike sugjeron se Simon Lebrozi ishte babai i Martës, Maries dhe Llazarit. Nëse kjo është e vërtetë atëherë kjo familje kishte më shumë se një arsye që të festonte prezencën e Krishtit në Betani. Së paku ngjalljen e Llazarit nga Krishti, nëse Simon Leprozi nuk është babai i tyre, dhe nëse po, ndoshta edhe shërimin e Simonin nga leprozia. Në atë kohë lebrozët nuk pranoheshin në shoqëri dhe ata jetonin një jetë të izoluar deri në vdekje larg vendeve të banimit. Fakti që ai është në festë tregon se ai ishte një ish-lebroz, dhe ndoshta edhe një prej atyre të shumtëve që kishte shëruar Krishti. Fatkeqësisht, disa ngatërrojnë apo e identifikojnë këtë ngjarje me një rast të ngjashëm që gjejmë tek Luka 7:37-40, ku një prostitutë erdhi dhe vajosi këmbët e Krishtit, si një akt falënderimi për mëkatet e falura. Ky është një tjetër rast vajosje dhe devocioni nga një grua që nuk duhet ngatërruar me festën ne Betani në shtëpinë e Simon Lebrozit. Për sa i përket etikës, Maria e kishte thyer atë me ndërhyrjen e saj në prezencën e burrave. Por vlerat e shoqërisë njerëzore nuk janë gjithmonë të njëjta me ato të Krishtit. Ndërhyrja e Maries lavdërohet nga Krishti si një demonstrim besimi.

Le të vëmë re se dhurata e Maries ishte një akt dashurie sakrifikuese. Ajo derdhi mbi Krishtin “vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm,” dhe që sipas profesionistit, Judës Iskariot, vlente treqind denarë. Kjo shumë ishte disa herë më e madhe se sa të ardhurat e një viti për një punëtor të thjeshtë apo edhe ndoshta për një familje të zakonshme. Vargu tre nuk thotë se ajo ngjeu pak gishtin në këtë parfum të shtrenjtë dhe spërkati Krishtin me të. Marku thotë se ajo e derdhi të gjithë masën mbi Krishtin dhe theu enën që mbante atë si simbol i plotësisë së dhuratës së saj. Maria dha gjithçka për Krishtin. Ajo dha gjithçka që e tërë familja kishte mundur të grumbullonte apo edhe të trashëgonte nga të vjetrit. Të tjerët u indinjuan dhe e quajtën këtë veprim një shpenzim të kotë. Zemrat e tyre të ftohta nuk mund të kuptonin një dashuri kaq të kushtueshme.

Shumë njerëz ia japin veten Krishtit duke i ofruar pak nga koha, pak nga paraja, pak nga vëmendja, pak nga devocioni, edhe atë në sezone të caktuara të vitit. Ata lyejnë gishtin dhe spërkasin pak nga Krishti dhe ndjehen të kënaqur me vetveten. Këta njerëz i konsiderojnë radikalë, ekstremistë apo fundamentalistë ata si Maria dhe bëjnë thirrje për moderim dhe tolerancë. Nëse dikush ia përkushton kohën, paranë dhe afeksionin një kauze çfarëdo, këta quhen njerëz normal. Nëse dikush konsumohet nga dashuria apo dëshira për paranë, pushtetin, politikën apo kënaqësinë, për botën kjo është normale. Por nëse personi ia përkushton po të njëjtat gjëra dhe me të njëjtin intensitet Krishtit, ai konsiderohet fanatik, i çmendur, radikal, me një fjalë – një shpenzim i kotë. Le të mos lejojmë që qëndrime si këto të na shkurajojnë apo turpërojnë përpara botës. Bota dhe ata që mendojnë kështu nuk kanë një ndjenjë obligimi ndaj Krishtit. Një zemër e ftohtë e bën një dorë të ngadaltë. Ai që kupton gjëmën e mëkatit të tij dhe mëshirën e Krishtit për të në vdekjen në Kryqin e Golgotës, ai njeri nuk do të konsiderojë asgjë si shumë të shtrenjtë për t’ia dhënë Krishtit. Në fakt ai njeri do të përpiqet që të mos e shpenzojë kot kohën, talentin, paranë dhe afeksionin në gjërat e kësaj bote por do ti shpengojë e shumëfishojë ato duke ia dhënë veten Krishtit me gjithçka që është e që ka. Unë besoj se, Maria e ulur si gjithmonë tek këmbët e Krishtit, pa në sytë e tij vuajtjen që ai po meditonte dhe që do ta pasonte në kryq. Ajo po identifikohej me Krishtin në vuajtjen e tij. Ajo mendoi për mënyrën më të mirë se si mund ti demonstronte Krishtit dashurinë që ajo kishte për të, dhe se ajo e kishte kuptuar se çfarë Ai do të bënte për të. “Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?” (Psa. 116:12). Këtë ne e dimë pasi Krishti që kishte lexuar mendimet e saj tha “[ajo]…vajosi para kohe trupin tim për varrim.” Gjoni sugjeron se në fakt Maria kishte kohë që i kishte besuar fjalëve të Krishtit se do ta kryqëzonin në Jerusalem. Sipas Gjonit, Krishti tha “Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim” (Gjo. 12:7). Ky demonstrim besimi, kjo dhuratë dashurie të kushtueshme, ishte një akt i pre-medituar, i një gruaje që tashmë e kishte kuptuar ungjillin e Krishtit, se ai do të jepte veten e tij për ne në kryq, dhe  ajo e deshi Krishtin për këtë gjë.

