Jezusi shëron e shpëton një grua – Luka 13:10–17

Zoti Jezus Krisht është Shpëtimtari i njerëzimit. Si i tillë Ai është jo vetëm shpëtimtari i burrave por edhe i grave. Si i tillë, Ai është atëherë Emancipuesi Hyjnor, emancipuesi i vërtetë. Mesazhin e mëparshëm e nisa me deklaratën:

Zoti Jezus Krisht ka bërë më shumë për ngritjen, statusin, vlerësimin, nderin dhe respektin e gruas, se sa kushdo tjetër në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë që mund të habisë shumë njerëz, por që është historikisht absolutisht e vërtetë. Historia është e mbushur me shembuj se si burrat përdorën fuqinë fizike, politike apo ekonomike për të ndrydhur, dominuar, frikësuar, frenuar dhe abuzuar me femrën, fizikisht apo me fjalë, nga ana shpirtërore apo edhe psikologjike. Historia njerëzore nuk ka qenë e mirë ndaj femrës. Por Jezusi e ndryshoi atë.

Në mesazhin e kaluar pamë se si Perëndia e krijoi burrin dhe gruan si të barabartë për nga vlera, edhe pse me role e funksione të ndryshme komplimentuese apo përmbushëshe dhe plotësuese ndaj njëri-tjetrit. Perëndia e krijoi burrin dhe gruan sipas shëmbëlltyrës së tij dhe për qëllime të caktuara, dhe kjo është vlera e vërtetë e njeriut. Thamë se:

“…pikërisht këtë marrëdhënie biblike ndërmjet vlerës dhe funksionit duhet të përqafojmë dhe ruajmë, dhe madje përdorim për të ndërtuar një bashkësi lokale të shëndetshme, dhe një civilizim të ri biblik. Nuk është funksioni ai që i jep vlerë njeriut, por se kush ai apo ajo është në sy të Perëndisë. Aty është dinjiteti dhe vlera e vërtetë e mashkullit dhe femrës.

Por dimë gjithashtu së mëkati hyri në këtë botë kur njeriu braktisi vullnetin e shpallur të Perëndisë për marrëdhëniet e njeriut me Perëndinë dhe marrëdhëniet e njeriut me krijesat e tjera. Njeriu, në mënyrë autonome nga Perëndia, filloi të përkufizonte identitetin e tij, qëllimin e ekzistencës së tij, funksionin dhe vlerën e vet. Produkti i kësaj përpjekjeje, është bota që kemi sot. Një botë në të cilën gruaja shtypet, përbuzet, abuzohet, zhvlerësohet, e madje skllavërohet.

Por Perëndia hyri në dimensionet e kësaj bote për të shpëtuar njerëzimin, burra e gra, nga faji e fuqia skllavëruese e mëkatit të tyre, dhe madje një ditë, në qiellin e ri dhe në tokën e re, i do ta shpëtojë fëmrën dhe mashkullin edhe nga pasojat universale të mëkatit.

Pikërisht këtë shikojmë në historinë që gjejmë tek Luka 13:10-17. Jezusi shëron dhe shpëton një grua. Jezusi shëron e shpëton, në frymë e në trup një grua të skllavëruar nga mëkati i saj, fuqitë e errësirës, qëndrimi i botës. Në këtë akt, ne shikojmë zemrën e Perëndisë kundrejt femrës, synimin e Tij për të.

Një ditë shabati Jezusi po jepte mësim në një nga sinagogat. 11 Dhe, ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot. 12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: «O grua, ti je e liruar nga lëngata jote». 13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë. 14 Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shabatit, i tha turmës: «Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shabatit». 15 Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: «Hipokrit! A nuk e zgjidh secili nga ju në shabat nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin dhe e çon për të pirë? 16 A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shabatit, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur, ja, tetëmbëdhjetë vjet?». 17 Dhe, kur ai thoshte këto, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar dhe mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte bërë. – Luka 13:10-17

Zoti bekon në ditën e Shabatit

Zoti ishte me popullin e Tij në ditën e shabatit. Zoti ishte në mes të popullit të tij ditën e shabatit. Zoti ishte për bekim, shpëtim e shërim, në mes të popullit të tij ditën e shabatit. Ky është detaji i parë që duhet të vëmë re në këtë histori. Dita e shabatit për të Krishterin, që pas Ringjalljes së Zotit, është dita e Diel, Dita e Zotit siç e quan Bibla (Zbu. 1:10).  Ky detaj na thërret që të jemi me popullin e Perëndisë ditën e Zotit, nëse duam që të shikojmë, që të prekemi e të bekohemi prej Zotit.

