Author: Albert Kona

Fjala u bë Mish

“Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” (Gjoni 1:14).

 

Festimet tona të Krishtlindjeve janë si eksodi i Izraelit nga Egjipti. Ajo ishte një shpërngulje e lavdishme. Lavdia e Izraelit ishte lavdia e Perëndisë në mesin e tyre nëpërmjet tabernakullit dhe Arkës së Besëlidhjes. Kështu është edhe për ne sot me Krishtin: lavdia jonë është ajo e vetë Krishtit. Ky ishte mësimi i apostullit Gjon në Ungjillin e tij kur ai fliste për domethënien e Krishtlindjes: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” (Gjoni 1:14).

Ndryshe nga ungjijtë e tjerë që tregojnë ngjarjet e lindjes së Jezusit, Ungjilli i Gjonit tregon historinë e Krishtlindjes në terma teologjike. Gjoni 1:14 na jep doktrinën e mishërimit të Krishtit. Jezusi lindi nga Maria e virgjër, por personi i dytë i Trinisë nuk erdhi në jetë në këtë lindje. Përkundrazi, Gjoni thotë, “Fjala”, domethënë, Perëndia Biri, mori një formë dhe natyrë njerëzore për t’ia shtuar natyrës sëe tij përjetësisht hyjnore. Mishërimi i Krishtit do të thotë që Biri i Perëndisë u bë njeri në kuptimin më të plotë, pa humbur asnjë nga hyjninë e tij. Duke qenë i pamëkatë, ai është i pakorruptuar, njerëzimi i vërtetë, siç e kishte projektuar fillimisht Perëndia.

Më lejoni të jap disa nga arsyet pse Jezu Krishti mori mishin tonë nëpërmjet mitrës së Marisë. Një nga arsyet është që Perëndia të na njohë përmes përjetimit dhe kështu të simpatizohet plotësisht në nevojat tona. Sepse Jezusi u bë njeri, ai është në gjendje ti vijë keq për ne në sprovat tona dhe ai e di se çfarë është dhimbja dhe gëzimi si qenie njerëzore. Hebrenjve 4:15 thotë: “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.” Si e tillë, Jezui gjithashtu na jep një shembull për tu ndjekur, pasi na udhëheq në këtë jetë në rrugën që ai ka hapur për ne.

Një arsye e dytë pse Jezui u bë njeri ishte të na tregonte lavdinë e Perëndisë në një formë që mund ta kuptonim. Perëndia është frymë dhe është i padukshëm në natyrën e tij të vërtetë (1 Tim. 6:16). Prandaj, Biri i Perëndisë e veshi veten në formë njerëzore në mënyrë që burrat dhe gratë të mund ta shihnin dhe ta kuptonin karakterin e Perëndisë. Ne mund ta njohim shenjtërinë dhe dashurinë e Perëndisë duke e parë atë në jetën njerëzore të Jezusit, siç është zbuluar në Bibël. Jezusi tha: “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 14:9).

Më e rëndësishmja, Jezui u bë një njeri për të vdekur për mëkatet tona. Meqenëse ishin burra dhe gra që thyenin ligjin e Perëndisë dhe ranë nën zemërimin e Perëndisë, shlyerja e vërtetë mund të bëhej vetëm nga një i cili ishte plotësisht njeri. Jezusi u bë një qenie njerëzore në mënyrë që të mund të ofrohej për mëkatet e popullit të tij, pasi vetëm ai ishte në gjendje të vuante dënimin e vdekjes në natyrën e tij njerëzore dhe megjithatë të ngadhënjente përmes jetës në hyjninë e tij.

Në botën e lashtë ka pasur shumë mite rreth perëndive që zbritën në tokë pak kohë derisa u lodhën dhe u kthyen në retë. Por askund në botën e lashtë nuk ekzistonte koncepti i Perëndisë që bëhej njeri, Fjala të merrte mishin, nga dëshira e tij për të na shpëtuar. Por ky është mesazhi ynë i gëzueshëm i Krishtlindjeve. Çfarë thotë kjo për dëshirën e Perëndisë për shpëtimin tonë? Ai hyri në botën tonë dhe u bë një prej nesh! Sa e madhe është dashuria e Perëndisë për secilin nga njerëzit e tij, që ai ta dërgojë Birin e tij që të vdesë për ne dhe kështu të na mundësojë që të jetojmë me Perëndinë përgjithmonë në lavdi! Kjo është dhurata që ne e festojmë me falenderime ndaj Perëndisë në Krishtlindje.

Gjoni thotë se Jezusi jo vetëm që banoi mes nesh, ashtu si tabernakulli i Perëndisë në mes të fiseve të Izraelit, por që na tregoi lavdinë e tij. Ka aq shumë lavdi lidhur me Krishtlindjen. Lutja ime është     që të gjithë ne – sidomos fëmijët tanë – të ndiejmë gjatë festimeve tona të Krishtlindjes, diçka nga lavdia që engjëjt kënduan në fushat e Betlehemit. Por, sipas Jezusit, lavdia e vërtetë për të cilën erdhi u zbulua në kryq. Në prag të hyrjes së tij në Jerusalem para kryqëzimit të tij, Jezusi deklaroi: “Ka ardhur ora që Biri i Njeriut të përlëvdohet” (Gjoni 12:23). Jezusi nuk po fliste për Hosannën e Ditës së Palmës por për agonitë e vdekjes së tij shlyese. Në kryq, Perëndia na tregoi turpin e vërtetë të mëkatit tonë, pasi edhe një aq i përsosur sa Jezusi duhej të vuante për të. Por në kryq, Perëndia na tregoi edhe lavdinë e vërtetë të dashurisë së tij, pasi ai ishte i gatshëm të jepte edhe Birin e tij, sakrifica që duhej për ne që të shpëtohemi. Kështu, duke parë lavdinë e hirit të Perëndisë në kryq, mëkatarët si ne janë të shpëtuar. A është Jezui, i cili ka lindur në grazhd për të vdekur në kryq, lavdia jote?

Sot, lavdia e Jezusit shkëlqen në zemrat tona nëpërmjet shkrimeve të Biblës (2 Pjetrit 1:19). Pra, ne mbajmë në një libër, të vërtetën e Perëndisë në gjithë lavdinë e tij, që na siguroi nëpërmjet profetëve dhe apostujve të lashtë të Jezu Krishtit. Nëse ne kemi marrë hirin e Perëndisë në kryqin e Krishtit, atëherë le të duam dhe dëshirojmë njohjen e së vërtetës së Perëndisë në Fjalën e tij. Le të sigurohemi që këtë sezon të Krishtlindjes ne të festojmë dhuratën e Perëndisë duke kaluar disa kohë në Bibël. Më pas le të jetë dhurata jonë e Krishtlindjes për të, besimi ynë besnik ndaj Jezusit dhe kënaqësia jonë në adhurimin e Perëndisë me falënderime në kishën tonë dhe së bashku me familjet tona. Në këtë mënyrë, Zoti mund t’ju japë të gjitha bekimet e tij më të pasura këtë kohë Krishtlindje.

