Ora e Përlëvdimit

Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa grekë. 21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: «Zot, duam të shohim Jezusin». 22 Filipi erdhi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit. 23 Por Jezusi iu përgjigj atyre duke thënë: «Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet. 24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! 25 Kush e do jetën e vet, do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. 26 Në qoftë se dikush më shërben, le të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im; dhe në qoftë se dikush më shërben, Ati do ta nderojë. – Ungjilli sipas Gjonit 12:20-26

 “Zotëri, ne duam të shohim Jezusin”! Kjo është kërkesa e dëshira më jetë-ndryshuese, më e perëndishme, dhe më sublime që mund të dalë nga goja e njeriut. Kjo duhet të jetë dëshira e zemrës së çdo njeriu, të madh e të vogël, mashkull e femër, i arsimuar apo i pashkolluar. Por që kjo kërkesë e dëshirë të plotësohet dhe të kthehet në bekim për ne, ne duhet që të dëshirojmë ta shohim dhe ta pranojmë Jezusin ashtu sic Ai është në të vërtetë.

Ky ishte problemi i judenjve të kohës së Jezusit. Atë ditë kur Jezusi hyri në Jerusalem, tërë populli i doli dhe e priti si një mbret dhe shpëtimtar, me brohoritje e palma nëpër duar. Kjo ishte e mrekullueshme dhe përmbushja e profecisë biblike. Problemi ishte se ata e pritën si një mbret dhe shpëtimtar njerëzor, që do ti shpëtonte ata nga sundimi ushtarak i Romakëve dhe sundimi kulturor i Grekëve. Ata nuk e panë atë si Mbreti dhe Shpëtimtari hyjnor që do ti shpëtonte ata nga faji dhe fuqia e mëkatit të jetës dhe zemrave të tyre. Ata e shikonin Jezusin në tërë mrekullitë që Ai bënte. Ata e dëgjonin Jezusin se çfarë thoshte. Por ata shikonin me sy dhe dëgjonin me veshë, dhe jo me zemër. Ata shikonin dhe dëgjonin në mënyrë selektive, atë që dëshironin ata, dhe jo atë që Jezusi po u zbulohej që të ishte.

Ky është edhe sot problemi i njeriut modern. Shumë vijnë në kishë. Shumë thonë se i besojnë Jezusit. Por shumë gjithashtu shikojnë e i besojnë një tjetër Jezusi nga ai që na është zbuluar. Dhe për këtë bën fjalë pasazhi i sotëm. Le të dëshirojmë të shohim Jezusin. Por le të dëshirojmë që ta shohim atë ashtu sic është, sepse kjo kthehet në shpëtim e bekim për ne.

Ora e Përlëvdimit

“Zotëri, ne duam të shohim Jezusin”! Këto fjalë dolën jo nga goja e disa judëve por e disa jo-judëve, e disa grekëve që dëshironin të takonin Jezusin. Pasazhi thotë se “Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa grekë. 21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: «Zot, duam të shohim Jezusin».  22 Filipi erdhi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit.” Tek ungjijtë lexojmë se gjithnjë Andrea sillte njerëz tek Jezusi. Herën e parë ai solli tek Jezusi vetë vëllanë e tij, Simon Pjetrin me fjalët, E gjetëm Mesinë (Gjoni 1:41). Rasi i dytë që lexojmë është kur Andrea solli tek Jezusi një djalë prej nga Jezusi do ti merrte pesë bukë e dy peshq dhe do ti përdorte në mrekullinë e shumëfishimit, në bregun e Galilesë (Gjoni 6:8-9). Ky është rasti i tretë që lexojmë se Andrea sillte njerëz tek Jezusi. Andrea dëshironte që të gjente Mesinë. Dhe pasi e gjeti vetë, sillte edhe të tjerë tek Mesia. Kjo është dëshira e Perëndisë, që ne të sjellim njerëzit që njohim tek Jezusi. Kjo është thirrja e çdo të Krishteri, që të flasim për Krishtin.

