Category: Artikuj

Psalmi 8 – Madhështia e Perëndisë dhe Dinjiteti i Njeriut

Psalmi që kemi përpara për studim është një psalm i veçantë për shumë arsye. Së pari, psalmi 8 është një psalm lavdërimi, dhe është i pari i këtij lloji në renditjen e psalmeve siç i kemi sot. Edhe pse në mënyrë direkte është një deklaratë e madhështisë ë Perëndisë mbi krijesën, aferat e njeriut dhe madje edhe historinë e shpëtimit, psalmi në mënyrë indirekte është gjithashtu një thirrje për adhurim. Së dyti, ky psalm është një psalm Kristologjik, pasi kjo është mënyra se si Krishti dhe autori i librit të Hebrenjve nën Frymën e Shenjtë e kanë interpretuar atë. Së treti, Psalmi 8 eksploron temën e shkëlqimit madhështor të Zotit dhe parëndësinë tonë përmes krahasimit me madhështinë e Perëndisë dhe përmasën e Krijimit. Së katërti, psalmi eksploron temën e dinjitetit të njeriut: Zoti na ka krijuar në shëmbëlltyrën e Tij dhe na kurorëzoi me mirësi dhe lavdi. Ai na ka caktuar rolin e sundimit mbi krijimin e Tij. Rrjedhimisht, i gjithë ky shtjellim faktual dhe meditim teologjik duhet të na udhëheqin në adhurim, pasi psalmi fillon dhe mbaron (Psalmi 8: 1, 9), me deklaratën adhuruese, “9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Derek Kidner komenton kështu[1]:

 Ky psalm është një shembull i patejkalueshëm se si duhet të jetë një himn, duke festuar ashtu siç bën lavdinë dhe hirin e Zotit, duke shtjelluar se kush Ai është dhe çfarë Ai ka bërë, dhe duke na lidhur ne dhe botën tonë me Të; të gjitha me një ekonomi mjeshtërore të fjalëve dhe me një frymë gëzimi dhe frike të përzier….

Gama e mendimit na merr jo vetëm “lart qiejve” (v.1) dhe përsëri në fillim (v.3, 6-8) por, siç vë në dukje Testamenti i Ri, deri në fund.

Për këtë arsye, e kam titulluar këtë mesazh, “Madhështia e Perëndisë dhe Dinjiteti i Njeriut”. Dinjiteti i njeriut ekziston dhe mund të shihet vetëm në kontekstin e ekzistencës s Perëndisë, të qëllimit të tij për krijimin e njeriut, dhe të veprës që Perëndia bën më vonë përmes Krishtit për njerëzimin.

Vini re që psalmi 8 hapet dhe mbyllet me Perëndinë dhe lavdinë e madhështinë e Tij. Në mes të psalmit flitet për ekzistencën, rolin dhe dinjitetin e njeriut. Kjo ka rëndësi teologjke. Ne mund të flasim për ekzistencën, rolin dhe vlerën e vërtetë të njeriut vetëm në kontekstin e Perëndisë dhe qëllimeve të Tij për krijesën përfshi njeriun. Vetëm brenda kllapave apo kontekstit të Perëndisë e qëllimeve të tij ka krijim, kuptim, shpëtim e shenjtërim personi dhe vepra e njeriut. Nëse Perëndia nuk ekziston, ekzistenca e njeriut nuk ka as kuptim, a dinjitet, e as shpëtim.

Rëndësia e jetës sonë mund të matet vetëm në dritën e marrëdhënies sonë me Perëndinë përmes Jezu Krishtit. Ndërsa kërkojmë të jetojmë në dritën e qëllimit të Zotit për jetën tonë, ne do të dimë se ku jemi në planin e Tij dhe jeta jonë do të marrë rëndësinë që kishte në qëllimin e Perëndisë.

Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë! 2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit. 3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, 4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh? 5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder. 6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! 7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, 8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit. 9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Titulli i psalmit në Hebraisht është “Kryemuzikantit në Gitith, një Psalm i Davidit”[2] Ne nuk e dimë kur Davidi e shkroi këtë psalm. Natyrisht, ajo buronte edhe meditimi i tij ndërsa vështronte lart në qiellin e natës dhe mrekullohej me pafundësinë e tij në krahasim me trupin e tij të vogël në këtë planet të madh që ne e quajmë planeti tokë. Ne nuk e dimë me siguri se çfarë do të thotë termi “Gitith” në titull. Por studiuesit e dinë se i referohet qytetit Gath të Filistinës, që do të thotë vreshtë. Kështu, ky psalm mund të jetë shkruar në kontekstin e korrjeve apo të grumbullimit të rrushit gjatë së cilës fermerët flinin jashtë nën qielline e zbuluar (siç është festa e Tabernakujve); mund të jetë shkruar në kohën e udhëtimit të Arkës së Besëlidhjes nga shtëpia e Obed-Edomit nga Gathi në Jeruzalem (2 Sam. 6:11); ose është një poezi e shkruar që të përkojë me një melodi apo instrument me këtë emër. Dy psalme të tjera (81, 84) gjithashtu e kanë termin në titujt e tyre. Në Psalmin 8, Davidi na nxit që të…

Adhurojmë Jehovën sepse emri i Tij është madhështor në të gjithë tokën dhe sepse Ai na ka kurorëzuar me mirësi me lavdi dhe madhështi.

 

I. Madhështia e Perëndisë

A. Zoti e ka shpalosur madhështinë e Tij në të gjithë tokën dhe në shkëlqimin e qiejve (8:1).

Të përpiqesh të komentosh vargun 1 është një lloj si të komentosh madhështinë e oqeanit. Fjalët më të bukura nuk mund ta përmbushin këtë mision. Thjesht duhet që të shkosh në breg dhe të përjetosh stuhinë në det për të kuptuar diçka nga madhështia e tij. Davidi fillon me thirrjen, “Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë”. Në Hebraisht, fraza “o Zot, Zoti ynë” është në fillim të fjalisë dhe kjo është e rëndësishme. Gjithçka fillon me Perëndinë. Asgjë nuk mund të ekzistojë nëse Perëndia nuk ekziston. Bibla nuk përpiqet që të provojë ekzistencën e Perëndisë, ajo thjesht fillon me Perëndinë. Kështu, historia e krijimit dhe e njerëzimit fillon me fjalët “Në fillim Perëndia…” (Zan. 1:1).

Në Shqip, përkthimi thotë “o Zot, Zoti ynë”, por në origjinal është Jehova Adonai.[3] Jehova është emri personal besëlidhës i Zotit. Ajo buron nga folja hebraike, “të jesh”. Perëndia ia zbuloi së pari Moisiut në ferrishtin që digjej kur tha (Eksodi 3:14), “Unë jam ai që jam.” Pra, Emri flet apo shpalos vet-qenien e përjetshme të Perëndisë. Ai është qenia e vetme e pakrijuar në univers! “Zoti” i dytë është hebraishtja “Adonai, që do të thotë Sovran. Ne mund të parafrazojmë thirrjen e Davidit kshtu, “O Perëndi i besëlidhjes së përjetshme, Perëndia ynë Sovran!” Megjithëse Zoti është i përjetshëm dhe krejtësisht i ndarë e mbi nga krijesën e Tij, Ai është zbret në nivelin dhe situatën tonë për të hyrë në një marrëdhënie besëlidhjeje të përjetshme me popullin e Tij, për t’u kujdesur për të me sovranitetin e Tij.

Fjala “i mrekullueshëm” duhet përkthyer “madhështor”, dhe është një term që nënkupton mbretërinë, një koncept të cilin ne si shqiptarë nuk e vlerësojmë siç duhet. Që një njeri i zakonshëm të vijë në praninë e një mbreti të ulur mbi fronin e tij është një moment i frikshëm dhe impresionues. Kur Izraeli festoi çlirimin e fuqishëm të Zotit në eksod, ata kënduan (Eksodi 15:11), Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?

Davidi thotë më tej se është emri i Zotit që është madhështor. Kur Bibla flet për Emrin e Perëndisë, ajo i referohet tërë bashkësisë së përsosmërisë së cilësive të Tij dhe fuqisë së veprave të Tij. Me fjalë të tjera, emri i Zotit i referohet se kush Ai është dhe se çfarë Ai ka bërë, siç na është zbuluar në Fjalën e Tij. David thotë gjithashtu se madhështia e emrit të Zotit shihet në të gjithë tokën dhe mbi qiejt. Kjo është e ngjashme me atë që Pali deklaron kur flet për racën njerëzore dhe për shtypjen që i bën së vërtetës në padrejtësi (Rom. 1:18). Ai thotë, “Sepse cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pashfajësueshëm” (Rom. 1:20).

Kur e konsiderojmë madhështinë e Zotit siç shihet në të gjithë tokën, unë mund të citoja shembuj të mjaftueshëm për t’ju mbajtur gjithë muajin. Vetëm në trupin e njeriut ekzistojnë prova të mjaftueshme për Krijuesin për të bindur këdo që është i gatshëm të mendojë rreth tij, dhe se ne nuk jemi produkt i shansit të rastësishëm gjatë një periudhe të gjatë kohore siç thotë evolucioni. Dhe ky është vetëm trupi i njeriut. Kur konsiderojmë ekuilibrin kompleks të botës natyrore, është thjesht absurde të mendosh që gjithçka erdhi nga rastësia + kohë pa Krijuesin!

B. Zoti ka shfaqur madhështinë dhe fuqinë e Tij në foshnje në dukje të dobëta, përmes të cilëve Ai triumfon mbi armiqtë e Tij (8: 2).

Davidi e di se përkundër të gjitha provave të lavdisë së Zotit në krijimin e Tij, ka akoma kundërshtarë që janë në fakt armiq dhe urryes të Perëndisë. Ata kanë një paragjykim apriori ndaj Zotit sepse duan ata vetë të jenë zotër të jetës së tyre. Ata e fillojnë logjikën e tyre duke supozuar apriori materializmin apo mos-ekzistencën e Perëndisë dhe kështu ata nuk kanë vend për Zotin në ekuacionet e tyre.

Si sillet Zoti me armiq të tillë? Davidi thotë se është “Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit” (8: 2). Çfarë po thotë Davidi? Xhon Kalvin kishte të drejtë kur shkroi mbi këtë varg se procesi i ngjizjes dhe lindjes së një foshnje shfaq shkëlqimin e Zotit aq qartë sa që edhe një foshnjë rrëzon përtokë tërbimin e armiqve të Perëndisë[4]. Kalvin nuk dinte asgjë në lidhje me proceset komplekse biologjike dhe kimike që ndodhin tek nëna dhe fëmija gjatë lindjes. Ai thjesht po vëzhgonte çudinë e një fëmije të porsalindur. Si mund të shikoni një bebe ende në gji dhe të thuash se ndodhi rastësisht, pa ndërhyrjen e Krijuesit?

Ky psalm, madje ky varg u citua nga Jehova i trupëzuar, nga vetë Zoti Jezus ditën që ne e njohim si e Diela e Palmave. Të Dielën e Palmës, ndërsa Jezusi hyri mbi gomari në Jeruzalem, dhe më pas shëroi të verbrit dhe të çalët në tempull, fëmijët e vegjël i panë këto gjëra dhe thirrën, “Hosana të Birit të Davidit” (Mat. 21:15). Armiqtë e Jezuit, krerët e priftërinjve dhe skribët u indinjuan nga ato që thoshin fëmijët dhe i kërkuan Jezusit që të mos e lejonte një gjë të tillë. Jezusi u përgjigj duke cituar këtë varg (21:16), «Po! A nuk keni lexuar kurrë: “Nga goja e të vegjëlve dhe e foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi”?». James Boice shpjegon:

Nëse këta drejtues religjiozë ishin tashmë të indinjuar, ata me siguri duhet të jenë bërë katatonikë. Sepse duke identifikuar lavdërimet e fëmijëve të Jeruzalemit me Psalmin 8, Jezui jo vetëm që i vërtetoi fjalët e tyre, duke i treguar se ishin të duhura. (Ai ishte, me të vërtetë, “biri i Davidit”, Mesia).Por, Ai gjithashtu interpretoi lavdërimet e tyre si lavdërime jo për një njeri të thjeshtë, që do të ishte thjesht një “bir i Davidit”, por i Perëndisë, pasi psalmi thotë që Perëndia ka caktuar lavdërime për veten e tij nga buzët e fëmijëve.[5]

Pra Krishti tha se Ai ishte vërtetë Jehova Adonai, dhe se i meritonte dhe i urdhëronte këto lavdërime nga buzët e fëmijëve. Kështu Zoti i kapërcen armiqtë e Tij me anë të mrekullisë së fëmijëve të vegjël dhe lavdërimeve që ata këndojnë në besimin e tyre të thjeshtë.

Pra, pika e parë dhe kryesore e Davidit është që ne duhet të adhurojmë Zotin sepse emri i Tij është madhështor në të gjithë tokën.

II. Dinjiteti i Njeriut

A. Krahasuar me pafundësinë e universit të krijuar të Zotit, ne janë të vegjël dhe të parëndësishëm (8: 3-4).

Davidi shikoi gjerësinë e qiellit të natës dhe pa hënën dhe yjet, veprat e gishtërinjve të Perëndisë. Ai i ka vendosur disi të gjitha ato në vendet e tyre të caktuara dhe orbitat. Atëherë Davidi mendon se sa i vogël njeriu është dhe mrekullohet (8:3-4), “Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, 4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?” Fjala hebraike e përdorur për “njeri” thekson njeriun në ekzistencën e tij të dobët njerëzore (shih Psa. 9:20; 90:3; 103:15). Rreshti i dytë që i referohej atij si “biri i njeriut” mund të nënkuptojë gjendjen tonë të rënë, pasi të gjithë djemtë e Adamit kanë lindur sipas ngjashmërisë dhe figurës së tij, në mëkat (Zanafilla 5:3). Në krahasim me gjerësinë e universit, cili është njeriu që Zoti mendon për ne, aq më pak se Ai kujdeset për ne, aq më pak që ne nuk e meritojmë që Ai të kujdeset për ne për shkak të mëkatit tonë.

B. Megjithatë, pavarësisht nga parëndësia jonë, Zoti na ka kurorëzuar me lavdi dhe madhështi dhe na ka caktuar të sundojmë mbi krijimin e Tij (8:5-8).

Davidi thotë, “5Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder. 6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! 7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, 8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.” Davidi po i referohet Zanafillës 1:26, ku Zoti krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij. Në të njëjtin kontekst, Perëndia i caktoi njeriut detyrën e qeverisjes mbi pjesën tjetër të krijimit, ashtu siç tregon këtu Davidi. Davidi mund të kishte thënë se ne jemi bërë vetëm pak më të lartë se kafshët e tjera, por përkundrazi, ai thotë se ne u bëmë pak më të ulët se Zoti për të pasqyruar çudinë që jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Tij.

