Soli Deo Gloria (I) – “Perëndia Ekziston dhe Vepron për Lavdinë e Tij”

Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros. 10 Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit. 11 Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri”. Isaiah 48:9-11

Hyrje

Të dashur vëllezër dhe motra në Krisht, unë sot vij përpara jush për të shkatërruar dhe për të ndërtuar. Unë sot vij përpara jush për të shkatërruar një teologji dhe për të ndërtuar një tjetër, për të shkatërruar një praktikë dhe për të ndërtuar një tjetër, për të shkatërruar në ju atë gjë në të cilën ju të gjithë keni për tendencë të dëshironi, dhe të jem instrument në duart e Perëndisë që të ndërtoj në ju atë që Perëndia ka dëshiruar, që ka urdhëruar, dhe që po e bën realitet çdo ditë në jetën e gjithsecilit prej jush. Çfarë është ajo? Lavdia e Perëndisë. Qëllimi im sot në këtë hapje të Fjalës është që ju të mësoni, të rikujtoni dhe të kuptoni edhe më thellë që qëllimi i vetëm, më i lartë dhe përfundimtar i Perëndisë është lavdia e Tij dhe vetëm lavdia e Tij, dhe si rrjedhim, lavdia e Perëndisë është edhe qëllimi më i lartë dhe përfundimtar i njeriut dhe i gjithë krijesës së Tij.. Soli Deo Gloria do të jetë tema ime për këto tre javë. Sot unë do të theksoj se Perëndia Ekziston dhe Vepron vetëm Për Lavdinë e Tij. Javën që vjen, unë do të theksoj faktin që Njeriu Ekziston dhe Jeton Vetëm për Lavdinë e Perëndisë, dhe javën e tretë unë do të theksoj se “Njeriu ekziston dhe vepron vetëm për të gjetur kënaqësinë superiore në Perëndinë e Lavdishëm, Tre në Një.” Çfarë unë dëshiroj dhe besoj se Fryma e Shenjtë do të shkatërrojë në ne, është egocentrizmi jonë, lavdinë tonë, dëshirën tonë për të qenë në qendër të historisë, në qendër të nderimit, në qendër të lavdisë e të adhurimit. Çfarë unë dëshiroj dhe besoj se Fryma e shenjtë ka për qëllim, dhe po e realizon në mesin tonë është dorëzimi përpara Perëndisë, nënshtrimi përpara fronit të Tij hyjnor, dhe të jetuarit me Perëndinë në qendër dhe themel të jetëve tona dhe për lavdinë e Tij.

  1. I.                Sfondi Historik

 

Isaia. 48:9-11 thotë: “Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri” Reformacioni Evropian i shekullit të 16 e renditi këtë çështje, dashurinë e Perëndisë për lavdinë e Tij si një nga pesë pikat më të rëndësishme të Kishës dhe njerëzimit. Si rrjedhim ata artikuluan moton Soli Deo Gloria – E Gjithë Lavdia Vetëm Perëndisë. Kjo deklaratë është konsideruar nga studiues dhe historianë si “thirrja e betejës” së Reformacionit. Çdo doktrinë biblike, çdo ide, çdo slogan apo moto, çdo praktikë, metodë apo mënyrë i nënshtrohet kësaj deklarate madhështore, Soli Deo Gloria – E Gjithë Lavdia Vetëm Perëndisë në çdo gjë, kudo dhe gjithmonë. Në çdo njërën prej betejave që të krishterët reformatorë luftuan, çështja qendrore ishte lavdia e Perëndisë. Në fakt xhelozia për lavdinë e Perëndisë në Kishën e Tij ishte në qendër të çdo argumenti apo kundërshtimi që Reformatorët ngritën kundër doktrinave dhe praktikave të korruptuara të Kishës së Mesjetës.

Kisha atëherë adhuronte ikona, statuja, gurë e imazhe të ndryshme siç bën edhe sot. Kisha atëherë adhuronte priftërinj, papë a pastorë siç bën edhe sot. Kisha atëherë adhuronte shenjtorë e njerëz të tjerë përfshi këtu veçanërisht adhurimin e Marisë siç bën edhe sot. Kisha atëherë kishte frikë nga shpirtra të ligj, nga syri i keq, nga mallkimi njerëzor, dhe duke bërë këtë gjë i kthente ato pa dashje në objekte nderimi siç bën edhe sot. Njerëzit atëherë jetonin në supersticion e frikë siç bëjnë edhe sot. Njerëzit jetonin atëherë për të kënaqur njerëzit, për të marrë prej tyre nderimin, frikën, nënshtrimin dhe lavdinë që në fakt i takon vetëm Perëndisë dhe askujt tjetër ashtu siç bën edhe sot.

