Category: 5-solat

Identiteti i Humbur Historik dhe Teologjik i Kishes Ungjillore

Gjatë historisë fjalët ndryshojnë. Disa bëhen arkaike, disa fjalëve të tjera u ndryshon kuptimi, ndërsa disa të tjera duket sikur e humbasin kuptimin që kanë pasur. Kjo e fundit duket se ka ndodhur në kohën tonë me termin “ungjillor”. “Në të kaluarën kjo fjalë shërbente si një lidhje uniteti midis të krishterëve që vinin nga një larmi e madhe traditash të krishtera. Kisha ungjillore historike ishte pohuese apo shpallëse e besimit. Në të përfshiheshin të vërtetat thelbësore të krishterimit, që ishin përcaktuar nga sinodet e shquara ekumenike të kishës. Ungjillorët kishin një trashëgimi të përbashkët me “solat” e Reformacionit protestant të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, si origjina e tyre e përbashkët historike.

Sot, drita e Reformacionit është zbehur jashtë mase. Si pasojë, fjala “ungjillore” është bërë aq gjithëpërfshirëse sa e ka humbur kuptimin. Ne rrezikojmë që të humbim unitetin dhe identitetin që është arritur për shekuj të tërë. Për shkak të kësaj krize dhe për shkak të dashurisë sonë për Krishtin, ungjillin e kishën e tij, ne përpiqemi që të rishpallim përkushtimin tonë ndaj të vërtetave kryesore të Reformacionit dhe të kishës ungjillore historike. Këto të vërteta i pohojmë jo për shkak të rolit të tyre në traditat tona, por sepse besojmë se janë qendrore ndaj Biblës.” (Deklarata e Kembrixhit)

Qëllimi është që të marrim mbi veten tonë një thirrje e trefishtë: 1) të pendohemi nga konformizmi me botën; 2) të rifitojmë doktrinat madhështore të Biblës siç bënë Reformatorët pesëqind vite më parë; dhe 3) të jetojmë një jetë të transformuar në çdo sferë të saj nga të vërtetat thelbësore të Ungjillit.

Sola Scriptura: Themeli Ynë i Vetëm

Në kohën e Reformacionit, sola Scriptura deklaronte se Bibla ishte vetmi autoritet final për të Krishterët në të gjitha çështjet e besimit dhe të jetës. Ky ishte themeli i vetëm mbi të cilën ndiheshin të tëra doktrinat e tjera ungjillore, dha prandaj është quajtur principi zyrtar (fomal principle) – një term identifikon burimin autoritar të teologjisë së Kishës.

Në kontekstin e tyre historik, nga njëra anë, Reformatorët përballeshin me Kishën Kalotike që besonte se doktrina e saj, deklaratat e koncilëve dhe të Papëve, dhe tradita e shkrimet e etërve të Kishës ishin standardi absolut dhe final. Roma besonte se Bibla ishte një libër autoritar, i frymëzuar dhe i pagabueshëm. Por nga ana tjetër besonte që Bibla kishte nevojë për një interpretues të pagabueshëm që të fliste në mënyrë autoritare dhe përfundimtare mbi të gjitha çështjet e besimit dhe jetës. Për Romën, Bibla nuk është e mjaftueshme dhe as autoriteti final.

Nga ana tjetër Reformatorët përballeshin me Anabaptistët apo grupime të tjera të fragmentarizuar nga trupi i Kishës Katolike, që jo vetëm refuzonin çdo lloj tradite a deklarate të Kishës si autoritetin final, por që refuzonin edhe madje nevojën e vetë Biblës sepse Fryma e shenjtë u fliste atyre ose të paktën drejtuesve të tyre direkt. Në vend të një Pape, Anabaptistët prodhuan një numër ende në rritje të mesazherësh “të pagabueshëm” gjë dëgjonin direkt zërin e Perëndisë.

Sot ne përballemi më sfida të ngjashme brenda Kishës Ungjillore. Kisha beson se vërtetë Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, se është pa gabime dhe e pa-gabimtë. Por Kisha sot nuk beson se Bibla është e mjaftueshme “për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Tim. 3:16-17). Pavarësisht se ungjillorët nuk e thotë të me fjalë, ata e deklarojmë me vepra momentin kur ndjejmë nevojën për të suplemnetuar apo ndihmuar Biblën me mënyrat njerëzore: teknika sociologjike për të bërë ungjillëzim; psikiatrinë për të ndihmuar rritjen në dishepullizim; shenja dhe mrekullitë ekstra-biblike për inkurajim dhe për të “zbuluar” vullnetin e Perëndisë në jetën tonë; mjetet politike për të arritur progres apo reformim social. Pavarësisht deklaratave, Ungjillorizmi sot efektivisht mohon plot-mjaftueshmërinë e Fjalës së Perëndisë sepse mendon që ajo është e pamjaftueshme për të përmbushur dhe adresuar detyrat që na shtrohen nga Perëndia sot.

Plot-mjaftueshmëria e Fjalës është mesazhi i të paktën tre pasazheve në Bibël. Psalmi 19 krahason fjalën e shkruar të Perëndisë, zbulesës e veçantë me zbulesën e përgjithshme në Perëndisë në natyre dhe kozmos. Mateu 4 tregon se si Jezusi përdori Biblën për të fituar mbi tundimet, për të gjetur vullnetin e Perëndisë në jetën e tij apo me fjalë të tjera për të adresuar çështjet e tij personale ekzistenciale. 2 Timoteut e është këshilla e Apostullit Pal drejtuar një Pastori të ri, Timoteut për mënyrën se si ai duhet të përballojë kohërat e vështira që po i afroheshin atij dhe Kishës. Fjala është e mjaftueshme për ungjillizim. E vetmja mënyrë se si Fryma e Shenjtë vepron për të rilindur njeriun e vdekur në mëkat është përmes Biblës. Pjetri tha, “jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë.” Fjala është plotësisht e mjaftueshme për shenjtërim pa nevojën e një përjetimi të veçantë, të një “bekimi të dytë” apo të një pagëzimi të dytë të Frymës, apo diçka tjëter. Pali thotë, “konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë,” (Rom. 6:11). Pra, njih Biblën dhe mësimin e saj se se çfarë Perëndia ka bërë për në shpëtimin tonë, zhvish njeriun e vjetër, vish njeriun e ri, dhe në këtë proces Perëndia ka vepruar përmes Fjalës për shenjtërimin tënde. Të tëra këto pasazhe theksojnë që vetëm Fjala e Perëndisë është e mjaftueshme për këto sfida.

Solus Christus: I Vetmi Ndërmjetës

Shfajësimi vetëm për shkak të veprës së përfunduar të Krishtit kupton që Jezusi ka bërë tërësisht dhe plotësisht gjithçka që është e nevojshme për shpëtimin tonë. Kështu asnjë meritë e njeriut këtu në tokë apo në purgatorin që nuk ekziston, asnjë meritë e shenjtorëve në tokë apo në qiell nuk i shton dhe as nuk e përmirëson veprën e Krishtit. Në fakt çdo lloj përpjekjeje për ti shtuar veprës së Krishtin veprën e njeriut përfundon në një perversion të ungjillit dhe si rrjedhim nuk fare ungjill (Gal. 1:6-9). Të besosh dhe të predikosh Solus Christus do të thotë të proklamosh Krishtin si i vetmi Profet, Prift dhe Mbret i mjaftueshëm për të Krishterin. Ne nuk kemi nevojë për profetë të tjerë për të na dhënë zbulesa nga Perëndia. Ne nuk kemi nevojë për priftërinj të tjerë për të na ndërmjetësuar shpëtimin dhe bekimet e Perëndisë. Ne nuk kemi nevojë për mbretër të tjerë për të kontrolluar apo legjisluar mendimin dhe jetën e besimtarëve. Jezusi është gjithçka ndaj nesh dhe për ne siç na ofrohet lirshëm në ungjill.

Në Mesjetë, prifti besohej se kishte një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë dhe si rrjedhim i ndërmjetësonte bekimet e tij njeriut. Mendimtarët e Rilindjes si Petrarka bënin thirrje, si John Lenon në shekullin e kaluar për një unifikim të religjioneve ku dashuria ishte gjithçka që do të ishte e nevojshme. Shumë prej mendimtarëve të tjerë të Rilindjes besonin se zbulesa e Perëndisë në krijesë ishte e mjaftueshme për shpëtimin e njeriut, dhe si rrjedhim Krishti nuk kishte pse të ishte e vetmja rrugë për tek Ati. Njeriu mund ta gjejë vetë perëndinë duke studiuar natyrën dhe vetveten dhe ketë ai e ka bërë përmes të gjitha religjioneve të ndryshme si rrugë për tek Perëndia.

Reformacioni ishte një sulm frontal i besimit të njeriut në njerëzimin dhe një mbrojtje e idesë se vetëm Perëndia na e zbulon veten e Tij dhe vetëm ai na shpëton ne. Dhe se vetëm Biri na e ka bërë të njohur Atin. Jezusi tha, “Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë” (Mateu 11:27). Ky theks i Shkrimit ishte arsyeja e thirrjes Solus Christus: Vetëm Krishti.”

Sot ungjillorët po përjetojnë një erozion të besimit të fokusuar vetëm në Krishtin. Deklarata e Kembrixhit deklaron, “Me sekularizimin e besimit ungjillor, interesat e tij përzihen me ato të kulturës. Si pasojë kemi humbjen e vlerave absolute, individualizmin tolerant dhe zëvendësimin e shenjtërisë me tërësinë, të pendimit me restaurimin, të vërtetën me intuitën, besimin me ndjenjat, providencën me shanset dhe shpresën e qëndrueshme me kënaqësinë e çastit. Krishti e kryqi i tij nuk janë më qendra e vizionit tonë.” Predikimi i Kryqit si zemra dhe esenca e Krishterimit, si fuqia e Perëndisë për këdo që beson, si fuqia e Perëndisë madje edhe për shenjtërimin tonë Sot Ungjillorizmi rrezikon të harrojë Krishtin dhe kryqin e tij për shkak të preokupimit idhujtar me vetveten. Shumica e ungjillorëve besojnë se njeriu është në themel i mirë e i lindur i tillë dhe se ungjilli ka të bëjë kryesisht me Perëndinë që na ndihmon ne që të ndihmojmë vetveten. Kisha duhet të Kthehet tek Teologjia e Kryqit, siç e shprehu Luteri, pasi ai që kupton Kryqin, ka kuptuar Biblën, ka kuptuar Jezus Krishtin dhe ungjilli nuk predikohet “nëse nuk shpallet vepra zëvendësuese e Krishtit dhe nuk kërkohet besimi në Personin e veprën e Krishtit.”

Sola Gratia: E Vetmja Metodë

Ungjillorët, ashtu si edhe katolikët si në Mesjetë edhe sot nuk e mohojnë hirin e Perëndisë si të domosdoshëm për shpëtimin e njeriut. Ungjillorët nuk duan të jenë heretikë. Problemi është se edhe pse teorikisht e pranojmë, praktikisht e mohomë përmes neglizhimit. Kur Reformatorët thirrën Sola Gratia-Vetëm Hiri, ata po deklaronin se njeriu nuk mund të manipulojë Perëndinë për shpëtimin e vet; se Perëndia nuk i ka ndonjë borxh njeriut për shkak të ndonjë gjëje që njeriu bën, dhe i vetmi borxh që i ka njeriut është dënimi; dhe se kur Perëndia e shpëton njeriun e bën këtë vetëm për shkak të dashurisë së tij të përjetshme dhe të pavarur nga diçka jashtë Perëndisë, dhe se Perëndia shpëton vetëm për shkak të kënaqësisë së tij.

Sot Ungjillorëve besojnë se Bibla thotë se janë të vdekur në mëkat. Por kur i teston më thellë dhe më rëndë zbulon se në të vërtetë besojnë se janë vetëm një çikë të vdekur-jo tamam. Se në këtë interpretim të tyre të të qenit vetëm pak të vdekur në mëkatet e tyre, ata janë mjaftueshmërisht të gjallë sa për të zgjedhur Perëndinë të parët, sa për të marrë vendimin e zgjuar për marrë Jezusin në zemër përmes një lutjeje të vetme; që edhe pse Perëndia të shpëton prej hirit, njeriu bashkëpunon me hirin e Perëndisë për të bërë pjesën tonë në shpëtimin e vetvetes. Katolikët kanë doktrinën e Marisë si Bashkëçlironjëse e njerëzimit. Ungjillorët kanë doktrinën e humanizmit ku njeriu është bashkë-shpëtimtar me hirin e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse ungjillorët nuk besojnë dhe as nuk kuptojnë doktrinën e mrekullueshme të zgjedhjes sovrane të njeriut nga Perëndia. Kjo është një doktrinë që nuk i duket e drejtë njeriut. Kur besohet “doktrina e drejtësisë dhe barazisë,” domosdoshmërisht pranohet një standard drejtësie përmes së cilës Perëndia duhet ti shpëtojë detyrimisht të gjithë ose të paktën tu japë të gjithëve të njëjtin shans për të shpëtuar vetveten. Ky nuk është hir!

Sot Kisha ungjillore është një kishë Pelagianiste apo të paktën gjysëm-pelagianiste. Pelagianizmi është një herezi që vjen nga shekulli i IV-rt që mohon mëkatin fillestar të Adamit, dhe nevojën absolute për hirin e Perëndisë. Ajo mëson se njeriu mund ti afrohet për shpëtim Perëndisë vete, apo maksimumi, me pak ndihmë nga Perëndia. Ashtu si edhe Kisha Katolike e ajo Ortodokse, Ungjillorët besojnë se Perëndia u jep atyre hirin e tij, dhe se njeriu duke e përdurur siç duhet vjen në shpëtim; se njeërëzimi nuk është i vdekur në mëkat dhe se mëkati dhe vdekja e Adamit nuk i transmetohet pasardhësve të tij dhe që ai është vetem një shembull i keq. Se Krishti është shembulli absolut i dashurisë dhe i shenjtërisë. Sot predikimi fokusohet në nevojën dhe teknikat e të ndjekurit të Krishtit e shembullit të tij dhe jo në personin dhe veprën e tij.

Deklarata e Kembrixhit thotë, “Ne riafirmojmë se në shpëtim, çlirohemi nga zemërimi i Perëndisë vetëm ne anë të hirit të tij. Vetëm vepra e mbinatyrshme e Frymës së Shenjtë na sjell te Krishti, duke na çliruar nga skllavëria jonë ndaj mëkatit dhe duke na ngjallur nga vdekja shpirtërore në jetë shpirtërore. Ne e mohojmë që shpëtimi është në një farë mënyre vepër e njeriut. Metodat, teknikat ose strategjitë njerëzore në vetvete nuk mund ta përmbushin këtë shndërrim. Besimi nuk prodhohet nga natyra jonë njerëzore e parilindur.”

Sola Fide: I Vetmi Instrument

Sola Fide ishte thirrja biblike e Reformatorëve që deklaronin se “Shfajësimi është vetëm me anë të hirit, vetëm nëpërmjet besimit vetëm dhe vetëm përmes Krishtit. Ky është artikulli me anë të të cilit qëndron apo bie një kishë.” Besimi është i vetmi instrument për shfajësimin tonë. Sot ky artikull shpërfillet, shtrembërohet apo edhe mohohet ndonjëherë nga drejtues, studiues e pastorë që shpallin se janë ungjillorë. Modernizmi ndezi zjarrin e pakënaqësisë me ungjillin Biblik dhe sot dikton natyrën e shërbesës dhe përmbajtjen e mesazhit. Tundimi i predikuesit të ungjillit sot është që të ndjehet i vetëm në podium përpara turmave që po u predikon. Dhe si rrjedhim kthehet tek marketingu, tek teknikat e oratorisë, tek informacioni sociologjik apo psikologjik, tek manipulimet emocionale përmes muzikës, kultit të personalitetit, dritave të skenës, dramave apo pantonimave në shërbesë apo ungjillizim, etj. “Si pasojë, bindjet teologjike janë të ndara shpesh nga shërbesa. Prirja e marketingut në shumë kisha e shpie këtë edhe më tutje, duke e fshirë dallimin midis Fjalës biblike dhe botës, duke i hequr kryqit të Krishtit skandalin e vet dhe duke e redaktuar besimin e krishterë në parime e metoda që mund tu sjellin sukses korporatave shekullare.” (Deklarata e Kembrixhit)

Çfarë duhet të bëjmë që të përfitoj ato që Krishti i vetëm ka siguruar në Kryq? Vepra të mira? vepra fetare? Vepra sociale? Jo! Çfarë ne duhet të bëjmë është që të besojmë. Pali thotë “ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi” (Rom. 4:5). Ne shpëtohemi vetëm përmes besimit. Vetëm përmes besimit ne marrim Fjalën e Krishtit, shfajësimin nga Perëndia At, faljen e mëkateve, biresimin si femijë të Perëndisë dhe sigurinë e jetës së Përjetëshme.

Prandaj dhe ne “riafirmojmë se shfajësimi është vetëm me anë të hirit për shkak të Krishtit vetëm. Në shfajësim, drejtësia e Krishtit na numërohet si e vetmja përmbushje e drejtësisë së përkryer të Perëndisë. Ne e mohojmë se shfajësimi varet nga ndonjë meritë që gjendet tek ne ose në bazë të injektimit të drejtësisë së Krishtit në ne dhe mohojmë që një institucion që pretendon se është një kishë e vërtetë, por që e mohon apo e dënon sola fiden, të pranohet apo njihet si një kishë legjitime.” (Deklarata e Kembrixhit)

Soli Deo Gloria: E Vetmja Ambicie

Bota është e mbushur me njerëz ambiciozë. Por Pali thotë se “e kam bërë ambicien time që të predikoj aty ku Krishti nuk është predikuar,” (Rom. 15:20). Sepse Perëndia ka folur kaq qartë dh ka shpëtuar në mënyrë kaq sovrane dhë përfundimtare, besimtari është I lirë që të adhurojë, shërbejë, dhe të lavdërojë Perëndinë përgjithmonë. Pyetje-përgjigja e parë Katekizmit të Shkurtër të Uestminsterit, thotë: “Cili është synimi përfundimtar i njeriut? Synimi përfundimtar i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe të gjejë kënaqësinë në Të.”

Reformatorët ishin njerëzit më të përulur, më të druajtuar përpara Perëndisë, dhe më ekzaltues të Emrit të Tij. Thirrja e Psalmistit “Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde” (Psa. 115:1) mund të thuhet se ishte motoja kryesore e Reformacionit. Soli Deo Gloria-E Gjithë Lavdia Vetëm Perëndisë ishte motoja e motove për ta teksa synonin që në gjithçka të nderohej Perëndia. Madje John Calvin instruktoi kishën në Gjenevë që ta varrosnin në një arkivol të thjeshtë dhe në varr pa gur zbukurimi e pa emër. Edhe sot e kësaj ditë varri i tij mbetëet i panjohur. Pse? Sepse ai e dinte mire se zemra e njeriut ishte fabrike idhujsh, siç shkruan tek komentari i tij mbi Psalmet, dhe sepse e njihte mire tendencë njerëzore drejt idhujtarizimit të njeriut, supersticionit dhe kultit të individit. Ai nuk dontë që asnjë ti shkëpuste sytë nga lavdërimi i Perëndisë për shkak të tij edhe pas vdekjes së tij.

Cila është ambicja e lëvizjes ungjillore sot? Pamvarësisht se çfarë deklarohet, zënkat për kryesinë e VUSH-it. konkurenca dhe shikimi vërngër ndërmjet Kishave, festivale adhurimi e tekste këngësh në të cilat flitet më shumë për njeriun dhe se çfarë dëshiron apo duhet të bëjë ai gjatë këngës, dhe kjo e përsëritur nëpër refrene deri në ekses, konfliktet ndërmjet pastorëve, pleqëve apo edhe besimtarëve me njëri-tjetrin, dëshmojnë se lavdia e njëriut dhe jo ajo eksluzive e Perëndisë është motoja dhe ambicja jonë.

“Sa herë që autoriteti biblik në kishë humbet, Krishti zhvendoset nga vendi që i takon, ungjilli shtrembërohet, besimi deformohet, kjo ndodh gjithnjë vetëm për një arsye: se interesat tona kanë zënë vendin e atyre të Perëndisë dhe ne bëjmë shërbesën e tij sipas vullnetit tonë. Humbja e përparësisë së Perëndisë në jetën e kishës në kohën e sotme është diçka e zakonshme dhe e mjerueshme. Pikërisht kjo humbje na lejon që ta shndërrojmë adhurimin tonë në dëfrim, predikimin e ungjillit në marketing, të besuarit në teknikë, të qenit të mirë në të ndjerët mirë për veten dhe besnikërinë në të qenit të suksesshëm. Si pasojë, Perëndia, Krishti dhe Bibla kanë një domethënie mjaft të vogël për ne” (Deklarata e Kembrixhit) dhe nuk janë më relevante në jetën tonë.

Ambicia jonë nuk është lavdia e kishës dhe aq më pak e emrave tanë. Doktrina jonë është për lavdi të Perëndisë. Ungjillizimi ynë është për lavdi të Perëndisë. Dishepullizimi, dhënia, shërbesat, dhjakonata, çdo gjë është për lavdinë dhe vetëm për lavdinë e Perëndisë. “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 Kor. 10:31). Kjo është motoja dhe ambicia jonë. Ne ekzistojmë jo më për veten tonë. Krishti “ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta,” (2 Kor. 5:15)

Ungjillorët sot kanë përqafuar urtësinë e botës, teologjinë e botës, programin e botës, dhe metodën e botës. Rezultati është një kishë ungjillore që ka humbur fuqinë dhe realitetin e ungjillit. A mund ta rifitojmë kisha fuqinë e humbur? Po! Por vetëm nëse mbajmë ungjillin e plotë të Reformacionit, duke mos bërë kompromis me botën dhe kulturën e saj. Si mund të realizohet? Përmes ripërtëritjes së mendjes (Rom. 12:2) përmes studimit të Fjalës së Perëndisë…të fuqizuar nga Fryma e Shenjtë me qëllim që të fillojmë të marrim nga ai shkëlqimi i lavdishëm i Zotit Jezus Krisht, duke u bërë gjithnjë e më shumë si ai. Vëllezër, nga historia dimë se ndonjëherë duhen njëmijë zemra që thërrasin si një zë i vetëm. Por ka raste si ky i yni, kur një zë i vetëm duhet të kumbojë sa për njëmijë. Prandaj, le të përmbushim thirrjen tonë dhe të gjithë ata që thonë se e njohin Perëndinë të tregojnë se në fakt e njohin atë ashtu sic Ai është-për lavdinë e Tij dhe për bekimin e të gjithëve.

