05 Bekimi i Perendise (I)

 

Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim, 25 të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen.

 

Dy vargjet e fundit të librit të Judës përmbajnë një bekim. Siç e përjetoni çdo të Diel, shërbesa hyjnore e Perëndisë mbaron me Deklarimin e Bekimit. Ajo është një fjalë që vjen nga Perëndia drejt adhuruesve të Tij. Përmes kësaj Fjale Perëndia na deklaron dhe siguron që Ai do të jetë Perëndia ynë dhe ne do të jemi populli I Tij. Ajo është një fjalë dashurie, një fjalë hiri, një fjalë ngushëllimi, një fjalë siguruese. Një nga arsyet që shërbesa hyjnore mbyllet kështu ka të bëjë me mbylljen që Apostujt i bënin letrave të tyre. Ato në fakt janë predikime që Apostujt kanë shkruar në Frymën e Perëndisë për tu lexuar më pas nga pastorët e kishave lokale kudo nëpër botë. Në mbarim të këtyre letrave pastorale ne gjithmonë gjejmë të deklaruar bekimin e Perëndisë, të deklaruar përmes penës dhe gojës së shërbëtorëve të Perëndisë. Në të gjitha letrat e Palit ju mund të lexoni në mbyllje vargje si “Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen” (Galatasve 6:18). Dhe kjo duket e natyrshme dhe madje e nevojshme kur lexon letrat e Palit. Ne letrat e tij, Apostulli Pal pasi shpall doktrinën e Krishterë, e aplikon atë duke tërhequr vëmendjen tonë për të mos mëkatuar por për të ecur në shenjtëri. Si rrjedhim, në fund të letrave të tij, ti ndjen nevojën për fuqinë dhe ngushëllimin e Perëndisë për thirrjen që të është bërë pasi e din fare mirë që nga forcat e tua është e pamundur që ti bindesh përsosmërish Perëndisë. Dhe kështu teksa dëgjon bekimin e Perëndisë nuk ke se si të mos përsërisësh me vete: Po Perëndi, më jep hirin tënd, më jep mëshirën tënde, më jep paqen tënde.

Në këtë kontekst, letra e Judës na len pak të habitur. Ashtu si edhe Pali, Juda predikon fort dhe me sfida të mëdha për ne si besimtarë të Krishterë. Ai na kërkon në këtë letër që të mos befasohemi dhe kapemi të papërgatitur ndaj sulmeve të kulteve e mësuesve të rremë. Ai na  paralajmëron për vështirësinë dhe rrezikun e të jetuarit në këtë botë të çmendur nga mëkati. Na beson doktrinën e krishterë dhe na urdhëron që ta ruajmë atë të pa-shtrembëruar për shekujt që do të vinë. Kjo vëllezër është një thirrje e vështirë. Dhe si rrjedhim, ti si lexues pret për bekimin në fund të letrës, pret për sigurinë e ndihmesës së Perëndisë në këtë jetë. Por në vend të deklarimit të besimit, ne gjejmë në këtë letër një lloj tjetër bekimi, atë që quhet doksologji. Doksologjia është një fjalë bekimi, lavdërimi apo adhurimi që vjen nga besimtari dhe që i drejtohet Perëndisë. Kjo doksologji është interesante pasi edhe pse i drejtohet Perëndisë ajo na kujton deklarimin e bekimit të Perëndisë ndaj nesh. Në fakt, Perëndia bekohet e lavdërohet në këtë doksologji për shkak të bekimeve të tij ndaj nesh. Kjo është në përputhje me 1 Gjon. 4:19  që thotë “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.” Ne e bekojmë Atë pasi Ai na bekoi i pari. Kjo doksologji fokusohet në Perëndinë, ajo ngre lart fuqinë dhe lavdinë e Perëndisë. E teksa e bën këtë gjë, kjo doksologji kthehet në një bekim për ne pasi na ankoron në dashurinë e Perëndisë, na siguron në fuqinë e Perëndisë dhe në shpresën e besimtarit në lavdinë e Perëndisë që po vjen.

