02 Luftoni per Besimin

Shumë të dashur, ndërsa isha ngulmues që t’ju shkruaja për shpëtimin e përbashkët, ndjeva nevojën t’ju shkruaj juve, dhe t’ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë. Sepse depërtuan ndërmjet jush disa njerëz, që qenë shënuar që moti për këtë dënim, të pabesë që e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi, dhe Zotin tonë Jezu Krisht. (Juda 3-4)

A e dini që ju të gjithë jeni teologë? Po, gjithsecili prej jush është një teolog. Gjithsecili prej jush ka një ide mbi Perëndinë dhe mbi mënyrën se si duhet jetuar jeta përpara këtij Perëndie. Çështja është: A jeni ju një teolog i mirë apo i keq? Qëllimi i Judës në këtë letër është që t’ju ndërgjegjësojë ju për thirrjen që ju keni si të krishterë për të qenë teologë të mirë. Këtë qëllim Juda e shpall në vargun 3, i cili është vargu kryesor i kësaj letre që thotë: “ndjeva nevojën t’ju shkruaj juve, dhe t’ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.” Juda dëshmon se dëshira e tij njerëzore ishte që tu shkruante të krishterëve një letër që bënte fjalë për shpëtimin që të gjithë ne kemi në Jezus Krishtin Zotin tonë. Por Fryma e Shenjtë ndërhyri (Juda thotë ndjeva nxitjen t’ju shkruaj juve për diçka tjetër) dhe i dha Kishës një dokument në të cilin Perëndia i thërret të Krishterët kudo që janë, të çfarëdo lloj moshe, arsimimi, vëndodhje apo situate, që të luftojnë për besimin që u është transmetuar nga Perëndia përmes Krishtit dhe apostujve. Ky është qëllimi i Frymës së Shenjtë për ju edhe sot. Luftoni për besimin e pastër dhe biblik që gjendet në shkrimet e Dhiatës së Re dhe të Vjetër. Vini re dy momente kryesore në pasazhin që kemi përpara sot: së pari, vini re përgjegjësinë e të Krishterit për të ruajtur dhe luftuar për besimin e Krishterë, dhe së dyti, vini re arsyen që e bën të nevojshme këtë gjë.

Përgjegjësia e çdo të Krishteri për të ruajtur të pastër besimin e Krishterë

Vini re së pari vargun 3: “Shumë të dashur, ndërsa isha ngulmues që t’ju shkruaja për shpëtimin e përbashkët, ndjeva nevojën t’ju shkruaj juve, dhe t’ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.” Juda u shkruan lexuesve të tij në shumës pasi ky mesazh është për Kishën si një bashkësi, si një institucion. Por Juda gjithashtu u shkruan lexuesve të tij edhe në mënyrë personale kur thotë “shumë të dashurit e mi,” pasi kjo letër është një thirrje sa kolektive aq edhe personale për gjithsecilin prej nesh si të krishterë. Fryma e Shenjtë i drejtohet përmes këtij mesazhi sot çdonjërit prej jush në këtë sallë. Luftoni për besimin apostolik, mbrojeni atë, deklarojeni atë, doni të vërtetën dhe mos pranoni të gënjeshtrën, dhe jini të përgatitur për ta bërë këtë me qartësi dhe me mjaft hir e durim për lavdinë e Perëndisë.

Kjo është një thirrje e papëlqyeshme dhe jo e modës në kohën që jetojmë sot. Në fakt ka shumë vite që në Krishterim dëgjohet deklarata si “Doktrina ndan, ungjillëzimi bashkon.” “Doktrina është një gjë e thatë, le të jemi praktik në këtë jetë.” “Krishterimi nuk është një doktrinë, por një mënyrë jetese.” Apo deklarata “Jo Kredo, vetëm Krisht.” Gjithsecila prej këtyre deklaratave shkon jo vetëm kundra logjikës së thjeshtë njerëzore, por mbi të gjitha kundra thithjes që Fryma e Shenjtë bën përmes Letrës së Judës.

