01-PROFETI JONA: Ungjillëzimi, Jona dhe Ne

Nga seria “PROFETI JONA: KUPTIMI, KOMUNIKIMI DHE MISHËRIZIMI I UNGJILLIT”

 

Të dashur në Krishtin, sot fillojmë një seri të re studimesh, këtë radhë mbi librin e Profetit Jona. Synimi im është që përmes kësaj serie gjithsecili prej nesh të inkurajohet për të bërë ungjillëzim. Në Predikimin në Mal (Mateu 5-7) Krishti nga urdhëron që të jemi kripa e tokës dhe drita e botës (Mateu 5:13-16). Tek Mateu 16:18 Krishti tha që dyert e ferrit nuk do ti rezistojnë dot Kishës që nënkupton se Kisha duhet të jetë gjithmonë në sulm dhe kurrë në pushim apo në mbrojtje. Po kështu, kur Krishti pa turmat të lodhura dhe të shpërndara si delet pa bari pati dhembshuri për ta dhe tha “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. Lutjuni pra Zotit të të korrave që ë dërgojë punëtorë në të korrat e tij” (Mateu 9:37-38). Ne, Kisha e tij jemi punëtorët për të cilën bën fjalë Krishti, ne duhet ti bindemi thirrjes së tij. Aq me tepër që ne kemi urdhrin direkt të Krishtit “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, 20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19). Ne të tërë e dimë këtë thirrje që kemi por nuk jemi gjithmonë të gatshëm për ta përmbushur atë për një numër arsyesh. Mund të jetë përtacia, frika nga njerëzit, turpi se çfarë do të mendojnë ata për ne, meraku se mos krisim apo shkatërrojmë ato marrëdhënie pune, shoqërore apo familjare për shkak të predikimit të ungjillit, mund të jetë pasiguri në besimin tonë, në njohuritë tona të Biblës, apo edhe ndonjë arsye tjetër. Cilado qofshin arsyet tona, të gjitha ato përmblidhen në një fjalë të vetme: IDHUJTARI. Ne kemi zemra idhujtare dhe prandaj edhe nuk i besojmë ungjillit, premtimeve të saj, fuqisë së saj për shpëtim, mbrojtjes dhe bekimeve me të cilat shoqërohet predikimi i ungjillit. Për këtë arsye, përpara se sa ne të inkurajohemi për tu përfshirë në ungjillëzim, ne duhet të adresojmë idhujt që ndodhen brenda nesh.

Por përse duhet të flasim për idhujt në fillim, në një seri mesazhesh për ungjillëzimin? Shqipëria sot po kalon përmes periudhës së Postmodernizmit, atë periudhë historike që në Perëndim filloi me rënien e rënien e murit të Berlinit më 1989. Shumë studiues insistojnë se kjo periudhë në Perëndim ka përfunduar me sulmin ndaj Kullave Binjake në New-York në vitin 2001 dhe se që me atë ngjarje civilizimi Perëndimor e gjen veten në një segment të ri të historisë së saj. Edhe nëse kjo gjë është e vërtetë, ne dimë që lëvizjet apo periudhat Perëndimore në Shqipëri hynë me vonesë dhe dalin akoma edhe me më shumë zvarritje. Kështu që ne mund të themi me siguri që në Shqipëri ne po përjetojmë të paktën në një farë mënyre apo në disa aspekte Postmodernizmin perëndimor. Postmodernizmi është një paketë e gjerë dhe e ngjeshur idesh por ajo çfarë ka më shumë rëndësi për ne sot të dimë është konceptimi relativist që postmodernizmi i bën të vërtetës. Ajo thotë “çfarë është e vërtetë për ty mund të mos jetë e vërtetë për mua.” “Çfarë mund të jetë e mirë apo e moralshme për ty nuk është detyrimisht për mua.” “E vërteta nuk është absolute, askush nuk është gabim, dhe çdo mënyrë apo alternativë për të arritur një qëllim, si për shembull për tek Perëndia është njësoj e vlefshme dhe e vërtetë.”