Atë të dielë të parë të ringjalljes, Thomai nuk ishte me dishepujt e tjerë, dhe kur Zoti iu shfaq atyre për bekim, ai nuk ishte aty, dhe as nuk kishte besim se Krishti u ishte shfaqur atyre. Të dielën që pasoi, kur Thomai ishte me popullin e Krishtit, Zoti iu shfaq. Thomai preku Zotit dhe Zoti i rriti besimin Thomait.

Apostulli Gjoni, e morri tërë librin e Zbulesës në Ditën e Zotit, një të dielë. Të dielën Jezusi i Ringjallur iu shfaq Gjonit. Gjatë tërë kohës kur Krishti ishte në tokë, edhe para kryqëzimit, ai ishte çdo dita shabati me popullin e Perëndisë. Në fakt ai e filloi zyrtarisht shërbesën e tij në tokë, një ditë shabati, në një sinagogë, në mes të popullit të Perëndisë (Luka 4:14-21).

Për këtë arsye, pastorët dhe teologët e vjetër dhe të perëndishëm puritan, e quanin ditën e shabatit “dita e tregut shpirtëror”, sepse në atë ditë “Zoti Jezus Krisht i jep pa para popullit të tij bekimet e tij, dhe merr prej tyre fajet, rëndesat e lutjet e tyre.” Krishti i thotë kishës tek Zbulesa 3:18, Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të pasurohesh; edhe petka të bardha që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh. Kjo është arsyeja se përse puritanët e etiketuan kështu Ditën e Zotit.

Pikërisht kjo është çfarë i ndodh një gruaje të rënduar nga sëmundjet fizike e shpirtërore, në sinagogë, një ditë të bekuar shabati. Një grua merr fjalën e Krishtit, preket nga dora e Krishtit, dhe më pas merr çlirimin prej tij. Të gjitha këto në ditën e shabatit, në mes të popullit të Zotit të Shabatit (Luka 6:5).

Krishti është Zoti i Shabatit

Çfarë bëri Zoti në atë ditë shabati në mes të popullit të tij? Ai bëri dy gjëra, ai predikoi dhe ai shëroi popullin e Perëndisë. Bibla thotë se Ai për këtë qëllim kishte ardhur në botë.

Dhe erdhi në Nazaret, ku ishte rritur dhe, siç e kishte zakon ditën e shabatit, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë Librin e Profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: 18 «Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të dërguar në liri të shtypurit, 19 dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit». 20 Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të. 21 Atëherë ai nisi t’u thotë: «Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaj». – Luka 4:16-21

Ky ishte thelbi e thirrja e shërbesës së Krishtit. Dhe pikërisht këtë bën Zoti në një shabat tjetër, në një sinagogë tjetër. Ai predikoi ungjillin, lajmin e mirë të shpëtimit nëse besojmë në Krishtin. Dhe Ai e vërtetoi se kishte fuqinë dhe autoritetin hyjnor që të shpëtonte e të falte mëkatet, duke shpalosur fuqinë dhe autoritetin hyjnor për të shëruar e ringjallur nga vdekja.

Sa e palogjikshme pra, reagimi i drejtuesve të sinagogës kur duan ti rezistojnë Krishtit! “kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shabatit, i tha turmës: «Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shabatit».” (v. 14). Ky nuk ishte rasti i vetëm që Jezusi shëroi gjatë shabatit. Ky nuk ishte në fakt rasti i parë. Tek Luka 6:1-11 lexojmë për dy raste të tjera kur ai shërben dhe kur Judenjtë e akuzojnë se ka thyer shabatin.

