Category: Kredoja e Apostujve

Une Besoj Ne Perendine…(ii)

(Artikulli ne PDF)

Edhe pse disa prej cilësive të tij, Perëndia tashmë na i ka bërë të njohura përmes veprës së krijimit (Rom. 1:20), cilësi si “fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij,” njohja e Perëndisë përmes krijesës ngelet e kufizuar për shkak të natyrës së kufizuar të krijesës për të shpjeguar apo shpalosur saktë natyrën e Perëndisë; si dhe për shkak të mëkatit që prek mendjen e njeriut si instrumenti interpretues i tërë këtij informacioni. Si rrjedhim, për shkak të mëshirës dhe dashurisë së Tij të madhe ndaj njeriut, Perëndia këlon hendekun, vjen tek njeriu, dhe na është vetë-zbuluar përmes Fjalës dhe Birit (Heb. 1:1). Tek historia e çlirimit të Popullit të Perëndisë përmes ndërmjetësimit të Moisiut, lexojmë për një prej momenteve më të jashtëzakonshme të këtij vetë-zbulimi. Pasi ka urdhëruar Moisin që të shkojë si i dërguari i Perëndisë, Moisiu rrëfen pyetjen thelbësore që ka munduar njerëzimin prej shekujsh, “Si është Perëndia?”:

-Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju.” – po të jetë se ata më thonë: “Cili është emri i tij?” – ç’përgjigje duhet t’u jap?

-Perëndia i tha Moisiut: “UNÉ JAM AI QÉ JAM.” Pastaj tha: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: UNÉ JAM-i më ka dërguar tek ju.” Perëndia i tha akoma Moisiut: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë.”

Termi që Perëndia përdori për të na u zbuluar ka katër shkronja YHVH –  יְהֹוָה. Ky është emri i Perëndisë së Besëlidhjes, emri që ai ka për vetveten, termi përmes së cilës Ai na zbulon se kush ky Perëndi është në thelb. Dukë na thënë se emri i Tij është Jehovah (transliterimi në Shqip) – “UNÉ JAM AI QÉ JAM,” ai na ka zbuluar një numër cilësish, apo siç njihen teknikisht nga teologët dhe studiuesit e Biblës, një numër atributesh.

Vetë-Ekzistues dhe i Vetë-Mjaftueshwm

Së pari, Ai është Vetë-Ekzistues dhe i Vetë-Mjaftueshëm. Ndryshe nga njeriu, Ai nuk është i krijuar nga asgjë. Ai ekziston nga domosdoshmëria e qënies së Tij. Ai nuk ka fillim, dhe as nuk është shkaktuar nga ndonjë gjë jashtë Tij. Perëndia është në dhe nga vetja e Tij. Tomas Akuinas tha, “Ai është Shkaku i Parë, vetë i pashkaktuar nga asgjë.” Ai është יְהֹוָה – Jehovah, “Ai që Gjithmonë është.” Kjo do të thotë që Ai është jovetëm e vetmja qenie e pavarur nga gjithçka tjetër jashtë Tij, por Ai është gjithashtu i pavarur edhe në të tëra veprimet, virtytet, planet e qëllimet, dhe madje Ai bën që e tëra krijesa të varet prej tij plotësisht. Pali tha “Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë” (Vep. 17:24-25).

Jehovah është Emri i Tij i Besëlidhjes. Ai është një Perëndi që i qënbdron besnik Besëlidhjes që Ai bëri me popullin e Tij. Dhe fakti që Ai është Vetë-Ekzistues dhe i Vetë-Mjaftueshëm, besëlidhja që Ai bën me të zgjedhurit e Tij qëndron përjetë pasi Ai vetë është garanti i saj, dhe Ai që e konsumon plotësisht këtë Besëlidhje për ne. Prandaj, edhe “kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s’kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij,” (Heb. 6:13).

Jesuzi tha “Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete,” (Gjo. 5:26). Ati është Ai që është nga vetja e Tij. Sepse Ai është Vetë-Ekzistues dhe i Vetë-Mjaftueshëm, vetëm Ai është dhënësi i jetës. “Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje, me qëllim që nga lindja në perëndim të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër. Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqënien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra” (Isa. 45:5-7). “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë!” (Rom 11:36).

Unë jam Jehovah, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura,” deklaron Ai xhelozine e Tij për lavdinë e Tij (Isa. 42:4). Dhe sepse Ai është Jehovah, Ai është gjithashtu edhe Shpëtimtari ynë (Isa. 43:11).