E gjithë doktrina dhe jeta praktike e besimtarit, madje edhe vetë Solat e Reformacionit qe kemi qenë duke i studiuar këto javë janë të lidhura me dhe kanë në qendër të tyre lavdinë e Perëndisë dhe Personin e Tij. Nëse ne i drejtohemi vetëm Fjalës së Perëndisë si të vetmit autoritet të jetës sonë, pra Sola Scriptura, atëherë lavdia i shkon vetëm Perëndisë. Nëse ne besojmë se vetëm Krishti është i vetmi ndërmjetës ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, pra Solus Christus – atëherë lavdia i shkon vetëm Perëndisë pasi Krishti është Personi i Dytë i Trinisë. Nëse ne besojmë se vepra e shpëtimit është vepër e Perëndisë vetëm për shkak të hirit të pamerituar të Perëndisë – pra Sola Gratia, atëherë lavdia i shkon vetëm Perëndisë. Nëse ne besojmë se ne mund ta marrim shfajësimin nga fajet tona vetëm përmes instrumentin të besimit në drejtësinë e Krishtit, besim i cili është gjithashtu një dhuratë e pamerituar e Perëndisë, pra Sola Fide, – atëherë lavdia i shkon vetëm Perëndisë, pra Soli Deo Gloria. Çdo gjë që ne besojmë dhe bëjmë ose ka në qendër Perëndinë, ose ka në qendër  njeriun, ose bëhet për lavdinë e Perëndisë ose bëhet për lavdinë e njeriut.

Reformacioni rifitoi mësimin Biblik të sovranitetit të Perëndisë mbi çdo aspekt të jetës së njeriut. E gjithë jeta duhet jetuar për lavdinë e Perëndisë. Është për këtë arsye, fakti që lavdia e Perëndisë është në qendër të ekzistencës të Perëndisë dhe të Krijesës së Tij që Katekizmi i Shkurtër thotë: “Pyetja 1: Cili është synimi përfundimtar i njeriut? Përgjigja: Synimi përfundimtar i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe të gjejë kënaqësinë në Të.” Në fakt, siç do të shikojmë më pas në Bibël, kjo pyetje e katekizmës mund të ripunohet edhe kështu: Pyetja 1: Cili është synimi përfundimtar i Perëndisë? Përgjigja: Synimi përfundimtar i Perëndisë është të lavdërojë Perëndinë dhe të gjejë kënaqësinë në veten e Tij.

Lavdia e vet është për Perëndinë në qëndër të afeksioneve të Tij.  Isaia. 48:9-11 thotë: “Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri.” Në çdo gjë që Perëndia bën, qëllimi i Tij është të ruajë, të mbrojë, të lartësojë dhe shpalosë lavdinë e Tij. Të thuash që lavdia e vet është për Perëndinë në qëndër të afeksioneve të Tij është të thuash që Perëndia e konsideron lavdinë e Tij si gjëja më e vlefshme mbi çdo gjë. Perëndia kënaqet me lavdinë e Tij mbi çdo gjë tjetër.

II.        Përkufizimi i Lavdisë së Perëndisë

Por si mund të përkufizojmë lavdinë e Perëndisë? Unë do t’u sugjeroja këtë përkufizim: Lavdia e Perëndisë është bukuria dhe madhështia e pafund e cilësive të Tij të shumta.

Të përkufizosh lavdinë është shumë e vështirë, është në fakt a pamundur, ashtu siç është e pamundur të përkufizosh konceptin e bukurisë. Gjithsecili prej jush e din në mënyrë instiktive se çfarë i pëlqen dhe çfarë jo. Si rrjedhim, gjithsecili prej jush do të mendonte se e bukura ka një përkufizim dhe mund të përkufizohet. Kjo ndodh pasi ne të gjithë e shikojmë të bukurën, e shijojmë diçka të bukur, dhe si rrjedhim mendojmë se mund ta përkufizojmë të bukurën. Filozofia ende nuk ka arritur të japë një përkufizim të së bukurës që të jetë solid dhe pa të çara. Po kështu qëndron situata edhe me lavdinë e Perëndisë, veçanërisht nëse pjesë e përkufizimit tonë është edhe fjala bukuri. Lavdia e Perëndisë është bukuria dhe madhështia e pafund e cilësive të Tij të shumta.

