Rëndësia e Studimit të Historisë së Krishterimit

Historia e komuniteti Kristian dhe e marrëdhënies së saj me botën përgjatë tërë kohërave” (A. M. Renwick).

“Historia e Kishës është regjistrimi i interpretuar i origjinës, progresit dhe  impaktit të Krishtërimit mbi shoqërinë njerëzore, bazuar mbi të dhënat e mbledhura përmes metodave shkencore nga burimet arkeologjike e dokumentat historike të shkruara apo të gjalla. Ajo është historia e mbledhur, e interpretuar dhe e organizuar e shpëtimit të njerëzimit dhe e botës ku jeton ai.” (E. E. Cairns).

Historia e Kishës është historia e veprës shpëtuese të Perëndisë në, përreth dhe përmes Kishës së Tij, për bekimin e saj, nxitjen e ardhjes së dytë të Krishtit dhe lavdinë e Perëndisë.

Ne jetojmë në një kohë kur njohuria e historisë së Kishës apo e Krishterimit mungon në përmasa të rrezikshme, dhe ajo që është më shqetësuesja është moskokë/arja dhe madje neglizhimi i ndërgjegjshëm i historisë tonë. Kjo na ka sjellë në një situatë të ngjashme me atë të Gjy. 21:25 ku secili bën atë që duket më e drejtë në sytë e tij. Kjo mungesë njohuri e veprave të Perëndisë në të kaluarën evidentohet edhe në apostazinë e përgjithshme të Kishës, vet-varësinë dhe autonominë nga Perëndia (L.Rip. 5:15).[1] Studimi i veprave të Perëndisë në të kaluarën (Psa. 77:11)[2] nuk është një çështje e parëndësishme dhe as një opsion që na lihet ne për zgjedhje. Mbi të gjitha ajo është një mjet bekimi, dishepullizimi dhe inkurajimi për një jetë me të vërtetë të Krishterë plot bindje e shenjtëri nën Krishtin, Zotin tonë.

Urdhëresa dhe Shembulli Biblik

Perëndia në Bibël na urdhëron që të studiojmë historinë. Tek Jer. 6:16 Perëndia urdhëron popullin e Tij “Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.” Tek Isa. 51:1 ai thotë “Dëgjomëni, ju që ndiqni drejtësinë dhe kërkoni Zotin! Shikoni shkëmbin nga i cili jeni prerë dhe zgafellën e minierës prej së cilës keni dalë.” Libri i Jobit 8:8-10 i ofron këtë këshillë atij që kërkon urtësinë dhe njohurinë: “Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre; 9 ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije. 10 A nuk do të na mësojnë vallë ata dhe a nuk do të na flasin ata, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre?

Tek Hebrenjve 11 Apostulli pasi rendit një litani heronjsh të besimit, na jep qëllimin që ai ka për këtë përsiatje të historisë së Kishës së Dhjatës së Vjetër: “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, 2 duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë,” (Heb. 12:1-2). Bindja dhe besimi tek Krishti është qëllimi i historisë për autorin e Letrës drejtuar Hebrenjve. Kësaj apostulli i shton urdhrin: “Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre,” (Heb. 13:7).

Me përjashtim të një numri të vogël profecish, Perëndia nuk na instrukton që të shikojmë tek e ardhmja për shenjtërimin tonë, por tek e shkuara. Pasi ka renditur ngjarjet që i ndodhen Israelit pas daljes nga Egjipti nën Moisiun, Pali thotë se të tëra këto “janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët,” (1 Kor. 10:11). Po kështu, Pali e shikon induktimin e të Krishterit me shpresë si një prej qëllimeve të historisë sonë. “Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë,” (Rom. 15:4). Parimi është ky, e kaluara ka ndikim direkt mbi jetën tonë Kristiane. Përgjegjësia e frikshme që duhet të dalë nga kjo është fakti që çfarë ne bëjmë sot ka lidhje e ndikim direkt me jetën e Kishës për brezat që vijnë.