00. Hyrje ne Serine “5 Solat e Reformacionit”

Uniteti viziv në Kishën si institucion është i detyrueshëm dhe i komanduar. Uniteti i Kishës ishte një çështje e rëndësishme për Krishtin kur ai ishte këtu në tokë, dhe këtë e dimë pasi në fakt ai u lut për unitet në atë që është quajtur Lutja ee Kryepriftit, që e gjejmë tek Ungjilli i Gjonit 17 ku Jezusi thotë: O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne! …7 Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. Apostulli Pal gjithashtu urdhëron në emër të Krishtit me këto fjalë tek 1 Kor 1:10: Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.Kështu pra, uniteti është një çështje thelbësore për Popullin e Perëndisë në Dhiatën e Re.

     Në këtë kontekst lind pyetja: Përse dhe si shpjegohet ndarja në Krishterim ndërmjet Protestantëve dhe Katolikëve, ndërmjet Protestantëve me vetveten, ndërmjet Katolikëve me vetveten, dhe madje edhe ndërmjet Ortodoksëve me vetveten (një fakt historik që pak veta e dinë)? Arsyeja thelbësore e ndarjeve është krijimi i mundësisë për mbajtjen dhe ruajtjen e një sërë deklaratash thelbësore teologjike. Për faktorin Protestant apo Ungjillor, ndarja në këtë kontekst është e justifikueshme pasi artikujt apo doktrinat thelbësore të ungjillit janë të rrezikuara të humbasin. Kjo ishte arsyeja përse krahu reformator në Kishën në perëndim të Adriatikut, ndryshe e quajtur Kisha Katolike Romane, shkroi, debatoi, predikoi dhe punoi. Artikujt thelbësor të ungjillit ishin goditur rëndë si në teorinë ashtu edhe në praktikën e Kishës Katolike të Mesjetës. Reformatorët e viteve 1400 – 1600 kurrë nuk patën si qëllim ndarjen e Kishës, por pastrimin dhe reformimin e saj nga brenda. Inercia shndërruese e lëvizjes së Reformacionit pati edhe kundraveprimin ndaj saj. Kisha Katolike reagoi me dënime, me shkishërime, dhe me ekzekutimet e inkuizicionit që fillojnë si me pararendësit e Reformacionit, me Jan Husin dhe John Wickliff, dhe më pas me ngjarje tragjike si Nata e Shen.Bartolomeut gjatë së cilës e tërë Kisha e Reformuar Franceze u zhduk nga faqja e dheut, apo dhe më pas me luftën 30 vjeçare evropiane që përgjysmoi popullsinë e Evropës. Përse e gjitha kjo? Sepse pasuria që Perëndia ia pat besuar Kishës si institucion për ta përçuar atë brez pas brezi ishte shtrembëruar plotësisht. Dhe kështu, në kohën e Reformacionit Evropian, ndarja kishte për qëllim ruajtjen e ungjillit të Perëndisë. Kjo është arsyeja e ekzistencës së Kishës protestante apo reformatore apo ungjillore. Në fak, Kisha Protestante e Reformacionit nuk u nda nga Kisha Katolike, ishte Kisha Katolike ajo që e përjashtoi atë nga gjiri i vet. Sido që të jete, e rëndësishme të mbahet mend është fakti që qëllimi i ndarjes për të dyja palët ishte ruajtja e doktrinës së vet. Kisha Katolike dëshironte të ruante doktrinën e koncilëve dhe të Papëve ndërsa Kisha e Reformacionit dëshironte të ruante doktrinën e Krishtit dhe të Apostujve. Unë besoj që kjo vazhdon të jetë arsyeja e ndarjes edhe sot. Ose më saktë, kjo duhet të jetë arsyeja për të qenë të ndarë sot.

     Fatkeqësisht, shumë kisha ungjillore apo protestante i kanë humbuar doktrinat e veçanta dhe ekskluzive të Krishtërimit biblik. Ky grup Kishash beson dhe vepron si Kisha Katolike me të vetmin ndryshim që ata nuk kanë Papën si kreun e Kishës por pastora egocentristë të uritur për pushtet e lavdi personale. Ndryshimi tjetër midis këtyre kishave ungjillore dhe Kishës Katolike Romane është se ato edhe pse besojnë tek frymëzimi i Biblës dhe autoriteti i saj, e vendosin veten e tyre, opinionet e papëve, të kardinalëve, të koncileve, të pastorëve dhe të çdo besimtari tjetër të thjeshtë mbi deklarimet Biblike. Kisha Katolike është teknikisht një Kishë karizmatike ashtu si edhe shumica e kishave ungjillore, pasi që të dyja ato besojnë në vazhdimësinë e zbulesës së veçanë nga Perëndia. Në Kishën Katolike kjo zbulesë kalon vetëm përmes Papëve dhe zyrës së Doktrinës, ndërsa ndërmjet ungjillorëve ajo kalon ndërmjet … të gjithëve. Në Kishën Katolike, papët bien në kontradiktë me njëri-tjetrin, por të paktën në një segment të caktuar kohor ka vetëm një zë interpretues apo zbulues, ndërsa në Kishën ungjillore që të gjithë janë papë njëkohësisht … dhe vazhdimisht. Si mund të adresohet ky kaos ungjillor? Kjo mund të realizohet përmes deklarimit, studimit, artikulimit dhe përqafimit të atyre doktrinave bazë që e shpëtuan Kishën një herë gjatë periudhës së Reformacionit Evropian, dhe që kanë fuqinë për ta bërë përsëri pasi janë e vërteta e patjetërsueshme dhe plot fuqi e ungjillit të Krishtit. Këto doktrina bazë janë kategorizuar nën pesë deklarata apo thirrje të shkurtra që njihen si Pesë Solat e Reformacionit.

     Tani thelbi i çështjes është pyetja që gardiani nga Filipi bëri tek Veprat 16: “çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” Gjithsecila nga këto kisha që përmenda më lart i përgjigjet ndryshe kësaj pyetjeje. “Çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” është një pyetje tepër e rëndësishme. Në fakt është pyetja thelbësore e çdo besimi apo religjioni në botë, dhe mënyra se si ti i përgjigjesh asaj të afron apo të largon nga Perëndia. Ky është thelbi i ungjillit dhe arsyeja përse me mijëra martirë kristianë zgjodhën vdekjen. Besimi i pastër në përputhje me Fjalën e Perëndisë, dhe reformatorët e shekullit 15-16-17 iu përgjigjën kësaj pyetje përmes këtyre 5 solave. Ato janë Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi; Sola Gratia – Vetëm Hiri, Sola Fide – Vetëm Besimi, Solus Christus – Vetëm Krishti, Soli Deo Gloria – Lavdia Vetëm Perëndisë. Këto 5 Sola përmbledhin dhe përfaqësojnë thelbin e identitetit tonë si të Krishterë protestante apo ungjillorë apo reformatorë. Këto 5 sola janë jo vetëm arsyeja e ndarjes, por edhe besimi ynë, edhe identiteti ynë, edhe praktika jonë e përditshme.

     Dëgjojeni me kujdes serinë 5 Solat e Reformacionit që e fillojmë sot pasi këto 5 fraza – të shoqëruara me ndoshta 5 shpjegime të shkurtra – do tju mundësojë dhe aftësojnë që ti përgjigjeni pyetjeve dhe injorancës që ekziston atje jashtë dhe madje edhe brenda kishash ungjillore në Shqipëri. 5 Solat janë identiteti juaj, janë thelbi dhe përmbledhja e asaj që ju duhet të besoni, jetoni dhe madje edhe të vdisni.

Mesazhet e kesaj serie mund ti gjeni te renditura KETU..

10. Sola Fide – Vetëm Përmes Besimit (II)

Shfajësimi Vetëm përmes Besimit në Drejtësinë e Krishtit

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë. Efesianëve 2:8

Hyrje

Javën e kaluar unë u përpoqa që të shpalosja përpara jush solën e katërt të Reformacionit, Sola Fide që do të thotë se shfajësimi është vetëm përmes besimit në drejtësinë e Krishtit. Doktrina e shfajësimit vetëm përmes besimit është doktrina kryesore e Protestantizmit historik dhe biblik. Lufta për ruajtjen dhe rifitimin e kësaj doktrine është çfarë prodhoi Kishën Protestante apo ungjillore. Martin Luteri, instrumenti kryesor i Reformacionit Evropian tha që kjo doktrinë është “pika në të cilën Kisha qëndron dhe doktrina pa të cilën Kisha rrëzohet” (articulus stantis et cadentis ecclessiae). Luteri tha gjithashtu këtë për shfajësimin përmes besimit: “Kjo doktrinë është guri i qoshes në themelin e Kishës. Mbi të lind, ndërtohet, ushqehet, ruhet dhe mbrohet kisha e Perëndisë; dhe pa të ajo nuk mund të ekzistojë as edhe një orë.” John Calvin e përshkroi doktrinën e shfajësimit vetëm përmes besimit në drejtësinë e Krishtit si “boshti kryesor në të cilin i gjithë religjioni ynë varet dhe boshti në të cilën gjithçka rrotullohet.” Mbani mend përkufizimin e shfajësimit: “Shfajësimi është akti gjyqësor i Perëndisë në të cilin Perëndia i fal mëkatet e njerëzve dhe i pranon ata sikur të ishin të drejtë.” Thamë gjithashtu se baza mbi të cilën Perëndia na deklaron të shfajësuar nuk është drejtësia jonë, as besimi ynë, por drejtësia e Krishtit që na derdhet apo transferohet nga Krishti kur ne i besojmë atij. Në këtë kontekst, besimi është vetëm një instrument që bën lidhjen tonë me Krishtin, dhe si pasojë e kësaj lidhjeje, drejtësia e Krishtit na transferohet neve, dhe si pasojë e këtij transferimi, Perëndia na deklaron në gjyqin e tij të falur dhe të pranuar prej Tij. Javën e kaluar pamë që besimi është vetëm një instrument, në fakt i vetmi instrument i pranuar e i urdhëruar nga Perëndia. E gjitha kjo, e bën besimin si rrjedhim shumë të rëndësishëm për tu studiuar dhe kuptuar.

I. Instrumenti i Shfajësimit: Vetëm Besimi (vazhdim)

A. Cila është marrëdhënia ndërmjet Hirit, Krishtit dhe Besimit?

Efesianëve 2:8 thotë: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë.” Vini re në këtë varg kreun dhe burimin e shpëtimit tonë. Jo vetëm që nuk është drejtësia dhe meritat tona që na shpëtojnë, por nuk është as besimi ynë çfarë na shpëton neve. Ne jemi të shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë, është Perëndia shpëtimtari ynë. “Për shkak se Perëndia është i mëshirshëm, njerëzit mëkatarë janë falur, kthyer, pastruar dhe shpëtuar. Njerëzit nuk shpëtohen për shkak të besimit që gjendet në ta, por për shkak të dashurisë së pakufishme, të mirësisë, keqardhjes, dhembshurisë, mëshirës, dhe hirit të Perëndisë” (Spuregon, Tërësisht nga Hiri, kap. 7). Mbajeni mend këtë, përndryshe ju do të bini në gabim duke e mbajtur mendjen kaq shumë tek besimi që është vetëm instrumenti i shpëtimit, saqë do të harrosh shkakun e shpëtimit që është hiri i Perëndisë dhe baza e shpëtimit që është drejtësia e Krishtit.

Efes. 2:8 thotë që hiri është në fakt jo vetëm shkaku i shpëtimit, por është në fakt edhe vetë burimi i besimit tonë. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë.” Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Njeriu është i vdekur në mëkat, dhe me këtë gjë Bibla kupton që njeriu nga natyra e tij është i lindur pa besim në zemër dhe pa aftësinë për ti besuar predikimit të ungjillit. Krishti tha; “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” [për tek unë] (Gjoni 6:44). Pali thotë tek Rom 10:9-10: “Po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. 10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim.” Nëse ti sot e gjen vetën besimtar në Jezus Krisht, ka shumë mundësi që ti ja atribuon këtë gjë vetes tënde si meritë. Ti o njeri mendon se je ti që ke mundur të rrëfesh e të shpallësh Krishtin si shpëtimtarin tënd. Por vëlla apo motër, mbaj mend fjalët e Krishtit drejtuar Pjetrit. Tek Ungjilli i Mateut 16 ne lexojmë se Kur Zoti dhe Apostujt po lëviznin përmes krahinës së Cezaresë së Filipit, Zoti i pyeti ata: “Kush thoni ju se jam unë?” dhe kështu Pjetri, në emër të të gjithë apostujve dhe të të gjithë kishës rrëfeu: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.” Dhe Krishti për të mos lejuar asnjë fije krenarie në asnjërin prej nesh tha; “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej,” (Mateu 16:17). Është Ati Perëndia ai i cili nga dashuria dhe hiri i tij i përjetshëm, prodhon në ne si dhuratë, përmes Frymës së Shenjtë besimin për të ardhur tek Krishti dhe për ta rrëfyer atë. Krishti është dhurata e Perëndisë dhe po kështu është edhe besimi ynë me të cilin ne i besojmë atij.

Më ka ngelur në mendje një rast që par me sytë e mi kur isha student në Amerikë dhe frekuentoja njërën prej Kishave lokale Presbiteriane. Isha i ulur në Kishë pranë një familje me një fëmijë që nuk duhej të ishte më shumë se 2-3 vjeç. Ishte momenti i adhurimit të Perëndisë përmes të dhjetave dhe ofertave dhe kanistra po kalonte dorë më dorë përgjatë rreshtit. Kur kanistra arriti tek familja që ishte përbri meje, kryetari i familjes vendosi një zarf brenda saj, mori kanistrën dhe i drejtoi fëmijës së tij kanistrën. Fëmija mbante në dorë një monedhë të vogël me anë të së cilës edhe ajo adhuroi Perëndinë atë ditë. Kjo është çfarë ndodh edhe me ne. Ati Perëndia na dhuron monedhën e besimit me anë të së cilës ne i besojmë Krishtit dhe blejmë drejtësinë e Tij. Tek Kol 3:3 Pali thotë se “jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë,” pra duke i mbajtur sytë tek Krishti dhe jo tek besimi juaj. “Me anë të besimit çdo gjë bëhet e mundur për ne, por prapë, forca nuk është tek besimi, por tek Perëndia tek i cili besimi mbështetët” (Spuregon). Dhe si rrjedhim, ju jeni të shpëtuar dhe të bekuar nga Perëndia pavarësisht nga forca e besimit tuaj. “Një dorë që dridhet mund të marrë një dhuratë të artë” sepse është Perëndia që e jep atë.

B. Cfarë është Besimi?

Por çfarë është besimi? Çdo të thotë të besosh? Besimi i vërtetë, besimi shpëtues përbëhet nga tre elementë, njohja, pranimi dhe mbështetja në Zotin Krisht. Vini re së pari njohjen:

a. Njohja – Noticia

Ps 9:10 thotë: “Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti.” Njohja është elementi i parë i besimit të vërtetë. Njohja është ajo që vjen në fillim. Tek Rom 10:14 Apostulli Pal, duke folur për domosdoshmërinë e predikimit të Fjalës së Perëndisë shkruan: “Si do të besojnë tek Ai për të cilin nuk kanë dëgjuar?” Njeriu duhet të informohet për një fakt përpara se ta besojë atë. Njohja i referohet përmbajtjes së besimit shpëtues. Be
simi ka një objekt. Besimi nuk është i verbër, nuk beson në asgjë po në diçka. Bibla e dënon qëndrimin që kanë shumë njerëz sot që thonë: “Nuk ka rëndësi se çfarë beson, për aq kohë sa beson sinqerisht dhe me gjithë zemër.” Hitleri, në fund të jetës së tij besonte se ishte Perëndi, dhe këtë besim e kishte të sinqertë dhe me gjithë zemër. Është e mundur që ne të besojmë në diçka dhe ta kemi gabim. Është e mundur që ne të jemi të sinqertë në besimin tonë, por nëse ne i besojmë Budës për shpëtimtar, ne do ta kemi sinqerisht gabim dhe me gjithë sinqeritetin tonë ne do të përfundojmë në dënimin e përjetshëm. Bibla thotë “Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti.”

Ky parim i aplikohet edhe adhurimit të Perëndisë, në fakt çdo aspekti të jetës. Tek Gjoni 4 ne lexojmë dialogun që Krishti pati me gruan Samaritane. Tema e diskutimit ishte kjo: Ku duhet të adhurojmë dhe si duhet të adhurojmë? Gruaja samaritane i tha Krishtit “Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë?” Me fjalë ë tjera ajo i tha: Ne kështu kemi adhuruar gjithmonë dhe me gjithë zemër, dhe ti thua që e paskemi gabim? Krishti Perëndi iu përgjigj: “Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që e njohim.” Pra adhurimi dhe besimi pa njohje është e pavlefshme. Dhe pastaj Krishti vazhdon: “…adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. 24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën”.” Këtu Krishti deklaron që nuk është e mjaftueshme që adhurimi ynë ashtu si edhe besimi të jenë vetëm të sinqerta dhe me gjithë zemër, por edhe me një njohje të saktë të asaj se kush Perëndia është, çfarë Ai ka bërë për ne dhe se çfarë Ai kërkon prej nesh.

Perëndia flet përmes profetit Isaia këto fjalë: “Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit” (Isa. 55:3). Në këtë pasazh, përsëri Perëndia deklaron që ne bëhemi anëtarë të besëlidhjes së përjetshme të Hirit vetëm nëse ne i besojmë predikimit të ungjillit. Ne do të shfajësohemi përmes besimit i cili dëgjon, pranon dhe reagon ndaj Fjalës të Perëndisë.

Kjo ishte fjala e profetit dhe kjo është fjala e ungjillit akoma. Lexo Shkrimet dhe mëso çfarë Fryma na mëson për Krishtin. Kërko të njohësh Perëndinë: “sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë Atë,” (Heb. 11:6). Ti dëshiron që të rritesh në besim. Atëherë lexo Biblën me lutje çdo ditë. Lexo dhe mëso mbi doktrinën e Krishtit, plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi. Njih doktrinën e flijimit zëvendësues të Krishtit si i vetmi ndërmjetësues me Perëndinë sepse pika mbi të cilën besimi shpëtues kryesisht e ngulit vetveten është kjo: “Perëndia e ka pajtuar botën me vetën në Krishtin duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre” (2 Kor. 5:19).

b. Pranimi – assensus

Besimi fillon me njohurinë dhe vazhdon me pranimin. Atë njohuri të marrë nga Fjala e Perëndisë ne duhet gjithashtu ta pranojmë si të tillë dhe duhet të pajtohemi me të. Informacioni, mesazhi i Lajmit të Mirë të ardhjes, mishërizimit, kryqëzimit, vdekjes dhe ngjalljes së Personin të Dytë të Trinisë duhet pranuar si një fakt historik, i vërtetë dhe me efekte të pamohueshme për njerëzimin. Ky pranim është një akt i mendjes së njeriut, një akt i intelektit i cili përfshin sigurinë dhe bindjen e patundur në deklaratat e Ungjillit. Ka në botë sot profesorë e teolog që japin mësim në universitete të Krishtera dhe madje edhe në seminare teologjike që kanë për qëllim përgatitjen drejtuesve në Kishë dhe që nuk i pranojnë, miratojnë e as nuk pajtohen me këtë masë informacioni dhe njohurie që gjendet në Bibël. Ata e quajnë vetën besimtarë të Krishterë, e megjithatë nuk i pranojnë si të vërteta dhe as nuk janë të bindur në vërtetësinë e ungjillit. Besimtari i vërtetë e njeh Krishtin, dhe gjithashtu edhe e pranon Atë dhe premtimet e tij si absolutisht të vërteta dhe me efekte në jetën e tij.

c. Mbështetja – fiducia[1]

Besimi fillon me njohurinë, vazhdon me pranimin – që të dyja këto akte të mendjes – dhe kulminon së treti me mbështetjen apo lëshimin e plotë të vetës në drejtësinë e Krishtit dhe dorën e Perëndisë. Elementi i trete i besimit shpëtues është i domosdoshëm për jë besim të vërtetë. Arsyeja për këtë gjendet tek Letra e Jabobit 2:19 në të cilin shkruhet: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.” Demonët e njohin personalisht Perëndinë dhe Krishtin, e kanë parë atë me sytë e tyre, e dinë shumë mirë se çfarë Perëndia është në gjendje të bëjë, e njohin shumë mirë doktrinën e Trinitetit që ne njerëzit sa mezi na e rrok mendja, e kuptojmë shumë më mirë se sa njerëzit Personin dhe Veprën e Jezus Krishtit, i kuptojmë shumë më mire se sa ne efektet e kryqit të Krishtit, dhe megjithatë Apostulli thotë: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.” Elementi i njohurisë është i pranishëm në demonë, dhe është në këtë kuptim që ne duhet ta lexojmë këtë varg, por ai nuk është i mjaftueshëm për shpëtim. Që besimi shpëtues të jetë i plotë ai duhet të përmbajë edhe elementin e tretë që është mbështetja e plotë në Krishtin për shpëtimin tënd.

Si mund ta ilustrojmë këtë koncept? “Besimi është si mbështetja e dikujt më të dobët në krahun e dikujt më të fortë duke e ditur superioritetin e tjetrit. Besimi është një i verbër që ia beson veten e tij drejtuesit të tij sepse e di që shoku i tij mund të shohë dhe duke i besuar ai shkon kudo që drejtuesi i tij e drejton.” Në mënyrë të ngjashme me të, Pali shkruan tek 2 Kor 5:7 ku thotë “sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.” “Ky është një nga përshkrimet më të mira që mund të jepet për besimin. Ne e dimë që Jezusi ka në veten e tij fuqi, meritë dhe bekime që ne nuk i kemi, dhe prandaj ne me kënaqësi ia besojmë veten tonë Atij që të jetë për ne çfarë ne nuk mund të jemi për veten tonë.”

Besimi është një kapje pas Krishtit. Mbaj mend një herë kur isha gjimnazist, që një ditë shkuam me disa shok në Currila për plazh dhe për peshkim. Peshkimi im ishte ky: Me një gur të vogël në dorë unë mundohesha që të shkëpusja nga shkëmbinjtë në ujë molusqet që ne i përdornim për karrem. Nuk është gjë e lehtë të shkëputësh moluskun nga shkëmbi. Ose do ti thyesh guaskën, ose do të thyesh shkëmbin ose do të thyesh gurin që ne në dorë. Ky është besimi. Kapja pas shkëmbit të shpëtimit që është Perëndia Jezus Krisht. Besimi është të shpallësh me Davidin fjalët e Ps 18:2 “Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.” (Ps 62:1-7; Ps 89:26; 2 Sam 2:23, 47).

Besimi është goja që përtyp dhe ushqehet në Krishtin, prandaj edhe Pali thotë tek Rom 10:8 “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë.”

Besimi është dora që shtrëngon Krishtin dhe thotë “Ky është i imi.” Kur doja jonë kap diçka për ta përvetësuar, bën të
njëjtën gjë që besimi bën kur përvetëson Krishtin dhe bekimet e çlirimit të Tij. Besimi thotë “Jezusi është i imi, drejtësia e tij është drejtësia ime, sakrifica e Tij është shpëtimi im, ringjallja e Tij është ringjallja imë, ngritja e tij në të djathtë të Atit është për të mirën time, për trashëgiminë time, Fryma e Tij e Shenjtë është çliruesi im nga fuqia e mëkatit tim.”

