PJESA E DYTË – KREU I

PËRDORIMI PRAKTIK I NJOHURISË SHPËTUESE

I përmbajtur në Shkrimet e Shenjta, dhe të shpalosura shkurtimisht në Shpalljen e Besimit dhe në Katekizmat e lartëpërmendura.

P;rdorimi kryesor i doktrinës së krishterë është të bindi njeriun për mëkat, drejtësi, dhe gjykim (Gjoni 16:8) pjesërisht përmes ligjit ose besëlidhjes së veprave, në mënyrë që ta përulë dhe ta sjellë në pendim dhe, pjesërisht, përmes besëlidhjes së hirit, në mënyrë që ai të bëhet një besimtar i sinqertë i Jezus Krishtit, të forcojë besimin e tij në themele dhe garanci të sigurta, të tregojë shfaqje të sinqerta të besimit përmes fryteve të mira, e kështu të shpëtohet.

Përmbledhja e besëlidhjes së veprave, apo e ligjit, është kjo: “Nëse ti bën gjithçka që të është urdhëruar dhe nuk dështon në asnjë pikë, atëherë ti do të shpëtohesh. Por nëse ti dështon, atëherë do të vdesësh.” (Rom. 10:5, Gal. 3:10,12).

Përmbledhja e ungjillit, apo besëlidhjes së hirit dhe pajtimit, është kjo: “ Nëse ti largohesh prej mallkimit që meriton dhe rend tek Shpenguesi i vërtetë Jezus Krisht, (i cili është i aftë të shpëtojë tërësisht të gjithë ata që përmes tij i afrohen Perëndisë,) atëherë ti nuk do të humbasësh, por do të kesh jetë të përjetshme.” Rom. 10:8,9,11.

Mes shumë të tjerave, le të përdoren këto shkrime për të bindur njeriun për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim prej ligjit apo besëlidhjes së veprave

KREU I

Për Të Bindur Njeriun për Mëkat përmes Ligjit

Konsidero Jeremia 17:9,10:

Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?  Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.

Këtu Zoti na mëson këto dy gjëra:

1. Burimi i të gjitha dështimeve tona dhe, si rrjedhim, mëkati përkundrejt Perëndisë është në thellësi të zemrës dhe kjo përfshin mendjen, vullnetin, ndjesitë dhe të gjithë pushtetin e shpirtit, të cilat janë të korruptuara dhe njollosura prej mëkatit fillestar. Kështu, mendja nuk është vetëm injorante dhe e paaftë ndaj të vërtetës shpëtuese, por gjithashtu plot me gabime dhe armiqësi përkundrejt Perëndisë. Ndërkohë, vullneti dhe ndjesitë janë kokëfortësish të pabindura ndaj çfarëdo lloj udhëzimi prej Perëndisë, si dhe kanë tendencën për të bërë vetëm mëkat. “Zemra – thotë ai – gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme.” Po, ajo është aq e ligë përtej çdo imagjinate, saqë s’ka njeri që mund ta njohë atë. Ndërsa tek Zanafilla 6:5, Zoti thotë, “tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.” Këtë dëshmi të Zotit duhet ta besojmë për çdo aspekt tjetër të jetës. Gjithashtu, përvoja mund të na mësojë se, për sa kohë Perëndia nuk na bën të mohojmë vetveten, ne kurrë nuk do ta hedhim vëzhgimin drejt Perëndisë për ndonjë gjë. Përkundrazi, natyra jonë egoiste mishtore do të na sundojë e do të vë në lëvizje ingranazhet e veprimeve tona.

2. Zoti kërkon llogari përpara fronit të tij të gjykimit për mëkatin tonë fillestar, apo tendencat tona të liga, së bashku me vetë frytet që lindin prej tyre, sepse ai “heton zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.”

Prandaj çdo njëri të arsyetojë kështu:

“Për gjithçka që Perëndia dhe ndërgjegjja ime fajtore më janë dëshmitar, unë bindem që ato janë të vërteta. Por Perëndia dhe ndërgjegjja ime fajtore dëshmojnë se zemra ime gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme dhe se të tërë synimet e mendimeve të zemrës sime nuk janë gjë tjetër veçse të liga në çdo kohë. Prandaj unë bindem që kjo është e vërtetë.”

Kështu njeriu mund të bindet për mëkat përmes ligjit.