 

Reformimi i Qeverisjes së Kishës

Reformimi Protestant Evropian nuk do të kishte mbijetuar pa reformimin e strukturave administruese të Kishës. E sulmuar nga jashtë nga hordhitë e papatit dhe të levave të tij politike, e gjendur po ashtu nën presionin e princave apo mbretërve në rajonet ku shtrihej si në Britani apo Gjermani apo edhe të senateve të qyteteve të pavarura ku ajo mund të ndodhej sikurse për shembull në Gjenevë, Cyrih apo Strasburg, lëvizja e reformuar nuk do të kishte rezistuar e ngadhënjyer pa reformuar sistemin qeverisës së saj. Po ashtu, ajo nuk do t’i kishte rezistuar as presioneve të copëzimit të ushtruara nga Reformimi Radikal apo atyre të ektremizmave të lëvizjeve të ndryshme të stilit anabaptist. Ndërsa reformimi i doktrinës së drejtësimit hapte dyert e qiellit, reformimi i adhurimit dhe i qeverisjes së Kishës siguronte që ato dyer të qëndronin të hapura edhe për gjeneratat që do të vinin, duke garantuar gjithashtu udhëtimin e perëndishëm dhe të qëndrueshëm të të drejtësuarve në udhën e shenjtërimit, ngulmimit dhe lavdërimit. Pa revolucionin eklesiologjik [fjala ekleziologji = doktrina e kishës, për pasojë eklesiologjik = një gjë të lidhur me doktrinën e kishës] të reformatorëve të gjeneratës së dytë, revolucioni soteriologjik [fjala soteriologji = doktrina e shpëtimit, për pasojë soteriologjik = një gjë të lidhur me doktrinën e shpëtimit] i reformatorëve të gjeneratës së parë si ai i Martin Luterit, do të zhbëhej shumë shpejt. Risitë e përvetësuara më pas prej Kishës së Romës, por edhe anarkia që pasoi ndër anabaptistët e asaj kohe janë prova të mjaftueshme të rreziqeve të mëdha që i kanoseshin një kishe të çorganizuar.

Dega e Kishës së Reformuar dhe e Kishës Presbiteriane si në kontinent ashtu edhe në ishujt Britanikë, synuan që mbi të gjitha të nderonin Krishtin si Koka e Kishës së Tij, madje si e vetmja Kokë e Kishës së Tij, dhe kjo solli atë që mund të titullohet si parimi rregullator i qeverisjes së kishës: Fjala e Krishtit shpalos qartë se si duhet të jetë struktura e kishës dhe, si rrjedhim, qeverisja e kishës duhet të bazohet në mësimin dhe praktikën apostolike.

Zhvillimet Reformuese në Strasburg

Martin Buceri e kishte si përparësi të dorës së parë reformimin e qeverisjes së kishës gjatë përpjekjeve të tij për të reformuar kishën në Strasburg. Gjatë hartimi të rregullores së kishës së qytetit, ideja e veçantë reformuese që ai zbuloi prej Dhiatës së Re, ishte rëndësia e rolit të plakut në drejtimin dhe në administrimin e disiplinës së kishës. Përveç kësaj, Buceri argumentoi se koncilët e kishës duhet t’i nënshtrohen Krishtit nëpërmjet sundimit që Ai ka themeluar në Fjalën e tij. Delegatët në koncilë të tillë, qofshin ato pleqësia lokale e kishës, sinodi apo asambleja kombëtare e kishës, këta delegatë duhet të zgjidhen me lutje dhe agjërim si dhe përmes një shqyrtimi të kujdesshëm, me qëllim që të shfaqen qartë dhuntitë e tyre frymërore. Pas zgjedhjes, shugurimit dhe dërgimit në këto mbledhje zyrtare, koncilët duhej t’i dëgjonin këta delegatë, se mos heshtnin zërin e Frymës që mund të fliste përmes tyre. (Kjo është një pikë që e meriton të merret në konsideratë sepse shpeshherë takimet zyrtare të pleqësive, presbiterëve apo sinodeve të kishave, janë nën tiraninë e minutazhit, ku jo vetëm që folësit kanë një kohë tepër të kufizuar për të folur, por edhe një çështjeje të caktuar i kushtohet një kohë e kufizuar për ta debatuar atë, përpara se sa të merret një vendim për të).

Në të njëjtën periudhë, edhe Gjoni Kalvini po arrinte Gjenevë, në mënyrë të pavarur, në shumë përfundime të ngjashme me ato të Martin Bucerit në Strasburg. Gjatë periudhës së parë baritore në atë Gjenevë, ai po përjetonte efektet e rendit të çrregullt të kishës në atë qytet. Çështja se kush kishte autoritet të zgjidhte, të disiplinonte, të pranonte besimtarët në Darkën e Zotit apo edhe të shkishëronte ngjalli një mosmarrëveshje të rëndë mes Kalvinit dhe qytetshtetit të Gjenevës. Si rrjedhim, në vitin 1538,Këshilli i Qytetit e dëboi atë dhe shumë pastorë të tjerë nga Gjeneva. Sipas gjykimit të Kalvinit, Këshilli i Qytetit ushtronte një kontroll të tepruar mbi disiplinën e kishës. Gjatë periudhës që kaloi në Strasburg, nga viti 1538 deri më 1541, roli i Bucerit, i cili ishte më i vjetër, më i qetë dhe më i pjekur në trajtimin e çështjeve, ishte tej mase formues për Kalvinin, për ta nxitur atë për reformimin e kishës. Teksa ishte në Strasburg, Kalvini u bë gjithashtu dëshmitar i shembullit negativ ndër kishat luteriane, në lidhje me faktin që shteti apo princi sundonte mbi kishat, edhe pse garantonte mbrojtje për to. Që nga ajo kohë, modeli që u zhvillua ndër kishat luteriane në Evropë ishte ai i nënshtrimit të strukturave të kishës ndaj autoriteteve civile. Edhe sot, kishat luteriane në Evropë janë kryesisht kisha shtetërore, ku rrogat u vijnë nga shteti, i cili gjithashtu ka mundësinë e ushtrimit të një ndikimi të plotë mbi jetën e kishës.

