Drejtuar Një Ateisti


Ne jemi çfarë ne mendojmë! Ne bëjmë çfarë ne dimë! Nëse mendoni se jeni i fortë, do t’i futeni një dyluftimi; nëse mendoni se jeni i dobët, do të përpiqeni t’a evitoni atë. Nëse mendoni se jeni i shëndetshëm, nuk do të shkoni tek mjeku për kurim. Por, nëse ju keni një dhimbje, mendja ju shkon tek një sëmundje serioze ndaj shkoni tek mjeku për t’u kontrolluar.

Ti bën atë që ti mendon! Ti mendon se je një ateist, pra nuk pranon që je krijuar nga një qënie e mbinatyrshme të cilit duhet t’i nënshtrohesh. Ti mendon se je një​ qënie kalimtare e një proçesi evolucioni miliona vjeçar, ku i forti mbijeton dhe i dobëti përshtatet. Sistemi yt botkuptimor nuk lejon për vlera morale! Bota shtazore dhe njeriu, si prejardhje e saj, nuk e njohin moralin. Xhungla nuk ka drejtësi! Luani ha këlyshin e antilopës dhe prindërit e saj nuk hakmerren, as kërkojnë shpagim. Ti mendon se je produkt i evolucionit, por ti nuk jeton në përputhje me këtë bindje.
Nëse u ndodh ndonjë gjë të afërmve të tu, ti mund të mos hakmerresh, por brenda teje do të vlojë dëshira për drejtësi e hakmarrje. Nëse ti je një gangster, ti nuk do të gjesh paqe derisa të kesh vënë ‘drejtësi’, edhe pse ti jeton prej padrejtësisë që u shkakton të tjerëve.
Veprat dhe ndjenjat e tua tregojnë që thellë brenda teje ti beson në drejtësi; ti beson që drejtësia, pra morali, ekziston. Ti mund të përpiqesh t’a mohosh Perëndinë si përcaktues dhe dhënës i njohjes midis së mirës e së keqes​! Ti mund të thuash se morali është thjeshtë një kontratë sociale e përcaktuar nga bota e shumicës (ligjet në demokraci). Por, nëse nesër kjo shumicë voton që prona jote të konfiskohet pa asnjë shpërblim, ti mund të bindesh për shkak të dobësisë apo pamundësisë tënde për të kundërshtuar. Por përbrenda ti do të ziesh për shpagim. Ti nuk mund të jesh dakort me përcaktimin e shumicës se çfarë është e mirë për shoqërinë.
Kjo dëshirë nuk përputhet me botkuptimin tënd. Ti po vepron ndryshe nga çfarë t’i mendon. Kjo tregon se ti duhet të kesh një tjetër botëkuptim brenda teje të cilin ti e ndrydh e përpiqesh t’a mohosh. Ti je duke jetuar një gënjeshtër! Botkuptimi yt i mbijetesës së më të fortit është një gënjeshtër. Ti nuk mund të lësh gjërat të rrjedhin, as mund t’a pranosh se je më i dobët.

Ti je mbruajtur që në lindje me ndjenjën e së mirës e së keqes. Kur lendon apo ofendon dikë ty të lind dëshira për mëshirë, falje, e paqtim. Ndërkohë, kur dikush të ofendon apo lëndon, ti mbushesh me dëshirën për hakmarrje, shpagim dhe drejtësi. Ti kërkon të mirën për vete, por dëshiron e bën të keqen për tjetrin.  Ky është mëkati: të dish çfarë është e mira dhe të mos e bësh atë.

Thellë në zemrën zemrën tënde ti e di që Perëndia ekziston, si sinonim i drejtësisë, por ti e shtyp atë mendim sepse ti nuk do të japësh llogari për gjëndjen tënde. Ti ke një sëmundje vdekjeprurëse! Ti je mbruajtur dhe lindur në mëkat! Çdo tendencë e zemrës tënde në çdo çast është i destinuar të përfundojë në mëkat. Perëndia ka thenë se paga e tij për mëkatin tënd është vdekja. Por ti ke një problem tjeter! Ti jeton në mohim. Ti mohon të jesh i sëmurë me shpresën se do të jetosh. Aq sa shmanget problemi për strucin kur ai e fut kokën nën rërë, po aq mohimi i problemit tënd nuk e asgjeson atë. Mëkati yt do të gjej e ti do të paguash për të pavarësisht jetës në mohim të mëkatit.

Por për sëmundjen tënde vdekjeprurëse ka një ndërhyrje kirurgjikale që të shpëton. Por ti nuk mund të shkosh tek kirurgu po nuk pranove që je i sëmurë e ke nevojë për kurim. Ndaj, prano sot që ke problem me mëkatin e se ke rebeluar ndaj Perëndisë. Ai ka një rrugë shpëtimi për ty.
Pagën e dënimit tënde​ si pasojë e mëkatit tënd Perëndia e kaloi në llogari të Jezus Krishtit, të cilin ai e bëri kurban si flijim zëvëndësues për ty e për mua.
Jezusi është Perëndia i mishëruar. Ai është njëkohësisht tërësisht Perëndi dhe tërësisht njeri. Duke qënë Perëndi, ai i jep flijimit të tij një vlerë të pamasë. Vetëm kështu ky flijim është i aftë të shlyejë mëkatin e pamasë të njerëzimit në çdo kohë – një sakrificë, një herë për të gjithë që e besojnë. Duke qënë tërësisht njeri ai është i aftë të zëvendësojë për njerëzimin. Jezusi vdiq për ty! Por ky është vetëm një pjesë e lajmit. Perëndia a ngjalli atë prej së vdekurish duke të provuar se Ai e pranoi sakrificën e Jezusit në vendin tënd.
Prano gjendjen tënde në nevojë për një shpëtimtar, beso në Krishtin si flijimin e vetëm që plotëson kushtet e drejtësisë së Perëndisë, dhe pranoje atë si Shpëtimtar dhe Zot të jetës tënde.
Dhe ti do të shpëtohesh e do të jetosh, sepse Ai është i vërtetë, besnik ndaj asaj që thotë, e mbi të gjitha, i aftë të bëjë gjithçka që thotë.
Mos jeto në mohim! Jeto duke e pohuar!