Cili është efekti i këtij botëkuptimi relativist për ungjillëzimin? Historikisht ne e kemi filluar ungjillëzimin tonë me doktrinën e mëkatit. Jemi përpjekur që të përdorim Dhjetë Urdhëresat për të përkufizuar mëkatin, me qëllim që njerëzit të ndjejnë nevojën e tyre për Krishtin. Problemi është se reagimi i njeriut postmodern është: Ligji mund të jetë absolut dhe i nevojshëm për ty, por nuk është për mua. Në botën Perëndimore, nëse do ta fillonim ungjillëzimin me pyetjen diagnostikuese (siç bëhet në metodën Evangelizm Explosion): “Nëse sot do të vdisje dhe do të ndodheshe përpara Perëndisë që të kërkon se përse duhet të të lejojë në parajsë?” Shumë perëndimorë do të përgjigjeshin: Po unë nuk dua të shkoj në Parajsë! Nëse ti do ti thoje-Por në Ferr ka dhimbje e tortura fizike-ndokush edhe do të përgjigjet-Por unë jam mazokist, mua më pëlqejnë dhimbjet e torturat. Situata po bëhet dhe do të bëhet gjithmonë e më shumë e tillë edhe në Shqipëri.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo, mënyra biblike për të ungjillëzuar duke përdorur drejtpërdrejt Ligjin ka nevojë të bëhet me kujdes shumë edhe më të madh në Shqipëri për shkak të mazhorancës myslimane apo katoliko/ortodokse. Nëse nuk e përdorim Ligjin me shumë kujdes, apo nëse e predikojmë atë përciptazi, dëgjuesit tanë do të mendojnë se ne po u bëjmë thirrje atyre për të jetuar një jetë të moralshme, për të bërë një “pastrim total shtëpie.” Kjo është arsyeja që Shqiptari të përgjigjet duke të treguar se si të parët e tyre kanë qenë të përfshirë me kishën dhe ndoshta edhe klerikë, apo se si ata jetojnë një jetë të moralshme, fëmijët i kanë në rregull, u bëjnë mirë të tjerëve, familjet i kanë të forta dhe pa probleme të dukshme molari, etj. Kjo është arsyeja përse shqiptari reagon kështu. Këtë problematikë e gjejmë tek historia e të riut pasanik me Krishtin tek Luka 18:18-30. Krishti i tha të riut që të bënte urdhërimet me qëllimin që ti ulte krenarinë dhe vetësigurinë të riut pasanik, ta dërgonte në pendim që më pas ti ofronte faljen. I riu pasanik u përgjigj se porsa i përkiste ligjit ai ishte i drejtë. Kjo përmbledh reagimin e shqiptarëve. Pra, fillimi i predikimit të ungjillit me Ligjin e Perëndisë, nëse nuk bëhet me kujdes përfundon të na dështojë në duar. Ka dy lloje dëgjuesish, antinominianë dhe legalistë. Antinominianët janë kundra ligjit të Perëndisë dhe duan të jetojnë të pavarur prej saj, duan të jenë “vetvetja”. Legalistët nga ana tjetër, e pëlqejnë ligjin e Perëndisë, por meqë nuk njohin hirin e përdorin ligjin dhe Perëndinë për të jetuar një jetë më të mirë tokësore. Ligji dhe Perëndia për ata është për interes. Kështu predikimi ynë nuk pranohet nga nga shqiptari antinominian/postmodern pasi ai do të jetojë sipas qejfit të tij. Nga ana tjetër predikimi ynë dëgjohet nga legalistët si thirrje për të bërë një jetë legaliste, dhe përgjigja e tyre është-Unë po e bëj tashmë një gjë të tillë!

Kështu, duke u bazuar si tek përgjigja e Krishtit ndaj të riut pasanik, ashtu edhe siç do ta shohim tek historia e Profetit Jona, unë sugjeroj që prezantimit të ungjillit dhe i nevojës së njeriut për Krishtin dhe Kryqin e Tij duhet bërë duke përdorur konceptin e idhujtarisë. Pra qëllimi im në këtë seri predikimesh është që të kuptojmë mëkatin tonë dhe të të tjerëve më mirë e më shpejt, të kuptojmë më mirë ungjillin për veten tonë dhe si rrjedhim të jemi të aftë për tua shpallur atë më mirë të tjerëve.