Është e rëndësishme të theksojmë se Bucer, Kalvini dhe reformatorë të tjerë nuk po sh piknin një sistem të ri qeverisje. Përkundrazi, reformimi i sistemit të qeverisjes ishte thjesht rizbulimi i parimeve biblike. Drejtimi, qeverisja dhe disiplinimi i kishës përmes ofiqit të plakut dhe të një sistemi asamblesh të shkallëzuara dhe përfaqësuese, nga pleqësia lokale e deri në një asamble kombëtare, nuk ishte një risi e zbuluar prej tyre, por një parim i shprehur qartë në Shkrimet e Shenjta dhe në veprat e etërve të kishës. Nën ndikimin e Bucerit, Kalvini u bind plotësisht se ofiqi i plakut dhe i institucioni i pleqësisë ishte një institucion i themeluar nga Krishti.

Reformimi kishtar në Gjenevën e Kalvinit

Kërkesa e Këshillit të Qytetit të Gjenevës në 1541 që Kalvini të rikthehej në atë qytet u prit me një mjaft ngurrim dhe kundërshti nga ana e këtij të fundit. Ai nuk dëshironte që të përfshihej përsëri në një jetë përplasjesh pa fund me drejtuesit e qytetit, ku ai, sipas fjalëve të tij, do të “vdiste një mijë herë në ditë”. Mirëpo, duke qenë i gatshëm që “ta sillte zemrën e vet si një flijim dhe një oferte për Zotin”, ai u kthye në atë qytet ku do të kalonte pjesën tjetër të jetës. Menjëherë ai filloi të vendosë rregull në kishë nëpërmjet një doracaku qeverisjeje të quajtur Ordinanca Kishtare, të cilat Këshilli i Qytetit shumë shpejt i miratoi në formë ligji dhe madje me shumë pak modifikime.

Një nga biografët e tij komenton se “nëse Institutet e Kalvinit ishin muskujt e Reform imit të drejtuar nga Kalvini, organizimi që ai i bëri kishës ishte shtylla kurrizore e tij”. Parathënia e Ordinancave Kishtare shpjegon se “qeverisja frymërore e demonstruar dhe themeluar prej Zotit tonë në Fjalën e tij duhet të organizohet në mënyrë cilësore, me qëllim që të ketë autoritet mbi ne dhe të zbatohet prej nesh”.

Një tipar kyç i Ordinancave Kishtare ishte juridiksioni i pavarur i gjykatave kishtare. Kalvini donte të mbronte të drejtën e kishës për të shkishëruar dhe për të administruar disiplinën kishtare në një mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga ndërhyrja e autoriteteve civile. Në parathënien e librit, Kalvini shkruan se, nga ana tjetër, edhe kisha nuk mund të uzurponte detyrat e shtetit duke ushtruar juridiksion civil. Prej këtej, civilizimi perëndimor merr parimin e ndarjes së kishës nga shteti dhe të shtetit nga kisha, një parim i padëgjuar më parë në Evropë, dhe tepër i vështirë për tu kuptuar e pranuar nga shumica e njerëzve të kohës. Nëse sot bota perëndimore e ruan këtë parim pa u menduar e sforcuar shumë për ta kuptuar e pranuar, në kohën e Reformimit Evropian, ky ishte një koncept po aq revolucionar e i çuditshëm për kohën sa edhe idetë e Kopernikut, sipas të cilave toka është e rrumbullakët dhe është pikërisht planeti ynë që vërtitet përreth diellit dhe jo e kundërta.

Kështu, në Gjenevën e Kalvinit u bë e qartë ndarja mes këtyre dy fuqive të shuguruara nga Perëndia: njërit i është dhënë shpata frymërore dhe tjetrit shpata e ligjit. Mirëpo, prapë se prapë, Kalvini do të përjetonte kundërshtimin e vazhdueshëm të shumë faktorëve ndaj këtij parimi në Gjenevë dhe do të duhej më shumë se një dekadë për ta kthyer këtë në praktikën e qëndrueshme të qytetit.

Duke ndjekur linjën e Bucerit, Kalvini përvijoi katër ofiqe në kishë: pastorë, mësues të teologjisë, pleq dhe dhjakë. Detyra e plakut kishte për qëllim “mbikëqyrjen e jetës së të gjithëve, për të paralajmëruar miqësisht ata që shiheshin në gabim apo mëkat, ose që jetonin një jetë të çrregullt, si dhe nëse ishte e nevojshme të urdhëronte ndreqje vëllazërore”.

Në zemër të eklesiologjisë së Kalvinit ishte pleqësia. Denominacionet e reformuara të traditës kontinentale evropiane e quajnë atë konsistori, pra, mbikëqyrësit, ndërsa denominacionet presbiteriane të traditës Britanike e quajnë atë sesion, pra, seance apo mbledhje. Pleqësia duhej të mblidhej çdo javë dhe duhej të përbëhej si nga pleqtë laikë ashtu edhe nga Grupi i Pastorëve të shuguruar. Kështu, duke hequr dorë nga sistemi klerikal apo çdo nocion i tij, Kalvini theksoi barazinë dhe pluralizmin e pleqve në ushtrimin e qeverisjes dhe të disiplinës kishtare. Sipas Kalvinit, punimet e stilit parlamentar në takimet e pleqësisë ishin veprat e Krishtit të gjallë, i cili vepronte përmes shërbëtorëve të tij që shërbenin vetëm në bazë të Fjalës së Perëndisë.

Përkundër imazhit të gabuar që është krijuar rreth Kalvinit si një tiran i zymtë, ai këmbëngul në shumë pasazhe të Ordinancave Kishtare që rregullat e parashtruar në të duhet të zbatohen me dhembshuri dhe durim. Për shembull, në trajtimin e gabimeve pastorale, kisha duhet të dallojë midis “krimeve të patolerueshme” dhe “gabimeve të cilat mund të përballohen duke ofruar këshillime të drejtpërdrejta vëllazërore”. Po kështu, në mbyllje të saj, Ordinancat theksojnë në lidhje me të tëra rregullat që ato përmbajnë: “E gjithë kjo duhet të bëhet me një përmbajtje të tillë që të mos ketë ashpërsi dhe që askush të mos lëndohet, sepse ndreqjet janë ilaçe për kthimin e mëkatarëve te Zoti ynë ”.