Kjo është arsyeja përse Farisenjtë u skandalizuan aq shumë nga retorika e Krishtit dhe donin ta vrisnin me gurë.  Sepse “Jezusi u tha atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, UNë JAM,” (Gjoni 8:58). Krishti u deklaroi, Unë Jam Ai që Jam – Jehovah. Krishti u deklaroi se Ai ishte vetë Perëndia që u ishte zbuluar atyre në forma të ndryshme në Dhiatën e Vjetër, dhe se ishte mishëruar për t’iu zbuluar më mirë dhe më afër. “Tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë,” (Kol. 2:9).

I Përjetshëm dhe i Pafund

Sepse Ai është Jehovah – Unë Jam Ai Që Jam, Perëndia është gjithashtu i pakufuzuar edhe në marrëdhënie me kohën dhe hapësirën. Në marrëdhëni me kohën ai është i perjetshëm, ndërsa në marrëdhënie me hapësirën Ai është i pafund. Në fakt Perëndia jo vetëm mbush tërë kohën dhe hapësirën, Ai shtrihet përtej tyre dhe nuk kufizohet prej tyre. Në fakt, është Ai që ka krijuar kohën dhe hapësirën kur krijoi gjithësinë, dhe si i tillë Ai na vjen përtej tyre dhe shtrihet përtej tyre. “Përjetësia është ai atribut i Perëndisë me anë të së cilës Ai mgrihet mbi tërë kufinjtë kohorë dhe mbart të tërë ekzistencën e Tij në një të tashme të pandashme.” Prandaj edhe Pjetri thotë se “për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë,” (2 Pjet. 3:8). Kjo është se si Perëndia e përjeton ekzistencën e tij. “Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë,” (Psa. 90:4). “Nga përjettësia në përjetësi, Ti je Perëndi,” (Psa. 90:2). Në Hebraisht fjala përjetësi përkthehet olam. Dhe kështu Ai na zbulohet tek Zan. 21:33 dhe Isa. 40:28 si El-olam, Perëndia i Përjetësisë. “Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme.

Po kështu, sepse Ai është Perëndia i Perjetësisë, edhe jeta që Ai na jep përmes Birit të Tij është e përjetëshme. “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme…Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:16, 36).

I Pandryshueshëm

Sepse Ai është Jehovah – Unë Jam Ai Që Jam, Perëndia është edhe i pandryshueshëm. Kjo është një nga atributet e Krijuesit që e dallon atë nga krijesat e tij. Perëndia është përjetësisht i njëjtë: nuk pëson asnjë ndryshim në qenien, atributet, ose vendimet e tij. Prandaj Perëndia krahasohet me një shkëmb (Ligji i Përtërirë 32:4, etj), që nuk lëviz fare kur dallgët e detit janë në valëzim të vazhdueshëm. Megjithëse të gjitha krijesat i nënshtrohen ndryshimit, Perëndia është i pandryshueshëm. Meqenëse Perëndia nuk ka fillim dhe fund, ai nuk e njeh ndryshimin. Ai është përjetësisht “Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17). Por si është Perëndia i pandryshueshëm? Pastori dhe teologu i njhour Baptist, Artur Pink veçon këto aspekte:

Së pari, Perëndia është i pandryshueshëm në esencën e tij. Nuk ka patur asnjë kohë kur ai nuk ka ekzistuar dhe as nuk do të ketë ndonjë kohë në të ardhmen kur ai nuk do të ekzistojë më. Perëndia as nuk ka evoluar, nuk është rritur e as nuk është përmirësuar. Ai është sot, ashtu si ka qenë gjithnjë dhe përjetësisht do të jetë. Pohimi i tij i qartë është: “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj” (Malakia 3:6). Ai nuk mund të ndryshojë e të bëhet më i mirë, sepse është tashmë i përsosur dhe duke qenë i përsosur, nuk mund të bëhet më i keq. Ai është përjetësisht i njëjtë. Vetëm Ai mund të thotë “UNЁ JAM AI QЁ JAM” (Eksodi 3:14). Ai nuk ndikohet aspak nga kalimi i kohës. Nuk ka asnjë rrudhë në ballin e përjetësisë. Prandaj fuqia e tij nuk mund të pakësohet e as lavdia e tij nuk mund të zbehet kurrë.

