03-Profeti Jona: Komunikimi i Ungjillit

Nga seria “Profeti Jona: Kuptimi, Komunikimi dhe Mishërizimi i Ungjillit”

Sot do të vazhdojmë me atë seri të shkurtër prej katër predikimesh mbi Librin e Profetit Jona, seri që e kemi filluar para dy javësh. Në fakt duhet të sqaroj që edhe pse unë besoj në predikimin ekspozues të Shkrimeve të Shenjta, edhe pse kjo është dhe do të jetë metodologjia zyrtare e imja për aq kohë sa do të jem pastor i kësaj bashkësie lokale, unë gjithashtu besoj se është e lejueshme që herë pas here të jepen edhe predikime tematike. Me predikim ekspozues ne kuptojmë studimin kronologjik të librave të biblës, varg pas vargu, kapitull pas kapitulli, dhe libër pas libri. Në predikimin ekspozues, përzgjedhja, axhenda dhe renditja e temave që trajtohen përcaktohet nga struktura e librit që studiohet, që në fakt është e përcaktuar që më parë nga Fryma e Shenjtë momentin kur e dha atë libër përmes profetëve apo apostujve. Ky është predikimi ekspozues, përfitimet frymore të së cilës mbi Kishën janë të shumta për tu përmendur në këtë moment. Predikimi tematik nga ana tjetër adreson vetëm ato tema të përzgjedhura nga vetë pastori, mundësisht nën ndriçimin e Frymës së Shenjtë. Megjithatë, edhe predikimi tematik duhet të jetë ekspozues në vetvete. Me këtë kuptojmë që tema që trajtohet duhet të dalë direkt dhe në mënyrë ekspozuese nga ato pasazhe biblike mbi të cilat ato mbështeten. Kështu, mënyra që unë kam zgjedhur për të studiuar Librin e Jonës është ajo e predikimit tematik, kjo për arsye kohore pasi një trajtim i vërtetë ekspozues do të merrte të rreth trembëdhjetë javë.

Por le të rikujtojmë arsyet [arse po studiojmë në mënyrë të shpejtuar Librin e profetit Jona. Së pari, qëllimi im është që të inkurajohemi që të përfshihemi në ungjillëzim. Çdo i krishterë është i thirrur që të dëshmojë me fjalë dhe me vepra aleancën e tij me Krishtin si dhe shpresën që është në ne. Pjetri shkroi “shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju” (1Pjet. 3:15). Kjo nënkupton që aleanca jonë me Krishtin, besimi ynë duhet të jetë kaq i prekshëm dhe evident për shkak të jetëve tona, saqë ajo botë që është gjithmonë duke na vëzhguar dhe përndjekur të marrë gjithashtu nga ne në mënyrë verbale edhe arsyen apo interpretimin e vërtetë të ndryshimit që ekziston ndërmjet ne dhe atyre.

Së dyti, qëllimi im është që përmes lëvizjes së Fjalës dhe të Frymës gjithsecili prej nesh të shenjtërojë Perëndinë në zemrën e tij apo të saj duke hequr dorë nga idhujt që fshihen në të dhe që militojnë kundra Krishtit në trupin tonë. Mbani mend një citim nga Reformatori, teologu dhe pastori John Calvin: “Zemrat tona janë fabrika idhujsh.” Kjo është çfarë pengon dhe dobëson si shenjtërimin tonë të përditshëm ashtu edhe dëshmimin tonë. Ne duhet të kuptojmë idhujt e zemrës sonë përpara se sa të kuptojmë idhujt e zemrave ë atyre që kemi përballë. Ne duhet të adresojmë idhujt e zemrës tonë përpara se të adresojmë idhujt në zemrat e të tjerëve. Ne duhet ti predikojmë e ungjillin vetes tonë përpara se sa tua japim atë të tjerëve

Javën e kaluar pamë që ky është thelbi apo esenca e librit të profetit Jona. Edhe pse unë nuk kam arritur, dhe në këtë seri as nuk do të arrij që të prek të tëra vargjet dhe elementet e këtij libri, mund të themi me siguri të plotë që për aq kohë sa ne e kemi adresuar e kuptuar thelbin e këtij libri, dhe për aq kohë sa ne kemi kuptuar idhujt që fshihen në zemrën tonë dhe i kemi mortifikuar (bërë të vdesin) ato, ne mund të themi që e kemi predikuar, kuptuar dhe aplikuar librin e profetit Jona.