Përpjekjet e Kalvinit për reformimin e eklesiologjisë, nga ana tjetër, do të shërbenin për zgjerimin dhe përsosjen e veprës së tij madhështore, Institutet e Mësimit të Krishterë. Referencat për ofiqin e plakut, të cilat mungonin në botimin e parë të vitit 1536, u shfaqën së pari në botimin e vitit 1541 (pas përvojës së tij në Strasburg) dhe u zgjeruan edhe më tej në botimin e vitit 1559. Në botimin e fundit të librit, në vëllimin e katërt, kapitulli “Mjetet e Jashtme me anë të të cilave Perëndia na fton dhe na mban në shoqërinë e Krishtit”, lexojmë një shtjellim të gjatë mbi kishën dhe qeverisjen biblike të saj. Kaq e domosdoshme ishte për Kalvinin qeverisja biblike përmes pleqësisë dhe asambleve të shkallëzuara kishtare, sa që Kalvini shkruan në mënyrë profetike: “Kushdo që e zhvlerëson atë si jo të domosdoshme, po përpiqet në fakt për zhbërjen, ose për rënien dhe shkatërrimin e kishës” (4.3.3).

Sistemi kishtar gjenevas do të përqafohej më vonë nga të gjitha ato kisha që e dëshironin me të vërtetë reformimin e plotë të kishës. Kisha Skoceze e zbatoi praktikën e Gjenevës në Librin e Dytë të Disiplinës (1578), duke bërë të vetën një strukturë presbiteriane të asambleve / gjykatave të shkallëzuara, që nga sesionet lokale në presbiterin që është kisha rajonale, deri tek sinodet / asambletë për nivel provincial dhe kombëtar. Ky sistem eliminoi dhe zëvendësoi peshkopët dhe superintendentët e sistemit Episkopal të Kishës Katolike dhe Anglikane. Fuqia dhe fleksibiliteti i një eklesiologjie të tillë është një prej arsyeve kryesore të përhapjes së mrekullueshme të kalvinizmit përtej Evropës, në Amerikë, Azi dhe Afrikë. Këto kisha përgjithësisht mbilleshin, rriteshin dhe përhapeshin pa mbështetjen e princave siç ishte rasti i kishës luteriane ndër kolonitë kontinentale, madje mbijetonin dhe ngadhënjenin në fusha tepër armiqësore misioni.

Kaosi kishtar bashkëkohor

Nga fundi i mandatit të tij në Gjenevë si pasardhësi i Gjon Kalvinit, Teodor Beza komentoi në një predikim se sistemi qeverisësh i kishës është një shënjestër e parapëlqyer për sulmet e Satanit, sepse është më lehtë ta përmbysësh atë sesa doktrinën e saj. Paralajmërimet e Bezës përshkruajnë sot situatën ku gjenden shumica e kishave ungjillore nëpër botë. Parimi rregullator i qeverisjes së kishës nuk njihet sot, madje mund të themi se gjen zbatim vetëm në një pakicë kishash të Krishterimit ungjillor, i cili dominohet nga kisha të çrregullta, shumë prej të cilëve vuajnë kaq shumë nga sëmundja e informalitetit dhe e kundërshtimit të pasjes së kontureve të dukshme të organizimit, sa që nuk kanë as drejtues, as anëtarësi dhe as një eklesiologji formale.

Kishat ungjillore sot janë në shumicën e rasteve të paafta për të zgjidhur konfliktet në kishë, dhe në rastet me ekstreme “zgjidhja” pritet që të vijë nga duart e pastorëve “tiranë”. Kalvini do ta komentonte kaosin që ekziston sot në “ungjillorucizëm”, ndoshta me të njëjtin koment që ai dha për sistemin kishtar të Kishës Katolike, në një përgjigje që i dha Kardinalit Sadoleto: “Madje edhe ndër piratë e grabitës duket se ka më shumë drejtësi dhe qeverisje të rregullt, se sa në tërë sistemin tuaj qeverisës”. Shumë pastorë ungjillorë të kishave të pavarura të qeverisura nga ata vetë apo nga një sistem joefikas dhjakësh, tallen shpesh herë më sistemin e reformuar apo Presbiterian të qeverisjes së kishës si tepër i ngrirë, apo tepër i ngadalshëm. Dihet që precizoni i eklesiologjisë së reformuar ka bërë që ungjillorët të tallen me ta si the frozen chosen, të paracaktuarit e ngrirë. Mirëpo, shqetësimi ynë për një rend biblik të administrimit të kishës nuk është një institucionalizëm që i kundërvihet punës së Frymës, por dhurata e Frymës dhe mjeti i hirit përmes së cilës Fryma vepron. Fryma e zellit është edhe Fryma e rregullit. Tradita e Reformuar kishtare ka kuptuar prej kohësh se sistemi biblik i qeverisjes së kishës është mjeti thelbësor, me anë të të cilit Perëndia, siç shkruan Kalvini, “na fton” dhe “na mban”. Ai është mjeti përmes së cilit ne shprehim nënshtrimin tonë ndaj Zotit dhe Kreut së kishës dhe njëri-tjetrit.

Rëndësia e Shërbesës së Lutjes

Ora apo shërbesa e lutjes është çdo ditë të mërkure në orën 18 të mbrëmjes. Lutja është hidrocentrali i një kishe lokale. Një kishë pa lutje është një kishë pa jetë, pa dritë, pa fuqi.  Apostulli Pal shkroi “Lutuni pa pushim.” (1 Sel. 5:17).

Cila është rëndësia e lutjes?

Rëndësia e lutjes mund të shikohet së pari në faktin që ka rreth 650 lutje që përmenden në Bibël. Në Dhiatën e Re gjejmë 25 herë Jezusin duke u lutur gjatë shërbesës së tij këtu në tokë. Nëse Jezusi e kishte të rëndësishme dhe të domosdoshme që ti lutej Atit, aq më shumë ne që jemi shumë herë më të dobët se Ai, kemi nevojë që të marrin hir e fuqi prej Atit përmes lutjes. Apostulli Pal përmend lutjen, raportime lutjesh, kërkesa lutjesh dhe inkurajime për tu lutur rreth 41 herë në letrat e tij dhe Veprat e Apostujve. Jezusi u dha dishepujve jo vetëm shembullin e tij të një jete lutëse (Marku 1:35), por edhe i dha atyre instruktime të hollësishme se si duhet të lutemi (Luka 11:1-4). Kisha e hershme ishte një kishë që lutej (Veprat 1:14; 2:42; 4:23-31; 13:1-3).

Së dyti, lutja është një mënyrë se si ne i shërbejmë Perëndisë dhe i bindemi atij (Luka 2:36-38). Ne lutemi sepse Perëndia na urdhëron që të lutemi (Filipianëve 4:6-7). Së treti,ne lutemi sepse Perëndia ka vendosur që lutja të jetë mënyra përmes së cilës ne duhet të marrim bekimet e tij. Ne duhet të lutemi përpara se të marrim vendime të rëndësishme (Luka 6:12-13), që të thyejmë barrikadat dhe rezistencën demoniake në këtë botë (Mateu 17:14-21), për të grumbulluar punëtorë për të mbledhur të korrat shpirtërore (Luka 10:2), për të marrë fuqi për të kapërcyer tundimet (Mateu 26:41); si dhe për mjetet e inkurajimit shpirtëror për të tjerët (Efesianëve 6:18-19).

