Kolosianët 1:6-8

A ke pasur ndonjëherë dyshime rreth besimit tënd? A ka pasur ndonjë situatë në jetën tënde, në të cilën e ke pyetur veten nëse besimi yt është i kotë? A e ke pyetur ndonjëherë veten nëse ungjilli i Jezusit është me të vërtetë i vërtetë? Pyetja madhore që Pali trajton në këto vargje është: a është ungjilli i mjaftueshëm për ne? Në kishën e Kolosit kishin depërtuar mësues të rremë, të cilët predikonin që Jezusi nuk është i mjaftueshëm për ne, të cilët mësonin se ne kemi nevojë për Jezusin dhe engjëjt, Jezusin dhe respektimin e Ligjit të Zotit, Jezusin dhe vetëmohimin e trupit. Ata shpreheshin se ungjilli, të cilin Epafrai kishte predikuar, nuk ishte i mjaftueshëm. Ata mësonin që ne kemi nevojë sa për ungjillin e Jezusit aq edhe për njohurinë e mistereve të Perëndisë, të cilat vetëm ata i zotëronin. Ajo që bën Pali është se ai na jep katër arsye se përse ne mund të jemi të sigurt në ungjillin, katër arsye se përse ungjilli është mëse i mjaftueshëm.

I. Frytshmëria e Ungjillit

Gjëja e parë që thotë Pali është se ungjilli po prodhon fryte jo vetëm në mes tyre, por edhe në mbarë botën. Ai e përdor kohën e tashme me qëllim që të na tregojë se ungjilli po prodhon fryte në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë botën. Ungjilli po transformonte sa e sa jetë njerëzore në Kolos. Jetët e njerëzve po ndryshonin rrënjësisht. Kjo ishte e vërtetë jo vetëm në Kolos, por në botën mbarë. Fakti që ungjilli prodhon fryte në mbarë botën nëkupton dy gjëra për ne: Në radhë të parë, që nuk ka asnjë gjë që të mund ta ndalojë përhapjen e ungjillit. Kolosi ishte një vend pagan, i përkushtuar ndaj idhujve të kotë. Kudo në botë perandori Romak adhurohej si Perëndi dhe njerëzit ndiqnin perëndi të tjera. Madje në Izrael, ku njerëzit zotëronin Fjalën e Zotit, Hebrenjtë ishin kategorikisht kundër ungjillit të Jezusit. Mirëpo, Pali thotë që në mbarë botën ky ungjill po jepte fryte. Njerëzit sot e konsiderojnë ungjillin si një përallë apo si një gjë për budallenj. Por çfarë po ndodh? Ungjilli po jep fryte qoftë këtu, qoftë në botë. Ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtimin dhe kjo fuqi po ndryshon jetët e njerëzve kudo. Arsyeja se përse kemi siguri në ungjillin nuk është sepse jemi shumë të aftë që ta shpallim atë, por sepse ai po transformon jetët e njerëzve në mbarë botën. Së dyti, që ungjilli është fuqia e madhe e ndryshimit në botë. Një nga arsyet se përse ne e dimë që ungjilli është i vërtetë, është ndryshimi që ai bën në jetën e njerëzve. Nuk ekziston gjë tjetër në botë e aftë për t’i ndryshuar njerëzit siç është ungjilli i Jezu Krishtit. Njerëz të cilët kanë qenë gënjështarë, imoralë, grindavecë dhe të skllavëruar prej mëkatit prodhojnë fryte të tilla si: dashuria, besimi dhe shpresa. Nuk është politika, filozofia, një sistem ekonomik, arsimi apo ndonjë gjë tjetër që të mund të krijojë njerëz të rinj. Vetëm ungjilli i Jezus Krishtit mund t’i ndryshojë jetët. A nuk është kjo një arsye e fortë se përse ne duhet të angazhohemi në punën e ungjillit?