Kuptohet, që ky dinjitet i pastër i racës njerëzore ishte i tillë para rënies. Njeriu sot, edhe pse ka ende thërrmija të shëmbëlltyrës së Perëndisë në qenien e tij, është e qartë se nuk sillet me dinjitetin me të cilin Perëndia e ka krijuar. Shpesh herë, njeriu sillet si kanibal, e madje më keq se sa nga shtazët e pyllit. Edhe ujqërit kujdesen për njëri-tjetrin, ndërsa dy shekujt e fundit të historisë së njerëzimit numërojnë kaq shumë gjenocid, se që njerëzimi e meriton që të konsiderohet më e ulët se bishat. E megjithatë, askund nuk pohohet guximshëm dinjiteti i njeriut sesa në këtë pasazh.

Por, diçka interesante ndodh me këtë varg në Dhiatën e Re. Kur Davidi shkroi “të ulët se Perëndia” ai përdori fjalën Elohim, që ne e përkthejmë Perëndia. Në disa raste të rralla, fjala elohim përdoret edhe për engjëjt. Kur disa përkthyes Judenj e përkthyen Dhiatën e Vjetër në Greqishten e Vjetër që njihet me emrin LXX, ata e përkthyen fjalën elohim me kuptimin më të radhë të saj. Kështu vargu thotë “Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se engjëjt”. Autori i Letrës drejtuar Hebrenjve, e merr këtë varg nga përkthimi LXX dhe e përdor ashtu për t’iu referuar Krishtit: “Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua” (2:7). Gjë që më sjell në pikën e fundit, që është:

C. Psalmi 8 përmbushet përfundimisht në Jezu Krishtin, i cili rikthen atë që humbi Adami.

Njerëzimi, që nga rënia ka arritur disa bëma të jashtëzakonshme për të fituar sundimin mbi krijimin. Mendoni për të gjitha mrekullitë e shkencës moderne, përfshirë përparimet në shkencën mjekësore. E megjithatë, të gjitha këto arritje janë njollosur nga mëkati. Njeriu krenar mburret me to dhe nuk e pranon që aftësia për të zbuluar fakte shkencore i është dhënë atij nga Zoti. Ashtu si ndërtuesit e Kullës së Babelit, njeriu krenar modern përdor përparimet e tij shkencore për të shpallur pavarësinë e tij nga Zoti, e madje beson se me disa përparime të tjera, ne mund të kurojmë të gjitha sëmundjet tona dhe të jetojmë përgjithmonë! Njerëzimi shpreson që një ditë mjekësia do tu japë pavdekësinë.

Por shkenca nuk mund të na pajtojë me Perëndinë dhe as të na bëjë të përjetshëm. Atëherë, çfarë bëri Perëndia? Ai dërgoi Birin e Tij, Birin e Njeriut, për të siguruar flijimin për mëkatet tona dhe për të përmbushur Psalmin 8 në një mënyrë që ne nuk mundemi. Hebrenjve 2 citon Psalmin 8:4-6 dhe më pas e zbaton atë tek Jezusi (Heb. 2:9): “por atë, që u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, Jezusin, e shikojmë të kurorëzuar me lavdi dhe nder, për shkak të vuajtjes së vdekjes, që me anë të hirit të Perëndisë për të gjithë njerëzit, të shijonte vdekjen.” E thënë ndryshe, njeriu si një krijesë pasqyron lavdinë e Perëndisë. Por Biri i njeriut, në të cilin gjendet modeli origjinal i të qenit njeriu i përsosur, e reflekton e shfaq këtë lavdi në një mënyrë e masë shumë më të përsosur.

Kështu që Davidi na thotë të adhurojmë Perëndinë sepse megjithëse jemi të vegjël dhe të parëndësishëm, Ai ka menduar me mirësi për ne dhe kujdeset për ne. Megjithëse e dëmtuam imazhin e Zotit përmes mëkatit, Perëndia e ka rikthyer atë në Jezu Krishtin. Tek Ai, ne përsëri jemi kurorëzuar me lavdi dhe madhështi. Dhe kështu, Davidi kthehet në origjinë, dhe e mbyll psalmin duke deklaruar përsëri madhështinë e lavdishme të Perëndisë duke thënë: “O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Përfundim

Si mund ta zbatojmë këtë psalm?

  • Së pari, ne duhet të përkulemi në frikë para Krijuesit tonë madhështor! Ky psalm duhet të na përulë dhe të na bëjë të çuditemi me Perëndinë hiri dhe dashuria për t’u kujdesur për ne duke dërguar Birin e Tij si Shpëtimtarin tonë.
  • Së dyti, Ne duhet ta trajtojmë secilin person me dinjitet dhe respekt si qenie të krijuara në imazhin e Perëndisë. Ne nuk mund të adhurojmë dhe lavdëromë madhështinë e Zotit ndërsa trajtojmë krijimin e Tij suprem me përbuzje. Racizmi, për shembull, nuk ka bazë në Krishterimin biblik.
  • Së treti, Kisha ungjillore në Shqipëri duhet të sensibilizohet kundër tmerreve të abortit, i cili trajton krijimin e mrekullueshëm të Zotit si plehra. Nga pikëpamja e konceptimit, i vetmi ndryshim midis bebes në barkun e nënës dhe ne sot është koha dhe ushqimi. Të vrasësh një fëmijë është të vrasësh një mrekulli dhe adhurues të Perëndisë.
  • Së katërti, ne duhet të qëndrojmë fort kundër absurditetit të evolucionit, i cili mohon se jemi krijuar në imazhin e Perëndisë. Evolucioni është thjesht një mënyrë për njerëzit mëkatarë të përpiqen të shmangin Krijuesin e tyre. Evolucioni është një nga mashtrimet më të mëdha shkencore që armiku i shpirtrave tanë i ka rrasur ndonjëherë racës njerëzore!
  • Së pesti, le ti t’i rrisim fëmijët tanë të duan, frikësohen dhe t’i shërbejnë Perëndisë si mënyra e vetme për të jetuar jetën me dinjitet. Kur ne jemi të lidhur me të drejtë me Perëndinë përmes Jezu Krishtit, jeta jonë merr një rëndësi të përjetshme.
  • Së gjashti, ne duhet të jemi administratorë të mirë të krijimit të Zotit. Ndërsa njeriu modern adhuron krijimin dhe jo Krijuesin, nuk duhet të lëmë pas dore faktin që ne jemi administratorët e krijimit të Zotit. Ne duhet të kundërshtojmë lakminë që shpesh shkatërron krijimin pa marrë parasysh bukurinë dhe ruajtjen e saj.
  • Së shtati, ne duhet të kënaqemi me çfarëdo pune që Zoti na jep për të bërë, duke e bërë atë me zemër si për Të. Siç theksonin Puritanët, çdo profesion i ligjshëm është një thirrje e dhënë nga Perëndia. Pavarësisht se çfarë bëni për të fituar jetesën, ju duhet ta bëni atë për Zotin (Kol. 3:22-24).
  • Së teti, ne duhet ta shijojmë Zotin përmes krijimit të Tij. Harrojeni qendrën tregtare ose filmat. Dilni në natyrë dhe kënaquni me Perëndinë përmes mrekullive që ai ka bërë!

 

Shënimet:

[1] Derek Kidner, Psalms 1-72: An Introduction and Commentary on Books I and II of the Psalms, The Tyndale Old Testament commentaries (London: Inter-Varsity Press, 1973), 65–66.

[2] `dwI)d”l. rAmðz>mi tyTiªGIh;-l[;( x;Ceîn:m.l

[3] WnynE©doa] hw”Ühy>

[4] Jean Calvin et al., Calvin’s Commentaries., vol. 5 (Grand Rapids, Mich.: Baker Books, 2009), 98.

[5] James Montgomery Boice, Psalms: An Expositional Commentary, vol. 1 (Baker Book House, 1998), 68.

 

Bibliografi

Boice, James Montgomery. Psalms: An Expositional Commentary. Vol. 1. 3 vols. Baker Book House, 1998.

Calvin, Jean, James Anderson, Henry Beveridge, Henry Beveridge, Charles William Bingham, John King, Thomas Myers, et al. Calvin’s Commentaries. Vol. 5. 22 vols. Grand Rapids, Mich.: Baker Books, 2009.

Kidner, Derek. Psalms 1-72: An Introduction and Commentary on Books I and II of the Psalms. The Tyndale Old Testament commentaries. London: Inter-Varsity Press, 1973.

Gjykimi i Hipokrizisë – Marku 11:12-14; 20-24

Mrekullia që kemi për studim sot është tepër e veçantë dhe e çuditshme. Çdo mrekulli tjetër të Zotit që kemi studiuar deri tani, ka qenë një mrekulli bekuese, një akt mirësie dhe mëshire. Por mrekullia e tharjes së fikut është një mrekulli për shkatërrim dhe dënim. Ka disa studiues që mendojnë se kjo ngjarje nuk është aspak një mrekulli por një shëmbëlltyrë. Por, sipas përkufizimit se çfarë është një mrekulli, të cilën e kemi studiuar në kapitullin e parë, edhe ky veprim i Jezusit duhet klasifikuar si një mrekulli. Në të njëjtën kohë, është e vërtetë që kjo mrekulli funksionon në të njëjtën kohë edhe si shëmbëlltyrë.

Lexo Marku 11:12-14 dhe 18-22. Konteksti i kësaj mrekullie është i rëndësishëm (shiko vargjet 1-11). Ngjarja ndodhi të hënën e javës në të cilën u kryqëzua Zoti, dhe të nesërmen e hyrjes së Tij triumfante në Jerusalem, që njihet sot si E Diela e Palmave. Në mbrëmjen e asaj dite ai u kthye që të kalonte natën në Betani, një qytezë e vogël rreth 3 kilometra jashtë Jerusalemit. Në Betani ai qëndronte në shtëpinë plot dashuri për Zotin të miqve të Tij, Llazarit, Marisë dhe Martës. Praktika e Zotit gjatë javës së fundit, javës në të cilën do të tradhëtohej, kryqëzohej dhe vdiste, praktika e Tij ishte që të vazhdonte shërbesën e Tij gjatë ditës në Jerusalem, dhe në darke të kthehej në Betani. Të hënën në mëngjes Zoti po rikthehej në Jerusalem nga Betania, dhe rrugës Ai i foli fikut fjalën e gjykimit.

  • A mendon se Jezusi ishte i uritur atë mëngjes?
  • Cili ishte praktika e tij e zakonshme në mëngjes (Marku 1:35?
  • Njeriu i uritur dëshiron ushqim. Po kështu edhe Zoti ynë në natyrën e tij njerëzore. Çfarë pa dhe dëshiroi Ai?
  • Përse mendoi Ai se pema duhej të kishte fryte?

Ishte pranverë. Pema e fikut në Palestinë në fillim lidhte kokrrat dhe më pas nxirrte gjethet. Në fillim të pranverës, përpara se sa të dilnin gjethet pra, pema e fikut palestinez prodhonte një fryt jeshil shumë të shijshëm. Kështu një pemë fiku me gjethe ishte deklarata dhe ftesa e fikut se ishte gati për tu shijuar. Por kur Jezusi shkoi tek kjo pemë, ai nuk pa asnjë fryt për të shijuar, pavarësisht pamjes së saj premtuese.

  • Çfarë bëri Zoti ynë më pas (v. 14).
  • Përse bëri ai këtë deklaratë kaq të rëndë dhe solemne?

Është e rëndësishme që të kuptojmë se arsyeja që Zoti Jezus bërë atë deklaratë mallkimi ndaj asaj peme fiku nuk kishte të bënte as me urinë e Tij dhe as me zhgënjimin e Tij se nuk gjeti frytë në atë pemë. Ka shumë që nuk e kuptojnë rëndësinë apo arsyen e këtij veprimi. Për disa ky është një mallkim i dhe një shkatërrim i panevojshëm i një peme plot jetë. Por mallkimi i fikut nuk ishte një manifestim i panevojshëm dhe bosh i fuqisë së Tij hyjnore. Mallkimi i fikut ishte një akt mësimi, një leksion i një të vërtetë të thellë dhe të rëndësishme frymore, i dhënë përmes një akti parabolik.

J.C. Ryle e shpjegon kështu: “Ne nuk kemi të drejtë që të kundërshtojmë veprimi dënues të Krishtit ndaj fikut, ashtu siç nuk kemi të drejtë të kundërshtojmë ofrimin e qengjit si sakrificë nën ligjin Mosaik. Në atë ofertë, jeta e pafajshme e një kafshe merrej çdo ditë. Por qëllimi i kurbanit të përditshëm që vendosej para syve të njerëzve si një flijim për mëkatin, e justifikonte marrjes e jetës së qengjit. Po në të njëjtën mënyrë justifikohet marrja e jetës së një peme nga Zoti ynë për të na dhënë mësimin e ungjillit.”

Mësimi që Zoti na dha është rreziku i madh që shtrihet mbi personin që nuk jep fryte edhe se deklaron se beson. Zoti ynë ua ka përsëritur shumë herë me insistim dishepujve se vërtetësia e rrëfimit të besimit na zbulohet nga frytet (Mateu 7:15-20; Gjoni 15:1-17). Zoti e mallkoi dhe e dënoi atë pemë fiku sepse nga jashtë ajo deklaronte që të ishte diçka që nuk ishte me të vërtetë.

Përmes kësaj shëmbëlltyre, Zoti ynë i deklaroi Izraelit se besimi i saj vetëm formal dhe pa asnjë fryt është një rrëfim bosh besimi. Ky ishte një mësim edhe për kishën e Judenjve, për skribët e farisenjtë dhe drejtuesit e tjerë të jetës religjioze të kombit. Besimtarët judenj të asaj kohe që e shikonin veten si pasardhës të besimit të Moisiut, ishin si ajo pema, ne dukje me jetë por në të vërtetë pa fryte. Ata kishin njohje, privilegje frymore, ndriçim dhe rrëfimi besimi. Kur Mesia erdhi në mes të popullit të Tij ai kishte çdo të drejtë që të priste e kërkonte prej tyre fryte që përkonin me deklaratën e tyre të besimit. Por Ai nuk gjeti në ata atë fryt që pritej prej tyre me tërë atë njohje dhe ndriçim frymor. Ata kishin Ligjin dhe Profetët që u deklaronin Krishtin. Ata kishin parë tërë veprat e Tij që provonin se Ai ishte Profeti i Madh që duhej të vinte. Por ai nuk e gjeti ndër ta këtë fryt të besimit. E njëjta gjë vlen edhe për ata sot që thonë se janë të Krishterë por nuk kanë as frytin e mësimit të shëndoshë biblik dhe as praktikën e një jete të shenjtë. Ata janë si ai fiku që mallkoi dhe shkatërroi Krishti: Ata janë hipokritë dhe fallso.

