Drita e Botës – Gjoni 9

Mrekullia që na përshkruhet tek Gjoni 9 është një prej mrekullive më të rëndësishme dhe domethënëse të Krishtit. Edhe pse në sytë e botës kjo mrekulli mund të mos duket aq spektakolare sa të ngjallësh dikë nga të vdekurit, siç Krishti bëri me Llazarin, kjo mrekulli është po aq domethënëse dhe e rëndësishme, sepse në Bibël, ngjallja në jetën e re frymore është e njëjtë me dhënien e shikimit atij që është i lindur i verbër. Përsëri, në prezencën e ndjekësve të Tij, Krishti bëri një tjetër mrekulli, duke provuar kështu se Ai është me të vërtetë Profeti i Madh që duhej të vinte nga Perëndia. Le të kujtojmë se gruaja samaritane tek pusi, sipas Gjonit 4:19 e identifikoi Jezusin si Profetin kur tha, “Zot, po shoh se ti je profet.” Më pas ajo shtoi, “Unë e di se vjen Mesia, i quajtur Krisht; kur të vijë ai, do të na i kumtojë të gjitha. Jezusi i tha: «Unë jam ai që po të flet!».” (Gjoni 4:25-26)

Profetët e Dhiatës së Vjetër dinin që kur Krishti të vinte do të bënte mrekullitë më të mëdha, dhe do të komunikonte qartë të tërë të vërtetën e Perëndisë. Në mendjen e dishepujve ky ishte detaji më i rëndësishëm dhe qendror i tërë mrekullive të Krishtit. Në predikimin e tij Ditën e Rrëshajave (Veprat 2), Pjetri i qortoi Judenjtë që kryqëzuan Zotin sepse nuk besuan në të. Ai e deklaroi mosbesimin e tyre të pajustifikueshëm, sepse ky Jezus nga Nazareti ishte “njeriu i dëftyer nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme dhe mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të tij” (Vep. 2:22).

Si ua provoi Perëndia këtyre Judenjve se Jezusi ishte profeti i dërguar prej tij? Përmes mrekullive. Pjetri pra thotë se për shkak të mrekullive, njerëzimi duhet të pranojë fjalën e Krishtit. Por çfarë Judenjtë bënë është se refuzuan të pranojnë shenjat kredenciale të Jezusit si Profeti, dhe kështu kryqëzuan Zotin e Lavdisë.

Le të lexojmë të tërë kapitull 9 të Ungjillit sipas Gjonit. Studiuesit besojnë se përmbajtja e këtij pasazhi ishte pika kulmore e debatit të gjatë të Jezusit me kundërshtarët e Tij (Gjoni 7:34-10:42). Pasi Zoti u largua nga Tempulli për ti shpëtuar gurëve të kundërshtarëve të Tij, qëndroi në lagjen që rrethonte Tempullin, aty ku mblidheshin lypsaret, sakatët dhe të sëmurët e tjerë, dhe filloi tu shërbejë atyre.

  1. Kush e morri iniciativën i pari, Krishti apo i verbëri?
  2. A mund ta përshkruani se ku ndryshon bota e një njeriu që është lindur i verbër nga bota e një njeriu që është verbuar më vonë në jetë?
  3. Cila ishte pyetja interesante që dishepujt i bënë Jezusit tek vargu 2?
  4. Cila ishte përgjigja e mrekullueshme e Jezusit?
  5. Kur duheshin bërë këto vepra madhështore?
  6. Çfarë përdori Jezusi për të bërë këtë mrekulli (v. 6)?
  7. A e kundërshton kjo procedurë përkufizimin tonë se çfarë është një mrekulli? (Rikujto gjashtë kriteret e një mrekullie të vërtetë).
  8. Çfarë e urdhëroi Jezusi këtë të verbër të bënte?
  9. Përse i verbëri ishte i gatshëm që të shkonte tek pellgu i Siloamit?
  10. Cili ishte rezultati?
  11. Vargjet 8-10 tregojnë habinë e fqinjëve të të verbërit. Si shpjegohet habia e tyre?
  12. A i shpjegoi saktë ky ish i verbër, faktet e shërimit të tij?
  13. Vini re titullin (vargu 11) që i verbëri i dha Jezusit).
  14. Përse e çuan këtë ish të verbër tek Farisenjtë (v. 13)?
  15. Cila ishe domethënia e mrekullisë së Krishtit që shëron një të verbër ditën e shabatit?
  16. Lexo vargun 16. Cila ishe logjika e Farisenjtë  kur thanë se ky njeri nuk ishte nga Perëndia?
  17. Përse nuk e mbajti Krishti shabatin (Gjoni 5:9-18)?
  18. Përse kishte përçarje në mes tyre (v. 16)?
  19. Çfarë titulli të ri i dha i verbëri Jezusit tek vargu 17?

Do të vëmë re se si përparon ky ish i verbër në kuptimin e tij se kush ishte ai që e pat shëruar. Le të kujtojmë se profetët e vërtetë të Perëndisë provonin se mesazhi i tyre ishte prej Perëndisë përmes mrekullive që ata bënin (shiko rrëfimin e Nikodemit tek Gjoni 3:2).

  1. Përse nuk besuan Judenjtë (v. 18)?
  2. Cili ishte hapi tjetër në planin e tyre për të diskretituar këtë mrekulli të madhe të Jezusit (v. 18)?
  3. Çfarë pyetjesh i bënë ata prindërve të tij?
  4. Çfarë detajesh na bëjnë të mendojmë se prindërit e tij thjesht nuk donin të përfshiheshin në këtë grindje fetare?
  5. Çfarë përgjigjeje u ofruan farisenjve (v. 21)?
  6. Çfarë thanë prindërit e tij ndaj kësaj (v. 22)?