Cili është pra tema apo thelbi i këtij libri? Profeti Jona ishte thirrur që të predikonte mesazhin e dënimit dhe të hirit sovran të Perëndisë me kërkesën për pendim dhe besim. Ky predikim i duhej drejtuar popullit të Ninevesë së perandorisë së Asirisë. Profeti Jona e refuzoi këtë pasi shkonte kundra nacionalizmit idhujtar që kontrollonte zemrën e tij. Herën e kaluar pamë që kjo gjen aplikim edhe për ne sot. Ne sot mund tu refuzojmë ungjillin, lutjen, miqësinë e Krishterë atyre që i urrejmë, që na kanë bërë keq, që nuk i konsiderojmë të sa njëjtës racë, klasë sociale, politike, arsimore, apo ekonomike me ne. Maj mend një ungjilltar i vjetër që gjithmonë më shoshte: “Ne nuk mund ti flasim njerëzve për Krishtin nëse nuk flasim me ta.” Më parë duhet të ekzistojë mediumi i bashkëbisedimit përpara se sa ne ta mbushim atë bashkëbisedim me përmbajtjen e ungjillit. Por që ky medium të ekzistojë, më parë duhen pastruar zemrat tona nga idhujtarit e shovinizmit, inatit, mërisë, xhelozisë, frikës, etj. Ne nuk mund të jemi të gatshëm për të dëshmuar për shpresën që është në ne nëse më parë nuk kemi shenjtëruar Zotin Perëndi në zemrat tona (1 Pjet. 3:15).

Bota Qorton Kishën

Vini re ironinë e providencës sovrane dhe qëllimplotë të Perëndisë tek kapitulli i parë i Jonës. Jona e gjen veten në mes të atyre personave që ai i urrente më shumë, paganët idhujtarë që po i thërrisnin perëndive të tyre për shpëtim. Por çfarë është akoma dhe më interesante në këtë pasazh është qortimi që bota idhujtare i bën Kishës së Perëndisë. Së pari tek Jonah 1:6 bota idhujtare e qorton Kishën që në një letargji shpirtërore për shkak të idhujve në zemrën e saj nuk lutet as për veten e saj e aq më pak për shpëtimin e të tjerëve. Kisha që nuk lutet për shpëtimin e botës dhe bota që qorton kishën për letargjinë e saj mund të jetë një prej titujve apo temave të një predikimi ë të detajuar bazuar mbi Jonan 1:4-10. Kisha e përfaqësuar nga Jona nuk përdor privilegjet shpirtërore dhe autoritetin apo resourcet shpirtërore për bekimin e tërë botës. Por çfarë është akoma dhe më e rëndë është fakti që anija plot me paganë idhujtarë jo vëtëm që po fundoset sepse Jonah nuk po i lutej të Plotfuqishmit, por ishte pikërisht mëkati i Jonës, idhujtaria e Kishës ajo që po fundostë paganët idhujtarë.

Dy Mënyra Arratisjeje

Kjo më sjell kështu në mënyrë ekspozuese menjëherë në një temë që gjendet kudo në Bibël që është: Ka dy mënyra për të rendur nga Perëndia, mënyra pagane dhe mënyra “kristiane.” Sipas Romakeve 1 bota pagane-ateiste-religjose i rend ndaj Perëndisë së vërtetë. Pali shkroi “Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre.… me qëllim që ata të jenë të pafalshëm…[sepse] megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. 22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, 23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve…që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë.” Keshtu Pali tek Romakeve 1 deklaron e e tërë bota pagano-ateiste-religjiose që nuk i shërben Perëndisë së vërtetë është në idhujtari, mëkat e dënimin e Perëndisë. Pastaj vazhdon në kapitullin e dytë të Romakëve duke shpallur po aq fajtorë, mëkatarë e idhujtarë edhe Izraelin që ishte populli i zgjedhur i Perëndisë, Kisha e Dhiatës së Vjetër. Pse? Pasi ka dy mënyra për të rendur nga prezenca e Perëndisë, ajo e religjiozit pagan-ateistit-rebelit, dhe ajo e atyre që duhej tu përkisnin Perëndisë me trup e zemër.

