Rënia e Përkohshme e Pjetrit

Marku 14:27-31 dhe 66-72

Dishepulli i vërtetë është një prej temave që përçon Ungjillin e Markut. Personi që ndoshta i përmbledh më mirë të tëra karakteristikat reale e një dishepulli është Pjetri. Kjo, jo sepse ai është i përsosur por sepse nuk është i tillë. Pjetri është personazhi më interesant, më plot ngjyra nga të gjithë dishepujt e tjerë, dhe ndoshta ai me të cilin të gjithë ne identifikohemi më mirë. Unë vetë nuk arrij të identifikohem me Palin pasi ai më “depresionon”. Pali është i qëndrueshëm, i paepur, me një teologji të përsosur, një njeri i palodhur e agresiv për kauzën e ungjillit, dhe personi më i rëndësishëm që ka jetuar ndonjë herë pas Krishtit. Pjetri nga ana tjetër është ai dishepulli që e do Krishtin, është ai që përbetohet se do të vdesë për të, dhe është po ai që e mohon atë më shumë se një herë.

Në Mbrojtje të Pjetrit

Disa fjalë duhen thënë, së pari, në mbrojtje të Pjetrit. Mohimi që Pjetri i bëri Krishtit ishte një mëkat i madh dhe një dështim i tmerrshëm. I frikshëm madje në kontekstin e fjalëve të Palit drejtuar Timoteut: “Në qoftë se vuajmë (qëndrojmë), do të mbretërojmë bashkë me Atë; po ta mohojmë, edhe Ai do të na mohojë,” (2 Tim. 2:12).  E megjithatë, kjo ishte mëkati dhe dështimi i një njeriu të guximshëm i cili sinqerisht e dashuronte Krishtin.

1. Pjetri u përpoq që ta mbronte Krishtin. Tek vargu 14 lexojmë se “një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.” Gjoni e identifikon atë. Ky është Simon Pjetri. Sigurisht që ky ishte një akt i bërë në mish nga një njeri që nuk e kishte kuptuar ende kuptimin e tërë këtyre gjërave që ia dha Krishti kur i tha “A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?” (Mateu 26:53-54). “Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?” (Gjoni 18:11). Edhe pse një akt i gabuar, ky ishte akti i një njeriu që nga dashuria për Krishtin kishte kurajën që të vepronte për të, madje edhe të luftonte e vdiste për të.  A jemi ne po kaq të guximshëm e të gatshëm që të luftojmë e vdesim për Krishtin sot?

2. Pjetri e ndoqi Krishtin edhe pse në distancë, kur të tjerët e kishin braktisur atë plotësisht, (Mateu 26:58) ndoshta me përjashtim të Gjonit. Dhe Pjetri jo vetëm që e ndoqi Krishtin kur e tërhiqnin të lidhur rrugëve të Jerusalemit, por madje edhe deri brenda oborrit të rezidencës së Kryepriftit.

