Një Parathënie për Publikimin e Përmbledhjes së Njohurisë Shpëtuese në Shqip

‘Pas Errësirës Drita’ do të publikojë në ditët në vazhdim veprën Përmbledhja e Njohurisë Shpëtuese në shqip. Me këtë rast bëhet e nevojshme një parathënie informuese për këtë vepër, si dhe për përdorimin e saj.

Përmbledhja e Njohurisë Shpëtuese (The Sum of Saving Knowledge) është një vepër e shkruar nga Dejvid Diksën (David Dickson) dhe Xhejms Dërhem (James Durham), dy shërbenjës të Fjalës dhe profesor të teologjisë në Universitetin e Glaskout, në Skoci, në fillim-vitet e shekullit 17. Presbiteri i Edinburgut i ngarkoi ata në vitin 1643 me përgatitjen e Një Udhëzuesi për Adhurimin Publik (Directory of Public Worship). Vepra në fjalë u përgatit si shtesë e kësaj të fundit, e ndonëse kurrë nuk mori aprovimin zyrtar të kishës Presbiteriane Skoceze, Përmbledhja e Njohurisë Shpëtuese u botua në shumicën e rasteve në të njëjtin volum me  Udhëzuesin e Adhurimit Publik dhe Standardet e Uestminsterit (Shpallja e Besimit dhe Katekizmat). Që nga koha e publikimit të saj e deri më sot kjo vepër ndërtuese ka gjetur përdorim mjaft të gjerë në qarqet e reformuara.

Përmbledhja e Njohurisë Shpëtuese është e shkruar sipas stilit puritan të shprehurit të mendimit. Titulli, i cili përbën edhe temën e veprës, ndahet në të gjitha pjesët e nevojshme e të mundshme për të zbërthyer tërësisht kuptimin e saj. Secila pjesë ndahet pastaj në nën-pjesë e kështu me radhë. Në fund të çdo pjese ka një arsyetim logjik si zbatim praktik të mendimit të shtjelluar. Kështu, kjo vepër është e ndarë në katër pjesë kryesore: Përmbledhja e njohurisë shpëtuese, Përdorimi praktik i saj, Garanci për të besuar, dhe Evidencat e besimit të vërtetë. Secila pjesë është e ndarë në kapituj, ku çdo kapitull mbështetet në një varg të caktuar të Biblës. Secila pikë nënrenditëse nuk është asgjë tjetër veçse një zbërthim teologjik i vargut biblik.

Pikërisht për këtë arsye kjo vepër gjen një përdorim mjaft praktik si për një besimtar të ri që dëshiron të mësojë e të themelohet në një përmbledhje të ngjeshur, por qartësisht e praktikisht të kuptueshme të doktrinës së shpëtimit, ashtu edhe për një besimtar të rritur i cili dëshiron të mësojë sesi të ungjillizojë.

Në të njëjtën kohë, Përmbledhja e Njohurisë Shpëtuese është një material mjaft i mirë për edukimin e krishterë në Shkollën e Së Dielës, për adhurimin familjar, apo për devocion personal. Kjo vepër i vjen për ndihmë edhe një predikuesi të ri i cili dëshiron të ndërtojë disa tema sistematike e ungjillizuese për t’i pasur në dispozicion sa herë që dhuntia e tij nxitet për përdorim prej Frymës së Shenjtë. Kjo vepër ia bën punën mjaft të lehtë pasi në shumicën e saj nuk është gjë tjetër veçse një zbërthim ekzegjetik i një vargu a pasazhi biblik. Pikat e zbërthyera mund të shndërrohen mjaft mirë në pikat bazë të një predikim.

Në përfundim, një fjalë për përkthimin. Duke qenë një vepre përmbledhëse, por edhe e ndërtuar në një strukture logjike me silogjizma të tipit, ‘Meqenëse… Por… Atëherë’, është parë e nevojshme që produkti të jetë në radhë të parë sa më besnik përkthimit fjalë për fjalë, e më pas ndërtimit semantik të fjalisë për t’i dhënë një rrjedhshmëri leximit. Po për këtë arsye, është parë e nevojshme që fjalitë, sado që në stilin puritan janë mjaft të gjata, të mos shkurtohen apo ndërpriten për lehtësira në përpunimin e informacionit të marrë. Si përfundim, nëse një fjali, apo grup fjalish, nuk ju ngulitet shpjet në mendje, përpiquni ta lexoni atë disa herë. Për t’ju ndihmuar në këtë aspekt vepra Përmbledhja e Njohurisë Shpëtuese do të publikohet në faqen e forumit ‘Pas Errësirës Drita’ një pjesëza të njëpasnjëshme.

E drejta e autorit për këtë përkthim i përket Kishës së Reformuar Durrës. Ju mund ta përdorni atë lirshëm në formën e plotë a të pjesshme, elektronike apo të printuar, për sa kohë: në çdo rast citohet si burim ‘Pas Errësirës Drita – www.paserrësirësdrita.com’;  asnjë pjesë e këtij materiali, apo e tërë ajo, nuk përdoret për qëllime fitimi dhe/ose shitje pa lejen paraprake të Kishës së Reformuar Durrës.

Zoti e përdortë leximin e kësaj vepre për mbledhje e të zgjedhurve dhe inkurajimin e të shpëtuarve shqipfolës.