Këtë temë e gjejmë gjithashtu edhe tek parabola e djalit plëngprishës, që në fakt duhet të themi se është historia e djemve plëngprishës. Në këtë paralel të Krishtit, djali i vogël përfaqëson liberalin, paganin, imoralin, atë që do të jetojë plotësisht i lirë nga ndërgjegjja dhe fakti që Perëndia ekziston, një djalë që dëshironte pasuritë e babait të tij që këtu përfaqëson Perëndinë. Djali i madh përfaqëson moralistin, religjiozin i cili po aq sa edhe i vogli dëshiron pasuritë e atit por jo atit. Që të dy duan të përdorin Perëndinë dhe bekimet e tij por pa pasur perëndinë në kuadër. Njëri e bën këtë duke qenë tepër i keq dhe tjetri duke qenë tepër i mirë. Që të dy përpiqen që të arratisen nga Perëndia dhe të fitojnë shpëtimin e tyre nga prezenca e tij. Në fund të historisë djali i keq shpëtohet dhe djali i mirë humb. Kështu çfarë duhet komunikuar gjatë ungjillëzimit është se djali i mirë nuk humbi pavarësisht nga mirësia e tij por për shkak të mirësisë së tij. Ai nuk vjen në festën e atit, që është shpëtimi që na ofrohet nga Perëndia për shkak të krenarisë së tij që ai ka për moralitetin dhe meritat e tij. Pra është drejtësia e tij që e mban atë larg shpëtimit, është drejtësia e tij idhujtaria e tij, arratisja e tij nga Perëndia.

Po të njëjtën teme e gjejmë edhe tek Predikimi i Krishtit në Mal (Mateu 5-7). Në të Krishti krahason dy mënyra për të jetuar. Mënyra sipas vullnetit të Krishtit dhe mënyra moraliste apo religjioze. Ai e bën këtë kur thotë “ju keni dëgjuar tju jetë thënë nga të vjetrit…por unë po ju them” (Mateu 5:21-48). Po kështu ai na mësoi që të lutemi, argjërojmë, japim lëmosha e adhurojmë jo sipas mënyrës së hipokritëve, pra sipas mënyrës moraliste e religjioze por sipas mënyrës biblike. Së fundi ai flet për derën e ngushtë nga njëra anë dhe për derën e gjerë dhe rrugën e hapur nga ana tjetër, drurin e mirë dhe drurin e keq, profetët e vërtetë nga profetët e rremë, shtëpinë e ndërtuar mbi shkëmbin që është Krishti dhe shtëpinë e ndërtuar mbi mënyrat e preferencat e njeriut. Kështu këtu kemi moralizmin religjioz nga njëra anë dhe Krishtërimin Biblik nga ana tjetër. Kjo supozon që në botë ekzistojnë paganët idhujtarë që bëjnë orgjia në mes të rrugës dhe e bëjnë këtë për të rendur nga Perëndia, por po kështu po bëjnë edhe këta moralistat religjiozë.

Pra në këtë botë ka dy lloje të arratisurish, religjioz dhe ireligjioz, ortodoks dhe jo-ortodoks, besimtarë dhe jo-besimtarë. Kjo është një temë shumë më e madhe në Bibël nga mund ta imagjinoni, dhe unë sugjeroj që mënyra më e mirë për të bërë ungjillëzim është për tu komunikuar njerëzve që ka tre mënyra për të jetuar. Së pari ka dy mënyra për të jetuar, mënyra sipas Perëndisë dhe mënyra sipas njeriut, të jetuarit sipas vullnetit të Perëndisë apo sipas vullnetit të njeriut, për lavdinë e Krijuesit ose për lavdinë e krijesës. Por mënyra sipas njeriut në vetvete ndahet në dy kategori që në pamje të parë duken shumë ndryshe, që në fakt janë të njëjta por që u duhet komunikuar njerëzve gjatë proçesit të ungjillëzimit pasi të tërë njerëzit bien në njërën prej këtyre kategorive. Ka dy mënyra për tu arratisur nga prezenca e Perëndisë si Shpëtimtar: e para është ajo e të jetuarit keq, ndjekja e mëkatit, e epsheve, e lakmive, e veprimeve të dukshme, skandaloze, pra jeta e njeriut pa asnjë vetë-frenim, kufizim apo moralitet. Kjo është mënyra e parë e të jetuarit për lavdinë e krijesës, për ta shpëtuar atë nga prezenca dënuese e Perëndisë.