Njerëzit thonë: “Doktrina është një gjë e thatë, le të jemi praktik në këtë jetë.” Me këto fjalë ato thonë: nuk ka gjë më jo-praktike se sa teologjia, se sa doktrina. Por çfarë është teologjia? Teologjia, siç e tregon edhe vetë termi në greqisht, është njohja e Perëndisë, studimi i Perëndisë. Por çfarë thuhet tek Gjoni 17:3 “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.” Të njohësh Perëndinë dhe të njohësh rrugën përmes së cilës Perëndia shpëton njeriun nuk qenka pra diçka e pa-rëndësishme, e aq më pak jo-praktike. Të njohësh Perëndinë, të njohësh Jezus Krishtin rezulton në një përfitim tepër të rëndësishëm praktik, në shpëtimin e shpirtrave tonw, në miqësinë me Perëndinë, në dashurinë e Tij, në ndihmën dhe bekimet e tij në jetën e gjithsecilit prej nesh.

Mjaft të Krishterë thonë: “Jo Kredo, vetëm Krisht.” Kjo është një nga deklaratat më të palogjikshme që mund të ekzistojë. Fjala kredo nga Latinishtja do të thotë “Unë Besoj.” Momentin që dikush e fillon fjalinë e tij me fjalët “unë mendoj” apo “unë besoj” ai person sapo  ka filluar të recitojë kredon e tij. Dhe në recitimin e kredos së tij, ai që thotë “Jo Kredo, vetëm Krisht,” jo vetëm që në mënyrë të njëanshme të heq ty të drejtën për të shpallur kredon tënde, por mbi të gjitha bën një gabim logjik trashanik pasi në të vërtetë ai thotë: Kredoja ime është që ne s’duhet të kemi kredo. Është e pamundur që një njeri të mos ketë një kredo, një doktrinë, një teologji të vetën, një ide mbi Perëndinë. Çështja është: a je ti një teolog i mirë apo i keq? A ke ti një kredo a doktrinë biblike apo të gabuar?

Juda thërret “luftoni me zell për besimin, që u qe trasmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.” Dhe me termin besim në këtë varg Juda nuk kupton aktin subjektiv të të besuarit në Perëndinë dhe birin e Tij Jezus Krisht, por në trupin doktrinar, në atë seri deklaratash objektive dhe historikisht të vërteta që njihen si doktrina e krishterë. Disa thonë “jo kredo vetëm Krisht,” ndërsa Perëndia thotë pa kredo nuk ka Krishtërim, dhe pa doktrinë nuk ka shpëtim. Vini re lidhjen që ekziston ndërmjet shpëtimit dhe doktrinës. Juda shkruan: “Shumë të dashur, ndërsa isha ngulmues që t’ju shkruaja për shpëtimin e përbashkët, ndjeva nevojën t’ju shkruaj juve, dhe t’ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.” Kjo ndoshta nuk del shumë qartë nga përkthimi në shqip, por Juda aty shprehet se ai kërkonte me ngulmim që të shkruante mbi shpëtimin tonë, por Fryma e shtyn që të shkruajë për besimin e Krishterë pasi kur rrezikohet besimi i Krishterë, atëherë rrezikohet edhe shpetimi ynë. Nëse e vërteta humbet, shpëtimi humbet. Për të siguruar shpëtimin e përbashkët që ne kemi në Zotin Krisht – thotë Juda – unë po ju shkruaj për besimin e përbashkët në Zotin Krisht, pasi pa një doktrinë të shëndoshë dhe të pastër nuk ka shpëtim, dhe as një marrëdhënie të shëndoshë me Perëndinë. “Krishterimi nuk është një doktrinë, por një mënyrë jetese” – thonë disa njerëz, – por pa doktrinë nuk ka as jetë dhe as Krishterim thotë Perëndia përmes Judës.

Kuptohet që Juda si një pastor i Kishës së hershme, i mbushur me Frymën e Shenjtë, jo vetëm që nuk ka frikë të debatojë për pikat e besimit të tij, jo vetëm që na thërret ne që të bëjmë një gjë të tillë në mbrojtje të besimit të krishterë që është pasuria e Kishës, por vini re edhe mënyrën se si ai na instrukton për të bërë këtë gjë. Së pari ai na instrukton neve që të luftojmë e qëndrojmë për besimin tonë me dashuri dhe hir. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Juda është një nga pastorët e Kishës së Hershme të Jerusalemit. Juda i drejtohet atyre me fjalët “Shumë të dashur.” Juda manifeston një dashuri dhe shqetësim të vërtetë pastoral për bashkësinë e tij, për Kishën e Krishtit dhe popullin e Perëndisë mbi të cilin Zoti Krisht e pat vënë atë bari. Kjo duhet të jetë gjithashtu edhe qëndrimi dhe motivimi ynë për një besim të pastër në kishë sot.