Për ta kuptuar pak më mirë konceptin e lavdisë së Perëndisë ne duhet ta vështrojmë atë në marrëdhënie me shenjtërinë e Tij. Shenjtëria është një prej cilësive apo atributeve të Perëndisë. Isaiah 6:3 thotë: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive qiellore. Tërë toka është plot me lavdinë e tij.” Pra, këtu ne shikojmë që krijesa e Perëndisë dëshmon për një nga cilësitë e Perëndisë, në këtë rast për shenjtërinë e Tij, dhe në këtë varg ne shikojmë që lavdia e tij është deklarimi apo manifestimi i kësaj shenjtërie. Lavdia e Perëndisë është manifestimi i shenjtërisë se Tij. Lavdia e Tij është zbulimi dhe deklarimi i sekretit të shenjtërisë së Tij. Tek Kodi Priftëror 10:3, Perëndia thotë: “Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlavdëruar përpara tërë popullit” Kur Perëndia na e shpalos veten të shenjtë, ajo çfarë ne shikojmë është lavdia e Tij, bukurinë e lavdisë së tij. Shenjtëria e Perëndisë është ajo vlerë, ajo përsosmëri e pakrahasueshme që Perëndia ka në veten e Tij. Shenjtëria e Perëndisë është e përfshirë dhe e fshehur brenda lavdisë së Tij, dhe lavdia e Perëndisë është shenjtëria e zbuluar dhe e manifestuar ndër ne e lavdisë së Perëndisë.

Por ashtu siç unë mora të përkufizoj lavdinë e Perëndisë në lidhje me shenjtërinë e Tij, ne mund ta bëjmë këtë gjë me çdo njërën prej atributeve të tjera të Tij. Mund ta bëjmë këtë gjë me forcën e tij, me sovranitetin e tij, me urtësinë e tij. Dhe si rrjedhim unë ju dhashë më sipër atë përkufizim të lavdisë së Perëndisë: Lavdia e Perëndisë është bukuria dhe madhështia e pafund e cilësive të Tij të shumta. Është për këtë arsye që Apostulli Gjon thotë “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14). Hiri i Perëndisë, e vërteta e mëshira, dashuria e dhembshuria, forca dhe pushteti i Personit të Dytë të Perëndisë, iu manifestuan judenjve, dishepujve dhe Apostujve në mes të ditës, dhe për këtë arsye, Apostulli thotë që “ne soditëm lavdinë e Tij.” Apostujt panë dhe dëshmuan me sytë e tyre atributet dhe cilësitë e Perëndisë në Zotin Krisht dhe si rrjedhim deklarojnë se ata panë lavdinë e Perëndisë. Lavdia e Perëndisë është bukuria dhe madhështia e pafund e cilësive të Tij të shumta. Dhe në këtë sens ne mund të themi së Bashku me Apostujt se Zoti Jezus Krisht është lavdia e Perëndisë.

III.      Provat Biblike

Por qëllimi im nuk është tju jap një përmbledhje historike të doktrinave të reformacionit apo një përkufizim të ngjeshur dhe të vështirë të lavdisë së Perëndisë. Qëllimi im sot për ju është që ju të dini dhe të besoni se ju nuk jeni qendra e afeksioneve të Perëndisë. Qëllimi më i lartë i Perëndisë nuk është të shpëtojë botën nga mëkati, nuk është që të pastrojë botën nga ligësia, nuk është që të shenjtërojë Kishën e tij, apo të sigurojë strehë e ushqim për popullin e Tij. Të gjitha këto Ai vërtet i bën, por jo sepse ju jeni në qendër të ekzistencës së Tij, jo sepse Ai ekziston për ju, por për një kauzë më të lartë, për atë që ka vlerë superiore absolute në këtë gjithësi. Perëndia është dhe vepron për lavdinë e Tij. Dhe sepse Ai është dhe vepron për lavdinë e Tij, ne përfitojmë të gjitha ato që sapo përmenda si dhuratë prej Tij. Perëndia ekziston dhe vepron për kënaqësinë që ai gjen në lavdinë e Tij, në bukurinë dhe madhështinë e pafund e cilësive të Tij të shumta .Dhe kështu Perëndia shpall tek Isaiah 48:9-11: “Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri” Soli Deo Gloria – Vetëm Perëndisë i takon lavdia. Por le të shikojmë se si na e provon Bibla këtë doktrinë:

Isaiah 48:9-11 thotë: “Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros. 10 Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit. 11 Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri”. Në këtë pasazh, Perëndia i drejtohet Izraelit, popullit të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër, dhe në të njëjtën mënyrë edhe popullit të Tij në Dhiatën e Re që të njohë dhe kuptojë supremacinë, sovranitetin, fuqinë dhe zgjuarsinë e Perëndisë në histori dhe në veprën e shpëtimit e të faljes. Për hir të emrit…për hir të lavdisë…për hir të vetvetes… Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri. Kjo është arsyeja e shpëtimit tonë, arsyeja përse dënimi i Perëndisë vonohet mbi këtë botë si dhe parimi i cili udhëheq Perëndinë, lavdia e Tij.

Të Zgjedhur për Lavdinë e Tij: Efesianet. 1:4-6 thotë “sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri, 5 duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, 6 për lëvdim të lavdisë së hirit të tij.”