 II. Vërtetësia e ungjillit

Fakti që ungjilli është i vërtetë duhet të na japë shumë siguri në të. Pali e quan ungjillin në vargun 6: “hirin e Perëndisë në të vërtetë.” Apo siç është në Greqishten “në të vërtetën.” Vini re si është ungjilli! Ungjilli është i kuptueshëm. Ungjilli nuk është një mister që duhet zbuluar nga mësues të veçantë apo me anë të vegimeve dhe endrrave. Është i qartë dhe i kuptueshëm. Ungjilli kishte ardhur tek ata, ata e kishin dëgjuar dhe e kishin njohur apo kuptuar atë. Ajo që e bën ungjillin unik është se ti mund të jesh profesor universiteti apo një fëmijë i vogël, por ai megjithatë është i kuptueshëm për ty. Gjithsesi, njerëzit kanë një koncept të gabuar për besimin tonë. Ata mendojnë se ne besojmë verbërisht. Ata mendojnë se duhet ta lësh mendjen jashtë derës së kishës me qëllim që të besosh. Kjo do të thotë të keqkuptosh atë që thotë Bibla për besimin. Fjala që përdoret në Dhiatën e Re për besimin, pisteo, do të thotë që të jesh i bindur plotësisht nga diçka. Kjo do të thotë se ti e kupton ungjillin dhe je i bindur nga ajo që ai thotë. Ungjilli është unik për shkak të kuptueshmërisë së tij. Ungjilli ka në themel hirin e Zotit. Themeli i ungjillit dhe ajo që e bën ungjillin unik në mbarë botën, është hiri i Zotit. Çdo fe në botë ka të njëjtën qasje: që njeriu mundet ta njohë Perëndinë dhe mundet të shkojë në parajsë përmes gjerave që bën. Ungjilli thotë që edhe veprat tona më të drejta janë si rroba të ndotura sepse zemrat tona janë të papastra dhe ndotin gjithçka që ne bëjmë. Ungjilli thotë se ajo që na shpëton nga mëkati nuk është diçka që e bëjmë ne, por çfarë Perëndia ka bërë në Krishtin Jezus. A je duke besuar në mirësinë tënde, në veprat e tua të mira, në ritet e tua fetare të të shpëtojnë ty? E vetmja gjë që na shpëton është hiri i Zotit dhe kjo do të thotë se besimi ynë duhet të vendoset në atë që Krishti ka bërë dhe në asgjë tjetër. Ungjilli është i vërtetë. Siguria që kishin Kolosianët dhe që kemi edhe ne, është se ungjilli është i vërtetë. Ne nuk besojmë tek ungjilli sepse na bën që të ndihemi mirë, por sepse ungjilli është i vërtetë. Ungjilli është i vërtetë sepse është prej Perëndisë dhe jo prej njeriut. Fakti që gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe nuk është një fjalë njerëzish, por një fjalë Perëndie na bind se është i vërtetë. Nëse ungjilli është i kuptueshëm, është unik dhe është i vërtetë a nuk duhet ta shpallim atë me të madhe? Nëse ti e njeh të vërtetën e Perëndisë, a nuk duhet ta shpallësh këtë me siguri dhe guxim më të madh? Mos harro që ungjilli është i vërtetë dhe prandaj ne mund të ndajmë atë me të tjerët me guximin më të madh!