Cila është siguria apo premtimi i lutjes?

Perëndia na ka premtuar që asnjë prej lutjeve tona nuk do të shkojë kot, edhe pse shpesh herë Ai i përgjigjet atyre me mënyrën e tij dhe jo me specifikat tona (Mateu 6:6; Rom. 8:26-27). Ai na ka premtuar se kur ne lutemi në përputhje me vullnetin e tij, Ai do të na japë çfarë ne i kërkojmë (1 Gjonit 5:14-15). Ndonjëherë ai i vonon që të përgjigjet në përputhje me urtësinë e tij dhe për bekimin tonë. Në këto raste, ne duhet që të jemi të zellshëm dhe ngulmues në lutje (Mateu 7:7; Luka 18:1-8). Lutja nuk duhet parë si mënyra jonë për ta detyruar Perëndinë që të bëjë vullnetin tonë këtu në tokë, por si instrumenti që Perëndia përdor për të bërë vullnetin e tij qiellor këtu në tokë. Urtësia e Perëndia ia kalon pafundësisht urtësisë tonë.

Në ato raste kur nuk jemi të qartë apo të sigurt se cili është plani specifik i Perëndisë, lutja është mjeti për ta zbuluar atë. Nëse gruaja Siriane me vajzën e dejonizuar nuk do ti ishte lutur Krishtit, vajza e saj nuk do të qe shëruar (Marku 7:26-30). Nëse i verbëri jashtë Jerikosë nuk do ti kishte thirrur Krishtit, ai nuk do të kishte ngelur i verbër (Luka 18:35-43). Perëndia thotë se ne nuk kemi sepse nuk kërkojmë (Jakobi 4:2).

Përse nuk lutemi sa duhet?

Kur ne nuk lutemi ne demonstrojmë mungesën e besimit tonë tek Perëndia dhe Fjala e Tij. Ne lutemi sepse i besojmë Perëndisë dhe Fjalës së Tij, dhe se ai i qëndron besnik premtimeve që na ka dhënë dhe instrumenteve që ai ka vendosur që ne të përdorim për bekimin tonë dhe të tërë botës shumë më shumë nga çfarë ne mund të imagjinojmë (Efe. 3:20). Lutja është mjeti kryesor nëse duam të shikojmë Perëndinë të veprojë në jetët tona. Le të na gjeje Perëndia shpesh në lutje, përpara fronit të tij në qiell duke u lutur, sepse atje ne kemi një kryeprift i cili identifikohet me të tëra dobësitë tona (Hebrenjve 3:15-16). Ne kemi premtimin e tij se lutjet plot zell të një besimtarit realizojnë shumë gjëra në këtë botë (Jakobi 5:16-18). Perëndia e lavdëroftë emrin e tij në jetët tona ndërsa ne i besojmë atij praktikisht, dhe aq shumë sa të shkojmë shpesh tek ai në lutje.

PYETJA 11 E KATEKIZMIT TE RI

Katekizmi

Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e gjashtë, të shtatë dhe të tetë?

Së gjashti, të mos lëndojmë, urrejmë apo tregohemi armiqësorë me fqinjin tonë, por të jemi të duruar dhe paqësorë, duke treguar dashuri edhe ndaj armiqve tanë. Së shtati, të mos bëjmë imoralitet seksual dhe të jetojmë një jetë me pastërti dhe besnikëri, si në martesë ashtu dhe në beqari; të mënjanojmë çdo dëshirë, mendim, fjalë, shikim apo veprim të papastër dhe çdo gjë tjetër që mund ta na çojë drejt tyre. Së teti, të mos marrim pa leje atë që i përket dikujt tjetër dhe të mos i refuzojmë asnjë mirësi atyre që mund të kenë dobi prej saj.

Vargu Biblik – Romakeve 13:9

Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorë, mos vrit, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo”, dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: ”Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”

Komentar

Njeriu as që ka mundësi t’i zbatojë Dhjetë Urdhërimet. E megjithatë ai flet tepër lehtë për zbatimin e Predikimit në Mal apo për imitimin e Krishtit… Judenjtë ishin një popull të cilëve Perëndia tashmë ua kishte dhënë ligjin e tij përmes shërbëtorit të vet Moisiut dhe ata nuk mundën ta zbatonin. Ata nuk mundën t’i zbatonin Dhjetë Urdhërimet. Askush nuk i ka zbatuar ato ndonjëherë në mënyrë të përsosur. Nëse dikush nuk mund të zbatojë dot Dhjetë Urdhërimet, të paktën ashtu i kuptojnë ata, çfarë shprese do kenë për t’i zbatuar ato sipas mënyrës që u interpretuan prej Zotit Jezu Krishti? Ky ishte gjithë problemi i Farisenjve të cilët e urryen aq shumë Jezusin dhe më në fund e kryqëzuan. Ata mendonin që po i zbatonin Dhjetë Urdhërimet dhe ligjin moral. Zoti ynë i bindi për faktin që nuk po e bënin këtë gjë. Ata shpallën që nuk kishin kryer kurrë vrasje. Prisni pak, iu tha Zoti. A i keni thënë ndonjëherë vëllait tuaj, “Budalla”? Nëse e keni bërë atëherë jeni fajtorë për vrasje.

Vrasje nuk do të thotë vetëm akti fizik i vrasjes së dikujt, vrasje do të thotë të kesh hidhërim dhe urrejtje në zemrën tënde. Nëse e mbani mend, ai iu mësoi të njëjtën gjë në lidhje me kurorë-shkeljen. Ata pretendonin që ishin të pafaj. Por Zoti iu tha, prisni pak, ju po thoni që nuk keni kryer kurrë kurorë-shkelje? “Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.” (Mateu 5:28). Ky person është fajtor, ai ka lakmuar, ka dëshiruar… Një mendim dhe një imagjinatë janë po aq të dënueshme në sytë e Perëndisë sa edhe vetë veprimi i kurorë-shkeljes.

Martin Lloid Xhons (David Martyn Lloyd-Jones, 1899–1981). Doktor dhe pastor protestant nga Uellsi. Martin Lloid Xhons njihet më tepër për predikimet dhe mësimet e tij në Kishën Uestminster në Londër për tridhjetë vjet me radhë. Ai kalonte muaj dhe madje vite për të shpjeguar një kapitull të Biblës varg pas vargu. Botimi i tij më i famshëm është ndoshta seria e tij e komentarëve për letrën e Romakëve e cila përmban 14 volume.

