Author: user

Psalmi 8 – Madhështia e Perëndisë dhe Dinjiteti i Njeriut

Psalmi që kemi përpara për studim është një psalm i veçantë për shumë arsye. Së pari, psalmi 8 është një psalm lavdërimi, dhe është i pari i këtij lloji në renditjen e psalmeve siç i kemi sot. Edhe pse në mënyrë direkte është një deklaratë e madhështisë ë Perëndisë mbi krijesën, aferat e njeriut dhe madje edhe historinë e shpëtimit, psalmi në mënyrë indirekte është gjithashtu një thirrje për adhurim. Së dyti, ky psalm është një psalm Kristologjik, pasi kjo është mënyra se si Krishti dhe autori i librit të Hebrenjve nën Frymën e Shenjtë e kanë interpretuar atë. Së treti, Psalmi 8 eksploron temën e shkëlqimit madhështor të Zotit dhe parëndësinë tonë përmes krahasimit me madhështinë e Perëndisë dhe përmasën e Krijimit. Së katërti, psalmi eksploron temën e dinjitetit të njeriut: Zoti na ka krijuar në shëmbëlltyrën e Tij dhe na kurorëzoi me mirësi dhe lavdi. Ai na ka caktuar rolin e sundimit mbi krijimin e Tij. Rrjedhimisht, i gjithë ky shtjellim faktual dhe meditim teologjik duhet të na udhëheqin në adhurim, pasi psalmi fillon dhe mbaron (Psalmi 8: 1, 9), me deklaratën adhuruese, “9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Derek Kidner komenton kështu[1]:

 Ky psalm është një shembull i patejkalueshëm se si duhet të jetë një himn, duke festuar ashtu siç bën lavdinë dhe hirin e Zotit, duke shtjelluar se kush Ai është dhe çfarë Ai ka bërë, dhe duke na lidhur ne dhe botën tonë me Të; të gjitha me një ekonomi mjeshtërore të fjalëve dhe me një frymë gëzimi dhe frike të përzier….

Gama e mendimit na merr jo vetëm “lart qiejve” (v.1) dhe përsëri në fillim (v.3, 6-8) por, siç vë në dukje Testamenti i Ri, deri në fund.

Për këtë arsye, e kam titulluar këtë mesazh, “Madhështia e Perëndisë dhe Dinjiteti i Njeriut”. Dinjiteti i njeriut ekziston dhe mund të shihet vetëm në kontekstin e ekzistencës s Perëndisë, të qëllimit të tij për krijimin e njeriut, dhe të veprës që Perëndia bën më vonë përmes Krishtit për njerëzimin.

Vini re që psalmi 8 hapet dhe mbyllet me Perëndinë dhe lavdinë e madhështinë e Tij. Në mes të psalmit flitet për ekzistencën, rolin dhe dinjitetin e njeriut. Kjo ka rëndësi teologjke. Ne mund të flasim për ekzistencën, rolin dhe vlerën e vërtetë të njeriut vetëm në kontekstin e Perëndisë dhe qëllimeve të Tij për krijesën përfshi njeriun. Vetëm brenda kllapave apo kontekstit të Perëndisë e qëllimeve të tij ka krijim, kuptim, shpëtim e shenjtërim personi dhe vepra e njeriut. Nëse Perëndia nuk ekziston, ekzistenca e njeriut nuk ka as kuptim, a dinjitet, e as shpëtim.

Rëndësia e jetës sonë mund të matet vetëm në dritën e marrëdhënies sonë me Perëndinë përmes Jezu Krishtit. Ndërsa kërkojmë të jetojmë në dritën e qëllimit të Zotit për jetën tonë, ne do të dimë se ku jemi në planin e Tij dhe jeta jonë do të marrë rëndësinë që kishte në qëllimin e Perëndisë.

Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë! 2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit. 3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, 4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh? 5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder. 6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! 7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, 8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit. 9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Titulli i psalmit në Hebraisht është “Kryemuzikantit në Gitith, një Psalm i Davidit”[2] Ne nuk e dimë kur Davidi e shkroi këtë psalm. Natyrisht, ajo buronte edhe meditimi i tij ndërsa vështronte lart në qiellin e natës dhe mrekullohej me pafundësinë e tij në krahasim me trupin e tij të vogël në këtë planet të madh që ne e quajmë planeti tokë. Ne nuk e dimë me siguri se çfarë do të thotë termi “Gitith” në titull. Por studiuesit e dinë se i referohet qytetit Gath të Filistinës, që do të thotë vreshtë. Kështu, ky psalm mund të jetë shkruar në kontekstin e korrjeve apo të grumbullimit të rrushit gjatë së cilës fermerët flinin jashtë nën qielline e zbuluar (siç është festa e Tabernakujve); mund të jetë shkruar në kohën e udhëtimit të Arkës së Besëlidhjes nga shtëpia e Obed-Edomit nga Gathi në Jeruzalem (2 Sam. 6:11); ose është një poezi e shkruar që të përkojë me një melodi apo instrument me këtë emër. Dy psalme të tjera (81, 84) gjithashtu e kanë termin në titujt e tyre. Në Psalmin 8, Davidi na nxit që të…

Adhurojmë Jehovën sepse emri i Tij është madhështor në të gjithë tokën dhe sepse Ai na ka kurorëzuar me mirësi me lavdi dhe madhështi.

 

I. Madhështia e Perëndisë

A. Zoti e ka shpalosur madhështinë e Tij në të gjithë tokën dhe në shkëlqimin e qiejve (8:1).

Të përpiqesh të komentosh vargun 1 është një lloj si të komentosh madhështinë e oqeanit. Fjalët më të bukura nuk mund ta përmbushin këtë mision. Thjesht duhet që të shkosh në breg dhe të përjetosh stuhinë në det për të kuptuar diçka nga madhështia e tij. Davidi fillon me thirrjen, “Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë”. Në Hebraisht, fraza “o Zot, Zoti ynë” është në fillim të fjalisë dhe kjo është e rëndësishme. Gjithçka fillon me Perëndinë. Asgjë nuk mund të ekzistojë nëse Perëndia nuk ekziston. Bibla nuk përpiqet që të provojë ekzistencën e Perëndisë, ajo thjesht fillon me Perëndinë. Kështu, historia e krijimit dhe e njerëzimit fillon me fjalët “Në fillim Perëndia…” (Zan. 1:1).

Në Shqip, përkthimi thotë “o Zot, Zoti ynë”, por në origjinal është Jehova Adonai.[3] Jehova është emri personal besëlidhës i Zotit. Ajo buron nga folja hebraike, “të jesh”. Perëndia ia zbuloi së pari Moisiut në ferrishtin që digjej kur tha (Eksodi 3:14), “Unë jam ai që jam.” Pra, Emri flet apo shpalos vet-qenien e përjetshme të Perëndisë. Ai është qenia e vetme e pakrijuar në univers! “Zoti” i dytë është hebraishtja “Adonai, që do të thotë Sovran. Ne mund të parafrazojmë thirrjen e Davidit kshtu, “O Perëndi i besëlidhjes së përjetshme, Perëndia ynë Sovran!” Megjithëse Zoti është i përjetshëm dhe krejtësisht i ndarë e mbi nga krijesën e Tij, Ai është zbret në nivelin dhe situatën tonë për të hyrë në një marrëdhënie besëlidhjeje të përjetshme me popullin e Tij, për t’u kujdesur për të me sovranitetin e Tij.

Fjala “i mrekullueshëm” duhet përkthyer “madhështor”, dhe është një term që nënkupton mbretërinë, një koncept të cilin ne si shqiptarë nuk e vlerësojmë siç duhet. Që një njeri i zakonshëm të vijë në praninë e një mbreti të ulur mbi fronin e tij është një moment i frikshëm dhe impresionues. Kur Izraeli festoi çlirimin e fuqishëm të Zotit në eksod, ata kënduan (Eksodi 15:11), Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?