Kjo doksologji ka pesë pjesë. Së pari, lavdërimi i Perëndisë që na ka ruajtur nga rrëzimi. Së dyti, lavdërimi i Perëndisë për hirin e tij përsosës. Së treti, lavdërimi i Perëndisë për hyjninë e Tij. Së katërti, lavdërimi i Perëndisë për ndërmjetësimin shpëtues të Krishtit. Dhe së fundi, lavdërimi i Perëndisë për vlerën e pafundme që ai ka

 

Lavdëroni Perëndinë që na ruan nga Rrëzimi

Vargu thotë “Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim… i qoftë lavdi… tani dhe përjetë. Amen.” Juda na kujton se Perëndia është i aftë që të na ruajë nga rënia apo rrëzimi nga besimi në Jezus Krisht. Ata që Perëndia i ka bërë të tijtë, ata që Ai i ka thirrur, i ka rigjeneruar, i ka pastruar, shfajësuar dhe birësuar në familjen e Tij, ata asnjëherë nuk do të bien plotësisht apo përfundimisht nga besimi. Këtë Juda e thotë pasi na ka paralajmëruar për ekzistencën dhe dinakërinë e mësuesve të rremë. Besimtari shtyhet të mendojë: A do ti rezistoj unë vallë këtij presioni? O Zot, unë mund të gënjehem, mund të mashtrohem, mund të bie në imoralitet. Juda na siguron përmes kësaj doksologjie që Perëndia është i aftë dhe dëshiron që të na ruajë nga rënia.

Vini re titullin që Juda i jep Perëndisë: Ai Që ka Mundësi. Në fakt në përkthimin në shqip, veprimi që bën Juda, pra dhënia e një titulli Perëndisë nuk del fare në pah. Në origjinal, Juda përdor fjalën dunameno, nga e cila ne marrim fjalën dinamit – të qenit i aftë apo i fuqishëm për të realizuar diçka. Juda thotë: Dunameo do tju ruajë nga rrëzimi. Ai që është i aftë, ai që është i fuqishëm për ta bërë një gjë të tillë, Ai vetë do tju ruaj juve nga rrëzimi. Një gjë të ngjashme bën gjithashtu edhe Apostulli Pal. Tek Romaket 16:25 ai shkruan “Dhe atij që mund t’ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit,…27 Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit.” Pali përdor të njëjtin titull, Dunamai. Tek Efesianet 3:20-21 gjithashtu shkruan “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, 21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve.” Thirrja që ne kemi është e lartë, e vështirë dhe solemne, dhe besimtari i ndërgjegjshëm për këtë thirrje duhet të dridhet nga pesha e kësaj thirrjeje, e kësaj përgjegjësie. Por besimtari gjithashtu duhet të kujtojë, se edhe përse është përgjegjësia e Tij për të ofruar bindje të përsosur, është Perëndia Sovran që realizon cdo gjë. Duhet të kujtojmë gjithmonë dinamikën: Përgjegjësia njerëzore dhe Sovraniteti Hyjnor. Është Perëndia ai që e ka nisur këtë punë të mirë në ne dhe është po ai që do ta përfundojë këtë gjë. Perëndia është shkëmbi ynë i shpëtimit. Tek Li.Rip 33:27 profeti shkruan “Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm. Ai do ta dëbojë armikun para teje dhe do të thotë: “Shkatërroje!”.” Tek Libri i 2 Samuelit. 22:3 lexojmë këtë lutje që të gjithë duhet të bëjmë “Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime.” Tetëmbëdhjetë herë gjendët në librat poetik të Dhiatës Vjetër koncepti i Perëndisë si streha e në të cilin ne duhet të fshihemi.

