PJESA E PARË – KREU III e IV

KREU III

Mjetet vizive të parcaktuara për pjesëmarrjen e të zgjedhurve në këtë besëlidhje, dhe lënia pa shfajësim e të gjithë të tjerëve që thirren.

“Sepse shumë janë të thirrur.” Mateu 22:14.

I. Mjetet dhe urdhërimet e dukshme, përmes të cilave njerëzit bëhen pjesëmarrës në besëlidhjen e hirit, ushtrohen me aq urtësi saqë të zgjedhurit do të konvertohen dhe shpëtohen patjetër prej tyre. Ndërkohë që të pabindurit, nga mesi i të cilëve thirren efektivisht të zgjedhurit, nuk do të pengohen padrejtësisht. Mjetet janë veçanërisht këto të katra: 1. Fjala e Perëndisë. 2. Sakramentet. 3. Qeverisja e Kishës. 4. Lutja.

Përmes Fjalës së Tij të predikuar nga lajmëtarët e dërguar, Zoti u ofron hir të gjithë mëkatarëve me kusht që të besojnë në Jezus Krisht. Të gjithë ata që e rrëfejnë mëkatin e tyre, e pranojnë Krishtin e ofruar dhe i nënshtrohen urdhërimeve të tij do të pranohen në nderet dhe privilegjet e besëlidhjes së hirit së bashku me fëmijët e tyre. Përmes sakramenteve, Perëndia vulos besëlidhjen duke konfirmuar marrëveshjen sipas kushteve të lartpërmendura. Përmes qeverisjes së kishës, Ai i vendos ata brenda një gardhi dhe i ndihmon të përparojnë në mbajtjen e besëlidhjes. Përmes lutjes, Ai lejon hirin e tij të lavdishëm dhe të premtuar në besëlidhje që të përvetësohet, të njihet dhe të përdoret në jetën e përditshme. Besëlidhësi, sipas cilësisë së tij si besimtar i vërtetë apo i rremë, i ndjek këto mjete me bindje ose me falsitet.

II. Besëlidhja e hirit është një dhe e njëjtë në thelb. Ajo është shpalosur në Dhiatën e Vjetër përpara se Krishti të vijë dhe në Dhiatën e Re pasi ai kishte ardhur dhe ndryshon vetëm në mënyrën e administrimit. Besëlidhja në Dhiatën e Vjetër, duke qenë e vulosur përmes sakramenteve të rrethprerjes dhe qengjit të pashkës, shpaloste vdekjen e Krishtit që do të vinte së bashku me përfitimet që do të siguroheshin përmes tij, të cilat ishin të pranishme nën hijen e flijimeve të therrura dhe ceremonive të ndryshme. Pas ardhjes së Krishtit, besëlidhja e vulosur prej sakramenteve të pagëzimit dhe Darkës së Zotit e mban Krishtin e kryqëzuar qartësisht përpara syve tanë si fitimtar përmbi vdekjen e varrin dhe sundimtar i lavdishëm në qiell dhe tokë për të mirën e popullit të tij.

KREU IV

Bekimet efektive që i përcjellin këto mjete tek të zgjedhurit e Zotit.

“Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.” Mateu 22: 14.

I. Përmes këtyre urdhërimeve të dallueshme, ndërkohë që Zoti ynë i lë të pabindurit pa justifikim, në të njëjtën kohë, përmes pushtetit të Frymës të Tij, ai zbaton efektivisht tek të zgjedhurit të gjithë hiret shpëtuese të siguruara për ta në besëlidhjen e shpengimit dhe, kështu, kryen një transformim në personin e tyre. Në veçanti, së pari, Ai i konverton apo i rigjeneron ata, duke u dhënë jetë shpirtërore përmes hapjes së mendjes, ripërtëritjes së  vullnetit, ndjesive, dhe shqisave të tyre në mënyrë që t’u binden urdhërimeve të tij. Së dyti, Ai u jep atyre besim shpëtues duke i bërë ata, përmes ndërgjegjësimit për dënimin e merituar,  të aprovojnë përzermërsisht besëlidhjen e hirit dhe ta përqafojnë Jezus Krishtin me plot sinqeritet. Së treti, Ai u jep atyre pendim që, përmes një keqardhje të perëndishme, një urrejtje për mëkatin dhe një dëshire për drejtësi, të kthehen nga mëkati në shërbim të Perëndisë. Së katërti, Ai i shenjtëron ata, duke i aftësuar të vazhdojnë dhe të këmbëngulin në besim dhe bindje shpirtërore ndaj ligjit të Perëndisë, të manifestuara nga frytshmëria në çdo detyrë, dhe duke kryer vepra të mira sipas rastit që ofron Perëndia.

II. Perëndia, së bashku me këtë ndryshim të brendshëm të personit, ndryshon edhe gjendjen e tyre: pasi, sapo ata afrohen në besëlidhjen e hirit përmes besimit, së pari, Ai i shfajëson ata duke i llogaritur atyre atë bindje të përsosur që Krishti pati ndaj ligjit, si edhe atë përmbushje të drejtësisë që Krishti dha përmes vdekjes në kryq. Së dyti, Ai i pajton ata duke i bërë miq të Perëndisë – pikërisht ata që më parë ishin armiq të Tij. Së treti, Ai i birëson ata në mënyrë që të mos jenë më fëmijë të Satanit, por fëmijë të Perëndisë, të pasuruar me të gjithat privilegjet shpirtërore të fëmijëve të Tij. Dhe së fundi, pasi lufta e tyre shpirtërore në këtë jetë të mbarojë, Ai i përsos ata në shenjtëri dhe lumturi. Në fillim shpirtin e tyre pas vdekjes dhe më pas shpirtin dhe trupin e tyre të bashkuar sërish plot gëzim në ringjalljen, në ditën e lavdishme të gjykimit kur të gjithë të ligët do të dërgohen në ferr bashkë me Satanin, të cilit i shërbyen. Por të zgjedhurit e të shpenguarit e Krishtit, pra besimtarët e vërtetë, nxënësit e shenjtërisë, do të qëndrojnë me Të përgjithnjë në gjendjen e përlëvdimit.