Së dyti, Perëndia është i pandryshueshëm në atributet e tij. Cilado të kenë qenë atributet e Perëndisë para se të krijohej universi, ato janë pikërisht ashtu si janë tani dhe ashtu do të mbeten përjetë. Kështu duhet të jetë sepse Perëndia është vetë atributet e Tij. Fuqia e Tij është e pacënueshme, urtësia e tij e papakësueshme dhe shenjtëria e tij e panjollë. Atributet e Perëndisë nuk mund të ndryshojnë më, ashtu si Hyjnia e tij mund të mos vazhdojë të ekzistojë. Vërtetësia e tij është e pandryshueshme, sepse Fjala e tij është e përjetshme: “Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë” (Ps. 119:89). Dashuria e Tij është e përjetshme: “të kam dashur me një dashuri të përjetshme” (Jeremia 31:3), dhe “duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund” (Gjoni 13:1). Mëshira e tij nuk mbaron, sepse është e “përjetshme” (Ps. 100:5).

Së treti, Perëndia është i pandryshueshëm në vullnetin e tij. Por si shpjegohen vargje si “Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet” (Zan. 6:6). Së pari Bibla nuk ka kontradikta. “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet” (Num. 23:19). Tek 1 Samuel 15: 29 lexojmë se “…lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet”. Kur flet për veten, Perëndia e përshtat gjuhën e tij ndaj aftësive tona të kufizuara, Ai përdor antropomorfizma. Ai e përshkruan veten të veshur me gjymtyrë truporë, me sy, veshë, duar, etj. Kështu, kur ai vendos për një ndryshim në marrëdhëniet e tij me njërëzit, ai përshkruan sjelljen e tij si “pendim”.

Po, Perëndia është i pandryshueshëm në këshillën e tij. “sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme” (Rom. 11:29). Dy gjëra bëjnë që një njeri të ndërrojë mendje dhe të ndryshojë planet, mungesa e njohurisë për t’i parashikuar gjërat, ose mungesa e pushtetit për t’i zbatuar ato. Por Perëndia është si i gjithdijshëm, ashtu edhe i plotfuqishëm, ai nuk ka pse t’i rishikojë dekretet e tij dhe as të pendohet apo ndryshjë planin e Tij. “Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez” (Ps. 33:11). Prandaj lexojmë për “palëkundshmërinë e vendimit të tij” (Heb. 6:17).

Tre aplikime apo inkurajime mund të veçojmë nga pandryshueshmëria e Perëndisë. Së pari, pandryshueshmëria e Perëndisë është një e vërtetë mjaft ngushëlluese. Sado i paqëndrueshëm mund të jem unë e sado të ndryshueshëm të rezultojnë njerëzit që na rrethojnë, Perëndia nuk ndryshon. Ndryshe si mund ti besohej Atij. Por, lavdi i qoftë emrit të tij të lavdishëm,Jehovah-Ai është gjithnjë i njëjtë. Qëllimi i tij është i fiksuar, vullneti i tij i qëndrueshëm dhe fjala e tij është e sigurtë. Ne kemi një shkëmb ku mund të vendosim këmbët, ndërsa rrëketë e vrullshme marrin me vete gjithçka që na rrethon. “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty” (Isa. 54:10).

Së dyti, në këtë atribut gjejmë inkurajim për lutje. Çfarë sigurie do të kishim po t’i luteshim një perëndie tekanjoz? Kush do t’i paraqiste peticionin e tij një princi tokësor që do të ishte aq i ndryshueshëm, sa një ditë do ta plotësonte peticionin, kurse një ditë tjetër do ta refuzonte? Po ç’dobi ka lutja drejtuar dikujt që e ka tashmë vullnetin e tij të fiksuar? Kjo është çfarë Perëndia kërkon, kjo është çfarë ne bëjmë. Perëndia na i ka premtuar bekimet e Tij, por me kusht që ne ti kërkojmë ato në lutje. “Nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson” (1 Gjoni 5:14) dhe ai ka dëshiruar gjithçka të mirë për fëmijët e tij.

