PJESA E DYTË – KREU IV e V

IV. Për Të Bindur Njeriun për Mëkat, Drejtësi dhe Gjykim, përmes Ungjillit.

Për sa i përket bindjes për mëkat, drejtësi dhe gjykim përmes ungjillit, apo besëlidhjes së hirit, njeriu duhet të kuptojë tre gjëra:

1. Mosbesimi në Jezus Krisht, apo mohimi i besëlidhjes së hirit i ofruar në Të, është mëkati më i madh e më i rrezikshmi ndër të gjithë mëkatet e tjera të kryera ndaj ligjit. Kjo pasi dëgjuesit e ungjillit duke mos besuar në Krisht hedhin poshtë mëshirën e Perëndisë në Të si e vetmja mënyrë për t’u çliruar nga mëkati e zemërimi. Kështu, ata nuk duan t’i dorëzohen pajtimit të Perëndisë.

2. Pastaj ai duhet të kuptojë se vetëm përmes besimit në Jezus merret heqja e përkryer e mëkatit dhe drejtësia e vërtetë, pasi Perëndia nuk kërkon asnjë kusht tjetër veç besimit dhe Ai dëshmon prej qiellit se është i kënaqur të shfajësoj mëkatarët përmes këtij kushti.

3. Ai duhet të kuptojë se, në njërën anë, arritja e drejtësisë përmes besimit pasohet nga gjykimi për shkatërrimin e veprave të djallit tek besimtari dhe përsosja të veprës fuqiplotë të shenjtërimit. Në ana tjetër, refuzimi i drejtësisë përmes besimit në Jezus Krisht pasohet nga gjykimi për dënimin e jobesimtarëve dhe për shkatërrimin një herë e përgjithmonë të veprave të Satanit dhe të shërbëtorëve të tij.

Për këtë arsye, le të shërbejnë këto pasazhe të Shkrimit, midis shumë të tjerave, për të treguar sesa i madh është mëkati i mosbesimit në Krisht, apo refuzimi i besëlidhjes së hirit i cili na është ofruar në vetëflijimin e Krishtit për ne, në mënyrë që të kuptohet sa e leverdishme është oferta e hirit të bëhet përmes Isaiah 55:3 Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit. Domethënë, nëse më besoni dhe pajtoheni me mua, unë do të jap me besëlidhje Krishtin dhe gjithë hiret që vijnë me të (e përsëritur tek Veprat 13:34).

Përsëri, konsideroni që ndërsa kjo ofertë është bërë në përgjithësi për të gjithë, në thelb ajo është në të njëjtën kohë një ofertë e bërë specifikisht me çdo individ. Kjo kuptohet nga përdorimi i apostullit tek Veprat 16:31: Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote. Arsyeja e kësaj oferte është dhënë tek Gjoni 3:16: Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Prandaj, duke parë që ky shpëtim madhështor ofrohet në Zotin Jezus, cilido që nuk beson në të, por shikon gjetkë për lumturinë e tij, s’bën gjë tjetër veç jepet pas kotësive të rreme dhe braktis burimin e hirit, të cilin mund ta kishte marrë përmes Krishtit (Johah 2:8,9). Ky s’bën gjë tjetër veç se blasfemon Perëndinë në zemrën e tij, ashtu siç thotë 1 Gjonit 5:10,11: Ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij.  Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij. Krishti dëshmon tek Gjoni 15:22 se ky është mëkati më i madh se çdo mëkat tjetër. Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre.

V. Për Të Bindur Njeriun për Drejtësinë Që Fitohet Vetëm Përmes Besimit në Jezus Krisht

Konsidero Romakëve 10:3,4:

Thuhet që Hebrenjtë,

duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë, sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.

Dhe Veprat 13:39,

Me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajësohej me anë të ligjit të Moisiut.

Dhe 1 Gjonit 1:7,

Gjaku i Jezus Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.

Për të bindur një njëri për gjykim, nëse ai përqafon drejtësinë, konsidero 1 Gjonit 3:8.

Prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. Gjithashtu Hebrenjtë 9:14, Aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë!

Por, nëse njeriu nuk e përqafon këtë drejtësi atëherë atij i është shpallur rrënimi. Gjoni 3:18-19,

Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.  19 Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.

Prandaj, le të arsyetojë në këtë mënyrë i penduari që dëshiron të besojë:

“Gjithçka që nevojitet për të bindur të gjithë të përzgjedhurit e mbetur në botë për mëkatin e madh të mosbesimit në Krisht, apo të refuzimit për të rendur tek Ai për çlirim prej mëkateve të kryera kundër ligjit dhe prej zemërimit të merituar të Perëndisë; gjithçka që nevojitet për t’i bindur se drejtësia dhe jeta e përjetshme merret përmes besimit në Krisht, apo duke pranuar besëlidhjen e hirit në Të; dhe gjithçka që nevojitet për të bindur ata për gjykimin e Krishtit, për shkatërrimin e veprave të djallit brenda njeriut dhe për shenjtërimin dhe shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë në Të – të gjitha këto mund të mjaftojnë për të më bindur edhe mua. Por gjithçka që Fryma e Shenjtë e ka thënë, si në vargjet e mësipërme, apo edhe në vargje të tjera të Shkrimeve, është e mjaftueshme për të bindur të përzgjedhurit për mëkat, drejtësi, dhe gjykim. Prandaj, atë çfarë Fryma ka thënë në Shkrimet e Shenjta shërben për të më bindur gjithashtu edhe mua.”

Për këtë arsye, i penduari që dëshiron të besojë le të shprehet e t’i thotë me gjithë zemër Zotit: “Meqenëse Ti thua, ‘Kërkoni fytyrën Time,’ shpirti im të përgjigjet, ‘Fytyrën Tënde, O Zot, do të kërkoj’. U tregova i vëmendshëm ndaj ofertës së besëlidhje së përjetshme ku gjenden të gjitha mëshirat e Krishtit dhe e përqafoj atë me gjithë zemër. Më daltë, o Zot, për fitim! Zot, unë besoj; ndihmomë në mosbesimin tim. Ja, ta dorëzoj tërësisht vetveten që në gjithçka të shërbejë ty përjetësisht. Unë shpresoj që dora jote e djathtë do të më shpëtoj. Zoti do të përsosë gjithçka që më nevojitet. O Zot, mëshira jote zgjat përjetësisht. Mos e harro veprën e duarve të tua.

Në këtë mënyrë njeriu mund të bëhet një besimtar i sinqertë në Krisht.