Davidi thotë më tej se është emri i Zotit që është madhështor. Kur Bibla flet për Emrin e Perëndisë, ajo i referohet tërë bashkësisë së përsosmërisë së cilësive të Tij dhe fuqisë së veprave të Tij. Me fjalë të tjera, emri i Zotit i referohet se kush Ai është dhe se çfarë Ai ka bërë, siç na është zbuluar në Fjalën e Tij. David thotë gjithashtu se madhështia e emrit të Zotit shihet në të gjithë tokën dhe mbi qiejt. Kjo është e ngjashme me atë që Pali deklaron kur flet për racën njerëzore dhe për shtypjen që i bën së vërtetës në padrejtësi (Rom. 1:18). Ai thotë, “Sepse cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pashfajësueshëm” (Rom. 1:20).

Kur e konsiderojmë madhështinë e Zotit siç shihet në të gjithë tokën, unë mund të citoja shembuj të mjaftueshëm për t’ju mbajtur gjithë muajin. Vetëm në trupin e njeriut ekzistojnë prova të mjaftueshme për Krijuesin për të bindur këdo që është i gatshëm të mendojë rreth tij, dhe se ne nuk jemi produkt i shansit të rastësishëm gjatë një periudhe të gjatë kohore siç thotë evolucioni. Dhe ky është vetëm trupi i njeriut. Kur konsiderojmë ekuilibrin kompleks të botës natyrore, është thjesht absurde të mendosh që gjithçka erdhi nga rastësia + kohë pa Krijuesin!

B. Zoti ka shfaqur madhështinë dhe fuqinë e Tij në foshnje në dukje të dobëta, përmes të cilëve Ai triumfon mbi armiqtë e Tij (8: 2).

Davidi e di se përkundër të gjitha provave të lavdisë së Zotit në krijimin e Tij, ka akoma kundërshtarë që janë në fakt armiq dhe urryes të Perëndisë. Ata kanë një paragjykim apriori ndaj Zotit sepse duan ata vetë të jenë zotër të jetës së tyre. Ata e fillojnë logjikën e tyre duke supozuar apriori materializmin apo mos-ekzistencën e Perëndisë dhe kështu ata nuk kanë vend për Zotin në ekuacionet e tyre.

Si sillet Zoti me armiq të tillë? Davidi thotë se është “Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit” (8: 2). Çfarë po thotë Davidi? Xhon Kalvin kishte të drejtë kur shkroi mbi këtë varg se procesi i ngjizjes dhe lindjes së një foshnje shfaq shkëlqimin e Zotit aq qartë sa që edhe një foshnjë rrëzon përtokë tërbimin e armiqve të Perëndisë[4]. Kalvin nuk dinte asgjë në lidhje me proceset komplekse biologjike dhe kimike që ndodhin tek nëna dhe fëmija gjatë lindjes. Ai thjesht po vëzhgonte çudinë e një fëmije të porsalindur. Si mund të shikoni një bebe ende në gji dhe të thuash se ndodhi rastësisht, pa ndërhyrjen e Krijuesit?

Ky psalm, madje ky varg u citua nga Jehova i trupëzuar, nga vetë Zoti Jezus ditën që ne e njohim si e Diela e Palmave. Të Dielën e Palmës, ndërsa Jezusi hyri mbi gomari në Jeruzalem, dhe më pas shëroi të verbrit dhe të çalët në tempull, fëmijët e vegjël i panë këto gjëra dhe thirrën, “Hosana të Birit të Davidit” (Mat. 21:15). Armiqtë e Jezuit, krerët e priftërinjve dhe skribët u indinjuan nga ato që thoshin fëmijët dhe i kërkuan Jezusit që të mos e lejonte një gjë të tillë. Jezusi u përgjigj duke cituar këtë varg (21:16), «Po! A nuk keni lexuar kurrë: “Nga goja e të vegjëlve dhe e foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi”?». James Boice shpjegon:

Nëse këta drejtues religjiozë ishin tashmë të indinjuar, ata me siguri duhet të jenë bërë katatonikë. Sepse duke identifikuar lavdërimet e fëmijëve të Jeruzalemit me Psalmin 8, Jezui jo vetëm që i vërtetoi fjalët e tyre, duke i treguar se ishin të duhura. (Ai ishte, me të vërtetë, “biri i Davidit”, Mesia).Por, Ai gjithashtu interpretoi lavdërimet e tyre si lavdërime jo për një njeri të thjeshtë, që do të ishte thjesht një “bir i Davidit”, por i Perëndisë, pasi psalmi thotë që Perëndia ka caktuar lavdërime për veten e tij nga buzët e fëmijëve.[5]

Pra Krishti tha se Ai ishte vërtetë Jehova Adonai, dhe se i meritonte dhe i urdhëronte këto lavdërime nga buzët e fëmijëve. Kështu Zoti i kapërcen armiqtë e Tij me anë të mrekullisë së fëmijëve të vegjël dhe lavdërimeve që ata këndojnë në besimin e tyre të thjeshtë.

Pra, pika e parë dhe kryesore e Davidit është që ne duhet të adhurojmë Zotin sepse emri i Tij është madhështor në të gjithë tokën.

II. Dinjiteti i Njeriut

A. Krahasuar me pafundësinë e universit të krijuar të Zotit, ne janë të vegjël dhe të parëndësishëm (8: 3-4).

Davidi shikoi gjerësinë e qiellit të natës dhe pa hënën dhe yjet, veprat e gishtërinjve të Perëndisë. Ai i ka vendosur disi të gjitha ato në vendet e tyre të caktuara dhe orbitat. Atëherë Davidi mendon se sa i vogël njeriu është dhe mrekullohet (8:3-4), “Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, 4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?” Fjala hebraike e përdorur për “njeri” thekson njeriun në ekzistencën e tij të dobët njerëzore (shih Psa. 9:20; 90:3; 103:15). Rreshti i dytë që i referohej atij si “biri i njeriut” mund të nënkuptojë gjendjen tonë të rënë, pasi të gjithë djemtë e Adamit kanë lindur sipas ngjashmërisë dhe figurës së tij, në mëkat (Zanafilla 5:3). Në krahasim me gjerësinë e universit, cili është njeriu që Zoti mendon për ne, aq më pak se Ai kujdeset për ne, aq më pak që ne nuk e meritojmë që Ai të kujdeset për ne për shkak të mëkatit tonë.

B. Megjithatë, pavarësisht nga parëndësia jonë, Zoti na ka kurorëzuar me lavdi dhe madhështi dhe na ka caktuar të sundojmë mbi krijimin e Tij (8:5-8).

Davidi thotë, “5Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder. 6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! 7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, 8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.” Davidi po i referohet Zanafillës 1:26, ku Zoti krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij. Në të njëjtin kontekst, Perëndia i caktoi njeriut detyrën e qeverisjes mbi pjesën tjetër të krijimit, ashtu siç tregon këtu Davidi. Davidi mund të kishte thënë se ne jemi bërë vetëm pak më të lartë se kafshët e tjera, por përkundrazi, ai thotë se ne u bëmë pak më të ulët se Zoti për të pasqyruar çudinë që jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Tij.

Kuptohet, që ky dinjitet i pastër i racës njerëzore ishte i tillë para rënies. Njeriu sot, edhe pse ka ende thërrmija të shëmbëlltyrës së Perëndisë në qenien e tij, është e qartë se nuk sillet me dinjitetin me të cilin Perëndia e ka krijuar. Shpesh herë, njeriu sillet si kanibal, e madje më keq se sa nga shtazët e pyllit. Edhe ujqërit kujdesen për njëri-tjetrin, ndërsa dy shekujt e fundit të historisë së njerëzimit numërojnë kaq shumë gjenocid, se që njerëzimi e meriton që të konsiderohet më e ulët se bishat. E megjithatë, askund nuk pohohet guximshëm dinjiteti i njeriut sesa në këtë pasazh.

