Tani unë shikoj – Marku 7:31-37

Shumë prej mrekullive të Zotit tonë ishin mrekulli shërimesh. Fuqia e Perëndisë në jetën e njeriut shihet shumë qartë dhe personalisht kur i verbëri shikon, leprozi pastrohet, i shurdhi dëgjon, dhe memeci flet.

Vetëm Zoti dhe profetët e Tij mund të shërojnë. Perëndia e bëri veten e Tij të njohur si “Shëruesi juaj” (Eksodi 15:26). Një prej emrave të Tij është Jehova Rophe-Jehova Shëruesi. Perëndia u tha Judenjve se Ai nuk do të hidhte mbi ta sëmundjet që do të hidhte mbi Egjiptianët sepse “…unë [jam] Jehova që të shëron”. Kështu, nëse Jezusi është Jehova i trupëzuar, Ai duhet që të vërtetojë që Ai është shëruesi hyjnor.

Vendodhja e kësaj mrekullie ishte rajoni i Dekapolisit. Rajoni quhej kështu sepse përbëhej nga dhjetë qytete të vogla (nga greqishtja, deka-dhjetë, polis-qytet), me shumicë popullsie greke të vendosur atje si kolonë.

  • Çfarë mrekullish të tjera kreu Jezusi në këtë rajon?

Shiko Marku 5:1-20. Pasi Jezusi shëroi të demonizuarin gadarenas, njerëzit i kërkuan Jezusit që të largohej nga krahina e tyre. Ata nuk e donin Zotin atje sepse ai po u shqetësonte situatën që ata kishin rregulluar për veten e tyre. Por tani, Me sa duket, Jezusi është përsëri i mirëpritur në atë rajon.

  • Përse ky ndryshim?
  • A është e mundur që ish-demoniaku të ketë dëshmuar kaq shumë për Jezusin në tërë atë rajon sa që njerëzit duan që ta kenë Jezusin përsëri në mesin e tyre?
  • Lexo Marku 7:31-37. A mendoni se Jezusi qëllimisht po udhëtonte përmes krahinës së Dekapolosit? Përse?
  • Shihni hartën që tregon krahinën e Dekapolosit. A ishte kjo krahinë jashtë trajektores së Tij apo i duhej që të kalonte nëpër të?
  • Kush solli të shurdhin dhe të memecin tek Jezusi?
  • Përse nuk erdhi ai vetë tek Jezusi?
  • Çfarë dëshironin ata që Jezusi të bënte?
  • Vendosja e duarve me lutje ishte praktika e Judenjve që lidhej me bekimin dhe shërimin. A mendoni se shokët e të sëmurit besonin se Jezusi ishte në gjendje që ta shëronte mikun e tyre?
  • Përse?
  • Përse e veçoi Jezusi këtë njeri nga turma?

Ndoshta Jezusi e veçoi të shurdhin nga turma që ai të fokusohej më mirë tek Jezusi. Jezusi ishte një njeri i përulur, dhe çdo gjë e bënte që Ati i tij të lavdërohej. Edhe pse ishin miqtë e tij ata që e sollën të shurdhin tek Jezusi, ai ishte plotësisht i gatshëm që ta ndiqte Jezusin edhe larg të njohurve të tij.

  • Si e shëroi Jezusi këtë njeri?

Zoti përdorte veprime simbolike për të nxitur besimin e këtij njeriu dhe për të zgjuar në të pritshmërinë e bekimit që do të merrte.

  • Përse Zoti ynë ngriti sytë nga qielli?
  • Përse Jezusi vazhdimisht lavdëronte Atin në çdo gjë që bënte Ai?

Kjo tregonte se çdo gjë që Jezusi bënte, e realizonte përmes fuqisë hyjnore nga lart.

  • A ishte e rëndësishme që i shurdhi të dëgjonte Jezusin të shqiptonte fjalën «Effatha»?
  • Sa shpejt ndodhi shërimi, pasi Jezusi tha fjalën «Hapu!»?

Vini re që në vargun 35, i shëruari filloi të fliste rrjedhshëm.

  • Çfarë detajesh në vargun 36 na tregon se turma ishte plotësisht e habitur me këtë ngjarje dhe se ata po i viheshin Jezusit dhe të shëruarit nga prapa?