3. Pjetri e donte Krishtin dhe kjo shihet tek dedikimi i vazhdueshëm që ai ka për Krishtin. Deklarata e Pjetrit në Çezarea të Filipisë, konsiderohet pika e kthimit të shërbesës së Krishtit. Aty Krishti pyeti dishepujt e tij se kush besonin ata se ishte ai, dhe Pjetri është i vetmi që flet, edhe pse ndoshta në emër të të gjithë dishepujve e thotë “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së Gjallë” (Mateu 16:16). Tek kapitulli 6 i Gjonit lexojmë të njëjtën gjë. Jezusi ka thënë “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës,” (Gjoni 6:51). Kur i dëgjuan këto shumë prej dishepujve thanë “kjo është një e folur shumë e rëndë” dhe të skandalizuar u larguan në Krishti. Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: “A doni edhe ju të largoheni?”. Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme. Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë,” (Gjoni 6:67-69). Pjetri ishte dishepulli dhe drejtuesi. Ai kishte gjetur tek Jezusi i Nararetit çdo gjë. Përgjigjen për problemin e mëkatit të tij e të fajit që vjen nga mëkati. Tek Krishti ai pat gjetur personin që i jepte kuptim e qëllim jetës së tij. Dhe ai kishte lënë gjithçka dhe kishte ndjekur Krishtin. Unë besoj se Pjetri shprehu se çfarë vërtetë kishte në zemër kur ai tha “Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë.” Ishte një deklaratë dashurie dhe dedikimi ndaj Krishtit. Pjetri madje e vendosi veten në kontekstin e mohimin, nën presionin për të mohuar Krishtin, nga dashuria e dedikimi që kishte për Krishtin, pasi nëse Pjetri nuk do ta kishte ndjekur Krishtin pas atë natë deri në oborrin e brendshëm të shtëpisë së Kryepriftit, me siguri edhe nuk do të ishte vënë nën tundimin për ta mohuar atë. A nuk është kjo edhe situata e shumta edhe të Krishterëve sot? Sepse e duam Krishtin, e dëshirojmë që ti shërbejmë e të dëshmojmë për të, ne e vendosim veten, herë qëllimisht dhe urtësisht e herë jo, nën sulmet e tundimet e botës. Së fundi, ne e dimë se ai e donte Krishtin edhe nga lotët e tij. “Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim, (Luka 22:62). Me hidhërim, Pjetri vajtoi mohimin që i bëri Krishtit që e kishte dashur Pjetrin aq shumë, dhe që edhe vetë Pjetri e donte aq shumë. Prandaj lexojmë se, pas ngjalljes, kur Krishti e pyeti Pjetrin “për të tretën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?”. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: “A më do ti mua?”, dhe iu përgjigj: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua”.” (Gjoni 21:17).

Po, Pjetri ra, dhe rënia e tij është një mësim për ne sepse Pjetri ishte një dishepull. Ndoshta nuk do të ishte e çuditëshme për ne sikur të shikonim Nikodemin që ta mohonte Krishtin pasi ai tashmë nuk e pohonte atë publikisht. Ai shkoi tek Krishti nën petkun e natës (Gjoni 3:1) sepse kishte frikë nga opinioni i botës. Nuk do të ishte e çuditëshme për ne nëse i riu pasanik (Marku 10:17-31) do ta mohonte Krishtin pasi ai donte pasuritë e kësaj bote mbi çdo gjë a njeri tjetër. Por Pjetri nuk ishte as njëri e as tjetri, Ai ishte Simon Pjetri, shkëmbi që duhej të qëndronte për Krishtin. Ndërsa ai ra para pyetjeve të një shërbëtoreje të thjeshtë. Nëse Pjetri e bëri këtë gjë po kështu mund ta bëjmë edhe ne. Çfarë i ndodhi Pjetrit mund ti ndodhë a ndoshta tashmë i ka ndodhur edhe më të fortit prej nesh. Por si shpjegohet rënia e përkohshme e Pjetrit? Çfarë mësimesh duhet të nxjerrim ne për veten tonë?

Rrëzimi i Përkohshëm i Pjetrit

Rënia e Pjetrit nuk ishte as e rastësishme dhe as e paparashikueshme për shkak të trajektores që ai kishte marrë. Vini re katër momente kryesore të kësaj trajektoreje:

1. Pjetri nuk i besoi paralajmërimit të Krishtit. Madje edhe më keq se jo, ai kontradiktoi Krishtin në mënyrë të hapur. Krishti e paralajmëroi dishepullin për rënien që do të vinte dghe madje edhe duke cituar Zakarinë 13:7 kur u tha “Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: “Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen”,” (Marku 14:27). Më pas Krishti insiston se madje edhe vetë Pjetri do ta mohonte: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë,” (vargu 30). Por Pjetri insistoi me kokëfortësi “Dhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem…dhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë.” Pjetri i thotë Logosit të Përjetshëm se e ka gabim, se nuk e njeh mirë të ardhmen e Pjetirt, se nuk e njeh mirë aftësinë e tij njerëzore për të qëndruar. Pjetri nuk i besoi fjalëve të Krishtit. Edhe ne jemi shumë të ngjashëm me Pjetrin. Ose nuk i kuptojmë ose nuk i besojmë plotësisht fjalët e Krishtit kur na thotë “Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët,” (v. 38). “Pa mua nuk mund të bëni asgjë,” (Gjoni. 15:5). Fjala asgjë këtu përfshin edhe aftësinë tonë natyrore për të qëndruar për Krishtin deri në fund. Nëse i besojmë fjalëve të tij, atëherë ne nuk do të bëjmë gabimin e parë që bëri Pjetri, nuk do të mbështetemi tek vetja jonë por do ti ngjitemi Krishtin në kohën e nevojës.