Përgjigja e Krishtit ishte e dyfishtë. Së pari, Krishti si Jehova i trupëzuar është Zoti i Shabatit, pra është mbi shabatin. Zoti mund ta ndryshojë atë, mund të veprojë përmes shabatit, mund të veprojë dhe përgjatë shabatit.

Së dyti, arsyeja që Zoti e dha shabatin ishte që ne të pushonim dhe shëroheshim përgjatë shabatit. Zoti e dha shabatin që të pushojmë dhe shërohemi shpirtërisht gjatë shabatit kur ne përdorim mjetet që Ai na ka dhënë për ti përdorur gjatë shabatit, që janë adhurimi i përbashkët i Perëndisë, elementet e liturgjisë, leximi, predikimi e këndimi i fjalës së Perëndisë, sakramentet, lutja e përbashkët, bashkësia e shenjtorëve. Zoti na ka dhënë ditën e shabatit edhe që ne të pushojmë e shërohemi fizikisht, duke pushur nga punët e javës, një ditë në shtatë. Kështu, shërimet që kryente Krishti për të shoqëruar predikimin e tij, përmbushte plotësisht arsyen se përse Ai kishte ardhur në këtë botë, si edhe arsyen se përse Ai na ka dhënë e veçuar Ditën e Zotit.

Zoti i Shabatit, na flet, na prek, na bekon gjatë ditës së Tij.

Një Bijë e Abrahamit

Por kush ishte kjo grua? Në fakt, edhe pse Luka nuk na e thotë emrin e saj, ne dimë për të gjithçka që na duhet të dimë. “Dhe, ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot” (v. 11). Kjo është situata e saj fizike. Luka na thotë edhe se cili ishte identiteti i saj shpirtëror. Zoti e quajti atë bijë të Abrahamit. Luka na shpjegon edhe burimin e sëmundjes së saj, një sëmundje fizike e shkaktuar nga i ligu. Jezusi thotë, “kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur, ja, tetëmbëdhjetë vjet” (v. 16).

Cili ishte identiteti i saj shpirtëror? Ajo ishte besimtare. Ky është kuptimi i cilësimit që Jezusi i jep asaj: “bijë e Abrahamit”. Apostulli i Krishtit, Pali shpjegon, Sikundër Abrahami «i besoi Perëndisë, dhe kjo iu llogarit për drejtësi»; 7 dijeni, atëherë, se ata që janë prej besimit, janë bij të Abrahamit…9 Prandaj ata që janë prej besimit bekohen bashkë me besimtarin Abraham. (Gal. 3:6-9). Kjo grua ishte prej besimit, dhe si e tillë, bijë e Abrahamit. Ai ishte ati i saj frymor. Ky ishte identiteti i saj, dhe vlerësimi e dinjiteti më i lartë që Krishti i dha asaj. A je ti i dashur lexues, bir apo bijë e Abrahamit? A e ke edhe ti këtë përshkrim, vlerësim e lavdërim nga Zoti?

Por ka edhe një arsye tjetër se përse Zoti e përdori këtë përshkrim për këtë grua. Ai po përplasej me drejtuesit e kohës së tij, dhe me tërë qëndrimin që ata kishin ndaj njeriut dhe femrës. Ata kujdeseshin më shumë për kafshët e shtëpisë se sa për popullin e Perëndisë, dhe veçanërisht për femrën. Kështu Zoti i demaskon zemër-ngurtësinë  dhe hipokrizinë e tyre kur thotë “: «Hipokrit! A nuk e zgjidh secili nga ju në shabat nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin dhe e çon për të pirë?” (v. 15).

Para disa javësh, një organizate për të drejtat e kafshëve, organizoi para Bashkisë së qytetit një protestë me pankarta e flamuj, për të mbrojtur të drejtat e qenve të rrugëve. Ky është neo-paganizmi modern. Këlyshët e qenve janë më të rëndësishëm e më të mbrojtur se fëmijët e palindur që vriten e abortohen çdo ditë kudo nëpër botë. Unë nuk di një protestë që të jetë organizuar në Shqipëri kundra abortit. Këtë e marr si shembull për të thënë që e njëjta situatë e ngjashme është edhe sot. Sipas statistikave, çdo ditë përdhunohen, torturohen dhe masakrohen 300-400 të Krishterë diku nëpër botë, dhe bota nuk skandalizohet nga ky gjenocid modern. Nga ana tjetër, modernët neo-paganë protestojnë e marrin masa të ruajnë fokat e pandat e qentë e rrugëve.  