Së treti, në këtë atribut dhejmë edhe paralajmërimë për ata që i rebelohen Perëndisë. Ata që e sfidojnë Atë, që shkelin ligjet e tij, që nuk u interesohen lavdia e Tij, e që jetojnë sikur të mos ekzistonte Perëndia, nuk duhet të shpresojnë se kur t’i thërrasin atij për mëshirë, ditën e fundit, se ai do të ndryshojë vullnetin e tij, do të tërheqë fjalën e vet dhe do të anullojë kërcënimet e tij të tmerrshme. Ai ka shpallur: “Prandaj edhe unë do të veproj me tërbim; syri im nuk do të ketë asnjë dhembshuri dhe nuk do të kem mëshirë fare. Edhe sikur të çojnë britma të larta veshëve të mi, unë nuk do t’i dëgjoj” (Ezekiel 8:18). Perëndia nuk mund ta mohojë veten, duke kënaqur lakmitë e tyre. Perëndia është i shenjtë, e nuk mund të ndryshojë kurrë në shenjtërinë e tij. Prandaj, Perëndia e urren përjetësisht mëkatin. Kjo tregon qartë përjetësinë e ndëshkimit për të gjithë ata që vdesin në mëkatet e tyre.

Atributet dhe Ungjilli

E gjitha kjo na sjell tek Ungjilli dhe ftesa që Perëndia bën përmes saj. Sepse Perëndia është i pandryshueshëm në shenjtërinë e Tij, ai nuk mund ta kthejë kokën nga ana tjetër ndaj mëkatit tonë. Kur Jehova kaloi para Moisiut në malin Sinai, thirri “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin,” (Eks. 34:6-7). Si është e mundur që nga njëra anë ai është i shjenjtë dhe nga ana tjetër Ai është Shpëtimtari? “Jehovah është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun” (Nahum 1:3). Si është e mundur që tek Jehovah “…mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën” (Psa. 85:10)? Drejtësi dhe paqja?

Jehovah mori mbi veten e tij natyrën tonë, u bë njeri. Si i tillë, Krishti jetoi përmes besimit dhe fuqisë së Frymës, dhe vdiq në Kryq në vëndin tonë. Ndërsa nga njëra anë, Ati na dënonte në Birin ne dhe mëkatin tonë, duke përmbushur kështu kërkesën e shenjtërisë së Tij, drejtësinë dhe dënimin e mëkatarit, po më kryq Perëndia absorvoi mbi veten e Tij dënimin që na takonte ne. Dhe kështu, “tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu” (Rom. 8:1). “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të,” (2 Kor. 5:21). Drejtësia e Shenjtërisë së Perëndisë u përmbush mbi trupin e Krishtit, dhe kështu ne mund të kemi paqe me Perëndinë përmes Tij. “drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën” në trupin e Krishtit, Perëndisë-Njeri. Prandaj dhe ftesa e Ungjillit për ne është kjo: “Kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet” (Vep. 2:21). “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër. Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua.” (Isa. 45:22-23). Krishti premtoi “ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar” (Marku 16:16). “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjo. 3:17). “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote” (Vep. 16:31). “Po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,” sepse Shkrimi thotë “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet…kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Rom. 10:9-13).

Unë Besoj në Perëndinë…(i)

(Artikulli ne PDF)

Çfarë duhet të kuptojmë kur, së bashku me Kishën e të gjithë kohërave, deklarojmë “Unë besoj në Perëndinë…”? A mos është kjo thjesht një aleancë që ne deklarojmë me Judenjtë, Muslimanët, Hinduistët apo teistë të tjerë si ne, kundra ateistëve të kësaj bote? Apo mos ndoshta po deklarojmë se besojmë në dicka më shumë se sa kaq? Sigurisht që është kjo e fundit. Përmes Kredos ne rrëfejmë besimin tonë në Perëndinë e Biblës, në Perëndinë Triune të kësaj Kredoje në përputhje me doktrinën e Krishtit dhe Apostujve. Ne në fakt rrëfejmë besimin tonë në Perëndinë Krijues dhe Shpëtues të kësaj bote, që na u bë i njohur përmes Birit dhe Frymës, dhe që emrin i tij është At, Bir dhe Frymë e Shenjtë. Nëse nuk është ky Perëndia që ne rrëfejmë, atëherë po recitojmë kredon e gabuar. Nëse nuk është ky Perëndia që ne besojmë, atëherë ne thjesht kemi deklaruar se i besojmë një lloj idhulli, aspak ndryshe nga paganët e kësaj bote.