Idhujtaria, Jona dhe Ne

Idhujtari si temë predikimi është një instrument që përpara se sa ne ta përdorim atë mbi të tjerët, ne duhet ta përdorim atë mbi veten tonë. Pra, në një farë mënyre, kuptimi i idhujtarisë na ndihmon që më parë të jemi diçka dhe pastaj të bëjmë diçka. Kur e lexon Librin e Profetit Jona për herë të parë mendon që tema e librit është ungjillëzimi dhe misioni. Jona 1:1 -2 thotë “Dhe fjala e Zotit iu drejtua Jonas, birit të Amitait, duke thënë: 2 “Çohu, shko në Ninive, qytet i madh, dhe prediko kundër tij, sepse ligësia e tyre është ngjitur përpara meje”.” Është e qartë që Jona mori thirrjen për të shkuar në mision dhe për të ungjillëzuar popullsinë në qytetin e Ninivesë që ishte kryeqyteti i Perandorisë Assiriane që ndodhej në brigjet e lumit Tigër pranë qyteti Mosul në veri të Irakut të sotëm. Fakti që Perëndia e thirri Jonën për ta dërguar tek ai qytet të bën të mendosh se kishte shpresa, apo se Perëndia pat dhënë hir për konvertimin e atij qyteti pasi për çfarë arsye tjetër duhej dërguar atje Jona të Predikonte pendimin? Por nëse studiohet ky libër me kujdes, do të vihet re që ky libër nuk ka për temë qendrore misioni por idhujtarinë. Tek lutja e Jonës (Jona 2), që në një farë mënyre është një nga pikat kulmore të këtij libri, Jona shfaq që ai e kupton se çfarë Perëndia po vepron në atë vetë kur thotë literalisht “Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin hirin që u takon atyre” (vargu 9, përkthimi im). Ironia në këtë libër është që përpara se sa Jona të shkonte dhe tu predikonte dënimin dhe hirin paganëve idhujtarë, atij iu desh që të adresonte idhujtarinë në zemrën e atij vetë. Atij iu desh që të bëhej diçka përpara se sa të bënte diçka. Ky është edhe qëllimi që Fryma e Shenjtë ka për ne në kohën e sotme. Edhe pse Jona është një predikues ungjillor, ai vetë ka probleme me idhujtarinë dhe madje edhe po aq të mëdha sa edhe të atyre paganëve drejt të cilëve është dërguar të predikojë. Këtë gjë na e thotë edhe Rom. 1-3, “Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. 12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një” (Rom.3:11-12). Paganët e bëjnë idhujtarinë e tyre në mënyrë të hapur, ndërsa populli i Perëndisë ka mënyrat e tija të kamufluara për ta fëlliqur veten me gjëra idhujtare. Kjo është arsyeja përse ne nuk jemi të dhënë pas ungjillëzimit dhe misionit, apo përse nuk jemi efektiv në ungjillëzimin tonë. Nëse ne nuk kuptojmë idhujtarinë ne nuk mund të bëjmë ungjillëzim e mision. Ne këtë seri predikimesh unë do të kap tre çështje: Së pari, idhujtaria na ndihmon që të kuptojmë zemrat tona, ti predikojmë ungjillin zemrave tona me qëllim që të jemi ungjilltarë të mirë. Do të shikojmë se Jona nuk e kuptonte mirë hirin për veten e tij dhe si rrjedhim nuk ishte i aftë për tua predikuar atë të tjerëve. Ky do të jetë mesazhi i parë. Mesazhi i dytë do të jetë mbi mënyrën se si idhujtaria na ndihmon për tu komunikuar hirin njerëzve të tjerë. Dhe Mesazhi i tretë do të jetë se si kuptimi i idhujtarisë na ndihmon për ta mishëruar ungjillin si bashkësi përpara botës që na vëzhgon. Kjo seri do të ketë katër predikime. Sot do të bëjmë një hyrje mbi këtë libër, dhe në tre javët në vazhdim do të studiojmë hollësisht ato tre mesazhe për të cilat fola më sipër.