II. Frytet e Shfajësimit: Veprat e Besimit

Deri tani kemi studiuar instrumentin e shfajësimit që është vetëm besimi, Sola Fide. Por, Kisha, e bazuar në Bibël, gjithmonë ka besuar që edhe pse besimi është i vetmi instrument shfajësimi, ai nuk vjen asnjëherë i vetmuar por gjithmonë i shoqëruar me frytet e bindjes ungjillore. Besimi prodhon fryte dhe nga kjo shihet që besimi ekziston. Kjo është një pikë e brishtë në Krishtërim, pasi në Bibël gjenden disa pasazhe që po të mos studiohen me kujdes nuk do të kuptohen si duhet dhe do të shtyjnë dikë të besojë që shpëtimi është përmes besimit plus veprave dhe jo vetëm përmes besimit. Një nga këto pasazhe është Jakobi 2. Vargu kryesor që krijon konfuzion atje është vargu 24: “Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.”

Nëse ky pasazh do të studiohet me kujdes do të shikojmë që nuk bie në kontradiktë me pjesën tjetër të Biblës dhe as me doktrinën tonë Sola Fide. Mjafton për këtë që të lexojmë kontekstin e këtij vargu. Vargjet 1 – 7 na instruktojnë se si ne nuk duhet që të tregojmë favorizime ndaj asnjërit në kishë pavarësisht nga statusi social, ekonomik apo arsimor. Vargjet 8 – 13 komentojnë mbi parimin biblik që nëse dikush thyen njërin nga urdhëresat e Perëndisë, ai i ka thyer ato të gjitha. Vargjet 14 – 26 flasin për marrëdhënien ndërmjet besimit dhe veprave. Jakobi e fillon këtë pasazh duke përdorur shembullin e dikujt që pretendon se beson por që nuk është në gjendje që ta provojë ekzistencën e besimit të tij. Dhe kështu Jakobi thotë “Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.” Me fjalë të tjera, Jakobi adreson çështjen e besimit të vdekur, e një besimi që në fakt nuk është besim, por vetëm një deklaratë me gojë, një deklaratë boshe, pa jetë e pa vepra. Dhe kështu Jakobi fillon me një demonstrim negativ të një besimi të pa-vërtetë. Ai e krahason këtë besim me atë të demonëve. Ai thotë që deklaratat e besimit të pa vërtetuara me fryte në jetën e përditshme janë po aq shpëtuese sa edhe besimi i demonëve të cilët e dinë që Perëndia ekziston por kjo nuk prodhon asnjë ndryshim në jetën e tyre. Vargu 19: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.” Së fundi Jakobi jep disa shembuj pozitiv të njerëzve që e provuan apo demonstruan besimin e tyre përmes fryteve të besimit në jetën e tyre.

Ne duhet të dimë dhe kuptojmë ndryshimin dhe marrëdhënien ndërmjet shfajësimit të deklaruar dhe shfajësimit të demonstruar. Apostulli Pal tek letrat drejtuar Romakëve dhe Galatasve flet për shfajësimin e deklaruar nga Perëndia për shkak të besimit në Jezus Krisht. Jakobi flet për diçka plotësisht tjetër por në lidhje me të. Ai flet për shfajësimin e demonstruar nga ne. Një zemër e çliruar është një zemër e çliruar për të vepruar dhe për t’ju bindur Perëndisë. Një zemër e çliruar është një zemër mirënjohëse, një zemër falënderuese, një zemër aktive, një zemër dhënëse. Kjo është çfarë Apostulli Pal gjithashtu beson, siç edhe mund shihet nga Efes 2:10 ku shkruan: “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.” Ne jemi të shfajësuar nga hiri vetëm përmes besimit për një qëllim: që të jetojmë për lavdinë e perëndisë, sipas vullnetit të Tij, për vepra të mira që ai tashmë i ka zgjedhur e renditur për ne madje edhe që përpara krijimit të botës. Kjo është arsyeja përse ne jemi shfajësuar, dhe veprat e mira janë frytet dhe prova e besimit tonë. Si rrjedhim, në mbyllje, unë ju inkurajoj që ta demonstroni shpëtimin dhe besimin tuaj dhe e bëj këtë përmes fjalëve të Apostullit Pal që shkruan tek Rom 12:1 “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.” Vetë Zoti Krisht tha tek Gjoni 14:15: “Nëse më doni mua, zbatoni urdhërimet e mia.” Amen.


[1] Ilustrimet e mëposhtme të vendosur në thonjëza janë huazuar nga Libri i C.H. Spuregon, Tërësisht nga Hiri, kapitulli 8.

08. Sola Fide – Vetëm Përmes Besimit (I)

Shfajësimi Vetëm përmes Besimit në Drejtësinë e Krishtit

“Si mund të bëhet njeriu mëkatar i drejtë përpara Perëndisë së Shenjtë?” është pyetja ekzistencialiste më e rëndësishme e qenies njerëzore. Si mund të çlirohemi nga faji i mëkati tonë, nga dënimi që mëkati sjell mbi ne të gjithë, dhe nga fuqia e mëkatit në jetën tonë? Përgjigjen e kësaj pyetje, Reformacioni Evropian i shekullit të 16 – duke reaguar ndaj errësirës mesjetare dhe praktikave abuzive të Kishës – e gjeti në Fjalën e Shkruar të Perëndisë së gjallë, në Bibël. Dhe përgjigja hyjnore e problemit njerëzor është kjo: shkoni vetëm tek Shkrimi, ku do të gjeni që ne jemi të shfajësuar vetëm përmes besimitKrishtin dhe drejtësinë e Tij, vetëm nga hiri sovran i Perëndisë dhe vetëm për lavdinë e Perëndisë. Këto njihen si Pesë Solat e Reformacionit – Sola Scriptura, Solus Christus, Sola Gratia, Sola Fide, Soli Deo Gloria. Sot, duke u nisur nga Galatasve 3:6-14 unë do të shpalos përpara jush solën e katërt të Reformacionit, Sola Fide që do të thotë se shfajësimi është vetëm përmes besimit në drejtësinë e Krishtit.

Është e pamundur për mua që të shpreh në pak fjalë rëndësinë e metodës së shfajësimit nga mëkati përmes besimit në drejtësinë e Krishtit siç na është dhënë nga Perëndia. Doktrina e shfajësimit vetëm përmes besimit është doktrina kryesore e Protestantizmit historik dhe biblik. Lufta për ruajtjen dhe rifitimin e kësaj doktrine është çfarë prodhoi Kishën Protestante apo ungjillore. Martin Luteri, instrumenti kryesor i Reformacionit Evropian tha që kjo doktrinë është “pika në të cilën Kisha qëndron dhe doktrina pa të cilën Kisha rrëzohet” (articulus stantis et cadentis ecclessiae). Luteri tha gjithashtu këtë për shfajësimin përmes besimit: “Kjo doktrinë është guri i qoshes në themelin e Kishës. Mbi të lind, ndërtohet, ushqehet, ruhet dhe mbrohet kisha e Perëndisë; dhe pa të ajo nuk mund të ekzistojë as edhe një orë.” John Calvin e përshkroi doktrinën e shfajësimit vetëm përmes besimit në drejtësinë e Krishtit si “mentesha kryesore në të cilin i gjithë religjioni ynë varet dhe boshti në të cilën gjithçka rrotullohet.” Kjo doktrinë ishte thelbi i përplasjes së madhe që ndodhi në shekullin e 16 në Evropë, dhe sipas studiuesve, kjo së bashku me kthimin në Bibël si e vetmja fjalë autoritare e Perëndisë, është faktori më i rëndësishëm për të mos thënë i vetmi që i ndryshoi faqen civilizimit perëndimor. Arsyeja për këtë është kjo: Një i burgosur me zinxhirë nëpër këmbë nuk mund të ndërtojë një civilizim të suksesshëm. Vetëm një shpirt, një mëndje, një zemër, një vullnet i lirë nga supesticioni, nga mëkati dhe faji që mëkati sjell, nga barra e dënimit e cila prodhon vetëm frikë dhe paralizim, vetëm një i çliruar mund të krijojë një civilizim të tillë. Një njeri në faj përpara Perëndisë nuk ka kohë të ndërtojë por vetëm të dridhet përpara Tij, dhe kjo na sjell së pari në nevojën e njeriut për të qenë i shfajësuar përpara Perëndisë.

I. Nevoja për Shfajësim

Nevoja jonë për shfajësim përpara Perëndisë shihet kontekstin e dy gjërave: Së pari realiteti i mëkatit njerëzor i cili është universal dhe së dyti në gjykimin dhe dënimin hyjnor që po vjen. Apostulli Pal thotë në pasazhin që lexuam sot: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar ato.” Në fakt Pali po citon Bes. Rip. 27:26 dhe qëllimi i tij është të na bindë përmes Biblës që askush nuk mund ta plotësojë ligjin e Perëndisë. Askush nuk mund të përmbushë të tëra kërkesat e Perëndisë, askush nuk mund të përmbushë atë ashtu siç na kërkohet – deri në detajet më të vogla të saj. Krishti tha kur ishte në tokë: “Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji” (Luka 16:17, Mateu 5:18). Krishti na deklaron se ligji i Perëndisë duhet përmbushur në tërësinë e saj si dhe në çdo detaj të tijin. Këtë gjë thotë Pali ne nuk mund ta realizojmë dot. Dhe kjo gjë është thelbi i mëkatit. Ligji është si ajo tabela e qitjes që ne duhet ta godasim në shenjtë. Kjo “tabelë qitje” nuk përmban mundësinë për të marrë nga nota 10 deri në notën 0. Në këtë tabelë, nota është ose kalueshëm ose jo. Njerëzimi na deklaron Perëndia në Bibël ka dështuar në përmbushjen e detyrimit të tij ndaj Perëndisë. Tek Rom 3 Perëndia përmes gojës së Palit deklaron se të gjithë pa përjashtim janë nën mëkat.

Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. 11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. 12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. 13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; 14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; 15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; 16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, 17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; 18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre. (Rom. 3:10-18).

Por nevoja jonë për shfajësim nuk shikohet vetëm në referencë me prezencën e mëkatit që është në gjithsecilin prej nesh pa përjashtim, por së dyti edhe në gjykimin dhe dënimin që ky mëkat hedh mbi ne. Kur Pali thotë “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar ato,” dhe kur Pali thotë që askush nuk mund të plotësojë ligjin, Pali gjithashtu ka thënë: I tërë njerëzimit është tashmë i gjykuar, i dënuar dhe në pritje të ekzekutimit e tij nga dora e Perëndisë.

Por si mund ti shmangemi mallkimit të Ligjit që është dënimi dhe gjykimi për mos përmbushjen e tij? Ne duhet të shfajësohemi nga ky mallkim, të shfajësohemi nga faji i mëkatit tonë, ne duhet të çlirohemi nga përgjegjësia jonë përpara Perëndisë. Por çfarë është shfajësimi nga këndvështrimi Biblik? Cila është doktrina Biblike e shfajësimit?

II. Kuptimi i Shfajësimit

a. Përkufizimi

Së pari le të marrim një përkufizim të shkurtër të Shfajësimit: Shfajësimi është akti gjyqësor i Perëndisë në të cilin Perëndia i fal mëkatet e njerëzve dhe i pranon ata sikur të ishin të drejtë. Vini re në këtë përkufizim se shfajësimi është një akt i Perëndisë. Nuk është një process që zgjatet por një akt që Perëndia e kryen brenda një momenti. Vini re gjithashtu që Shfajësimi është një akt gjyqësor apo një akt juridik: Tek Rom 5:18 Pali deklaron “Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.” Perëndia Gjykatësi dhe Mbreti hyjnor deklaron nga froni i tij i gjykimit, i drejtësisë dhe i shenjtërisë se ne jemi të falur. Dhe jo vetëm kaq, por Perëndia nga po i njëjti fron na pranon sikur të ishim të drejtë. Në fakt, edhe pas faljes njeriu vazhdon të jetë mëkatar, ashtu siç edhe ka qenë gjithmonë. Në fakt Luteri e përmblodhi idenë e këtij akti juridik, një shfajësim juridik apo forensik me frazën e tij të famshme latine “simul iustus et peccator” – “në të njëjtën kohë edhe i dr
ejtë edhe mëkatar.” I krishteri në vetvete si njeri mbetet një mëkatar, por në marrëdhënie me Perëndinë, ai konsiderohet si i drejtë nga Perëndia për shkak të drejtësisë së Krishtit.

Imagjinoni një të burgosur përpara gjykatësit në sallën e gjyqit. Prokurori i provon të gjithëve fajin e tij. Mbrojtja nuk tenton që ta shpëtojë. Vetë i akuzuari e pranon fajin dhe lutet për mëshirë. Dhe për çudinë e të gjithëve, gjyqtari i çështjes e deklaron të akuzuarin të falur. Dhe jo vetëm kaq, por çohet në këmbë dhe i thotë që jo vetëm është i falur, por është plotësisht i pafajshëm athua se nuk ka mëkatuar kurrë, dhe sikur të mos mjaftonte as kjo, gjyqtari e merr kriminelin e falur dhe e quan birin e tij. Ky është akti juridik i shfajësimit. Kjo është çfarë bibla deklaron se Perëndia ka bërë ndaj nesh. Kuptohet se kjo mund të duket si padrejtësia e shekullt, Por Perëndia thotë Pali tek Rom 3:26 është në të njëjtën kohë edhe i drejtë edhe shfajësues pa rënë në kundërshtim me vetveten. Si e realizon Perëndia këtë? Për këtë duhet të kuptojmë bazën mbi të cilin ndërtohet shfajësimi ynë. Do t’ju jap tre “jo” dhe një “po,” apo tre përgjigje të gabuara dhe në fund përgjigjen e drejtë.

b. Baza

Së pari, baza mbi të cilin Perëndia bazon shfajësimin tonë nuk janë veprat tona apo meritat e njeriut. Apostulli Pal tek Gal 2:16 thotë “njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.” Tek pasazhi që lexuam sot Pali thotë: “Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.” Tek Rom 4:5 Pali përsëri thotë “ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.” Pra, jo ai që punon dhe përpiqet që të prodhojë drejtësinë e vet i jepet shfajësimi nga Perëndia, por atij që i beson atij. Pali gjithashtu shkruan tek Titi 3:5 “ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë.” Nuk jemi të shpëtuar me anë të drejtësisë që ne bëjmë por vetëm nga Hiri i Perëndisë.

Së dyti, baza mbi të cilin Perëndia bazon shfajësimin tonë nuk është as besimi ynë, aktin e të besuarit, ose ndonjë përgjigjetë bindur ndaj ungjillit. (PBË 11:1). Perëndia “… nuk e konsideron vetë besimin, aktin e të besuarit, ose ndonjë përgjigje të bindur ndaj ungjillit nga ana e [jonë] si drejtësinë [tonë],” (PBW XI:1). Perëndia nuk na fal thjeshtë se ne i besojmë Atij. Bibla nuk thotë se ne jemi të shfajësuar për shkak të besimit, por se jemi të shfajësuar përmes besimit. Besimi ynë nuk është shkaku i shpëtimit tonë, por thjesht instrumenti me anë të të cilit ne marrim shpëtimin. Kjo nuk duhet ngatërruar pasi janë dy gjëra të ndryshme. Besimi njerëzor nuk është i përsosur, Vetëm vepra e Krishtit dhe drejtësia e Tij është e përsosur, jo besimi ynë. Edhe në momentin e saj më të fortë, besimi ynë është i përzier me dyshime dhe si rrjedhim besimi ynë është i mëkatshëm. çfarë na shfajëson neve nuk është fuqia dhe pastërtia e besimit tonë por fuqia dhe pastërtia e veprës dhe e drejtësisë së Krishtit, i cili është objekti i besimit tonë.

Së treti, baza mbi të cilin Perëndia bazon shfajësimin tonë nuk është as derdhja e drejtësisë së Krishti brenda nesh. Ka disa Kisha që besojnë këtë gjë, në një farë mënyre ato janë më afër përgjigjes së vërtetë, pasi sa më në qendër të përgjigjes të vendosësh Krishtin dhe kryqin e Krishtit aq më shumë i afrohesh së vërtetës. Ka disa kisha që besojnë se Perëndia derdh brenda nesh, si një transfuzion gjaku drejtësinë e Krishtit. Kisha mesjetare besonte dhe vazhdon të besojë edhe sot që Perëndia injekton brenda nesh drejtësinë e Krishtit dhe na lëshon të lirë për ta fituar vetë shpëtimin tonë, shfajësimin tonë. Problemi me këtë gjë është se edhe në këtë rast, edhe pse përfshihet vepra e Krishtit, shpëtimi ynë ende bazohet në ne dhe në atë që ne do të mund të jemi në gjendje të realizojmë me këtë drejtësi të injektuar të Krishtit.

Përgjigja e duhur se mbi ç’bazë e themelon Perëndia shfajësimin tonë është kjo: Krishti përmbushi ligjin plotësisht dhe përsosmërish, duke filluar me çdo gjë që ai bëri deri në momentin e Kryqëzimit në kryq, por mbi të gjitha në Kryqin e Golgotës, Biri i Perëndisë, Jezus Krishti fitoi ato merita apo prodhoi një masë të pafundme drejtësie për mëkatarët dhe në vendin e tyre. Rom 5:8 thotë që “Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Tek Gal 3:13, pasazhi i sotëm, Pali thotë “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne.” për shpëtimin tonë ndodhën dy transferta hyjnore. Së pari, Krishti transferoi mbi veten e tij mëkatin tonë, fajin e mëkatit tonë, mallkimin tonë dhe dënimin që na takonte ne për shkak të mëkatit tonë dhe e tërhoqi atë zvarrë rrugëve të Jerusalemit deri në kryq. Apostulli Pjetër thotë “Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 Pjet. 3:18). Krishti transferoi mbi veten e tij padrejtësinë tonë dhe së dyti transferon nga vetja e tij mbi ne drejtësinë e Tij. Rom 3:22 shpall qartë transferimin e drejtësisë së Krishtit mbi të gjithë ata që besojnë: “… drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim.” Kështu pra, ka një transfertë dyfishe që ekziston ndërmjet nesh dhe Krishtit dhe që është i detyrueshëm për shfajësimin tonë: Së pari mëkati ynë transferohet në llogarinë e Krishtit, së dyti, drejtësia e Krishtit transferohet në llogarinë tonë. Vini re që Rom 3:22 që sapo ju lexova përmend që kjo drejtësi merret jo për shkak të besimit, por nëpërmjet besimit si instrument marrës, dhe së dyti drejtësia e Krishtit nuk injektohet ndër ata që besojnë por hidhet mbi të gjithë ata që besojnë. Drejtësia e Krishtit mbulon padrejtësinë tonë, dhe është për këtë arsye që Perëndia si gjykatës na në aktin juridik të shfajësimit na deklaron të falur, dhe madje të drejtë sikur të mos kishim mëkatuar kurrë pasi Krishti nuk mëkatoi kurrë dhe gjithashtu edhe ne, të veshur me drejtësinë e Krishtit, dukemi sikur nuk kemi mëkatuar kurrë. Ky është hiri i Perëndisë për ju, kjo është arsyeja përse Krishti vdiq në kryq për ju: që ju të visheni me petkun e drejtësisë së Krishtit; që ju të dukeni të drejtë kur ende jeni mëkatarë; që ju të dukeni të bukur nga bukuria e Krishtit kur ju ende jeni të shpërfytyruar nga brenda nga barra e mëkatit dhe vuajtja shpirtërore dhe fizike që mëkati ka shkaktuar në jetën tuaj.

III. Instrumenti i Shfajësimit: Vetëm Besimi

Por lind pyetja, si transferohet kjo drejtësi e Krishtit nga Ai tek ata që e dëshirojnë këtë? Çfarë duhet të bëjmë që ti ja veshim vetes drejtësinë e Krishtit me qëllim që për tu shpëtuar e shfajësuar, me qëllim që Ati të mos na shikojë më ne dhe padrejtësinë tonë por Krishtin dhe drejtësinë e Tij? Ne duhet të përdorim të vetmin instrument transferues të drejtësisë së Krishtit për shfajësimin
tonë që është besimi. Bibla deklaron, që i vetmi instrument i shfajësimit është besimi në drejtësinë e Krishtit. Jo besimi plus veprat tona pasi kjo do të thotë drejtësia e Krishtit plus drejtësinë tonë. Rom 5:1 thotë “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tone.” Rom 3:24 thotë për ata që besojnë në Krisht se ata “janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nga shpengimi që është në Krishtin Jezus.” Këto vargje flasin për besimin si një instrument ekskluziv që nuk duhet përzier me instrumente të tjera. Ne thotë Pali tek Rom 3:28 “pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.” Ja pra ekskluziviteti i besimit si instrumenti nëpërmjet të cilit ne mrrim shfajësimin. Vini re që në këtë varg, Pali insiston në doktrinën e Sola Fide – Vetëm përmes Besimit duke e artikuluar çështjen si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Në një retorikë pozitive Pali thotë “konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit.” Dhe pastaj, si për të hequr çdo fije dyshimi, ai shton edhe frazën mohuese “pa veprat e Ligjit.”

Kjo është doktrinë biblike e shfajësimit dhe shpëtimit vetëm përmes besimit, një besim i cili ka si objekt të vetëm drejtësinë e Krishtit dhe vetëm drejtësinë e tij. Kjo është doktrina biblike që pat humbur plotësisht në Kishën e mesjetës dhe që vazhdon të jetë e tillë edhe sot në ato kisha dhe madje edhe në shumë kisha protestante sot. Kjo është doktrina që Reformatorët dhe Reformacioni Evropian i shekullit të 16 rizbuloi në faqet e Biblës, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi nëse ne i drejtohemi vetëm Biblës si e vetmja Fjalë hyjnore dhe plot autoritet e Perëndisë, ne do të gjejmë atje që shpëtimi është vetëm përmes besimit në të vetmin objekt – Krishtin si i vetmi shpëtimtar, profet, prift, mbret dhe avokat i popullit të tij. Kjo vëllezër dhe motra nuk është diçka që ne e kemi fituar apo merituar, por është dhurata e pamerituar e Perëndisë, është vetëm për shkak të Hirit sovran të Perëndisë që ne mund të dimë rrugën e shpëtimit, një metodë që Perëndia Triune na e ofron vetëm e vetëm që e gjithë lavdia ti shkojë vetëm Atij, Soli Deo Gloria.

07. Sola Gratia-Vetëm nga Hiri

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush. 10 Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.

