Kush Jemi Ne?

Kisha Ungjillore e Reformuar Durrës është një bashkësi besimtarësh të Krishterë të cilët duan, adhurojnë dhe i shërbejnë Perëndisë Triune në emër të Zotit Jezus Krisht pasi ishte Ai i pari që na deshi ne. Ne ekzistojmë për lavdinë e Perëndisë dhe për të ofruar dhe shtrirë fuqinë transformuese të Ungjillit të Perëndisë në këtë qytet dhe kudo. Ne jemi një Kishë e Krishterë, Ungjillore apo Protestante e Reformuar.

Me termin Ungjillore ne kuptojmë që ne jetojmë dhe i shpallim botës Lajmin e Mirë, Ungjillin (fjala Ungjill vjen nga Greqishtja e vjetër që do të thotë “një lajm gëzim-dhënës”). Me termin i Reformuar deklarojmë se qëndrojmë në vazhdën dhe traditën e Protestantizmit historik të shekullit të 15 dhe 16. Ne besojmë që Perëndia, Krijuesi i kësaj gjithësie sundon Sovran mbi të në të gjitha aspektet e saj. Nuk ka asnjë centimetër katrore në këtë univers mbi të cilin Perëndia nuk vë gishtin e Tij dhe thotë: “Kjo më përket mua!”

Lexues, është dëshira dhe privilegji ynë që t’ju shërbejmë me këtë Ungjill në çfarë do lloj mënyre që të kemi mundësi. Ne ju ftojmë që të na kontaktoni përmes postës elektronike apo telefonit, si dhe të vini dhe ta adhuroni Perëndinë së bashku me ne.

Me dashuri,
Albert J. Kona, Pastor