Përgjigja e Krishtit ishte e papritur dhe interesante. “Por Jezusi iu përgjigj atyre duke thënë: «Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet.” (Gjoni 12:23). Jezusi e interpretoi arritjen dhe kërkesën e Grekëve ndaj tij se kishte ardhur pika kulmore e shërbesës së tij. Kjo ishte hera e parë që Jezusi bën një deklaratë të tillë. Në fakt, disa herë më parë ai kishte deklaruar me insistim të kundërtën. Tek Gjoni 2, tek dasma në Kana të Galilesë, kur Maria i kishte kërkuar që Jezusi të shpaloste lavdinë e tij, Jezusi i ishte përgjigjur, “Ora ime s’ka ardhur ende!” (Gjoni 2:4). Më vonë, gjatë Festës së Tabernakujve, vëllezërit e tij e nxitën që ta lavdëronte veten e tij duke bërë mrekulli të tjera. Jezusi përsëri iu përgjigj atyre: “Ora ime nuk ka ardhur ende” (Gjoni 7:5). Më pas, lexojmë se kur autoritetet e u munduan që ta arrestonin atë, ata nuk mundën, sepse “ora e Tij nuk kishte ardhur ende” (Gjoni 8:20).

Përse pra, arritja dhe kërkesa e Grekëve bëri Jezusin që të deklaronte se tashmë ora e lavdisë së Tij kishte ardhur?  Krishti, si Zoti Sovran që kishte ardhur në tokë për të përmbushur qëllimin e tij të shpëtimit jo vetëm të judenjve, por të të gjithë botës, kishte orkestruar shkallëzimin e konfliktit ndërmjet tij dhe drejtuesve të Izraelit. Pika e thyerjes së krizës po afrohej me shpejtësi. Bota e jo-judenjve, e përfaqësuar në këtë rast nga këta grekë po kërkonte që të vinte tek Jezusi dhe të bekohej prej tij. Kështu, Pjetri do të predikonte më vonë se Perëndia kishte për qëllim që ungjilli të vizitonte kombet “që të marrë prej tyre një popull për emrin e tij” (Vep. 15:14). Madje që në pasazhin e pararendës lexojmë që Farisenjtë u ankuan se e tërë bota kishte filluar që të rende pas Krishtit (Gjoni 12:19). Ardhja e Grekëve ishte simboli se fitorja ishte afër. E tërë bota ishte gati për atë që Krishti do të bënte më pas.

Çfarë kishte ndërmend Jezusi që të bënte më pas? Jezusi tha, “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet” (Gjoni 12:23). Fraza “Biri i Njeriut” është një titull Biblik, në fakt Mesianik. Vjen për herë të parë nga Libri i Profetit Daniel, që u shkrua në shekullin e gjashtë para Krishtit, tek kapitulli 7. Aty lexojmë: Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij. 14 Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë». Jezusi i Nazaretit është Perëndia i trupëzuar, Ai që është në prezencën e të Lashtit të Ditëve (Perëndisë së përjetshëm), dhe të cilit i ishte dhënë sundimi, lavdia e mbretëria e Perëndisë, një mbretëri e përjetshme mbi tërë kombet. Sa herë që Krishti e quante vetën Biri i Njeriut, ai gjithnjë po deklaronte se ishte përmbushja e Danielit 7.

Dhe kjo është ironia e deklaratave të Krishtit dhe në fakt e ungjillit. Judenjtë prisnin që Mesia do të vinte me pompozitet, me trumbeta, me ushtri njerëzore që do të marshonte mbi tokë. Kjo ishte lavdia që ata donin që Krishti të kishte pa që ata ta ndiqnin atë. Por nga ana tjetër, përlëvdimi të cilin Krishti ka në mëndje, ngritja lart që ai i referohet është ajo e kryqit, e ngritjes dhe e gozhdimit të tij atje lart.

Por nga ana tjetër, përlëvdimi të cilin Krishti ka në mëndje, ngritja lart që ai i referohet është ajo e kryqit, e ngritjes dhe e gozhdimit të tij atje lart.

Vdekja e Krishtit ishte manifestimi suprem i lavdisë së tij. Në Bibël, të lavdërosh është të shpalosësh. Ne lavdërojmë talentin e një piktori duke ekspozuar e ngritur lart në ekspozite një pikturë apo skulpturë të tij. Për Jezusin, ngritja e tij lart në kryq ishte shpalosja e lavdisë së tij. Vetë-sakrifikimi i Krishtit për të shpaguar për fajin e mëkateve tona na shpalosin se kush Perëndia është. Perëndia është plotësisht i shenjtë, dhe nuk mund ta lërë pa e dënuar mëkatin dhe mëkatarin. Por Perëndia është gjithashtu dashuri, i dhembshur e plot mëshirë ndaj njeriut dhe nuk dëshiron që njerëzimi të vdesë në mëkat. Si mund të pajtohet zemërimi i Perëndisë ndaj mëkatit dhe mëkatarit, por pa shkelur mbi shenjtërinë e tij. Perëndia nuk mund të shkojë kundra natyrës së tij. Kjo është e vetmja gjë që është e pamundur për Perëndinë.