Kjo mrekulli është një portretizim i bukur i shërimit fizik por edhe frymor. Kujtoni që qëllimi i studimit të mrekullive të Zotit tonë është zbulimi i kuptimit frymor të tyre. Cilët persona janë frymërisht të shurdhët dhe memecë? I tërë njerëzimi është frymërisht shurdh dhe memec përpara Perëndisë. (Çdo të thotë kjo gjë? Jep shembuj!) Ngjallja frymore ndodh vetëm pasi Perëndia lëviz brenda frymës së njeriut. Kujto se sa shpesh Zoti thoshte, “Ai që ka veshë, le të dëgjojë”. Kjo është një deklaratë absurde nëse Zoti nuk po i referohej një të vërtetë të thellë frymore. Jezusi nuk po fliste për të dëgjuarit fizik por dëgjimit frymor që është dëgjimi i vërtetë, aftësia për të dëgjuar më veshin e brendshëm të shpirtit. NË këtë botë, ne kemi nevojë që Perëndia të na hapë veshët e zemrës me qëllim që ne të mund të dëgjojmë dhe bëjmë Fjalën e Jetës.

Tregoju të tjerëve në grup, se çfarë provash ke ti, që i ke veshët frymor të hapura nga Fryma e Shenjtë: Memeci i shëruar filloi menjëherë që të flasë rrjedhshëm. Ai nuk po u tregonte të tjerëve mbi motin apo ngjarjet politike të javës. Ai po u fliste atyre për Zotin dhe Shëruesin e tij. E njëjta gjë qëndron edhe për ne. Nëse eshët dhe goja jonë është vërtetë e shëruar frymërisht nga Zoti ynë, atëherë ne do të kuptojmë të vërtetat e thella dhe hyjnore mbi personin dhe veprën e Zotit tonë, Profetit të madh të Perëndisë. Po kështu, goja jonë është hapur që tu tregojë të tjerëve për Krishtin.

Tek vargu 36 lexojmë se Zoti u tha turmave që të mos i tregonin askujt mbi këtë mrekulli që ata kishin parë të bërë prej Tij.

  • Përse u dha Ai këtë urdhër në atë kohë?

Ndoshta sepse Atij nuk i kishin ngelur shumë ditë, armiqtë e Tij po kërkonin shkak për ta vrarë, dhe Ai kishte ende shumë punë për të bërë përpara se sa të vinte koha e kryqit. Lajmi i mrekullisë dhe i vendodhjes së tij në rajon mund të shkaktonte arrestimin e tij të parakohshëm. Por sa më shumë Jezusi u thoshte turmave që të mos flisnin, aq më shumë ato dëshmoni me zell për mrekullinë që kishin parë.

  • Vini re dëshminë e mrekullueshme që jepnin ata që kishin parë me sytë e tyre këtë mrekulli (v. 37):

Nëse kjo dëshmi dilte nga gojët e paganëve helenë të asaj kohe, aq më tepër kjo dëshmi duhet të dalë me më shumë zell nga goja jonë.

  • Për çfarë e kishin fjalën ata kur thanë “Ai çdo gjë e ka bërë mirë”?
  • Çfarë duhet të themi ne sot si besimtarë të Krishterë?

J.D. Ryle shkroi, “Zoti ynë i ka bërë të gjitha gjërat mirë: – duke na nxjerrë nga errësira në dritë të mrekullueshme, – kur na përul për të na mësuar dobësinë, fajin dhe marrëzinë tonë; – në heqjen e idhujve tanë, dhe zgjedhjen e të gjitha pjesëve tona, – në vendosjen e aty ku ne jemi, dhe duke na dhënë atë që kemi, – sa mirë është bërë çdo gjë.”

Kjo mrekulli, ashtu siç edhe çdo mrekulli tjetër e Zotit, është prove e hyjnisë së Tij dhe e identitetit të Tij si Mesia i Perëndisë: “Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve; 6 atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar” (Isaia 35:5-6). Zoti është me të vërtetë shëruesi hyjnor dhe e gjithë lavdia duhet ti shkojë Atij. A keni ju të afërm apo miq që janë të shurdhët frymërisht? Dëshmia e të verbrit ishte: “Unë isha i verbër por tani shijoj”. Të gjithë ne që e deklarojmë Jezusin si Zotin tonë duhet ta kemi një dëshmi të tillë. “Unë dikur isha shpirtërisht i verbër, i shurdhët dhe memec, por Zoti nga mëshira e Tij e madhe për mua, vendosi Frymën e shenjtë në mua që të më hapë sy e veshë që ta shikoj dhe besoj Atë, dhe më hapi gojën që ta adhuroj atë”. Le të lutemi që Perëndia do të na forcojë e nxisë të gjithë ne që ti bëjmë të njohur kombit tonë veprat e Tij të mrekullueshme për ne.