Jona në Kontekstin e Historisë së Shpëtimit

Jona jetoi rreth viteve 780 P.K, dhe ai ishte një Profet i Perëndisë që shërbente në Mbretërinë e Veriut (2 Mbret.14:25) gjatë mbretërimit të mbretit Jeroboam II. Në atë kohë perandoria më e fuqishme në botë ishte ajo e Asirianëve, një makinë brutale dhe gati e plotfuqishme lufte që i shkaktonte frikë tërë botës, përfshi këtu edhe Izraelin. Frika ndaj Asirianëve ishte idhujtaria dhe mëkati i Izraelit. Sa për Jonën, ai nuk ishte vetëm një profet i Perëndisë por edhe një patriot i mirë. Patriotizmi i tij ndaj Izraelit, urrejtja e tij ndaj kësaj fuqie pagane, e kombinuar me frikën se mos ndoshta Perëndia do të tregohej i mëshirshëm ndaj Asirianëve e bëri Jonën që të mos udhëtonte drejt lindjes, Irakut të Veriut ku ndodhej qyteti i Ninevesë, por drejt Perëndimit, drejt qytetit të Tarshit në jug të Spanjës. Trajektorja që zgjodhi Jona ishte plotësisht diametrikalisht e kundërt me atë që i pat urdhëruar Perëndia. Kështu, historia e Jonës mund të përmblidhet si historia e një patriotizmi idhujtar. Edhe pse Perëndia ishte në një besëlidhje me Izraelin, ai ishte përsëri i interesuar në shpëtimin e pjesës tjetër të botës. Si rrjedhim përgjegjësia e Izraelit ishte që të ishte kripë dhe dritë për botën pagane, një përgjegjësi që ajo e pat harruar.

Libri i Jonës është një studim i fuqisë dhe i hirit të Perëndisë. Ai është një libër vërtetë i mbushur me mrekulli, por mbi të gjitha është prova që Perëndia është i pasur në hir dhe mëshirë. Jona e dinte këtë dhe prandaj dhe ai u përpoq që ti rezistonte asaj apo ta kufizonte atë. Jona pat mësuar çfarë shumë njerëz nuk dinë, që kur Perëndia na thërret që të ballafaqohemi me mëkatin tonë, ai e bën këtë për të na treguar mëshirën e tij, pra për të na shpëtuar. Shumë njerëz mendojnë se nëse ata nuk merren me Perëndinë edhe Perëndia nuk do të merret me ta. Por Libri i Jonas na mëson se Perëndia shikon, se është aktiv dhe se e merr mëkatin seriozisht. Nineva ishe një qytet i madh sa që iu deshën Jonës tre ditë për ti ardhur rrotull plotësisht asaj (Jona 3:3). Por mbi të gjitha ishte një qytet nuk e njihte Perëndinë e vërtetë dhe se ishte e dhënë plotësisht pas ligësisë. Por Perëndia dhe hiri i tij është më i madh se sa indiferenca e ligësia e Ninevesë, dhe Perëndia nuk pak hequr dorë nga ky qytet. Kjo është e vërtetë edhe sot. Bashkëkombasit tanë mund të injorojnë e mohojnë Perëndinë, por Perëndia nuk i mohon ata, nuk e injoron mëkatin e tyre dhe nuk refuzon që të shtrijë hirin e tij për shpëtimin e tyre.

Kjo është një e vërtetë që shumë njerëz e kanë të vështirë që ta pranojnë sot për shkak të racizmit shpirtëror që kanë në zemër. Neve na pëlqen që Perëndia ta na japë hirin e tij të pamerituar ne por jo atyre që na bëjnë apo që na kanë bërë keq ne. Momentin kur ne i refuzojmë ungjillin atyre që na kanë vrarë, torturuar, keqtrajtuar, apo që thjesht nuk janë të klasës sonë ekonomike, arsimore apo racore ne kemi rënë në kurthin e Jonës. Në atë kohë Izraelitët krenoheshin me faktin që ishin populli i preferuar e i zgjedhur i Perëndisë, që ata posedonin Shkrimet e Shenjta dhe Besëlidhjen e Hirit dhe harronin që ata ishin bërë rojtarë të këtyre margaritarëve me qëllim që të ishin një bekim dhe tua administronin e shpërndanin ato tërë botës.