2. Pjetri pa me arrogancë dishepujt e tjerë. Ai deklaroi “Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem,” (v. 29). Pjetri praktikisht tha: Po! E imagjinoj se si mund të të mohojë Mateu se ai i ka dobësi lekët. E imagjinoj se si mund të të mohojë Natani se ai është tip skeptiku. E imagjinoj se si mund të të mohojnë Jakobi dhe Gjoni, bijtë e Zebedeut se ata pushtet e ofiqe duan. Por jo unë. Kurrë! Pjetri i pa të tjerët të dobët dhe veten të fortë dhe të aftë për të qenë besnik. Po kështu edhe me ne. Mendoj se është e lehtë për ne që të shikojmë të Krishterët e tjerë përqark nesh me arrogancë. Ne jemi më të mirët dhe më të fortët. Kuptimi ynë i doktrinës biblike është superiore ndaj denominacioneve të tjera, dhe rrjedhimisht jemi më të fortë e të qëndrueshëm për ti rezistuar mishit tonë, botës dhe Satanit. Por ne nuk jemi më të fortë dhe nuk ka asnjë mëkat të bërë nga të Krishterë të tjerë që ne nuk do të ishim po aq të dobët për ta bërë. Prandaj edhe Pali na instrukton kështu “Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë,” (1 Kor. 10:12). Për sa i përket Pjetrit, mëkati i tij ishte më i rëndë se sa ai i dishepujve të tjerë. Ata me të vërtetë ikën dhe e braktisën Krishtin, por të paktën nuk e mohuan siç bëri Pjetri që e mohoi me insistim, tre herë rresht, dhe madje plot mallkime e përbetime.

3. Pjetri u mundua në forcën e tij dhe jo në hirin e Perëndisë. Pjetri nuk u lut. Krishti “i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? S’ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme? Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët”,” (v. 37-38). Pjetri u paralajmërua se do të binte dhe u urdhërua që të lutej. Por jo. Ai ra në gjumë si të tjerët, nuk tërhoqi drejt vetes së tij përmes instrumentit të lutjes atë hirin e domosdoshëm të Perëndisë që do ti duhej për të përballuar sprovën që po i afrohej, dhe si rrjedhim nuk morri forcën që do ti duhej për të qëndruar. Këtu qëndron ndryshimi ndërmjet Krishtit dhe Pjetrit. Krishti u sprovua nga institucioni më i fuqishëm i vendit dhe i botës (Kryeprifti dhe Roma) dhe qëndroi, ndërsa nga ana tjetër Pjetri u rrëzua para një vajze që shërbente diku aty në pallatin e Kryepriftit. I doli një çupëlinë aty përpara dhe e tmerroi.

Sa prej rrëzimeve e mëkateve tona janë rezultat i mungesës së lutjes në jetën tonë shpirtërore. Pali na instrukton që të lutemi pa pushim (1 Se. 5:17). Por jo. Nuk është ky stili unë i jetesës. Shumica prej nesh nuk lutet për më shumë se disa minuta gjatë ditës, nëse lutemi çdo ditë, pa përmendur që reagimi ynë i natyrshëm nuk është lutja, kur e shikojmë veten para situatave të ndryshme. Nuk shkojmë tek Perëndia për zgjidhje e forcë por tek dinakëria, forca apo njohjet tona shoqërore e familjare. Por Kirhsti na ka urdhëruar të lutemi e madje edhe na ka dhënë premtime: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket” (Mateu 7:7-8). Tek Efe. 6:10-18 ne gjejmë instruktimin e Palit për një qëndresë të suksesshme. Ky pasazh njihet si Armatimi i Perëndisë për të Krishterin, dhe aty Pali rendit gjashtë pjesë të armaturës, pra se çfarë duhet të veshim, dhe tek vargu 18 se si duhet ta veshim këtë armaturë: Ai thotë “Vishni të gjithë armatimin e Perëndisë…që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të qëndroni në këmbë…[gjashtë pjesët e armaturës dhe pastaj]…duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën.” Armatura vishet përmes lutjes, qëndresa realizohet përmes lutjes, rezistenca është e suksesshme vetëm kur lutesh.

