Ky eshte Profeti – Gjoni 6:1-14

Kemi për studim një nga mrekullitë më të jashtëzakonshme të Zotit tonë. Kjo është mrekullia që Ai bëri para më shumë njerëzve dhe në mënyrë më të hapur se të tjerat. Shumimi i bukëve për të ushqyer 5.000 njerëz është e vetmja mrekulli që e gjejmë të treguar në të katër ungjijtë. Vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për të na treguar që kjo mrekulli është tepër e rëndësishme për ne për tu studiuar. Ne duhet ta kuptojmë këtë mrekulli si simboli i vetë Jezus Krishtit që është dhurata e Perëndisë për të ushqyer shpirtrat e uritur. Në fakt, të gjitha mrekullitë na zbulojnë se kush është Personi i Krishtit, Buka e Jetës.

Lexoni Gjoni 6:1-14, si edhe pasazhet paralele: Marku 6:30-44; Mateu 14:13-31; Luka 9:0-17.

  1. Cili është konteksti i kësaj mrekullie madhështore?
  2. Nëse bibla juaj ka një hartë, gjej në të Liqenin e Galilesë. Përse po e ndiqnin turmat Jezusin? Kush, besonin ata, se i bënte këto mrekulli?
  3. A e ndiqnin ata Jezusin për çfarë Ai ishte apo për çfarë ai bënte?

Vini re se si turmat nuk e kuptuan dhe vlerësuan aspak Personin e Krishtit; kush Ai ishte me të vërtetë. Ata e shikonin Jezusin vetëm si një magjistar që mund të bënte diçka, ose të paktën si një mjek të zakonshëm popullor që mund të shëronte të sëmurë.

  1. Sipas studimeve të mëparshme, çfarë na zbulojnë mrekullitë mbi personin e Jezusit?
  2. Sot ka shumë persona që e quajnë veten shërues apo mrekulli-bërës, dhe që tërheqin vëmendjen e njerëzve. Turmat sot nuk janë shumë ndryshe nga turmat atëherë.
  3. Si mund të dallojmë sot se cila “mrekulli’ është vërtetë nga Perëndia? (Kthehu tek mësimi një dhe përkufizimi i një mrekullie të vërtetë)
  4. Përse shkoi Jezusi në mal (v. 3)?
  5. Cili ishte reagimi i Jezusit kur pa turmat?
  6. Çfarë i kërkoi Filipit (v. 5-6)? Përse?
  7. Nëse Jezusi i njihte mendimet e Filipit, përse e testoi atë?
  8. Nëse ky testim ishte për përfitimin e Filipit, a mund të themi gjithashtu, që edhe sprovat tona nga Zoti janë për përfitimin tonë?
  9. Çfarë na zbulojnë ne këto sprova nga Zoti?
  10. Çfarë detaji nga pasazhi të bën të mendosh se Filipi ishte një tip tepër praktik?
  11. Në atë kohë, 1 denar ishte paga ditore për një punëtor të zakonshëm në Galile. Si e inkurajoi Andrea, qëndrimin disfatist të Filipit (v. 9)?
  12. Çfarë të bën të mendosh se djaloshi ishte i gatshëm që të ndante copat e bukës dhe dy peshqit me Jezusin dhe dishepujt e tij?
  13. Çfarë të bën të mendosh se Jezusi ishte në kontroll të situatës (v. 10)?
  14. Pasi turma u ul në tokë, ata mund të shihnin qartë veprimet e Jezusit. Kujt i dha falënderime Jezusi? Përse?

Në mrekullinë e shërimit të të sëmurit, Jezusi ktheu diçka që kishte qenë më parë, por në mrekullinë e dytë, në shumimin e bukëve, Jezusi solli në ekzistencë diçka që nuk kishte ekzistuar më parë. Kjo tregon fuqinë sovrane të Krijuesit që kishte Jezusi.

  1. Çfarë të bën të besosh nga vargjet 11-12, që të gjithë përfituan nga mrekullia e Jezusit?
  2. Përse ishte e domosdoshme që dishepujt të mblidhnin tepricat e bukës dhe peshkut?
  3. Çfarë dëshmie ishte për ta fuqia madhështore e Krishtit?