Në atë kohë, të të nxirrnin nga sinagoga ishte njësoj sikur të të përjashtonin nga kisha sot, dhe më pas, punëdhënësi të përjashtonte nga puna, drejtoria arsimore të përjashtonte fëmijët e tu nga shkolla, dhe më pas komuna të refuzonte lejen për ndërtim. Pra, përjashtimi nga sinagoga ishte në atë kohë një dënim religjioz që pasohej me efekte ekonomike dhe sociale. Tek vargu 24 lexojmë se ata e thirrën ish-të-verbrin dhe i kërkuan që ti jepte lavdi Perëndisë. Kjo frazë nuk do të thotë që ata po i kërkonin të shëruarit që të lavdëronte Perëndinë për shërimin e marrë. Ata po i kërkonin atij që të bënte një përbetim publik dhe solemn dhe të tregonte të vërtetën sepse farisenjtë nuk besonin se Krishti e kishte shëruar atë, dhe se i shëruari po gënjente.

  1. Cili ishte argumenti i vetëm mbrojtës i të verbrit (v. 25)?
  2. Vini re se përsëri farisenjtë i kërkuan të verbrit që të ritregonte historinë e tij. Si po ndryshonte qëndrimi i të verbrit të shëruar pas insistimit të farisenjve (v. 27)?

Judenjtë e konsideronin veten dishepuj të Moisiut sepse ata ishin ndjekës të Ligjit, dhe këtë Ligj ua kishte dhënë Moisiu. Moisiu ishte i dërguar nga Perëndia dhe kishte autoritetin nga Ai që të bënte të gjitha ato gjëra që ai kishte bërë.

  1. Cili ishte thelbi i deklaratës së të verbrit tek vargjet 30-33?
  2. Si reaguan Farisenjtë ndaj fjalëve të të verbrit?
  3. Cili është kuptimi “Dhe e nxorën jashtë”?
  4. Cili ishte reagimi i Jezusit ndaj shkishërimit të të verbrit (v. 35)?

A nuk është e mrekullueshme që Zoti Jezus menjëherë vjen që të inkurajojë dhe forcojë atë që Ai sapo ka shëruar! Vini re, që përsëri, Krishti ishte Ai që e mori iniciativën i pari.

  1. Pse Jezusi i bëri atij këtë pyetje të drejtpërdrejtë dhe specifike (v. 35)?
  2. Përse dhe çfarë thanë prindërit e tij (v. 22)?
  3. Çfarë përgjigje shtesë kërkon prej nesh ky pasazh?
  4. Kur besojmë në Krishtin, a do të thotë gjithmonë se ne duhet ta adhurojmë Atë?
  5. Çfarë të vërtetash frymore nxjerr në pah Krishti nga shërimi i të verbrit (v. 39-41)?
  6. Cilit ishin të verbrit e vërtetë? Përse nuk e shikonin ata verbërinë e tyre?

Gjoni 9 përshkruan dy lloje njerëzish, të vetmit kategori njerëzish që ka kjo botë: ata që janë shpirtërisht të verbër, dhe ata që janë të shëruar nga Mjeku Hyjnor nga sëmundja e verbërisë frymore. Ky kapitull përshkruan me ngjyra të ndezura gjendjen e tmerrshme të njeriut natyror-njeriut pa Perëndinë. Mëkatari është frymërisht i verbër. Kuptimi i tij është i errësuar dhe zemra e tij është e verbuar (Efesianëve 4:18). Për shkak të këtij verbimi, ata që janë pa Krishtin në jetën e tyre as nuk e kuptojnë gjendjen e tyre të rëndë, dhe as nuk e shikojnë rrezikun e menjëhershëm që u kanoset nëse vazhdojnë që të qëndrojnë të ndarë nga Krishti. Kështu ata nuk mund ta shikojnë nevojën e tyre për Zotin Jezus Krisht si shëruesi i tyre hyjnor.

Ne që kemi kaluar nga errësira në dritë, ne kemi përjetuar në mënyrë frymore atë që ky i verbër përjetoi fizikisht. A të janë hapur sytë që të shikosh të vërtetën madhështore që shpëtimi yt nga mëkatet vjen vetëm përmes veprës madhështore të Perëndisë në Krishtin Jezus? A është dëshmia jote frymore e ngjashme me atë të dëshmisë fizike të të verbrit tek Gjoni 9:25? “…një gjë di, që isha i verbër dhe shoh tani”.

Ndërsa vazhdojmë të studiojmë mrekullitë e Zotit tonë, le të mos harrojmë kurrë që këto mrekulli madhështore që vërtetojnë personin dhe fjalët e Zotit Jezus Krisht, gjithashtu vënë në dukje edhe realitetin frymor. Këto mrekulli janë përshkrime të punës së Perëndisë në realitetin frymor. Le të mos harrojmë se ne duhet që të shërohemi nga sëmundjet tona, se kemi nevojë që të na hapen sytë, se ne kemi nevojë për Bukën e Jetës. Të gjitha këto vijnë vetëm nga dora e plotfuqishme Mrekullibërësit, vetë Zotit Jezus Krisht. Le ta rrëfejmë besimin tonë tek Ai siç bëri edhe ish-i-verbri kur tha, “«Unë besoj, o Zot»; dhe e adhuroi” (v. 38). Perëndia na dhuroftë që në këtë moment hirin që ne të shikojmë nevojën tonë të madhe për Krishtin.