Mënyra e dytë se si Juda na instrukton që ne të qëndrojmë dhe luftojmë për besimin tonë është me zell, me ngulm dhe deri në sfilitje. Këtë ne nuk e shikojmë në përkthimin në Shqip të Dhiatës së Re, por është atje dhe madje shumë e dukshme në tekstin në origjinal në Greqishten e Vjetër. Arsyeja për këtë ka të bëjë në radhë të parë me rëndësinë praktike që ka doktrina në jetën tonë. Për këtë gjë fola më lart. Por së dyti arsyeja përse Juda na thërret që të luftojmë për besimin tonë është pasi ajo është dhurata e Perëndisë dhënë njerëzimit. Juda shkruan: “…ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.”Besimi për të cilin bën fjalë Juda këtu nuk është besimi ynë personal në Krishtin Jezus, por doktrina e besimit të Krishterë. Fjala besim këtu i referohet mësimit apo doktrinës që na është dhënë nga vetë Krishti kur ishte në tokë, i referohet mësimit apo doktrinës së apostujve që folën të shtyrw nga Fryma e Shenjtë në emër  të Krishtit si ambasadorë të Tij. Juda na urdhëron që të përqafojmë këtë mësim apostolik, të mbahemi fort në të për shpëtimin tonë dhe ta mbajmë, mbrojmë dhe dëshmojmë fort atë për shpëtimin e të tjerëve.

Doktrina e Apostujve është thesari i Kishës

Vini re së dyti, që Juda deklaron që ky mësim apostolik është autoritar, i plotë, mbyllur dhe që nuk ka nevojë për përmirësime apo ndryshime. Doktrina e Apostujve është thesari që i është besuar Kishës. Juda deklaron, si pastor i Kishës së hershme dhe vëlla për nëne me Krishtin, që Kishës i është transmetuar e plotë gjithçka që ajo ka nevojë për besim, shpëtim dhe jetë të krishterë. Juda thotë “Juda shkruan: “ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.” 2000 vjet pasi mësimi apostolik i është dorëzuar Kishës për ruajtje dhe propagandim, Kisha e shikon veten e saj të rrethuar nga lloje sektesh e kultesh që e sulmojnë atë nga jashtë, dhe nga lloje të ndryshme idesh apo doktrinash që e sulmojnë atë nga brenda. Të gjitha këto shtrembërime të ungjillit dhe mësimit biblik kanë disa gjëra të përbashkëta: ato pretendojnë se sjellin një zbulesë të re në Krishterim dhe se ato janë fjala e fundit dhe përfundimtare e Perëndisë për njeriun. Dëshmitarët e Jehovait, Mormonët, Islami, apo edhe mjaft denominacione pentakostale apo karizmatike, të tëra këto grupe pretendojnë se i ofrojnë Krishtërimit një zbulesë apo fjalë të re nga Perëndia, dhe se zbulesa që ato kanë është fjala e fundit dhe përfundimtare. Por çfarë thotë Juda? “Ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.” Juda deklaron se Perëndia i ka zbuluar tashmë Kishës çdo gjë që ajo ka nevojë të dijë nga Perëndia. Në fund të shekullit të parë pas Krishtit, Perëndia pat përfunduar së dhëni të tërë masën e informacionit dhe të doktrinës që i duhet Kishës për të besuar dhe jetuar në jetë të Krishterë. Kjo është bërë “një herë e përgjithmonë.” Doktrina, mësimi apostolik është i mbyllur, kanoni është i mbyllur, Perëndia nuk jep më doktrina apo zbulesa të reja Biblike. Kjo është bërë “një herë e përgjithmonë.”Përmbajtja doktrinave e besimit të Krishterë është dhënë plotësisht, përsosmërisht dhe përfundimisht “një herë e përgjithmonë.” Pali thotë tek Efesianëve 2:20 që Kisha tashmë është “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,” dhe këtë gjë Apostulli e shkroi në shekullin e parë pas Krishtit. E vërteta biblike, doktrina biblike i është dhënë tashmë e tëra Kishës, dhe mbi këtë trup doktrinar Perëndia ka themeluar dhe ngritur Kishën e Tij. Kushdo që deklaron se ka një zbulesë të re nga Perëndia siç bëjnë Dëshmitarët e Jehovait, Mormonët apo Kurani bie ndesh me Frymën e Shenjtë që prononcohet kundra tyre.