Cila është zgjidhja? I drejti duhet që të vdesë për të padrejtët. Atë që njeriu nuk mund ta bëjë dot për veten e tij, duhet që ta përmbushë Perëndia. Kështu personi i dytë i Perëndisë u trupëzua, dhe shkoi në kryq, që të shpaguaj për ne në vendin tonë. Për botën kryqi i Krishtit është vendi i përuljes dhe poshtërimit, për Perëndinë ishte vendi i vetëzbulimit të lavdisë së shenjtërisë së Tij nga njëra ana që nuk mund ta lërë pa e dënuar mëkatin dhe mëkatarin. Kryqi i Krishtit ishte gjithashtu është shpalosja e dashurisë së Tij për njeriun, e një dashuri që merr mbi vete dënimin e të tjerëve. Kjo është lavdia e personit të Perëndisë. Ky është Perëndia ynë. Ky është Shpëtimtari ynë. Prandaj, momentin kur po e arrestonin, Krishti tha: Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të (Gjoni 13:31). Për botën kryqi i Krishtit mund të jetë vendi i përbuzjes dhe i mohimit, por për të Krishterin, kryqi “është lavdia dhe urtësia e Perëndisë” (1 Kor. 1:24).

Parimi i Përlëvdimit

Këtë vazhdon dhe thekson Krishti kur e ilustron përmes një shembulli nga natyra, në të cilin na jep parimin e përlëvdimit. “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!” (Gjoni 12:24). Ashtu siç fara duhet varrosur në tokë me qëllim që ti japë jetë një bime të re, ashtu edhe Biri i Njeriut jep jetë të re, përlëvdohet dhe jep fryt vetëm përmes vuajtjes, vdekjes dhe varrit për tre ditë. Ky është ligji universal frymor në botën tonë të mëkatit. Rruga për tek gëzimi kalon përmes vdekjes së vetvetes. Rruga për tek lumturia kalon përmes vështirësisë, vet disiplinimit. Mëso të mohosh vetveten dhe do të bekohesh. Kjo është çfarë bëri Krishtit, dhe mesazhi i tij për botën që po vinte tek Ai, të përfaqësuar nga këta Grekë. Zoti ynë erdhi që të mbante një kryq dhe jo një kurorë. Ai nuk erdhi që të jetonte një jetë nderimesh, lehtësie dhe madhështie, por një jetë dhënie të vetvetes deri në pikën e turpshme të kryqit dhe të vdekjes. Mbretëria që Ai erdhi që të themelonte dhe të ngrinte duhej që të fillonte me kryqëzimin dhe jo kurorëzimin. Lavdia e kësaj mbretërie nuk do të ishte lavdia e fitoreve të fituara me shpatë në kurrizin e dhembjeve të shkaktuara ndaj të tjerëve, por lavdia e fitores së fituar përmes duarve të gozhduara në kryq të mbretit të saj, që merr mbi vete dhembjet dhe dënimin e të tjerëve.

Mbretëria që Ai erdhi që të themelonte dhe të ngrinte duhej që të fillonte me kryqëzimin dhe jo kurorëzimin.

Jezusi i bë Shpëtimtar vetëm përmes vdekjes. Pa kryq nuk ka Kishë, nuk ka shpëtim, nuk ka Krishterim. Ky është çfarë Krishti bëri, dhe çfarë ne duhet të besojmë e shikojmë me zemër e besim. Ky është se çfarë Krishti është në të vërtetë. Eja tek Krishti. Besoji Krishtit. Përqafoje dhe kapu pas Krishtit përmes krahëve të besimit. Por besoi Krishtit të Biblës, siç na është zbuluar me tërë lavdinë e Tij të kryqit, jo një Krishti të imagjinatës tënde. Shko në përulësi, në gjunjë tek këmbët e kryqit, dhe pranojë Krishtin atje. Të refuzosh kryqin është të refuzosh Krishtin, zemrën e vërtetë të Perëndisë, mënyrën e vetme të shpëtimit tënd prej zemërimit të tij të shenjtë.

Aplikimi i  Përlëvdimit

Por nga ana tjetër, ata që i kanë besuar Krishtit, që kanë përqafuar kryqin e tij, duhet që gjithashtu të përqafojnë edhe kryqin e tyre. Parimi i Jezusit si Shpëtimtar është gjithashtu edhe parimi i shpëtimit që ai jep. Ne nuk kemi nevojë që ti shtojmë sakrificës së Krishtit edhe sakrificën tonë në mënyrë që të pranohemi e të falemi nga Perëndia. Mëkatet tona shlyen dhe falen vetëm nga sakrifica e ofruar nga Krishtit. Por pasi jemi shpëtuar, çështja është edhe se si duhet të jetojmë. Këtë na e jep Krishti kur tha: “Kush e do jetën e vet, do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme” (Gjoni 12:25).

