Si Vdekja Bëhet Fitim

“Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim”-Filipianëve 1:21
Në mesazhin e kaluar studiuam disa prej arsyeve që një i Krishterë i vërtetë, mund të thotë me Palin, “sepse për mua të jetuarit është Krishti.” Së pari, sepse i Krishteri i vërtetë është një lidhje mistike, frymërore e jetëdhënëse me Krishtin, dhe sepse Krishti na thotë, “Tani je dy herë i imi. Në fillim të krijova, dhe tani të bleva. Dy herë i imi.” Së dyti, sepse në këtë jetë, ne jetojmë çdo ditë me Krishtin dhe për Krishtin. Ai është qëllimi i jetës tonë, dhe shoqëruesi, shoku e miku ynë në çdo moment e detaj të jetës. Së treti, për ne të jetuarit është Krishti për shkak të dashurisë që ne kemi për të, një dashuri që madje na shtrëngon për ti shërbyer atij dhe popullit të tij. Së katërti, për ne të jetuarit është Krishti, sepse përmes procesit të transformimit e të shenjtërimit, ne jemi e bëhemi çdo ditë e më shumë të ngjashëm me Krishtin, dhe se dëshirojmë që ti ngjasojmë atij çdo ditë e më shumë.
Por ky është mesazhi i vetëm gjysmës së parë të vargut. Pjesa e dytë e vargut kalon nga tema e jetës me Krishtin në atë të vdekjes në Krishtin, dhe po në të njëjtën mënyrë na mëson se i Krishteri edhe në vdekje vazhdon që të jetë plotësisht i lidhur me Krishtin, në atë unionin mistik, frymëror e jetëdhënës, dhe se për shkak të këtij unioni edhe në vdekje, i Krishteri i vërtetë vazhdon që të përfitojë bekime prej Krishtin. Për ketë arsye, Pali, në vargjet në vazhdim do të rrëfejë për tensionin e brendshëm që ka:
“Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh, 23 sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë, 24 por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju” (1:22-24).
Të vdekurit fitim! Me Krishtin, gjëja më e mirë! Këto fjalë të çuditshme për veshët e një jobesimtari, shprehin gjallërisht, vërtetësish dhe fuqishëm shpresën dhe sigurinë e të Krishterit, si edhe këndvështrimit triumfues që ai ka për vdekjen, teksa i shtrin sytë drejt përjetësisë.

Të Ndryshëm në Jetë dhe në Vdekje

Por përpara, se sa të rendisim se cilat janë bekimet që i Krishteri përfiton në vdekje, le ta cilësojmë siç duhet deklaratën e tij. Kjo nuk është një deklaratë që mund ta bëjë çdo njeri. Ka një ndryshim ndërmjet vdekjes së besimtarit dhe jo-besimtarit. Kjo, sepse ka një ndryshim ndërmjet jetës së tyre.

Një Udhëtim Drejt Ferrit

Vërini re kësaj deklaratë të vërtetë: “Kjo botë është i tërë ferri që i Krishteri do të përjetojë, dhe e tëra parajsë që jo-besimtari do të këtë ndonjë herë.” Ndërsa vdekja ruan bekime për të Krishterin, për jo-besimtarin ajo ofron vetëm ferrin. I Krishteri mund të përjetojë shumë sprova e vështirësi këtu në këtë botë, edhe pse hiri i Perëndisë është gjithnjë i pranishëm dhe i përzier me këtë botë, duke i dhënë kështu të Krishterit një parashikim të qiellit. Por, përtej përjetimeve në këtë botë, vjen shijimi i vërtetë i një marrëdhënie të plotë e ngopëse me Perëndinë. Nga ana tjetër, për jobesimtarin, i gjithë qielli që ai do të përjetojë ndonjë herë është qielli që ai ndërton për veten e tij këtu në tokë. Pas kësaj, për atë ka vetëm dënim e vuajtje.
Kjo nuk është diçka e re për jo-besimtarin. Në subkoshiencë, ai apo ajo e di mirë këtë gjë. Hija e vdekjes e shoqëron çdo ditë të jetës si një armik i frikshëm dhe i pashmangshëm. Çdo njeri e di mirë, se në momentin e vdekjes, ai apo ajo do të ballafaqohet me Perëndinë, Krijuesin e tij apo të saj, dhe ky Perëndi nuk do të jetë për të një mik por një armik, jo një Shpëtimtar por një Gjyqtar. Sepse pjesën e parë të ekzistencës së tyre të përjetshme, ata e kanë kaluar me grushtin lart në refuzim e akuzim ndaj Perëndisë e Krishtit, edhe në pjesën e dytë të përjetësisë së tyre, ata do ta kalojnë me grushte të shtrënguara nën dorën e rëndë të Perëndisë. E vërtetë është përmbledhja e filozofit e teologut Xhonathan Eduards:
“Nëse jeta jote nuk është një udhëtim drejt qiellit, ajo është një udhëtim drejt ferrit.”