Por mësimi që Krishti kishte për dishepujt e Tij vazhdoi edhe në rrugën e tyre të kthimit nga Jerusalemi në Betani (v. 20).

  • Në çfarë gjendje ishte pema e fikut?
  • Nga e dimë se pema e fikut ishte plotësisht e tharë?

Le të vëmë re se pema e fikut nuk u dënua sepse ishte pa fryte, por sepse deklaronte me anë të gjetheve se kishte fryte kur në fakt ishte pa fryte. Ajo nuk u mallkua se ishte shterpë por sepse fallso dhe hipokrite. Sot ka shumë kombe, rajone gjeografike apo komunitete të mëdha njerëzish që deklarojnë se janë të Krishterë por nuk lidhin fryte. A nuk bëjmë të njëjtën gjë ehe ne si individë, si besimtarë? A nuk i deklarojmë Perëndisë, Kishës dhe botës se jemi besimtarë të vërtetë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër frytet tona janë të pakta, apo pak prej atyre që janë të krishterë kanë frytet e një shpëtimi të vërtetë. Format e jashtme, marrja e darkës së Zotit, aktivitet e kishës, pagëzimi janë vetëm gjethe të jashtme. Gjethet pa fryte ngelen vetëm gjethe, dhe pa frytin e ëmbël të shenjtërisë ato të sigurojmë vetëm dënimin dhe shkatërrimin prej Krishtit.

  • Përse është kaq e rëndësishme lidhja e fryteve të besimit, bindjes dhe shenjtërisë në jetën e të Krishterit?

Frytet e besimit, provat që vërtetojnë se dikush është me të vërtetë i shpëtuar, se po jeton jë jetë me Krishtin dhe në Krishtin janë pendimi ndaj Perëndisë dhe njeriut, besimi ndaj Jezus Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar, dhe një shenjtëri e vërtetë në jetën e përditshme. Le të kujtojmë se Frytet e Frymës i kemi të renditura tek Galatasve 5:22-23.

Le të lutemi që Perëndia të na bekojë me dëshirën për të lidhur fryte siç i kanë hije rrëfimit të besimit tonë. Le të mos e harrojmë kurrë thirrjen dhe aplikimin personal të kësaj mrekulli dhe mësimi të Zotit për ne vetë.

A përkujdeset Jezusi për ne? – Marku 4:35-41

Njeriu modern, pavarësisht se sa shumë flet e debaton për motin, apo për ngrohjen globale, dhe se çfarë duhet të bëjë për ta ndryshuar atë, nuk është aspak në gjendje që ti ndryshojë apo ti influencojë elementet atmosferike. Njerëzimi nuk mund të ndalojë tërmetet, tufanet, e madje as përmbytjet që vijnë si pasojë e reshjeve të rënda apo uraganeve të fuqishëm. Vetëm perëndia është në kontroll të elementeve të natyrës. Jezusi urdhëroi stuhinë dhe dallgët që të qetësoheshin dhe ato iu bindën atij. Mrekullitë e Jezusit mbi natyrën janë më të vështirat për skeptikët për tu besuar. Shumë janë gati që ti pranojnë mrekullitë e shërimeve siç i gjejmë në Bibël dhe mundohen që ti shpjegojnë ato si veprime të një njeriu që njeh mjekësinë. Por skeptikët nuk kanë shpjegime të mundshme për mrekullitë e Jezusit mbi natyrën. E vërteta biblike është se Jezusi e ka provuar veten e tij që të jetë Perëndia i trupëzuar, Profeti i Madh që duhej të Vinte nga Perëndia.

Lexo Marku 4:31-41. Kjo mrekulli gjendet gjithashtu edhe tek Mateu 8:23-27; dhe Luka 8:22-25. Jezusi u tha dishepujve, pas ringjalljes dhe pak para se të ngrihej lart (Mateu 28:16-20), “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.” Këtë lloj autoriteti hyjnor Jezusi e shpalosi gjatë tërë kohës që ai shërbeu në tokë, përmes mrekullive të Tij.

  • Cili është konteksti i kësaj mrekullie (v. 35-36)? Ishte mbrëmje. Jezusi kishte predikuar dhe shërbyer tërë ditën dhe tani ai ishte i lodhur. Kështu ai i urdhëroi dishepujt që të shkonin me të në anën tjetër të liqenit. Cili liqen ishte ky?

Mateu 8:23 thotë, “Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.” Fraza e fundit është e rëndësishme për këtë histori. Të jesh dishepull i Krishtit do të thotë që ta ndjekësh atë kudo dhe me çdo çmim.

  • Çmimi i dishepullimit për këta dishepuj gjendet tek Marku 4:37. Cili është ai?

Krahasoje këtë pasazh me ato tek Mateu dhe Luka.

Tek Mateu 8:23 termi që përdoret është seizmos që përkthehet tërmet ose një stuhi e dhunshme. Tek Marku 4:37 është termi lailaps– një stuhi e madhe, e shoqëruar me dallgë që shtriheshin mbi varkë. Ungjijtë pra na përshkruajnë një stuhi të rëndë, që po e hidhte varkën lart e poshtë dallgëve të larta, jashtë kontrollit të dishepujve, dhe në rrezik të plotë mbytjeje.

  • A nuk e kishin ndjekur plot bindje këta dishepuj Jezusin?

Këtu gjejmë një mësim të rëndësishëm për ne: fakti që ne i besojmë Krishtit dhe madje edhe mund të jemi në shërbim të Tij, nuk na përjashton nga stuhitë e jetës. Shpesh herë ne mendojmë së nëse i besojmë Jezusit, nëse i ofrojmë bindje të përsosur, nëse do të jemi në shërbim të tij, ne nuk do të prekemi nga tundimet e vështirësitë, trishtimet dhe sprovat e jetës. Por shpesh herë e kundërta është e vërtetë. Zoti Jezus na i mëson shumë prej mësimeve më të rëndësishme të jetës tonë në mes të stuhive të jetës.

  • Cili ishte reagimi i Jezuit ndaj gjithë këtij shqetësimi (v. 38)?
  • Si ishte e mundur që Jezusi mund të flinte në mes të stuhisë?

Sigurisht që Zoti Jezus në natyrën e Tij njerëzore ishte i lodhur nga dita e gjatë e shërbimit. Këtë ne nuk duhet ta harrojmë kur lexojmë Ungjijtë. Jezusi ishte plotësisht dhe vërtetësish njeri si edhe ne. Ai përjetonte dhimbje fizike, urinë, lodhjen, etjen, dobësinë. Zoti ynë e njeh mirë natyrën tonë njerëzore, dobësitë tona, nevojat tona. “ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë bashkë me dobësitë tona, por që u tundua në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat” (Heb. 4:15). Por mbi të gjitha, Zoti Jezus kishte besimin e patundur tek Ati i Tij i cili kujdesej për Birin.

  • Cili ishte qëndrimi i dishepujve kur panë që Jezusi ishte në gjumë?

Le të mos harrojmë se katër prej dishepujve ishin peshkatarë të vjetër dhe të regjur më stuhitë, dhe që e njihnin atë liqen shumë mirë.

  • Përse u frikësuan kaq shumë ata kur Zoti i tyre ishte aq afër?
  • A mendoni se ata vërtetë besuan se ishin në prag të vdekjes?
  • Lexo Marku 4:38. Cili është kuptimi i pyetjes “Mësues, a nuk shqetësohesh që ne po marrim fund?”
  • Përse menduan ata se Jezusi nuk po merakosej farë për ta?

Një mësim i dytë që nxjerrim nga kjo ngjarje është se nuk është aspak e pazakontë që ndjekësit e Zotit të përjetojnë ankth, frikë e pasiguri, kur ne ndjejnë pranë prezencën e Zotit Jezus. Vini re pyetjen e Tij tek Mateu 8:26, përpara se sa ai të qetësojë stuhinë. Jezusi nuk ishte aspak i shqetësuar për dallgët që dukeshin sikur po përpinin varkat.

  • Lexo Marku 4:39. Çfarë bën Zoti?

Të tre Ungjijtë përdorin termin “…qortoi”. Në mrekullitë e tjera Zoti qortoi demonët. Këtu ai qorton stuhinë dhe detin. Ndoshta ky element na zbulon se Zoti sovran pat lejuar të ligun ose demonët e tij për të ngritur këtë stuhi të madhe, me qëllim që Zoti të testonte dishepujt e Tij. Dy kapitujt e parë të Jobit tregojnë se si Perëndia lejon të ligun që të përdorë elementet e natyrës për të testuar popullin e Tij.

  • Çfarë ndodhi pasi Zoti qortoi stuhinë dhe i foli detit, “Pusho, fashitu!”?
  • Sa shpejt u qetësua stuhia?

Luka thotë se tërbimi i detit i qetësua plotësisht. Zakonisht, pasi një stuhi fashitet mbi det, deti vazhdon që të ketë dallgë. Por nën Fjalën e Zotit, të gjitha elementet e natyrës ranë në qetësi të plotë. Cfarë na mëson kjo gjë mbi fuqinë e Zotit tonë?

  • Sipas Markut 4:40 Zoti me sa duket u ka folur përsëri dishepujve “Pse jeni kaq frikacakë? Si nuk keni besim?”
  • Përse ua bën këtë pyetje Jezusi?
  • Si e treguan ata frikën e tyre?
  • Çfarë mësimi po u mësonte Zoti ynë dishepujve?
  • Çfarë mësimi besimi po na mëson Zoti ynë përmes këtij pasazhi të Biblës?
  • Si duhet që ti aplikosh këto mësime në jetën tënde?
  • Çfarë sfidash e testimesh po kalon në këto momente në jetën tënde?
  • Sa afër të është Zoti Jezus Krisht në këto momente? Apo më saktë, sa afër po i qëndro ti Zotit Jezus në këto momente?
  • Dishepujt “i zuri një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era, edhe deti?».” Përse duhej që ata të bënin këtë pyetje (v. 40)?
  • A po rritesh ti në njohjen e personit të Zotit që ti rrëfen se i beson? Si?

Na duhet që të pranojmë se besimi shpëtues që kemi nga Fryma e Shenjtë shpesh herë është e përzier me ndrojtje dhe me dobësi. Dishepujt e parë të Zotit tonë i shfaqën këto dobësi, dhe po kështu i shfaq edhe jeta e gjithsecilit prej nesh. Le të lutemi vazhdimisht, “Zot ma rrit besimin”. Ne nuk do ta njohim kurrë dobësinë e besimit tonë nëse Zoti nuk na vendos nën testet e orkestruara nga Ai vetë. Le të kujtojmë se sa shumë i bekuar është ai person që zbulon se besimi i tij i qëndron stuhive të jetës. Kemi plot arsye për të falënderuar Perëndinë dhe Zotin tonë Jezus Krishtin, i cili si Kryeprifti ynë besnik, është i mëshirshëm dhe zemërbutë ndaj nesh. Ai na njeh kështu siç jemi dhe nuk na flak tej për shkak të rënieve tona. Ai kujdeset dhe i mëshiron ata që ai i teston apo disiplinon, dhe i përgjigjet madje edhe lutjeve të frikacakëve me besim të dobët.

Tani unë shikoj – Marku 7:31-37

Shumë prej mrekullive të Zotit tonë ishin mrekulli shërimesh. Fuqia e Perëndisë në jetën e njeriut shihet shumë qartë dhe personalisht kur i verbëri shikon, leprozi pastrohet, i shurdhi dëgjon, dhe memeci flet.

Vetëm Zoti dhe profetët e Tij mund të shërojnë. Perëndia e bëri veten e Tij të njohur si “Shëruesi juaj” (Eksodi 15:26). Një prej emrave të Tij është Jehova Rophe-Jehova Shëruesi. Perëndia u tha Judenjve se Ai nuk do të hidhte mbi ta sëmundjet që do të hidhte mbi Egjiptianët sepse “…unë [jam] Jehova që të shëron”. Kështu, nëse Jezusi është Jehova i trupëzuar, Ai duhet që të vërtetojë që Ai është shëruesi hyjnor.

Vendodhja e kësaj mrekullie ishte rajoni i Dekapolisit. Rajoni quhej kështu sepse përbëhej nga dhjetë qytete të vogla (nga greqishtja, deka-dhjetë, polis-qytet), me shumicë popullsie greke të vendosur atje si kolonë.

  • Çfarë mrekullish të tjera kreu Jezusi në këtë rajon?

Shiko Marku 5:1-20. Pasi Jezusi shëroi të demonizuarin gadarenas, njerëzit i kërkuan Jezusit që të largohej nga krahina e tyre. Ata nuk e donin Zotin atje sepse ai po u shqetësonte situatën që ata kishin rregulluar për veten e tyre. Por tani, Me sa duket, Jezusi është përsëri i mirëpritur në atë rajon.

  • Përse ky ndryshim?
  • A është e mundur që ish-demoniaku të ketë dëshmuar kaq shumë për Jezusin në tërë atë rajon sa që njerëzit duan që ta kenë Jezusin përsëri në mesin e tyre?
  • Lexo Marku 7:31-37. A mendoni se Jezusi qëllimisht po udhëtonte përmes krahinës së Dekapolosit? Përse?
  • Shihni hartën që tregon krahinën e Dekapolosit. A ishte kjo krahinë jashtë trajektores së Tij apo i duhej që të kalonte nëpër të?
  • Kush solli të shurdhin dhe të memecin tek Jezusi?
  • Përse nuk erdhi ai vetë tek Jezusi?
  • Çfarë dëshironin ata që Jezusi të bënte?
  • Vendosja e duarve me lutje ishte praktika e Judenjve që lidhej me bekimin dhe shërimin. A mendoni se shokët e të sëmurit besonin se Jezusi ishte në gjendje që ta shëronte mikun e tyre?
  • Përse?
  • Përse e veçoi Jezusi këtë njeri nga turma?

Ndoshta Jezusi e veçoi të shurdhin nga turma që ai të fokusohej më mirë tek Jezusi. Jezusi ishte një njeri i përulur, dhe çdo gjë e bënte që Ati i tij të lavdërohej. Edhe pse ishin miqtë e tij ata që e sollën të shurdhin tek Jezusi, ai ishte plotësisht i gatshëm që ta ndiqte Jezusin edhe larg të njohurve të tij.