Dje pata privilegjin që të celebroja ceremoninë e parë martesore si një pastor i Krishterë. Në fund të homlisë i kujtova  çiftit të ri, se edhe në martesë ne të gjithë kemi nevojë për Perëndinë Dunameo dhe i lexova fjalët e Palit nga letra drejtuar  Filipjaneve. 1:6 “se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.” A e shikoni pra se si kjo doksologji funksionon për ne gjithashtu edhe si një deklarim bekimi? Ne bekojmë Perëndinë pasi Ai na ka bekuar ne i pari. Një pastor Puritan, Samuel Ratherford shkroi: Kurrë nuk kam ndërhyrë para fronit të Hirit për një bekim për dikë tjetër pa u larguar me një bekim për veten time. Kështu edhe ne sot, i afrohemi Perëndisë për ta bekuar atë dhe kthehemi prej tij me bekimin e Tij.

 

Lavdëroni Perëndinë për Hirin Përsosës

“Dhe Atij… t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim… i qoftë lavdi… tani dhe përjetë. Amen.” Juda thotë, se Perëndia nuk është një minimalit. Perëndia nuk bën minimumin e nevojshëm për ne. Përkundrazi, Perëndia jo vetëm që na mban në besim, por edhe na transformon e reformon sipas imazhit të pëlqyer që Ai ka për ne. Ne duhet ta bekojmë Perëndinë për transformimin që ai po shkakton në jetën tonë.

Ne duhet të mbajmë mend që Bibla flet për një lavdi që po vjen, që është pafundësisht më e madhe se sa ajo që ne kemi përjetuar në këtë jetë. Çfarë Juda bën fjalë në këtë varg është doktrina e lavdërimit të besimtarit në ditën e Gjykimit të Madh. Në atë ditë, kur ne të qëndrojmë përpara Perëndisë, do të jetë fuqia e Tij që do të na mbajë ne në këmbë përpara Tij. Jo veprat tona, meritat tona, përpjekjet tona apo besimi ynë, por fuqia e Perëndisë do të jetë dhe mund të jetë vetmja gjë që do të na mbajë të pa-konsumuar e të pa shkatërruar përpara shenjtërisë së Tij të plotfuqishme. Perëndia Dunamai do të jetë Ai që do t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim. Është Perëndia dhe mund të jetë vetëm ai që fal dhe na pastron ne nga mëkati ynë. Është Ai dhe vetëm Ai mund të jetë i aftë, dunamai për të na shenjtëruar, për të vrarë në ne natyrën tonë të vjetër dhe për të ndërtuar në ne njeriun e ri të shenjtëruar nga Perëndia. Nëse ka ndonjë në këtë sallë që mendon se do të qëndrojë ditën e fundit para Perëndisë dhe do ti tregojë Atij meritat, të mirat që ka bërë në këtë jete apo besnikërinë e tij në këtë jetë, atëherë ky person ka blerë një biletë për një shfaqje horror ku personazhi kryesor do të jetë ai vetë me pretendimet e veta ndaj Perëndisë së Shenjtë. Paqortueshmëria jonë bazohet në drejtësinë e Krishtit. Krishti si mediatori ynë është ai që ka siguruar atë masë të nevojshme meritash e drejtësie, dhe që përmes besimit që na e ka dhënë po ai vetë, ai na i transferon këto merita në llogarinë tonë, dhe kështu janë meritat e Krishtit që na i ka dhuruar ne ato që bëjnë të mundur qëndrimin tonë përpara Perëndisë. Kjo është vepra e Perëndisë, e si rrjedhim, Juda thotë, Dunamai që arriti të përjetonte kryqin dhe ta mundte mëkatin e vdekjen atje, ai ju ka bërë të paqortueshëm përpara Perëndisë, dhe si rrjedhim ju mund të keni gëzim. Besimtari i Kryqit, i Dumanait, Zotit Jezus Krisht është i vetmi person që kualifikohet për gëzim në këtë botë. Dhe në fakt ky është përkufizimi i vërtetë i gëzimit – të pasurit paqe me Perëndinë. Vëllezër, unë nuk e di se si mund të përkufizohet ndjenja që bota jobesimtare përjeton kur blen një makinë të re, por jo nuk kualifikohet të jetë gëzim. Gëzimi është ndjenja që përjetohet kur qëndrohet përpara Sovranit dhe e shikon veten të paqortueshëm, të pranuar e të shpëtuar për shkak të Krishtit.