Perëndia dhe Idhujtaria

Një është Perëndia,” është një nga deklaratat më të vërteta dhe në të njëjtën kohë më ngatërruese që gjendet në gojën e shqiptarit që pretendon se nuk është ateist dhe se beson në Perëndi. Po, është e vërtetë që ka vetëm një Perëndi në këtë botë. Por dy janë problemet që përmban kjo deklaratë. Së pari, kjo buron nga doktrina anti-trinitariane e Islamit. Islami gabimisht mendon se të Krishterët besojnë në tre Perëndi, pra se jemi triteistë, dhe si rrjedhim e deklaron veten monoteiste duke thënë se Perëndia është një. Në fakt Krishterimi i të gjitha kohërave dhe ngjyrimeve ka qenë dhe do të mbetet gjithashtu monoteistë. Ne besojmë në një Perëndi në tre persona, dhe jo në tre Perëndi. Për më gjatë, doktrinën e Trinisë do ta shqyrtojmë në detaj në kapitullin e radhës.

Së dyti, edhe pse ka vetëm një Perëndi të vërtetë, ajo çfarë njerëzit kanë në mendje, mund të mos jetë Perëndia i vërtetë, por një karikaturë e tij, pra një idhull. Urdhëresat “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë” (Eks. 20:3-4), nuk ndalojnë vetëm ateizmin por edhe idhujtarinë. Në fakt është idhujtari që të kesh ide, përkufizime apo doktrina të gabuara mbi Perëndinë. Është idhujtari të kesh “keqinterpretime, opinione të gabuara, dhe mendime të liga apo thjesht të padenja” për Perëndinë.[1]

Për shembull, civilizimi antik Greko-Roman kishte bërë pikërisht këtë gjë. Ata të gjithë besonin në ekzistencën e të mbinatyrshmes. Aristoteli madje, në mënyrë të saktë e përkufizoi atë me frazën “ὃ οὐ κινούμενον κινεῖ,”-i Palëvizshmi që Lëviz Gjithçka.[2] Ata gjithashtu besonin se njeriu ishte i krijuar në një farë mënyre i ngjashëm me Perëndinë. Problemi i tyre ishte se formuluan një ide mbi Perëndinë duke u nisur nga imazhi i njeriut. Pali i referohet kësaj kur shkruan:

Ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve, (Rom. 1:19-23).

Pra Pali thotë se ata që i besonin Perëndisë në kohën e tij, e kishin përkufizuar Krijuesin në shëmbëllimin e krijesës, veçanërisht të frymorëve, në vend që ta ngrinin përkufizimin e tyre mbi Zbulesën e vetë Perëndisë për vetveten. Pra, thirrja jonë është që të mos jemi inoçentë dhe të mos biem në idhujtari ndërsa besojmë në Perëndi dhe e rrëfejmë atë përmes Kredos së Apostujve. Sipas Perëndisë, nuk është e mjaftueshme për ne që të kemi një besim të sinqertë kundrejt tij, por edhe një besim të saktë, pasi është e mundur që një person ta ketë sinqerisht…dhe…gabim besimin e tij mbi Perëndinë. “Njihu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqenie,” (Jobi 22:21) ishte këshilla e mençur që Elifazi i dha Jobit në dëshpërimin e tij. “Kështu thotë Zoti: “I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra”, thotë Zoti,” (Jer. 9:23-24). Pra, njohja e Perëndisë-teologjia-është thellësisht praktike. Në fatkeqësi, vuajtje a varfëri…njih Perëndinë. Në pasuri, dituri e pushtet…njih Perëndinë. Si në të mirë ashtu edhe në të keqe njih personin, cilësitë dhe rrugët e Perëndisë. Kjo është pra thirrja jonë. Por le të ti afrohemi kuptimit të drejtë të Personit dhe Veprës së Perëndisë.

Perëndia është Frymë

Përkufizimin më të shkurtër të Perëndisë na e jep vetë Krishti e gjendet tek Gjoni 4:24, “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t`a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.” Perëndia është frymë. Në fakt vargu duhet përkthyer ‘Perëndia është një frymë’ edhe për arsye gramatikore të tekstit në origjinal, por edhe pasi Ai nuk është i vetmi frymë. Bibla thotë se engjëjt janë “frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin” (Heb. 1:14). Nëse themi se Perëndia është frymë, atëherë nuk do të dallonim ndërmjet Perëndisë dhe qënieve të tjera që janë gjithashtu frymëra si engjëjt, dhe do të binim kështu në gabimin e panteistëve, pra në idhujtari. Panteizmi është besimi se çdo frymë është një manifestim apo pjesë e vetë Perëndisë. Perëndia dhe krijesat e tij frymërore janë një. Por kur ne themi se Perëndia është një frymë, ne e deklarojmë Atë të ndryshëm nga qeniet e tjera. Krijuesi është i dallueshëm, i ndryshëm e i veçantë nga krijesa e Tij.