Por, diçka interesante ndodh me këtë varg në Dhiatën e Re. Kur Davidi shkroi “të ulët se Perëndia” ai përdori fjalën Elohim, që ne e përkthejmë Perëndia. Në disa raste të rralla, fjala elohim përdoret edhe për engjëjt. Kur disa përkthyes Judenj e përkthyen Dhiatën e Vjetër në Greqishten e Vjetër që njihet me emrin LXX, ata e përkthyen fjalën elohim me kuptimin më të radhë të saj. Kështu vargu thotë “Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se engjëjt”. Autori i Letrës drejtuar Hebrenjve, e merr këtë varg nga përkthimi LXX dhe e përdor ashtu për t’iu referuar Krishtit: “Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua” (2:7). Gjë që më sjell në pikën e fundit, që është:

C. Psalmi 8 përmbushet përfundimisht në Jezu Krishtin, i cili rikthen atë që humbi Adami.

Njerëzimi, që nga rënia ka arritur disa bëma të jashtëzakonshme për të fituar sundimin mbi krijimin. Mendoni për të gjitha mrekullitë e shkencës moderne, përfshirë përparimet në shkencën mjekësore. E megjithatë, të gjitha këto arritje janë njollosur nga mëkati. Njeriu krenar mburret me to dhe nuk e pranon që aftësia për të zbuluar fakte shkencore i është dhënë atij nga Zoti. Ashtu si ndërtuesit e Kullës së Babelit, njeriu krenar modern përdor përparimet e tij shkencore për të shpallur pavarësinë e tij nga Zoti, e madje beson se me disa përparime të tjera, ne mund të kurojmë të gjitha sëmundjet tona dhe të jetojmë përgjithmonë! Njerëzimi shpreson që një ditë mjekësia do tu japë pavdekësinë.

Por shkenca nuk mund të na pajtojë me Perëndinë dhe as të na bëjë të përjetshëm. Atëherë, çfarë bëri Perëndia? Ai dërgoi Birin e Tij, Birin e Njeriut, për të siguruar flijimin për mëkatet tona dhe për të përmbushur Psalmin 8 në një mënyrë që ne nuk mundemi. Hebrenjve 2 citon Psalmin 8:4-6 dhe më pas e zbaton atë tek Jezusi (Heb. 2:9): “por atë, që u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, Jezusin, e shikojmë të kurorëzuar me lavdi dhe nder, për shkak të vuajtjes së vdekjes, që me anë të hirit të Perëndisë për të gjithë njerëzit, të shijonte vdekjen.” E thënë ndryshe, njeriu si një krijesë pasqyron lavdinë e Perëndisë. Por Biri i njeriut, në të cilin gjendet modeli origjinal i të qenit njeriu i përsosur, e reflekton e shfaq këtë lavdi në një mënyrë e masë shumë më të përsosur.

Kështu që Davidi na thotë të adhurojmë Perëndinë sepse megjithëse jemi të vegjël dhe të parëndësishëm, Ai ka menduar me mirësi për ne dhe kujdeset për ne. Megjithëse e dëmtuam imazhin e Zotit përmes mëkatit, Perëndia e ka rikthyer atë në Jezu Krishtin. Tek Ai, ne përsëri jemi kurorëzuar me lavdi dhe madhështi. Dhe kështu, Davidi kthehet në origjinë, dhe e mbyll psalmin duke deklaruar përsëri madhështinë e lavdishme të Perëndisë duke thënë: “O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Përfundim

Si mund ta zbatojmë këtë psalm?

