Dhuratat e Besimit

“…disa dijetarë nga lindja arritën…mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.” (Mateu 2:1, 11)

Mbretër-Bërës nga Lindja

Historia e lindjes së Krishtit shoqërohet edhe me një ngjarje tjetër që historikisht ndodhi ndoshta edhe me shume se dy vjet pas lindjes së tij por që për shkak të kontekstit të saj është parë gjithmonë si pjesë e historisë së lindjes së Krishtit. Bëhet fjalë për ardhjen e disa personave të rëndësishëm nga Lindja. Në tekstin origjinal termi që përdoret për ta është ma,goj (magos), një titull që përdorej nga Babylonasit, Mediasit dhe Persët ndaj një grupi të veçantë personash publikë. Këta ishin dijetarë, priftërinj, astrologë, e parashikues të fatit apo interpretues të ëndrrave e vizioneve. Ata nuk ishin mbretër apo magjistarë siç mund të jetë dëgjuar nëpër këngë apo literature artistike e vizuale. Ata ishin mbret-bërës. Një prej funksioneve që kjo klasë e veçantë personash kishte, ishte edhe konfirmimi dhe kurorëzimi i mbretërve të rinj që vinin në krye të mbretërive në Lindje. Pjesë e këtij grupi, në Dhiatën e Vjetër ishte edhe Danieli, i cili u pat lënë atyre edhe profeci të shumta për ardhjen e një mbreti të ri, e një mbreti hyjnor, e një mbreti mbi tërë mbretërit e dheut.

Në kohën e duhur, Perëndia u zbulon përmbushjen e profecive dhe i drejton ata për në Izrael për të konfirmuar e kurorëzuar këtë mbret të ri. “Ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.” Eventualisht ata përfundojnë në shtëpinë e Maries dhe Jozefit “dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.” Ungjill-shkruesit nuk na japin shumë informacion mbi këta magi nga lindja, dhe jo pa qëllim. Mateut i intereson më tepër fakti që jo-judenj, madje edhe mbretër-bërësh të Perandorive madhështore si ato të lindjes erdhën për të adhuruar Mesinë, dhe për ti sjellë atij dhurata. Adhurimi i Krishtit dhe dhuratat që iu ofruan atij janë fokusi kryesor i ngjarjes.

Metali i Mbretërve

Është e thjeshtë për të kuptuar se përse ari ishte dhurata e duhur dhe e përshtatshme për Jezus Krishtin. Ari është metali i mbretërve. Kjo është e konfirmuar edhe nga arkeologjia moderne. Ofrimi i arit ishte deklarata e këtyre mbretër-bërësve mbi të drejtën e Jezus Krishtit për të mbretëruar. Ai ishte mbreti që duhej të vinte, siç edhe ishte profetizuar nga Mikea 5:2 “Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.” Ofrimi i arit ishte shpallja e Krishtit si mbreti që duhej të vinte dhe përmbushja e të tëra profecive të Dhiatës së Vjetër.

Temjani i Pastërtisë

Është po kështu e thjeshtë për të kuptuar se përse edhe temjani ishte një dhuratë e duhur dhe e përshtatshme për Krishtin. Temjani përdorej në Tempull për adhurim. E përzier me vajin, ajo përdorej për vajosjen e priftërinjtë për shërbimin e adhurimit në Tempull. Po kështu ajo përdorej edhe për ofruar blatimin ushqimor, që ishte jë blatim falënderimi dhe adhurimi ndaj Perëndisë, një sakrificë e pranueshme dhe kënaqësi dhënëse ndaj Perëndisë.  Në dhënien e kësaj dhurate, këta dijetarë priftërinj e mbret-bërës, deklaruar Krishtin të jetë gjithashtu edhe Kryeprifti ynë, e tërë jeta e të cilit do të ishte “një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia,” (Filipianëve 4:18). Është interesante që temjani nuk përzihej kurrë me flijimet për mëkatet. Ne shikojmë në simbolizmin e këtyre dhuratave mbretërimin e përjetshëm dhe shenjtërinë e Krishtit si Mbreti dhe Kryeprifti ynë. Ai erdhi nga përjetësia, nga gjiri i Hyjit, Personi i dytë i Trinisë që të përmbushë veprën e çlirimit. Ai erdhi i përgatitur për të bërë vullnetin e Atit dhe të përmbushë të tëra obligimet e Ligjit. Vetëm kështu ai do të bëhej i pranueshëm që të vdiste në kryq, dhe vetëm përmes atij kryqi të shpëtonte botën. Mbajtësi i mëkatit duhej të ishte pa mëkat vetë.