  • Si e shëroi Jezusi këtë njeri?

Zoti përdorte veprime simbolike për të nxitur besimin e këtij njeriu dhe për të zgjuar në të pritshmërinë e bekimit që do të merrte.

  • Përse Zoti ynë ngriti sytë nga qielli?
  • Përse Jezusi vazhdimisht lavdëronte Atin në çdo gjë që bënte Ai?

Kjo tregonte se çdo gjë që Jezusi bënte, e realizonte përmes fuqisë hyjnore nga lart.

  • A ishte e rëndësishme që i shurdhi të dëgjonte Jezusin të shqiptonte fjalën «Effatha»?
  • Sa shpejt ndodhi shërimi, pasi Jezusi tha fjalën «Hapu!»?

Vini re që në vargun 35, i shëruari filloi të fliste rrjedhshëm.

  • Çfarë detajesh në vargun 36 na tregon se turma ishte plotësisht e habitur me këtë ngjarje dhe se ata po i viheshin Jezusit dhe të shëruarit nga prapa?

Kjo mrekulli është një portretizim i bukur i shërimit fizik por edhe frymor. Kujtoni që qëllimi i studimit të mrekullive të Zotit tonë është zbulimi i kuptimit frymor të tyre. Cilët persona janë frymërisht të shurdhët dhe memecë? I tërë njerëzimi është frymërisht shurdh dhe memec përpara Perëndisë. (Çdo të thotë kjo gjë? Jep shembuj!) Ngjallja frymore ndodh vetëm pasi Perëndia lëviz brenda frymës së njeriut. Kujto se sa shpesh Zoti thoshte, “Ai që ka veshë, le të dëgjojë”. Kjo është një deklaratë absurde nëse Zoti nuk po i referohej një të vërtetë të thellë frymore. Jezusi nuk po fliste për të dëgjuarit fizik por dëgjimit frymor që është dëgjimi i vërtetë, aftësia për të dëgjuar më veshin e brendshëm të shpirtit. NË këtë botë, ne kemi nevojë që Perëndia të na hapë veshët e zemrës me qëllim që ne të mund të dëgjojmë dhe bëjmë Fjalën e Jetës.

Tregoju të tjerëve në grup, se çfarë provash ke ti, që i ke veshët frymor të hapura nga Fryma e Shenjtë: Memeci i shëruar filloi menjëherë që të flasë rrjedhshëm. Ai nuk po u tregonte të tjerëve mbi motin apo ngjarjet politike të javës. Ai po u fliste atyre për Zotin dhe Shëruesin e tij. E njëjta gjë qëndron edhe për ne. Nëse eshët dhe goja jonë është vërtetë e shëruar frymërisht nga Zoti ynë, atëherë ne do të kuptojmë të vërtetat e thella dhe hyjnore mbi personin dhe veprën e Zotit tonë, Profetit të madh të Perëndisë. Po kështu, goja jonë është hapur që tu tregojë të tjerëve për Krishtin.

Tek vargu 36 lexojmë se Zoti u tha turmave që të mos i tregonin askujt mbi këtë mrekulli që ata kishin parë të bërë prej Tij.

  • Përse u dha Ai këtë urdhër në atë kohë?

Ndoshta sepse Atij nuk i kishin ngelur shumë ditë, armiqtë e Tij po kërkonin shkak për ta vrarë, dhe Ai kishte ende shumë punë për të bërë përpara se sa të vinte koha e kryqit. Lajmi i mrekullisë dhe i vendodhjes së tij në rajon mund të shkaktonte arrestimin e tij të parakohshëm. Por sa më shumë Jezusi u thoshte turmave që të mos flisnin, aq më shumë ato dëshmoni me zell për mrekullinë që kishin parë.

  • Vini re dëshminë e mrekullueshme që jepnin ata që kishin parë me sytë e tyre këtë mrekulli (v. 37):

Nëse kjo dëshmi dilte nga gojët e paganëve helenë të asaj kohe, aq më tepër kjo dëshmi duhet të dalë me më shumë zell nga goja jonë.

  • Për çfarë e kishin fjalën ata kur thanë “Ai çdo gjë e ka bërë mirë”?
  • Çfarë duhet të themi ne sot si besimtarë të Krishterë?

J.D. Ryle shkroi, “Zoti ynë i ka bërë të gjitha gjërat mirë: – duke na nxjerrë nga errësira në dritë të mrekullueshme, – kur na përul për të na mësuar dobësinë, fajin dhe marrëzinë tonë; – në heqjen e idhujve tanë, dhe zgjedhjen e të gjitha pjesëve tona, – në vendosjen e aty ku ne jemi, dhe duke na dhënë atë që kemi, – sa mirë është bërë çdo gjë.”

Kjo mrekulli, ashtu siç edhe çdo mrekulli tjetër e Zotit, është prove e hyjnisë së Tij dhe e identitetit të Tij si Mesia i Perëndisë: “Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve; 6 atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar” (Isaia 35:5-6). Zoti është me të vërtetë shëruesi hyjnor dhe e gjithë lavdia duhet ti shkojë Atij. A keni ju të afërm apo miq që janë të shurdhët frymërisht? Dëshmia e të verbrit ishte: “Unë isha i verbër por tani shijoj”. Të gjithë ne që e deklarojmë Jezusin si Zotin tonë duhet ta kemi një dëshmi të tillë. “Unë dikur isha shpirtërisht i verbër, i shurdhët dhe memec, por Zoti nga mëshira e Tij e madhe për mua, vendosi Frymën e shenjtë në mua që të më hapë sy e veshë që ta shikoj dhe besoj Atë, dhe më hapi gojën që ta adhuroj atë”. Le të lutemi që Perëndia do të na forcojë e nxisë të gjithë ne që ti bëjmë të njohur kombit tonë veprat e Tij të mrekullueshme për ne.

Peshkatari Hyjnor – Luka 5:1-11

Shpesh herë ne e përdorim titullin “Zot” kur flasim për Jezus Krishtin pa e kuptuar tërë thellësinë e kuptimit që përmban ky titull. Jezus Krishti është vërtetë Zoti i gjithçkaje. Ai është bashkë-Krijuesi i universit. Në këtë studim do të shikojmë se si Ai është Zoti sovran mbi tërë krijesën. Ai që është Zot mbi tërë natyrën është Perëndia ynë. Shumë prej mrekullive të Krishtit u bënë mbi sferën e natyrës për të treguar se vullneti i Krishtit dhe mënyrat e forca e Tij është më e madhe se sa ligjet e natyrës që qeverisin botën. Çfarë janë mrekullitë? Mrekullitë janë vepra të fuqishme të bëra nga sfera hyjnore për të qenë prova e vërtetësisë së atij që i deklaron ato. Mrekullia që përshkruhet tek Luka 5:1-11 njihet si mbledhja e parë e peshqve.

Lexo Ungjillin sipas Lukës 5:1-11. Ndërsa lexon vë re mrekullinë që përshkruan dhe personat e përfshirë në të. Mrekullia ka kuptim e rëndësi akoma dhe më të madhe kur kujtojmë se Krishti po komunikon me njerëz në fushën e tyre të profesionit. Kur Ai na jep një mësim biblik, Ai gjithnjë vjen e na merr aty jemi dhe na tërheq e drejton në një të vërtetë më të lartë.

  1. Cili është konteksti i kësaj mrekullie?
  2. Çfarë mrekullish të tjera kanë ndodhur rreth këtij liqeni?
  3. Çfarë detajesh në tekst të bën të mendosh se Jezusi ishte një predikues i njohur?
  4. Përse turmat e ndoqën Jezusin? Për ato që thoshte apo për ato që bënte?
  5. Përse e ndjek ti Krishtin? Për ato që ai bën për ty? Apo për atë që Ai është, Zoti i Lavdisë?
  6. Si u largua Jezusi nga turmat në mënyrë që të predikonte? (v. 2-3)
  7. Nga varka e kujt predikoi Jezusi?
  8. Cili ishte emri tjetër i Simonit?
  9. Çfarë kërkoi Jezusi që të bënte Simoni?

Në kohët antike, praktika ishte që mësuesi rrinte ulur kur fliste, ndërsa dëgjuesit rrinin në këmbë. Sot, ai që flet rri në këmbë ndërsa dëgjuesit rrinë ulur.

Në këtë pasazh nuk na thuhet se çfarë Jezusi tha, pasi nuk është ky qëllimi i pasazhit.

  1. Çfarë bëri Jezusi për të vërtetuar autoritetin e mesazhit të Tij?

Kujtoni që mrekullitë kanë për qëllim që të vërtetojnë mesazhin e folësit. Mrekullitë gjithashtu kishin për qëllim që të vërtetonin edhe autoritetin hyjnor të profetit që fliste. Profetët ishin njerëz që deklaruar vullnetin e Perëndisë për popullin e Tij. Në Dhiatën e Vjetër ata njiheshim me emrin profetë, ndërsa në Dhiatën e Re me emrin Apostuj apo Ungjilltarë.

  1. Çfarë i kërkoi Jezusi që të bënte Pjetri?

Peshkatarët e Galilesë kishin më shumë sukses kur peshkonin natën. Jezusi i urdhëroi ata që të hidhnin rrjetat thellë kur peshkimi më i mirë në Galile ndodhte në sipërfaqen e liqenit.

  1. Pra Jezusi urdhëroi që të bënin dy veprime që shkonin kundra praktikës profesionale të peshkatarëve të Galilesë. Përse?
  2. Me sa gatishmëri iu bind Pjetri urdhrit të Jezusit? A hezitoi Pjetri?
  3. Cili ishte rezultati i bindjes së Pjetrit?
  4. Rrjeta e peshkatarëve filli që të çahej nga pesha. A u habitën Pjetri dhe peshkatarët e tjerë nga bollëku i gjuetisë?
  5. Çfarë na bën të mendojmë se kjo ishte gjuetia më e mirë që kishin pasur ndonjë herë?

Nga kjo mrekulli ne mësojmë se Jezusi sundon mbi natyrën (shiko Psalmi 8). Kjo mrekulli gjithashtu është prove e gjithë-njohjes së Jezusit, dhe se njohja e tij nuk ishte aksidentale por e vërtetë dhe buronte nga vetvetja. Sa ngushëlluese është për ne që të dimë se Shpëtimtari ynë njeh çdo detaj të jetës tonë dhe të botës që na rrethon, dhe se Ai është i gjithë-pushtetshëm, dhe se madje Ai mund ti përdorë ligjet e natyrës për të mirën tonë (Rom. 8:28).

  1. Cili ishte reagimi i Pjetrit ndaj kësaj mrekullie?
  2. A mendoni se e kuptojmë plotësisht rëndësinë e mrekullisë që Pjetri pa me sytë e Tij?
  3. Kur Pjetri kuptoi rëndësinë e asaj që kishte ndodhur, ai ra në gjunj dhe tha, “Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar”. Pjetri kuptoi gjëmën e madhe të mëkatit të tij. Ai e dinte se nuk mund të qëndronte në prezencën e Zotit të Shenjtë. Përse u ndje Pjetri kështu?
  4. A nuk i kishte qëndruar ai besnik urdhrit të Zotit?

Pjetri ishte i pushtuar nga fakti se ishte në prezencën e Perëndisë së Gjallë. A e keni përjetuar ndonjë herë këtë ndjenjë? Sa gjë e mirë është që ne ta përjetojmë shpesh barrën e natyrës tonë mëkatare, dhe të vijmë me mahnitje dhe përulësi të thellë në prezencën e Zotit, Perëndisë së Gjithëpushtetshëm.

  1. Kush e ndihmoi Pjetrin që të tërhiqte rrjetën (v. 10)?
  2. Cfarë do të bëheshim më pas këta burra?
  3. Përse Jezus i tha Pjetrit, “Mos u frikëso?”
  4. Çfarë do të ishte detyra e Pjetrit më pas?

Vini re rrëfimet paralele të kësaj historie tek Mateu 4:18-20 dhe Marku 1:1-20.

  1. Si e përgatiti Pjetrin kjo histori për të qenë më pas një peshkatar besnik njerëzish?
  2. Nëse një peshkatar njerëzish është me të vërtetë i thirrur nga Krishti për këtë qëllim, cili do të jetë rezultati?
  3. Sa i madh do të ishte “gjahu” i Pjetrit?
  4. Në pasazhet paralele gjemë gjithashtu edhe thirrjen ndaj Jakobit dhe Gjonit. Çfarë bën ata pasi i nxorën varkat në breg?
  5. Çfarë do të thoshte për ata që të linin gjithçka dhe të ndiqnin Jezusin?
  6. A nuk është kjo thirrja e ungjillit? A nuk duhet të braktisim edhe ne gjithçka për të ndjekur Krishtin?
  7. Si i përgatiti kjo mrekulli këta dishepuj dhe apostuj të ardhshëm për shërbesën e tyre apostolike më vinë?
  8. A është Perëndia i kufizuar në ato çfarë Ai ka dëshirë që të bëjë?
  9. Me një Perëndia të tillë madhështor për nga fuqia e shenjtëria, a nuk duhet që edhe ne si edhe Pjetri të thërrasim çdo ditë, “Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar”? A nuk është një ngushëllime i madh të dimë se ky Perëndi i shenjtë është një Perëndi që na i fal mëkatet tona?
  10. Çfarë mësimesh të tjera praktike keni mësuar nga ky pasazh?
  11. Përse është e rëndësishme që ti bindemi vullnetit të Perëndisë?
  12. Ku na është zbuluar vullneti i Perëndisë?
  13. A nuk na është dhënë edhe ne përgjegjësia për të qenë peshkatarë njerëzish?
  14. (Krahasoje me Dërgesën e Madhe tek Mateu 28:18-20). Le të meditojmë mbi madhështinë e Krishtit të Ringjallur, i cili është i gjithëdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm. Si duhet ta ndryshojë kjo mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë?

Fitore mbi Satanin – Marku 5:1-20

Nga të gjitha mrekullitë e Zotit tonë, ato më të mistershmet për ne janë ato që kishin të bënin me mbretërinë e fuqive të errësirës. Për shumë, rrëfimet biblike të Satanit dhe demonëve janë si përralla fëmijësh. Por Fjala e Perëndisë, Bibla, i jep këto rrëfime si histori dhe jo përralla. Do të mësojmë nga mrekullia që kemi për studim në këtë kapitull, realitetin e djallit dhe të dominimit të tij mbi ata që ai ka nën sundim. Deri tani kemi studiuar se si Zoti qetësoi stuhitë, bëri ujin në verë, shumëfishoi bukët dhe peshqit. Por ne e kemi parë Atë që të punojë edhe në sfera të tjera, si në shërimet fizike. Zoti shëroi paralitikun, bëri të verbrin të shikojë dhe pastroi leprozin.