Në këtë kontekst, Jona është figura përfaqësuese e Izraelit të asaj kohe apo e Kishës sot. Të Krishterët sot thonë pa fjalë “Vdeksh në vend dhe shkofsh drejt e në Ferr” kur me vepra dëshirojnë dhe mbajnë vetëm për vete hirin e mëshirat e Perëndisë të shpalosura në Fjalën e Shenjtë. Që ky ishte motivimi i Jonas e dëgjojmë nga vetë goja e tij kur i tha Perëndisë “Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar” (Jona 4:2). Fjala ungjill në Greqisht do të thotë “lajm i mirë.” Për Jonën hiri dhe falja e Perëndisë ishte një lajm i mirë për të afërmit e të dashurit e tij dhe një lajm i keq për armiqtë dhe pushtuesit e tij. Jonah nuk mund të duronte hirin e Perëndisë ndaj të ligjve. Kjo lloj vet-shenjtërie ekziston edhe sot dhe është shkaku që ne të Krishterët nuk ia ndajmë me gëzim ungjillin atyre që ne nuk i konsiderojmë të vlefshëm për ta marrë atë. Por kjo është një tregues i rëndësishëm i dy gjërave. Së pari, kjo tregon tatëpjetën tonë shpirtërore. Mëria ndaj hirit të bollshëm për të gjithë të Perëndisëështë shenjta më e sigurtë dhe më e avancuar e një tatëpjete shpirtërore. Së dyti, mëria ndaj hirit të bollshëm të Perëndisë është një shenjtë e sigurtë e injorancës që ne kemi mbi personin e Perëndisë. Jona e kuptone që Perëndia ishte Zoti i Izraelit por nuk e kuptonte që ishte në të njëjtën kohë edhe Perëndia i paganëve. Perëndia i vërtetë është Perëndia i të tërë tokës dhe i të tërë njerëzve në të. Dhe nëse emri i tij lavdërohet kur hiri i tij shtrihet mbi Izraelin e Dhiatës së Vjetër apo mbi Izraelin shpirtëror të Dhiatës së Re, po kështu emri i tij lavdërohet edhe kur po i njëjti hir shtrihet edhe mbi ata që janë jashtë saj, e madje edhe mbi mëkatarin më të tmerrshëm të kësaj bote.

Po kështu mëria e Jonës tradhton edhe injorancën që ai kishte për veten si një mëkatar si dhe mbi mënyrën e Perëndisë për shfajësim. Pali shkroi, “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus” (Rom.. 3:23-24). Ai njeri që e kupton plotësisht këtë varg reagon vetem me gëzim e mahnitje ndaj hirit shpëtues që u ofrohet të tjerëve. Nëse Jona do të kishte qenë shpirtërisht vibrant, ai do të kishte pritur me gëzim thirrjen e Perëndisë për të predikuar pendimin e faljen qytetit të Nineveas. Ai do të ishte kujtuar se si ai vetë ishte shpëtuar nga mëkatet e tija dhe se si ishte shfajësuar nga hiri i pamerituar i Krishtit vetëm përmes besimit, dhe do të kishte rendur për tek Ninevea me energji të reja. Ata që nuk janë entuziast për idenë e hirit shpëtues për të ligjtë, ata janë duke qëndruar përpara fronit të hirit të paktën pjesërisht në meritat e tyre dhe veprat e tyre dhe jo në mënyrë ekskluzive vetëm ato të Krishtit.

Mësimet e Hirit

Disa mësime që mund të nxirren nga historia e Profetit Jona janë të vlefshme edhe për ne sot. Cilat janë këto mësime. Së pari, hiri i Perëndisë duhet të jetë gjithmonë kënaqësia, gëzimi dhe ëndja e popullit të Perëndisë. Pa një ngazëllim me përulje ndaj hirit të Tij, asnjë popull, asnjë kishë, asnjë komb nuk mund të qëndrojë. Përfundimi i Jonës në barkun e peshkut ka për qëllim të na paralajmërojë për rrëzimin që na kanoset nëse nuk gjejmë ngazëllim kur hiri i Perëndisë vepron e shpëton të tjerët. Së dyti, ungjilli duhet të jetë një kujtesë e përhershme që shpëtimi ynë është një dhuratë sovrane, e mëshirshëm dhe e pameritueshme nga Perëndia, dhe aspak e ndryshme nga hiri që i jepet edhe kriminelit më të lig që mund të imagjinohet. Hiri na përul ne përpara Perëndisë, dhe hiri na ngre lart në besimin që na shpëton. Së treti, të njohësh Perëndinë është të njohësh hirin e tij. Motoja jonë është të njohim Perëndinë e ta bëjmë atë të njohur. Kjo do të thotë që ne duhet të njohim hirin e tij për veten tonë dhe të bëjmë të njohur po këtë hir madje edhe Nineveasve të kohës tonë. Perëndia na thërret sot që ta njohim atë e hirin e tij dhe ta bëjmë atë të njohur në qytetin tonë, në familjet tona, më marrëdhëniet tona, ndaj atyre që i kemi frikë, ndaj atyre që i urrejmë.