Po kështu, disa përfitime të tjera të studimit të historisë sipas Biblës janë këto:

Inkurajimin e Adhurimit e Meditimit: “Kujto ditët e lashtësisë, ki parasysh vitet e shumë kohërave të shkuara, pyet atin tënd, dhe ai do të ta tregojë, pyet pleqtë e tu dhe ata do të ta thonë. 8 Kur Shumë i Larti u dha kombeve trashëgiminë e tyre, kur ndau bijtë e Adamit, ai përcaktoi kufijtë e popujve, në bazë të numrit të bijve të Izraelit,” L.Rip. 32:7-8. “Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, 12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua” (Psa. 77:11-12). “Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim,” (Psa. 126:3).

Shkatërrimin e Krenarisë: Kur kujtojmë se e vetmja gjë që ne ofruam për shpëtimin tonë është mëkati ynë, dhe se Perëndia bëri gjithçka tjetër për shpengimin tonë, nuk ka se si të ngelet shumë vend për krenari. “Mbajeni mend këtë ditë, gjatë së cilës dolët nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë; sepse Zoti ju nxori nga ky vend me dorë të fuqishme,” (Eks. 13:3), po kështu Li.Rip. 5:15, 15:15. “Kujto gjithë rrugën që Zoti, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këtë dyzetë vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde dhe në se do të respektoje apo jo urdhërimet e tij,” (8:2). Tendenca e zemrave tona është që ne ta shikojmë veten si gjeneratën më madhështore të besimtarëve në historinë e njerëzimit. Por kjo vet-madhështi humbet kur studiohen jetët e Etërve të Kishës, martireve të hershëm si Ignanti i Antiokut (35-108 AD) e gatishmërinë e tij për ti shërbyer Krishtit deri në vdekje kur i shkruan kishës në Romë këto fjalë: “Le të më hanë bishat në arenë, ata janë rruga ime për tek Perëndia. Unë jam kalliri i grurit në dorën e Zotit tim, që korret e bluhet nga dhëmbët e luanëve për tu bërë një bukë e pastër për Krishtin.” Kjo jo vetëm që duhet të na ulë krenarinë por edhe të na sfidojë stilin e shkujdesur të jetës që ne bëjmë.

Inkurajimin e Lutjes: Shenjtorët e Dhiatës së Vjetër përdornin historinë e popullit të Perëndisë si çelësin e lutjes dhe gjenin në të premtimet e Perëndisë për ta, premtime të cilat këta ia kujtonin Perëndisë në lutje, Neh. 1:8-10; Eks. 32:11-14.

“Nuk është e mjaftueshme që ne të vëmë re dhe shënojmë atë që Perëndia po bën gjatë jetëve tona, ne duhet me doe mos të përfitojmë nga historia e atyre që kaluan para nesh. Në fakt,kjo është arsyeja pse Zoti ynë ka dashur që ne të kemi sot mjaft shënime të mbetura në shkrim, në mënyrë që kujtimi i tyre të mbeten përgjithmonë. Dhe ne nuk duhet vetëm të përfitojnë nga ajo që është e përmbajtura në Shkrimin e Shenjtë, por madje edhe nga historitë e shkruara nga paganët, në të cilat ne duhet të kemi kujdes që të aplikjmë për vete atë që Perëndia ka bërë në kohë.” John Calvin

 Qëllime e Përfitime të Tjera

Disa nga qëllimet e përfitimet e tjera që dalin nga studimi i historisë janë si më poshtë:

Identiteti Historik: Identiteti ynë është i rrënjosur në histori. Besimi ynë është një besim historik dhe i themeluar mbi vepra të Perëndisë që kanë ndodhur vërtetë në histori siç është lindja, jeta, vdekja dhe ringjallja e Krishtit, zbritja e Frymës, etj. Ne besojmë se Perëndia kontrollon e drejton personalisht historinë e njerëzimit. Po kështu, korruptimi i Kishës në Mesjetë, nevoja dhe më pas Reformimi i saj në Periudhën e mëvonshme përcaktojnë se kush ne jemi, se për çfarë qëndrojmë dhe për çfarë synojmë. Në këtë kontekst mund të themi se studimi i historisë na ndihmon që të jemi komunal, apo pjesë e kishës historike. Ne jemi pjesë e një komuniteti të përjetshëm, të stërmadh besimtarësh, shumica e ë cilëve na vëzhgon e brohorit nga lart (Heb. 12:1).

Evidentimi dhe Evitimi i Gabimeve: Ne nuk jemi të vetmit dhe të parët besimtarë që ballafaqohemi me pyetje, sfida e udhëkryqe. Historia nuk fillon me ne, dhe as përgjigja e problemeve tona. Diku e dikur në histori Kisha është ballafaquar me sfidat tona dhe nën drejtimin e frymës së Shenjtë ka arritur në disa përfundime, që edhe pse nuk duhet të merren gjithmonë shabllon, na ofrojnë ne strukturën për të adresuar sfidat tona sot. “Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell,” (Fja. 1:9). Nuk ka asnjë herezi që nuk është menduar më parë nga të tjerët dhe që paraardhësit tanë nuk i kanë dhënë  tashmë një përgjigjë. Në këtë kontekst, studimi i historisë na mbron nga devijimi drejt herezive të mundshme dhe na armatos me municionin e duhur për ti luftuar ato dhe na ndihmon për të kuptuar e interpretuar siç duhet të sotmen.

Njohja e Perëndisë: Historia e Krishterimit është historia e veprave të Perëndisë, veçanërisht e Frymës së Shenjtë në kohë dhe hapësirë. Historia e Kishës është gjithashtu edhe historia e përfshirjes së Perëndisë me popullin e tij në botë. Njohja e veprave dhe e rrugëve të Perëndisë përgjatë tërë historisë na jep një njohje e kuptim edhe më të mirë të personit të vetë Perëndisë. Në këtë kontekst deklaron Psalmisti “O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta,” (Psa. 44:1).

Rizgjimi Shpirtëror: Shkrimet na deklarojnë se Perëndia është i njëjtë, dje, sot e përjetë (Heb. 13:8).[3] Zbulimi i parimeve e rrugëve të rizgjimeve shpirtërore që kanë ndodhur në të kaluarën na përgatit ne që të veprojmë e të jemi të gatshëm për të marri hirin dhe çlirimin e Tij në mesin tonë. Kuptimi i së kaluars na ndihmon që të kuptojmë të tashmen dhe të ardhmen. Kuptimi i marrëdhënies shkak-pasojë nga e kaluara na ndihmon që të shikojmë se për ku po drejtohet e tashmja dhe se si do të jetë e ardhmja.

Lavdërimi i Perëndisë: Qëllimi më i rëndësishëm e më i lartë për studimin e historisë së Kishës është lehtësimi dhe inkurajimi i adhurimit të Perëndisë. Zemrat tona mahniten e mrekullohen kur ne eksplorojmë veprat e plotfuqishme të Perëndisë në të kaluarën. Apostulli Gjon (Zbu. 4:8) shënoi që katër krijesa të gjalla që rrethojnë ditë e natë fronin e Perëndisë nuk reshtin së dhani lavdi e adhurim ditë e natë duke deklaruar lavdinë e shenjtërinë e Perëndisë “që ishte, që është dhe që do të vijë.

Ne jemi populli i historisë së përfshirjes pasiononte, të fuqishme e plot dashuri të Perëndisë me botën tonë. Le ti dedikohemi studimit dhe lë të mësojmë nga veprat e mëdha të Perëndisë në, për, dhe përmes popullit të Tij në të gjitha kohërat.

[1] Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.

[2] Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,

[3] “Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.”