Vlera dhe Roli i Grave në Dhiatën e Vjetër

Zoti Jezus Krisht ka bërë më shumë për ngritjen, statusin, vlerësimin, nderin dhe respektin e gruas, se sa kushdo tjetër në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë që mund të habisë shumë njerëz, por që është historikisht absolutisht e vërtetë. Historia është e mbushur me shembuj se si burrat përdorën fuqinë fizike, politike apo ekonomike për të ndrydhur, dominuar, frikësuar, frenuar dhe abuzuar me femrën, fizikisht apo me fjalë, nga ana shpirtërore apo edhe psikologjike. Historia njerëzore nuk ka qenë e mirë ndaj femrës. Por Jezusi e ndryshoi atë.

Kur studiojmë historinë përpara ardhjes së Krishtit, zbulojmë se gratë atëherë, ashtu siç edhe sot në vendet Islamike apo kudo ku idetë islamike sundojnë apo edhe thjesht sa influencojnë disi shoqërinë, femra kishte pak apo aspak liri dhe të drejta, nder e dinjitet. Në fakt të gjitha religjionet fetarë apo sekulare, më përjashtim të Krishterimit Biblik, e kanë parë femrën si inferiore, të ligë, të papastër, të pabarabartë, dhe që duhet mbajtur gojëmbyllur dhe nën sundim. Këtë besonin religjionet e civilizimit Greko-Romak. Këtë besonin fetë e sektet e shumta pagane të Babilonasve, Persëve, e të gjitha kombeve dhe feve të tjera. Këtë beson Islami si një fe e montuar artificialisht nga paketa ideologjike të huazuara nga këto civilizime që e rrethonin në atë kohë. Historia njerëzore nuk ka qenë e mirë ndaj femrës. Por Jezusi e ndryshoi atë. Jezusi e ndryshoi atë ne përputhje me planin sovran dhe të përjetshëm të Perëndisë.

Kjo është e rëndësishme që të studiohet dhe të theksohet, sepse është e mundur që, në përputhje me natyrën reaksionare të njeriut, të kalojmë nga njëri ekstrem në ekstremin tjetër. Pra, të duke lënë nga njëra anë dogmat e vjetra pagane apo Islamike që e shtypnin femrën në një mënyrë, është e mundur të biem në kurthin tjetër, në ekstremin e dogmës moderne të feminizmit shovinist, i cili nën flamurin e lirisë, e shtyp dhe abuzon me femrën duke i vënë mbi supe një barrë e përgjegjësi që ajo nuk ka se përse ta mbajë dhe as nuk është e krijuar apo e thirrur për të. Pra në të dyja rastet, si në shovinizmin e vjetër mashkullor, ashtu edhe në shovinizmin e feminizmit modern ka ndodhur e njëjta gjë: Është braktisur roli i burrit dhe i gruas i caktuar nga vetë Perëndia, duke shkaktuar lëndim dhe konfuzion, mëkat e viktima. Ky konfuzion e mungesë balance ekziston edhe brenda kishës ungjillore sot, duke shkaktuar tensione të panevojshme në gjirin e saj. Zgjidhja është që të kthehemi tek përkufizimi dhe qëllimi Biblik që Perëndia i dha burrit dhe gruas.

Çfarë ne na duhet pra sot, është ekuilibri i përsosur i mësimit biblik mbi identitetin dhe rolin e femrës, i dhënë nga Perëndia që në momentin e Krijimit. Dhe ky është problemi i mëkatit. Rënia e mëkati deformon atë që Perëndia formoi. Dhe ky është bekimi dhe lavdia e ungjillit, se reformon atë që mëkati deformon, në fakt ri-vlerëson e nderon, atë që mëkati shkatërron. Ky do të jetë fokusi i studimit tonë sot.

Dhiata e Vjetër dhe Gruaja

Që në kapitullin e parë të Biblës, tek Zanafilla 1:27, na jepet statusi burrit dhe i gruas si të barabartë me njëri-tjetrin: “Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë e krijoi; Ai i krijoi mashkull e femër.” Së pari vëmë re se që të dy u krijuan në përputhje me imazhin e Perëndisë. Së dyti, se që të dy morrin të njëjtën masë nga imazhi i Perëndisë. Kjo është vlera e vërtetë. Pra Bibla fillon me barazinë gjinore. Si persona, si qenie frymore që qëndrojnë përpara Perëndisë, mashkulli dhe femra qëndrojnë absolutisht të barabartë përpara Perëndisë. Për nga vlera, burri dhe gruaja janë të barabartë përpara Perëndisë, dhe kjo vjen nga Perëndia, është vullneti i Tij, është që nga krijimi, kjo vjen përpara rënies, dhe çdo ide që devijon nga kjo është kundra vullnetit të Perëndisë dhe rebelim ndaj Tij.