Kur themi se Perëndia është një frymë, ne mohojmë se Perëndia përbëhet nga ndonjë substancë materiale. Perëndia nuk ka një trup njerëzor. Perëndia është i padukshëm. “Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t`Et, është ai që e ka bërë të njohur” (Gjo. 1:18; shiko edhe 1 Gjo. 4:12). Prandaj dhe është mëkat kundër urdhëresës së dytë bërja e ndonjë paraqitje vizuale të Perëndisë përmes imazheve apo statujave (Eks. 20:4). Prandaj dhe profeti Isaia, që në fakt pat parë lavdinë e Perëndisë, bën pyetjen retorike “Kujt dëshironi t`i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t`i vinit përballë?” (Isa. 40:18). Me kë doni që ta ngjasoni në idhujtarinë tuaj, është pyetja që Perëndia i dërgon popullit të Tij idhujtar. Kur Krishti tha se “Perëndia është një frymë,” ai na instruktoi se si është Ati-hyjnor, i pakufizuar e i pa kushtëzuar nga realiteti fizik. Ky ishte predikimi Apostolik i Palit në Areopag: “Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë” (Vep. 17:24-25). Njerëzit përcaktohet nga hapësira dhe koha, sepse jetojmë brenda kësaj kornize fizike dhe kohore. Ne na përkufizon vendndodhja jonë. Ne gjendemi gjithnjë vetëm në një vend të caktuar në një kohë të caktuar. Ndryshe nga ne, Perëndia është kudo në çdo kohë. Sepse njeriu është trup dhe frymë, fryma jonë është gjithnjë aty ku është edhe trupi, për aq kohë sa jemi gjallë. Perëndia nga ana tjetër nuk mund të lokalizohet në këtë mënyrë. Kur themi se ai është frymë, ne kemi thënë edhe se Ai është jo vetëm i padukshëm e i paprekshëm, por edhe se pse ai mbush tërë gjithësinë, Ai nuk mund të përmbahet prej saj. Përkundrazi, tërë gjithësia përmbahet në të dhe varet prej tij.

Por nëse Perëndia është një frymë, përse bibla shpesh herë flet për të sikur të kishte gjymtyrë? Kështu për shembull lexojmë për “Krahun e Zotit” (Jozueu 4:24), “sytë e Zotit” (1 Mbre. 15:5), etj. Po kështu lexojmë madje që Moisiu dhe drejtuesit e Izraelit me të “panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë. Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit” (Eks. 24:10). Këto quhen antropomorfizma apo personifikim. Bibla shpesh herë shpreh në terma njerëzore veprime apo aspekte të Perëndisë që nuk ka se si të përshkruhen ndryshe dhe të kuptohen nga njeriu. Gjithashtu në Bibël ne gjejmë edhe ato që njihen si epifani. Manifestime të engjëjve në forma njerëzore, ashtu siç bëri edhe vetë Krishti gjatë periudhës së Dhiatës së Vjetër. Ishte Krishti ai me të cilin Jakobi bëri mundje tek Zan. 12:24. Ishte Krishti ai që iu shfaq shpatëzhveshur, në një epifani, Jozuesut, si Kreu i Ushtrisë së Zotit (Joz. 4:13-14). Ishte Krishti personi i katërt që qëndronte brenda në furrnaltë me Danielin dhe miqtë e tij (Dan. 3:25). Të gjitha këto sigurisht që ishin prelude të manifestimit të tij të ardhshëm, në një mishërim të vërtetë si Jezusi nga Nazareti, biri i Maries, Mesia, Biri i Perëndisë i mishërizuar. Prandaj Gjoni shkroi “Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t`Et, është ai që e ka bërë të njohur” (Gjo. 1:18), dhe Krishti tha askush “s`e ka parë ndonjëherë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme” (Gjo. 6:46-47). Ne mund ta njohim Perëndinë vetëm përmes Krishtit. Vetëm ai është “rruga, e vërteta, dhe jeta,” (Gjo. 14:6).  Për shkak të kësaj deklarate Filipi tha “Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton.” Krishti iu përgjigj: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjo. 14:9). Çdo përpjekje për të njohur Perëndinë jashtë Krishtit është spekulim dhe përfundon gjithmonë dhe vetëm në idhujtari.