Me Krishtin në Qiell më Mirë se sa Me Krishtin në Tokë

Nga ana tjetër, sepse i Krishteri ka ecur me Krishtin në këtë jetë, i ka besuar tij, është i lidhur pazgjidhshmërisht me Krishtin dhe prej tij për shkak të hirit të pa-rezistueshëm të Krishtit, ai edhe në vdekje do të ecë me Krishtin. Perëndia do të jetë për të, jo thjesht Krijuesi, por Ati i tij qiellor, sepse i tillë ka qenë për gjatë tërë jetës këtu në tokë. Por edhe kjo duhet përkufizuar mirë, sepse ka shumë që mendojnë vdekja ne na është fitim në Krishtin sepse i shpëtojmë vuajtjeve apo ferrit të kësaj jete. Nuk është kështu. Mjaft të Krishterë kanë vuajtur më shumë se sa të tjerët, e madje janë martirizuar për shkak të besimit të tyre në Krishtin. Në këtë kontekst, mund të themi se vërtetë, vdekja është një bekim më i madh se sa jeta, sepse u kanë shpëtuar torturave fizike.
Por në Bibël, vdekja e besimtarin nuk na paraqitet thjeshtë si e keqja me e vogël, apo si e mira më e vogël mbi të keqen më të madhe…por si e mira më e madhe mbi më të mirat e kësaj jete. Në këtë kuptim e thotë Pali në këtë pasazh. Mbani mend që ai është në burg në Romë, dhe pret që të gjykohet e të ekzekutohet. Si rrjedhim, dikush mund të mendojë, se Pali, për shkak të vuajtjeve, sa mezi po pret vdekjen në burg që ti shpëtojë torturave e martirizimit në arenën e gladiatorëve.
Por kjo është e kundërta e përjetimeve të Palit. Jeta e Palit ishte plot madje edhe në burg. Ai pat përjetuar e qe pasuruar përmes miqësisë së tij të jashtëzakonshme me Krishtin. Ai shkroi, “për mua të jetuarit është Krishti.” Ai është i sigurt se Krishti do të madhërohet në jetën e tij dhe në trupin e tij. Ai është tepër i bekuar për përparimin e ungjillit që ai ka shkaktuar në Evropë e Azi. Përkundrejt këtij sfondi, Pali deklaron, “Të vdekurit fitim! Me Krishtin, gjëja më e mirë!” Për ne, njerëzit e zakonshëm, jeta dhe vdekja janë dy përjetime të rënda, ku jeta është e keqja më e vogël. Për Palin, për të Krishterin që e ka Krishtin gjithçka, jeta dhe vdekja janë dy bekime, ku vdekja është bekimi më i madh. Përse? Ja katër arsye të shpejta:

Të Përsosur në Shenjtëri

Arsyeja e parë se përse për besimtarin, të vdekurit është fitim, është liria që ai më së fundi fiton prej mëkatit. Besimtari në vdekje bëhet i përsosur në shenjtëri. Ky është edhe përfitimi i parë, që Katekizmi i Shkurtër 37 liston kur thotë: “Shpirtrat e besimtarëve në vdekje bëhen të përsosur në shenjtëri, dhe kalojnë menjëherë në lavdi, dhe trupat e tyre, duke qenë të bashkuar me Krishtin, prehen në varr deri në ringjallje.” Shpirtrat e besimtarëve në vdekje bëhen të përsosur në shenjtëri. Besimtari shpëton nga dëshira për të mëkatuar, nga dashuria për mëkatin, nga gatishmëria për t’iu dorëzuar tundimit për të mëkatuar, nga tërheqja apo atraksioni që mëkati parqet për zemrën e tij, dhe nga rezistenca që i bën Frymës kur punon në besimtarin veprën e shenjtërimit. Njeriu i pashpëtuar, ai apo ajo që jeton për këtë botë, dhe që të tëra kënaqësitë e parajsa përmblidhet në këtë botë, kjo dëshirë për ti shpëtuar mëkatit e tundimit të mëkatit është i paimagjinueshëm dhe i padëshirueshëm. Por i Krishterin, i cili ka shijuar hirin dhe kënaqësinë e drejtësisë së Perëndisë, lëngon për të njohur më thellë atë pastërti që nuk do ta ketë kurrë në tokë. I krishteri i vërtetë dëshiron me mall shtëpinë e vërtetë, atdheun e vërtetë, prezencën e Perëndisë, dhe shpëtimin një herë e përgjithmonë nga pasojat e mëkatit, dëshirat e mëkatit, tundimin e saj.
Këtë përplasje të brendshme Pali e adreson tek Romakëve 7. Duke folur për këtë tërheqje që edhe ne të Krishterët ende ndjejmë drejt mëkatit, ai thotë: “Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjendet në mua. 22 Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, 23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.” Si rrjedhim, gati në dëshpërim ai thërret, “Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” (Rom. 7:24). Dhe sigurisht që përgjigja, si për çdo gjë tjetër për Palin është Krishti: “I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë.” (7:25). Pali thotë, se në orën e vdekjes, të kalimit tonë në lavdi, zemra jonë nuk do të rendë më prej Perëndisë, prej Krishtit, ne kurrë më nuk do ti nënshtrohemi tundimeve të botës, mishit e Satanit, ne kurrë nuk do të lëndojmë më ata që i duam, e as nuk do ti nënshtrohemi më dashurisë tonë për mëkatin. Dhe për këtë arsye të parë, vdekja na është fitore në Krishtin.