Efesianeve 2:8-10

I. Çfarë është Hiri i Perëndisë

Krishti përmes Apostullit Pal na deklaron: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë.” “Të shpëtuar me anë të hirit!” Por çfarë është hiri i Perëndisë? Përkufizimi më i shkurtër që mund të jipet dhe që duhet fiksuar mirë në mëndje dhe në zemër është ky: Hiri është një dhuratë e pameritueshme që na jepet nga Perëndia. Perëndia së pari nuk i jep besimtarëve në Krisht atë që ata meritojnë, dhe lavdi Zotit për këtë pasi për shkak të mëkatit tonë, e vetmja gjë që ne meritojmë është dënimi i përjetshëm. Perëndia nuk na jep dënimin që ne meritojmë dhe kjo është pjesa e parë e hirit. Pjesa e dytë e hirit është kjo: Perëndia na jep diçka në ne në fakt nuk e meritojmë, na jep dashurinë e Tij, na jep miqësinë e Tij, na ofron që të kemi një marrëdhënie të vërtetë, të thellë dhe personale me atë, na pastron nga mëkati ynë, na i fal fajet, na adopton dhe na quan bijtë dhe bijat e tij, na ruan, na mbron, na bekon fëmijët dhe familjet, na jep Frymën e Shenjtë, dhe në fund na jep edhe jetën e përjetshme në gjirin e Tij. Të gjitha këto janë dhurata të pamerituara që vijnë nga dora e Perëndisë, dhe të gjitha këto dhurata të pamerituara quhen hiri i Perëndisë. Pra, çfarë është hiri i Perëndisë? Favori i pamerituar i Perëndisë në të cilin ne jo vetëm që nuk marrin dënimin që meritojmë por për më tepër marrin dhurata që nuk i meritojmë. Ky është hiri i Perëndisë.

a. Origjina e Hirit: Dashuria e Perëndisë

Por përse na jep Perëndia hir, çfarë e shtyn atë për ta bërë këtë gjë? Cila është origjina e hirit? Vëllezër, Hiri i Perëndisë buron nga zemra atërore plot dashuri e Perëndisë. Origjina e Hirit është dashuria e Perëndisë. Tek Efes 1:4 Pali thotë se Perëndia “…na zgjodhi në të [Krishtin] përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri,” – Ati na zgjodhi në dashuri. Tek Eph 2:4 Pali përsëri thotë “Por Perëndia …është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi.” Perëndia ka mëshirë dhe hir për ne për shkak të dashurisë së tij të madhe. Ne jemi dashur në Krishtin dhe përmes Krishtit nga Perëndia, nga një qenie hyjnore, sovrane, e pavarur nga ne në të gjitha ndjenjat, dëshirat, mendimet dhe veprimet e Tij. Perëndia na ka dashur jo sepse pa ndonjë gjë të mirë në ne, por na ka dashur pasi ai është një Perëndi i dashurisë që i zgjedh që të derdhë dashurinë e Tij mbi njeriun pavarësisht nga ligësia dhe mëkati që mbizotëron në ne. “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati,” thotë Apostulli Gjon, një dashuri pa paralel në këtë botë pasi ajo është e themeluar jo në njeriun por në vetë Perëndinë.

b. Kostoja e Hirit: Kryqi i Krishtit

Kjo është një dashuri që neve e marrim falas, është një dhuratë e pamerituar përndryshe nuk do të ishte nga hiri, por kjo dhuratë nuk është pa kosto. Dikush duhet të paguaj për këto dhurata dhe këtë pagesë e ka bërë Krishti. Kostoja e Hirit është kryqi i Krishtit. Pali thotë tek Efes 1:7 “në [Krishtin] cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij.” Jeta dhe vdekja e Krishtit në Kryq është pagesa që Krishti pagoi me trupin e Tij me qëllim që të blejë ato gjëra shpirtërore që ju nuk mund ti fitoni kurrë, por që Krishti pasi i ka blerë me gjakun e Tij jua shpërndan fala, si një dhuratë e pamerituar, që është hiri i Perëndisë. Të krishterë, fjala Hir është një fjalë e larë në gjak dhe ju kurrë nuk duhet të mendoni mbi dhe të flisni përreth hirit duke e veçuar atë nga gjaku i Krishtit. Fjala Hir është një fjalë me tre shkronja por që i ka kushtuar Perëndisë Birin, i ka kushtuar Krishtit jetën për ti dhënë Kishës përjetësinë.

c. Pasuria e Hirit: Biri i Perëndisë

Por Bibla nuk na flet vetëm për hirin si një dhuratë e pamerituar që buron nga dashuria e Perëndisë dhe që i ka kushtuar Perëndisë Krishtin në Kryq, por flet për këtë hir si një pasuri e paçmuar për popullin e Perëndisë. Tek Efes 1:7 shkruhet se ne “kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurive së hirit të tij.” Po kështu tek Efes 2:7 thihet se ne duhet të dëshmojmë për “pasurinë e pamasë të hirit të tij.” Në çfarë konsiston pasuria e Hirit të Perëndisë? Kjo mund të duket thjesht si lojë fjalësh që Apostulli i ditur Pal bën me ne, por nuk është kështu. Pasuria e vërtetë e Hirt, dhurata e pamerituar që na jepet nga Perëndia nuk është vetëm falja e mëkateve, drejtësia përpara perëndisë, paqja me Perëndinë, birësimi që na bën ai dhe bekmet e Frymës së Shenjtë, por mbi të gjitha Perëndia At na dhuron neve vetveten. Ati na ka dhuruar Personin e dytë të Trinisë së Shenjtë, Zotin Jezus Krisht. Krishti është pasuria e pafundme e hirit të pamasë së Perëndisë pasi si Perëndi, fuqia e Krishtit është e pafundme, njohja e Tij, kujdesi i Tij, dhe dashuria e Tij është e pafundme. Perëndia na ka dhënë si një dhuratë të pameritueshme vetveten. Në Dhiatën e Vjetër Perëndia premtoi vetveten kur tha: Unë do të jem Perëndia juaj dhe i bijve tuaj. Në Dhiatën e Vjetër dhe të Re Krishti është quajtur Emanuel, Perëndia në mesin tonë. Apostulli Pjetër në predikimin e Tij të parë Apostolik i deklaroi tërë botës dhe madje edhe juve kryetarëve të familjeve në këtë sallë këtë: “Premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj, dhe madje edhe për të gjithë ata që janë larg.” Apostulli Pal gjithashtu predikoi doktrinën e prezencës së Krishtit në trupin dhe shpirtin e besimtarëve dhe këtë ai e quan një mister, një realitet që edhe pse u paratha nga Perëndia në Dhiatën e Vjetër, nuk u kuptua edhe aq mirë nga njerëzit. Dhe duke folur për misionin e tij apostolik si predikues i ungjillit Pali thotë tek Kolosiance 1:26-27 këtë: “misterin që u mbajt i fshehtë gjatë shekujve dhe brezave, por që tani iu shfaq shenjtorëve të tij, të cilëve Perëndia deshi t’ua bëjë të njohur cilat ishin pasuritë e lavdisë së këtij misteri ndër johebrenjtë, që është Krishti në ju, shpresë lavdie.” Krishti në ju, prezenca e Zotit dhe Perëndisë Bir brenda qenies së besimtarëve, dhe këtë prezencë thotë Pali është pasuria që Perëndia ju ka dhënë juve nga Hiri i tij. Krishti brenda jush që besoni është ji vetëm nga hiri i Perëndisë dhe vetë hiri i Perëndisë por është edhe pasuria që ju është dhuruar. Perëndia ju ka dhuruar juve vetveten, një favor i pamerituar nga ju por që e ka burimin në dashurinë e Perëndisë. Dhe kjo është arsyeja pse Pali thotë që ne predikojmë vetëm Krishtin, dhe atë të Kryqëzuar. Krishti është mbushullimi apo plotësia e hirit të Perëndisë në ungjillin që predikohet.

Por fatkeqësisht, sot fjala hir nuk ka shumë vlerë ne fjalorin e Kishës. Hiri i mrekullueshëm dhe madhështor i Perëndisë nuk konsiderohet edhe kaq madhështor, dhe arsyeja për këtë ndryshim ka të bëjë më këndvështrimin që njerëzimi ka për vetveten. Njerëzimi brenda dhe jashë kishës refuzon ta
shikojë veten e saj ashtu siç ëshë në të vërtetë, e ngjizur, e lindur dhe e trajnuar në mëkat, ligësi e mosbindje. Ne nuk e vlerësojmë Hirin pasi nuk ia njohim vlerën mëkatit. Sa më i parandësishëm të konsiderohet mëkati, po aq edhe më i pavlerë bëhet Hiri për njeriun. Sa më lartë ta shikojmë veten aq edhe më e panevojshme bëhet Hiri i perëndisë dhe vetë Krishti rezus dhe kryqi i tij për ne. Por cila është situata e vërtetë në të cilën ndodhet njerëzimi?

II. Cila është situate në të cilën ndodhet njerëzimi

a. Pa-aftësi Totale

Së pari Perëndia na deklaron në Bibël që njeriut dergjet në një situatë rënie totale shpirtërore, dhe në një pa-aftësi totale për të shpëtuar veten përmes meritave të veta. Tek Romakëve 3 Apostulli pal thotë për njerëzimin:

“Dënimi i këtyre është i drejtë. 9 E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat, 10 siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. 11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. 12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. 13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; 14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; 15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; 16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, 17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; 18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre”.”

Të gjithë pa përjashtim kemi mëkatuar ndaj Perëndisë dhe njëri tjetrit, dhe si rrjedhim të gjithë gjendemi nën dënimin e Perëndisë. “Të gjithë nën mëkat, 10 siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.” Por jo vetëm kaq, diçka thelbësore ka ndryshuar në qenien njerëzore. Njeriu ka humbur aftësinë për të dëshiruar që të kthehet për tek Perëndia, njerëzimi ka humbur aftësinë që të kuptojë realitetin e tij shpirtëror, njeriu ka humbur aftësinë për të kërkuar Perëndinë dhe për tu bërë i dobishëm për perëndinë. “Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. 12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një” thotë Pali. Tek Zanafilla 6:5 ne lexojmë: “Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.” Një pemë e mirë – tha Krishti në një nga predikimet e tij në Ungjill – mund të japë vetëm fryte të mira, një pemë e keqe mund të japë vetëm fryte të këqija. Njihini njerëzit nga frytet e tyre, dhe frytet e njerëzimit dëshmojnë se ajo nuk është në gjendje që të kërkojë dhe as të dëshirojë që të kërkojë Perëndinë. Njerëzimi nuk është në gjendje që të ndryshojë vetveten. Jeremia 13:23 thotë “A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?” Përgjigja është jo. Njerëzimi është i paftë për të ecur drejt Perëndisë. Pali thotë tek Rom 8:7-8 “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. 8 Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.”

b. Nevoja për shpëtim dhe regjenerim

Rrjedhimisht del nevoja për shpëtim dhe për regjenerim. Krishti tha tek Ungjilli i Gjonit 3:5-6 “në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6 Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë.” Krishti tha: që ju të ndryshoni ju duhet të rilindi përsëri, ju duhet që të rigjeneroheni që të fitoni aftësinë për tiu afruar Perëndisë. Ju duhet që të lindni nga fryma që ti pëlqeni Perëndisë. Ju duhet që të rilindin nga Fryma e Shenjtë që mendja juaj të mos jetë më e kontrolluar nga mishi e mëkati, dhe që mendja juaj të mos dëshirojë më që të jetë në armiqësi me Perëndinë por në miqësi me Atin e dashurisë. Ne, njerëzit kemi nevojë që të shpëtohemi nga mëkati ynë, kemi nevojë që faji ynë të shpagohet, që borxhi ynë ndaj Perëndisë të lahet. Pali thotë tek Rom 6:3 që paga e mëkatit është vdekja, por si mund të paguhet kjo pagesë më vdekje kur në fakt ne dëshirojmë që të jetojmë? Por ne kemi nevojë që të shpëtohemi jo vetëm nga mëkati dhe nga paga e mëkatit por edhe nga pasojat e mëkatit në jetën tonë. Mëkati shkakton dominim. Kur ne mëkatojmë, mëkati fiton pushtet mbi ne dhe na fton dhe detyron për të mëkatuar përsëri, na thith në një rreth vicioz nga i cili nuk mund të dalim më po të mos jetë për Krishtin i cili e thyen dominimin e mëkatit mbi ne. Por mëkati gjithashtu sjell edhe zemërimin e Perëndisë ndaj nesh, ky zemërim duhet shuar, Perëndia duhet paqtuar, kjo është të kesh nevojë për shpëtim.

Jeremia 13:23 thotë “A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?” Përgjigja është jo. Krishti thotë se ka një rrugëdalje, dhe metoda e shpëtimit është kjo: Sola Gratia – Vetëm nga Hiri.

III. Përse Sola Gratia – Vetëm nga Hiri? Cila është dëshmia Biblike?

Por pse Solia Gratia – Vetëm nga Hiri? Pasi vetëm Krishti vdes në kryq për të na blerë, për të paguar borxhin tonë për ne, dhe pasi e ka bërë këtë është Ati dhe Biri që dërgojnë Frymën e Shenjtë për të na rilindur shpirtërisht, për të na rigjeneruar, për të na çliruar mendjen dhe zemrën nga dominimi i mëkatit, për të na aftësuar sytë për të parë Krishtin, për të na aftësuar zemrën për të dashur Perëndinë, për të na aftësuar vullnetin për të marrë vendimin për tju afruar Perëndisë më besim. Është për këtë arsye që Pali thotë në tekstin që kemi për sot “8 Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush.” Ju nuk mund të vdisnit në kryq për vetën tuaj, ju nuk mund të prodhonit Krishtin, ju nuk mund të urdhëroni Frymën e Shenjtë, ju nuk mund të ringjallni vetveten, ju nuk mund të rilindni vetveten. Dikush tjetër duhet ta bëjë për ju dhe ky është hiri i Perëndisë që ju nuk e meritoni. Dikush tjetër duhet të bëjë operacion zemre brenda jush dhe këtë gjë ju nuk mund tja bëni vetvetes por dikush tjetër duhet ta bëjë brenda jush dhe Kjo është Fryma e Shenjtë. Ju nuk e urdhëroni atë. Krishti tha tek Gjoni 3:8 “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma.” E pra, kjo vepër e Perëndisë nuk ndodh pasi ju e meritoni, nuk ndodh pasi ju e dëshironi, nuk ndodh pasi ju e urdhëroni por sepse Perëndia ju deshi ku ju ishit ende armiq të tij, dhe për shkak të dashurisë ai u tregua i hirshëm, ju dha një dhuratë të pamerituar. Perëndia na “zgjodhi në [Krishtin Jezus] përpara se të themeloh
ej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri, 5 duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, 6 për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij, 7 në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurive së hirit të tij,” (Efes 1:4-7). Vërtetë siç thotë Apostulli Pal “8 Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë.”

Ne besojmë në doktrinën Sola Gratia – Vetëm nga Hiri pasi hiri nëse nuk është i vetëm atëherë nuk është hir. Fjala vetëm na ndihmon që të kuptojmë dhe mbajmë mend origjinën e Hirit, ajo vjen vetëm nga Perëndia dhe jo nga Njeriu apo nga Perëndia + Njeriun. Zemra njerëzore është fabrikë idhujsh, dhe idhulli kryesor, produkti më i prodhuar i kësaj fabrike është krenaria shpirtërore. Njerëzit gjithmonë dëshirojnë që të marrin nga lavdia e të tjerëve, pa përjashtuar këtu edhe nga lavdia e Perëndisë. Por Perëndia është një person xheloz kur vjen puna tek lavdia e Tij. Nuk e ndan atë me njeriun dhe për këtë arsye na shpëton vetëm nga hiri. Pali thotë tek Rom 11:36 “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!”

IV. Cilat janë frytet e Hirit

Por së fundi, duhet që të vë në dukje që edhe pse Bibla dhe Kisha kanë besuar gjithmonë në doktrinën e Sola Gratia – Vetëm nga Hiri i Perëndisë, bibla dhe Kisha kanë besuar gjithmonë që ky Hir që vjen i vetëm prodhon fryte. Në vargun që vijon, tek Efes 2:10 Pali thotë “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.” Si vepra e Perëndisë, ne jemi të rikrijuar për perëndinë që të bëjmë vepra të mira, të japim frytë. Cilat janë këto fryte, këto vepra të mira në të cilat ne duhet të ecim?

1. Së pari hiri prodhon përulje. Kur hiri i Perëndisë pushton zemrën e besimtarit, një prej fryteve që prodhon atje është përulja shpirtërore, po mungesa e krenarisë. Efes 2:9 thotë: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush.” Dhe si të mos jetë ndryshe. E vetmja gjë që ne ofrojmë për shpëtimin tonë është mëkati ynë dhe asgjë tjetër. Edhe besimi me të cilin ne i afrohemi Perëndisë nuk vjen nga ne por na jepet apo prodhohet në ne nga Fryma e Shenjtë. Nëse ju e quani veten të Krishterë sot dhe keni krenari në zemrat tuaja atëherë ju nuk e keni kuptuar mesazhin e ungjillit, ju nuk e keni kuptuar ligësinë dhe fuqinë e mëkatit tuaj, domosdoshmërinë e hirit, dhuratën e Perëndisë dhe xhelozinë e Tij për lavdinë e Tij.

2. Së dyti, hiri prodhon sigurinë e faljes dhe të shpëtimit. Tek Rom 8:15 Pali thotë se kur ju merrni hirin e Perëndisë ju nuk merrni “një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne i thërrasim [Perëndisë]: “Aba, o Atë!”.” Pak më posh, në vargun 33 Pali thotë po “Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.” Kur ne kuptojmë hirin, ne çlirohemi, dhe jo vetëm nga faji dhe fuqia e mëkatit mbi ne, por gjithashtu edhe nga frika që mëkati, faji dhe fuqia e mëkatit prodhon në ne. Hiri që na fal dhe na shpëton edhe nga çliron që të duam Krishtin, që të gëzohemi në të. Zemra që ka shijuar hirin e Perëndisë ndjehet e sigurt në krahët e plotfuqishme të Perëndisë, pasi ato tashmë nuk janë më për të krahë ndëshkimi po krahë mbrojtjeje, dhe ky është hiri sigurisë së faljes dhe shpëtimit.

3. Së treti, hiri prodhon adhurim. Kur ne kuptojmë dhe shijojmë favorin dhe dashurinë e pamerituar të Perëndisë, zemrat tona automatikisht e rrëzojnë qenien tonë në gjunjë përpara Perëndisë ashtu siç bëri edhe me Apostullin Pal, kur pasi ka analizuar në katër kapitujt e parë në librin e Romakëve ligësinë dhe fuqinë e mëkatit, dhe më pas pasi ka shtjelluar në katër kapitujt e tjerë hirin e Perëndisë në Krishtin Jezus, në fund të kapitullit të tetë përfundon në gjunjë në një shpërthim doksologjik kur e adhuron hirin e Perëndisë me një himn.

4. Së katërti, hiri prodhon dedikim. Kur hiri i Perëndisë pushton zemrat tona, zemrat tona doksologjike – plot adhurim nuk qëndrojnë vetëm në gjunj, por edhe ngrihen në këmbë. Tek Rom 12:1-2 Pali i bën thirrje Kishës, juve që për shkak të dhembshurisë dhe hirit të Perëndisë “ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.” Hiri prodhon shërbim, hiri prodhon në ne sakrifica e flijim. Nëse dy orë në Kishë ditën e Dielë është koncepti juaj i Krishterimit atëherë ju nuk e keni kuptuar dhe as përjetuar hirin e Perëndisë në jetën tuaj. Perëndia dëshiron të gjithë qenien tuaj, gjithçka që jeni dhe gjithçka që keni.

5. Së pesti, hiri prodhon transformim. Një jetë që ka përjetuar hirin e Perëndisë është një jetë që po transformohet sipas imazhit të Krishtit. Perëndia na ka zgjedhur dhe shpëtuar nga hiri që të jemi “të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij,” (Rom 8:29). Pali thotë që kur ne adhurojmë Krishtin “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, prej Frymës së Zotit.” Jini të shenjtë siç edhe unë jam i shenjtë është urdhri i Perëndisë si në Dhiatën e Vjetër edhe në atë të Renë. Ecni siç Krishti eci urdhëron Pali. Po e mbyll duke përsëritur urdhrin që Pali na jep në pasazhin e sotëm: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush. 10 Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.” Amen.

06. Solus Christus (II) – Supremacia e Krishtit mbi Gjithçka

Si mund të qëndrojë i drejtë, njeriu mëkatar përpara Perëndisë? Si mund të bëhet i pranueshëm për të? Si mund të jetojë? Të tëra këto pyetje, dhe madje edhe çdo pyetje tjetër e natyrës shpirtërore do të gjejë përgjigje në atë që janë quajtur “Pesë Solat e Reformacionit.” Përgjigja është:

Shkoni vetëm tek Fjala – Sola Scriptura, – ku ju do të gjeni që vetëm Krishti, dhe Krishti i vetëm në kryq është zgjidhja e vetme që Perëndia i jep problemit – Solus Christus, – vetëm e vetëm për shkak të hirit të Tij sovran dhe jo për shkak të ndonjë gjëje të mirë në ne – Sola Gratia, – një Krisht që ne duhet ta marrim vetëm dhe vetëm përmes instrumentit të besimit – Sola Fide, – dhe e gjitha kjo vetëm për lavdinë e Perëndisë që ne të jetojmë vetëm për Atë – Soli Deo Gloria.

Javën e kaluar ne filluam studimin e solos së dytë, Solus Christus që përkthehet “Vetëm Krishti.”Javën e kaluar ne pamë që Bibla deklaron që Jezus Krishti është i vetmi ndërmjetës ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Ai është i vetmi ndërmjetës dhe si i tillë nuk ka nevojë për ndihmën e Marisë, papës, shenjtorëve, engjëjve apo priftërinjve apo pastorëve për të ndërmjetësuar paguar mëkatin tonë në kryq, për të na pajtuar me Atin. Javën e kaluar pamë se si arsyeja për këtë ekluzivitet të Krishtit si ndërmjetësues bazohet në atë që Krishti është. Krishti është i vetmi që është edhe njeri edhe Perëndi dhe si rrjedhim është i vetmi që mund të ndërmjetësojë ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Pali shkroi tek 2 Tim. 2:5 këtë: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” Arsyeja e dytë tepër e rëndësishme që Krishti është i vetmi Ndërmjetësues bazohet mbi pamëkatshmërinë e Krishtit. Krishti është i vetmi njeri i pamëkatë. Bibla e përmban shumë qartë faktin dhe doktrinën që të tëra qeniet njerëzore pas Adamit, përfshi këtu Marien, Apostujt, Papët dhe Mitropolitët janë të lindur me mëkatin e Adamit, në fajin dhe dënimin e mëkatit dhe madje përpara Perëndisë porsa i përket mëkatit – shpirtërisht të vdekur në të. Krishti është i vetmi i pamëkatë, dhe si rrjedhim, së bashku me të qënit Perëndia-Njeri ai është i vetmi që është në pozitë për të qenë si në prezencën e Perëndisë ashtu edhe të njeriut. Krishti, për shkak të natyrës së tij mund të jetë i vetmi Ndërmjetës, i vetmi Mediator i Hirit të Perëndisë për tek njerëzit. Por Krishti nuk është Mediator vetëm për shkak të natyrës së personit të tij, por edhe për shkak të veprës së Tij. Kur ne studiojmë Krishtin, ne gjithmonë studiojmë si personin e Tij ashtu edhe veprën e Tij. Sot unë do të fokusohem në faktin që vetëm Krishti është Ndërmjetësi ndërmjet Perëndisë dhe Njeriut për shak të ofiqeve dhe veprave që Perëndia At i dha Perëndisë Bir, Krishtit Jezus për të bërë në tokë dhe më pas në qiell. Kush janë këto ofiqe, cilat janë këto vepra që i janë dhënë Krishtit nga Perëndia për të qenë Mediator apo ndërmjetës i Perëndisë me njeriun?