Mrekullia që na rrëfehet tek Marku 5:1-20 është një ekzorcizëm. Kur Jezusi largon demonë, Ai shpalos fuqinë e Tij mbi tërë krijesën. Pra, madje edhe engjëjt e rënë janë nën varësinë dhe pushtetin e autoritetit të Tij. Kritikët mosbesues të Biblës i kanë gjykuar demoniakët (personat e demonizuar) e Biblës si thjesht persona të çmendur, epileptik, apo melankolik. Por Zoti ynë i trajton këto qenie frymore brenda njerëzve si persona të veçantë prej njerëzve që kanë marrë nën kontroll. Le të mos e marrim lehtësisht djallin dhe ushtrinë e tij. Le të jemi gjithnjë të vetëdijshëm që Satani është një person real dhe se ai ka për qëllim që të sjellë shkatërrim e mëkat përmes veprave të tij të liga.

Le të lexojmë Marku 5:1-20 (Mateu 8:28-34; Luka 8:26-39).

  1. Cili është konteksti i kësaj mrekullie?
  2. Ku ndodhet krahina e Gadarenasve?
  3. Kë takoi menjëherë Zoti Jezus sapo Ai zbriti nga varka?
  4. Ku jetonte ky person?
  5. Çfarë na thuhet për demonët që e kishin pushtuar atë?
  6. Çfarë mësojmë nga rrëfimet paralele nga Mateu dhe Luka mbi pushtimin e këtij njeriu?
  7. Nga çfarë është i pushtuar ky njeri?

Fakti që Mateu thotë se kishte dy të demonizuar nuk është një kontradiktë me rrëfimin e Markut dhe Lukës. Marku dhe Luka preferojnë që të fokusohen në personazhin kryesor të kësaj historie.

Djalli është një frymë e padukshme që vërtitet përreth nesh, një person me fuqi të madhe dhe me ligësi të pashtershme kundra shpirtrave të njerëzve. Që pas krijimit të njeriut ai synon të bëjë të keqen ndaj njerëzve dhe ai kurrë nuk do të reshtë nga përpjekja dhe praktikimi i ligësisë deri sa Zoti të kthehet përsëri. Gjatë kohës që Zoti ynë shërbente fizikisht në tokë, duket qartë që aktiviteti i Satanit ishte i përqendruar në rajonin ku ndodhej Zoti, dhe se po punonte me fuqi të përqendruar mbi trupat dhe shpirtrat e disa njerëzve të caktuar. Edhe në kohën tonë ndodhin aktivitete të tilla, edhe pse jo me të njëjtin intensitet dhe përqendrim në çdo vend dhe në çdo kohë si në kohën e Krishtit në Palestinë. Le të mësojmë e kuptojmë se djalli ekziston, se ai është i përfshirë në afaret njerëzore, dhe se ai ushtron një influencë të fuqishme në shoqërinë njerëzore.

  1. Çfarë mësojmë tjetër nga vargjet 3-5 mbi karakterin e njeriut të demonizuar?
  2. Sigurisht që ky nuk ishte një person me të cilin do të preferonim që të shoqëroheshim. Përse ky njeri vrapon për tek Jezusi gjunjëzohet para Tij?
  3. Cila është dëshmia që ky njeri jep për Zotin?
  4. A ishte dëshmia e tij e vërtetë?
  5. Çfarë na tregon ky detaj mbi njohurinë që kanë demonët? (Shiko Jakobin 2:19)
  6. Çfarë na bën të besojmë se ata e dinin se Perëndia është më i fuqishëm se djalli?
  7. Si mund ti torturojë Perëndia demonët?

(Lexo rrëfimet paralele për më shumë shpjegim. Tek Mateu 8:29 fraza “para kohe” tregon se demonët e dinë se ka një ditë gjykimi përfundimtar, dhe se pas asaj dite ata do të humbasin përfundimisht dhe përjetësisht lirinë që të shëtisin nëpër tokë, dhe se po atë ditë fillon dënimi i tyre i përjetshëm dhe i tmerrshëm. Këtë na e konfirmon edhe Luka 8:31).

  1. Çfarë urdhri u jep Jezusi demonëve, sipas vargut 8?
  2. Çfarë na tregon kjo për fuqinë dhe autoritetin e Zotit tonë mbi fuqitë e errësirës?
  3. Kujt ia drejtoi Zoti pyetjen, “Si e ke emrin?”
  4. Cila ishte përgjigja e demonëve?
  5. Një legjion ishte një divizion Romak që kishte 6000 ushtarë. Ku dëshirojnë që të shkojnë demonët (v. 11-12)? Përse?

Është e rëndësishme që të vëmë re se demonët e dinin se nuk mund të futeshin në tufën e derrave pa lejen e Krishtit. Me lejen e Tij ata u larguan nga njeriu dhe u futën tek kafshët. Një tufë prej 2000 derrash u sulën drejt greminës dhe ranë dhe u mbytën në det.

Sa ngushëlluese është të dish se “Ju jeni prej Perëndisë, o djema, dhe i keni mundur ata, sepse ai në ju është më i madh se ai në botë” (1 Gjonit 4:4). Zoti Jezus tashmë ka triumfua mbi Satanin (Hebrenjve 2:14-15). Ai triumfon mbi të ligun në zemrat e besimtarëve, dhe Ai lutet për ta që besimi i tyre të mos bie kurrë.

Dikush mund të bëjë pyetjen, “Përse Jezusi lejoi që demonët të hynin në derrat dhe që ata pastaj të mbyteshin në det? A nuk ishte kjo një dëmtim i panevojshëm pasurie?” A nuk ishte kjo gjë e gjallë e çuar dëm më kot? Në fakt Jezusi po u mësonte dishepujve një mësim të rëndësishëm. Rojtarët e derrave po vepronin me egoizëm të madh dhe nuk po mendonin për të demonizuarin? Ata preferonin që të mbanin derrat e tyre se sa të shikonin të demonizuarin të shpëtuar nga dominimi i Satanit. Sa të shtrembëruar ishin vlerat e këtyre njerëzve!

  1. Çfarë vunë re njerëzit kur erdhën për të parë këtë ngjarje (v. 14-15)? Shiko pasazhet paralele tek Luka 8, vargu 35.
  2. Sa kuptimplotë është fakti që njeriu i shpëtuar nga demonizimi, tani rrinte i ulur qetësisht tek këmbët e Krishtit, i veshur dhe me mendjen në vend?
  3. Përse u frikësuan ata? Nga kush kishin frikë ata?
  4. Si reaguan ata ndaj mrekullisë së madhe që ishte bërë para syve të tyre? (v. 17)
  5. A nuk duhej që njerëzit ta kishin uruar të shpëtuarin që qëndronte tek këmbët e Jezusit? A nuk duhej që ata të sillnin gjithashtu të sëmurët e tyre tek Jezusi për shërim gjithashtu? A nuk duhej që turma ti kishte kërkuar Jezusit që të qëndronte më gjatë në krahinën e tyre për ti bekuar ata më shumë?
  6. Përse ata i kërkuan Jezusit që të largohej nga krahina e tyre?
  7. A i kuptuan këta njerëz, se cilat do të ishin ndryshimet dhe pasojat e jetës së tyre të përditshme nëse Jezusi do të qëndronte me ta?
  8. Çfarë ndryshimesh do të bënim ne në jetën tonë nëse Jezusi do të ishte fizikisht prezent me ne?
  9. Sipas vargut 18, cila ishte dëshira e natyrshme e njeriut i cili kishte qenë i demonizuar?
  10. Vini re se sa specifike është urdhri i Zotit tonë.
  11. Ku duhet që të dëshmojë ky njeri për ndryshimin e mrekullueshëm që ka pësuar në jetën e tij?

A nuk ka instrukton ky pasazh, që përgjegjësia parësore është që tu dëshmojmë për Jezusin atyre që kemi afër në jetën tonë, dhe pastaj kujtdo tjetër në botë? Shiko pasazhin paralel tek Luka 8. Dëshmia jonë dhe mesazhi ynë i ungjillëzimit gjithnjë duhet që të përfshijë gjerat madhështore që Zoti ynë ka bërë për ne, dhe se si Ai ka pasur hir dhe mëshirë për ne.

Marku thotë se urdhri që mori i shpëtuari është që të shkonte dhe të tregonte se çfarë Zoti kishte bërë për atë vetë. Luka thotë se ai u urdhërua që të shkonte dhe të deklaronte se sa shumë Perëndia pat bërë për të. Vini re nga Marku 5:20 se “ai shkoi dhe nisi të shpallë nëpër Dekapoli për sa i kishte bërë Jezusi”. A nuk kupton kjo se i demoniaku i shpëtuar e dinte fare mirë se Jezusi ishte Zoti Perëndia që e kishte shpëtuar?

Çfarë kemi mësuar nga ky pasazh mbi Satanin dhe fuqinë e tij?

Fuqia e Perëndisë mund të shihet qartë. Ai vazhdon të triumfojë edhe sot mbi ligësinë dhe fuqitë e errësirës ashtu siç edhe bëri dymijë vite më parë. J.C. Ryle komenton, “Sa do e mrekullueshme ishte ndryshimi që ndodhi në gjendjen e këtij ish-demoniaku kur u shërua, ky ndryshim nuk është aspak më i mrekullueshëm se ndryshimi që ndodh mbi të gjithë ata që kanë lindur përsëri dhe u kthyen nga fuqia e Satanit te Perëndia. Kurrë nuk është një njeri në mendjen e tij të duhur derisa ai të kthehet në besimin tek Krishti, dhe kurrë nuk është ai njeri në vendin e duhur derisa të ulet me anë të besimit në këmbët e Jezusit ose të vishet siç duhet derisa të ketë veshur Zotin Jezu Krisht”.

Konvertimi apo rilindja frymore nuk është gjë tjetër veç veprimi i Perëndisë që e shpëton një person nga dominimi i Satanit. Ky është rikthimi i njeriut në mendjen e duhur duke ia shpenguar shpirtin e tij nga Djalli. Nëse Krishti na ka bërë të lirë, atëherë ne jemi të lirë që të ulemi tek këmbët e Tij çdo ditë. Perëndia na ndihmoftë që ta vërtetojmë se jemi shërbëtorët e Perëndisë dhe jo skllevërit e të ligut. Le të dëgjojmë zërin e Mjeshtrit tonë dhe ti bindemi urdhrave të Tij.

 

Jezusi e Preku Atë-Mateu 8:1-4

Skeptiku dhe jobesimtari thonë se mrekullitë nuk ekzistojnë. Kjo zbulon se çfarë ata besojnë mbi personin e Perëndisë, sovranitetin e Tij, si dhe këndvështrimin e tyre të pasaktë ndaj Shkrimit të Shentjë. Gjatë një mrekullie, Perëndia në Sovranitetin e Tij, përmbys apo shkon kundra atyre që ne i quajmë ligjet e natyrës për të shpalosur fuqinë e tij. Mrekullitë janë shenja të fuqishme. Tek Hebrenjve 2:3-4, Perëndia na jep arsyetimin e tij për mrekullitë: “Si do të shpëtojmë ne, në qoftë se e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh, i cili, si u shpall në fillim nëpërmjet Zotit, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan, 4 ndërsa Perëndia bashkëdëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish dhe me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me të ndara dhuntish të Frymës së Shenjtë, sipas vullnetit të tij?”  Pra, mrekullitë janë në të vërtetë instrumente dëshmuese për të vërtetuar fjalën e Shpëtimit të folur nga Zoti dhe Apostujt e Tij. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ne jemi në gjendje të shohim brenda çdo mrekullie një mësim shpirtëror që shkon paralelisht me fjalën e folur.

Lexo Ungjillin sipas Mateut 8:1-4 (Marku 1:40-45; Luka 5:12-16). Kjo është mrekullia e shërimit të një lebrozi. Lebra në kohët biblike ishte një sëmundje e shëmtuar. Jo vetëm që lebrozin e përjashtonin nga shoqëria njerëzore, nga familja e shoqëria, por nga pikëpamja ceremoniale ai konsiderohej të ishte i papastër nga ligjet fetare. Që do të thotë se ai nuk mund të adhuronte më në Tempull apo në sinagogë. Lebra në kohët biblike ishte në të vërtetë dënimi me një vdekje të ngadaltë.  Në atë kohë nuk ekzistonte asnjë kurë për shërimin me përjashtim të shërimit që mund të të jepte nga lart vetë Perëndia. Rabinjtë e konsideronin shërimin e lebrës po aq të vështirë sa edhe ngjallja e të vdekurve.

Në këtë sëmundje, lëkura humbet ngjyrën e saj origjinale dhe bëhet e trashë dhe me luspa. Në Greqisht, fjala lebër përkthehet luspa. Ndërsa sëmundja përparon, pikat e trasha bëhen plagë të pista dhe ulçera të hapura për shkak të furnizimit të dobët me gjak. Ndërsa sëmundja përparon,  i sëmuri nuk i kontrollon dot më gishtat dhe më pas edhe gjymtyrët. Në atë kohë, ligji e kërkonte që lebrozët të thërrisnin me zë të lartë se po kalonin rrugës për t’i paralajmëruar të tjerët për gjendjen e tyre (Levetiku). Lebra ishte sëmundja më frikësuese nga të gjitha sëmundjet e tjera të asaj kohe, dhe në një kuptim frymor, lebra mjaft të saktë simbolizon dhe përshkruan gjendjen e të gjithë njerëzve në mëkat. Mëkati është lebra e shpirtit. Ajo na ndan nga marrëdhënia me Perëndinë.

  1. Cila është konteksti i kësaj mrekulli të madhe?
  2. Çfarë mësimi ka dëgjuar turma?
  3. Si iu përgjigj turma mësimit të Krishtit?

Mund të supozojmë se lebrozi kishte dëgjuar Predikimin e Jezusit në Mal. Ne mund të supozojmë se ai pati shumë guxim që u bashkua me turmën, sepse turma do ta vriste. Mund të supozojmë se lebrozi ishte në nevojë të madhe. Vini re tek Luka 5:12, se ky njeri na është përshkruar si i mbushur me lebër. Pra, mund të supozojmë se ai kishte qenë lebroz për shumë vite. Por kur dëgjoi mesazhin e Krishtit, ai e dinte se Ai ishte Mesia që duhet të vinte.

  1. Si iu afrua lebrozi Jezusit?

Kjo do të tregonte një frymë me një përulësi të madhe.