Së dyti, përveç kësaj barazie në vlerë, Perëndia i jep burrit dhe gruas funksione dhe përgjegjësi të ndryshme. Dhe ky është çelësi Biblik i zgjidhjes dhe i emancipimit të vërtetë. Ky është gjithashtu momenti kur gjithçka shkon mbrapsht. Bëhet fjalë për gabimin logjik kur ne ngatërrojmë vlerën me funksionin, dhe kur e përcaktojmë vlerën e dikujt apo të diçkaje duke u nisur nga funksioni i saj apo i tij. Për shembull: Në sistemin shkollor, dikush mund të mendojë se mësuesi i fizikës dhe matematikës është më i rëndësishëm se sa mësuesi i letërsisë apo i historisë. Por mësuesit kanë të njëjtën vlerë të barabartë me njëri-tjetrin. Ndryshimi ndërmjet tyre është në lëndën që japin e në funksionin që kanë, dhe që nuk prek e as nuk e ndryshon vlerën e dinjitetin e mësuesit. Mësuesi i edukimit fizik nuk ka më pak vlerë e dinjitet sesa mësuesi i fizikës. Vetëm funksioni i tyre është i ndryshëm. Vlera është e barabartë.

Pikërisht këtë marrëdhënie biblike ndërmjet vlerës dhe funksionit duhet të përqafojmë dhe ruajmë, dhe madje përdorim për të ndërtuar një bashkësi lokale të shëndetshme, dhe një civilizim të ri biblik. Nuk është funksioni ai që i jep vlerë njeriut, por se kush ai apo ajo është në sy të Perëndisë. Aty është dinjitei dhe vlera e vërtetë e mashkullit dhe femrës.

Pasi kemi përqafuar këtë përkufizim të vlerës së burrit dhe gruas, ne jemi të lirë, që pa frike të përqafojmë mësimin biblik. E vërteta të çliron thotë Krishti. Cili është mësimi Biblik?

Perëndia i dha Adamit dhe Evës të njëjtën vlerë por funksione të ndryshme. Në fillim Ai krijoi Adamin dhe pastaj Evën. Adami dhe Eva ishin të barabartë për nga vlera e dinjiteti por të ndryshëm për nga detyrat praktike që duhej të përmbushnin. Eva u krijua që të ishte ndihmësja e Adamit, dhe që ta ndiqte atë, për të përmbushur atë thirrja që Perëndia i pat dhënë Adamit, dhe të cilën thirrje Adami nuk mund ta përmbushte dot i vetëm. Edhe në këtë fakt ka një vlerë të madhe që Perëndia i jep femrës. Burri nuk mund ta përmbushë thirrjen që ka nga Perëndia pa ndihmesën e gruas.

Bibla thotë, “Pastaj Zoti Perëndi tha: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i përshtatet».” (Zan. 2:18). Kështu Perëndia krijoi gruan nga brinja e burrit dhe i dha jetë, dhe që të dy ishin absolutisht të përsosur, me dinjitet, pa mëkat, as e papastër, as inferiore, as e pabarabartë.

Por le të vëmë re termin biblik “një ndihmë që i përshtatet”. Feminizmi shovinist e urren konceptin se gruaja u krijua që të ishte ndihmësja e burrit, sepse siç thashë, niset nga gabimi logjik që përmendëm më lart, që “funksioni prodhon vlerën”. Kështu akuzon Biblën dhe në fakt Perëndinë se e ka krijuar gruan jo me të njëjtën vlerë me burrin sepse e ka krijuar që të jetë ndihmësja e tij. Por pasi kemi vënë re gabimin logjik të deklaratës se “funksioni prodhon vlerën”, dhe se “nëse femra është ndihmësja e mashkullit, ajo ka më pak vlerë se mashkulli”, le të vëmë re se vetë Perëndia është gjithashtu ndihmësi i njeriut, dhe kjo nuk ia ul aspak vlerën Perëndisë.

Dinjiteti i Rolit të Ndihmësit

Termi në Hebraisht ezer (עֵ֖זֶר) – një ndihmë (Zan 2:18), përdoret në Bibël madje edhe për vetë Perëndinë. Bibla thotë se Perëndia është Ndihmësi ynë. Dhe kjo nuk ia ul aspak vlerën Perëndisë.

  • Eksodi 18:4 – “dhe tjetri Eliezer (sepse ai kishte thënë: «Perëndia i atit tim ka qenë ndihmësi im dhe më ka shpëtuar nga shpata e Faraonit»).”
  • Psalmi 10:14 – “Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta shpaguar më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin.”
  • Psalmi 20:2 – “Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni”.
  • Psalmi 33:20 – “Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.”
  • Psalmi 70:5 – “Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.”
  • Psalmi 72:12 – “Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që klith dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.”
  • Psalmi 86:17 – “Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.”

