Kolosianët 1:1-2

A është Krishti gjithçka për ty? A është Krishti i mjaftueshëm për ty? A ke të njejtën dashuri, të njëjtin zjarr dhe të njëjtin përkushtim si në fillimet e besimit? A është Krishti dashuria e jetës sate? A ke një marrëdhenie të gjallë në Krishtin? Ekziston një rrezik shumë i madh për ne si besimtarë; që të largohemi nga Krishti. Mendoni për kishën e Efesit në librin e Zbulesës, e cila pas vetëm një brezi kishte humbur dashurinë e saj të parë për Krishtin. Mendoni për kishën e Laodicesë, e cila kishte humbur zjarrin e saj për Krishtin dhe nuk ishte as e ftohtë dhe as e ngrohtë. Kjo është kaq e rrezikshme për një arsye: që një person, i cili largohet nga Krishti shpesh nuk e kupton se çfarë është duke bërë. Askush nuk largohet nga Zoti për një ditë. Ajo ndodh dalëngadalë dhe shpesh herë pa e kuptuar ne. Pyetja ime për ne është: a jemi larguar nga Krishti?

Rreziku që kërcënonte kishën në Kolos, ishte që të largoheshin nga Krishti. Kisha e Kolosit nuk ishte mbjellë nga Pali por ishte fryti i shërbesës së tij. Ai predikoi për më shumë se tre vjet në shkollën e Tiranit në Efes. Efesi ishte kthyer përmbys nga ungjilli por jo vetëm kaq; ungjilli u përhap në të gjithë provincën e Azisë. Një nga njerëzit që kishte çuar ungjillin më tej ishte Epafrai; i cili mbolli kishat në Laodice, Hierapolis dhe në Kolos. Dua të ndalem këtu dhe t’u pyes: çfarë na ndalon ne që të jemi njerëz të tillë? Nëse një besimtar i ri, pa asnjë lloj mbështetjeje financiare, pa asnjë bashkëpunëtor, mundet të mbjellë tre kisha, përse nuk jemi ne duke u angazhuar në këtë punë? Pse nuk jemi ne më të guximshëm në punën e ungjillit? Krishti na ka dhenë një porosi që të bëjmë dishepuj në të gjithë kombet. Ai na ka premtuar praninë e Tij ndersa ne e kryejmë këtë porosi. A do ta marrim seriozisht përgjegjësinë tonë, jo thjesht të shpallim ungjillin në këtë qytet, në këtë komb, por në të gjithë kombet? A do ta marrim seriozisht premtimin e Tij që Ai do të jetë me ne?

Kisha e Kolosit ishte përgjithësisht e shëndoshë. Këtu nuk ndeshim paralajmërimet apo qortimet që gjenden në letrat drejtuar Korintasve apo Galatasve. Pali thotë në kapitullin 2 dhe vargun 5, “gëzohem duke parë rregullin dhe qendrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.” Ka një rend, ka një rregull dhe një jetë të shëndoshë në kishë. Problemi nuk ishte me kishën por kush kishte hyrë në kishë. Një grup mësuesish po predikonin një ungjill që largonte njerëzit nga Krishti. Një nga gjërat e veçanta për zonën e Kolosit ishte numri i madh i Judenjve që banonin atje. 50 mijë Judenj banonin në atë zonë. Ata nuk ishin Judenj të zakonshëm; ata nuk vinin nga Izraeli por nga Babilonia dhe ngjanin me Izraelin në kohën e Elias. A e mbani mend se si Elia e sfidoi Izraelin në Malin Karmel, “Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimëve? Në qoftë se Zoti është Perëndia shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali atëherë ndiqeni atë.” Këta Judenjtë pra, ishin të përkushtuar ndaj sinagogës, ndaj riteve të Ligjit të Zotit, por edhe shkonin në tempuj paganë dhe flijonin për perënditë pagane. Ata lëkundeshin midis dy mendimeve. A mos vallë po lëkundesh mes dy mendimeve sot? A je duke provuar të jetosh edhe në kishë, edhe në botë, edhe për vullnetin e Perëndisë, edhe për dëshirat e tua, edhe për Krishtin, edhe për veten? Jezusi e bëri të qartë se është e pamundur që t’u shërbejmë dy zotërinjve; o do t’i shërbejmë njërit, o do t’i shërbejmë tjetrit. Duhet të ndajmë mendjen, duke i shërbyer Zotit dhe vetëm Atij.