Shenja e Vdekjes

Ashtu siç ari ishte metali i mbretërve dhe temjani simboli i shenjtërisë, mirra ishte simboli i vdekjes. Mund të kuptohet shumë lehtë se sa e rëndë, keq-ndjellëse dhe madje edhe ofenduese është që ti ofrosh një bebeje dhe familjes së tij shenjën e vdekjes. Mirra përdorej në atë kohë për të balsamosur të vdekurit. Por në rastin e Krishtit, kjo dhuratë nuk ishte as e çuditëshmë dhe as ofenduese. Ajo ishte një dhuratë besimi. Ne nuk e dimë me siguri se sa të qarta i kishin këta dijetarë nga lindja aspektet e ndryshme të shërbesës së Krishtit dhe mbi të gjitha doktrinën e vdekjes së tij në Kryq. Por një gjë është e sigurt, ata e bënë këtë gjë të shtyrë nga Perëndia. Për ata ishte një akt dhe dhuratë besimi. Isaia 53:4-6 thotë “Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. 5 Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. 6 Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.” Krishti duhej të vuante dhe të vdiste për mëkatin tonë, dhe mirra ishte dhurata që simbolizonte këtë aspekt të shërbesës së Krishtit.

Ari për mbretërim! Temjani për shenjtërinë! Mirra për vuajtjen! Por vjen një ditë që mirra nuk do të jetë më një dhuratë për Krishtin. Isaia 60 flet për ardhjen e dytë të Krishtit në fund të kësaj epoke për të inaguruar aktin final të konsumimit të premtimeve të Perëndisë. Kapitulli fillon me “Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty,” (v. 1). Vazhdon me përshkrimin se si tërë kombet do të vinë tek Krishti, dhe vargu 6 përshkruan dhuratat që do ti ofrohen atij. “Një mori devesh do të të mbulojë, dromedarë të Madianit dhe të Efahut, ato të Shebas do të vijnë të gjitha, duke sjellë ar dhe temjan dhe do të shpallin lëvdimet e Zotit.” Në ardhjen e dytë të Krishtit do të kemi një skenë të ngjashme me atë të ardhjes së tij të barë. Krishti do të mbretërojë, dhurata do ti ofrohen. Ar dhe temjan, por jo mirrë. Ai do të mbretërojë në plotfuqishmëri dhe shenjtëri, por nuk do të përjetojë vuajtje. Jezus Krishti vdiq në kryq një herë dhe përgjithmonë. Vepra e shpëtimit ka përfunduar. Nuk do të ketë më nevojë për vuajtje, sakrifica e vdekje.

Dhurata Tona

Sot ne duhet ti ofrojmë Krishtit dhuratat tona të besimit. Në një farë mënyre, ne gjithashtu mund t ofrojmë atij përmes besimit ar, temjan dhe mirrë. Mirra nuk është vetëm simboli i vdekjes së Krishtit, por edhe e vdekjes tonë shpirtërore që është pasojë e mëkatit. Lëreni atë në këmbët e Krishtit duke rrëfyer mëkatet, duke rrëfyer se ju besoni se ai vdiq për mëkatin tuaj,dhe duke i kërkuar që ai t’ju pranojë si fëmijën e tij përgjithmonë. Pas kësaj ejani tek ai dhe ofrojini temjanin tuaj. Pranoni e rrëfeni se jeta juaj është plotësisht e papastër ndërsa e Krishtit ishte përjetësisht e shenjtë. Bibla na mëson se Krishti jeton përmes Frymës së Shenjtë në besimtarin dhe kështu prodhon në të vepra të mira. Këto vepra të mira janë “një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia,” (Filipianëve 4:18). Së fundi, ejani tek ai me arin tuaj. Rrëfeni të drejtën e Krishtit për të mbretëruar në jetën tuaj. honi “Ju jeni Zoti dhe Zotëria im, Mbreti im.” Kërkojini atij që të drejtojë jetët tuaja në mënyrë që ta nderoni e ti shërbeni siç duhet përjetë. Sillni dhuratën tuaj të besimit, mirrë, temjan dhe ar dhe do të ecni në rrugën e ngushtë por të sigurt të bekimit dhe gëzimit shpirtëror. Këto janë dhuratat e vërteta të besimit. Këto janë të vetmet dhurata që ju mund ti ofroni atij që nga hiri ka dhënë gjithçka për ju.