Mënyra e dytë është ajo e të qenit një njeri i mirë, moral, që në mënyrë fanatike e ndjek ligjin e Perëndisë për ta përmbushur atë. Kjo mënyrë jetese bëhet me qëllim që Perëndia ti ketë borxh njeriut pranimin në prezencën e Tij, pra shpëtimin. Pra, ka dy mënyra për të kërkuar shpëtimin nga prezenca dënuese e Perëndisë, ajo e të mbyturit të së vërtetës në padrejtësi, dhe ajo e të merituarit të prezencës së Perëndisë përmes një jete religjioze. Të jesh i shpëtuar nga hiri sovran e i pamerituar i Perëndisë është një koncept dhe përjetim radikal. Nëse ne jemi të shpëtuar nga një hir i tillë, atëherë ne humbasim të tëra të drejtat tona, dhe nuk ka më asgjë që Perëndia nuk ka të drejtë të na kërkojë. Nga ana tjetër, nëse ne kemi shpëtuar vetveten përmes punëve tona të mira, meritave e vlerave tona, atëherë marrëdhënia jonë do të jetë si ajo me shtetin. Ne i paguajmë shtetit taksat që na kërkohen dhe si rrjedhim shteti na është borxhli, mbi të gjitha ne kemi të drejtat tona mbi shtetin i cili normalisht kthehet në shërbëtorin tonë momentin që e kemi paguar me taksat tona. Kjo është mënyra e dytë që njerëzit përdorin për tu arratisur nga Perëndia. Me meritat, veprat e mira, ofertat, adhurimin e shërbimin tonë, religjiozi apo moralisti ka për qëllim që ti paguajë taksën Perëndisë, ti mbyllë gojën atij, ti japi të drejta vetes mbi Perëndinë dhe ti heqë atij çdo të drejtë për të na kërkuar ndonjë herë ndonjë gjë. Nëse njeriu i mirë e shpëton vetveten përmes mirësisë së tij atëherë ka një limit përtej së cilës Perëndia nuk mund të kërkojë prej teje. Nëse shpëtimi është plotësisht nga hiri, një dhuratë e pamerituar e Perëndisë atëherë nuk ka asgjë që ai nuk mund të na kërkojë. Kjo është diçka radikale. Kjo është arsyeja përse doktrina e shfajësimit nga vetëm nga hiri i marrë vetëm përmes besimit nuk është popullor apo lehtësisht i pranueshëm sot. Nga njëra anë, njerëzimi perëndimor i influencuar nga revolucioni francez e idetë iluministe e gjen të vështirë që të mos kenë të liri e drejta përpara Perëndisë. Nga ana tjetër, ata brenda Krishtërimit mendojnë që nëse jemi të shpëtuar nga një hir i tillë atëherë kjo i hap rrugën relaksimit të moralit pasi thonë që kjo mund të çojë disa që të thonë “le të mbetemi në mëkat që të teprojë hiri” (Rom. 6:1). Por nëse kuptojmë natyrën radikale të hirit sovran të Perëndisë do të kuptonim që në këtë lloj Krishtërimi nuk ka vend për një relaksim të tillë.

Po ju kujtoj që sot ne po flasim për komunikimin e ungjillit njerëzimit idhujtar, dhe ne të gjithë duhet të mbajmë mend e kuptojmë mirë se si këto dy mënyra idhujtarë për të renduar nga perëndia funksionojnë, pasi vetëm atëherë do ti afrohemi plagës mbi të cilën ne duhet të hedhim balsamin e ungjillit. Pra nga njëra anë kemi një rebelim total e imoral-pagan-ateist, nga ana tjetër kemi moralizmin, qoftë ai edhe i “krishterë” që përpiqet që të mbajë perëndinë larg përmes veprave të mira, një jete të moralshme apo përfshirjes në betejat e Krishtërimit (Mateu 7:21-23). Në këtë kategori të dytë arratisjeje, moralisti ka kthyer moralitetin, religjiozitetin, besimin, sakrificat për fenë kishën apo Perëndinë në një idhull, mirësinë, meritat apo shenjtërinë e tij në një idhull.