Çfarë ishte e vërtetë për Jezusin do të jetë e vërtetë për ndjekësit e Tij. Le ta kuptojmë siç duhet këtë varg. Jezusi nuk thotë që ne duhet të urrejmë vetë jetën, dhe se as nuk duhet të duam gjërat e mira që Perëndia ka vendosur në këtë botë. Kuptimi i Jezuit bëhet i qartë kur vëmë re dy fjalët e ndryshme greke që ai përdor për “jetën”. Në paragrafin e parë, kur Jezusi na thotë të mos e duam «jetën», ai përdor fjalën psyke. Nga kjo vjen termi psikologji. Jezusi do të thotë që ne duhet të hedhim poshtë mënyrën se si bota mendon dhe ndjen. Ne duhet të mohojmë jetën me egon tonë në qendër. Por, së dyti, kur Jezusi flet për fitimin e “jetës së përjetshme”, ai përdor fjalën zoe. Kur bashkohet me fjalën “përjetshme”, kjo i referohet jetës hyjnore në ne. Pra, ne duhet të kthehemi nga egoja e dikurshme e botës – në këtë të fundit, në jetën hyjnore që na jepet nga Fryma e Shenjtë që Jezusi na dërgon. Ka disa të krishterë që mendojnë se mund të blejnë biletën për në parajsë dhe ndërsa presin për trenin e fundit, të jetojnë si djaj në këtë botë. Ata thonë se mnd të shpëtohesh mjaftueshëm vetëm duke e pranuar Krishtit si Shpëtimtar, dhe se nuk ke nevojë që ta pranosh atë edhe si Zot. Pra, ata duan shpëtimin që ta kenë në xhep, por nuk duan që të japin bindjen dhe nënshtrimin pasi janë shpëtuar. Por bibla thotë se ne jemi të shpëtuar për të bërë veprat e Krishtit, për të bërë vullnetin e Perëndisë, me qëllim që Perëndia të përlëvdohet në jetën tonë. Mesazhi i Krishtit është që ne të kthehemi nga jeta e mëkatit dhe e kësaj bote në atë që Perëndia ofron dhe për të cilën Krishti vdiq.

Mesazhi i Krishtit është që ne të kthehemi nga jeta e mëkatit dhe e kësaj bote në atë që Perëndia ofron dhe për të cilën Krishti vdiq.

Si bëhet kjo praktikisht? Së pari, ne duhet të vdesim për sa i përket vetes tonë. Ne duhet që t’ia dorëzojmë jetët tona Krishtit; planet e dëshirat tona, preferencat e strategjitë, mënyrat e qëllimet. Thirja është që të bëjmë ato gjëra që Krishti do që ne të bëjmë, dhe madje në mënyrën që ai na i instrukton që ti bëjmë. Vecanërisht kjo i referohet qëndrimit tonë ndaj qëllimeve dhe vlerave të botës, të cilat kryesisht fokusohen tek paraja, suksesi, fama, pushteti dhe kënaqësia. Ti ose do të jetosh për to, dhe ato do të jenë idhulli yt që do të të skllavërojë deri në fund, ose do të jetosh për lavdinë e Perëndisë. Nëse si i krishterë, do të jetosh për gjërat e me mënyrat e kësaj bote, jo vetëm që nuk do të avancosh frymërisht, por do të jetosh një jetë të dyzuar, nën skllavërinë e brerjes së ndërgjegjes dhe fajit. Nuk do të jesh kurrë i lirë. Njeriu nuk mund të ketë dy zotër. Nda ana tjetër, kur ti vdes për veten, ti jeton me të vërtetë i lirë, një jetë shërbimi e bekimi ndaj Perëndisë e njeriut.