I. Krishti është i vetmi Krye-Prift Shpagues në Sakrificë

Krye-Prifti ka dy qëllime në shërbesën e Tij, sa pari Krye-Prifti ofron një sakrificë për popullin e Perëndisë, dhe së dyti Krye-Prifti futët në prezencën e Perëndisë dhe lutët për popullin e Perëndisë. Vepra e parë e Krishtit si kryeprift është që të ofrojë një sakrificë shpaguese për të zgjedhurit e Perëndisë. Ajo çfarë e veçon Krishti nga priftërinjtë e tjerë apo edhe të tërë kryepriftërinjtë që kanë qënë përpara dhe pas tij është fakti që ai nuk ofroi diçka apo dikë tjetër si sakrificë për të shpaguar mëkatet tona, por afroi veten e tij. Krishti ishte si kryeprifti ofrues ashtu edhe qengji i sakrificës i ofruar për shpagim, për të larë me gjakun e tij mëkatet tona. Vini re deklaratën Biblike për këtë:

Së pasi le të lexojmë një varg nga Psalmi 110 i cili është një Mesianik. Një psalm Mesianik kategorizohet ai psalm i cili ose ka në përmbajtjen e saj doktrinën e jetës dhe të veprës së Mesias, ose përmban në të dialog ndërmjet Personit të dytë të Trinisë dhe ndonjë personi tjetër. Tek Psalm 110:4 thuhet: “Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: “Ti je prift përjetë sipas urdhrit të Melkisedekut”. Këtu ne kemi Perëndinë At që duke i folur personit të dytë, Perëndisë Bir i thotë atij se e ka caktuar të jetë prifti popullit të tij, dhe mbi të gjitha një prift sipas urdhrit të Melkizedekut. Me këtë kuptojmë që priftëria e Krishtit do të vinte nga përjetësia dhe do të vazhdonte përjetësisht, e pavarur nga shugurimi që vjen nga njerëzit, Mesia do ta merrte shugurimin e tij direkt nga Perëndia At. Këtë ne e gjejmë të përmbushur në Jezus Krishtin, të vetmin Ndërmjetës dhe të përmendur shumë herë në Dhiatën e Re.

Apostulli Pal thotë tek Letra e Heb 5:8-10 që thotë:

“Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, 9 dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden, 10 duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut.”

Vini re, Biri personi i dytë i Trinisë, is nënshtroi veten e tij përuljes dhe vuajtjes dhe u bë “vepronjësi i shpëtimit… duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut.” Dhe për këtë arsye na inkurajon Pali po tek Heb 3:1 “Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin,” dhe po kështu tek Heb 4:14 “Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.”

Siç thashë më parë, qëllimi i Kryepriftit njerëzor ishte të ofronte një sakrificë për mëkatet e popullit, por ka një ndryshim thelbësor ndërmjet Krishtit dhe kryepriftërinjte të tjerë që ishin në Dhiatën e vjetër dhe që e veçon Krishtin nga të tërë priftërinjtë e tjerë, që e bën Krishtin të vetmin kryeprift të vërtetë për ne. lexoni Heb 7:24-27:

“Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë. 23 Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithnjë, 24 kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme, 25 prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta. 26 Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej, 27 i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.”

Cilat janë disa gjëra që e bëjnë Krishtin të vetmin Krye-prift dhe të vetmin Ndërmjetës? Së pari ndryshe nga të tjetër, ai është i përjetshëm, nuk vdes kurrë. Së dyti, Ai ka një priftëri të patjetërsueshme, së treti dhe si rrjedhim vetëm Ai mund të shpëtojë plotësisht, dhe së katri, ai ndërmjetëson me lutje përjetësisht, gjra që një prift tjetër nuk mund ti bëjë. Dhe kështu thotë Pali ja “ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej.” E veçantë e këtij krye-prifti: të tjerët ofronin një herë sakrificë për mëkatet e veta dhe pastaj për ato të popullit, ndërsa Krishti – Ai nuk kishte nevojë të pastronte vetën, dhe si rrjellim, sakrifica që ai ofroi vlen për një herë e mirë – “i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.” Vëllezër, shumica e botës që nuk beson në Perëndinë dhe Krishtin nuk beson pasi figura e priftit apo e pastorit apo e imamit është e ndryrë, e përlyer në lloje lloje mëkatesh skandaloze që turpërojnë emrin e klerikut e të kishës. Por lajmi i mirë është ky, i vetmi ndërmjetës që ne kemi nevojë është Krishti, dhe i vetmi ndërmjetës që Perëndia na ka dhuruar nuk ka nevojë të falë mëkatet e tij në fillim pasi ai është i papërlyer, i pafaj, i shenjtë e i ndarë nga mëkati. Vërtetë ka shumë Priftërinj, por asnjëri prej tyre nuk i ka cilësitë morale të Krishtit, besojini Atij pasi identifikimi me të nuk do tju bëjë kurrë me turp. Krishti është i vetmi Prift ndërmjetësues i vërtetë pasi vetëm ai është plotësisht njeri e perëndi, pasi vetëm Ai është i përjetshëm, pasi vetëm ai është i një urdhri që nuk vjen nga njeriu por nga Perëndia, pasi ai është i vetmi kryeprit që jo vetëm që ka hyrë në prezencën e Perëndisë, por edhe vazhdon të jetë në prezencën e Perëndisë.

Por kjo nuk është e gjitha, Bibla thotë që Krishti pasi mbaroi ofrimin e sakrificës u ul. Në Tempullin e Dhiatës së Vjetër nuk kishte stola apo karrige ku Prifti të ulej. A e dini pse? Sepse puna e tij nuk quhej kurrë e mbaruar. Pali e përmend këtë gjë tek Heb 10:10-14:

10 Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë. 11 Dhe ndërsa çdo prift rri përditë në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet, 12 ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë, 13 duke pritur paskëtaj vetëm që armiqtë e tij t’i vihen si ndenjëse për këmbët e tij. 14 Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen.

Vepra e Priftit në Dhiatën e Vjetër nuk mund ta mbaronte kurrë. Vepra e Krishtit është e përfunduar. Është kjo arsyeja që kur Krishti varej në kryq, fjala e fundit që tha ishte: Ka përfunduar. Shpagimi është bërë, i plotë, deri në kërkesën e fundit. Kjo është arsyeja që Krishti, Ndërmjetësi ynë është i ulur në anën e djathtë të Ati. Ai dha një flijim të vetëm për të gjithë. “Me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen,” ata që besojnë, atë që i nënshtrohen Atij, Krishtit Jezus, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë.

Është për këtë arsye që një nga titujt e Krishtit është Shpëtimtar, në fakt edhe emri i Tij, Jezus përkthehet shpëtimtar. A nuk është e mrekullueshme të mendosh që kur Krishti rritej në shtat dhe në frymë, Maria, Jozefi, vëllezërit dhe miqtë e tij me të cilët luante, mësonte e jetonte e thërritnin tërë ditën, pa e kuptuar plotësisht atë që po bënin Jezus, Jezus – Shpëtimtar. Tek Luka 2:11 lexojmë “sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” TekActs 5:31 lexojmë Pjetrin dhe Apostujt e tjerë të deklarojnë përpara parlamentit të Judenjve këtë: “Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.” Pali thotë tek Ephesians 5:23 “…burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.”Apostulli Gjon, deklaron tek 1 John 4:14 këtë: “Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtar i botës.”

Po, vërtetë Krishti është i vetmi Krye-Prift Shpagues në Sakrificë, i vetmi Shpëtimtar si në emër ashtu edhe në titull e detyrë, i vetmi që është i pastër për të ndërmjetësuar, i vetmi që ofron një sakrificë një herë e përgjithmonë gjë që e bën të panevojshme meshën katolike apo ortodokse. Sipas doktrinës së këtyre dy kishave, prifti ofron si flijim në mënyrë të përsëritur, ditë pas dite, sa herë që bëhet shërbesa – Krishtin si një flijim për mëkatet tona. Dhe këtë gjë ata e bëjnë gjatë ceremonisë së Darkës së Zotit. A mos vallë fjalët e Palit nuk janë të vërteta që Krishti “me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen.” A mos valle nuk është e vërtetë bibla kur thotë “ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë?” A mos vallë nuk dinte çfarë thoshte Krishti kur deklaroi “Ka Përfunduar.” A mos vallë gënjen Perëndia At kur dëshmoi “Ja Biri im, me të cilin jam i kënaqur?” A mos vallë nuk dinte se ç’thoshte Gjon Pagëzori kur tha “Ja qengji i Perëndisë që heq mëkatet e tërë botës?” A mos vallë gënjeu Krishti kur i tha Atit “Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj?”

Por Krishti nuk është vetëm një Kryeprift që ofron një sakrificë të vetme një herë dhe përgjithmonë dhe që shpagon për të tëra mëkatet e popullit të Tij, por edhe një Krye-prift që vazhdon të lutet për ne. Në fakt Krishti është i vetmi Prift që ndërhyn në lutje për ne. Dhe kjo është pika ime e dytë për sot.

II. Krishti është i vetmi Prift Ndërhyrës në Lutje

Apostulli Pal thotë tek Rom 8:34 “Kush është ai që do t’i dënojë [bijtë e Perëndisë]? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.” Kryeprifti në Dhiatën e Vjetër, pasi ofronte një flijim, futej në shenjtore dhe duke mbajtur një pllakë me emrat e të 12 tribuve të Izraelit lutej për popullin e Izraelit tribu pas tribune. Po të njëjtën gjë bën Kryeprifti i Përjetshëm Jezus Krisht. Pasi ka ofruar një sakrificë të vetme një herë dhe përgjithmonë, tani – i ulur në anë të djathtë të Perëndisë At, ndërhyn për ne në lutje, për gjithsecilin prej jush, në emer, pasi emri i gjithsecilit prej jush është i shkruar në zemrën e tij. Vini re rëndësinë e shërbesës lutëse të Krishtit për ju. Heb 7:25 thotë: “prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.” Shikoni, ju jeni të shpëtuar jo vetëm sepse Krishti vdiq në kryq për ju, por sepse Krishti vdiq në kryq për ju dhe vazhdon të lutet për ju. Është Krishti që ju ruan juve deri në fund, është Krishti që jua hap zemrat për të marrë fjalën e Tij, është Krishti që ju hap sytë për ta parë atë në Bibël, është Krishti që derdh mbi ju Frymën e Shenjtë. Tek Titi 3:5-6 Pali thotë

“Ati na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, 6 të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tone.”

Fryma na jipet me anë të Krishtit thotë Pali. Solus Christus. Vini re po në këtë pasazh Sola Graita – vetëm nga Hiri. Lexojmë: “Ati na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij.” Kështu pra, është Krishti si Profet që lutet e ndërmjetëson për ju dhe që si pasojë ju mban juve që të mos rrëzoheni. Tek Heb 12:2 ne lexojmë që Krishti është “kreu dhe plotësonjësi i besimit” tonë. Tek Filipianëve 1:6 Pali thotë [jam] “i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.” Krishti tha tek Gjoni 10:28 “dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime… Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.” Kjo vëllezër dhe motra është arsyeja përse Krishti është në anën të djathtë të Atit duke ndërmjetësuar për ju. Që ju kurrë të mos humbisni nëse i besoni Atij.

III. Krishti është i vetmi Kokë në Kishën e Tij

Së treti vini re, që Krishti është jo vetëm Krye-prift i popullit të tij, por edhe Koka e vetme e Trupit të tij që është Kisha. Kisha Anglikane deklaron që Kreu i Kishës është Mbreti…kur kanë mbret, ose Mbretëresha e Anglisë kur nuk kanë mjaftueshëm burra për mbret. Kisha Katolike beson që kreu i kishës është Papa. Kisha Ortodokse beson që edhe pse koka e padukshme e Kishës është vetë Krishti, Koka e vërtetë e kishës është Patriarku. Por çfarë thotë Fjala e Perëndisë për këtë? Mbani mend se nëse ne i drejtohemi vetem Fjalës – Sola Scriptura – për pyetjet tona aty ne do të gjejmë vetëm Krishtin – Solus Christus si përgjigja biblike. Tek Efes 1:22 ne lexojmë që Ati në Krishtin Jezus “…vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës.” Krishti është kreu i kishës.” Tek Efes 5:23 Pali vazhdon të thotë “burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.” Tek Kol 1:18 përsëri deklaron [Krishti] “vetë është kreu i trupit, pra i kishës; ai është fillimi, i parëlinduri nga të vdekurit, përderisa të ketë parësinë në çdo gjë.” Përmbi sa aspekte është Krishti kreu i kishës, apo në sa çyshtje të jetës, organizimit, funksionimit të Kishës dhe jetës së Krishterë është Krishti Koka e Kishës dhe e të Krishterit? Në pak, në disa, në shumicën? Pali thotë: Ati “vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës,” përmbi çdo gjë. Krishti është e vetmja kokë, i vetmi ligjvënës në Kishën e Tij.

Sot ka një erozion të çmendur të doktrinës së Solus Christus në Kishën e Tij. Kur ne shpallin që Krishti është koka e Kishës, ne shpallim po ashtu që Krishti është mbreti i saj dhe në fakt i të tërë botës. Pjetri e quan Krishtin tek Vep. 3:15 “Princ të Jetës.” Tek Vep. 5:31 Pjetri thotë përsëri “Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.” Pali e quan Krishtin “Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve, 16 ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë.” Por Kisha e këtij mbreti, e dëshiron Krishtin të jetë Prifti i yte pasi kanë leverdi, duan dikë që ti lajë mëkatet, por nuk e donë Krishtrin për Mbret dhe kokë të Kishës, ku në mënyrë zyrtare si në Kishat Katolike dhe Ortodokse, dhe ku në mënyrë jo-zyrtare si në Kishat Protestante dhe ungjillore. Njerëzit duan të jenë të falur pasi nuk i pëlqen që të shkojnë në ferr në të ardhmen, dhe as që të jetojnë në këtë tokë në të tashmen me një ndërgjegje që i torturon. Njerëzit duan të jenë të çliruar nga pasojat e mëkatit dhe për këtë ata që janë pak më të ndriçuar në mendje e duan Krishtin, por shumica prej nesh nuk e dëshiron, në subkoshiencën tone nuk e duron dot Krishtin të jetë Koka, mbreti, Sovrani i tyre. Njeriu nuk mund të pranojë të mos jetë në timon të ngjarjeve, të etikës, të metodave, të mesazhit, të moralit, të sistemit. Njeriu e dëshiron Krishtin vetëm si prift që ta pastrojë, por jo si Profet që ta drejtojë dhe jo si Mbret që ta sundoje, njeriut nuk i pëlqen bindja, nuk i pëlqen nënshtrimi. E pra kjo është e pamundur. 1 Tim 2:5 thotë “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus.” Perëndia ka dhënë një ndërmjetës që mbart të tëra ofiqet e nevojshme për shpëtimin tonë. Krishti është Profet, Prift dhe Mbret dhe në të treja këto së bashku ai është ndërmjetësi ynë me Perëndinë. Nuk mund të pranojmë shpëtimin nga mëkatet tona për të jetuar pastaj si djaj. Krishti nuk vdiq për këtë. Tek Gjoni 17:19 Krishti i tha Atit në lutjen e Tij Priftërore për ne: “Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë.” Krishti vdiq që ju të jetoni jo sipas qejfit tuaj, por sipas urdhëresave të Krishtit. Krishti vazhdoi dhe u lut kështu: “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.” Sola Scriptura është standardi ynë i shenjtërisë. Jetoni në përputhje me Fjalën vëllezër dhe motra, dhe ju do të jetoni për Krishtin dhe për lavdinë e Perëndisë. Pali tek Rom 12:1 ju lëshon këtë thirrje: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.” Po e mbyll me fjalët e Apostullit Gjon: “…dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.” Amen.

05. Solus Christus (I): Supremacia e Krishtit mbi Gjithçka

Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri. (1 Tim 2:5:)

Pyetja më e rëndësishme që një qenie njerëzore mund të bëjë ndonjëherë është kjo: “çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” Kjo është një pyetje që rëndon në koshiencën e njerëzimit që prej krijimit të saj dhe rënies në mëkat përmes Adamit. Në Dhiatën e Vjetër ne lexojmë tek Jobi 9:2 pyetjen: “si mund të qëndrojë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?” Po këtë pyetje bën në Dhiatën e re gardiani nga Filipi tek Veprat 16: “çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” i tërë njerëzimi e di që jemi të krijuar nga një Perëndi i Shenjtë. i tërë njerëzimi gjithashtu e di që nuk mund të qëndrojë përpara këtij Perëndie të shenjtë për shkak të mëkatit, rebelimit, dhe fajit që sjellin ato. Perëndia na deklaron përmes penës së Palit tek Rom 1:18-21 këtë gjë:

18 … zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, 19 meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. 20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. 21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.

Në fakt, i tërë njerëzimi e di që duhet ti gjejë një zgjidhje këtij problemi. Njerëzimi ka menduar dy zgjidhje të mundshme. Opsioni i parë është metoda e strucit – të futësh kokën në rërë dhe ti thuash vetes që Perëndia nuk ekziston. Kjo është zgjidhja që ateizmi i jep çështjes. Pasazhi që sapo lexova flet për njerëzit “që mbysin të vërtetën në padrejtësi.” Njerëzimi tenton të mohojë ekzistencën e problemit, dhe e bën këtë gje duke u munduar të fshijë nga faqja e dheut çdo gjë që ka për qëllim ti kujtojë njerëzimit mëkatin e tij dhe dënimin që po i vjen.

Opsioni i dytë është i kundërt me të parin. Opsioni i dytë është mobilizimi – mobilizimi i të tërë forcës mendore, shpirtërore dhe fizike të njeriut për të shlyer me punë mëkatin, fajin që vjen nga mëkati dhe dënimin që vjen për shkak të fajit. Kjo metodë e dytë bazohet në “logjikën” njerëzore, ka në qendër njeriun si shpëtimtar të njeriut, realizohet përmes meritave dhe vlerave që njeriu mundohet të ndërtojë apo gjenerojë, merita dhe vlera me të cilat njeriu pretendon se po të paraqitet me to përpara Perëndisë, Perëndia do të zbutet, pajtohet me njeriun, dhe si rrjedhim do ta falë atë. Për sa i përket këtij opsioni të dytë Perëndia thotë tek Isaia 64:6: “jeni të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tuaja të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur. Fraza e fundit – një robe e ndotur – nuk është përkthyer mirë në shqip. Në hebraishten e vjetër manuskripti thotë që veprat tona, drejtësia jonë është për Perëndisë një leckë periode femërore. Me sa duket përkthyesi ka pasur turp ta përkthejë vargun fjalë për fjalë. Të gjitha religjionet e kësaj bote aplikojnë këtë opsion të dytë, dhe është për shkak të çfarë Perëndia na deklaron tek vargu i mësipërm që të tëra religjionet e tjera që gjenden në këtë botë janë të pa-pranueshme për Perëndinë.

Por përgjigja që vetë Perëndia i jep problemit tonë, dhe që është thelbi i Krishtërimit, dhe që pati humbur gjatë periudhës së errësirës mesjetare, dhe që u rizbulua nga Reformacioni Evropian është ky:

Shkoni vetëm tek Fjala – Sola Scriptura, – ku ju do të gjeni që vetëm Krishti, dhe Krishti i vetëm në kryq është zgjidhja e vetme që Perëndia i jep problemit – Solus Christus, – vetëm e vetëm për shkak të hirit të Tij sovran dhe jo për shkak të ndonjë gjëje të mirë në ne – Sola Gratia, – një Krisht që ne duhet ta marrim vetëm dhe vetëm përmes instrumentit të besimit – Sola Fide, – dhe e gjitha kjo vetëm për lavdinë e Perëndisë që ne të jetojmë vetëm për Atë – Soli Deo Gloria.

Duke filluar me sot, unë do të fokusohem në Solën e dytë të Reformacionit – Solus Christus: Vetëm Krishti. Kur ne besojmë dhe deklarojmë Solus Christus ne në fakt besojmë dhe deklarojmë se…

“…shpëtimi ynë arrihet vetëm me anë të veprës ndërmjetësuese të Krishtit historik. Vetëm jeta e tij e pamëkatë dhe shlyerja e tij zëvendësuese mjaftojnë për shfajësimin dhe pajtimin tonë me Atin.” (Deklarata e Kembrixhit)

Sot unë do të fokusohem në faktin që vetëm Krishti është Ndërmjetësi ndërmjet Perëndisë dhe Njeriut. Së pari unë do të fokusohem me arsyem përse është e mundur që Krishti mund të jetë ndërmjetësi ynë me Perëndinë. Vini re së pari që Krishti është i vetmi që na e afron Perëndinë pranë.

I. Vetëm Krishti na e afron Perëndinë pranë nesh

Apostullu Pal thotë tek 1 Tim 2:5: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” Vetëm një ndërmjetës ka Thotë Pali, personi që quhet Jezus por që quhet edhe Krisht, personi që është njeri por që është gjithashtu në të njëjtën kohë edhe Perëndi. çfarë ne shpallim kur deklarojmë – Unë besoj në Jezus Krishtin – është kjo: Unë besoj se Ndërmjetësi dhe Shpëtimtari ynë është një person me dy natyra, Ai është plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi, Ai është Perëndia-Njeri. Fjala Krisht (Kristos në greqisht) përkthen fjalën Mesia (në Hebraisht). Dhiata e Vjetër e përshkruan qartë që Mesia që duhej të vinte do të ishte një person hyjnor. Perëndia do të zbriste në tokë. Dhiata e Vjetër gjithashtu në mënyrë të qartë përcaktonte se po ky ndërmjetës, po ky Mesi apo Krisht do të ishte gjithashtu njeri. Perëndia do të mishërizohej, do ti vishte vetes si një rrobe një trup dhe një natyrë njerëzore dhe do të jetonte në mes të popullit të Tij, do ti shërbente popullit të Tij, do të vdiste për popullin e tij. Tek Isa 7:14 u profetizua: “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” – Perëndia mes nesh. Isaia 9:6 profetizonte “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.” Një fëmijë i lindur do të ishte gjithashtu edhe Perëndia i fuqishëm, Perëndi i Përjetshëm. Tek Zakaria 2:10-11 vetë Krishti deklaron;

Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje”, thotë Zoti. 11 “Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.

