Shpërblesë për Shpengimin e Shumë Vetave

E Enjte e Mandatit të Madh

18 Prill 2019

Kush ishte Jezusi? Çfarë bëri Jezusi? Këto janë dy pyetjet më të rëndësishme që i jep përgjigje e tërë Bibla, dhe veçanërisht në mënyrë më të drejtpërdrejtë, të katër ungjijtë në Dhiatën e Re. E thënë ndryshe, e tërë Bibla na shpalos personat dhe punët e Perëndisë, dhe në mënyrë më specifike, vetë personin dhe punën e Krishtit.

Në këtë mesazh të së Enjtes së Mandatit të Madh, do të fokusohem në një aspekt të punës së Krishtit. Tek Ungjilli sipas Markut 10:45, vetë Zotit tha për veten e Tij:

Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave».(Marku 10:45)

Kjo deklaratë e Krishtit na zbulon se kush ai ishte dhe se çfarë ai erdhi të bënte. Cfarë realizoi Krishti përmes vdekjes së Tij në kryq? Cili ishte qëllimi i Tij, kur lejoi që ta arrestonin dhe kryqëzonin? Përse lejoi që ta bënin të vuante kaq shumë? Këtyre pyetjeve i përgjigjet vargu në studim. Biri i Perëndisë erdhi “për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave”.

Çfarë dhe Përse një Shpërblesë?

Së pari, çfarë është një shpërblesë? Shpërblesa është një pagesë që jepet për të çliruar dikë apo diçka të grabitur apo të kapur peng. Shpërblesa mund të jetë në para, apo edhe në forma të tjera.

Në nëntor të vitit 1884, një djalë i ri shqiptar, me ëndrrën për të ndryshuar kombin, niset me një karrocë që shkonte për në Korçë, pa e ditur se rrugës i kishin zënë pritë. Ky ishte Gjerasim Qiriazi. Më pas, ai rrëfen në librin e tij, “Pengu i Kaçakëve”, tërë historinë e kapjes, jetës për gjashtë muaj në robëri dhe lirimin e tij. Sipas këtij libri, pengmarrja përkundrejt një shpërblese ishte një fenomen i zakonshëm në ato zona. Kjo është pjesë e historisë së kombit tonë. Për Gjerasimin, ishte ai kalvar i dhimbshëm që nxiti vendimin e tij për t’i nxjerrë bashkatdhetarët e vet nga errësira, duke punuar për alfabetin shqip, shkollën shqipe, dhe predikimin e ungjillit. Në fakt, përjetimi i pengmarrjes përkundrejt një shpërblese bëri që Qirizi të kuptonte më thellë shpengimin e tij frymor për të cilin flet ungjilli. Shpërblesa pra, është një pagesë që jepet për të çliruar dikë apo diçka të grabitur apo të kapur peng.

Së dyti, përse Krishti flet për shpërblesë? Përse është shpërblesa e domosdoshme? Perëndia e Krijoi Adamin dhe Evën pa mëkat. Ai i vendosi ata në Kopshtin e Edenit dhe i vendosi në Besëlidhjen e Veprave (apo të Jetës), nën një urdhërese të vetme: “Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: «Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit; 17 por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri»,” (Zan. 2:16-17). Por Adami dhe Eva hëngrën nga fruti i ndaluar. Ata mëkatuan, ranë nga lavdia e Perëndisë, humbën shenjtërinë në të cilin ishin krijuar, vdiqën frymërisht, dhe madje u bënë të vdekshëm edhe fizikisht. Mbi të gjitha ata u ndanë frymërisht nga Perëndia, dhe tërhoqën në këtë rrënim edhe tërë racën njerëzore që erdhi prej tyre. Jezusi na përshkruan tek Gjoni 8:34 si skllav i mëkatit: «Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kushdo që kryen mëkatin është skllavi i mëkatit.» Krishti nuk thotë se çdo njeri herë pas here mëkaton, por se çdo njeri është nën fuqinë e mëkatit. Ne jemi skllevër të mëkatit dhe ne duhet të shpengohemi nga fuqia e tij.