  1. Çfarë titulli i jepet Jezusit në vargun 2?
  2. A ka ndonjë dyshim në lidhje me aftësinë shëruese të Jezuit në mendjen e lebrozit?
  3. Cila është kërkesa e lebrozit?
  4. A është shërimi menjëhershëm i lebrozit, shenja e një mrekullie të vërtetë?
  5. Çfarë lloj rikthimi mundësohej për lebrozin e shëruar? Si do të ndryshonte tani jeta e tij?

Lebrozi adhuronte Jezusin sepse ai mësonte si një Profet që kishte autoritet. Si rrjedhim, lebrozi besonte se mund të shërohej nëse Jezusi do ta dëshironte që ta bënte të pastër.

Lebrozi iu afrua Krishtit me sëmundjen e tij fizike, ndërsa ne të gjithë ne duhet t’i afrohemi Krishtit me mëkatin tonë. Siç vëren Mateo Henri në komentarin e Tij, “Ky është ngushëllimi ynë kur ne e ia japim vete Krishtit si Mjeku Hyjnor, që nëse do, ai mund të na bëjë të pastër. Me një besim të guximshëm por edhe të përulur, ne duhet të shkojmë te Krishti dhe ti lutemi Atij për shërim.” Në mënyrë që të pastrohemi nga sëmundja e mëkatit tonë, ne duhet ti besojmë Jezusit dhe fuqisë së tij që është e aftë për të na bërë shpirtërisht të pastër dhe të pranueshëm nga Perëndia.

  1. Cila është përgjigja menjëhershme e Jezusi e ndaj kërkesës së lebrozit (v. 3)?
  2. Si e shëroi Jezusi atë?
  3. Sa shpejt iu largua sëmundja lebrozit?
  4. A është shërimi i menjëhershëm i lebrozit shenja që një mrekulli e vërtetë ka ndodhur?
  5. Çfarë na zbulon vargu 3 mbi gatishmërinë apo qëndrimin e Jezusit ndaj nesh?

A është Ai një Shpëtimtar i gatshëm? Nëse Ai është i gatshëm, i vullnetshëm dhe i aftë, atëherë pyetja e gardianit të Filipisë tek Veprat 16:30, “Çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” ka një përgjigje të mrekullueshme.

  1. Çfarë mendoni se ishte reagimi i leprozit për shërimin e marrë?
  2. Përse Jezusi në vargun 4 i tha njeriut të shëruar të mos i tregonte askujt?
  3. Ai nuk duhej që ti tregonte askujt deri sa diçka tjetër të kishte ndodhur. Çfarë duhej që ish-leprozi të bënte më parë? Shiko pasazhet paralele.
  4. Përse duhej që i shëruari të paraqitesh tek prifti? (Shiko Levetikun 14:2 dhe vargjet që vijojnë)
  5. Përse duhej që ky ekzaminim nga prifti të jetë një dëshmi për ta?
  6. Çfarë do të dëshmonte kjo dëshmi?
  7. A e pranonin priftërinjtë në këtë kohë personin, punën dhe mesazhin e Jezusit?

Ishte e rëndësishme që lebrozi të merrte një dëshminë nga prifti para se fjala të përhapej në tërë Jerusalemin se Jezusi ishte ai që e kishte shëruar. Nëse priftërinjtë i japin lebrozit raportin se ishte i shëruar, atëherë ata kishin certifikuar punën e Jezusit, dhe rrjedhimisht  edhe do të lavdëronin punën e Jezusit pa e ditur. Në pasazhin paralel tek Marku na zbulohet se lebrozi ishte kaq i gëzuar sa që filloi t’u tregonte të gjithëve ato që i kishin ndodhur në jetën e tij. Ne nuk mund ta justifikojmë mosbindjen e tij.

  1. Cili ishte rezultati i mosbindjes së tij dhe përhapja e nxituar e lajmit të mirë?

Seria jonë e studimeve është titulluar “Mrekullitë dhe Aplikimi apo Mesazhi i tyre Shpirtëror”. Sot kemi parë çështjen e lebrës fizike që e kuptuar shpirtërisht, është simboli i sëmundjes së mëkatit, mallkimi i çdo shpirti njerëzor. Ne kemi vërejtur se kurimi mund të vijë vetëm nga dora e Perëndisë nëpërmjet Birit të tij Jezu Krishtit. Sa e mrekullueshme është për ne që e njohim Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot dhe e dimë fare mirë se sa i gatshëm dhe i aftë është Ai që të largojë mallkimin dhe sëmundjen e shpirtit tonë.

Nëse nuk e ke marrë ende pastrimin nga Zoti, atëherë shpirti yt është ende i sëmurë me lebrën shpirtërore. Por, nëse e sheh veten si një mëkatar, duke e ditur se nuk je pastruar kurrë, eja tek Zoti Jezus. Nga ana tjetër, nëse e ke përjetuar gëzimin e pastrimit të Tij, shpërndaje lajmin e mirë. Qoftë adhurimi i Tij gjithnjë në buzët tona. Siç thotë edhe Psalmisti, “I madh është Zoti dhe i denjë të përlëvdohet” (Psa. 48:1).

 

Drita e Botës – Gjoni 9

Mrekullia që na përshkruhet tek Gjoni 9 është një prej mrekullive më të rëndësishme dhe domethënëse të Krishtit. Edhe pse në sytë e botës kjo mrekulli mund të mos duket aq spektakolare sa të ngjallësh dikë nga të vdekurit, siç Krishti bëri me Llazarin, kjo mrekulli është po aq domethënëse dhe e rëndësishme, sepse në Bibël, ngjallja në jetën e re frymore është e njëjtë me dhënien e shikimit atij që është i lindur i verbër. Përsëri, në prezencën e ndjekësve të Tij, Krishti bëri një tjetër mrekulli, duke provuar kështu se Ai është me të vërtetë Profeti i Madh që duhej të vinte nga Perëndia. Le të kujtojmë se gruaja samaritane tek pusi, sipas Gjonit 4:19 e identifikoi Jezusin si Profetin kur tha, “Zot, po shoh se ti je profet.” Më pas ajo shtoi, “Unë e di se vjen Mesia, i quajtur Krisht; kur të vijë ai, do të na i kumtojë të gjitha. Jezusi i tha: «Unë jam ai që po të flet!».” (Gjoni 4:25-26)

Profetët e Dhiatës së Vjetër dinin që kur Krishti të vinte do të bënte mrekullitë më të mëdha, dhe do të komunikonte qartë të tërë të vërtetën e Perëndisë. Në mendjen e dishepujve ky ishte detaji më i rëndësishëm dhe qendror i tërë mrekullive të Krishtit. Në predikimin e tij Ditën e Rrëshajave (Veprat 2), Pjetri i qortoi Judenjtë që kryqëzuan Zotin sepse nuk besuan në të. Ai e deklaroi mosbesimin e tyre të pajustifikueshëm, sepse ky Jezus nga Nazareti ishte “njeriu i dëftyer nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme dhe mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të tij” (Vep. 2:22).

Si ua provoi Perëndia këtyre Judenjve se Jezusi ishte profeti i dërguar prej tij? Përmes mrekullive. Pjetri pra thotë se për shkak të mrekullive, njerëzimi duhet të pranojë fjalën e Krishtit. Por çfarë Judenjtë bënë është se refuzuan të pranojnë shenjat kredenciale të Jezusit si Profeti, dhe kështu kryqëzuan Zotin e Lavdisë.

Le të lexojmë të tërë kapitull 9 të Ungjillit sipas Gjonit. Studiuesit besojnë se përmbajtja e këtij pasazhi ishte pika kulmore e debatit të gjatë të Jezusit me kundërshtarët e Tij (Gjoni 7:34-10:42). Pasi Zoti u largua nga Tempulli për ti shpëtuar gurëve të kundërshtarëve të Tij, qëndroi në lagjen që rrethonte Tempullin, aty ku mblidheshin lypsaret, sakatët dhe të sëmurët e tjerë, dhe filloi tu shërbejë atyre.

  1. Kush e morri iniciativën i pari, Krishti apo i verbëri?
  2. A mund ta përshkruani se ku ndryshon bota e një njeriu që është lindur i verbër nga bota e një njeriu që është verbuar më vonë në jetë?
  3. Cila ishte pyetja interesante që dishepujt i bënë Jezusit tek vargu 2?
  4. Cila ishte përgjigja e mrekullueshme e Jezusit?
  5. Kur duheshin bërë këto vepra madhështore?
  6. Çfarë përdori Jezusi për të bërë këtë mrekulli (v. 6)?
  7. A e kundërshton kjo procedurë përkufizimin tonë se çfarë është një mrekulli? (Rikujto gjashtë kriteret e një mrekullie të vërtetë).
  8. Çfarë e urdhëroi Jezusi këtë të verbër të bënte?
  9. Përse i verbëri ishte i gatshëm që të shkonte tek pellgu i Siloamit?
  10. Cili ishte rezultati?
  11. Vargjet 8-10 tregojnë habinë e fqinjëve të të verbërit. Si shpjegohet habia e tyre?
  12. A i shpjegoi saktë ky ish i verbër, faktet e shërimit të tij?
  13. Vini re titullin (vargu 11) që i verbëri i dha Jezusit).
  14. Përse e çuan këtë ish të verbër tek Farisenjtë (v. 13)?
  15. Cila ishe domethënia e mrekullisë së Krishtit që shëron një të verbër ditën e shabatit?
  16. Lexo vargun 16. Cila ishe logjika e Farisenjtë  kur thanë se ky njeri nuk ishte nga Perëndia?
  17. Përse nuk e mbajti Krishti shabatin (Gjoni 5:9-18)?
  18. Përse kishte përçarje në mes tyre (v. 16)?
  19. Çfarë titulli të ri i dha i verbëri Jezusit tek vargu 17?

Do të vëmë re se si përparon ky ish i verbër në kuptimin e tij se kush ishte ai që e pat shëruar. Le të kujtojmë se profetët e vërtetë të Perëndisë provonin se mesazhi i tyre ishte prej Perëndisë përmes mrekullive që ata bënin (shiko rrëfimin e Nikodemit tek Gjoni 3:2).

  1. Përse nuk besuan Judenjtë (v. 18)?
  2. Cili ishte hapi tjetër në planin e tyre për të diskretituar këtë mrekulli të madhe të Jezusit (v. 18)?
  3. Çfarë pyetjesh i bënë ata prindërve të tij?
  4. Çfarë detajesh na bëjnë të mendojmë se prindërit e tij thjesht nuk donin të përfshiheshin në këtë grindje fetare?
  5. Çfarë përgjigjeje u ofruan farisenjve (v. 21)?
  6. Çfarë thanë prindërit e tij ndaj kësaj (v. 22)?

Në atë kohë, të të nxirrnin nga sinagoga ishte njësoj sikur të të përjashtonin nga kisha sot, dhe më pas, punëdhënësi të përjashtonte nga puna, drejtoria arsimore të përjashtonte fëmijët e tu nga shkolla, dhe më pas komuna të refuzonte lejen për ndërtim. Pra, përjashtimi nga sinagoga ishte në atë kohë një dënim religjioz që pasohej me efekte ekonomike dhe sociale. Tek vargu 24 lexojmë se ata e thirrën ish-të-verbrin dhe i kërkuan që ti jepte lavdi Perëndisë. Kjo frazë nuk do të thotë që ata po i kërkonin të shëruarit që të lavdëronte Perëndinë për shërimin e marrë. Ata po i kërkonin atij që të bënte një përbetim publik dhe solemn dhe të tregonte të vërtetën sepse farisenjtë nuk besonin se Krishti e kishte shëruar atë, dhe se i shëruari po gënjente.

  1. Cili ishte argumenti i vetëm mbrojtës i të verbrit (v. 25)?
  2. Vini re se përsëri farisenjtë i kërkuan të verbrit që të ritregonte historinë e tij. Si po ndryshonte qëndrimi i të verbrit të shëruar pas insistimit të farisenjve (v. 27)?

Judenjtë e konsideronin veten dishepuj të Moisiut sepse ata ishin ndjekës të Ligjit, dhe këtë Ligj ua kishte dhënë Moisiu. Moisiu ishte i dërguar nga Perëndia dhe kishte autoritetin nga Ai që të bënte të gjitha ato gjëra që ai kishte bërë.

  1. Cili ishte thelbi i deklaratës së të verbrit tek vargjet 30-33?
  2. Si reaguan Farisenjtë ndaj fjalëve të të verbrit?
  3. Cili është kuptimi “Dhe e nxorën jashtë”?
  4. Cili ishte reagimi i Jezusit ndaj shkishërimit të të verbrit (v. 35)?

A nuk është e mrekullueshme që Zoti Jezus menjëherë vjen që të inkurajojë dhe forcojë atë që Ai sapo ka shëruar! Vini re, që përsëri, Krishti ishte Ai që e mori iniciativën i pari.

  1. Pse Jezusi i bëri atij këtë pyetje të drejtpërdrejtë dhe specifike (v. 35)?
  2. Përse dhe çfarë thanë prindërit e tij (v. 22)?
  3. Çfarë përgjigje shtesë kërkon prej nesh ky pasazh?
  4. Kur besojmë në Krishtin, a do të thotë gjithmonë se ne duhet ta adhurojmë Atë?
  5. Çfarë të vërtetash frymore nxjerr në pah Krishti nga shërimi i të verbrit (v. 39-41)?
  6. Cilit ishin të verbrit e vërtetë? Përse nuk e shikonin ata verbërinë e tyre?

Gjoni 9 përshkruan dy lloje njerëzish, të vetmit kategori njerëzish që ka kjo botë: ata që janë shpirtërisht të verbër, dhe ata që janë të shëruar nga Mjeku Hyjnor nga sëmundja e verbërisë frymore. Ky kapitull përshkruan me ngjyra të ndezura gjendjen e tmerrshme të njeriut natyror-njeriut pa Perëndinë. Mëkatari është frymërisht i verbër. Kuptimi i tij është i errësuar dhe zemra e tij është e verbuar (Efesianëve 4:18). Për shkak të këtij verbimi, ata që janë pa Krishtin në jetën e tyre as nuk e kuptojnë gjendjen e tyre të rëndë, dhe as nuk e shikojnë rrezikun e menjëhershëm që u kanoset nëse vazhdojnë që të qëndrojnë të ndarë nga Krishti. Kështu ata nuk mund ta shikojnë nevojën e tyre për Zotin Jezus Krisht si shëruesi i tyre hyjnor.