Video

Lutje

O Perëndi dhe At i mëshirshëm që denjon të ndërtosh një tempull frymëror mes nesh, jo me dru apo me gurë, por me ndërtimin e Frymës së Shenjtë, atij që qëndron tek ata që besojnë, të përgjërohemi na jep mundësi që të mos mbetemi nën pushtetin e ndonjë tundimi për ta ndotur atë tempull me mëkatet tona, por përkundrazi t’i nënshtrohemi Perëndisë si fëmijë të dashur, dhe të mund të vazhdojmë të të përlëvdojmë Ty me një bindje të shenjtë gjersa të arrijmë të shohim fytyrë zbuluar lavdinë tënde, të cilën tani e shohim vetëm të reflektuar në fjalën Tënde, përmes Jezu Krishtit Zotit tonë. Amen.

Xhon Kalvin (John Calvin, 1509-1564). Teologu dhe pastori kryesor i Reformacionit Evropian. Kalvini lindi në Francë në një familje strikte Katolike. Ai punoi në Gjenevë pjesën më të madhe të jetës së tij dhe organizoi kishën e Reformuar. Kalvini shkroi Institutet e Fesë së Krishterë (nga edhe është shkëputur ky citim), Katekizmën e Gjenevës si dhe shumë komentarë mbi Shkrimet.

 Burimi: http://fjaletejetes.com/katekizem/

PYETJA 10 E KATEKIZMIT TE RI

Katekizmi

Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e katërt dhe të pestë?

Së katërti, ditën e Sabatit të kalojmë kohë private dhe publike për të adhuruar Perëndinë, të çlodhemi nga punët e zakonshme, t’i shërbejmë Zotit dhe të tjerëve dhe në këtë mënyrë të presim Sabatin e përjetshëm. Së pesti, të duam dhe nderojmë babain dhe nënën tonë duke iu nënshtruar drejtimit dhe disiplinës së tyre të perëndishme.

Vargu Biblik – Levitiku 19:3

Secili prej jush të respektojë nënën dhe atin e tij, po kështu të respektojë të shtunat e mia. Unë jam Zoti Perëndia juaj.

Komentar

Fjala e Perëndisë na i urdhëron këto gjëra kundër prirjes tonë të natyrshme. Ajo të thotë, ‘Perëndia yt është një i vetëm’ (LiP), adhuro vetëm një Perëndi. Ajo që dëshiron ti është të lësh mënjanë të vetmin Perëndi…Të është thënë që ta respektosh Sabatin në një mënyrë frymërore, duke shpresuar prehjen e ardhshme të cilën ta ka premtuar Zoti… Arsyeja pse duhet të çlodhesh nuk është që të punosh, por duhet të punosh në mënyrë që të çlodhesh. Të është thënë, ‘Ndero atin tënd dhe nënën tënde’ (Eksodi 20:12). Kurse t’i i fyen prindërit e tu, gjë të cilën është e sigurt që nuk do ta dëshirosh prej fëmijëve të tu/

Në Frymën e Shenjtë, domethënë në dhuratën e Perëndisë, na është premtuar një prehje e përjetshme… Për këtë gjë tashmë e kemi marrë kaparin. Këtë na thotë apostulli, “i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës” (2 Korintasve 1:22). Nëse kemi marrë kaparin që të kemi paqe në Zotin dhe Perëndinë tonë… në gjithashtu do jemi në paqe përgjithmonë në atë prej të cilit e kemi marrë këtë kapar. Kjo ka për të qenë sabati i sabatëve… Prandaj urdhërimin për Sabatin duhet ta marrim në një mënyrë frymërore. Perëndia e shenjtëroi ditën e shtatë kur bëri gjithë veprat e tij, ashtu si e lexojmë tek Zanafilla. Perëndia u çlodh nga të gjitha veprat e tij (Zanafilla 2:2-3). Kjo nuk ishte për shkak se Perëndia ishte i lodhur prandaj thuhet që Perëndia u çlodh nga punët e tij, por ajo fjalë përmban një premtim prehjeje për ju ndërsa vazhdoni të punoni. Perëndia u çlodh, për t’i lënë të kuptoni që edhe ju do të çlodheni… madje me një çlodhje të pafundme.

Ndero atin dhe nënën tënde (Eksodi 20:12). Herën e parë që hapni sytë në këtë botë shihni prindërit tuaj. Nëse dikush nuk nderon prindërit e tij, a ka ndonjë person të cilin mund ta kursejë? Ndryshoni udhët tuaja. Ju që dikur donit botën, doni Perëndinë. Ju dikur donit kotësitë e paudhësisë, donit kënaqësitë kalimtare dhe të përkohshme, duani të afërmit tuaj.

Augustini i Hipos (354-430). Augustini ishte peshkopi i Hipos, një koloni Romake në Afrikën e Veriut. Ai ishte filozof, teolog dhe konsiderohet shenjtor dhe Doktor i Kishës si nga Kisha Katolike ashtu dhe nga Bashkësia Anglikane. Ai shkroi një libër për kthimin e tij në besim të cilin e titulloi ‘Rrëfimet’. Kjo është vepra e tij më e njohur, por në të njëjtë kohë Augustini është një prej autorëve Latinë më të frytshëm për sa i përket veprave që i kanë mbijetuar kohës me qindra tituj të veçantë (vepra apologjetike, tekste për doktrinën e krishterë, dhe komentarë) dhe më shumë se 350 predikime të ruajtura deri më sot.

Video

Lutje

Me Krishtin asgjë nuk është e pamundur. Ai mund të zbusë zemrat që duken aq të ashpra sa guri i mokrës. Ai mund ta përkulë vullnetin kokëfortë pas shumë vitesh kënaqjeje të vetes me mëkatin dhe botën. Ai mund të krijojë, transformojë, ripërtërijë, të shkatërrojë, të ndërtojë dhe të sjellë në jetë me një fuqi të pa rezistueshme. Le të mbahemi fort pas kësaj të vërtete të bekuar dhe të mos e lëmë kurrë. Le të lutemi për kuptimin e duhur për ligjin e Sabatit. Le ta mbajmë këtë ditë të shenjtë dhe t’ia kushtojmë Perëndisë.

Xhon Çarls Rajl (1816–1900). Rajl ishte peshkopi i parë Anglikan i Liverpulit. Emërtimi i Rajlit u bë me rekomandimin e Kryeministrit Benjamin Disraeli. Përveçse ishte shkrimtar dhe pastor, Rajl ishte edhe sportist për lundrimin me rrema dhe luajti kriket për Universitetin e Oksfordit. Ai ishte përgjegjës për ndërtimin e mbi dyzetë kishave.

 

PYETJA 9 E KATEKIZMIT TE RI

Katekizmi

Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e parë, të dytë dhe të tretë?