 III. Lajmëtarin e ungjillit

Një arsye tjetër se përse Kolosianët mund të kishin siguri në ungjillin që kishin marrë, ishte për shkak të personit që e kishte shpallur atë. Ajo që po thotë Pali këtu është se: “Ju e dini se çfarë lloj njeriu është Epafrai dhe prandaj mund të jeni të sigurtë që ungjilli që ai predikoi është i plotë.” Besueshmëria e ungjillit varet jashtëzakonisht shumë nga ata që e shpallin atë. Ose do të tërheqim njerëzit tek ungjilli, ose do t’i largojmë ata. Pyetja ime për ty sot është: çfarë efekti ka jeta jote për ungjillin? A është jeta jote diçka që i jep më shumë besueshmëri ungjillin apo është ajo një gur pengese për njerëzit që të njohin? Ungjilli do të ketë besueshmëri kur ne jetojmë sipas ungjillit. Epafrai ishte shembulli i një njeriu i cili e bënte të besueshëm ungjillin. Çfarë cilësish kishte ai? Në radhë të parë, ai ishte bashkëpunues. Pali e quan atë bashkëshërbëtori ynë i dashur. Kjo në radhë të parë, do të thotë shumë për Palin. Pali ishte një apostull, një themelues i kishës, një njeri i pajisur me një autoritet dhe fuqi të madhe, por Pali e konsideronte veten bashkëshërbëtor me Epafrain. A e mban ti veten për më të lartë? A shikon ti veten si superior në krahasim me të tjerët? Një njeri, i cili do të përdoret në shërbesën e ungjillit, nuk e shikon veten si më të lartë se të tjerët, por e kupton varësinë e tij ndaj të tjerët. A je një njeri që di të punojë me të tjerët, të vlerësojë të tjerët dhe të nderojë të tjerët për punën e tyre? Së dyti, ai ishte një shërbyes. Jezusi na tregoi se çfarë do të thotë shërbesë, kur mori një legen me ujë dhe u lau këmbët dishepujve. Atë punë që vetëm një skllav apo shërbetori më i përulur i shtëpisë do t’a bënte, atë punë e bëri Jezusi, Zoti i universit. Ai tha, “Në qoftë se unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët juve, edhe ju duhet t’ia lani këmbët njeri tjetrit.” Si e koncepton shërbesën? A e koncepton shërbesën si mbajtjen e një pozite? A je një person i cili ka një frymë konkurruese? A ke ti zili ndaj të tjerëve kur ata marrin përgjegjësi? Pali thotë tek 2 Korintasve 4:6: “Sepse ne nuk shpallim veten tone, por Krishtin Jezus, Zotin, ndërsa veten tonë, shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit.” Me fjalë të tjera, pas gjithçkaje që Jezusi ka bërë për ne, e vetmja gjë e denjë që mund të bëjmë, është t’u shërbejmë të tjerëve. Një nga arsyet përse shërbesa jonë nuk është më e efektshme, është sepse ka shumë prej vetes sonë në të. Ne duhet të jemi si Gjon Pagëzori që gëzohej tek thoshte, “Ja Qengji i Perëndisë që heq mëkatet e botës!” Ne duhet t’i drejtojmë njerëzit jo tek vetja por tek Krishti dhe ne duhet të jemi të kënaqur që të marrim vendin e fundit. Ne duhet të jemi të kënaqur që të shërbejmë. Së treti, ai ishte besnik. Me fjalë të tjera, ai ishte i besueshëm. Detyrën që i ishte besuar, Epafrai e çonte deri në fund. A je ti një njeri i besueshëm? A je ti një njeri i cili merr përsipër përgjegjësitë dhe nuk i lë ato pa bërë? Së katërti, ai nuk i shërbente vetvetes. Ai ishte në plan të parë një shërbenjës besnik i Krishtit, “por edhe për ju” thotë Pali tek vargu 7. Ai jetonte për t’i shërbyer Krishtit të parit dhe pastaj të tjerëve. A është synimi i jetës tënde t’i shërbesh Krishtit dhe pastaj të tjerëve? Nganjëherë motivet tona janë të përziera. Neve na pëlqen që të jemi të parët, që të kemi pozitë dhe emër. Neve na pëlqen që të jetojmë për të mirën tonë. Ku është besnikëria jote? Cuku është synimi yt? A jeton që t’i shërbesh Krishtit dhe t’ia japësh gjithë jetën tënde Atij? A jeton për të tjerët apo për veten? Egoizmi ynë është pengesa më e madhe ndaj shërbesës. Misionari i madh në Kinë, Hudson Taylor, ishte pyetur në fund të jetës së tij se cila kishte qenë sfida apo pengesa më e madhe gjatë shërbesës së tij. Ai u përgjigj, “Vetja ime!” Sa kujdes duhet të kemi nga egoizmi ynë! Nëse ungjilli do të përhapet, ne që e shpallim ungjillin duhet të jemi si Epafrai.