4. Pjetri mendoi se ishte i sigurt në mes të shoqërisë së gabuar. Ai shkoi dhe u lut pranë zjarrit me ata nuk as nuk ishin miq të Krishtit, as dishepujt të tij, përkundrazi, me siguri ata ishin pikërisht shpura që e kishte sjellë Krishtin të lidhur tek pallati i kryepriftit. Një turmë e tillë sigurisht që nuk do ta inkurajonte Pjetrin që të qëndronte për Krishtin. Davidi e njihte rrezikun e shoqërisë së gabuar, prandaj dhe shkroi “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,” (Psa. 1:1). Ka një progresion këtu drejt të ligës. Davidi nuk dëshiron që të ecë, të ndalet e të ulet me turmën e gabuar jo sepse ai ishte më i mirë se ata, por sepse ai ishte pikërisht si ata. Në natyrën njerëzore, dhe edhe madje në atë të të Krishterit ka një armiqësi kokëforte ndaj Krishtit dhe ndaj çdo gjëje që është e Krishtit. Por jo vetëm kaq, kjo natyra e vjetër brenda të të Krishterit, jo vetëm që lufton njeriun e ri, për të lëna vetëm, ajo gjithmonë fiton mbi të. Prandaj dhe ne kemi nevojë për lutjen, për Krishtin, për bekimet e hirit, për Fjalën e Sakramentet, dhe për shoqërinë e shenjtorëve të Tij.

Moshumbja Përfundimtare e Pjetrit

Por vini re se si mbaron historia. Pjetri rrëzohet por nuk humbet përfundimisht si Juda. Pjetri falet e riinstalohet si apostull nga Krishti dhe madje merr prej Tij stafetën pastorale kur Krishti i tha: “Kujdesu për delet e mia…kulloti qengjat e mi,” (Gjoni 21:15,17). Dhe më pas Krishti edhe i thotë për mënyrën se si do të vdesë Pjetri. “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje”. I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: “Ndiqmë”,” (Gjoni 21:18-19). Nga historia dimë se Pjetrin e kryqëzuan në Romë kokëposhtë, në përputhje me kërkesën e tij, sepse ai nuk e shikonte veten të denjë që të kryqëzohej si Zoti i tij. Deri ne fund ai nuk e mohoi më kurrë Krishtin. Përse Pjetri nuk humbi përfundimisht si në rastin e Judës?

Sepse mëshira e Perëndisë buron bollshëm për të zgjedhurit e Tij, pavarësisht mëkateve të tyre. Kjo është arsyeja, që edhe pse Pjetri e mohoi Krishtin duke mallkuar e përbetuar, ai nuk humbi përfundimisht si në rastin e Judës. Mëkati ynë ndaj Krishtit është i madh, por shumë më i madh është hiri i tij që i mbulon plotësisht tërë lakuriqësinë e turpin e mëkatit tonë. Pjetri ra por nuk humbi sepse Krishti ishte lutur për të, po në atë natë që ai do të tradhtohej, dhe madje edhe përpara se sa Pjetri me arrogancë do të deklaronte “pathyeshmërinë” e tij për Krishtin. Atë lutje ne e kemi të regjistruar tek Gjoni 17 në atë që njihet si Lutja Kryepriftërore e Krishtit. Por Krishti nuk u lut vetëm për Pjetrin, por edhe për ne sot që jemi në Krishti si fryt i predikimit apostolik që filloi po me Pjetrin në Ditën e Rrëshajave. Pjetri nuk humbi përfundimisht sepse Krishti ngulmoi për të siç ngulmon sot dhe vazhdimisht edhe për të. Por edhe Pjetri bëri pjesën e tij të ngulmimit. Ai vrapoi për tek Krishti me lot pendese e rrëfimi. I Krishterë, në ditën tënde të rënies kujto Pjetrin, modeli më realist i të qenit dishepull.  Kur bie në mëkat, kur rrëzimi është madje spektakolar, kujto q Perëndia është një Perëndi i hirit e i mëshirës. Ai është një Perëndi zemërdhembshur e përdëllyes. Ai e dëgjon vajtimin dhe i shikon lotët e zemrës së penduar nga mëkati, dhe fal, pastron e ngre lart atë që i thërret në emër të Krishtit.