Vërtetë sot Bota atje jashtë është konfuze porsa i përket komuniteteve të Krishtera. Kë duhet të ndjek? – pyesin ato – sa besime të krishtera ka? Cila prej tyre është e vërtetë? Dhe pse janë kaq shumë? Përgjigja është e gjatë dhe e dhimbshme dhe të jeni të sigurt se në procesin e dhënies së përgjigjeve, ju do të humbisni vëmendjen e shumë prej dëgjuesve tuaj. Kjo është e pa evitueshme. E megjithatë ne sot duhet të kujtojmë që besimi i vërtetë dhe apostolik është vetëm një. “Ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë”  thotë Juda. Jo disa besime, por një, besimin e vërtetë apostolik siç gjendet në bibël. Si rrjedhim, të luftosh për besimin apostolik do të thotë të studiosh, të lexosh, të krahasosh dhe të debatosh derisa e vërteta që në bibël është vetëm një dhe absolute në vërtetësinë e saj të kuptohet nga gjithsecili prej nesh. Një teolog i krishterë ka thënë që Bibla është si një pellg në të cilin një fëmijë mund të luajë dhe të mos mbytet, dhe në të njëjtën kohë si një oqean i thellë në të cilin një kontinent i tërë mund të humbasë nën ujë. Çdo gjë që ne na duhet të dimë për shpëtimin tonë nga mëkatet tona përmes besimit në Jezus Krisht, është kaq e thjeshtë dhe kaq e kuptueshme sa edhe një fëmijë mund ta lexojë dhe të shpëtohet, por në të njëjtën kohë ky mesazh është kaq i thellë, i plotë, i pasur me hir dhe mëshirë nga Perëndia sa që një teolog apo filozof mund të shpenzojë tërë jetën e tij duke e studiuar atë. Të luftosh për besimin e Krishterë do të thotë të mos jesh dembel në studim, të mos jesh neglizhent në detaje, dhe të jesh i ndershëm dhe i përulur në konkluzione.

Apostulli Pal shkroi tek Letra e 1 Korintasve 11:2 “më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar.” Mbani mend të gjithë mësimin që ju kam transmetuar ashtu siç ua kam transmetuar porosit Apostulli i Krishtit. Doktrina ju është dhënë plotësisht dhe saktësisht. Tek Letra e 2 Timoteut 1:13-14 Pali porosit të tërë pastorët e rinj dhe të vjetër që vijnë pas tij me këto fjalë “Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus. 14 Ruaje visarin e mirë me anë të Frymës së Shenjtë që rri te ne.” Doktrinën e Krishterë Pali e quan modelin e fjalëve të shëndosha dhe një thesar të mirë. Këtë thesar ne e kemi ta marrë dhe të transmetuar nga Fryma e Shenjtë përmes Apostujve të Krishtit. Mësimi apostolik është një masë doktrinash dhe të vërtetash që janë të domosdoshme për ekzistencën e Krishterimit. Për këtë arsye Juda thotë: Shumë të dashur të Krishterë, kujdesuni për këtë të vërtetë, duajeni atë, mbrojeni atë, luftoni për të. Kjo është arsyeja përse ne predikojmë Biblën në këtë bashkësi lokale të Krishterësh, kjo është arsyeja përse shkruajmë dhe përkthejmë një literaturë solide të krishterë, kjo është arsyeja përse bëjmë studimin e bazave të besimit Kristian çdo ditë të enjte në orën 6.00.