Paga e mëkatit është vdekja, si në këtë botë edhe në atë që vjen, një vdekje frymore që e vulos dhe e vërteton vdekja fizike. Mëkati e hodhi njerëzimin nën tërbimin e zemërimit të Perëndisë, dënimit dhe mallkimit të tij, që duhet qetësuar pa njeriu të shpëtojë. Këtë qetësim realizon shpërblesa.

Shpërblesa paguan për mëkatin tonë. Shpërblesa na çliron nga fuqia e mëkatit tonë.

Kush e merr Shpërblesën?

Disa teologë kanë thënë se kjo shpërblesë i paguhet Satanit. Kjo është gabim dhe aspak biblike. Sipas kësaj teorie, Krishti i pagoi Satani shpërblesën për transferimin tonë nga mbretëria e Satanit, ku ndodhemi për shkak të mëkatit tonë, tek Mbretëria e Perëndisë.

Por ky interpretimin nuk gjendet aspak në Bibël. Në asnjë pasazh nuk gjejmë të thuhet se Satani duhej paguar që të lejonte mëkatarët që të shpëtoheshin. Në këtë rast, është Satani ai që fiton sepse del që është ai sovrani i universit, ai që vendos se kush do të shpëtohet, dhe shpërndarësi i shpëtimit.

Në fakt, në Bibël lexojmë se çfarë ndodhi në kryq ishte mundja e Satanit dhe jo dita e rrogës për të. Perëndia nuk negocion me Satanin. Bibla thotë se Biri i Perëndisë erdhi në këtë botë “që të shkatërronte, me anë të vdekjes atë, që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin” (Heb. 2:14). Krishti erdhi që të shpengojë pengjet përmes shkatërrimit të veprës së Satanit dhe jo pagimit të tij.

Kush e morri këtë shpërblesë atëherë? E thënë shkurt, Perëndia pagoi Perëndinë. Perëndia Biri ia ofroi këtë shpërblesë Atit. Vini re se çfarë thotë Bibla:

  • Efesianëve 5:2 – “Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si blatë dhe flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë”.
  • Hebrenjve 9:14 – Krishti “a ofroi veten e tij të patëmetë Perëndisë”.
  • Romakëve 8:1 – Bibla thotë se, pasi Krishti e dha veten e tij si një ofertë për ne që besojmë, “nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus”.
  • Romakëve 3:24-25 – “…të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë, 24 por janë drejtësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus, 25 të cilin e paraqiti Perëndia si pajtimore nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë”.

Pra, çfarë Krishti bëri në kryq ishte se ofroi një ofertë sakrifikuese e bërë në pajtimore, ndaj Perëndisë, për të shmangur zemërimin e tij dhe për të rikthyer njerëzit prej nga ata janë rrëmbyer. Jo është çfarë shpërblesa bën, rikthen dikë aty prej nga është rrëmbyer. Shpërblesa e Krishtit na kthen tek Perëndia. E gjitha kjo duhet marrë prej nesh me anë të besimit.

Cila ishte Paga e Shpërblesës?

Le të vëmë re gjithashtu se cili ishte çmimi i shpërblimit? Çmimi i shpërblesës për lirimin nga dënimi i Perëndisë është jeta e Krishtit. Jo vetëm jeta që Ai jetoi, por dorëzimi i jetës së tij në vdekje. Jezui u tha vazhdimisht dishepujve të tij: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe do ta vrasin; dhe, si të vritet, ai do të ringjallet ditën e tretë» (Marku 9:31). Në fakt, një nga arsyet pse Jezui e quante veten “Biri i Njeriut” (mbi gjashtëdhjetë e pesë herë në Ungjijtë) ishte sepse ai e kishte bërë veten të vdekshëm pikërisht për këtë qëllim. Perëndia nuk vdes. Njeriu është ai që vdes. Kjo është arsyeja se përse Shpëtimtari duhej të ishte plotësisht njeri. Ai duhej që të vdiste si njeri në vend të njeriut. Por shpërblesa ishte kaq e rëndë saqë vetëm Perëndia mund ta mbante e ta ofronte. Për këtë arsye Shpëtimtari duhej të ishte gjithashtu plotësisht Perëndi. Shpërblesa mund të paguhej vetëm nga Biri i Njeriut, sepse shpërblesa ishte jeta e dhënë në vdekje.