Këta mësues njiheshin si Merkabahitët dhe pretendonin se njerëzit mund të transportoheshin në qiell me anë të vegimeve dhe të shikonin misteret që askush në tokë nuk i ka parë më parë. Si mund ta arrinin këtë gjë? Në radhë të parë, duke mohuar veten në mënyrë radikale. Kapitulli 2 vargun 16, “Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime apo pije.” Ata praktikonin vetmohim dhe hiqnin dorë nga shumë gjëra sikur kjo do t’i afronte edhe më me Perëndinë. Në radhë të dytë, duke zbatuar rreptësisht Ligjin e Zotit. Ata mendonin se 12 deri në 40 ditë ishin të mjaftueshme për të qenë në gjendje të merrnin vegime të tilla. Prandaj ai thotë në kapitullin 2 se nuk duhet të merren me shabatet, me festa apo të hënat e reja që i kremtonin Judenjtë. Në radhë të tretë, duke adhuruar engjëjt. Ai flet në kapitullin 2 dhe vargun 18 për kultin e engjëjve. Ata pretendonin se engjëjt ose mund ta çonin dikë atje lart, ose mund ta pengonin rrugën e dikujt tjetër drejt qiellit dhe prandaj duhet të adhuroheshin. Në radhë të katërt, duke ndjekur këta mësues. Ata thoshin se mësimet e Epafrait për kishën, apo mësimet e Jezuit dhe apostujve për të nuk ishin të mjaftueshme. Ata pretendonin se mund të zbulonin shumë mistere për shkak të vegimeve dhe endrrave të tyre. Ne nuk e dimë me siguri nëse këta ishin personat që po shqetësonin kishën, por të gjitha problemet e trajtuara prej Palit në këtë letër përkojnë me këtë herezi. Thelbi i gjithë problemit ishte një luftë mes të vërtetës së zbuluar nga Zoti dhe gjërave të shpikura nga njeriu. Paralajmërimi i tij në kapitullin 2 dhe vargun 8 është: “Bëni kujdes se mos ndokush ju bën pre të tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit.” Kjo luftë vazhdon edhe sot. Një luftë midis filozofisë së botës dhe të Krishtit, mes traditave të njerëzve dhe të Krishtit, mes elementëve të botës dhe të Krishtit. Gjithmonë e ndeshim këtë forcë, e cila orvatet të na largojë nga Perëndia. Çfarë mund të bëjmë që të mos largohemi nga Krishti? Çfarë bën Pali për ta shpëtuar një kishë nga traditat e njerëzve? Duke i themeluar ata në të vërtetën. Ne duhet të jemi të themeluar në çfarë ai na mëson në këtë libër që të mos largohemi nga Krishti; jo thjesht të dimë se çfarë ai thotë, por edhe t’i zbatojmë mësimet e tij. Këtu ne shohim dy gjëra që na ndihmojnë që të mos largohemi nga Krishti:

 I. Fjala duhet të jetë autoriteti ynë.

Që të mos largohemi nga Krishti duhet të kuptojmë autoritetin e Fjalës së Perëndisë në jetët tona. Vargu 1, “Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë.” Një apostull do të thotë një njeri i dërguar. Ideja është e një njeriu, i cili është dërguar me gjithë autoritetin e një njeriu tjetër për të përfunduar një mision. Pali është një lajmëtar i Perëndisë. Ai nuk është i vetëcaktuar si këta mësuesë të rremë, por është caktuar prej vullnetit të Perëndisë. Të mohosh fjalën e Palit është njëlloj sikur ta mohosh Perëndinë. Ai thotë tek 1 Thesalonkasve 4:8: “Prandaj ai që i hedh poshtë këto gjëra, nuk hedh poshtë një njeri, por Perëndinë që na dha Frymën e Shenjtë.” Çështja për të cilën po flet Pali në hapje të kësaj letre, është se kush është autoriteti ynë. Kolosianët duhet të zgjedhin, a do të dëgjojnë mësues të vetëcaktuar apo apostullin e Perëndisë që vjen me gjithë autoritetin hyjnor? A e kuptojmë autoritetin e Fjalës së Perëndisë mbi jetët tona? Thesalonikasit e pranonin Fjalën e Palit jo si një fjalë njerëzish por një Fjalë Perëndie. A e kupton ti që Bibla është një Fjalë Perëndie? Ajo vjen tek ne me gjithë autoritetin e të Plotfuqishmit. Fjala thotë se Jezusi është Kreu i kishës. Nëse Jezusi është Kreu i kishës, si mbretëron Ai? Me anë të Fjalës së Tij. A është Bibla autoriteti yt? A e zbaton Fjalën apo zgjedh ti vetë se cilat pjesë të saj do t’i vësh në praktikë dhe cilat pjesë të tjera të saj do t’i shpërfillësh? A nxjerr justifikime se përse nuk mund t’i bindesh Zotit apo arsye se përse nuk duhet t’i bindesh Atij? Që të mos largohemi nga Jezusi duhet ta pranojmë Fjalën e Tij si autoritet në jetët tona.

