Rëndësia e Shërbesës së Lutjes

Ora apo shërbesa e lutjes është çdo ditë të mërkure në orën 18 të mbrëmjes. Lutja është hidrocentrali i një kishe lokale. Një kishë pa lutje është një kishë pa jetë, pa dritë, pa fuqi.  Apostulli Pal shkroi “Lutuni pa pushim.” (1 Sel. 5:17).

Cila është rëndësia e lutjes?

Rëndësia e lutjes mund të shikohet së pari në faktin që ka rreth 650 lutje që përmenden në Bibël. Në Dhiatën e Re gjejmë 25 herë Jezusin duke u lutur gjatë shërbesës së tij këtu në tokë. Nëse Jezusi e kishte të rëndësishme dhe të domosdoshme që ti lutej Atit, aq më shumë ne që jemi shumë herë më të dobët se Ai, kemi nevojë që të marrin hir e fuqi prej Atit përmes lutjes. Apostulli Pal përmend lutjen, raportime lutjesh, kërkesa lutjesh dhe inkurajime për tu lutur rreth 41 herë në letrat e tij dhe Veprat e Apostujve. Jezusi u dha dishepujve jo vetëm shembullin e tij të një jete lutëse (Marku 1:35), por edhe i dha atyre instruktime të hollësishme se si duhet të lutemi (Luka 11:1-4). Kisha e hershme ishte një kishë që lutej (Veprat 1:14; 2:42; 4:23-31; 13:1-3).

Së dyti, lutja është një mënyrë se si ne i shërbejmë Perëndisë dhe i bindemi atij (Luka 2:36-38). Ne lutemi sepse Perëndia na urdhëron që të lutemi (Filipianëve 4:6-7). Së treti,ne lutemi sepse Perëndia ka vendosur që lutja të jetë mënyra përmes së cilës ne duhet të marrim bekimet e tij. Ne duhet të lutemi përpara se të marrim vendime të rëndësishme (Luka 6:12-13), që të thyejmë barrikadat dhe rezistencën demoniake në këtë botë (Mateu 17:14-21), për të grumbulluar punëtorë për të mbledhur të korrat shpirtërore (Luka 10:2), për të marrë fuqi për të kapërcyer tundimet (Mateu 26:41); si dhe për mjetet e inkurajimit shpirtëror për të tjerët (Efesianëve 6:18-19).

Cila është siguria apo premtimi i lutjes?

Perëndia na ka premtuar që asnjë prej lutjeve tona nuk do të shkojë kot, edhe pse shpesh herë Ai i përgjigjet atyre me mënyrën e tij dhe jo me specifikat tona (Mateu 6:6; Rom. 8:26-27). Ai na ka premtuar se kur ne lutemi në përputhje me vullnetin e tij, Ai do të na japë çfarë ne i kërkojmë (1 Gjonit 5:14-15). Ndonjëherë ai i vonon që të përgjigjet në përputhje me urtësinë e tij dhe për bekimin tonë. Në këto raste, ne duhet që të jemi të zellshëm dhe ngulmues në lutje (Mateu 7:7; Luka 18:1-8). Lutja nuk duhet parë si mënyra jonë për ta detyruar Perëndinë që të bëjë vullnetin tonë këtu në tokë, por si instrumenti që Perëndia përdor për të bërë vullnetin e tij qiellor këtu në tokë. Urtësia e Perëndia ia kalon pafundësisht urtësisë tonë.

Në ato raste kur nuk jemi të qartë apo të sigurt se cili është plani specifik i Perëndisë, lutja është mjeti për ta zbuluar atë. Nëse gruaja Siriane me vajzën e dejonizuar nuk do ti ishte lutur Krishtit, vajza e saj nuk do të qe shëruar (Marku 7:26-30). Nëse i verbëri jashtë Jerikosë nuk do ti kishte thirrur Krishtit, ai nuk do të kishte ngelur i verbër (Luka 18:35-43). Perëndia thotë se ne nuk kemi sepse nuk kërkojmë (Jakobi 4:2).

Përse nuk lutemi sa duhet?

Kur ne nuk lutemi ne demonstrojmë mungesën e besimit tonë tek Perëndia dhe Fjala e Tij. Ne lutemi sepse i besojmë Perëndisë dhe Fjalës së Tij, dhe se ai i qëndron besnik premtimeve që na ka dhënë dhe instrumenteve që ai ka vendosur që ne të përdorim për bekimin tonë dhe të tërë botës shumë më shumë nga çfarë ne mund të imagjinojmë (Efe. 3:20). Lutja është mjeti kryesor nëse duam të shikojmë Perëndinë të veprojë në jetët tona. Le të na gjeje Perëndia shpesh në lutje, përpara fronit të tij në qiell duke u lutur, sepse atje ne kemi një kryeprift i cili identifikohet me të tëra dobësitë tona (Hebrenjve 3:15-16). Ne kemi premtimin e tij se lutjet plot zell të një besimtarit realizojnë shumë gjëra në këtë botë (Jakobi 5:16-18). Perëndia e lavdëroftë emrin e tij në jetët tona ndërsa ne i besojmë atij praktikisht, dhe aq shumë sa të shkojmë shpesh tek ai në lutje.