Vini re që nje person i Trinisë deklaron që do të vijë të banojë në mes të njerëzimit dhe njerëzimi do të pranojë që Ai është dërguar nga personi tjeter i trinisë – ja, unë do të vij, të banoj midis teje”, thotë Zoti…atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.” Tek Mikea 5:2 ne lexojmë fjalët e Personit të p
arë të trinisë, Atit të Përjetshëm që thotë për qytetin e Betlehemit:

“Por ti, o Betlem … megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë”.

Perëndia Ati dëshmon për përjetësinë e Perëndisë Bir në këtë varg – origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.” Tek Malakia 3;1 Perëndia deklaron që Zoti do të vijë në tempullin e tij midis njerëzve:

“Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me endje, ja, do të vijë”, thotë Zoti i ushtrive.

Lajmëtari që përgatit rrugën për zotin siç e dimë nga ungjijtë ishte Gjon Pagëzori, dhe Engjëlli i Besëlidhjes që përmend këtu Ati, personi i Parë i Trinisë është Zoti Jehova, personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë. Titulli Engjëlli i Besëlidhjes është i barabartë në Bibël me titullin Ndërmjetës, apo Mediator. Vetë Zoti thotë Ati Perëndi do të jetë Ndërmjetësi i Besëlidhjes së Hirit, Ndërmjetësi apo Mediatori ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Krishti që duhej të vinte do të ishte vetë Zoti Perëndi, Personi i Dytë i Hyjnisë së Shenjtë, i mishërizuar, që duhej të ecte, qëndronte e vepronte në gjirin e njerëzimit, dhe duke e bërë këtë gjë Ai, Zoti Krisht do të afronte Perëndinë pranë nesh. Dhe vërtet kështu ndodhi: Krishti na e afroi Perëndinë pranë nesh, Emanuel – Perëndia mesh nesh.

Dhiata e re na konfirmon që Jezusi i Nazaretit ishte Mesia që duhej të vinte. Është e pamundur që e tërë evidenca Biblike të renditet në një predikim të vetëm. Ky është qëllimi në fakt i ungjijve, të Provojnë që Jezusi i Nazaretit është Krishti, Mesia, Perëndia i mishërizuar që duhej të vinte. Apostulli Gjon shkruan tek ungjilli (20:31) i tij arsyen e shkrimit të ungjillit:

Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.

Ju duhet të besoni që Jezusi i Nazaretit është Krishti, Personi i Dytë i Hyjnisë, i Trinisë së Shenjtë, i cili u mishërizua që të vuante dhe të vdiste në kryq për ne dhe në vendin tonë, dhe duke besuar ju do të shpëtoheni, ju do të llogariteni nga Ati Perëndi si të larë përpara Tij, të pastër dhe të pranuar, në një paqe të përjetshme me Perëndinë.

Nëse besojmë dëshminë e Perëndisë se Krishti është Perëndia i mishërizuar, Perëndia-Njeri, dhe nëse besojmë se Krishti është Engjëlli i Besëlidhjes, Ndërmjetësi apo Mediatori i Besëlidhjes së Perëndisë me Njeriun, atëherë duhet të pranojmë dhe besojmë që Krishti është i vetmi që mund të na ndërmjetësojë me Perëndinë. Nëse Krishti është i vetmi që është edhe njeri edhe Perëndi, atëherë ne duhet të pranojmë dhe besojmë se vetëm Krishti është Ndërmjetësi (që është dhe pika ime e dytë për sot), vetëm Krishti – Solus Christus. Kjo është logjika dhe mesazhi Biblik.

II. Vetëm Krishti na Ndërmjetëson me Perëndinë

Vetëm Krishti është dhe mund të jetë Mediatori apo Ndërmjetësi ynë me Perëndinë. Kjo është çfarë Apostulli Pal shpall kaq forcërisht tek pasazhi që kemi për sot: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” Kisha Ortodokse, Kisha Katolike besojnë që Maria është gjithashtu ndërmjetësja jonë me Perëndinë, Apostujt dhe shenjtorët janë gjithashtu ndërmjetësit tanë me Perëndinë. çfarë thotë për shembull katekizma e Kishës Katolike e shkruajtur nga kardinali i cili sot është edhe papa i Kishës: Kapitulli mbi Marinë thotë që Maria dhe Krishti vazhduan që të ruanin një lidhje shpëtuese me njëri-tjetrin, dhe si të tillë ishin bashkë-shpëtimtarë të njerëzimit. Katekizmi gjithashtu thotë që kur Krishti varej në Kryq dhe vuante dënimin e mëkatit tonë nën dhunën direkte të zemërimit të Perëndisë, Maria tek këmbët e kryqit vuante gjithashtu me Krishtin, por jo thjesht siç vuan një nënë që shikon birin e saj të sakatuar në kryq por vuante në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtin qëllim si edhe Krishti – që është shpagimi për mëkatet e botës. Ish kardinali dhe e gjithë Kisha Katolike e Ortodokse e quan Marine Perëndi-Lindëse, e quan Marinë bashke-shpenguese me Krishtin, dhe deklaron që Maria së bashku me Krishtin është ajo që prodhon apo konverton njerëzit në Krisht. Katekizmi dhe ish-kardinali deklaron në emër të asaj Kishe që edhe pse bibla deklaron që Krishti është i vetmi njeri i pamëkatë dhe çdokush tjetër që ka ardhur nga një baba dhe nënë njerëzore është i konceptuar, lindur dhe rritur të vdekur në mëkat, Krishti nuk ishte i vetëm në pamëkatshmërinë e Tij – Maria ishte gjithashtu pa mëkat, e lindur dhe e rritur e tillë. Kur lexon faqe pas faqeje të dokumenteve teologjike të Kishës Katolike dhe Ortodokse vihet re që shumica e cilësive dhe atributeve që i përkasin Krishtit dhe vetëm Krishtit i renditen edhe Marisë. Për ta Maria është ndërmjetësuese në të njëjtin hap me Krishtin. Doktrina Solus Christus – Vetëm Krishti nuk ekziston në besimin e Kishësh Katolike dhe Ortodokse.

Si filloi e gjitha kjo? Në vitin 431 të erës sonë, Kisha i dha zyrtarisht Marisë titullin Hyjëlindëse apo Nëna e Perëndisë. Kisha i dha asaj zyrtarisht edhe statusin që si edhe Krishti ajo ishte absolutish e pa-prekur nga mëkati njerëzor. Pastaj tha që Maria është pjesëmarrëse në shpëtimin tonë me Krishtin, dhe që ne nuk duhet ti lutemi vetëm Krishtit por edhe Marisë, pasi prej saj ashtu si edhe prej Krishtit buron shpëtimi. Si rrjedhim Maria duhet adhuruar gjithashtu dhe jo vetëm Krishti. Nga viti 1993 – 1997 Kisha Katolike mori 4.3 milion firma në një peticion drejtuar Kishësh katolike dhe papës, një Peticion i drejtuar nga 500 Bishopë dhe 42 Kardinalë, që i kërkonin Papës së atëhershme që ti deklaronte Marisë titullin dhe statusin e Bashkë-Shpëtimtares dhe bashkë-Mediatores të tërë Hirit të Perëndisë, dhe Avokatja e popullit të Perëndisë. Maria është Avokatja ndërmjet Perëndisë dhe Njeriut, dhe asaj i janë dhënë çelësat e Mbretërisë së Perëndisë. Papa Leo XIII pat deklaruar që asgje nuk na jepet nga Perëndia veç përmes ndërmjetësimit të Marisë.

Maria, nëna e Jezusit të Nazaretit është shpallur të ndajë me Krishtin të tëra atributet dhe veprat shpëtuese të Krishtit, dhe madje i ka hequr Krishtit detyrën e Avokatit tonë përpara Atit. Kuptohet që jo Maria, një shenjtore dhe bashkë besimtarë në Zotin tonë Krishtin Jezus, por Kisha. Kjo është abuzimi më i madh që reformacioni adresoi kur shpalli Solus Christus – Vetëm Përmes Krishtit. Vetëm Krishti është Perëndia-Njeri, dhe si rrjedhim vetëm Krishti është Ndërmjetësuesi ynë me Atin.

Bibla deklaron në shumë vende këtë gjë: 1 Tim 2:5 thotë: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” Jezusi i tha: tek Gjoni 14:6 “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Krishti thotë tek Mateu 11:27 “Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë.” Apostulli Pal thotë për Krishtin tek Efes 4:6: [ka] “një Perëndi i vetëm dh
e Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë.”

As edhe një rast i vetëm nuk mund të gjendet në Bibël ndonjë varg apo pasazh që mund të jetë i dyshimtë apo ngatërrues për ne. Bibla në çdo rast kur flet për Krishtin është kategorikisht ekskluzive, Solus Christus – Vetëm Krishti është Mediatori apo Ndërmjetësi ynë me Perëndinë. Për shembull Bibla deklaron që Krishti është Avokati ynë i vetëm me Perëndinë. Tek 1 Gjonit 2:1-2 Apostulli deklaron në rast se ne biem në mëkat:

Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. 2 Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.

Lexoni Librin e Hebrenjve sot kur të shkoni në shtëpi. Qëllimi dhe organizimi i Librit të Hebrenjve është ky: Krishti është më i lartë se profetët e Dhiatës së Vjetër, me i lartë se engjëjt, më i lartë se priftërinjtë e Dhiatës se vjetër, ndërmjetësi më i lartë ndërmjet Atit dhe Njeriut, i vetmi avokat dhe si rrjedhim atij dhe vetëm Atij i takon i tërë nderimi dhe adhurimi. Lexoni po sot Letrën e Palit drejtuar Kolosianëve. Aty qëllimi i Palit është që të shpallë supremacinë e Krishtit mbi gjithçka, në krijim dhe mbi krijesën si Krijuesi i saj, mbi Kishën e Tij si çliruesi i saj, dhe madje mbi të tërë botën si zotëruesi i saj. Krishti dhe vetëm Krishti mund të jetë i tillë thotë Pali dhe si rrjedhim i takon i tërë adhurimi dhe nënshtrimi ynë. Në asnjë rast, Maria dhe shenjtorët as që nuk përmenden fare. Apostulli Pal thotë tek Rom 8:33-34:

“Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson. 34 Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.”

Krishti dhe vetëm Krishti thotë Pali është ai që vdiq dhe ai që ndërmjetëson. Krishti dhe vetëm Krishti është Shpëtimtari dhe Avokati-Ndërmjetës për të gjithë ne përpara Atit. Tek Veprat e Apostujve, Apostujt Pjetri dhe Gjoni thanë këto fjalë kur ju kërkua që të heshtnin dhe të mos e përmendnin më Krishtin:

“…në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi”.

Apostujt deklaruan Solus Christus – Vetëm në Krishtin mund të këtë Shpëtim, vetëm Krishti është ndërmjetësi dhe askush tjetër, vetëm Krishti është avokati ynë me atin dhe askush tjetër, vetëm Krishti vuajti dhe vdiq në Kryq dhe askush tjetër – ”…në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi”

Vëllezër dhe Motra në Krisht, kjo është çfarë Kishti dhe Apostujt na deklarojnë, kjo është çfarë Perëndia na deklaron, kjo është çfarë na kërkohet që të besojmë, kjo është çfarë na kërkohet se si të jetomë. Besoji Krishtit dhe vetëm Krishtit, vetëm ai është Perëndia-Njeri. Besojini Krishtit dhe vetëm Krishtit pasi vetëm ai ishte i pamëkatë për ne. Besojini Krishtit dhe vetëm Krishtit pasi vetëm Ai vdiq në kryq për ju, për mëkatet tuaja, vetëm gjaku i tij ju pastron, vetëm sakrifica e tij e paqton Perëndinë ndaj jush. Kur mëkatoni tani që keni besuar, mbani mend që Krishti dhe vetëm Krishti ndërhyn për ju tek Ati. Krishti dhe vetëm Krishti është i ulur në anë të djathtë të Perëndisë në Qiell që ju përmend me emër, njëri pas tjetrit si si populli tij. Është Krishti dhe vetëm Krishti ai që ju hani dhe pini dhe përkujtoni gjatë darkës së Zotit, është Krishti dhe vetëm Kristi ai që ju prisni që të kthehet në lavdi si një mbret fitimtar. Është Krishti dhe vetëm Krishti që ju duhet ti nënshtroheni, ta adhuroni, ti shërbeni, ta duani. Amen.

04. Sola Scriptura(III)-Vetëm Shkrimi

16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë. 2 Tim 3:16-17

Kush jemi, nga vijmë dhe u shkojmë janë pyetjet të cilat që të gjitha e gjejnë përgjigjen në ato që quhen 5 Solat e Reformacionit. Siç e keni edhe të shkruar në faqen e parë të buletinit, 5 Solat e reformacionit janë: Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi; Solus Christus – Vetëm Krishti; Sola Gratia – Vetëm nga Hiri; Sola Fide – vetëm përmes besimit; dhe Soli Deo Gloria – e gjithë lavdia vetëm Perëndisë. Këto 5 Sola përmbledhin programin, doktrinën dhe praktikën e Kishës si institucion dhe të të Krishterit si besimtar. Çdo gjë që ne besojë dhe bëjmë si të krishterë në këtë jetë rrjedh dhe bazohet mbi këto 5 Sola.

Sot, ne do të vazhdojmë të studiojmë solën e parë: Sola Scriptura që do të thotë Vetëm Shkrimi. Ne Besojmë që vetëm Shkrimi është zbulesa e shkruar e Perëndisë për njeriun. Vetëm Shkrimi është i dhënë me frymëzimin nga Perëndia. Vetëm Shkrimi ka autoritet mbi çështjet e besimit dhe të jetës së Krishterë. Vetëm Shkrimi është i pagabimtë dhe i pagabueshëm. Vetëm Shkrimi është rregulli i pagabueshëm i interpretimit të Shkrimit. Vetëm Shkrimi është gjyqtari suprem mbi të gjitha polemikat e fesë, opinionet e njerëzve. Vetëm Shkrimi është plotësisht i mjaftueshëm për shpëtim, shenjtëri dhe jetë të Krishterë. Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi.

Javën e kaluar ne u përqendruam në faktin që Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Me frymëzim ne kuptojmë që Perëndia, përmes Frymës së Shenjtë ka nxjerrë nga vetvetja – ashtu siç njeriu nxjerr frymën e tij nga gjoksi – këtë libër që ne studiojmë sot. Javën e kaluar ne zbuluam në Bibël fakte që dëshmojnë që jo vetëm Bibla është e frymëzuar në tërësinë e saj, por që është e frymëzuar deri në detajet e saj. çdo fjalë e zgjedhur dhe e përdorur është e tillë më vendin e Perëndisë. çdo marrëdhënie fjalësh në një frazë është e frymëzuar nga Perëndia, çdo detaj, çdo fakt historik, gjeografik apo teologjik është i dhënë nga Perëndia. E gjithë bibla, nga presja më e vogël derri tek doktrina më e lartë na është dhënë nga vetë Perëndia përmes frymëzimit të tij, influencës së Tij hyjnore. Kjo vjen me implikime të rëndësishme për Biblën dhe për mënyrën se si ne duhet ta shikojmë atë. Sot unë do të rreshtoj vetëm tre: Së pari, vini re pagabimshmërinë dhe pagabueshmërinë e Biblës.

I. Pagabimshmëria dhe Pagabueshmëria e Shkrimit të Shenjtë

Nëse i tërë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia, atëherë Shkrimi i Shenjtë vjen pa gabime dhe pa mundësinë për të gabuar. Është e pagabimshme dhe e pagabueshme. Cila është baza e këtij realiteti? Vetë personi i Perëndisë. Perëndia nuk mund të gabojë as në fakte dhe as në qëllimin që ai dëshiron të arrijë në këtë botë. Nëse do të pranonim që Bibla është me gabime dhe e gabueshme atëherë ne do të deklaronim që Perëndia flet me gabime dhe se nuk është në gjendje që të arrijë qëllimet e tija në këtë botë. Por çfarë deklaron Perëndia për veten e Tij përmes fjalëve të Tij?

Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë? (Num. 23:19).

Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë. (Bes. Rip. 32:4)

Në këto dy vargjet e mësipërme Perëndia na deklaron jo vetëm që Ai nuk e njeh padrejtësinë si opsion për veten e Tij; jo vetëm që Ai nuk është i kushtëzuar siç janë krijesat e tij për të gënjyer, mashtruar apo fshehur të vërtetën, por mbi të gjitha, na deklaron që është e pamundur për Perëndinë të mos përçojë informacion të vërtetë. Perëndia është Sovran e i plotfuqishëm mbi çdo gjë, ai mund të bëjë çdo gjë me përjashtim të rënies ndesh me vetveten. Perëndia është i pa-aftë për të kontradiktuar vetveten. “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë.” Kjo është për sa i përket përmbajtjes së informacionit. Së dyti vargjet e mësipërme deklarojnë që Perëndia gjithmonë e arrin qëllimin që i ka vënë vetes. Vargu thotë: “Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?” Perëndia nuk dështon në përmbushjen e qëllimit të tij në çdo gjë që Ai bën. Mbi këtë bazohet edhe frymëzimi i Biblës, si edhe implikimi i parë për sot, pagabimshmëria dhe pagabueshmëria e Biblës. Sepse Perëndia ynë është i përsosur në çdo gjë që bën, Bibla që ai na dha është e përsosur në çdo gjë që përmban ajo. Sepse Perëndia nuk gënjen edhe Bibla është pa gabime në gjithçka që ajo përmban. Çdo fakt në Bibël, çdo datë, çdo emër vendi apo personi, çdo ngjarje historike, çdo shifër, çdo koncept është i dhënë nga Perëndia, dhe si rrjedhim është absolutisht pa gabime. Këtu futet madje edhe informacioni për origjinën e gjithësisë. Perëndia krijoi çdo gjë përmes fuqisë së Fjalës së Tij, nga asgjëja në asgjë dhe këtë brenda segmentit kohor të 6 ditëve. Pagabimshmëria dhe pagabueshmëria e biblës është rrjedhojë logjike e pagabimshmërisë dhe pagabueshmërisë së Perëndisë. Por nuk është vetëm rrjedhojë logjike, por deklaratë Biblike, deklarim që e bën Perëndia për vetveten. Dhe është për këtë arsye, që Profeti Isaiah duke shpallur pagabimshmërinë dhe pagabueshmërinë e Perëndisë përfundon në thirrje doksologjike lavdërimi:

O Zot, ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj dhe do të kremtoj emrin tënd, sepse ke bërë gjëra të mrekullueshme, projekte të konceptuara shumë kohë më parë, dhe të realizuara me besnikëri dhe vërtetësi. (Isaia 25:1)

Dhe po po kështu bëjnë edhe Apostujt, me në krye Palin kur thonë tek 1 Sel. 2:13:

Prandaj edhe ne e falënderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni.

Vëllezër dhe motra në Krishtin Jezus, kjo Bibël që ju sot mbani në duar është vetë Fjala e Perëndisë për ju, është letra e dashurisë së Tij për ju. Për këtë duhet të jeni mirënjohës, për këtë duhet ta përlëvdoni, ta adhuroni, ti thurni lavde pasi Perëndia i ka kapërcyer kohët e injorancës dhe nuk ju ka lënë në errësirë, por ju ka dhënë të vërtetën, ju ka dhënë të shkruar planin e shpëtimit tuaj përmes besimit në Jëzus Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur për ju.

Por le të përcaktojmë qartë se çfarë duhet të kuptojmë me pagabimshmërinë dhe pagabueshmërinë e Biblës. Në një farë mënyrë ato janë e njëjta gjë, por ato janë gjithashtu edhe dy gjëra të ndryshme. Me Pagabimshmëri ne kuptojmë që bibla nuk përmban gabime faktike, nuk përmban mashtrime apo gënjeshtra. çdo fakt në të është i vërtetë pasi është i dhënë nga Perëndia i shenjtërisë dhe i së vërtetës Nuk përmban mashtrime, pasi “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë.” Bibla nuk përmban as gënjeshtra të paqëllimte dhe që mund ti kenë shpëtuar Perëndisë sepse Ai “sepse ka bërë gjëra
të mrekullueshme, projekte të konceptuara shumë kohë më parë, dhe të realizuara me besnikëri dhe vërtetësi” siç thotë Isaiah. Perëndia nuk ka lejuar sepse nuk mund të lejonte gabime me apo pa dashje, mashtrime të qëllimshme apo të pa qëllimshme, gabime faktuale apo doktrinore pasi ai është një Sovran i Shenjtë.

Me pagabueshmëri ne kuptojmë paaftësinë e Shkrimit për të gabuar në të gjitha çështjet e besimit dhe të jetës praktike. Perëndia është i pagabueshëm në të tëra ato që ai ka për qëllim që të realizojë. Isaia thotë se Perëndia “… bërë gjëra të mrekullueshme, projekte të konceptuara shumë kohë më parë, dhe të realizuara me besnikëri dhe vërtetësi.” Bibla është gjithashtu një projekt i konceptuar dhe realizuar me besnikëri dhe vërtetësi. Në prodhimin e biblës Perëndia veproi me pagabueshmëri. Në të njëjtën mënyrë dhe për këtë arsye edhe projekti i Tij, Bibla, vepron me pagabueshmëri. Prov 30:3 thotë:

Çdo fjalë e Perëndisë është provuar e vërtetë. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai.

Me pagabueshmëri ne kuptojmë paaftësinë e Biblës për të mashtruar, dhe si rrjedhim bibla është një burim i pagabueshëm dhe autoritar për gjithçka që ka të bëjë me çështjet e jetës dhe të besimit. Bibla është një burim dhe një standard i sigurt dhe i besueshëm për gjithçka. Nëse ju kërkoni për metodën e shpëtimit, dhe zgjidhja për mëkatin që ju gjeni në Bibël është besimi në Krishtin që pagoi mëkatin tonë në vendin tonë, atëherë kjo është jo vetëm e vërtetë për sa i përket fakteve, që Krishti vërtet vdiq në kryq për ne, por gjithashtu, që edhe mëkatet tona janë larë me të vërtetë, që fajet me të vërtetë na janë falur, që ne me të vërtetë kemi sot paqe me Perëndinë, që ne sot me të vërtetë jemi bij dhe bijat e Tij, që ne sot me të vërtetë kemi brenda nesh frymën e Shenjtë si një parapagim nga Perëndia për prezencën e tij që do ta kemi të plotë në qiell ditën kur do të largohemi nga ky realitet tokësor. Bibla flet pagabueshëm për këto gjëra. Bibla është një burim i sigurt e i besueshëm i mënyrës se si mund të shpëtohemi, se mund të jetojmë, dhe se si mund të vdesim. Dhe si e tillë, bibla na flet së dyti edhe me autoritet.