Si arriti që Maria të kuptonte mesazhin e Krishtit, kur të njëjtin mesazh e kishin dëgjuar me dhjetëra herë edhe dishepujt e tjerë? Përgjigja është kjo: Duke qëndruar aty ku ne e gjejmë atë edhe në këtë pasazh…tek këmbët e Krishtit, duke i lyer e pastruar ato me flokët e saj. E gjejmë atë tek këmbët e Krishtit kur ai vjen për vizitë në shtëpinë e saj, ndërsa Marta ishte e zënë me përgatitjet e darkës siç lexojmë tek Luka 10. Ne e gjejmë atë tek këmbët e Krishtit  kur Ai vjen në Betani për të ngjallur Llazarin, vëllanë e vdekur, siç lexojmë tek Gjoni 11. Sa herë që Maria na del përpara, ajo është tek këmbët e Krishtit.

Nëse ne nuk dimë a kuptojmë shumë thesaret shpirtërore të Biblës, kjo vjen sepse ne nuk kalojmë shumë kohë tek këmbët e Krishtit. Kjo gjë bëhet kur kalojmë kohë në studimin e Fjalës. Në konceptim Biblik, të ulesh në këmbët e dikujt është të mësosh prej tij si një fëmijë apo një nxënës prej prindit apo mësuesit të tij.  Ne mësojmë jo vetëm përreth Krishtit, por njohim vetë Krishtin kur ne lexojmë e studiojmë Fjalën, dëgjojmë Fjalën të na predikohet, e përdorim Fjalën si modelin e përmbajtjen e lutjeve tona, kur e këndojmë atë, kur e fshehim atë në zemrat tona përmes meditimit. Vetëm kur ne arrijmë ta njohim Krishtin siç arriti Maria, ne do të mund të jemi në gati që ti ofrojmë atij gjithçka si një dhuratë dashurie.