Të krijuar për lavdinë e Tij: Isaiah 43:6-7 thotë “Tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu.”

Të thirrur në dhe për lavdinë e Tij: Ne Letren 1 Pjetrit 5:10 thotë “Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus.”

Të ruajtur nga braktisja për lavdinë e Tij: Ne librin e 1 Samuelit. 12:20-22 thotë “Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe, mos lini së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj. 21 Mos u largoni për të ndjekur gjëra të kota, që nuk vlejnë as çlirojnë, sepse janë gjëra të kota. 22 Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t’ju bëjë popullin e vet.”

Jezusi kërkoi lavdinë e Perëndisë: John 7:18 Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.

Jezus na urdhëroi të bëjmë vepra të mira për lavdinë e Perëndisë: Ungjilli Mateu 5:16 “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej”

Jezusi na paralajmëroi që marrja e lavdisë për vete e bën besimin të pamundur: John 5:44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?

Perëndia i përgjigjet lutjeve për lavdinë e Tij: John 14:13 Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.

Krishti vuajti për lavdinë e Perëndisë: John 12:27-28 Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë. 28 O Atë, përlëvdo emrin tënd!” Atëherë një zë erdhi nga qielli: “E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!”

Perëndia fal mëkatet për lavdinë e Tij: Isaiah 43:25 Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetvetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua.

Perëndia dha Birin për mishërizim për lavdinë e Tij: Romakeve 15:8-9 “Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve, 9 dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: “Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!”.

Perëndia na shenjtëron për lavdinë e Tij: Filipianeve 1:9-11 “të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit, 11 të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.”

Krishti do të kthehet përsëri për lavdinë e Perëndisë: 2 Sel 1:9-10 thotë “Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij, 10 kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua.”

Qëllimi final i Krishtit për ne është të shikojmë dhe të kënaqemi me lavdinë e Perëndisë: John 17:24 “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës.”

Perëndia planifikon që ta mbushë botën me lavdinë e Tij për lavdinë e Tij: Habakuku 2:14 “Sepse dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë të Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin.”

Cdo gjë vjen nga Perëndia, me anë të Tij dhe mbi të gjitha çdo gjë është për të siç dëshmon Apostulli Pal tek Romaket 11:36 që thotë “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!” Dhe për këtë arsye thotë Pali tek 1 Korintasve 10:31 këto fjalë si motivimi dhe doktrina e jetës praktike të çdo besimtari: “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.”

Aplikime:Erozioni i Adhurimit me Qendër Perëndinë[1]

            Sa herë që autoriteti biblik në kishë humbet, Krishti zhvendoset nga vendi që i takon, ungjilli shtrembërohet, besimi deformohet, kjo ndodh gjithnjë vetëm për një arsye: se interesat tona kanë zënë vendin e atyre të Perëndisë dhe ne bëjmë shërbesën e tij sipas vullnetit tonë. Humbja e përparësisë së Perëndisë në jetën e kishës në kohën e sotme është diçka e zakonshme dhe e mjerueshme. Pikërisht kjo humbje na lejon që ta shndërrojmë adhurimin tonë në dëfrim, predikimin e ungjillit në marketing, të besuarit në teknikë, të qenit të mirë në të ndjerët mirë për veten dhe besnikërinë në të qenit të suksesshëm. Ne harrojmë që    Perëndia nuk ekziston thjesht për të kënaqur ambiciet e dëshirat tona njerëzore, oreksin tonë për konsum dhe interesat personale shpirtërore. Ne duhet të fokusohemi te Perëndia në adhurimin tonë dhe jo tek plotësimi i nevojave tona personale. Perëndia është sovran në adhurim kurse ne nuk jemi. Preokupimi ynë duhet të jetë mbretëria e Perëndisë e jo bota jonë personale, popullariteti apo suksesi ynë.

             Si rrjedhim, ne si kishë përqafojmë tezen e pestë të Reformacionit që është Soli Deo Gloria – e gjithë Lavdia vetëm Perëndisë. Ne pohojmë se meqenëse shpëtimi vjen nga Perëndia dhe është përmbushur prej tij, është për lavdinë e Perëndisë dhe duhet ta lavdërojmë gjithnjë. Duhet t’i jetojmë jetët tona përpara pranisë së Perëndisë, nën autoritetin e Perëndisë dhe vetëm për lavdinë e tij. Ne e mohojmë se mund ta lavdërojmë si duhet Perëndinë nëse adhurimi ynë ngatërrohet me zbavitjen, nëse neglizhojmë Ligjin ose Ungjillin në predikimin tonë, ose nëse vetë-përmirësimi, vetë-vlerësimi apo vetë-përmbushja lihen të bëhen alternativa të ungjillit.


[1] Nga Deklarata e Kembrixhit.