II. Autoriteti i Shkrimit të Shenjtë

Implikimi i dytë i faktit që shkrimi është i dhënë nga Perëndia përmes procesit të frymëzimit është që Shkrimi është autoritar mbi të tëra çështjet e besimit dhe të jetës. Perëndia ka krijuar gjithçka për veten e tij. Perëndia është suprem dhe sovran mbi të tërë krijesën e Tij, dhe vullneti i Tij, tashmë i zbuluar dhe i shkruar në Bibël për ne është gjithashtu autoritar mbi me dhe mbi të gjitha krijesat e tij. Shkrimi e merr autoritetin e saj prej autoritetit të Perëndisë, prej faktit që është fjala e pagabueshme dhe e pagabimtë e Perëndisë. Është për këtë arsye që Rrëfimi i Besimit të Westminsterit, dokumenti ynë zyrtar që pasqyron dhe artikulon se çfarë ne besojmë në këtë kishë thotë këtë:

Gjygjtari suprem që shqyrton e vendos për të gjitha polemikat e besimit, dekretet e kishës, opinionet e shkrimtarëve të lashtë, doktrinat e njerëzve dhe frymërat e ndryshme, të vetmet vendime të të cilit e mbi të cilat mund të mbështetemi, është askush tjetër veç Fryma e shenjtë që na flet përmes Shkrimit të Shenjtë.

Kisha historikisht e ka pranuar autoritetin e Shkrimit mbi të tëra çështjet e besimit dhe të jetës mbi njerëzimin. Ndryshimi ndërmjet Kishës Protestante apo ungjillore që ishe fryt i Reformacionit Evropian, dhe Kishës Katolike dhe Ortodokse qëndron në bazën apo burimin e autoritetit të Shkrimit. Kisha Katolik dhe ajo Ortodokse besojnë që autoriteti i Biblës buron nga autoriteti i Kishës. Ato thonë që kisha u themelua dhe u krijua përpara Shkrimit, dhe si rrjedhim nuk e merr ekzistencën e saj nga Shkrimi, por Shkrimi e merr nga Kisha. Ato thonë që është Bibla ajo që u shkrua nga Kisha, u grumbullua nga ajo dhe si rrjedhim e merr autoritetin e saj nga Kisha. Si rrjedhim, është Kisha ajo që e ruan Shkrimin, që e deklaron atë, që e interpreton Biblën dhe që e m bron atë. Kisha është mbi Shkrimin thotë Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse. Kisha është autoriteti më i lartë, autoriteti final.

Në ndryshim nga këto dy institucione, Reformacioni deklaroi me shprehjen Sola Scriptura se Shkrimi është i vetmi autoritet final mbi gjithçka dhe jo Kisha. Sola Scriptura do të thotë që Shkrimi ka autoritetin final pasi është fjala e frymëzuar e Perëndisë. Vetëm Shkrimi është i frymëzuar dhe si rrjedhim vetëm Shkrimi është autoriteti final, gjyqtari apo gjykatësi suprem “që shqyrton e vendos për të gjitha polemikat e besimit, dekretet e kishës, opinionet e shkrimtarëve të lashtë, doktrinat e njerëzve dhe frymërat e ndryshme, të vetmet vendime të të cilit e mbi të cilat mund të mbështetemi.” Kjo është çfarë ne besojmë dhe duhet të besojmë. Psalmi 19:7-11 thotë:

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. 8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë. 9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; 10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet. 11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

Po ju ofroj shkurtimisht katër kategori argumentesh në mbështetje të Autoritetit final të biblës mbi njeriun apo Kishën:

Së pari, Bibla gjithmonë flet në emër të Perëndisë, dhe urdhëron besim dhe bindje. Profetët e Dhiatës së Vjetër asnjëherë nuk thanë: Kështu po ju deklaron i dërguari i Perëndisë, apo mëkëmbësi i Perëndisë, apo i frymëzuari i Perëndisë. Fraza e parë e çdo deklarimi që ata bënë në Dhiatën e Vjetër ishte: “Kështu thotë Perëndia,” apo “Kjo është fjala e Perëndisë,” apo si në rastin e Profetit Jeremia 13:12: “Prandaj ti do t’u thuash atyre këtë fjalë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit…” dhe vijon mesazhi.

Së dyti, Krishti dhe apostujt gjithmonë iu referuan Shkrimit të Shenjtë si autritet për të zgjidhur çështjet e tyre dhe jo traditës së Kishës apo të priftërinjve. Tek Rom 4:3 Pali thotë: Po le të shikojmë se çfarë thotë shkrimi për shpëtimin me anë të besimit. Tek Luka 16, parabola e Llazarit dhe të riut pasanik, kur i riu pasanik i kërkon Perëndisë që të dërgojë dikë nga të vdekurit si dëshmitar të botës së përjetshme dhe të dënimit që do të vijë për të tëra ata që nuk bëjne pregatitjet e duhura për jetën që vjen, Perëndia ju përgjigj: Ata kanë Ligjin dhe Profetët – që në atë kohë ishte shprehja standarde që thoshte “ata kanë shkrimet e Dhiatës së Vjetër. Krishti dhe Apostujt iu referuan Biblës si autoritetin përfundimtar.

Së treti, Apostulli pal i lavdëron Bereasit tek Veprat. Apostujve 17:11 me fjalët: 11 Por këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.” çfarë bënë këta besimtarët e qytetit të Bereasit. Apostulli Pal shkoi atje për të predikuar. Ata e dëgjuan predikimit të Palit, por nuk dëgjuan në mënyrë aktive çfarëdo gjëje që tu shoshte a
utoriteti Apostolik, por besonin dhe kontrollonin fjalët e Palit duke i krahasuar me fjalët e biblës.

Së katërti, Krishti i dënoi klerikët, pleqtë, skribët e farisenjtë për shtrembërimin e Shkrimit. Nëse autoriteti klerikal, Kisha është mbi Biblën siç pretendon Kisha Katolike dhe Ortodokse, përse i dënoi Krishti ata. Tek Matt 15:7 Krishti i dënoi ata që e vënë veten mbi Biblën si autoritetin final me këto fjalë:

Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha: 8 “Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje. 9 Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit.”

Sepse bibla është e mjaftueshme dhe autoriteti final mbi jetën e Kishësh dhe të besimtarit në cdo sferë të jetës që Krishti vetë deklaron këto fjalë të rënda tek Zbulesa 22:

Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. 19 Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.

III. Mjaftueshmëria e Shkrimit të Shenjtë

Implikimi logjik dhe mësimi direkt biblik i tretë që vjen nga fakti i frymëzimit të Shkrimeve nga Perëndia ka të bëjë me mjaftueshmërinë e saj për jetën e besimtarit dhe të Kishësh. Shkrimi i shenjtë, duke qenë se është i frymëzuar nga Perëndia, është jo vetëm i pagabimshën, jo vetëm i pagabueshëm, jo vetëm autoritar por edhe plotësisht i mjaftueshëm për gjithçka që ka të bëjë me besimin dhe jetën e njeriut. Apostulli Pjetër deklaron:

“…fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet…” (2 Pjet. 1:3).

Po kështu Pali deklaron tek 2 Tim 3:16:

16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë. 2 Tim 3:16-17

Tek 2 Sel 2:13 Pali deklaron që shpëtimi ynë është përmes besimit në fjalën e Perëndisë. Krishti kur ui lut Atit qiellor për shenjtërimin tonë, u lut që ne Perëndia të na shenjtëronte përmes fjalës së tij. Fjala e tij është e mjaftueshme për shpëtimin tonë dhe për shenjtërimin tonë. Pali thotë që Shkrimi është i mjaftueshëm për dishepullizim. Mateu tek kapitulli i fundit të ungjillit që mban emrin e Tij na dëshmon se Krishti tha: Shkoni dhe bëni dishepuj duke predikuar fjalën, duke pagëzuar dhe duke i mësuar fjalën dishepujve që do ti shtoheshin Kishës në të ardhmen. Është për shkak të besimit në mjaftueshmërinë dhe autoritetin e fjalës së Perëndisë që Psalmisti i lutet Perëndisë tek Psalm 25:5 me fjalët:

Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

Së fundi dua ta mbyll argumentimin e mjaftueshmërisë së Shkrimit të Shenjtë, me hapjen e një pasazhi nga Dhiata e Re. Këto janë fjalët e Apostullit Pjetër, personit që Kisha Katolike pretendon se e ka papën e parë dhe autoritetin e parë që ngrihet mbi Shkrimin. Lexoni 2 Pjet. 1:12-21:

12 Prandaj nuk do të lë pas dore t’ju kujtoj vazhdimisht këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni të patundur në këtë të vërtetë. 13 Por unë mendoj se është e drejtë, përderisa jam në këtë tendë, t’ju mbaj zgjuar duke ua sjellë këto gjëra ndër mend, 14 duke ditur se, së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht. 15 Por do të kujdesem që, edhe pas largimit tim, ju të mund t’i kujtoni gjithnjë këto gjëra. 16 Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij. 17 Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. 18 Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë. 19 Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja, 20 duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta. 21 Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.

Pjetri prek shumë gjëra në këto dhjetë vargje, por ajo që dua tju vë në dukje është së pari që Pjetri e sheh si detyrën e tij që ti kujtoje besimtarëve fuqinë dhe ardhjen e Zotit Krisht. Gjithçka që ai tha, gjithçka që Krishti bëri, mrekullitë, kryqin, ngjalljen prej të vdekurit, ngritjen në anën e djathtë të atit, pra, të tërë materialin që ne lexojmë tek katër ungjijtë.

Së dyti, Pjetri thotë që ai është kujdesur që të tëra këto gjëra të qëndrojnë me ta si një mjet i mjaftueshëm për besimin dhe shenjtërimin e tyre. Ai thotë: “15 Por do të kujdesem që, edhe pas largimit tim, ju të mund t’i kujtoni gjithnjë këto gjëra.” Si e bëri Pjetri këtë? Përmes ungjillit të Markut. Pjetri foli nën frymëzimin e Perëndisë dhe Marku shkroi nën frymëzimin e Perëndisë atë që ne e quajmë sot Ungjilli sipas Markut. Dhe kështu Pjetri thotë përmes këtij pasazhi: Shkrimi i shenjtë që unë lë pas do të jetë instrumenti i mjaftueshëm për ju dhe për brezat që do të vijnë.

Së treti, Pjetri thotë nga ky pasazh që fjala profetike e Dhiatës së Vjetër është vërtetuar para syve të apostujve dhe dishepujve të parë dhe se tani të tërë ata duhet ti nënshtrohen asaj. Pjetri tha: “Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes.” Dhe çfarë cilësish i atribuon Pjetri Fjalëve të Dhiatës së Vjetër dhe madje edhe Shkrimeve të Dhiatës së Re? Ai thotë:

[dini] së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta. 21 Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.

Dhiata e vjetër ka ardhur me iniciativën e Perëndisë, Ungjilli im i dhënë përmes Markut është dhënë me iniciativën e Perëndisë, njerëz të shenjtë kanë folur të shtyrë nga Fryma e Shenjtë. Detyra Juaj: – (1) [jini] të patundur në këtë të vërtetë, besoji Shkrimit. (2) Sillni ndërmend këto gjëra, meditoni mbi shkrimin, studiojeni atë. Kushtojini kujdes fjalës profetike, Biblës, në të do të gjeni shpëtim dhe ndriçim për shpirtin dhe mendjen tuaj. Është për këtë arsye që Psalmisti besimtar këndon: Psalm 31:5 – Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

Le të jetë kjo edhe kënga e zemrave tona. Le të mbështetemi edhe ne mbi Shkrimin dhe vetëm mbi Shkrimin pasi në këtë mënyrë ne mbë
shtetemi mbi Perëndinë dhe vetëm mbi Perëndinë. Amen.

03. Sola Scriptura(II) – Vetëm Shkrimi

16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë. 2 Tim 3:16-17

I. Rëndësia e Solave

Kush jemi ne? Cili është identiteti ynë jo vetëm personal si të Krishterë, por gjithashtu, cili është identiteti ynë institucional? Përse vijmë të adhurojmë në një kishë jo-katolike apo jo-ortodokse? A jemi ndryshe? Nëse po Përse dhe çfarë aspektesh ndryshojmë ne nga institucioni katolik e ortodoks? Cila është e kaluara jonë historike? Cili duhet të jetë besimi ynë sot? Dhe për çfarë ne duhet të synojmë në të ardhem? Kush jemi, nga vijmë dhe u shkojmë janë pyetjet të cilat që të gjitha e gjejnë përgjigjen në ato që quhen 5 Solat e Reformacionit. Siç e keni edhe të shkruar në faqen e parë të buletinit, 5 Solat e reformacionit janë: Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi; Solus Christus – Vetëm Krishti; Sola Gratia – Vetëm nga Hiri; Sola Fide – vetëm përmes besimit; dhe Soli Deo Gloria – e gjithë lavdia vetëm Perëndisë. Këto 5 Sola janë programi ideologjik apo doktrinar i Kishës. Ato përmbledhin çfarë ne besojmë, e madje ato janë edhe mjetet dhe për artikulimin e çdo gjëje tjetër që besohet dhe praktikohet në kishën protestante apo ungjillore. Ato janë 5 kollonat mbajtëse të sistemit protestant të besimit dhe jetës praktike të Krishterë. çdo gje rrjedh dhe bazohet mbi këto 5 sola.

Historikisht këto 5 Sola u zbuluan në Bibël, u artikuluan dhe u propaganduan gjatë periudhës rë Reformacionit Protestant të viteve 1400-1600. Të gjitha kishat ungjillore apo protestante e kanë origjinën në Reformacionin Evropian. Jan Hus, John Wicklief, Martin Luter, John Calvin, Ulrich Zwingli, janë disa nga emrat që të gjithë ne duhet ti dimë. Kjo është origjina jonë. Periudha e Mesjetës është quajtur ndryshe Periudha e errësirës Mesjetare. Kjo për shumë arsye të cilat do ti zbulojmë gradualisht javë pas jave, dhe po kështu do të zbulojmë javë pas jave që Reformacioni është quajtur ndryshe Drita e Ungjillit, pasi ajo zbuloi dhe mbrojti dhe përçoi mesazhin biblik që kishte humbur në vitet e gjata të errësirës mesjetare si dhe të korrupsionit moral dhe doktrinar që mbizotëronte në Kishën katolike të asaj kohe. Kjo është arsyeja përse ne jemi veçan sot si Kishë Ungjillore apo Protestante.

Elementët reformatorë në atë kohë patën si qëllim jo ndarjen por reformimin nga brenda. Por ndarja ndodhi. Kisha që doli nga zjarri pastrues i Reformacionit në Evropë u quajt Kisha e Reformuar, në gjermani Kisha Luteriane, në Angli Kisha Anglikane, në Skoci e Irlande Kisha Presbiteriane. Në mënyrë të thjeshtuar, të tëra këto kisha janë një, produkt i reformacionit, dhe çdo gjë tjetër që e quan vetën kishë protestante apo reformatore a ka burimin këtu.

Kjo kishë lokale sot në Durrës në fakt është gjithashtu si në emër ashtu edhe në doktrinë një Kishë e Reformuar. Ne kemi një histori, një origjinë, dhe si rrjedhim ne kemi edhe një të ardhme. Ne kemi një identitet, dhe kjo është arsyeja që ne po i studiojmë ato këto të diela. Vini mend këtyre solave pasi janë mënyra më e mirë, më e shkurtër dhe më e thjeshtë për tu shpjeguar njerëzve se kush jeni dhe çfarë besoni.

Sot, ne do të vazhdojmë të studiojmë solën e parë: Sola Scriptura që do të thotë vetëm Shkrimi. Ne Besojmë që vetëm Shkrimi është zbulesa e shkruar e Perëndisë për Njeriun. Vetëm shkrimi është i dhënë me frymëzimin nga Perëndia. Vetëm Shkrimi ka autoritet mbi çështjet e besimit dhe të jetës së Krishterë. Vetëm Shkrimi është i pagabimtë dhe i pagabueshëm. Vetëm Shkrimi është rregulli i pagabueshëm i interpretimit të Shkrimit. Vetëm Shkrimi është gjyqtari suprem mbi të gjitha polemikat e fesë, opinionet e njerëzve. Vetëm Shkrimi është plotësisht i mjaftueshëm për shpëtim, shenjtëri dhe jetë të Krishterë. Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi. Sot unë do të fokusohem mbi një aspekt të Shkrimit që është frymëzimi i tij.

II. Fakti i Frymëzimit të Shkrimit

Çfarë duhet të kuptojmë me frymëzim të biblës? Për këtë na ndihmon 2 Tim 3:16-17 që thotë:

16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia…” Në Greqisht manuskripti lexon “i gjithë shkrimi është theopneustos.” Theo – Perëndia, pneo – frymë. Vargu thotë që Perëndia fryu nga vetja për tek net të tëra Shkrimet që ne sot i kemi që grumbulluara në një volum të vetëm që e quajmë Bibël. Frymëzimi është akti hyjnor i Perëndisë në të cilin vetë Perëndia i dhuron njerëzimit një shkrim, një libër në të cilin shprehet dashuria e Tij për ne, zemërimi i Tij ndaj mëkatit tonë, rruga e shpëtimit që është vetëm Krishti – Solus Christus, gjë që është jo nga meritat tona por vetëm nga Hiri i pamerituar i Perëndisë – Sola Gratia, një hir që ne duhet ta marrim vetëm përmes besimit – Sola Fide, dhe e gjitha kjo vepër e Perëndisë vetëm dhe vetëm për një qëllim, për lavdinë e Tij – Soli Deo Gloria. Frymëzimi është akti hyjnor i dhënies së Biblës njerëzimit nga Perëndia. Bibla është fjala e Perëndisë. Është Perëndia ai që e jep atë, e nxjerr atë na vetja dhe jap dhuron njerëzimit. Ky proces njihet si frymëzimi i Shkrimit të Shenjtë. Vini re pra ndryshimin që ekziston nga ajo që bota artistike i thotë frymëzim. Artisti krijues merr një ndjesi apo një ide apo një fuqi për të krijuar diçka. Frymëzimi Biblik është Perëndia i cili nxjerr jashtë vetës përmes Frymës së Shenjtë një krijim, e fryn atë jashtë vetes së Tij drejt nesh përmes Frymës së Shenjtë. Si rrjedhim Bibla është Fjala e Perëndisë, e dhënë nga ai për shpëtimin tonë.

Por tani lind pyetja, si mund të sigurohemi që Bibla vjen nga Perëndia? Ku duhet të shkojmë për prova? Tek shkenca, tek historia, tek arkeologjia, apo duhet ti besojmë autoritetit të Kishës? Kisha katolike do pretendon se ne duhet ti besojmë dëshmisë së saj si institucion. Akademia sekulare thotë se ne duhet ti besojmë asaj, dhe kuptohet ajo pretendon se Bibla nuk është fjala e Perëndisë. Rrëfimi i Westminsterist i shkruar në 1646 sugjeron me të drejtë këtë gjë:

“Autoriteti i Shkrimit të Shenjtë, për të cilën arsye Shkrimi duhet besuar dhe i duhet bindur, nuk mbështetët në dëshminë e njeriut, apo atë të Kishës; por plotësisht në atë të Perëndisë (i cili vetë është e vërteta), autorit të tij; rrjedhimisht Shkrimi duhet pranuar, sepse ajo është Fjala e Perëndisë.“

Është Perëndia Ai që dëshmon për krijesën e vet, dhe për këtë Shkrimi i Shenjtë duhet besuar. Por si dëshmon Perëndia për krijesën e Tij. Rrëfimi i Westminsterit vazhdon:

“…bindja dhe siguria jonë e plotë në të vërtetën e pagabueshme dhe autoritetin a saj hyjnor vjen nga vepra e përbrendshme e Frymës së Shenjtë që dëshmon për dhe me Fjalën e Perëndisë in zemrën tonë.“

Pra, është Perëndia ai që na dëshmon neve përmes Frymës së Shenjtë. Si na dëshmon Fryma e Shenjtë? Së pari Fryma e Shenjtë dëshmon në zemrat
tona që ajo që po lexojmë është Fjala e Perëndisë. Kjo është pjesë e detyrave që ka Fryma e Shenjtë ndaj besimtarëve. Prandaj dhe ne duhet ta marrim fjalën e shkruar apo të predikuar me lutje, si para ashtu edhe pas saj. Por vini re që teologët e Reformacionit kishin një penetrim shumë të mprehtë në mënyrën se si vepron Fryma gjë që nuk e gjejmë sot në kishën ungjillore apo protestante. Fryma dëshmon për Fjalën përmes Fjalës. Fryma dëshmon për Fjalën, në zemrën e atij që e lexon atë përmes fjalës, përmes asaj që personi në fjalë po lexon. Kjo është e rëndësishme të theksohet, pasi rritja jonë shpirtërore nuk ndodh në vakum. Fryma nuk i dëshmon frymës tonë në vakum. Shenjtëria nuk ndodh në vakum. Ungjillëzimi nuk duhet të ndodhë në vakum, por vetëm dhe vetëm në prezencën apo në kontekstin e Fjalës. Kjo është arsyeja përse ne duhet të predikojmë Fjalën, ta shpërndajmë atë të shkruar, ta lexojmë e studiojmë atë [ër veten tonë nëse kemi dëshirë të rritemi dhe inkurajohemi në ecjen tonë si të krishterë. Krishti tha tek Gjoni 17: “At, shenjtëroi ata përmes së vërtetës. Fjala jote është e vërtetë.”

Pra është Perëndia ai që dëshmon për Fjalën përmes Frymës, por është edhe vetë Fjala ajo që dëshmon për veten e saj. Do t’u rreshtoj një sërë argumentesh nga Shkrimi, dhe do të citoj vetëm një varg për çdo argument, edhe pse me dhjetëra faqe mund të mbushen me citime për secilën nga këto argumente:

1. Dhiata e Vjetër dëshmon për vetveten. Profetët dhe penëtarët e Dhiatës së Vjetër dëshmojnë për influencën hyjnore që ra mbi ta, për frymën e shenjtë dhe se si Fryma i shtyn ata që të shkruanin. Nuk mund të numërohen rastet kur profetët e hapën deklarimin e tyre me frazën “Kështu thotë Perëndia,” apo “Kjo është fjala e Perëndisë,” apo “në vitin x fjala e Perëndisë erdhi mbi mua…” psh. Tek Jeremiah 13:12 lexojmë: “Prandaj ti do t’u thuash atyre këtë fjalë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit…” dhe vijon mesazhi. Në raste të tilla Perëndia i dikton mesazhin profetit i cili është i detyruar që ta shkruajë dhe proklamojë atë. Davidi shkroi tek 2 Sam 23:2 “Fryma e PErëndisë foli përmes meje dhe fjala e tij ishte në gjuhën time.” Është interesante të vëresh gjithashtu se si kur lexoj me faqe të tëra nga profetet Isaia , Ezekiel dhe Jeremia, një “ngatërrim” përemrash vihet re nga mesi i proklamatës. Profeti deklaron qe ajo që do të shpallë është fjala e Perëndisë. Fillon të flasë, dhe pas disa vargjesh apo faqesh vëren që në fakt nuk është më profeti që po flet në vetën e tretë: psh Perëndia thotë që ju… – por flet në vetën e parë – Unë jam Perëndia i Izraelit, unë jam …! Personi i profetit darovitet në sfond dhe personi i Perëndisë është në plan të parë. Është ai që po flet, është ai që po deklaron.