Pra, ka dy mënyra për të pasur idhuj, për të renduar nga Perëndia, për të shpëtuar vetveten nga Perëndia. Si rrjedhim si religjioni dhe irreligjioni, si moraliteti ashtu edhe imoraliteti, edhe pse mund të duken totalisht ndryshe në sipërfaqe, ato janë thellësisht e njëjta gjë. Kjo duhet përvetësuar mirë nga ne në mënyrë që të bëjmë ungjillëzim në frymë dhe në të vërtetë. Detyra jonë në ungjillëzim është që tu japim njerëzve tre mënyra për të jetuar, dhe kjo për dy arsye që do ti ilustroj me personazhet e dy vëllezërve të parabolës së Djalit plangprishës (Luka 15:11-32). Së pari, vëllai i vogël i historisë së djalit plangprishës si rregull e di që është mëkatar, dhe nuk krijon shumë probleme për ne në ungjillëzim. Problemet ne i hasim kur takojmë vëllezërit e mëdhenj moralist të kësaj bote, dhe këtu futen shumica e njerëzve të kësaj bote. Kur kuptojmë dhe komunikojmë konceptin se ka dy mënyra për tu arratisur nga Perëndia dhe një mënyrë të tretë për të jetuar ne do të mund të fitojmë vëmendjen e atyre që kanë nevojë të dëgjojnë ungjillin. Së dyti, duhet të dimë që shumë prej vëllezërve të vegjël që jetojnë në rebelim të plotë e bëjnë këtë gjë si reagim ndaj hipokrizisë së njerëzve që bëjnë pjesë në kategorinë e vëllait të madh. Kur studion hipokrizinë dhe vet-drejtësinë e vëllait të madh kupton gjithashtu edhe përse vëllai i vogël largohet nga shtëpia e Atit. Jona është një ilustrim i vëllait të madh dhe marinarët paganë janë ilustrimi i vëllait të vogël. Bota imorale që qorton Kishën moraliste, hipokrite që në fakt është po aq idhujtare sa edhe ajo vetë. Kjo është arsyeja përse Kisha e ka humbur influencën e saj kudo në Evropë, qoftë ajo Katolike, Ortodokse, Anglikane apo Protestanto-Ungjillore. Vetdrejtësia, krenaria, mendjemadhësia dhe hipokrizia e atyre brenda Kishës janë guri i pengesës për ata që janë jashtë kishës dhe ky është mallkim. Kështu kur ndajmë ungjillin, nëse nuk u preçizojmë njerëzve ndryshimin ndërmejt moralizmit religjioz dhe krishterimit biblik, ata do të kujtojmë se po u bëjmë thirrje që thjesht të bëjnë një jetë hipokrite e moraliste.

Pra, mbani mend që ne duhet tua bëjme të qartë dhe duhet tua përmendim shpesh njerëzve që ka tremënyra për të jetuar, që ka dy mënyra për të rendur nga Perëndia, një duke qenë shumë i mirë dhe një duke qenë shumë i keq, por që ka një mënyrë të vërtetë për të qenë në një marrëdhënie me të. Kur bisedon me rebelin imoral ne jo vetëm që duhet ti tregojmë atij idhujt e zemrës së tij por gjithashtu edhe faktin që ne nuk po i bëjmë që të zëvendësojë një idhujtari me një tjetër, një arratisje me një tjetër. Në të njëjtën mënyrë kur takojmë ‘vëllezër të mëdhenj” ne duhet të gërmojmë thellë në zemrat e tyre për tu treguar atyre mënyrën e tyre se si po përpiqen që të rendin nga Perëndia përmes idhujtarisë së moralitetit dhe religjiozitetit tyre. Mësoni dhe mabni mënd në këtë moment një koncept që vjen nga Martin Luteri i cili shkroi që tendenca natyrore e njeriut është që pasi ka marrë dhe kuptuar shpëtimin nga hiri të kthehet e të jetojë në shpëtimin nga veprat. Kjo është një nga arsyet përse Perëndia na ka dhënë 66 libra në Bibël, që predikohet çdo ditë diele dhe që përsëritet po i njëjti mesazh. Zemrat njerëzore të shpëtuara nga hiri i pamerituar dhe sovran i Perëndisë do të kenë deri në ditën e fundit të jetës tendencën për tu kthyer tek mesazhi i moralizmit religjioz, tek mënyra e jetës së vëllait të madh. Ne e kuptojmë ungjillin dhe në mënyrë konstante kthehemi tek mesazhi i drejtësisë si pasojë e meritave e veprave tona. Kur ne e bëjmë këtë, aq më shumë edhe predikimi ynë do të kuptohet si një thirrje për tu bërë të mirë, për tu bërë religjiozë e moralistë që po fitojnë shpëtimin e tyre përmes veprave tona. Bëni dallimin në komunikimin tuaj ndërmjet modelit apo paradigmës moraliste e religjioze të vëllait të madh nga krishterimi Biblik. Njerëzit do të mendojnë se ne po u themi që të shenjtërohen në mënyrë që të shpëtohen kur në fakt ne duhet tu deklarojmë se në fillim vjen shpëtimi dhe mbi të e si pasojë e saj ndërtohet shenjtërimi. Ky është thelbi teologjik i Judaizmit të Dhiatës së Re, të Katoliçizmit ç Ortodoksisë nga Krishtërimi biblik. Nuk është e mjaftueshme që tu themi se shpëtimi është nga hiri, ajo duhet shpjeguar e ilustruar hollësisht. Kjo e bën utopik ungjillëzimin 5-minutësh, dhe na bën thirrje ne që të përfshihemi në një investim më të gjatë kohor në jetët e njerëzve.

