A përkujdeset Jezusi për ne? – Marku 4:35-41

Njeriu modern, pavarësisht se sa shumë flet e debaton për motin, apo për ngrohjen globale, dhe se çfarë duhet të bëjë për ta ndryshuar atë, nuk është aspak në gjendje që ti ndryshojë apo ti influencojë elementet atmosferike. Njerëzimi nuk mund të ndalojë tërmetet, tufanet, e madje as përmbytjet që vijnë si pasojë e reshjeve të rënda apo uraganeve të fuqishëm. Vetëm perëndia është në kontroll të elementeve të natyrës. Jezusi urdhëroi stuhinë dhe dallgët që të qetësoheshin dhe ato iu bindën atij. Mrekullitë e Jezusit mbi natyrën janë më të vështirat për skeptikët për tu besuar. Shumë janë gati që ti pranojnë mrekullitë e shërimeve siç i gjejmë në Bibël dhe mundohen që ti shpjegojnë ato si veprime të një njeriu që njeh mjekësinë. Por skeptikët nuk kanë shpjegime të mundshme për mrekullitë e Jezusit mbi natyrën. E vërteta biblike është se Jezusi e ka provuar veten e tij që të jetë Perëndia i trupëzuar, Profeti i Madh që duhej të Vinte nga Perëndia.

Lexo Marku 4:31-41. Kjo mrekulli gjendet gjithashtu edhe tek Mateu 8:23-27; dhe Luka 8:22-25. Jezusi u tha dishepujve, pas ringjalljes dhe pak para se të ngrihej lart (Mateu 28:16-20), “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.” Këtë lloj autoriteti hyjnor Jezusi e shpalosi gjatë tërë kohës që ai shërbeu në tokë, përmes mrekullive të Tij.

  • Cili është konteksti i kësaj mrekullie (v. 35-36)? Ishte mbrëmje. Jezusi kishte predikuar dhe shërbyer tërë ditën dhe tani ai ishte i lodhur. Kështu ai i urdhëroi dishepujt që të shkonin me të në anën tjetër të liqenit. Cili liqen ishte ky?

Mateu 8:23 thotë, “Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.” Fraza e fundit është e rëndësishme për këtë histori. Të jesh dishepull i Krishtit do të thotë që ta ndjekësh atë kudo dhe me çdo çmim.

  • Çmimi i dishepullimit për këta dishepuj gjendet tek Marku 4:37. Cili është ai?

Krahasoje këtë pasazh me ato tek Mateu dhe Luka.

Tek Mateu 8:23 termi që përdoret është seizmos që përkthehet tërmet ose një stuhi e dhunshme. Tek Marku 4:37 është termi lailaps– një stuhi e madhe, e shoqëruar me dallgë që shtriheshin mbi varkë. Ungjijtë pra na përshkruajnë një stuhi të rëndë, që po e hidhte varkën lart e poshtë dallgëve të larta, jashtë kontrollit të dishepujve, dhe në rrezik të plotë mbytjeje.

  • A nuk e kishin ndjekur plot bindje këta dishepuj Jezusin?

Këtu gjejmë një mësim të rëndësishëm për ne: fakti që ne i besojmë Krishtit dhe madje edhe mund të jemi në shërbim të Tij, nuk na përjashton nga stuhitë e jetës. Shpesh herë ne mendojmë së nëse i besojmë Jezusit, nëse i ofrojmë bindje të përsosur, nëse do të jemi në shërbim të tij, ne nuk do të prekemi nga tundimet e vështirësitë, trishtimet dhe sprovat e jetës. Por shpesh herë e kundërta është e vërtetë. Zoti Jezus na i mëson shumë prej mësimeve më të rëndësishme të jetës tonë në mes të stuhive të jetës.

  • Cili ishte reagimi i Jezuit ndaj gjithë këtij shqetësimi (v. 38)?
  • Si ishte e mundur që Jezusi mund të flinte në mes të stuhisë?

Sigurisht që Zoti Jezus në natyrën e Tij njerëzore ishte i lodhur nga dita e gjatë e shërbimit. Këtë ne nuk duhet ta harrojmë kur lexojmë Ungjijtë. Jezusi ishte plotësisht dhe vërtetësish njeri si edhe ne. Ai përjetonte dhimbje fizike, urinë, lodhjen, etjen, dobësinë. Zoti ynë e njeh mirë natyrën tonë njerëzore, dobësitë tona, nevojat tona. “ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë bashkë me dobësitë tona, por që u tundua në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat” (Heb. 4:15). Por mbi të gjitha, Zoti Jezus kishte besimin e patundur tek Ati i Tij i cili kujdesej për Birin.