2. Një argument i dytë për frymëzimin e biblës, së pari të Dhiatës së vjetër vjen edhe nga Dhiata e re. Penëtarët e Dhiatës së Re e pranojnë pa hezitim shkrimet e Dhiatës së vjetër si Fjala e Perëndisë. Këtë ata e bëjnë kur e citojnë atë. Psh: tek Veprat e Apostujve 4:25, Apostulli Pjetër thotë për Psalmin 2 të shkruar nga Davidi, Psalm që ne e këndojmë në këtë kishë:

“dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: “Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota?”

Apostulli, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë dëshmon që Psalmi 2 është shkruar vërtet nga Davidi, por kjo si penëtar, pasi në vërtetë Psalmi 2 është Fjala e vetë Perëndisë. Apostulli Pal, i kujton Timoteut, një pastori të ri në moshë, por të rritur me shkrimet e Dhiatës së Vjetër se “16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.

3. Vetë Zoti Krisht, personi i dytë i Trinisë së Shenjtë dëshmoi që Bibla ishte fjala e tij dhe me autoritet të plotë mbi çdo gjë kur e citoi atë. Psh; tek Mat 4:4 ai i përgjigjet Djallit me këto fjalë: “Është shkruar: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”

Në këtë rast, Krishti tha që Besëlidhja e Ripërtërirë është Fjala e Perëndisë. Tek Mateu 11:10 Krishti thotë: “Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate; ai do ta bëjë gati rrugën tënde para teje”. Në këtë rast ai flet për Gjon Pagëzorin dhe citon Malakian 3:1 dhe e konsideron atë si Fjala e Perëndisë. Është e rëndësishme të dimë që Dhiata e Re citon çdo njërën prej librave të Dhiatës së vjetër si Fjala e Shkruar e Perëndisë.

4. Dhiata e Re është gjithashtu fjala e Perëndisë. Si e dimë këtë? Ungjijtë nuk janë gje tjetër veçse fjalët e Krishtit dhe veprat e Tij. Ato janë deklaratat e Krishtit dhe mrekullitë që Ai bëri për të provuar forcën dhe autoritetin e deklaratave të tij.

5. Gjithashtu, përpara se sat ë ngrihej lart në qiell, Krishti u premtoi Apostujve prezencën e frymës së Shenjtë me qëllim që ata ë mund të shkruanin Dhiatën e re. tek gjoni 14 lexojmë:

24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar. 25 Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju; 26 por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

Fjalët e Krishtit ishin fjala e Perëndisë. Regjistrimi dhe kujtimi i tyre është detyre e Frymës së Shenjtë i dërguar nga ati. Apostujt shkruan të frymëzuar nga Perëndia, nën shtysën e tij, nën përkudejsjen e tij, nën drejtimin e Tij, dhe nën kontrollin e tij për të siguruar që kjo që ne kemi në dorë sot është vërtetësish dhe plotësisht Fjala e Perëndisë, vullneti i Tij për ne.

6. Apostujt e morë përmbushjen e këtij premtimi, dhe për shkak të saj, p.sh, Apostulli Pal mund të deklaronte tek 1 Kor. 2:13 “Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.”

7. Apostujt i trajtuan shkrimet e njëri-tjetrit gjithashtu si Fjala e Perëndisë. Tek 2 Pjet 3:16 Apostulli Pjetër thotë:

“sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha; 16 Ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrëmbërojnë, sikurse bëjnë edhe me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre.”

Këtu Apostulli Pjetër dëshmon për veprën e perëndisë në frymëzimit e fjalës në Apostullin Pal – Palit ju dha një dituri nga Perëndia thotë Pjetri. Por jo vetëm kaq, Pjetri barazon letrat e Palit me shkrimet e tjera të Dhiatës së Vjetër. Dhe vini re gjithashtu që Apostulli Pjetër deklaron që të tëra letrat e Palit janë Fjala e Perëndisë pasi ai thotë që të tëra letrat e Palit e kanë këtë veti.

Lista e kategorive të argumenteve që mund të sillen dhe moria e shkrimeve që mbështesin çdo argument zgjatet përtej mundësisë time për ti rreshtuar ato, dhe si rrjedhim unë do të ndaloj këtu përsa i përket kësaj pike. Bibla është Fjala e Perëndisë. Autoriteti i kësaj dëshmie bazohet mbi vetë perëndinë që e ka dhënë atë,
mbi Frymën e shenjtë, si dhe mbi dëshminë që vetë Bibla jep për vetveten. Bibla është Fjala e Perëndisë, e dhënë nga Ai përmes frymëzimit.

Vini re që Apostulli thotë që jo disa nga fjalët e Biblës janë të frymëzuara, jo që një frymëzimi i Perëndisë shtrihet mbi një pjesë të mirë të biblës, apo mbi shumicën dërrmuese të Biblës, por mbi të tërë Biblën. “16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.” Kjo është ajo që teologët e quajnë frymëzimi verbal apo frymëzimi plenar i Shkrimit të Shenjtë. çdo ide është e frymëzuar dhe vjen nga Perëndia, çdo koncept. çdo argument gjithashtu vjen nga Perëndia. Logjika e renditjes së argumenteve që për shembull Apostulli Pal jep tek Letra e Romakëve gjithashtu vjen nga Perëndia. Çdo fjalë e zgjedhur në një fjali të dhënë apo në një frazë të marrë për studim është e zgjedhur nga vetë Perëndia dhe e përdorur nga ai qëllimisht në atë formë që gjendet në bibël. Perëndia ynë është një Perëndi i koherencës, i logjikës, pasi është ai që e pa krijuar logjikën, ai është Perëndia i të vërtetave, dhe çdo gjë e vërtetë i përket atij, vjen nga Ai dhe kthehet tek Ai.

Aplikime:

Vëllezër dhe motra ne Krisht, dy aplikime kam për ju sot:

Meditoni mbi qëllimin që perëndia ju dha Shkrimet e Shenjta. Vërtetë krijesa rreth e rrotull nesh dëshmon për ekzistencën e Perëndisë dhe obligimin tonë ndaj Tij, por kjo nuk është e mjaftueshme për shpëtimin tonë, nuk është e mjaftueshme që ne të fitojmë atë informacion të nevojshëm që të shpëtohemi. Malet e oqeanet dëshmojnë për Perëndinë por nuk na drejtojnë për tek kryqi i Krishtit. Njeriu ka nevojë për fjalën ekzakte të Perëndisë. Lavdëroni Perëndinë për mirësinë e tij që i kapërceu kohërat e padijes dhe na shpalli Krishtin përmes shkrimeve. Gjithashtu meditoni mbi faktin që arsyeja që Perëndia jo vetëm që na dha Krishtin, por gjithashtu na dha edhe fjalën e shkruar, me qëllim që të ruajë të vërtetën, me qëllim që të përhapë të vërtetën, dhe më tej, me qëllim themelimin sa më të sigurt të kishash në Krisht, dhe për më tej, për ngushëllimin sa më të mirë të Kishës në kohët e dyshimeve dhe trazirave, dhe për ruajtjen e Kishës nga korrupsioni i mishit, nga ligësia e Satanit dhe nga manovrat e Botës. Për të tëra këto arsye perëndia e la Fjalën e tij të shkruar, dhe për këtë gjë jini mirënjohës. Kjo është dhurata e Perëndisë për ju, është letra e tij e dashurisë për ju.

Por së dyti, vini re gjithashtu që sa u tha më lart, e bën shkrimin e shenjtë absolutisht të domosdoshëm për ju. Ju është dhënë që ta përdorni, ta lexoni, studioni, memorizoni, ta fshihni në zemrat tuaja dhe prej saj të jepni frytet e pendimit, besimit, bindjes dhe shenjtërisë. Amen

02. Sola Scriptura (I)- Vetëm Shkrimi

16 i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.2 Tim 3:16-17

 

     Çfarë është Sola Scriptura? Deklarata Sola Scriptura thjesht do të thotë “Vetëm Shkrimi” dhe deklaron qe vetëm Fjala e Perëndisë siç na është zbuluar në Bibël është burimi I tërë informacionit të domosdoshëm për tiu afruar Perëndisë me besim dhe për një jetë të shenjtë si gjatë shërbesave të kishës ashtu edhe jashtë saj. Sola Scriptura gjithashtu deklaron qe vetëm Bibla është autoriteti përfundimtar dhe më I lartë për të tëra çështjet e besimit dhe jetës. Sola Scriptura po kështu deklaron që vetëm bibla është standardi pa gabime dhe i pagabueshëm në të tëra deklaratat e saj. Çdo institucion apo subjekt tjetër, përfshi këtu Koncilët e Kishës, opinionet e njerëzve apo madje edhe të papëve, bishopëve, kardinalëve apo mitropolitëve nuk janë dhe nuk mund të jenë autoriteti përfundimtar në çështjet e jetës dhe besimit pasi ato nuk janë as të pagabimta dhe as të pagabueshmë pavarësisht nga pretendimet e tyre. Historia ka provuar që të tëra këto entitete kanë dhe vazhdojnë të kundërshtojnë njëra-tjetrën. Vetëm Bibla, dukë qenë se është Fjalë e Perëndisë së gjallë, ka autoritetin final dhe pagabimshmërinë dhe pagabueshmërinë e duhur për të folur si deklarata më e lartë dhe përfundimtare për njeriun. Së fundi, me Sola Scriptura ne deklarojmë që Shkrimi është interpretuesi i vetvetes dhe në sensin më të lartë është vetë Perëndia Frymë e Shenjtë. Logjika dhe opinionet e njeriut nuk janë dhe nuk mund të jenë mbi ato të Perëndisë i cili flet për vetveten në Fjalën e Tij, Biblën.

Nuk do të mohoj asgjë deri sa të jem i bindur nga Shkrimi i Shenjtë dhe arsyeja e shëndoshë. Ndërgjegjja ime mbahet rob nga Fjala e Perëndisë dhe të shkosh kundra ndërgjegjes nuk është as e drejtë dhe as e mirë.

     Këto fjalë historike u deklaruan nga Martin Luteri në Dietin e Wormit. Worm është një qytet në Gjermani mbi lumin Rin, dhe Diet në Mesjetë ishte mbledhja e të tërë subjekteve të Perandorisë së Shenjtë Evropiane të Mesjetës, përpara Perandorit, ishte një lloj asambleje e përgjithshme e princave, kardinalëve e feudalëve përpara Perandorit. Ishte pranvera e vitit 1521. Martin Luteri ishte për gjykim përpara Perandorit të Perandorisë së Shenjtë Romane (pra Katolike) e cila kishte nën zotërim tërë Evropën me përjashtim te Francës dhe Britanisë. Martin Luteri kishte publikuar disa vite më parë 95 tezat e tij mbi derën e Kishës së Witenbergut si një ftesë për diskutim ndaj profesorëve të ndryshëm të teologjisë në Evropë. Por ajo që Luteri kishte filluar si diskutim dhe për qëllime akademike ishte shndërruar në një ortek, në një lëvizje masive intelektuale, akademike, studentore, ekonomike e madje edhe popullore. Luteri ndodhej përpara Perandorit për ta bërë atë të heshtë dhe mundësisht edhe lëvizjen masive që ai pa dashur kishte iniciuar. 95 tezat që ai pat ngjitur në derën e Kishës në Wittenberg nuk shtronin domosdoshmërish çështje të reja, e reja që Martin Luteri sillte ishte deklarata se Papët nuk janë të pagabueshëm, se Koncilët e Kishës e kardinalët nuk janë të pagabueshëm, se ata nuk janë mbi Shkrimin por nën shkrimin, dhe se Shkrimi dhe vetëm Shkrimi i Shenjtë ishte i pagabueshëm dhe mbi çdo papë. Shkrimi pat thënë Luteri është standardi dhe autoriteti më i lartë dhe përfundimtar për çdo gjë që ka të bëjë me besimin dhe jetën e njeriut. E përsëris pasi ky është thelbi i Sola Scriptura: Shkrimi i Shenjtë është standardi dhe autoriteti më i lartë dhe përfundimtar për çdo gjë që ka të bëjë me besimin dhe jetën e njeriut. Ky është kuptimi i Sola Scriptura – Shkrimi dhe vetëm Shkrimi i Shenjtë dhe asgjë tjetër nuk mund të jetë mbi të ose madje as baras me të. Kjo është deklarata që ktheu përmbys Evropën Perëndimore e Qendrore dhe që përcaktoi rrjedhën e historisë, kulturës, politikës, ekonomisë, arsimit e shkencës, besimit e jetës së përditshme për dhjetëra shtete e miliona njerëz. Deklarata më e rëndësishme që është bërë në historinë e Kishësh në këto 2000 vjetët e fundit, pas deklaratës së Krishtit “Ka përfunduar!’ është deklarata e Luterit “Sola Scriptura.”

     Çdo denominacion i Krishterë apo edhe Kishë lokale ka dhe duhet të ketë një dokument teologjik formal të shkruar ku deklaron apo rrëfen atë që beson. Kisha jonë ka Rrëfenjën e Besimit të Westminster (1646) dhe Katekizmin e Shkurtër dhe atë të Zgjeruar. Kapitulli i parë i Rr. B. Westminster përmbledh çfarë ne besojmë se bibla dëshmon për veten e saj. Seksioni 10 i këtij kapitulli të parë thotë:

Gjyqtari suprem që shqyrton e vendos për të gjitha polemikat e besimit, dekretet e kishës, opinionet e shkrimtarëve të lashtë, doktrinat e njerëzve dhe frymërat e ndryshme, të vetmet vendime të të cilit e mbi të cilat mund të mbështetemi, është askush tjetër veç Fryma e shenjtë që na flet përmes Shkrimit të Shenjtë.

     Pra, gjyqtari suprem është vetë Perëndia dhe vetëm Perëndia, as papët, as pastorët, e as qeveria, por vetëm Perëndia që na flet përmes Shkrimit të Shenjtë, Biblës. Fakti që vetëm Perëndia është ai që flet, vendos dhe gjykon, e bën të domosdoshme që edhe Fjala e shkruar e Tij të jetë gjithashtu gjyqtari suprem për të tëra çështjet e besimit dhe jetës. Kjo është arsyeja që Apostulli Pal nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë dhe autoritetin apostolik të Krishtit deklaron:

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, 17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

     Historianët thonë që Reformacioni si lëvizje kishte dy kauza dhe shkaqe, shkaku dhe kauza formale dhe ajo materiale. Shkaku dhe kauza materiale ishte çështja e shpëtimit apo e shfajësimit, ndërsa kauza dhe shkaku formal ishte ajo e rolit të Shkrimit për besimtarët. Reformatorët, së bashku me Etërit e Kishës së bashku me Apostujt dhe me tërë dëshminë biblike besoi që shpëtimi apo shfajësimi ynë përpara Perëndisë është vetëm përmes besimit – Sola Fide. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për shpëtimin tonë, Krishti ka bërë gjithçka, ne duhet vetëm ta pranojmë me besim, dhe vetëm me besim pa i shtuar asgjë. Pra, çështja kryesore ishte ajo që përmenda në fillim: çfarë duhet të bëj që të shpëtohem? Përgjigja që Kisha Katolike pat dhënë gjatë Mesjetës dhe që vazhdon të jetë është (në mënyrë të përmbledhur) shiko tek Kisha. Përgjigja që Reformatorët zbuluan në Bibël ishte shiko tek Krishti me besim, vetëm tek Krishti, dhe vetëm me besim. Solus Christus dhe Sola Fide. Por që kjo betejë të zhvillohej, beteja e doktrinës së Shfajësimit vetëm me besim, që kjo betejë të fitohej, ajo duhesh mbajtur mbi fush-betejën e Shkrimit. Beteja duhej filluar, zhvilluar e mbaruar mbi Bibël. Dhe kjo domosdoshmëri bëri që motoja Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi, edhe pse ishte një kauzë në sfond, të kthehej në një kauzë dhe shkak kryesor për Reformimin e Kishës dhe të shoqërisë. Që nga ajo kohë termi Sola Scriptura – Vetëm
Shkrimi u bë thirrja e betejës për të tërë protestantët apo ungjillorët.

     Tani, kjo thirrje deklaron që vetëm Bibla ka autoritetin për të lidhur ndërgjegjen e besimtarëve. Protestantët i pranojnë shkallët e format e tjera të autoritetit si drejtuesit kishtarë apo civik, kredot, katekizmat e rrëfenjat e besimit. Por në ndryshim nga Katolikët e Ortodoksët i pranojnë këto si subjekte nën autoritetin e Perëndisë dhe të Biblës, si subjekte që forcën dhe autoritetin e tyre e kanë të derivuar nga Perëndia dhe Bibla. Asnjë nga këto autoritete nuk është absolute, asnjë nga këto autoritete nuk është sovrani, dhe çdo njëra prej tyre është e aftë për gabim. Asnjëra prej tyre nuk është në gjendje dhe as nuk e ka të drejtën për të lidhur ndërgjegjen njerëzore.

     Një keqkuptim i zakonshëm është që Reformacioni besonte se Bibla është e pagabueshme, ndërsa katoliket besojnë që Papa dhe Tradita janë ta pagabushmërit. Ky është shtrembërim. Çështja qëndron tek fjala vetëmSola. Kisha Katolike dhe Ortodokse beson që ka dy burime të pagabueshme drejtimi: Bibla dhe tradita apo Kisha. Për këtë arsye, ata nuk lejonin askush që të lexonte apo interpretonte Biblën vetën nëse ai ishte i shuguruar apo dorëzuar murg apo prift. Por kjo ishte tamam ajo që Martin Luteri dhe reformatoret e tjerë deklaruan dhe që çoi në përjashtimin e tyre nga Kisha dhe formimin e Kishës së Reformuar. Djalli – shkruan diku Luteri – fshihet prapa detajeve. Dhe detaji në këtë çështje është tek fjala Solavetëm. Sola Scriptura, vetëm Shkrimi është gjyqtari suprem që shqyrton e vendos për të gjitha polemikat e besimit, dekretet e kishës, opinionet e shkrimtarëve të lashtë, doktrinat e njerëzve dhe frymërat e ndryshme, të vetmet vendime të të cilit e mbi të cilat mund të mbështetemi.

     Sola Scriptura është kështu pra thirrja e e betejës e reformacionit, e Kishës protestante e ungjillore, ka qenë gjithmonë e duhet të jetë gjithmonë. Por si duket situata sot? Deklarata e Kembrixhit, dokumenti që ju kam shpërndarë sot, është një dokument shumë i rëndësishëm pasi është një riafrimin dhe shpallje e besimit e shkruar më 1996 nga Aleanca e Ungjillorëve Rrëfenjës, një grup protestantësh apo ungjillorësh nga Kisha Luteriane dhe të Reformuara e Presbiterianë si kjo e jona, të cilët ishin të shqetësuar për gjendjen e Kishës ungjillore kudo nëpër botë. Ajo thotë në parathënien e saj:

Sot, drita e Reformacionit është zbehur jashtë mase. Si pasojë, fjala “ungjillore” është bërë aq gjithëpërfshirëse sa e ka humbur kuptimin. Ne rrezikojmë që të humbim unitetin dhe identitetin që është arritur për shekuj të tërë.

Dhe më poshtë në kapitullin e parë:

Vetëm Shkrimi është standardi i pagabueshëm i jetës së kishës, por sot kisha ungjillore e ka ndarë Shkrimin nga funksioni i tij autoritar. Praktikisht, shpesh kisha udhëhiqet prej kulturës. Teknikat terapeutike, strategjitë e marketingut dhe ritmi i botës së argëtimit kanë më shumë autoritet mbi dëshirat e kishës, funksionimin dhe çfarë ofron sesa Fjala e Perëndisë. Pastorët kanë neglizhuar mbikëqyrjen e tyre të ligjshme mbi adhurimin, duke përfshirë edhe përmbajtjen doktrinore të himneve. Me braktisjen në praktikë të autoritetit biblik, me venitjen e të vërtetave të tij nga vetëdija e krishterë dhe humbjen e spikatjes së doktrinave biblike, integriteti, autoriteti moral dhe drejtimi i kishës sa vjen e zbrazet.

Në vend që të adoptojmë besimin e krishterë për të kënaqur nevojat e konsumatorëve, ne duhet të shpallim ligjin, si i vetmi standard i drejtësisë së vërtetë dhe ungjillin, si njoftimi i vetëm i të vërtetës shpëtuese. E vërteta biblike është e domosdoshme për njohjen, edukimin dhe disiplinën e kishës.

Shkrimi duhet të na shpjerë përtej nevojave tona të perceptuara, tek nevojat tona të mirëfillta dhe të çlirojë nga të shikuarit e vetes përmes pamjeve, klisheve, premtimeve e përparësive të kulturës masive. Vetëm në dritën e të vërtetës së Perëndisë e kuptojmë vetveten si duhet dhe shohim çfarë siguron Perëndia për nevojat tona. Prandaj, Bibla duhet të mësohet e predikohet e mësohet në kishë. Predikimet duhet të jenë shtjellime të Biblës e mësimeve të saj e jo shprehje të mendimeve të predikuesit ose ideve të epokës. Ne duhet të synojmë vetëm për atë që ka dhënë Perëndia.

Vepra e Frymës së Shenjtë në përvojën personale nuk mund të shkëputet nga Shkrimi. Fryma nuk flet në mënyra të pavarura nga Shkrimi. Pa Shkrimin ne nuk do ta kishim njohur kurrë hirin e Perëndisë në Krishtin. Prova e të vërtetës është Fjala biblike e jo përjetimet shpirtërore.

Ne pohojmë se Shkrimi i pagabueshëm është i vetmi burim i zbulesës së shkruar hyjnore dhe vetëm ai mund ta lidhë ndërgjegjen. Vetëm Bibla mëson gjithçka që është e nevojshme për shpëtimin tonë nga mëkati dhe është standardi me anë të të cilit duhet të vlerësohet e tërë sjellja e krishterë.

Krishti, kur iu lut Atit Perëndi tha: At, shenjtëroi ata përmes të vërtetës. Vetëm Fjala juaj është e vërtetë. Vetëm Fjala jote shenjtëron, Vetëm Fjala, Sola Scriptura. Perëndia i shenjtërisë dhe i Fjalës, na dhëntë vendosmërinë për të marrë fjalën, për ta studiuar atë, për ti ju nënshtruar asaj, për të gjetur shpëtim në të, për tu shenjtëruar përmes saj dhe për të bashkuar përmes saj dhe vetëm përmes saj. Amen.