Tek vargu 12 lexojmë se ata kishin ngrënë deri sa ishin ngopur. Kjo tregon përmbushjen që ata kishin provuar kur kishin marrë pjesë në veprën e Zotit Jezus Krisht. Në realitetin frymor, të gjithë ata që vijnë tek Ai, mbushen dhe kënaqen. Nevojat e zemrës së tyre ishin përmbushur. Më vonë, Zoti ynë e quan veten e Tij “buka e jetës” (v. 35), dhe thotë “Unë jam buka e jetës; ai që vjen tek unë nuk do të ketë uri dhe ai që beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.” Falja e mëkateve dhe paqja me Perëndinë bëhen realitet për ne kur ne vijmë me përulësi tek Personi i Krishtit Zot, dhe marrim veprën e Tij në kryq përmes besimit.

Kur turmat panë mrekullitë e Jezusit ata thanë, “Me të vërtetë, ky është profeti që duhet të vijë në botë” (v. 14). Ata po prisnin Profetin që u ishte premtuar në Dhiatën e Vjetër (LiR. 18:15). Ata e dinin se ky Profet do ta zbulonte veten e tij si të tillë përmes mrekullive e shenjtave, dhe pasi ta zbulonte veten, populli duhej ta ndiqte dhe ta dëgjonte. Profeti i Perëndisë do t’u zbulonte atyre mendjen e Perëndisë. I tërë kapitulli 6 i Gjonit na zbulon personin dhe qëllimin e Profetit të vërtetë, Jezus Krishtit. Tek vargu 47 ai thotë qartë se përse kishte ardhur, “Në të vërtetë, në të vërtetë, po ju them: Ai që beson në mua ka jetë të përjetshme.” Zoti ynë ka ardhur që ne të besojmë dhe të kemi jetën e përjetshme.

  1. Në mbyllje, rishiko Mësimin 1. Si mund ta dimë se kjo ishte një mrekulli nga Perëndia?
  2. A ndodhi kjo mrekulli menjëherë? A u bë në botën fizike? A ishte e dukshme për shqisat? A mund të interpretohej se mund të vinte vetëm nga forca e Perëndisë.
  3. Nëse çdo mrekulli shoqëron një mësues feje, kush ishte ky mësues?
  4. Së fundi, a i konfirmuan këto mrekulli, fjalët e thëna nga Zoti?

Pasi Jezusi ushqeu pesë mijë njerëz, populli që i pa këto shenja arriti në përfundimin e drejtë, “Me të vërtetë, ky është profeti që duhet të vijë në botë” (v. 14). Ata e dinin se vetëm profetët bëjnë mrekulli. Turma logjikoi po në të njëjtën mënyrë edhe tek Gjoni 7:31, “Dhe shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshin: Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?” Tek Gjoni 7, ata që panë veprat e fuqishme të Krishtit ishin të bindur se Ai thoshte të vërtetën kur deklaronte se ishte Krishti. A beson edhe ti që Jezusi është Krishti? Si të ka ndihmuar deri tani ky studim i mrekullive të Krishtit, që të zbulosh e besosh këtë të vërtetë?

Kujto që nëse mrekullitë e Krishtit janë të vërteta, dhe se Ai është Profeti nga Perëndia, atëherë ju duhet të besoni çdo gjë që ai të thotë. Nëse je një besimtar i vërtetë, nëse e ke vendosur plotësisht besimin tënd vetëm në Krishtin për jetën tënde, nëse e pranon nevojën për të u pastruar nga faji i mëkatit dhe dënimi i tij, atëherë ti duhesh ti bindesh urdhrave të Zotit.

Në këtë mrekulli kemi parë se si vepra e tij vërteton identitetin e personin të tij si Zoti Krisht. Në fakt, të gjitha mrekullitë na zbulojnë e provojnë Personin e Tij, dhe na bëjnë thirrje që ta përulin veten përpara Atij që na deshi dhe e dha veten e Tij për ne. Si ka qenë kjo mrekulli një inkurajim për ju, ndërsa luteni për nevojat e përditshme? A mund ti përmbushë Perëndia nevojat tuaja në përputhje me lavdinë e tij, ashtu siç shumoi bukën dhe peshkun? Shpresoj dhe lutem që përmes këtij studimi, ne të gjithë të rritemi në besimin, dashurinë dhe bindjen tonë ndaj Zotit ndërsa Ai na e zbulon veten e Tij përmes veprave të Tij të fuqishme.