Drejtuesit e Izraelit atëherë thonin me krenari: “Ne jemi bij të Abrahamit”. Jezusi u thotë: Ja, edhe kjo grua është bijë e Abrahamit. Kështu, mesazhi i Jezusi në këtë pasazh nuk është vetëm mbi shabatin dhe hipokrizinë, por se si ne duhet që ti ndërtojmë marrëdhëniet tona si meshkuj e femra, si bashkëtrashëgimtarë të premtimeve të Perëndisë. Kështu Pali thotë:

sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus. 27 Sepse sa veta u pagëzuat në Krishtin, Krishtin keni veshur. 28 Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse ju të gjithë jeni një në Jezu Krishtin. 29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit(Gal. 3:26-29).

Kjo deklaratë e Palit është ilaçi për shërimin e sëmundjes së përçmimit e përçarjes racore, sociale dhe gjinore. Kjo deklaratë është burimi i shërimit të përçarjes e përplasjes ndërmjet besimtarëve brenda në kishë, si dhe baza e vërtetë për një unitet të vërtet ndërmjet kombeve. Në Krishtin, ne bëhemi të gjithë një.

Kështu, si në sinagogë atëherë, edhe sot, Zoti u thotë Kishës së Tij: Gratë besimtare në mesin tuaj janë trashëgimtare të premtimeve të Perëndisë. Edhe ato janë të bekuara dhe “zemërbuta që do të trashëgojnë tokën” (Mateu 5:5). Edhe ato janë ndër “të drejtët do të ndriçojnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.” (Mateu 13:43).

Zoti njeh nevojën e gruas së sëmurë

Le të vëmë re tani, mrekullinë e asaj që ndodhi. “12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: «O grua, ti je e liruar nga lëngata jote». 13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.” (v. 12-13). Çfarë vëmë re është se është Jezusi ai që vepron i pari ndaj saj. Nuk ishte gruaja ajo që e sulmon Jezusin me përgjërime. Zoti tashmë di gjithçka për të. Ai di se sa vite kishte ajo e sëmurë. Ai di se kush ia ka shkaktuar atë sëmundje asaj. Ai i di këto, sepse Perëndia e pat lejuar Satanin që ti shkaktonte këtë lëngatë kësaj gruaje me qëllim, që atë ditë shabati, Zoti të shpaloste madhështinë e Tij në mrekullinë e shërimit të kësaj gruaja. Jo çdo sëmundje na vjen nga dora e të ligut. Le të mos i atribuojmë Satanit më shumë sa duhet. Por në këtë rast, Zoti pat lejuar që Satani të shkaktonte këtë lëngtë mbi këtë bijë të Abrahamit, për lavdinë e Perëndisë. Pavarësisht nëse e dinte këtë arsye apo jo kjo grua, Krishti thotë se ajo ishte në besim, qëndronte në besim, shërbente e ishte besnike urdhëresave të Perëndisë për të shërbyer e adhuruar në kishë ditën e shabatit. Pavarësisht vështirësive të jetës, madje kundra tërë vështirësive të jetë, ajo grua jeton besimin e Abrahamit. Kjo është arsyeja se përse ajo është në sinagogë atë ditë. Dhe sepse ajo ishte në mes të popullit të Perëndisë në ditën e Zotit, ajo morri fjalën dhe prekjen e Zotit.

Jezusi pra, është Ai që inicion veprën e shpëtimit. Shpëtimi e shërimi ynë fillon dhe mbaron me Zotin. Jezusi është Ai që e thërret gruan për ta bekuar atë. Sigurisht që gruaja duhet ti bindet thirrjes së Jezusit në mënyrë që ajo të marrë bekimin prej tij. Por kjo grua ishte bijë e Abrahamit. Ajo kishte besim tek Zoti. Ajo iu bind Zotit dhe shkoi tek Ai. Nëse do që të jesh bijë e Abrahamit, nëse do bekimin e Zotit, nëse do shërimin prej tij, nëse do shpëtimin prej tij, bindu thirrjes së tij. Shko tek Ai ashtu siç je. Beso dhe do të shpëtohesh.