Ne që kemi kaluar nga errësira në dritë, ne kemi përjetuar në mënyrë frymore atë që ky i verbër përjetoi fizikisht. A të janë hapur sytë që të shikosh të vërtetën madhështore që shpëtimi yt nga mëkatet vjen vetëm përmes veprës madhështore të Perëndisë në Krishtin Jezus? A është dëshmia jote frymore e ngjashme me atë të dëshmisë fizike të të verbrit tek Gjoni 9:25? “…një gjë di, që isha i verbër dhe shoh tani”.

Ndërsa vazhdojmë të studiojmë mrekullitë e Zotit tonë, le të mos harrojmë kurrë që këto mrekulli madhështore që vërtetojnë personin dhe fjalët e Zotit Jezus Krisht, gjithashtu vënë në dukje edhe realitetin frymor. Këto mrekulli janë përshkrime të punës së Perëndisë në realitetin frymor. Le të mos harrojmë se ne duhet që të shërohemi nga sëmundjet tona, se kemi nevojë që të na hapen sytë, se ne kemi nevojë për Bukën e Jetës. Të gjitha këto vijnë vetëm nga dora e plotfuqishme Mrekullibërësit, vetë Zotit Jezus Krisht. Le ta rrëfejmë besimin tonë tek Ai siç bëri edhe ish-i-verbri kur tha, “«Unë besoj, o Zot»; dhe e adhuroi” (v. 38). Perëndia na dhuroftë që në këtë moment hirin që ne të shikojmë nevojën tonë të madhe për Krishtin.

O njeri besimpak, pse dyshove? – Mateu 14:22-33

Kur ushqeu pesë mijë vetë, Jezusi u soll si Zoti i Natyrës duke shumuar pesë bukë e dy peshq për të siguruar për nevojat fizike të atyre në nevojë. Në këtë mrekulli tjetër, Jezusi sillet serish si Zoti i tërë Krijesës së Tij, duke kaluar mbi ligjet e natyrës për ti shërbyer dishepujve që ishin në rrezik.

Zoti i detyroi dishepujt që të hipnin në barkë dh të niseshin për në bregun tjetër. Më pas i i nisi turmat të cilët dëshironin që ta bënin me forcë Jezusin mbretin e tyre (Gjoni 6:15) për shkak se i kishte ushqyer ata. Sigurisht që edhe dishepujt ishin pjesë e këtij entuziazmi popullor, sepse dëshironin që edhe ata të ishin pjesë e kurorëzimit të Krishtit si mbret që edhe ata të kishin pjesën e tyre në këtë mbretëri të re. Por Zoti ynë kishte vepra më të mëdha për të bërë si Profeti i madh i Perëndisë. Ai duhej që tu zbulonte njerëzve se kush ai ishte në të vërtetë, se dhe çfarë kishte ardhur në tokë për të bërë. Dishepujt kishin ende shumë për të mësuar mbi fuqinë e vërtetë të Zoti të tyre, dhe kështu Ai i dërgoi ata në mes të stuhisë.

Hape Biblën dhe lexo Mateu 14:22-33, si dhe pasazhet paralele tek Marku 6:45-53 dhe Gjoni 6:15-21.

  1. Çfarë bëri Jezusi pasi e nisi turmën?
  2. Në cilën pjesë të ditës ndodhi kjo?
  3. Përse Jezusi, Biri i Perëndisë, kishte nevojë që të lutej?
  4. Çfarë shembulli la për ne Zoti ynë tek vargu 23?

Zoti ynë u ngjit në një prej maleve që rrethojnë Detin e Galilesë. Nga ajo lartësi Ai mund ti shikonte dishepujt që gjendeshin në mes të stuhisë dhe rrezikut fizik, dhe varkën që goditej nga dallgët e larta. Ndërkohë, me siguri, dishepujt pyetnin veten se pse Jezusi i dërgoi ata në mes të stuhisë.

  1. Përse Jezusi i dërgoi dishepujt që të lundronin atë natë?
  2. A e dinte Ai se do të fillonte stuhia?
  3. A gjendeshin dishepujt pikërisht aty ku Zoti dëshironte që ata të ishin?

Edhe pse dishepujt iu nënshtruan vullnetit të Zotit, ata e gjetën veten në mes të vështirësisë! Shumë të Krishterë mendojnë se kur e gjejnë veten në mes të vështirësive, sprovave dhe fatkeqësive, ata nuk janë në vullnetin e Perëndisë, ose se Zoti po i dënon, ose po punon kundra tyre. Por dishepujt ishin ekzaktësish aty ku Jezusi i kishte dërguar që të ishin. Ai e njihte mirë situatën e tyre. Perëndia i njeh sfidat, sprovat dhe fatkeqësitë e tua. Ai ka një arsye se përse ka lejuar që ti të shkosh përmes tyre. Ne mund të mos e kuptojmë arsyen e tyre, por Ai i ka lejuar ato qëllimisht.

  1. Sa kohë kishte kaluar që nga momenti kur Zoti ishte ndarë nga dishepujt e Tij? (Roja e katërt e natës fillonte në orën 3 a.m.)
  2. Sa larg kishin lundruar ata në det? (Deti i Galilesë është rreth 10 kilometra në këtë pikë, dhe ata kishin vozitur në gjysmë të rrugës).
  3. Përshkruani skenën tek vargu 26.
  4. Përse ishin këta dishepuj të guximshëm kaq të frikësuar?
  5. Përse menduan se personi që po u afrohej ishte një fantazmë?
  6. Çfarë provon kjo mrekulli mbi natyrën e Jezusit?
  7. Çfarë u zbulonte kjo gjë atyre mbi fuqinë e Jezusit mbi ligjet e natyrës?
  8. Çfarë bëri menjëherë Zoti për të qetësuar frikën e tyre?
  9. Çfarë ju bën të mendoni se ata njohën zërin e Tij përpara se ata të njihnin fytyrën e Tij?
  10. Cili nga dishepujt iu përgjigj Zotit i pari?
  11. Si e testoi Pjetri Jezusin?
  12. Çfarë na zbulon kjo sjellje e Pjetrit mbi karakterin e tij?
  13. Si i drejtohet ai Jezusit? (Kujto që Pjetri ishte peshkatar, dhe e njihte mirë zanatin e detarit).
  14. Zoti ynë ishte i hirshëm ndaj Pjetrit dhe nuk e qortoi atë. Çfarë i tha Ai Pjetrit?
  15. Çfarë bëri Pjetri menjëherë?
  16. Çfarë na tregon kjo për besimin e Pjetrit?

Ne jemi shumë të ngjashëm me Pjetrin. Ne gjithnjë lutemi “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim!” (Marku 9:24). Edhe ne duam ta ndjekim Jezusin me çdo kusht, por pastaj ne bëhemi të vetëdijshëm për gjendjen tonë të vështirë dhe frikësohemi e dyshojmë.

  1. Çfarë ndodhi sipas vargut 30?
  2. Përse u frikësuar Pjetri?
  3. Kujt i thirri për ndihmë përsëri ai?
  4. Sa afër i ishte Zoti ynë Pjetrit që po fundosej?
  5. Sa shpejt veproi Jezusi në mes të këtyre vështirësive (v. 27, 31)?
  6. Sipas vargut 31, çfarë tha Jezusi se ishte problemi i Pjetrit?

Pasi Jezusi dhe Pjetri arritën në varkë, stuhia pushoi. Me të vërtetë Jezusi është Zot mbi natyrën.

  1. A mendoni se dishepujt e tjerë në varkë kuptuan se çfarë po ndodhte?
  2. Në cilin varg e zbulojmë këtë gjë?
  3. Cili ishte reagimi i dishepujve dhe reagimi i Zotit tonë?
  4. Çfarë do të thoshte për ata të pohonin se Jezusi ishte Biri i Perëndisë?
  5. Çfarë parimesh mund të zbulojmë nga kjo mrekulli i e Krishtit mbi forcat e natyrës, të cilat mund të na ndihmojnë  ne në jetën tonë?

Pyetja e parë që duhet ti bëjmë vetes kur gjendemi në mes të stuhive të jetës është nëse jemi aty ku Perëndia dëshiron që ne të jemi, dhe nëse po bëjmë atë që Perëndia dëshiron që ne të bëjmë në përputhje me urdhëresat e Tij.

Kujto që ashtu siç Jezusi i shikonte dishepujt në vështirësi që nga maja e malit, Perëndia edhe sot i di të gjitha vështirësitë tona, dhe na vjen në ndihmë në kohën e duhur.

Cili është qëllimi që Perëndia i lejon fatkeqësitë, sprovat dhe shtrëngimet të vijnë në jetën tënde? A reagon ti ndaj mëshirës së Perëndisë në të njëjtën mënyrë si edhe dishepujt në vargun 33? Çfarë do të thotë për ty vetë, ta adhurosh Atë dhe të shpallësh se Ai është Biri i Perëndisë?

Kjo mrekulli madhështore duhet të prodhojë shumë ngushëllime në zemrën tonë për disa arsye. Duhet të kuptojmë se kush është në të vërtetë Zoti ynë, dhe ne duhet që ti përulemi para Tij. Ai edhe sot bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij (Rom. 8:28). Mrekullitë pra, na zbulojnë dhe na garantojnë karakterin madhështor të Zotit tonë. Perëndia na dhëntë urtësi për ti kujtuar dhe aplikuar këto të vërteta në jetën tonë edhe sot.

 

Jezusi shëron e shpëton një grua – Luka 13:10–17

Zoti Jezus Krisht është Shpëtimtari i njerëzimit. Si i tillë Ai është jo vetëm shpëtimtari i burrave por edhe i grave. Si i tillë, Ai është atëherë Emancipuesi Hyjnor, emancipuesi i vërtetë. Mesazhin e mëparshëm e nisa me deklaratën:

Zoti Jezus Krisht ka bërë më shumë për ngritjen, statusin, vlerësimin, nderin dhe respektin e gruas, se sa kushdo tjetër në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë që mund të habisë shumë njerëz, por që është historikisht absolutisht e vërtetë. Historia është e mbushur me shembuj se si burrat përdorën fuqinë fizike, politike apo ekonomike për të ndrydhur, dominuar, frikësuar, frenuar dhe abuzuar me femrën, fizikisht apo me fjalë, nga ana shpirtërore apo edhe psikologjike. Historia njerëzore nuk ka qenë e mirë ndaj femrës. Por Jezusi e ndryshoi atë.

Në mesazhin e kaluar pamë se si Perëndia e krijoi burrin dhe gruan si të barabartë për nga vlera, edhe pse me role e funksione të ndryshme komplimentuese apo përmbushëshe dhe plotësuese ndaj njëri-tjetrit. Perëndia e krijoi burrin dhe gruan sipas shëmbëlltyrës së tij dhe për qëllime të caktuara, dhe kjo është vlera e vërtetë e njeriut. Thamë se:

“…pikërisht këtë marrëdhënie biblike ndërmjet vlerës dhe funksionit duhet të përqafojmë dhe ruajmë, dhe madje përdorim për të ndërtuar një bashkësi lokale të shëndetshme, dhe një civilizim të ri biblik. Nuk është funksioni ai që i jep vlerë njeriut, por se kush ai apo ajo është në sy të Perëndisë. Aty është dinjiteti dhe vlera e vërtetë e mashkullit dhe femrës.

Por dimë gjithashtu së mëkati hyri në këtë botë kur njeriu braktisi vullnetin e shpallur të Perëndisë për marrëdhëniet e njeriut me Perëndinë dhe marrëdhëniet e njeriut me krijesat e tjera. Njeriu, në mënyrë autonome nga Perëndia, filloi të përkufizonte identitetin e tij, qëllimin e ekzistencës së tij, funksionin dhe vlerën e vet. Produkti i kësaj përpjekjeje, është bota që kemi sot. Një botë në të cilën gruaja shtypet, përbuzet, abuzohet, zhvlerësohet, e madje skllavërohet.

Por Perëndia hyri në dimensionet e kësaj bote për të shpëtuar njerëzimin, burra e gra, nga faji e fuqia skllavëruese e mëkatit të tyre, dhe madje një ditë, në qiellin e ri dhe në tokën e re, i do ta shpëtojë fëmrën dhe mashkullin edhe nga pasojat universale të mëkatit.

Pikërisht këtë shikojmë në historinë që gjejmë tek Luka 13:10-17. Jezusi shëron dhe shpëton një grua. Jezusi shëron e shpëton, në frymë e në trup një grua të skllavëruar nga mëkati i saj, fuqitë e errësirës, qëndrimi i botës. Në këtë akt, ne shikojmë zemrën e Perëndisë kundrejt femrës, synimin e Tij për të.

Një ditë shabati Jezusi po jepte mësim në një nga sinagogat. 11 Dhe, ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot. 12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: «O grua, ti je e liruar nga lëngata jote». 13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë. 14 Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shabatit, i tha turmës: «Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shabatit». 15 Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: «Hipokrit! A nuk e zgjidh secili nga ju në shabat nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin dhe e çon për të pirë? 16 A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shabatit, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur, ja, tetëmbëdhjetë vjet?». 17 Dhe, kur ai thoshte këto, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar dhe mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte bërë. – Luka 13:10-17

Zoti bekon në ditën e Shabatit

Zoti ishte me popullin e Tij në ditën e shabatit. Zoti ishte në mes të popullit të tij ditën e shabatit. Zoti ishte për bekim, shpëtim e shërim, në mes të popullit të tij ditën e shabatit. Ky është detaji i parë që duhet të vëmë re në këtë histori. Dita e shabatit për të Krishterin, që pas Ringjalljes së Zotit, është dita e Diel, Dita e Zotit siç e quan Bibla (Zbu. 1:10).  Ky detaj na thërret që të jemi me popullin e Perëndisë ditën e Zotit, nëse duam që të shikojmë, që të prekemi e të bekohemi prej Zotit.

Atë të dielë të parë të ringjalljes, Thomai nuk ishte me dishepujt e tjerë, dhe kur Zoti iu shfaq atyre për bekim, ai nuk ishte aty, dhe as nuk kishte besim se Krishti u ishte shfaqur atyre. Të dielën që pasoi, kur Thomai ishte me popullin e Krishtit, Zoti iu shfaq. Thomai preku Zotit dhe Zoti i rriti besimin Thomait.

Apostulli Gjoni, e morri tërë librin e Zbulesës në Ditën e Zotit, një të dielë. Të dielën Jezusi i Ringjallur iu shfaq Gjonit. Gjatë tërë kohës kur Krishti ishte në tokë, edhe para kryqëzimit, ai ishte çdo dita shabati me popullin e Perëndisë. Në fakt ai e filloi zyrtarisht shërbesën e tij në tokë, një ditë shabati, në një sinagogë, në mes të popullit të Perëndisë (Luka 4:14-21).