 II. Të kuptojmë identitetin tonë.

Identiteti ynë është tepër i rëndësishëm. Kur kuptojmë se kush jemi, kuptojmë edhe se si duhet të jetojmë. Nëse nuk duam të largohemi nga Krishti, duhet të kuptojmë identitetin tonë. Si i përshkruan Pali këta besimtarë? Në radhë të parë, janë shenjtorë. Cila është gjëja e parë që të vjen në mendje kur përmendet fjala shenjtor? Ndoshta mendojmë për një njeri, i cili ka jetuar një jetë të pastër apo një jetë plot me vepra të mira si Nënë Tereza. Në fakt, çdo njeri që beson tek Krishti është një shenjtor. Fjalë për fjalë ky term do të thotë “i veçuar.” Ai thotë në vargun 13: “Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na zhvendosi në mbretërinë e Birit të Tij të dashur.” Nga njëra anë jemi veçuar nga mëkati. Ai na ka falur, na ka pastruar, na ka larë nga mëkati që të jetojmë larg mëkatit. Gjithë qëllimi i Krishtit duke vdekur në kryq nuk ishte të vazhdonim në mëkate por të veçohemi prej tyre. Kjo do të thotë se gjithë detyra jonë është të heqim dorë nga mëkati, të luftojmë mëkatin dhe ta vrasim atë. A po e lufton mëkatin apo je duke e toleruar atë? A je po e vret mëkatin apo je duke e justifikuar atë? Nga ana tjetër, jemi të veçuar për Perëndinë. Gjithë qëllimi i jetës sonë është të jetojmë për Perëndinë, t’i shërbejmë Perëndisë. Pali thotë tek 1 Korintasve 6:19 që nuk i përkasim më vetes, “Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë pra me trupin tuaj dhe në frymën tuaj që i përkasin Perëndisë!” A mos vallë po jeton për veten tënde sot? A mos vallë po jeton sikur Perëndia nuk ekziston? Problemi që kemi shumë prej nesh është se nuk kemi kuptuar ende se jetët tona nuk na përkasin më neve; se kemi një pronar të ri, dhe se kemi një qëllim të ri në jetë: t’i japim lavdi Perëndisë. 2 Korintasve 5:15: “Ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë më për veten e tyre, po për atë që vdiq e u ringjall për ta.” Në radhë të dytë, janë vëllezër besnikë. Ne jemi rilindur në një familje të re. Jemi vëllezër dhe motra, por vini re se çfarë lloj vëllezërish duhet të jemi: vëllezër besnikë. Fjala besnik këtu do të thotë të jesh i besueshëm, një njeri i besës, një njeri i cili i mban premtimet dhe është besnik ndaj të tjerëve. Këta Kolosianë ishin besnikë ndaj Zotit, ndaj së vërtetës dhe ndaj njeri tjetrit. A jemi njerëz të tillë? A jemi besnikë ndaj Zotit apo rrëmbehen zemrat tona nga gjëra të tjera? A jemi besnikë ndaj së vërtetës së Tij apo jetojmë sipas urtësisë së botës? A jemi besnikë ndaj familjes së Zotit duke u kujdesur për njeri tjetrin, duke qendruar pranë njëri tjetrit dhe duke mbajtur përgjegjësitë tona ndaj njëri tjetrit? Në radhë të tretë, janë në Krishtin. Edhe pse fizikisht janë në Kolos, frymërisht janë në Krishtin. Gjithçka që ne kemi vjen nga fakti që jemi në Krishtin. Pali thotë tek Efesianët 1:4 që Zoti na ka bekuar me çdo bekim në vendet qiellore, në Krishtin. Ne kemi hir për të përballuar çdo gjë në jetë dhe paqe në çdo rrethanë sepse jemi në Krishtin. Pse i përshkruan Pali besimtarët kështu? Thelbi i Palit është ky: ne kemi gjithçka që na nevojitet në Krishtin. Nuk kemi nevojë që të kërkojmë gjë tjetër nga ndonjë vend tjetër sepse ne jemi të plotë në Krishtin. Çfarë do të thotë kjo? Mos u përpiq ta ngopësh veten me gjërat e kësaj bote. Njerëzit mendojnë se nëse do të kishin një shtëpi dhe një familje, si dhe nëse do të ishin në gjendje të mirë ekonomike do të ishin më të lumtur. Ti je i plotë në Krishtin. Nëse ke Krishtin, ke gjithçka. Vetëm Ai mund të na ngopë e kënaqë. Mos i dëgjo mësuesit që të premtojnë diçka shtesë. Në çdo brez kanë ardhur mësues që thonë se kemi nevojë për Krishtin plus diçka tjetër. Ata thonë se na nevojiten mësime shtesë, bekime shtesë, përvoja shtesë, apo një vajosje shtesë. Në Krishtin, ti je i plotë. Nuk ke nevojë për gjë tjetër. Kur e kuptojmë se jemi shenjtorë, se jemi të veçuar për Perëndinë, se jemi vëllezër besnikë, se jemi të thirrur të jemi besnikë ndaj Zotit, ndaj Fjalës së Tij dhe ndaj familjes së Tij, se jemi në Krishtin dhe nuk na mungon asgjë, atëherë nuk do të dëshironim kurrë që të largoheshim nga Krishti.

 Fjala e Zotit na premton që nëse i afrohemi Zotit, Ai do të na afrohet neve. Nëse je larguar nga Krishti, prano autoritetin e Fjalës sërish, jetësoje vullnetin e Tij dhe mos harro se kush je, sepse kështu do të jetosh sipas vullnetit të Tij.