Veprimi që Jezusi bën më pas është domethënës. Ai vetëm sa e prek atë, dhe ajo shërohet menjëherë. Kjo është prova se Jezusi ishte Krishti, Zoti.

Zoti merr lavdinë në Kishën e Tij

Le të vëmë re reagimin e gruas dhe të turmës në sinagogë. Nga njëra anë vëmë re se disa vetëm sa ngelën të turpëruar. Këta ishin kundërshtarët e Zotit. Nga ana tjetër vëmë re se gruaja “përlëvdonte Perëndinë” (v. 13), “dhe mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte bërë” (v. 17).  Zoti merr lavdinë që i takon si nga ata që e duan ashtu edhe nga ata që nuk e duan. Në parajsë, populli i Perëndisë e lavdëron Perëndinë me hir. Në ferr, kundërshtarët e Tij e lavdërojnë Perëndinë me pahir. Perëndia gjithnjë e merr lavdinë që i takon emrit të tij. Thirrja jonë është që këtu e tani, siç edhe gjatë tërë përjetësisë, të përlëvdojmë Perëndinë, të gëzohemi për të gjitha veprat madhështore që Ai ka bërë në jetët tona.

Le të shohim siç sheh Perëndia

Unë kam renditur tashmë disa aplikime personale që dalin nga ky pasazh biblik, por duhet thënë edhe diçka e fundit. Vëllezër e motra në Krishtin Jezus, le ta shohim njëri-tjetrin siç na sheh Perëndia. Kjo vlen si për bashkëshortët që janë të krishterë, si për fëmijët e së njëjtës familje, ashtu edhe për bashkë besimtarët në Krishtin Jezus. Duhet ta shohim njëri-tjetrin përmes syve të Perëndisë.

Çfarë Judenjtë panë në këtë grua ishte vetëm mëkat e shtrembërim, sëmundje e shëmtim. Më siguri fëmijët talleshin rrugës me të, komshinjtë e përflisnin prapa krahëve duke thënë, “Eh kush e di se çfarë mëkatesh të mëdha ka kryer ajo që e ka lënë Perëndia ashtu!” Burri ndoshta nuk e shikonte apo preferonte në krevat, sepse nuk ishte si modelet që dëshiron syri mashkullor. Kjo është mënyra se si shikon bota.

Zgjedhja që kemi përpara është: Ose do ta shohim njëri-tjetrin me sytë e botës dhe të mëkatit, ose do ta shohim njëri-tjetrin me sytë e Perëndisë. Nëse e shohim tjetrin me sytë e Perëndisë, në kishë nuk do të vlojnë më thashethemet e marrja nëpër gojë e njëri-tjetrit. Nëse e shohim tjetrin me sytë e Perëndisë, nuk e shohim tjetrin më mëkatar se veten. Nuk e shohim tjetrin me përçmim. Nuk do ta shohim tjetrin me urrejtje apo të paktën me mungesë falje në zemrat tona ndaj tyre. Nëse shohim siç sheh Perëndia, atëherë do të shohim tek njëri-tjetri bij e bija të Abrahamit, arsye të shumta për të qenë mirënjohës për ta, do të shohim dorën e Perëndisë në jetën e tyre, do të shohim bashkëtrashëgimtarë të Mbretit të Lavdisë, imazh-mbajtës të Perëndisë, të cilët Ati po i transformon çdo ditë e më shumë në përputhje me shëmbëlltyrën e Krishtit. E kjo do të transformojë gjithçka. Hiri i Perëndisë transformon gjithçka. Kjo do të transformojë të tëra marrëdhëniet tona. Kjo do të transformojë shërben e grave, të burrave e të fëmijëve. Të gjithë duhet të shohim siç sheh Jezusi. Le të veshim sytë e Tij përmes besimit.