Së pari, që ta njohim dhe të besojmë në Perëndinë si i vetmi Perëndi i gjallë dhe i vërtetë. Së dyti, që të mënjanojmë çdo idhujtari dhe të mos e adhurojmë Perëndinë në mënyra të papërshtatshme. Së treti, që ta trajtojmë emrin e Perëndisë me frikë dhe druajtje, duke nderuar Fjalën dhe veprat e Tij.

Vargu Biblik – Ligji i Përtërirë 6:13–14

Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh dhe do të betohesh për emrin e tij. Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë.

Komentar

Perëndia i udhëzon njerëzit të shohin që Perëndia i zbuluar në Shkrimin e Shenjtë dhe i manifestuar në personin e Zotit Jezus, është Perëndia që krijoi qiellin dhe tokën. Njeriu formon për veten e tij një perëndi sipas dëshirës së vet; ai bën për veten e tij një hyjni si t’i pëlqejë atij, nëse ky nuk është prej druri dhe guri, mund të jetë sipas asaj që ai e quan ndërgjegjen e tij apo mendimit të tij të arsimuar; ai krijon një hyjni që nuk do tregohet tepër e ashpër me shkeljet e tij apo që ushtron drejtësi të prerë me të pa penduarin. Njeriu e mohon Perëndinë ashtu siç është në të vërtetë, dhe formon perëndi të tjera, ashtu si mendon ai që duhet të jetë Hyjnia… Por kur Fryma e Shenjtë na ndriçon mendjen na bën të shohim që Jahuej (JAHWEY) është Perëndi, dhe përveç tij nuk ka tjetër. Ai e mëson popullin e tij të dinë që Perëndia i qiellit dhe tokës është Perëndia i Biblës, një Perëndi atributet e të cilit janë plotësisht të ekuilibruara. Mëshira shoqërohet me drejtësinë, dashuria shoqërohet me shenjtërinë, hiri shpaloset në të vërtetë, dhe fuqia lidhet me butësinë. Ai nuk është një Perëndi që e mbyll një sy para mëkatit, dhe nuk mund të thuhet fare që kënaqet me të… por është një Perëndi që nuk mund ta shohë dot paudhësinë, dhe nuk ka për ta lënë të pandëshkuar fajtorin. Kjo është beteja e madhe e kohës tonë mes filozofit dhe të Krishterit. Filozofi thotë, “Po, mund të kesh një perëndi, por ai duhet të ketë këtë karakter që po të them unë,” por i Krishteri përgjigjet, “Puna jonë nuk është të shpikim një perëndi, por t’i bindemi të vetmit Zot që është zbuluar në Shkrimet e të vërtetës.”

Çarls Hadon Spërxhën (1834–1892). Predikues Baptist Anglez. Spërxhën u bë pastori i Kishës Nju Park Strit (që më vonë u njoh si Tabernakulli Metropolitan) kur ishte 20 vjeç. Ai u predikonte rregullisht më shumë se 10,000 vetëve pa pasur sistemet moderne të zërit. Spërxhën ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe veprat e tij të shtypura janë tepër voluminoze. Gjatë jetës së tij ai predikoi 3,600 predikime dhe botoi 49 volume komentarësh, thëniesh, himnesh dhe leximesh devocionale. Shkëputur nga predikimi “Njohja e Perëndisë me zemër”

Video

Lutje

Ti më urdhëron “të mos kem perëndi tjetër përveç Teje.” Kjo do të thotë që duhet të të kem Ty si Zot dhe Perëndi, të pres për çdo gjë të mirë nga duart e tua dhe si rrjedhim duhet të të besoj Ty plotësisht, të të falënderoj, të të dua, të të druhem, të të bindem dhe t’i përgjërohem emrit tënd të shenjtë për të gjitha nevojat e mia; që të mos ia jap besimin, dashurinë, frikën, bindjen, mirënjohjen, përgjërimin dhe lutjet e mia asnjë tjetri… por vetëm Ty. Që të gjitha këto t’i bëj o Zot Perëndia im, me një zemër të gëzuar pasi kam një arsye të madhe kur mendoj se ç’gjë e mahnitshme është ajo që ke bërë Ti, ke dhënë Birin tënd për mua dhe je bërë Perëndia im!

At i dashur ç’mund të them vallë? Ashtu si në të shkuarën e kam shkelur ligjin tënd duke besuar në krijesat e tua, duke u mbështetur në to, kam dashur, kam pasur frikë dhe u jam bindur shumë gjërave të tjera përveç Teje dhe nuk të jam bindur Ty. Përmes mirësisë dhe mëshirës sate të madhe o At i dashur, më fal mua dhe idhujtarinë që kam kryer në të shkuarën si dhe atë që kam bërë dhe vazhdoj të bëj… bëj që të mos kem asnjë Perëndi tjetër në zemër veç Teje, të mos i shërbej askujt tjetër veç Teje dhe për Ty… O Zot t’i më urdhëron të mos e përdor kot emrin tënd, duke mallkuar, duke bërë lutje pa kuptim, duke u tallur, duke abuzuar apo neglizhuar leximin dhe dëgjimin e fjalës tënde të shenjtë… gjithashtu të mos e mohoj të vërtetën dhe fjalën tënde, të mos e fsheh kur më jepet rasti për të të dhënë lavdi Ty duke konfirmuar të vërtetën.

Prandaj e kuptoj që Ti dëshiron që ta përdor gjuhën time që me përulësi të të rrëfej Ty, fjalën dhe të vërtetën tënde… të lutem me zemër, t’i bëj thirrje emrit tënd; të lexoj dhe dëgjoj fjalën tënde, ta shpall atë me druajtje, zell dhe kujdes; në falënderime dhe lavdërime për Ty për shkak të mëshirës sate të madhe… Zot i mirë dhe i hirshëm… unë jam një shkelës i mjerë i urdhërimit tënd të mirë të bekuar dhe të shenjtë, ashtu si kam qenë edhe në të shkuarën. Perëndi i dashur, fali mëkatet e mia të shkuara dhe të tashme për të cilat ky ligj më akuzon dhe më jep mundësi o At i hirshëm që të mbushem me Frymën tënde të Shenjtë për ta njohur dhe dashur emrin, fjalën dhe të vërtetën tënde të shenjtë në Jezu Krishtin… t’i lutem emrit tënd për të gjitha nevojat e mia, të të falënderoj Ty, të të përlëvdoj, lartësoj dhe shenjtëroj emrin tënd të shenjtë si një enë e mëshirës tënde, tani e përjetë.