Perëndia pra është ndihmësi i njeriut, dhe kjo nuk ia ul aspak vlerën Atij, ashtu siç nuk ia ul vlerën aspak gruas kur i dha rolin që të jetë ndihmuesja e burrit.

Roli i Gruas një funksion Besëlidhjeje

Për më tej, roli i Evës si ndihmuesja e Adamit ishte një funksion besëlidhjeje. Kjo është tepër e rëndësishme. Perëndia është një Perëndi i Besëlidhjes. Perëndia e krijoi gruan dhe burrin dhe i vuri në një besëlidhje me veten e Tij, dhe në këtë kontekst besëlidhjeje, burri dhe gruaja morën detyra të ndryshme për të përmbushur. Perëndia Triune është një Perëndi i Besëlidhjes. Kur Ai krijoi pra burrin dhe gruan, Ai i vulosi ata me vulën e besëlidhjes, i krijoi ata sipas imazhit të Tij, që të ishin qenie personale, sociale, qenie relacionale, të funksiononin me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë, por nën Perëndinë.

Ky është pikërisht problemi me marrëdhëniet ndër-gjinore, i përplasjes ndërmjet mashkullit dhe femrës. Ata që të dy u rebeluan, mëkatuan dhe ranë nga lavdia në të cilën Perëndia i pat krijuar dhe vendosur. Bashkë me këtë, ndodhi edhe deformimi i roleve dhe i qëndrimit të njeriut ndaj roleve që Perëndia i ka dhënë atij dhe asaj.

Burri nuk udhëheq me zemër por ose sundon me dorë në njërin ekstrem ose abdikon plotësisht në ekstremin tjetër. Burrat shqiptarë i manifestojnë që të dyja këto ekstreme brenda ditës. Gjatë tërë ditës ata qëndrojnë kafeneve duke parë televizor në vend që të jenë në drejtim të familjeve të tyre, dhe kur kthehen në shtëpi sillen si tiranë. Eva gjithashtu humbi aftësinë e saj që të jetë një ndihmëse e vërtetë e burrit, dhe vendosi se meqë burri nuk po e bën punën e tij, ajo duhet të përmbushë funksionin e Adamit.

Kur studiojmë në detaj historinë e rënies së Adamit dhe Evës tek Zanafilla 3:1-7, zbulojmë se si erdhi rënia. Adami abdikoi rolin e tij si drejtues dhe heshti, ndërsa Eva uzurpoi rolin e funksionin e drejtimit pasi kishte braktisur rolin e ndihmëses. Kështu kur Satani, pasi ka marrë në zotërim gjarprin që ndodhej në Kopshtin e Edenit dhe flet përmes tij, Eva e dëgjon ndërsa Adami hesht. Në tërë atë dialog Adami nuk flet as edhe një herë të vetme, edhe pse është prezent. Nga ana tjetër Eva jo vetëm që dialogun me Satanin, por pranon interpretimin e Satanit të fjalëve që Perëndia i ka thënë Adamit. Ajo pra nuk i nënshtrohet as mesazhit që Adami i ka përçuar Evës, dhe as në fund të fundit, dhe ky është thelbi i problemit, ajo nuk i nënshtrohet Fjalës së Perëndisë. Eva bën “studim Bible” me Satanin…se cila është e vërteta e Perëndisë. Dhe gjatë tërë këtij pazari blasfemuaes që Evan bën me Satanin, Adamin nuk ndërhyn fare. Adami ka abdikuar plotësisht rolin e tij drejtues, ndërsa Eva e ka uzurpuar këtë rol që nuk i takonte asaj.

Pasojat dihen (Zanafilla 3:16-19). Më mallkimin që Perëndia i jep njerëzimit, mallkimi që i takon pasardhësve të Adamit është që do ta nxjerrin bukën e gojës me shumë mund sepse nuk u munduan fare që të ruanin rolin dhe bekimet e Perëndisë. Nga ana tjetër, Eva dhe pasardhëset e saj, do ti nënshtroheshin dhimbjeve të lindjes dhe një marrëdhënie të tensionuar me burrin. Tek Zanafilla 3:16 Perëndia thotë se “Unë do të shtoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty”. Gruaja do të vazhdojë të dëshirojë të sundojë apo të kontrollojë mbi burrin por burri do të sundojë mbi të. Pasoja e Rënies për sa i përket martesës që nga ajo kohë ka qenë një përplasje ndërmjet sekseve, ku femrat kërkojnë kontroll dhe meshkujt ushtrojnë dominim.

