PJESA E DYTË – KREU II e III

II. Për Të Bindur Njeriun për Drejtësi përmes Ligjit

Konsidero Galatasve 3:10:
Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar”.

Këtu apostulli na mëson tre gjëra:

1. Është aq e pamundur për t’u shfajësuar përmes veprave të ligjit si pasojë e natyrës sonë mëkatare, saqë kushdo që kërkon shfajësim përmes veprave të ligjit ka nga pas mallkimin e Perëndisë për thyerjen e ligjit. Sepse ai thotë, të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim.”

2. Mbajtja e një apo dy urdhëresave, apo zbatimi i disave apo të gjitha detyrimeve vetëm për një kohë të shkurtër (nëse do të ishte e mundur), nuk është e mjaftueshme për shkak se ligji kërkon përmbushjen e përsosur. Ligji kërkon që “njeriu të qëndrojë në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar”.

3. Kushdo është nën mallkim si pasojë e natyrës së tij, për shkak se askush nuk mund të arrijë një përsosje të tillë pasi ligji thotë, “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar”.

Tani, të jesh nën mallkim do të thotë të mos kesh kënaqur Perëndinë, duke rrezikuar gjithnjë e më shumë që zemërimi i tij të bjerë mbi trup e shpirt si në këtë jetë, ashtu edhe pas vdekjes. Vetëm hiri i vë fre ekzekutimit të plotë të këtij zemërimi.

Prandaj çdokush të arsyetojë kështu:

“Në bazë të besëlidhjes së veprave, kushdo është nën mallkimin e Perëndisë për thyerjen e ligjit pavarësisht se në sa mënyra apo në sa herë e ka shkelur dhe nuk mund të shfajësohet apo të gjej drejtësinë përmes veprave të ligjit. Por (secili mund të thotë) unë në bazë të besëlidhjes së veprave jam nën mallkimin e Perëndisë për thyerjen e ligjit, pavarësisht se në sa mënyra apo në sa herë e kam shkelur.

Atëherë unë nuk mund të shfajësohem ose të gjej drejtësinë përmes veprave të ligjit.”

Kështu mund të bindet njeriu për drejtësi e cila nuk mund të arrihet përmes veprave të tij apo përmes ligjit.

III. Për Të Bindur Njeriun për Gjykim përmes Ligjit

Konsidero 2 Selanikasve 1:7-10:

Zoti Jezu Krisht (do) të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet,  8 në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.  9 Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij,  10 kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar.

Këtu mësojmë se Zoti Jezus, i cili ofrohet si Ndërmjetës për ata që besojnë në të, do të vijë në ditën e fundit i armatosur me zjarr përcëllues për të gjykuar, dënuar dhe shkatërruar të gjithë ata të cilët nuk i besojnë Perëndisë dhe nuk e kanë pranuar ofertën e hirit të dhënë përmes ungjillit,  as nuk i janë bindur doktrinës së saj, por kanë mbetur në gjendjen e tyre natyrore, pra nën ligjin ose ndryshe në besëlidhjen e veprave.

Ndaj çdo njeri le të arsyetojë kështu: “Çdo gjë që Gjykatësi i drejtë paralajmëron se do të ndodhi në ditën e fundit, unë e besoj se është një gjykim i drejtë. Por Gjykatësi i drejtë më ka paralajmëruar se nëse unë nuk e besoj Perëndinë në kohën e ofruar dhe nuk i bindem doktrinës së ungjillit, unë do të përjashtohem prej pranisë dhe lavdisë së tij në ditën e fundit dhe do të torturohen përjetësisht në trup e shpirt. Prandaj, unë bindem që ky gjykim është i drejtë dhe kam arsye për të falënderuar përzemërsisht Perëndinë që më ka paralajmëruar t’i largohem zemërimit që do të vijë.”

Në këtë mënyrë çdo njeri mund të bindet përmes besëlidhjes së veprave për gjykim, nëse ai do të vazhdojë të këmbëngul në besëlidhjen e veprave ose nuk do t’i bindet ungjillit të Zotit tonë Jezus.