Të Shpenguar në Lavdi

“Me Krishtin, gjëja më e mirë!” Përse? Një arsye tjetër që na jepet nga Bibla, është edhe premtimi, se ne vdekje, besimtarit kalon në lavdi. Ky është eksodi i madh i çdo besimtari, i ngjashëm me atë të eksodit të Judenjve nën Moisiun. Në vdekje, besimtari shpengohet prej skllavërisë së kësaj bote, te vuajtjeve, lotëve, zhgënjimeve e mëkateve të saj, dhe kalon në lavdi. Ka shumë që mund të themi mbi këtë realitet e temë, por tre gjera do të duhet që të mjaftojnë për ne sot. Kur besimtari kalon në lavdi, ai kalon në (i) një vend lavdie; (ii) në një bashkësi lavdie; (iii) në një gjendje lavdie.
Përmes vdekjes, Besimtari kalon në një vend lavdie. Krishti tha, “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja: ‘Unë po shkoj t’ju përgatis një vend’,” (Gjoni 14:2). Lavdia është një vend i veçantë për shkak të prezencës së Atit të Lavdisë që e mbush atë me prezencën e tij. Shtëpia e Atit tonë, është shtëpia jonë e vërtetë. Në anglisht, me të drejtë, besimtarët thonë për atë që ka kaluar në lavdi, se “ai [apo ajo] shkoi në shtëpi në lavdi.” Lavdia, prezenca e Perëndisë, është shtëpia jonë e vërtetë, ku ne më së fundi shkojmë që të çlodhemi në prezencën e tij për tërë jetën tonë që vazhdon përjetësisht.
Së dyti, vini re se nuk ka shtëpi pa një familje brenda, përndryshe ajo është thjesht një anije fantazmë. Familja q ne gjejmë brenda saj është bashkësia e lavdisë. Kjo bashkësi e lavdisë përbëhet nga Perëndia Triune, Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë. Ajo përbëhet gjithashtu edhe nga kisha triumfante, nga tërë besimtarët që kanë shkuar atje para nesh. Ajo përbëhet gjithashtu nga të tërë engjëjt, ato shpirtra shërbyese për lavdinë e Perëndisë dhe bekimin e Kishës. Por mbi të gjitha, sytë tonë do të jetë të tërhequra drejt Krishtit. Mendoni këtë për një moment. Ne kemi tërë jetën që i besojmë Krishtit, i këndojmë, e adhurojmë atë, i shërbejmë e i bindemi atij, e megjithatë…ne nuk e kemi parë kurrë atë me sytë tanë. Por në lavdi, ju do ta shikoni atë siç ai është në të vërtetë, sepse ju do të jeni si ai.
Për të tëra këto arsye të mësipërme, së treti, flasim edhe për një gjendje lavdie-paqja, pushimi, prehja. Heb. 4:9 thotë, “Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.” Në këtë botë, edhe kur trupi ka privilegjin që të pushojë e të fle mirë natën, (sa më shumë plakësh aq më shumë e kupton se gjumi i mirë është një bekim e privilegj i madh), mendja nuk pushon, shpirti ynë nuk pushon. Jemi të sulmuar nga mendimet tona, nga frikërat për të ardhmen, pasiguritë, planet, dëshirat, e madje edhe pasionet tona. Por në fund, vjen pushimi i madh, prehja e çlodhja e përjetshme. Shikoni pra, në vdekje, ne nuk pushojmë së ekzistuari, por fillojmë që ta përjetojmë jetën në plotësinë e vërtetë të saj. Sepse në vdekjen tonë, trupi zbret në varr, ne nuk e shijojmë plotësinë e lavdisë edhe fizikisht, për këtë duhet pritur ngjallja e madhe, Atëherë vjen konsumimi final i plotësisë së jetës me Perëndinë. E megjithatë në vdekje, ne marrim shumë më shumë se sa kemi lënë prapa në këtë botë, do të jemi në lavdi, dhe kjo nuk do të mbarojë kurrë.