Një Memorial i Përhershëm  Dhe Një Dënim i Përjetshëm

Le të vënë re së treti, se sa lart e vlerëson Krishti shërbimin që i ofrohet atij. Historia merr një kthesë interesante kur ndërsa Mari po vajos Krishtin si një memorial të vdekjes së Tij, krishti e kthen këtë akt në një përkujtim të devocionit të saj ndaj tij. “Po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj.” Dhe kështu ka ndodhur me të vërtetë në këto 20 shekujt e fundit. Shumë njerëz janë përpjekur që të lënë një trashëgimi historike të jetës dhe veprës së tyre. Faronë Egjiptianë e diktatorë Shqiptarë  i kanë ngritur piramida, statuja e monumente vetes së tyre pasi frika e tyre më e madhe në këtë jetë ishte harresa ndaj tyre. Në fakt në Egjiptin e lashtë përkufizimi i ferrit ishte të ishe i harruar nga brezat pasardhëse. Për këtë arsye Faronët ndërtonin piramida. Ishte një akt vetëdashurie. Por akti altruist e vetëmohues i një dashurie “ekstravagante” të Maries jeton e predikohet sot si një përkujtimore apo memorial ndaj saj dhe si një dëshmi e madhështisë së Zotit të saj Krisht. Për Krishtin ajo bëri një vepër të mirë, sepse e bëri ndaj tij. Ky është përkufizimi biblik i veprës së mirë: një akt i bërë për lavdinë e Krishtit. Kjo është gjithçka që ne mund të bëjmë. Sa ndryshe ishte shpenzimi i Marisë nga shuma e vejushës së varfër që hodhi vetëm dy monedha të vogla në kutinë e ofertave, siç lexojmë tek Marku 12:41-44, e megjithatë ato morën të njëjtin lavdërim nga Krishti. Kjo sepse standardi i gjykimit të Jezusit është motivi i zemrave tona dhe se sa japim nga mundësia jonë. “Ajo bëri atë që mundi.” Besimi dhe dishepullimi nuk janë ideale esoterike (çfarë ne do të na pëlqentë të ishim apo të bënim), por realitete absolute (çfarë ne jemi dhe çfarë ne jemi në gjendje që të bëjmë). Në sytë e Jezusit ka rëndësi qëllimi dhe motivi dhe jo përmasa apo vlera materiale e akteve tona. Dashuri sakrifikuese është përkufizimi i dishepullimit për Krishtin.

Nuk ishte ky realiteti i zemrës së Judës, dhe rrjedhimisht nuk ishte ky as deklarimi i Krishtit për të. Ishte Juda ai që shkoi vetë i pari tek krerët e priftërinjtë dhe që ua dorëzoi Krishtin për tridhjetë sikla argjendi (Mateu 26:14-16). Juda humbi në dënim. Jezusi e quajti Judën “biri i humbjes” (Gjo. 17:12). Krishti tha për të “Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë” (Mat. 26:24). Ç’gjë e tmerrshme të tradhtosh Krishtin. Juda shpenzoi tre vjet më Krishtin, por sepse i ktheu kurrizin atij, ai fitoi dënimin e përjetshëm. Nuk do të jetë i ndryshëm nga ai fati i atyre që sot mohojnë Krishtin, vlerën e tij, përfitimet tashmë të siguruara në kryq prej Krishtit, dhe që rendin pas botës, kënaqësive të saj apo ideve të saj mbi Krishtin. Juda priste prej Krishtit që ai të ishte një Mbret fizik mbi Izraelin e asaj kohe me qëllim që ai të qeveriste e të vidhte nën Krishtin. Fakti që ishte ai që mbante arkën, fakti që ishte ai që kërkoi para prej sinedrit, fakti që Krishti e kishte njohur atë të zhyste dorën në kuletën e dishepujve (Gjo. 12:6), provon se përfitimet e kësaj bote ishin idhulli i Judës, dhe se atij nuk i hynte në punë një Mesi i kryqëzuar në kryq. Ndoshta ai e tradhtoi Krishtin sepse ai e kuptoi po aq mirë sa edhe Maria qëllimin e Krishtit, por atij nuk i hynte në punë një Krishti i kryqëzuar dhe një mbret mbi një mbretëri shpirtërore. Miliona e miliona njerëz bëjnë të njëjtën gjë edhe sot. Është e mundur që ti qëndrosh Krishtit e Kishës afër, të bësh gjërat që të Krishterët e vërtetë bëjnë kudo nëpër botë, madje edhe të lindesh e të rritesh në familje të vërteta e të forta Kristiane, dhe thjesht të presësh rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar dhe të humbasësh në dënimin e përjetshëm. Është e mundur që të jesh kaq afër Krishtit e të përfundosh kaq larg prej tij.

Për të Krishterin e vërtetë që bën çfarë mundet për lavdinë e Krishtit dhe nga dashuria që ai apo ajo ka për Shpëtimtarin, ky lavdërim dhe mbrojtje që Krishti i bëri Maries është burim ngushëllimi dhe sigurie shpëtimi. Mbrojtja që Krishti I bëri aktit të Maries është një demonstrim apo shijim paraprak i mbrojtjes që ne dhe veprat tona do të marrin nga Krishti ditën e gjykimit para fronit të Atit. Le të mos merakosemi pra për se çfarë thonë a mendojnë njerëzit për ne për shkak të devocionit tonë ndaj Krishtit. Lavdërimet e Krishtit ndaj nesh ditën e fundit do të jenë më shumë se sa një kompensim bujar për të gjitha vuajtjet tona në këtë botë.