Tallja dhe Përbuzja e Mbretit

Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. 17 E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye. 18 Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!”. 19 Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin. 20 Pasi e tallën, ia hoqën purpurtën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. (Marku 15:16-20)

Pasioni i Krishtit nga Mel Gibson është filmi më i shitur i kategorisë R të industrisë mbarëbotërore të filmit. Filma të kategorisë R – Restricted  janë ato filma që përmbajnë, ndërmjet të tjerave, dhunë intensive dhe të vazhdueshme dhe ri rrjedhim janë të kufizuara vetëm për një audiencë të caktuar. Filmi pasqyron dymbëdhjetë orët e fundit të Krishtit deri në vdekjen e tij në kryq. Gibson tha se “Ky film flet për dashurinë, shpresën, besimin dhe faljen. Krishti vdiq për të tërë njerëzimin, dhe vuajti për ne të gjithë. Është koha që ti kthehemi këtij mesazhi themelor. Kjo është një botë e çmendur dhe ne të gjithë kemi nevojë për më shumë dashuri, besim, shpresë dhe falje.” E tërë bota ungjillore e përqafoi e madje u çmend pas këtij filmi dhe e pa si një mundësi për të ungjillëzuar përmes saj tërë botën. Por të shumtë ishin edhe kritikët e tij. Kjo jo vetëm për shkak të pasaktësive historike dhe biblike që ka filmi por kryesisht për shkak të dhunës që pasqyron. Nga 126 minuta që zgjat filmi, të paktën 100 minuta janë përshkrime shumë grafike të torturës që u ushtrua mbi Krishtin. Për qëllimin tonë sot, dua të në dukje se fshikullimi i Krishtit nga ushtarët Romakë zë vetëm një varg në përshkrimin Biblik, ndërsa në këtë film ai zë mbi 10 minuta. Problemi që unë kam me filmin, për sa i përket pasazhit për studim sot, është mesazhi i tij. Si drejtuesit e Judenjve ashtu edhe ushtarët Romakë e goditën Krishtin (14:65; 15:19), por Ungjijtë nuk theksojnë vuajtjen fizike të Krishtit, edhe pse ajo ishte ashtu siç e përshkruan Gibson, por talljen dhe përbuzjen e tij. Ungjijtë theksojnë talljen dhe përbuzjen e Krishtit si Biri i Perëndisë dhe si Mbreti i Mbretërve. Ndryshimi ndërmjet Judenjve dhe Romanëve ishte ky: Sanhedrini talli dhe përbuzi statusin hyjnor të Krishtit, të qënit Biri i Perëndisë dhe një me Atin. Këtë ata e bënë kur duke ia zënë fytyrën, e pështynin dhe e goditnin me shuplaka dhe thonin: “Profetizo!” Kush të goditi. Romakët nga ana tjetër tallën dhe përbuzën statusin mbretëror të Krishtit, kur e veshën në purpur, i vunë një kurorë ferrash mbi krye dhe e përqëshën “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!”

Përshëndetje, O Mbret i Judenjve!

Lexojmë se “ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.” Pretoriumi ishte kohorta e ushtarëve që shërbenin si rojet personale të prefektit të qytetit, apo të guvernatorit të një vendi, në këtë rast të Pilatit. Në këtë varg, pretoriumi është garnizoni ku kjo gardë strehohej. Kjo mund të jetë për disa thjesht një detaj i vuajtjeve të Krishtit, por për ne që e quajmë veten si pasardhës të Ilirianëve, kjo ka rëndësinë e saj. Në librin e tij Shqiptarët, Edwin E. Jacques shkruan “Ungjilli i krishterë mund të ketë arritur Shqipërinë përmes ushtarëve ilirë të cilët mbizotëronin në Gardën e famshme pretoriane. Këta njerëz ishin strehuar në barakat e tyre të quajtur “pretorium”, dhe ishin përgjegjës për ruajtjen e pallateve perandorake dhe guvernatoriale.” Dhe Jacques shkruan se ungjilli mendohet se ka ardhur në Iliri përmes pretorianëve të konvertuar që e dëgjuan ungjillin jo vetëm nën predikimin e Palit që e ruanin të arrestuar në pritje të gjykimit, por edhe madje e kanë parë vetë me sytë e tyre në personin e Krishtit. Por edhe nëse Krishti nuk u torturua nga Ilirianë dhe nuk vdiq në kryq i gozhduar prej tyre, Krishti vdiq për mëkatin e tyre dhe të gjithë shqiptarëve sot.

Më pas, në një sport makabër, ushtarët e veshën Jezusin me një rrobe të purpurt dhe i vunë atij mbi kokë një kurorë ferrash. Ngjyra e purpurt simbolizonte mbretërimin apo statusin mbretëror të dikujt. Kurora që gjeneralët apo mbretërit vinin në kokë në atë kohë ishte prej ari dhe kishte të gdhendura në të gjethe. Kjo simbolizonte vlerën mbretërore dhe ushtarake të dikujt. Përshëndetja “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!” apo siç është e përkthyer në versionin e Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale, “Të Falemi! Mbret i Judenjve,” ishte një parodi e përshëndetjes që i jepej Cezarit, “Ave Caesar, victor, imperator.” Por vini re se kurora prej gjethesh dhe e purpurta ishin shenjat e një mbreti vasal në kulturën Greko-Romane. Kështu dhënia e një rrobe të purpurt dhe e një kurorë gjembash e bënin Krishtin një objekt talljeje dhe një vasal të Romës. Vasali duhej që ti jepte një puthje perandorit, Romakët e zëvendësuar këtë akt me pështyrjen. Gjunjëzimi dhe “adhurimi” ishin gjithashtu tallja e statusit të tij si mbret. E purpurta, ferrat, kallami, përshyrja, adhurimi i rremë dhe përqeshja ishin përbuzja, tallja dhe mohimi i Krishtit mbret. E gjitha kjo është përmbushja e Isaisë 50:6 – “I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.”