Një Kërcënim i Brendshëm dhe i vazhdueshëm

Vini re së treti, që në vargun 4, Juda na jep arsyet përse Kisha dhe i Krishteri duhet të luftojë vazhdimisht për doktrinën e pastër apostolike: “Sepse depërtuan ndërmjet jush disa njerëz, që qenë shënuar që moti për këtë dënim, të pabesë që e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi, dhe Zotin tonë Jezu Krisht.” Juda thotë: Ka njerëz në bashkësinë tuaj lokale, ka njerëz në Kishën mbarëbotërore të Krishtit, që deklarojnë se janë të Krishterë, si rrjedhim u është dhënë anëtarësia në Kishën e Krishtit, janë pagëzuar, marrin Darkën e Zoti, madje shumë prej tyre janë edhe të shuguruar në shërbesë si pleq, dhjakonë apo pastorë Kishe, shumë prej tyre janë edhe pedagogë nëpër seminare teologjike, e megjithatë këta janë të shënuar për dënim, “të pabesë që e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi, dhe Zotin tonë Jezu Krisht.” Ky nuk është një realitet i veçuar e sporadik në Kishë. Në fakt Apostulli Pal, ua dha këtë paralajmërim drejtuesve të kishës së Efesit siç lexojmë tek Veprat e Apostujve 20:29-30 që thotë: “Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, 30 edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.” Ujqër grabitqarë i quan Pali mësuesit e remë, me mësime të çoroditura që bëjnë për vete mjaft ndjekës dhe që përçajnë tufën e Perëndisë. Këta mësues përçarësh të Kishës gjenden sot jo vetëm ndërmjet sekteve si Mormonët e dëshmitarët e Jehovait, njerëz që mohojnë Krishtin në shumë aspekte të personit dhe të veprës së tij, por keta gjenden edhe brenda në kishën ungjillore sot. Në rastin e Kishës ku Juda ishte pastor specifika ishte kjo: Juda thotë që këta njerëz po kthenin hirin e Perëndisë tonë në imoralitet duke mohuar kështu të vetmin Zotëri Perëndi, dhe Zotin tonë Jezu Krisht.” Këta mësues të rremë që Juda na ndërmend në këtë pasazh ndoshta propagandonin këtë ide: Ne jemi të shpëtuar nga hiri i Perëndisë, si rrjedhim nuk ka rëndësi se sa moralisht e jetojmë jetën. Nëse mëkatojmë, hiri i perëndisë do të duket edhe më i qartë në jetën tonë. Si rrjedhim, ky sekt i shekullit të parë pas Krishtit e kthente hirin e Perëndisë kundra urdhëresave të Krishtit që në efekt mohonte vetë Krishtin dhe zotërimin e Tij mbi kishën e Tij.

Kështu ka qenë që nga shekulli i parë. Apostulli Pal pat paralajmëruar që do të ndodhte. Juda e pa përmbushjen e kësaj fjale me sytë e tij. Në fakt ai thotë tek vargjet 17-19 “Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht. 18 Ata ju thoshnin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë. 19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën.” Në fakt në të tëra letrat e tij Pali debaton dhe kundërshton doktrinat dhe praktikat e rreme që filluan që të futeshin në Kishën e shekullit të parë. Në të tëra letrat e tij Pali kundërshton persona që janë anëtarë Kishash por që po lëndonin Kishën e hershme me doktrinat e tyre. Ky ka qenë gjithmonë realiteti në Kishën e Krishtit, gjithmonë e sulmuar fizikisht nga jashtë nga armiqtë e saj, dhe gjithmonë e sulmuar shpirtërisht nga brenda nga bijtë e saj që përhapnin mësime të gabuara. Si rrjedhim nuk duhet të çuditemi që nëse luftojmë për besimin apostolik ne do të biem në konflikt me të krishterë të tjerë të cilët besojnë dhe shkruajnë diçka që bie në kundërshtim me Biblën. Kjo është e pa evitueshme.

Sesi bëhet kjo gjë ne do ta shikojmë më në detaje në mesazhet e javëve ne vazhdim. Për sot është e mjaftueshme që ne të marrim një vendim në zemrën tonë, të qëndrojmë dhe luftojmë për besimin e pastër apostolik, ta bëjmë këtë gjë me dashurinë dhe hirin e Krishtit, të përgatitur në lutje dhe studim personal, nën fuqinë dhe drejtimin e Frymës së Shenjtë. Amen.