Të Ngjashëm me Krishtin

Bekimi i dytë që të Krishterët fitojnë prej vdekjes në Krishtin, është se ata bëhen të ngjashëm me Krishtin. Gjoni shkroi, “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjo. 3:2). Bibla thotë se vdekja nuk na jep vetëm shpëtimin nga fuqia skllavëruese e mëkatit, por edhe se na jep atë përsosmërinë përfundimtare të shenjtërimit, që Fryma e Shenjtë fillon në jetët e çdo besimtari që në fillim të jetës së tyre me Krishtin. Ne, pra, do të jemi si Krishti, thotë Gjoni.
Së pari, ne do të jemi si Krishti ë drejtësi. Pali thotë, “Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij” (2 Tim. 4:8). Ida është mahnitëse. Të kurorëzuar me drejtësi.
Së dyti, ne do të jemi si Krishti në njohuri. Tani ne shikojmë e kuptojmë shumë të vërteta frymore, por njohja jonë është e papërsosur dhe shpesh herë e përzier me gabime. Por në ditën e lavdisë, ne do të njohim e kuptojmë madje edhe veten tonë ashtu siç Perëndia na njeh ne. Do ta njohim Krishtin siç ai është në të vërtetë. Pali shkroi, “Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem” (1 Kor. 13:12). Në kohë e Palit, nuk kishte pasqyra prej qelqi. Reflektimi ishte më i qartë nëse shikoheshe mbi një pellg uji se sa mbi pasqyra alumini. Kështu, edhe madje njohja e vetvetes është e pasaktë. Ndërsa në ditën e lavdisë, do t shikojmë veten tonë, jetën tonë, Perëndinë dhe Krishtin ashtu siç është në të vërtetë. Do ta kuptojmë e vlerësojmë siç duhet hirin e mëshirën e Perëndisë, dhe si rrjedhim edhe do të kemi edhe një dashurori të përsosur për të.
Që më sjell tek pika e tretë: Ne do të jemi të ngjashëm me Krishtin në dashuri. Ka kaq shumë egoizëm në gjithçka që ne bëjmë në këtë botë, madje edhe kur adhurojmë e i shërbejmë Krishtit. Por dashuria e Krishti ishte plotësisht vetëmohuese, plotësisht e fokusuar tek të tjerët, tek Ati, tek Fryma, tek populli i Perëndisë. Dashuria e tij ishte një dashuri që na përqafoi kur ne ishim ende mëkatarë e armiq të Perëndisë, dhe kjo dashuri na shpëtoi si për këtë jetë ashtu edhe për përjetësinë. Dashuria jonë do të jetë në përjetësi si dashuria e Krishtit këtu në tokë. Do të jemi si Krishti në dashuri.

Të Bashkuar me Krishtin

Së fundi, le të vëmë re, se si për Palin, ashtu edhe për cdo të Krishterë të vërtetë sot, vdekja na është fitim, sepse ne qëndrojmë të bashkuar me Krishtin deri në ringjallje. Përsëri, Katekizmi i Shkurtër 37 thotë: “Shpirtrat e besimtarëve në vdekje bëhen të përsosur në shenjtëri, dhe kalojnë menjëherë në lavdi, dhe trupat e tyre, duke qenë të bashkuar me Krishtin, prehen në varr deri në ringjallje.” Besimtari do të jetë gjithnjë i bashkuar me Krishtin. Ky është fitimi më i madh që vdekja i dhuron të Krishterit: ai apo ajo do të jetë përgjithnjë me Jezusin. Prandaj Pali thotë, “të jem me Krishtin, gjëja më e mirë.” Edhe në varr ne do të jemi të bashkuar me Krishtin. Trupi ynë do të prehet atje, por ne do të jemi me Zotin tonë. Prandaj dhe Psalmi thotë “Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij” (Psa. 116:15). E çmueshme sepse do të na ketë pranë vetes së tij, më së fundi për veten e tij, që është edhe arsyeja se përse na krijoi. Kështu, shpirti ynë do të ushqehet me Krishtin, me prezencën e miqësinë e tij. Dhe atëherë do të jemi përfundimisht të ngopur, të plotësuar, për herë të parë të kënaqur. Ky moment është plotësimi i saj që Pali thotë tek Rom. 8, vargje që i njohim e i duam të gjithë:

Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? 36 Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje”. 37 Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. 38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, 39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.