Mëkati, Hiri dhe Besimi

Së fundi, le të shikojmë shkurtimisht se si mund tu komunikojmë të tjerëve në ungjillëzim mëkatin, hirin dhe besimin. Së pari ju inkurajoj që tua komunikoni konceptin e mëkatit njerëzve duke përdorur konceptin e idhujtarisë por pa përdorur fjalën idhujtari. Çfarë është idhujtaria? Sigurisht që idhujtaria është mëkat, dhe në disa raste mund të përdorni Predikimin në Mal për të përkufizuar mëkatin dhe idhujtarinë, por në një formë më të shkurtuar idhujtaria nuk është thjesht të bërit e gjërave të këqija, por është  ngritja në qëllimin final të gjërave të mira. Koncepti i idhujtarisë është më e gjerë, pra përfshin si sjelljen e vëllait të vogël, gjërat që janë qartësisht mëkat në këtë botë, por gjithashtu edhe hipokrizinë e vëllait të madh. Idhujtaria është kthimi në synimin final të gjërave të mira të kësaj bote, të jetuarit për diçka që në fakt është e krijuar nga Perëndia për të na shërbyer e afruar edhe më shumë me Perëndinë. Pra, nëse përfshirja në diçka nuk na afron për tek Perëndia por na largon prej tij, ajo është idhujtari. Moraliteti dhe religjioziteti nuk i thyen ligjet e Perëndisë, dhe si rrjedhim janë më të vështira për tu adresuar, por kur provojmë se këto po përdoren si një qëllim në vetvete, apo si një mjet për të marrë përfitime të tjera nga Perëndia, atëherë ne po i afrohemi origjinës së problemit duke përdorur konceptin e idhujtarisë. Për shembull, ju mund ti thoni jobesimtarëve diçka të ngjashme me këtë: Pika e parë, ti po jeton për diçka, cdo njeri gjen një arsye për ekzistencën e tij. Një atlet sprintier njëqind metërshi me apo pa pengesa mund të jetojë për ato dhjetë sekonda që i duhen për të përshkruar distancën. Një muzikant mund e gjen kuptimin e jetës së tij në ato 60 minuta ekzekutimi muzikor. Një prind mund ta gjejë kuptimin e jetës kur shikon fëmijën e tij të rritur e të suksesshëm. Një boksier, politikan, rrugaç apo një alpinist mund të jetojë për atë ndjenjën që ndjen 10 minutat e para pas fitores. Tek Rocky I, personazhi që Silvestre Stallone luan insiston që të ndeshet me kampionin e boksit thjesht për të justifikuar ekzistencën e tij në këtë botë. Ai thotë në një moment: “Nëse ndeshem e di që nuk rroj kot.” Detyra jonë e parë pra, është që të zbulojmë dhe tu tregojmë njerëzve mëkatin e tyre duke u treguar atyre idhujt që kanë në zemër dhe se si ata kanë shndërruar gjerat e mira të Perëndisë në qëllimin final të jetës së tyre. Ato mund të jenë pasuria, pushteti politik, respekti publik, kauza sociale, aprovimi nga shoqëria apo komuniteti që të rrethon, familja, fama, etj. Për këtë folëm javën e kaluar dhe kjo është pika e parë.