Perëndia është Personal

Fakti që Perëndia është një frymë do të thotë që Perëndia është personal. Fryma është një qenie morale, intelektuale dhe me vullnetin për të marrë vendime. Kur ne i atribuojmë një personalitet Perëndisë, ne deklarojmë se ai është një qenie i aftë për mendim, ndjenjë dhe vetëvendosje. Mund të duket e pakuptimtë për lexuesin e Krishterë insistimi në këtë pikë, por është e domosdoshme. Sot, shumë filozofë e teologë preferojnë që ta përshkruajnë Perëndinë si një “forcë” e pandërgjegjshme krijuese e gjithësisë, apo thjesht si një qenie jo-personale, pa dimensionin mendor, emocional dhe volitional. Por Bibla na e përshkruan Perëndinë të ketë tërë aspektet e spektrin e të qenit personal. Perëndia është një qenie racionale, morale, emocionale. Bibla na e përshkruan atë me personalitet, me të cilin bashkëbisedohet, që inicion i pari marrëdhënie apo besëlidhje me njeriun, që reagon ndaj zgjedhjeve morale të njeriut, që bëhet pjesë e përjetimeve të racës njerëzore, që i mbështet e mbart ata gjatë vështirësive të tyre, dhe që ua mbush zemrën me hir, gëzim e fitore. Aq më tepër, që zbulesa me a lartë e Perëndisë është ajo përmes mishërizimit të Personit të Dytë të Trinisë si Jezusi i Nazaretit. Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjo. 14:9).

Perëndia është i Përsosur

Perëndia është një frymë e pastër e përsosmërive të pafundme. Përsosmëritë për të cilat flasim janë ato cilësi apo karakteristika të Perëndisë që janë jo vetëm të pafundme e të përjetshme por edhe plotësisht të përsosura. Në këngën e tij, Moisiu me rastin e kalimit të Detit të Kuq tha “Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?” (Eks. 15:11). Perëndia është i pafundmë. Solomoni tha në dedikimin e Tempullit “Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!” (1 Mbr. 8:27). “Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve. Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera. Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejt. Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij,” (Psa. 96:3-6). “A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?”, thotë Zoti. “A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?”, thotë Zoti” (Jer. 23:24).

[1] Katekizmi i Zgjeruar i Uestminsterit, 105.

[2] Aristotle, Metafizika, XII, 1072a.

Unë Besoj (II)…

(Artikulli ne PDF)

Besimi i vërtetë nuk është vetëm një njohuri e sigurt, me të cilën unë e mbaj si të vërtetë gjithçka që Perëndia na ka zbuluar neve në fjalën e Tij, por gjithashtu një siguri e patundur për të cilën Shpirti i Shenjtë punon në zemrën time me anë të Ungjillit, që jo vetëm tek të tjerët, por edhe tek unë gjithashtu, është dhënë lirisht nga Perëndia, thjesht nga hiri, vetëm për hatër të meritave të Krishtit, faljen e mëkateve, drejtësinë dhe shpëtimin e përjetshëm. Katekizmi i Heidelbergut

Read more

Une Besoj…(i)

(Artikulli ne PDF)

Kur flasim për Krishterimin e vërtetë apo Biblik, ne me të drejtë e quajmë atë besimi i Krishterë dhe jo religjioni i Krishterë. Kjo jo pa qëllim apo arsye. Koncepti dhe praktika e besimit është në themel të Krishterimit të vërtetë sepse besimi është në qendër të kuptimit biblik të shpëtimit dhe shpengimit të njeriut nga mëkati, faji dhe pasojat e tij. Pa besim nuk ka shpëtim. Pa besim askush nuk mund ti pëlqejë Perëndisë dhe të ketë një marrëdhënie me të. Prandaj Krishti na urdhëron “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!” (Gjo. 14:1). Kjo është arsyeja që Perëndia na dha edhe Biblën. Apostulli Gjon thotë “Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë,” (1 Gjo. 5:13). Si në Dhiatën e Vjetër, ashtu edhe në Dhiatën e Re Perëndia na instrukton se i drejti do të jetojë për shkak apo me anë të besimit (Hab. 2:4 dhe Rom 1:17). Prandaj dhe Kredoja fillon me fjalët “Unë besoj”. Kjo kredo është shprehja e një besimi personal, sepse personalisht do të japim llogari një ditë para Perëndisë, dhe personalisht ne duhet të rrëfejmë e besojmë për shpëtimin tonë, si edhe sepse “pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë,” (Heb. 11:6).