 IV. Efekti i Ungjillit

Arsyeja e fundit përse Kolosianët mund të kishin siguri në ungjillin ishte efekti që ungjilli kishte pasur tek ata. Ai thotë se Epafrai ishte jo vetëm një dëshmitar i ungjillit, por që ai kishte dëshmuar për dashurinë e tyre të madhe në Frymën e Shenjtë. Shenja kryesore që provon se jemi besimtarë është fakti që kemi dashuri; dashuri për Zotin, dashuri për njëri-tjetrin dhe dashuri për të tjerët. Apostulli Gjon thotë tek 1 Gjoni 3:14: “Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kushdo që nuk do vëllanë mbetet në vdekje.” 1 Gjoni 4:7: “Të dashur, le ta duam njëri-tjetrin sepse dashuria është prej Perëndisë dhe kushdo që do, ka lindur prej Perëndisë dhe e njeh Perëndinë.” Prova që dikush është një besimtar i vërtetë, ka të bëjë me frytet në jetën e vet, nëse i ka apo jo, dhe fryti më i madh është dashuria. Kjo më bën që të them tre gjëra: Në radhë të parë, nëse ne nuk i kemi frytet në jetën tonë, nuk kemi përse të besojmë se jemi besimtarë. Edhe sikur të kemi fare pak fryte, edhe sikur të kemi ndryshuar pak, ne mund të kemi sigurinë që i përkasim Krishtit. Por nëse nuk ka fryte të denja të pendesës, siç tha Gjon Pagëzori, nuk ka përse të besojmë që jemi besimtarë. Nuk është besimtar ai që thotë se është i tillë, apo ai që vjen në kishë apo ai që pranon intelektualisht ungjillin. Besimtar është ai, i cili është ndryshuar nga Perëndia, që shfaq në jetën e tij fryte të shpëtimit të tij dhe mbi të gjitha, që i do të tjerët. Ti mund të kesh qenë në mes nesh për shumë vite, por ti ende nuk je i shpëtuar. Nëse nuk ke frytet e shpëtimit, ti nuk je një besimtar dhe kjo do të thotë se shpirti yt është në rrezik të ferrit. Të përgjërohem që të khehesh tek Zoti sot edhe ti. Së dyti, nëse kemi fryte, le ta dimë se jemi të shpëtuar. Asnjë prej nesh nuk është i përsosur dhe mund të kalojmë një kohë të gjatë me shumë pak fryte, por fakti që jemi të ndryshuar, që po prodhojmë ca fryte, do të thotë se i përkasim Zotit. Nganjëherë djalli mbjell dyshime në zemrat tona në lidhje me nëse jemi të shpëtuar apo jo. Kur ai e bën këtë, ne duhet të kemi një provë konkrete që i përkasim Krishtit dhe një provë e tillë është pasja e fryteve t shpëtimit. Së treti, synimi ynë duhet të jetë që të bëhemi gjithnjë e më shumë të frytshëm. Jezusi tha tek Gjoni 15:16: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryte dhe fryti juaj të qëndrojë.” Jemi shpëtuar që të japim fryte. Edhe sikur të kemi fryte në jetët tona nuk mund të kënaqemi me aq. Gjithmonë duhet synuar që të jemi edhe më të frytshëm. Frytshmëria jonë varet nga marrëdhënia jonë me Perëndinë. Nga vijnë frytet? Përderisa Perëndia është hardhia dhe ne jemi shermendet, ne duhet të qëndrojmë në Të që të jemi të frytshëm. Çfarë marrëdhënie ke me Krishtin? A je duke u mbushur me jetën e Tij çdo ditë?

 Ungjilli i Jezusit është i fuqishëm dhe po prodhon fryte në mbarë botën. Ungjilli është i vërtetë, prandaj mund të jemi të guximshëm në shpalljen e tij. Ungjilli është përhapur nga njerëz si Epafrai kështu që duhet ta imitojmë atë. Ungjilli sjell fryte në jetën e atyre që e besojnë atë, kështu që siguria jonë nuk është në ndjenjat tona, por në atë që Zoti bën në jetët tona. Lavdi Zotit për ungjillin e Tij!