  • Cili ishte qëndrimi i dishepujve kur panë që Jezusi ishte në gjumë?

Le të mos harrojmë se katër prej dishepujve ishin peshkatarë të vjetër dhe të regjur më stuhitë, dhe që e njihnin atë liqen shumë mirë.

  • Përse u frikësuan kaq shumë ata kur Zoti i tyre ishte aq afër?
  • A mendoni se ata vërtetë besuan se ishin në prag të vdekjes?
  • Lexo Marku 4:38. Cili është kuptimi i pyetjes “Mësues, a nuk shqetësohesh që ne po marrim fund?”
  • Përse menduan ata se Jezusi nuk po merakosej farë për ta?

Një mësim i dytë që nxjerrim nga kjo ngjarje është se nuk është aspak e pazakontë që ndjekësit e Zotit të përjetojnë ankth, frikë e pasiguri, kur ne ndjejnë pranë prezencën e Zotit Jezus. Vini re pyetjen e Tij tek Mateu 8:26, përpara se sa ai të qetësojë stuhinë. Jezusi nuk ishte aspak i shqetësuar për dallgët që dukeshin sikur po përpinin varkat.

  • Lexo Marku 4:39. Çfarë bën Zoti?

Të tre Ungjijtë përdorin termin “…qortoi”. Në mrekullitë e tjera Zoti qortoi demonët. Këtu ai qorton stuhinë dhe detin. Ndoshta ky element na zbulon se Zoti sovran pat lejuar të ligun ose demonët e tij për të ngritur këtë stuhi të madhe, me qëllim që Zoti të testonte dishepujt e Tij. Dy kapitujt e parë të Jobit tregojnë se si Perëndia lejon të ligun që të përdorë elementet e natyrës për të testuar popullin e Tij.

  • Çfarë ndodhi pasi Zoti qortoi stuhinë dhe i foli detit, “Pusho, fashitu!”?
  • Sa shpejt u qetësua stuhia?

Luka thotë se tërbimi i detit i qetësua plotësisht. Zakonisht, pasi një stuhi fashitet mbi det, deti vazhdon që të ketë dallgë. Por nën Fjalën e Zotit, të gjitha elementet e natyrës ranë në qetësi të plotë. Cfarë na mëson kjo gjë mbi fuqinë e Zotit tonë?

  • Sipas Markut 4:40 Zoti me sa duket u ka folur përsëri dishepujve “Pse jeni kaq frikacakë? Si nuk keni besim?”
  • Përse ua bën këtë pyetje Jezusi?
  • Si e treguan ata frikën e tyre?
  • Çfarë mësimi po u mësonte Zoti ynë dishepujve?
  • Çfarë mësimi besimi po na mëson Zoti ynë përmes këtij pasazhi të Biblës?
  • Si duhet që ti aplikosh këto mësime në jetën tënde?
  • Çfarë sfidash e testimesh po kalon në këto momente në jetën tënde?
  • Sa afër të është Zoti Jezus Krisht në këto momente? Apo më saktë, sa afër po i qëndro ti Zotit Jezus në këto momente?
  • Dishepujt “i zuri një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era, edhe deti?».” Përse duhej që ata të bënin këtë pyetje (v. 40)?
  • A po rritesh ti në njohjen e personit të Zotit që ti rrëfen se i beson? Si?

Na duhet që të pranojmë se besimi shpëtues që kemi nga Fryma e Shenjtë shpesh herë është e përzier me ndrojtje dhe me dobësi. Dishepujt e parë të Zotit tonë i shfaqën këto dobësi, dhe po kështu i shfaq edhe jeta e gjithsecilit prej nesh. Le të lutemi vazhdimisht, “Zot ma rrit besimin”. Ne nuk do ta njohim kurrë dobësinë e besimit tonë nëse Zoti nuk na vendos nën testet e orkestruara nga Ai vetë. Le të kujtojmë se sa shumë i bekuar është ai person që zbulon se besimi i tij i qëndron stuhive të jetës. Kemi plot arsye për të falënderuar Perëndinë dhe Zotin tonë Jezus Krishtin, i cili si Kryeprifti ynë besnik, është i mëshirshëm dhe zemërbutë ndaj nesh. Ai na njeh kështu siç jemi dhe nuk na flak tej për shkak të rënieve tona. Ai kujdeset dhe i mëshiron ata që ai i teston apo disiplinon, dhe i përgjigjet madje edhe lutjeve të frikacakëve me besim të dobët.