Së dyti, duhet tu tregojmë njerëzve që çdo njeri është një skllav. Fakti që personi nuk ka identitet, lumturi apo prehje deri sa ta arrijë atë provon që ai është skllav i saj. Kjo do të thotë që ai idhull që personi ka do ta rrënojë atë apo ai idhull e kontrollon plotësisht atë. Një diçka që të kontrollon në atë mënyrë të shfrytëzon, të shtrydh dhe në fund të fal. Idhujt të premtojnë shumë por nuk të dorëzojnë apo materializojnë premtimet që bëjnë. Nëse ajo gjë që të duhet ta realizosh për të justifikuar ekzistencën tënde, kur nuk e realizon te jep faj e dëshpërim. Nëse dikush të pengon për të realizuar idhullin tënd atëherë do të përjetosh inat e frustrime, nëse diçka e kërcënon atë njeriu do të provojë ankthe të mëdha. Nëse dështon në kauzën e idhullit personi do të përjetojë një masë të madhe faji.

Pra, së pari çdo njeri jeton për diçka, si rrjedhim, së dyti do njeri është skllav. Por së treti, si rrjedhim edhe njeriu më irreligjioz në botë po adhuron diçka ndërsa religjiozi po adhuron diçka tjetër veç Perëndisë. Pra kthehemi tek ato dy mënyrat se si çdo njeri po rend prej prezencës së Perëndisë. Së katërti, ndryshe nga të gjitha këto, Krishti është i vetmi Zot apo padron, ai është i vetmi qëllim absolut e final, ai është i vetmi objekt adhurimi, obsesioni, besimi apo nënshtrimi që nëse e ndërton jetën mbi të, edhe nëse e tradhton për një moment, ai është i vetmi që do të të falë, që do të të pranojë e madje që është i vetmi që nuk të kthen kurrë kurrizin, dhe në fund është i vetmi që nëse mbushesh me të do të të japë përmbushjen dhe satisfaksionin përfundimtar. Nëse karriera është idhulli yt, nëse dështon në karrierën tënde ajo nuk do të të falë kurrë, nuk do të vdesë për mëkatin tënd, nuk do të të japë shfajësimin, paqen që kalon çdo imagjinatë njerëzore dhe as nuk do të të japë satisfaksionin final, por nuk është kështu me Krishtin. Kjo është e vërtetë nëse jetojmë për familjet tona, nëse jetojmë për Kishën, nëse jetojmë për çdo lloj ambicie tjetër. Por Jezus Krishti vdiq në kryq sepse idhujtaria jote është një ofendim ndaj Perëndisë. Por kur ti e kupton që ai ishte personi i duhur dhe i vullnetshëm për të paguar borxhin që ti me idhujtarinë tënde i shkaktove vetes ndaj Perëndisë, dhe nëse ti e bën Krishtin qendrën e jetës tënde, nëse ndërton mbi të, nëse jeton për të, nëse shikon dhe vlerëson vlerën e pafundme të asaj dashurie sakrifikuese, nëse e lejon veten që të rrëmbehesh nga kjo gjë, bukuria e këtij realiteti, e Krishtit do të të ndryshojë zemrën tënde, tërheqja ndaj idhujve do të vijë duke u dobësuar e venitur po kështu edhe skllavëria ndaj tyre, do të jesh për herë të parë i lirë. Dashuria për Krishtin do të vijë duke u forcuar saqë edhe pse do të vazhdosh të përdorësh gjërat e krijuara nga Perëndia për të na shërbyer ne, këtë herë nuk do ta gjesh veten të robëruar nga ato. Krishti është i vetmi Zot apo themel që nëse ndërton mbi të nuk do të të rrëzojë kurrë, nuk do të të robërojë, nuk do të të dështojë apo përjashtojë kurrë, por do të të plotësojë e pranojë, e madje aftësojë për të përjetuar atë, këtë jetë dhe krijesën e Perëndisë në një nivel krejt tjetër dhe të ri.

Kjo është një mënyrë për prezantimin e ungjillit. Kjo është teoria apo linjat përmes së cilave një prezantim i ungjillit duhet të qëndrojë. Javën që vjen unë do të jap një mesazh tipik ungjillizues për t’jua ilustruar më mirë mënyrën se si mund të shpallim ungjillin me të tjerët. Por deri atëherë “shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju” (1Pjet. 3:15). AMEN.