  • Së pari, ne duhet të përkulemi në frikë para Krijuesit tonë madhështor! Ky psalm duhet të na përulë dhe të na bëjë të çuditemi me Perëndinë hiri dhe dashuria për t’u kujdesur për ne duke dërguar Birin e Tij si Shpëtimtarin tonë.
  • Së dyti, Ne duhet ta trajtojmë secilin person me dinjitet dhe respekt si qenie të krijuara në imazhin e Perëndisë. Ne nuk mund të adhurojmë dhe lavdëromë madhështinë e Zotit ndërsa trajtojmë krijimin e Tij suprem me përbuzje. Racizmi, për shembull, nuk ka bazë në Krishterimin biblik.
  • Së treti, Kisha ungjillore në Shqipëri duhet të sensibilizohet kundër tmerreve të abortit, i cili trajton krijimin e mrekullueshëm të Zotit si plehra. Nga pikëpamja e konceptimit, i vetmi ndryshim midis bebes në barkun e nënës dhe ne sot është koha dhe ushqimi. Të vrasësh një fëmijë është të vrasësh një mrekulli dhe adhurues të Perëndisë.
  • Së katërti, ne duhet të qëndrojmë fort kundër absurditetit të evolucionit, i cili mohon se jemi krijuar në imazhin e Perëndisë. Evolucioni është thjesht një mënyrë për njerëzit mëkatarë të përpiqen të shmangin Krijuesin e tyre. Evolucioni është një nga mashtrimet më të mëdha shkencore që armiku i shpirtrave tanë i ka rrasur ndonjëherë racës njerëzore!
  • Së pesti, le ti t’i rrisim fëmijët tanë të duan, frikësohen dhe t’i shërbejnë Perëndisë si mënyra e vetme për të jetuar jetën me dinjitet. Kur ne jemi të lidhur me të drejtë me Perëndinë përmes Jezu Krishtit, jeta jonë merr një rëndësi të përjetshme.
  • Së gjashti, ne duhet të jemi administratorë të mirë të krijimit të Zotit. Ndërsa njeriu modern adhuron krijimin dhe jo Krijuesin, nuk duhet të lëmë pas dore faktin që ne jemi administratorët e krijimit të Zotit. Ne duhet të kundërshtojmë lakminë që shpesh shkatërron krijimin pa marrë parasysh bukurinë dhe ruajtjen e saj.
  • Së shtati, ne duhet të kënaqemi me çfarëdo pune që Zoti na jep për të bërë, duke e bërë atë me zemër si për Të. Siç theksonin Puritanët, çdo profesion i ligjshëm është një thirrje e dhënë nga Perëndia. Pavarësisht se çfarë bëni për të fituar jetesën, ju duhet ta bëni atë për Zotin (Kol. 3:22-24).
  • Së teti, ne duhet ta shijojmë Zotin përmes krijimit të Tij. Harrojeni qendrën tregtare ose filmat. Dilni në natyrë dhe kënaquni me Perëndinë përmes mrekullive që ai ka bërë!

 

Shënimet:

[1] Derek Kidner, Psalms 1-72: An Introduction and Commentary on Books I and II of the Psalms, The Tyndale Old Testament commentaries (London: Inter-Varsity Press, 1973), 65–66.

[2] `dwI)d”l. rAmðz>mi tyTiªGIh;-l[;( x;Ceîn:m.l

[3] WnynE©doa] hw”Ühy>

[4] Jean Calvin et al., Calvin’s Commentaries., vol. 5 (Grand Rapids, Mich.: Baker Books, 2009), 98.

[5] James Montgomery Boice, Psalms: An Expositional Commentary, vol. 1 (Baker Book House, 1998), 68.

 

Bibliografi

Boice, James Montgomery. Psalms: An Expositional Commentary. Vol. 1. 3 vols. Baker Book House, 1998.

Calvin, Jean, James Anderson, Henry Beveridge, Henry Beveridge, Charles William Bingham, John King, Thomas Myers, et al. Calvin’s Commentaries. Vol. 5. 22 vols. Grand Rapids, Mich.: Baker Books, 2009.

Kidner, Derek. Psalms 1-72: An Introduction and Commentary on Books I and II of the Psalms. The Tyndale Old Testament commentaries. London: Inter-Varsity Press, 1973.