Gjon Bradford (1510–1555). Reformator Protestant Anglez në Universitetin e Kembrixhit. Ai u caktua kapelani mbretëror i Mbretit Eduard VI. Kur Katolikja Maria Tudor mori fronin ai u arrestua bashkë me Latimerin, Ridlin dhe Kryepeshkopin Cranmer. Bradfordi kishte një reputacion të madh si predikues dhe një turmë e madhe erdhi për të parë ekzekutimin e tij. Ai mbahet mend më tepër për thënien e tij, “Ja ku po shkon dhe Gjon Bradford prej hirit të Perëndisë.” Veprat e tij, disa prej të cilave u shkruan në burg përfshijnë letra, nxitje, eulogji, meditime, predikime dhe ese. Shkëputur nga “Meditime të perëndishme: Meditim për Dhjetë Urdhërimet”.

PYETJA 8 E KATEKIZMIT TE RI

Katekizmi

Cili është ligji i Perëndisë i deklaruar në Dhjetë Urdhërimet?
Nuk do të kesh asnjë perëndi tjetër përveç meje. Nuk do të bësh për veten tënde asnjë idhull në formën e ndonjë gjëje lart në qiell, mbi tokë apo nën tokë, ose në ujëra – nuk do të biesh përmbysë para tyre dhe nuk do t’i adhurosh. Nuk do ta keqpërdorësh emrin e ZOTIT Perëndisë tënd. Mbaje mend ditën e Sabatit dhe shenjtëroje. Ndero atin tënd dhe nënën tënde. Nuk do të vrasësh. Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore. Nuk do të vjedhësh. Nuk do të japësh dëshmi të rreme. Nuk do të lakmosh. Nuk do të kesh perëndi të tjetër para meje.

Vargu Biblik – Eksodi 20:3, LiP 5:7

Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.

Komentar

Veç meje s’do kesh Perëndi
Një Imazhi në gjunjë mos i bjer
Emrin e Perëndisë kot mos e përdor
Sabatin e tij mos e përdhos
Babë e nënë do të nderosh
Mos vrit, madje mos ta mendosh
Me kurvërim ti mos u ndot
Mos vidh – dhe pse thellë në varfëri
Dëshmi të rreme mos jep ti
Për gjërat e fqinjit mos ki lakmi.

Rreziku nuk qëndron vetëm në thyerjen e një apo dy prej këtyre dhjetë urdhërimeve, por në fakt në shkeljen e secilit prej tyre. Siç mund ta dini, kur një mbret jep dhjetë urdhëra të caktuara të cilave shtetasit e tij t’ju binden ndryshe ekzekutohen me vdekje, nëse dikush shkel qoftë edhe një prej këtyre të dhjetave, atëherë ka kryer tradhëti, është njëlloj sikur t’i kishte thyer të dhjeta dhe është i dënuar të vuajë ndëshkimin e ligjit njëlloj sikur ta kishte thyer secilin prej tyre. Këto gjëra janë shumë të qarta përsa i përket ligjit të Perëndisë, për shkak se ai është një besëlidhje e veprave. Nëse dikush zbaton nëntë prej tyre por shkel vetëm një, kjo shkelje e vetme është e sigurt që do ta shkatërrojë dhe do ta përzërë nga gëzimet e qiellit sikur në fakt t’i kishte shkelur që të gjitha. Edhe sikur ta përmbushni këtë besëlidhje të ligjit, madje të gjithën, për një kohë të gjatë, dhjetë, njëzetë, pesëdhjetë apo shtatëdhjetë e pesë vjet, në qoftë se gabon edhe një herë të vetme dhe e shkel një prej këtyre urdhërimeve para se të vdesësh në bazë të asaj besëlidhjeje je i humbur.
Miqtë e mi, ju duhet të kuptoni që ata që janë nën besëlidhjen e hirit do të shpëtohen prej saj me po atë siguri që ata që janë nën besëlidhjen e ligjit do dënohen prej saj, nëse vazhdojnë në to. Sërish, duhet të kuptoni që ky ligj nuk dënon vetëm fjalët dhe veprimet, por ka autoritet të dënojë edhe mendimet e liga më të fshehta të zemrës, prandaj nëse nuk thua ndonjë fjalë të ligë, si mallkim, gënjeshtër, sharje apo shpifje, apo çdo fjalë tjetër që nxit apo shijon mëkatin, por nëse lejon qoftë edhe një medim të kotë në zemrën tënde, një të vetëm në jetën tënde, ligji e kap, të akuzon dhe të dënon edhe për një gjë të tillë. Prandaj ashtu si pjesa tjetër e urdhërimeve, nëse ka qoftë edhe një mendim të lig në zemrën tënde, kundër Perëndisë, kundër njerëzve të tjerë, edhe pse ti mund të mos e dallosh, gjithsesi ligji të kap, dhe me autoritetin e vet të arreston, të dënon dhe të ekzekuton për këtë gjë.
Gjon Bunian (1628–1688). I njohur me nofkën kallajxhiu i Elstou, Buniani përjetoi një kthim dramatik në besim dhe u bë një prej predikuesve më të njohur Puritanë. Ndërsa popullariteti i tij u rrit ai u bë gjithnjë e më tepër një shënjestër për shpifje dhe akuza gjëra të cilat më në fund e çuan në burg ku edhe shkroi veprën e tij më të njohur e cila është botuar edhe në gjuhën shqipe Rruga e Shtegëtarit në vitin 1678.

Video

Lutja

Zoti dhe Perëndia im, më ndihmo përmes hirit tënd t’i mësoj dhe t’i kuptoj urdhërimet e tua në mënyrë më të plotë çdo ditë dhe të jetoj sipas tyre… Ruaje zemrën time që të mos bëhem më harraq dhe mosmirënjohës, që kurrë të mos shkoj pas perëndive të tjera, pas ngushëllimeve të tjera mbi dhe, apo tek ndonjë krijesë tjetër, por që të mbahem me të vërtetë vetëm tek Ti, Perëndia im i vetëm. Amen, i dashur Zot Perëndi, Ati im. Amen.
Martin Luteri (1483–1546). Pastor Protestant Gjerman dhe profesor i teologjisë. Luteri ishte biri i një familjeje minatorësh, që kishte për qëllim të bëhej avokat, por u bë pjesë e rendit monastik. Në 31 Tetor 1517 Luteri gozhdoi Nëntëdhjetë e Pesë Tezat e tij në derën e një kishe në Vitenberg duke i hapur kështu udhë Reformimit. Refuzimi i tij për të hequr dorë nga shkrimet e tij pavarësisht këmbënguljes së Papë Leos X dhe Karlit V rezultoi në çkishërimin e tij. Luteri shkroi shumë vepra, ku përfshihen katekizma e tij e shkurtër dhe ajo e zgjeruar, si dhe predikoi qindra predikime në kisha dhe universitete.

 Burimi: http://fjaletejetes.com/katekizem/