Shpresa e Jetës

Por pikërisht në këtë moment rënie dhe mungese shprese, Perëndia ndihmoi, dha shpresë dhe shpëtim. Tek Zanafilla 3:15 lexojmë: Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj».Fara e gruas, që më pas kuptojmë se është Krishti, do të vijë dhe do t’ia shtypë kokën Satanit. Ky varg njihet si protoevangelion – ungjillëzimi i parë. Adami dhe Eva i besuan Perëndisë dhe premtimit të jë Shpëtimtari që do të vinte prej saj, dhe kur gruaja lindi për herë të parë, Adami e quajti gruan e tij Eva – nëna e tërë të gjallëve (Zan. 3:20d). Pra emri Evë përkthehet “jetë-dhënëse”.

Duhet vënë re kontrasti. Përmes rebelimit të saj, gruaja ishte bërë marrëse-jete, njerëzimi mëkatoi, paga e mëkatit është vdekja. Por për shkak të premtimit të Perëndisë për një Shpëtimtar që do të lindte prej saj, gruaja tani bëhet një dhënëse-jete.

Kjo jo vetëm në kuptimin biologjik por frymor. Adami dhe Eva ishin në një besëlidhje të re me Perëndinë. Një shpëtimtar do të vinte prej saj. Në këtë kontekst të ri, të rënë por me premtimin e një Shpëtimtari, gruaja kishte një rol të ri, një funksion të ri. Gruaja ka thirrjen hyjnore që të prodhojë jetë në çdo marrëdhënie dhe situatë. Pra gruaja nuk është thjesht e thirrur që të bëjë fëmijë, por të sjellë në jetë dhe ti japë jetë çdo marrëdhënie njerëzore, në familje, në kishë në shoqëri.

Kjo është një thirrje e re që i shtohet thirrjes që kishte për të qenë ndihmësja e burrit në thirrjen që ai ka prej Perëndisë. Në këtë kontekst vëmë re se si edhe para rënies, edhe pas rënies, qëllimi i mashkullit dhe femrës është që të jetojë e punojë për lavdinë e Perëndisë, ti nënshtrohet fjalës së Tij, të përhapë besëlidhjen e Tij shpëtuese në të gjithë botën, të ndërtojë një familje, një kishë dhe një civilizim (në atë renditje) sipas Fjalës së Perëndisë. Aty ku gruaja përmbush rolin e saj si ndihmuese dhe jetë-bërëse, aty familja dhe kisha lulëzon, forcohet dhe ka bekim.

Mbi këtë parim biblik, edhe ne si kishë lokale duhet të ndërtojmë shërbesën e grave në kishë. Dhe teksa do të përpiqemi që ta bëjmë këtë gjë së bashku, ne si kishë dhe çdo grua në këtë kishë duhet ti bëjë vetes katër pyetje:

  • A jam ndihmuese apo penguese në jetën e kishës?
  • A jam jetë-dhënëse apo jetë-marrëse përmes fjalëve dhe veprimeve të mia?
  • A po dishepullohem që të jem ndihmuese dhe jetë-prodhuese në kishë dhe familje?
  • A po dishepullizoj femrat e tjera që të jenë edhe ato ndihmuese dhe jetë-prodhuese në kishë dhe familje?

Në tërë këtë thirrje të madhe, hyjnore për nga origjina, burri dhe gruaja kanë të njëjtën vlerë, po funksione të ndryshme, dhe role komplimentuese. Ky është vizioni Biblik i mashkullitetit dhe feminitetit Biblik.

Për këtë arsye, kisha biblike, përqafon dhe promovon jo teoritë pagane / islamike të zhvlerësimit të gruas, por as edhe idetë moderne të egalitarizmit. Ne besojmë në mësimin biblik të komplimentarizmit. Ku qëndron ndryshimi?

Egalitarizmi thotë se burri dhe gruaja duhet të kenë të njëjtat role dhe funksione në mënyrë që të kenë të njëjtën vlerë. Dhe kështu sot shikon në televizor femra police që goditen nga demonstruesit nëpër protesta sikur të ishin meshkuj. Egalitarizmi nuk është emancipim. Egalitarizmi është një barrë dhe jo një bekim. Egalitarizmi është ti vendosësh mbi supet e gruas një barrë që ajo as nuk është e thirrur dhe as nuk është e krijuar që ta mbajë.

Por siç pamë, vullneti i Perëndisë është komplimentarizmi, që thotë se Perëndia tashmë i ka dhënë mashkullit dhe femrës të njëjtën vlerë, por u ka dhënë edhe funksione të ndryshme, që përputhin e përmbushin njëri-tjetrin. Burri dhe gruaja përputhen plotësisht dhe përmbushin plotësisht njëri-tjetrin. Ky është emancipimi i vërtetë, liria e vërtetë e gruas, vlera e vërtetë e saj: Vlera që Perëndia i ka dhënë asaj, dhe funksioni që Perëndia i ka dhënë asaj.

Në studimin e ardhshëm do ti shikojmë përsëri këto gjera por nga faqet e Dhiatës së Re.