PJESA E PARË – KREU I

PËRMBLEDHJA E NJOHURISË SHPËTUESE

KREU I

Gjendja jonë e natyrshme mjerane për shkak të thyerjes së Besëlidhjes së Veprave.

Ti je shkatërruar, o Izrael.” – Hozea 13:9.

I. Perëndia i plotfuqishëm dhe i përjetshëm, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, tre persona të dallueshëm në një Hyj të pandashëm, e barazisht të pafundmë në të gjithë përsosmëritë, dekretoi që përpara krijimit të kohës me plot urtësi e vetëm për lavdinë e tij gjithçka që koha do të sillte. Ai vazhdon të zbatojë me plot shenjtëri e pagabueshmëri të gjithë dekretet e tij pa u bërë pjesëmarrës në mëkatin e ndonjë krijese.

II. Ky Perëndi krijoi gjithçka prej asgjëje në gjashtë ditë – gjithçka shumë të mirë sipas llojit të vet. Në veçanti, ai krijoi engjëjt e shenjtë dhe prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën, si farën e njerëzimit – të dy të drejtë dhe të aftë për të mbajtur ligjin e shkruar në zemrat e tyre. Natyra e tyre i detyronte që t’i bindeshin këtij ligji, përndryshe ata i priste vdekja. Vetë Perëndia nuk u detyrohej atyre asnjë shpërblim për shërbesën e tyre deri në momentin kur Ai hyri në një besëlidhje, apo kontratë, me ata dhe me pasardhësit e farës së tyre për t’u dhënë atyre jetë me kusht që ata të ofronin një bindje të përsosur e individuale dhe duke i kërcënuar ata me vdekje nëse dështonin. Kjo quhet besëlidhja e veprave.

III. Si engjëjt, ashtu edhe njerëzit, kishin mundësinë e ndryshimit përmes vullnetit të tyre të lirë, siç e tregoi dhe përvoja, – ndërkohë që Perëndia i rezervon vetvetes cilësinë e patransmetueshme të një personi të pandryshueshëm – sepse shumë engjëj ranë me vullnetin e tyre të lirë nga gjendja e tyre fillestare në mëkat dhe u shndërruan kështu në djaj. Prindërit tanë të parë e shkelën besëlidhjen e veprave të nxitur nga Satani, njëri prej djajve i cili u foli përmes një gjarpri, duke ngrënë frytin e ndaluar përmes të cilit ata, si edhe pasardhësit duke qenë në farën e tyre (siç është dega e lidhur me rrënjën) dhe të përfshirë në të njëjtën besëlidhje me ta, u bënë jo vetëm të denjë për vdekjen e përjetshme, por në të njëjtën kohë humbën aftësinë e tyre për të kënaqur Perëndinë. Në të vërtetë ata u shndërruan prej natyre në armiq të Perëndisë e të çdo të mire shpirtërore duke tentuar drejt të ligës në çdo kohë. Ky është mëkati ynë fillestar, rrënja e hidhur e të gjithë shkeljeve tona të sotme në mendime, fjalë dhe vepra.