Çfare Eshte Lutja?

Lutja është akti i farkëtimit të një marrëdhënie ndërmjet dy pikave specifike: nevojave tona njerëzore dhe burimeve të Perëndisë që na ofrohen në Krisht.

Të Krishterët e vërtetë kanë zbuluar qe Perëndia, në Krisht, o ofron atyre hir, mëshirë, falje, paqe, jetë dhe dashuri. Kjo zbulohet në Ungjillin, apo në “lajmin e mirë” të Jezus Krishtit (2 Pjetrit 1:2-4). Po kështu të krishterët e vërtetë kanë përjetuar se sa shumë ata kanë nevojë për këto gjëra. Zemra jonë thërret për to në lutje. Psa. 84:2 thotë “Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.”

Lutja identifikon dëshirat e zemrës dhe ia shpreh ato Perëndisë. Lutja mund të jetë në heshtje apo e thënë me zë të lartë. Mund të jetë po aq e thjeshtë sa edhe e tagrambledhësit mëkatar që lutej para Perëndisë duke rrahur gjoksin e duke thënë “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit” (Luka 18:13) ose ajo mund të jetë e detajuar si lutja krye-priftërore e Krishtit (Gjoni 17) në të cilën ai derdhi para Perëndisë At të gjitha ato dëshira që ai kishte për ata që do të besonin në atë. Lutja madje mund të marrë edhe formën e një kënge. Psalmet janë quajtur “lutjet e Davidit” edhe pse ato ishin këngë.

Lutja Kristiane përqafon vullnetin e shpallur në Bibël të Perëndisë si norma dhe guida e lutjeve tona. Qëllimi është të kërkojmë gjëra që janë në harmoni me çfarë Perëndia dëshiron për ne. Premtimet e besëlidhjes së Perëndisë, të vulosura me gjakun e Krishtit (1 Kor. 11:25) janë themeli më i sigurtë i lutjeve tona “sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen”” (2 Kor. 1:20). Kur vullneti njerëzor përkon me vullnetin e Perëndisë, lutjet marrin përgjigje të sigurt. “Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson: Dhe nëse dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij,” (1 Gjo. 5:14-15).

Lutja Kristiane zhvillohet e rritet tek sa besimtarët i besojnë Krishtit gjithnjë e më shumë për gjithçka që ata kanë nevojë dhe për gjithçka ata janë të thirrur që të bëjnë. Në thelb ne nuk kemi pretendime pronësie apo sovraniteti mbi Perëndinë, dhe duhet që të mbështetemi plotësisht në meritat dhe lutjet e Krishtit dhe në ndihmën e pazëvendësueshme dhe të domosdoshme të Frymës së Shenjtë (Rom. 8:26). Kjo është arsyeja që ne Krishti na Urdhëron që të lutemi në emrin e tij (Gjo. 15:16; 16:24).

Lutja Kristiane është gjithashtu edhe pjesë e pendimit për mëkatet tona. në lutje ne rrëfejmë mëkatet tona, dhe i lutemi Perëndisë që të na falë dhe të na japë forcën që na nevojitet për ti bërë ato të vdesin në jetën tonë. Nga perspektiva e Perëndisë, një mëkat i rrëfyer vërtetësish është një mëkat i falur. “Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim.” (Psa. 32:5). Po kështu, i njëjti Perëndi i cili na i fal mëkatet tona edhe na pastron nga cdo padrejtësi. Gjoni na siguron se “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjo. 1:9).

Së fundi, lutja kristianë është një akt adhurimi. “Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje. 2 Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë,” (Psa. 65:1-2). Teksa ne njohim Perëndinë në Krisht, ne shtyhemi që ta lavdërojmë atë si Perëndi i Plotfuqishëm dhe si Atin tonë në qiej. Teksa ne përjetojmë veprën e Perëndisë në jetët tona të përditshme, ne mësojmë ta falënderojmë atë për të mirat e shumta dhe dhuratat e përsosura që ai na i ofron ne si hire e mëshira nga dora e tij atërore (Jakovi 1:17). Ne gjithashtu mësojmë të gëzohemi kur e gjejmë veten nën vështirësitë, sfidat, humbjet dhe hidhërimet e kësaj jete sepse e dimë që ato nuk janë produkt i një fati të verbër por në përputhje me vullnetin e Perëndisë i cili përmbush qëllimet e tij për ne dhe në ne (Rom. 8:28-29).

Ne kemi shumë për të mësuar për të pasur me të vërtetë një jetë të shëndetshme lutjeje. Lutu që hiri i Tij të të hapë zemrën ndaj Fjalës dhe Frymës së Perëndisë për të marrë instruktimin e këtyre meditimeve me një mendje të hapur dhe një ndërgjegje të modelueshme. Fillo tani duke u lutur për një zemër që kupton dhe hir për tu rritur në njohjen e Krishtit. AMEN.