Për këtë arsye, pastorët dhe teologët e vjetër dhe të perëndishëm puritan, e quanin ditën e shabatit “dita e tregut shpirtëror”, sepse në atë ditë “Zoti Jezus Krisht i jep pa para popullit të tij bekimet e tij, dhe merr prej tyre fajet, rëndesat e lutjet e tyre.” Krishti i thotë kishës tek Zbulesa 3:18, Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të pasurohesh; edhe petka të bardha që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh. Kjo është arsyeja se përse puritanët e etiketuan kështu Ditën e Zotit.

Pikërisht kjo është çfarë i ndodh një gruaje të rënduar nga sëmundjet fizike e shpirtërore, në sinagogë, një ditë të bekuar shabati. Një grua merr fjalën e Krishtit, preket nga dora e Krishtit, dhe më pas merr çlirimin prej tij. Të gjitha këto në ditën e shabatit, në mes të popullit të Zotit të Shabatit (Luka 6:5).

Krishti është Zoti i Shabatit

Çfarë bëri Zoti në atë ditë shabati në mes të popullit të tij? Ai bëri dy gjëra, ai predikoi dhe ai shëroi popullin e Perëndisë. Bibla thotë se Ai për këtë qëllim kishte ardhur në botë.

Dhe erdhi në Nazaret, ku ishte rritur dhe, siç e kishte zakon ditën e shabatit, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë Librin e Profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: 18 «Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të dërguar në liri të shtypurit, 19 dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit». 20 Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të. 21 Atëherë ai nisi t’u thotë: «Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaj». – Luka 4:16-21

Ky ishte thelbi e thirrja e shërbesës së Krishtit. Dhe pikërisht këtë bën Zoti në një shabat tjetër, në një sinagogë tjetër. Ai predikoi ungjillin, lajmin e mirë të shpëtimit nëse besojmë në Krishtin. Dhe Ai e vërtetoi se kishte fuqinë dhe autoritetin hyjnor që të shpëtonte e të falte mëkatet, duke shpalosur fuqinë dhe autoritetin hyjnor për të shëruar e ringjallur nga vdekja.

Sa e palogjikshme pra, reagimi i drejtuesve të sinagogës kur duan ti rezistojnë Krishtit! “kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shabatit, i tha turmës: «Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shabatit».” (v. 14). Ky nuk ishte rasti i vetëm që Jezusi shëroi gjatë shabatit. Ky nuk ishte në fakt rasti i parë. Tek Luka 6:1-11 lexojmë për dy raste të tjera kur ai shërben dhe kur Judenjtë e akuzojnë se ka thyer shabatin.

Përgjigja e Krishtit ishte e dyfishtë. Së pari, Krishti si Jehova i trupëzuar është Zoti i Shabatit, pra është mbi shabatin. Zoti mund ta ndryshojë atë, mund të veprojë përmes shabatit, mund të veprojë dhe përgjatë shabatit.

Së dyti, arsyeja që Zoti e dha shabatin ishte që ne të pushonim dhe shëroheshim përgjatë shabatit. Zoti e dha shabatin që të pushojmë dhe shërohemi shpirtërisht gjatë shabatit kur ne përdorim mjetet që Ai na ka dhënë për ti përdorur gjatë shabatit, që janë adhurimi i përbashkët i Perëndisë, elementet e liturgjisë, leximi, predikimi e këndimi i fjalës së Perëndisë, sakramentet, lutja e përbashkët, bashkësia e shenjtorëve. Zoti na ka dhënë ditën e shabatit edhe që ne të pushojmë e shërohemi fizikisht, duke pushur nga punët e javës, një ditë në shtatë. Kështu, shërimet që kryente Krishti për të shoqëruar predikimin e tij, përmbushte plotësisht arsyen se përse Ai kishte ardhur në këtë botë, si edhe arsyen se përse Ai na ka dhënë e veçuar Ditën e Zotit.

Zoti i Shabatit, na flet, na prek, na bekon gjatë ditës së Tij.

Një Bijë e Abrahamit

Por kush ishte kjo grua? Në fakt, edhe pse Luka nuk na e thotë emrin e saj, ne dimë për të gjithçka që na duhet të dimë. “Dhe, ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot” (v. 11). Kjo është situata e saj fizike. Luka na thotë edhe se cili ishte identiteti i saj shpirtëror. Zoti e quajti atë bijë të Abrahamit. Luka na shpjegon edhe burimin e sëmundjes së saj, një sëmundje fizike e shkaktuar nga i ligu. Jezusi thotë, “kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur, ja, tetëmbëdhjetë vjet” (v. 16).

Cili ishte identiteti i saj shpirtëror? Ajo ishte besimtare. Ky është kuptimi i cilësimit që Jezusi i jep asaj: “bijë e Abrahamit”. Apostulli i Krishtit, Pali shpjegon, Sikundër Abrahami «i besoi Perëndisë, dhe kjo iu llogarit për drejtësi»; 7 dijeni, atëherë, se ata që janë prej besimit, janë bij të Abrahamit…9 Prandaj ata që janë prej besimit bekohen bashkë me besimtarin Abraham. (Gal. 3:6-9). Kjo grua ishte prej besimit, dhe si e tillë, bijë e Abrahamit. Ai ishte ati i saj frymor. Ky ishte identiteti i saj, dhe vlerësimi e dinjiteti më i lartë që Krishti i dha asaj. A je ti i dashur lexues, bir apo bijë e Abrahamit? A e ke edhe ti këtë përshkrim, vlerësim e lavdërim nga Zoti?

Por ka edhe një arsye tjetër se përse Zoti e përdori këtë përshkrim për këtë grua. Ai po përplasej me drejtuesit e kohës së tij, dhe me tërë qëndrimin që ata kishin ndaj njeriut dhe femrës. Ata kujdeseshin më shumë për kafshët e shtëpisë se sa për popullin e Perëndisë, dhe veçanërisht për femrën. Kështu Zoti i demaskon zemër-ngurtësinë  dhe hipokrizinë e tyre kur thotë “: «Hipokrit! A nuk e zgjidh secili nga ju në shabat nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin dhe e çon për të pirë?” (v. 15).

Para disa javësh, një organizate për të drejtat e kafshëve, organizoi para Bashkisë së qytetit një protestë me pankarta e flamuj, për të mbrojtur të drejtat e qenve të rrugëve. Ky është neo-paganizmi modern. Këlyshët e qenve janë më të rëndësishëm e më të mbrojtur se fëmijët e palindur që vriten e abortohen çdo ditë kudo nëpër botë. Unë nuk di një protestë që të jetë organizuar në Shqipëri kundra abortit. Këtë e marr si shembull për të thënë që e njëjta situatë e ngjashme është edhe sot. Sipas statistikave, çdo ditë përdhunohen, torturohen dhe masakrohen 300-400 të Krishterë diku nëpër botë, dhe bota nuk skandalizohet nga ky gjenocid modern. Nga ana tjetër, modernët neo-paganë protestojnë e marrin masa të ruajnë fokat e pandat e qentë e rrugëve.  

Drejtuesit e Izraelit atëherë thonin me krenari: “Ne jemi bij të Abrahamit”. Jezusi u thotë: Ja, edhe kjo grua është bijë e Abrahamit. Kështu, mesazhi i Jezusi në këtë pasazh nuk është vetëm mbi shabatin dhe hipokrizinë, por se si ne duhet që ti ndërtojmë marrëdhëniet tona si meshkuj e femra, si bashkëtrashëgimtarë të premtimeve të Perëndisë. Kështu Pali thotë:

sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus. 27 Sepse sa veta u pagëzuat në Krishtin, Krishtin keni veshur. 28 Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse ju të gjithë jeni një në Jezu Krishtin. 29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit(Gal. 3:26-29).

Kjo deklaratë e Palit është ilaçi për shërimin e sëmundjes së përçmimit e përçarjes racore, sociale dhe gjinore. Kjo deklaratë është burimi i shërimit të përçarjes e përplasjes ndërmjet besimtarëve brenda në kishë, si dhe baza e vërtetë për një unitet të vërtet ndërmjet kombeve. Në Krishtin, ne bëhemi të gjithë një.

Kështu, si në sinagogë atëherë, edhe sot, Zoti u thotë Kishës së Tij: Gratë besimtare në mesin tuaj janë trashëgimtare të premtimeve të Perëndisë. Edhe ato janë të bekuara dhe “zemërbuta që do të trashëgojnë tokën” (Mateu 5:5). Edhe ato janë ndër “të drejtët do të ndriçojnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.” (Mateu 13:43).

Zoti njeh nevojën e gruas së sëmurë

Le të vëmë re tani, mrekullinë e asaj që ndodhi. “12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: «O grua, ti je e liruar nga lëngata jote». 13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.” (v. 12-13). Çfarë vëmë re është se është Jezusi ai që vepron i pari ndaj saj. Nuk ishte gruaja ajo që e sulmon Jezusin me përgjërime. Zoti tashmë di gjithçka për të. Ai di se sa vite kishte ajo e sëmurë. Ai di se kush ia ka shkaktuar atë sëmundje asaj. Ai i di këto, sepse Perëndia e pat lejuar Satanin që ti shkaktonte këtë lëngatë kësaj gruaje me qëllim, që atë ditë shabati, Zoti të shpaloste madhështinë e Tij në mrekullinë e shërimit të kësaj gruaja. Jo çdo sëmundje na vjen nga dora e të ligut. Le të mos i atribuojmë Satanit më shumë sa duhet. Por në këtë rast, Zoti pat lejuar që Satani të shkaktonte këtë lëngtë mbi këtë bijë të Abrahamit, për lavdinë e Perëndisë. Pavarësisht nëse e dinte këtë arsye apo jo kjo grua, Krishti thotë se ajo ishte në besim, qëndronte në besim, shërbente e ishte besnike urdhëresave të Perëndisë për të shërbyer e adhuruar në kishë ditën e shabatit. Pavarësisht vështirësive të jetës, madje kundra tërë vështirësive të jetë, ajo grua jeton besimin e Abrahamit. Kjo është arsyeja se përse ajo është në sinagogë atë ditë. Dhe sepse ajo ishte në mes të popullit të Perëndisë në ditën e Zotit, ajo morri fjalën dhe prekjen e Zotit.

Jezusi pra, është Ai që inicion veprën e shpëtimit. Shpëtimi e shërimi ynë fillon dhe mbaron me Zotin. Jezusi është Ai që e thërret gruan për ta bekuar atë. Sigurisht që gruaja duhet ti bindet thirrjes së Jezusit në mënyrë që ajo të marrë bekimin prej tij. Por kjo grua ishte bijë e Abrahamit. Ajo kishte besim tek Zoti. Ajo iu bind Zotit dhe shkoi tek Ai. Nëse do që të jesh bijë e Abrahamit, nëse do bekimin e Zotit, nëse do shërimin prej tij, nëse do shpëtimin prej tij, bindu thirrjes së tij. Shko tek Ai ashtu siç je. Beso dhe do të shpëtohesh.

Veprimi që Jezusi bën më pas është domethënës. Ai vetëm sa e prek atë, dhe ajo shërohet menjëherë. Kjo është prova se Jezusi ishte Krishti, Zoti.

Zoti merr lavdinë në Kishën e Tij

Le të vëmë re reagimin e gruas dhe të turmës në sinagogë. Nga njëra anë vëmë re se disa vetëm sa ngelën të turpëruar. Këta ishin kundërshtarët e Zotit. Nga ana tjetër vëmë re se gruaja “përlëvdonte Perëndinë” (v. 13), “dhe mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte bërë” (v. 17).  Zoti merr lavdinë që i takon si nga ata që e duan ashtu edhe nga ata që nuk e duan. Në parajsë, populli i Perëndisë e lavdëron Perëndinë me hir. Në ferr, kundërshtarët e Tij e lavdërojnë Perëndinë me pahir. Perëndia gjithnjë e merr lavdinë që i takon emrit të tij. Thirrja jonë është që këtu e tani, siç edhe gjatë tërë përjetësisë, të përlëvdojmë Perëndinë, të gëzohemi për të gjitha veprat madhështore që Ai ka bërë në jetët tona.

Le të shohim siç sheh Perëndia

Unë kam renditur tashmë disa aplikime personale që dalin nga ky pasazh biblik, por duhet thënë edhe diçka e fundit. Vëllezër e motra në Krishtin Jezus, le ta shohim njëri-tjetrin siç na sheh Perëndia. Kjo vlen si për bashkëshortët që janë të krishterë, si për fëmijët e së njëjtës familje, ashtu edhe për bashkë besimtarët në Krishtin Jezus. Duhet ta shohim njëri-tjetrin përmes syve të Perëndisë.

Çfarë Judenjtë panë në këtë grua ishte vetëm mëkat e shtrembërim, sëmundje e shëmtim. Më siguri fëmijët talleshin rrugës me të, komshinjtë e përflisnin prapa krahëve duke thënë, “Eh kush e di se çfarë mëkatesh të mëdha ka kryer ajo që e ka lënë Perëndia ashtu!” Burri ndoshta nuk e shikonte apo preferonte në krevat, sepse nuk ishte si modelet që dëshiron syri mashkullor. Kjo është mënyra se si shikon bota.

Zgjedhja që kemi përpara është: Ose do ta shohim njëri-tjetrin me sytë e botës dhe të mëkatit, ose do ta shohim njëri-tjetrin me sytë e Perëndisë. Nëse e shohim tjetrin me sytë e Perëndisë, në kishë nuk do të vlojnë më thashethemet e marrja nëpër gojë e njëri-tjetrit. Nëse e shohim tjetrin me sytë e Perëndisë, nuk e shohim tjetrin më mëkatar se veten. Nuk e shohim tjetrin me përçmim. Nuk do ta shohim tjetrin me urrejtje apo të paktën me mungesë falje në zemrat tona ndaj tyre. Nëse shohim siç sheh Perëndia, atëherë do të shohim tek njëri-tjetri bij e bija të Abrahamit, arsye të shumta për të qenë mirënjohës për ta, do të shohim dorën e Perëndisë në jetën e tyre, do të shohim bashkëtrashëgimtarë të Mbretit të Lavdisë, imazh-mbajtës të Perëndisë, të cilët Ati po i transformon çdo ditë e më shumë në përputhje me shëmbëlltyrën e Krishtit. E kjo do të transformojë gjithçka. Hiri i Perëndisë transformon gjithçka. Kjo do të transformojë të tëra marrëdhëniet tona. Kjo do të transformojë shërben e grave, të burrave e të fëmijëve. Të gjithë duhet të shohim siç sheh Jezusi. Le të veshim sytë e Tij përmes besimit.