Si u bë kjo pagesë?

Shpëtimtari e ka këtë pagesë, këtë shpërblesë vullnetarisht.  Askush as nuk e detyroi Birin e Perëndisë dhe as nuk mund ta detyronte dot atë. Prandaj Jezusi tha, Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave».(Marku 10:45). Perëndia nuk ia ka nevojën njeriut për asgjë. Në fakt, Apostulli i Krishtit thotë se Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, 25 dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë (Veprat 17:24-25). Perëndia është dashuri. Perëndia është një dhënës dhe jo një marrës. Krishti tha, Askush nuk e merr nga unë, por e jap nga vetja ime; unë kam pushtet ta lë dhe kam pushtet ta marr përsëri; këtë urdhërim e kam marrë nga Ati im (Gjoni 10:18). Krishti vullnetarisht dhe lirisht e ofroi veten e Tij për ne, për të na shpenguar ne nga zemërimi i perëndisë, si dhe nga faji dhe fuqia e mëkatit.

Sa Persona Shpengon Shpërblesa e Krishtit?

Së fundi, sa persona mbulon apo shpengon shpërblesa që pagoi apo ofroi Krishti? Së persona shpëton vërtetë Krishti? Krishti tha se e ka dhënë jetën e Tij “për shpengimin e shumë vetave” (Marku 10:45). Jo të gjithë do të shpëtohen nga zemërimi i Perëndisë. Ne nuk mund ta dimë sepse nuk na është shpallur se cili është numri id saktë i tyre, apo se cilën janë ata me emër. Por çfarë ne dimë është se oferta e ungjillit është për të gjithë. Ungjilli i bën të gjithë njerëzve thirrje që të pendohen dhe të besojnë në Zotin, Shpëtimtarin, Krishtin, Jezusin Birin e Perëndisë. Perëndia premton se kushto që beson do të shpëtohet. Të gjithë ata që do të besojnë do të shpëtohen. Sepse një është Perëndia, dhe një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krishti Jezus, 6 i cili e dha veten e tij si shpërblesë për të gjithë (1 Timoteut 2:5-6).

Askush nuk do të përjashtohet nga ky shpëtim, nëse e përqafon me anë të besimit Jezu Krishtit që shpengon.

Thirrja:

Pyetja personalisht për ty është: A ia ke besuar veten tënde Zotit? A kapesh pas Zotit Krisht përmes krahëve të pendimit dhe besimit? A je i shpenguar nga skllavëria e mëkatit? Nëse tashmë kapesh pas Krishtit përmes krahëve të besimit në të, atëherë ti je i çliruar dhe i shpenguar nga mëkati, faji dhe fuqia e tij. Jepi lavdi Perëndisë. Adhurojë atë. Shërbeji Atij.

Nëse je një drejtues në kishë kujto fjalët që Apostulli u tha pleqve të Kishës së Efesit: “Kini kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë juve mbikëqyrës që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e vet” (Veprat 20:28). Të gjithë ne duhet të kujtojmë se Krishti ofroi shpërblesë që të mos mëkatojmë më por për vepra të mira: Krishti “e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.” (Titi 2:14). Ji i frytshëm e i shenjtë sepse për këtë të shpengoi Krishti.

Nëse e ndjen veten larg Krishtit, nëse nuk je shpenguar nga gjaku shpërblyes i Krishtit, lutu Atij të të shpëtojë, të shtrojë shpërblesën e tij mbi ty, të të mbulojë edhe ty me gjakun e Tij. AMEN.