Pse u bë e gjitha kjo: Ky pasazh na tregon dashurinë e pafundmë të Krishtit për mëkatarët. Pali e quan këtë “një dashuri që tejkalon çdo njohuri” dhe për të cilin ai ulet që ne ta njohim atë (Efe. 3:19). Tek Rom. 5:8 ai na kujton “Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Judenjtë ia dorëzuan Krishtin ushtarëve si një kriminel i dënuar me vdekje. Ai, para të cilit e tërë bota do të dalë përpara për tu gjykuar, lejoi që të gjykohej e madje padrejtësisht nga mëkatarë si ti dhe unë. Pse? U bë që duke besuar në të ne ti shpëtojmë shkatërrimit dhe vuajtjes së ferrit. U bë që ne të shpalleshim ta pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të drejta në atë ditë të gjykimit dh që të nxirremi përpara Perëndisë  Atit, të pastër e pa të meta. Jezusin e përbuzën, e tallën, e pështynë e mohuan , që ne sot të mund të marrim lavdi, nderim, dhe madje edhe jetën e përjetshme përmes besimit dhe veprën e Krishtit në Kryq. U be që ne të pranohemi në ditën e fundit në mbretërimin e përjetshëm të Perëndisë në triumf dhe të marrim kurorën e lavdisë që nuk zbehet a venitet kurrë.

Mbreti dhe Mbretëria e Tij

Sot Krishti i ringjallur dhe i ngritur në të djathtë të Atit Perëndië është jo vetëm një mbret, por një “Mbret mbi Mbretër,” dhe jo një Zot, por “Zot mbi Zotër,” (Zbulesa 19:16). Sot ai mbretëron në lavdi dhe i tillë edhe do të kthehet për të gjykuar këtë botë, siç edhe i tha Kaifës “Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit” (Mateu 26:64).

Kjo është e rëndësishme, pasi duhet vënë re se çfarë ishte e vërtetë për Krishtin Mbret në ditët e tij në tokë, është e vërtetë edhe për subjektët e mbretërimit të tij sot. Pastori i madh Baptist, Charles H. Spurgeon (Në predikimin Jesus, The King of Truth) e vuri në dukje këtë ngjashmëri kështu: “Krishterimi i pastër, në pamjen e jashtme të saj, është një objekt po aq jotërheqës sa edhe Krishti. Ai nuk kishte as “figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim, (Isa. 53:1).” Krishterimi nominal është i tolerueshëm e i pranueshëm nga shumica e njerëzve, por mesazhi i pastër i ungjillit është i përbuzshëm dhe mohohet. Krishti i vërtetë sot është i panjohur dhe i padallueshëm nën pompozitetin e ndërtesave, ritualeve, veshjeve, retorikave e madje dhe e shërbesave të Kishave historike. Spurgeon vazhdon: “Ashtu siç ne dallojmë nën petkun prej fshatari  të Birit të Maries, Këshilltarin e Mrekullueshëm, Perëndinë e plotfuqishëm dhe Atin e Përjetshëm – po kështu, ne dallojmë nën formën e përbuzur të predikimit të ungjillit vijëzimin mbretëror të së vërtetës hyjnore. Për ne tempujt e kishat, statusi dhe lavditë e kësaj bote nuk janë asgjë. Kryqi është gjithçka.”

Mbreti dhe Ti

A është Krishti mbreti yt? ASkush nuk mund të jete indiferent apo neutral ndaj Jezus Krishtit sepse ai e deklaroi veten e tij Mbretin Hyjnor, Zot e Perëndi pamvarësisht nëse na pëlqen kjo apo nëse e pranojmë këtë gjë apo jo. Pilati për shembull dëshiri e u përpoq që të ishte neutral. Ai nuk ishte një dishepull i Krishtit dhe deshiroi që të mbejtetj i till, të mbetej neutral, të ishte duarlarë e i pafajshëm për dënimin e Krishtit, por pa sukses. Ai nuk ishte në gjendje që të qëndronte i tillë, dhe në fund u pozicionua kundra Krishtit.  I tillë do të jetë edhe fati juaj nëse nuk jeni për Krishtin. Ai nuk e priste, kur u zgjua atë mëngjes, që do të ballafaqohej me krizën më të madhe të karrierës së tij. Por papritur, Krishti qëndronte para tij dhe atij i duhej që të jepte një verdikt. Ose Jezusi ishte ai që deklaronte se ishte, ose ishte vetëm një i çmendur. Çfarë bëri Pilati? Ai dështoi në këtë moment vendimtar dhe dënomi me vdekje vetë Birin e Perëndisë pavarësisht ndërgjegjes së tij që i dëshmonte, pavarësisht fakteve të pakundërshtueshme, pavarësisht madje edhe përlutjeve të gruas së tij që e paralajmëronte.

Mos lejoni që kjo gjë t’ju ndodhe edhe ju. Jezusi qëndron përpara jush po aq shumë saç ai qëndroi para Pilatit dhe pret vendimit tuaj. Krishti i përgjigjet pyetjes tuaj sot “A je ti Mbreti?”  “A je ti Biri i Perëndisë?” përmes Biblës, dhe përgjigja e tij është Po! Cili është vendimi juaj sot? Nëse për ju ai është Perëndia, Mbret mbi Mbretër dhe Zot mbi Zotër, lutu kështu: “Po, o Krisht, ju jeni Zoti dhe Mbreti hyjnor, dhe unë ul gjurin tim para jush në nënshtrim, adhurim e besim. Bëmë tëndin sot.”