Së dyti, ne vdesim për sa i përket mëkatit. Ndjekësi i Krishtit duhet të vdesë ndaj mëkatit. Pali tha, “Kështu edhe ju, llogariteni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Krishtin Jezus, Zotin tonë. 12 Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta. 13 As mos ia paraqitni gjymtyrët tuaja mëkatit si mjete padrejtësie, por i paraqisni veten tuaj Perëndisë, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie Perëndisë” (Rom. 6:11-13). Ne vdesim ndaj mëkatit kur e ngordhim urie mëkatin në zemrën tonë, dhe duke ia dedikuar jetën tonë Perëndisë. Këtë e bëjë duke mos e vendosur veten tonë në kontekstin e tundimeve e mëkatimeve por të shenjtërimit e inkurajimit. Këtë e bëjmë kur u shërbejmë të tjerëve. Këtë e bëjmë kur i përdorim buzët tona jo për të përgojosur, sharë, e bërë thashetheme, apo për tu ankuar e akuzuar, por duke i kënduar lavde Perëndisë, duke inkurajuar të tjerët, duke u lutur për ta. Duke shpërndarë ungjillin. Ne e bëjmë këtë kur ia ofrojmë mendjet tona jo mënyrave të botës, por e mbushim atë me dritën e Fjalës së Perëndisë. Dhe duke qenë se zemra jonë e dashuron mëkatin e saj, ne duhet ta bëjmë këtë çështje për lutje e agjërimi të vazhdueshëm. Mbi të gjitha, ne duhet që ti përkushtohemi një miqësie personale dhe intime me Perëndinë përmes studimit personal të Fjalës së Tij.

Shtegu i Përlëvdimit.

Pasi na ka dhënë parimin dhe aplikimin e përlëvdimit, që është përulja, kryqi, dhe shenjtërimi, Krishti na jep edhe rrugën që duhet të përshkojnë ata që e ndjekin atë. “Në qoftë se dikush më shërben, le të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im; dhe në qoftë se dikush më shërben, Ati do ta nderojë” (Gjoni 22:26).

Së pari, Jezusi tha, “Në qoftë se dikush më shërben, le të më ndjekë”. Ky ishte mesazhi i tij për Grekët që erdhën ta kërkonin. J.C. Ryle komenton: “Ashtu sic ushtari ndjek gjeneralin, ashtu sic nxënësi ndjek mësuesin, ashtu sic delja ndjek briun, ashtu i Krishteri i vërtetë duhet të ndjekë Krishtin. Besimi dhe bindja janë shenjat kryesore të ndjekësve të vërtetë të Krishtit, dhe do të jenë gjithnjë të dukshme në besimtarin e vërtetë.”

Së dyti, Jezusi tha, “dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im…”. Ky nuk është një urdhër, por një premtim personal nga Jezusi. Ky është shpërblimi, privilegji dhe kënaqësia jonë në këtë jetë: të kemi inkurajimin e Krishtit, të marrim aprovimin e tij, dhe të jetojmë nga fuqia e tij. Por kjo është vetëm për ata që ndjekin Krishtin dhe për asnjë tjetër, të Krishterë apo jo. Të ndjekësh Krishtin është tërësia e detyrës së të Krishterit, ndërsa të jesh me Krishtin është tërësia e shpërblimit prej tij.

Së treti, premtimi më i madh i Krishtit në këtë pasazh është ky:  “…dhe në qoftë se dikush më shërben, Ati do ta nderojë”. Gjithsecili prej nesh në këtë jetë synon për lartë e më partë. Ose të paktën kështu mendojmë se bëjmë. E vërteta është se ne nuk synojmë për aq lart sa duhet. Ne mjaftohemi me lumturi tokësore ndërsa Krishti na thërret në shenjtëri. Ne mjaftohemi me sukses tokësor ndërsa në fakt jemi të  bërë dhe të shpëtuar për lavdi qiellore. Ndërsa ata që ndjekin Krishtin këtu në tokë do të kenë sfida e madje persekutime, Krishti thotë se pas vuajtjeve vjen nderimi, lavdërimi prej Atit dhe brohoritja e Tij.

Dikur disa Grekë iu afruan Filipit dhe i thanë, “Zotëri, ne duam të shohim Jezusin”! A dëshiron edhe ti që të shikosh Jezusin sic është në të vërtetë? Atëherë shiko kryqin e Tij. Rrëfe mëkatet e tua, dhe fajin e mëkatit tënd Perëndisë, përqafo shpëtimin që Perëndia të ofroi në pësonin dhe veprën e Krishtit, si e vetmja rrugë shpëtimi për ty. Pendohu dhe beso në Krishtin dhe do të shpëtohesh. Do të shpëtohesh edhe pse vetja jote e vjetër do të vdesë, dhe me këtë shpëtim do të vijë jeta e përjetshme këtu e tani, dhe deri në përjetësi, një jetë e plotë sepse do të jetë e mbushur me jetën e Krishtit, me lavdinë e Tij, me bekimet e prezencën e Tij.