Pjesa e Dytë – Kreu VI

VI.            Për Të Forcuar Besimin e Atij që e ka pranuar Besëlidhjen e Hirit

Për shkak se mjaft besimtarë të vërtetë shkurajohen kur shohin se disa bersimtarë me fjalë tradhëtohen nga veprat e tyre, ata mund të dyshojnë nëse ndonjëherë do të jenë të sigurtë që besimi i tyre është i vërtetë dhe thirja e tyre efikase, apo nëse ndonjëherë do të jenë të sigurtë për shfajësimin dhe shpëtimin e tyre. Prandaj, le të shohim sesi çdo besimtar mund të forcojë besimin e tij dhe të sigurohet për zgjedhjen dhe shpëtimin e tij përmes themeleve të forta, garancive të sigurta dhe fakteve të vërteta të besimit. Për këtë qëllim mund të përdorni, midis shumë të tjerave, vargjet më poshtë:

1. Për të hedhur themele të forta të besimit, konsideroni 2 Pjetrit 1:10. Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.

Këtu apostulli na mëson këto katër gjëra si ndihmë e udhëzim për forcimin e besimit.

a)      Ata që besojnë në Jezus Krishtin dhe kanë rendur tek ai për çlirimin nga mëkati dhe zemërimi, ndonëse mund të jenë të dobët në besim, ata janë bij të po të njëjtit At si dhe apostujt, pasi kështu i konsideron ai ata kur i thërret vëllezër.

b)      Edhe pse për një moment ne mund të mos jemi të sigurtë për thirrjen dhe për përzgjedhjen tonë, ne mund ta fitojmë sigurinë për të dyja nëse përpiqemi, sepse pikërisht këtë e presupozon Pjetri kur thotë, “Përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj.”

c)       Ne nuk duhet të dekurajohemi kur shohim se shumë të vetshpallur besimtarë rezultojnë degë të kalbura dhe të pavërtetë. Përkundrazi, duhet të nxjerrim mësim për vetveten: “Prandaj, vëllezër,” – thotë ai – “përpiquni gjithnjë e më shumë.”

d)     Mënyra për të qenë të sigurtë për thirrjen dhe për zgjedhjen tonë është vënia në punë e besimit tonë duke hedhur themele të shëndosha dhe duke dhënë fryt për besimin tonë përmes një bindje që ripërtërihet vazhdimisht. “ Sepse, duke bërë këto gjera, ju nuk do të pengoheni kurrë.” Me ‘këto gjëra’ apostulli nënkupton çfarë pati thënë më parë në lidhje me besimin e vërtetë (vargjet 1-4) dhe dhënien e fryteve të besimit (vargjet 5-9).

2. Për të njëjtin qëllim, konsideroni Romakëve 8:1-4.

Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,  2 sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.  3 Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,  4 që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.

Këtu apostulli na mëson katër gjëra për të ndërtuar besimin mbi themele të shëndosha:

a)      Një besimtar i vërtetë është ai i cili, duke njohur mëkatin e tij dhe duke ju druajtur zemëratës së Perëndisë, vrapon vetëm tek Krishti si i vetmi Ndërmjetës e Shpengues i mjaftueshëm për çlirim të plotë nga të dyja situatat. Pasi e ka përqafuar Krishtin, ai këmbëngul kundra mishit, apo tendencave korruptuese të natyrës së tij, dhe udhëhiqet nga Fryma e Perëndisë duke studiuar Fjalën e Tij. Sepse apostulli bekon këtu si besimtarë të vërtetë ata persona “që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës”.

b)      Të gjithë këta persona që kanë rendur tek Krishti dhe që përpiqen kundra mëkatit, ndonëse mund të përjetojnë ndjesinë e zemëratës së Perëndisë, apo atë të frikës së dënimit, ata nuk rrezikohen sepse “nuk ka asnjë dënim” – thotë ai – “për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës”.

c)      Ndonëse vetë apostulli (i marrë këtu vetëm për hir të shembullit) dhe të gjithë besimtarët e tjerë në Krisht janë prej natyre nën ligjin e mëkatit dhe të vdekjes, ose ndryshe nën besëlidhjen e veprave, ligji i Frymës së jetës në Krishtin Jezus, ose besëlidhja e hirit, e çliron apostullin dhe të gjithë besimtarët e vërtetë prej besëlidhjes së veprave. Apostulli e quan ‘ligji i mëkatit dhe i vdekjes’ sepse lidh mëkatin dhe vdekjen mbi ne derisa Krishti të na çlirojë, ndërkohë që e quan‘ligji i Frymës’ sepse e aftëson dhe e nxit njeriun drejt një jete frymërore përmes Krishtit. Kështu, kushdo mund të bashkohet njëzëri me atë që thotë, “Ligji i Frymës së jetës”, ose besëlidhja e hirit, më ka çliruar nga ligji i mëkatit dhe vdekjes, ose besëlidhja e veprave.

d)     Burimi dhe themeli parësor prej nga buron liria jonë prej mallkimit të ligjit është besëlidhja e shpengimit. Kjo besëlidhje është e lidhur midis Perëndisë At dhe Perëndisë Bir të mishëruar me anë të së cilës Krishti merr mallkimin e ligjit mbi veten e tij si mëkat, në mënyrë që besimtari i pashpresë për t’u çliruar prej besëlidhjes së veprave të çlirohet përmes kësaj besëlidhje. Apostulli shpalos këto katër degëzime përmes kësaj doktrine:

  1. Ligji, apo besëlidhja e veprave, e ka tërësisht të pamundur të sjellë drejtësi dhe jetë për mëkatarin, pasi ligji ishte i dobët në këtë aspekt.
  2. Faji për këtë dobësi të ligjit, apo besëlidhjes së veprave, nuk është i vetë ligjit por i natyrës mishore mëkatare e cila nuk është as e aftë të paguajë dënimin e mëkatit, as të japë bindje të përsosur ndaj ligjit (duke presupozuar këtu që mëkatet e mëparshme janë falur). Sepse ai thotë, “(Ligji) ishte pa forcë për shkak të mishit”.
  3. Drejtësia dhe shpëtimi i mëkatarëve, të cilat ligji nuk mund t’i siguronte, u bënë të mundur kur Biri i vetëm i Perëndisë mori një natyrë njerëzore në Jezus Krishtin. Mëkati u dënua dhe u ndëshkua në trupin e tij duke kënaqur drejtësinë e Perëndisë në vend të zgjedhurve. Kështu realizohet shpengimi.
  4. Ligji nuk humbet asgjë në këtë mënyrë, përkundrazi, drejtësia e ligjit plotësohet:

–       Së pari, përmes bindjes aktive e të përsorur që Krisht jep në vendin tonë ndaj gjithçkaje që kërkon ligji;

–       Së dyti, kur Krishti vdiq në vendin tonë si pagësë për dënimin që meritonin mëkatet tona;

–       Së fundi, përmes punës së tij në shenjtërimin tonë – të besimtarëve të vërtetë – që këmbëngulim për një bindje të re ndaj ligjit e që nuk “ecim sipas mishit, por sipas Frymës”.