Por çdo të thotë të besosh? Besimi është një koncept me shume dimensione, aq sa shumë njerëz mendojnë se besojnë, ndërsa ata që besojnë vërtetë kanë dyshime për besimin e tyre. Në këtë kapitull, ne do të eksplorojmë ndryshimin ndërmjet besimit të vërtetë dhe atij që nuk është.

Besimi Sipas Botës

Për persona të ndryshëm dhe në kontekste të ndryshme besimi ka kuptime të ndryshme. Disa e përdorin fjalën besim për të shprehur mosbesim apo pasiguri. Një udhëtar mund të pyesë një tjetër: A do të arrijmë në destinacion në kohë? Përgjigja e bashkudhëtarit të tij “Besoj se po” shpreh pasigurinë e tij dhe nuk reflekton gjithnjë realitetin apo se ­çfarë ai mendon me të vërtetë. Në këtë rast fjala besoj qëndron si sinonim i fjalës shpresoj, i një shprese ta pasigurt dhe të bazuar në asgjë. Për disa të tjerë shprehja “Unë besoj” përdoret për të shprehur një opinion personal, të cilin jemi të gatshëm që ta debatojmë me një tjetër por që për të cilin nuk jemi absolutisht të sigurt, një opinion të cilin jemi madje edhe të gatshëm për ta ndryshuar nëse na jepen argumente të forta. Në këtë rast fjala besoj qëndron si sinonim i fjalës mendoj.

Në disa raste të tjera, ne themi besoj për gjëra që janë vërtetët të rëndësishme për ne, për vërtetësinë e të cilave jemi të bindur e madje insistojmë me ngulm madje edhe duke rrezikuar veten. Në këtë rast fjala besim qëndron sinonim me fjalën bindje apo siguri.

Po në të njëjtën mënyrë, shumë persona kanë një dimension besimi në jetën e tyre edhe për sa i përket Perëndisë, një besim që nuk ndërtohet mbi të vërtetën absolute. Shumë kanë besime fetarë për shkak të familjes në të cilin janë lindur e rritur-kështu ata kanë një besim tradicional. Shumë të tjerë i besojnë Perëndisë në përgjithësi sepse i përshtatet më mirë përjetimeve që ka pasur personi në jetë-besim subjektiv. Dikush tjetër kë një lloj besimi tek ekzistenca e Perëndisë sepse për atë vetë kjo është diçka e vërtetë, pavarësisht se si është e vërteta absolute-besim relativist apo postmodern.

Për disa të tjerë, në këtë jetë, të besosh funksionon më mirë se sa të mos besosh-një besim pragmatik. Për dikë tjetër, të besuarit e diçkaje hyjnore ka efekte pozitive emocionale-një besim psikologjik. Për disa, të besuarit i jep një kuptim dhe qëllim më të mirë ekzistencës së tyre-një besim filozofik.

Të gjitha këto nivele besimi dhe arsye për të besuar nuk ngrihen mbi të vërtetën absolute por mbi probabilitetin.

Nga ana tjetër, ka shumë nga ata që e shikojnë vetën si të Krishterë, që besojnë se janë në rregull me Perëndinë e Biblës sepse i kanë besuar atij, Birit, Frymës, dhe madje edhe Kishës së Tij, dhe madje edhe të tjerët i konsiderojnë të tillë. Por sipas Biblës, besimi i tyre kategorizohet ose si besim i përkohshëm ose si besim historik.

Besimi Historik është pranimi apo pohimi që dikush i bën të vërtetave të Biblës por pa një reagim të brendshëm shpirtëror e transformues. Dikush mund të besojë se Jezus Krishti ishte një person historik, ashtu siç se edhe Skënderbeu e Ali Pashë Tepelena. Personi që ka një besim historik beson tek detajet e jetës së Krishtit siç na renditet ato në Bibël, ai madje edhe mund të besojë se ai i ngjall vërtetë nga vdekja dhe u ngjit në të djathtë të Atit në Qiell. Por për atë, të tëra këto janë vetëm fakte historike. Ai nuk i beson Krishtit për shpëtimin e tij. Këto të vërteta të Shkrimit nuk kanë kurrfarë influence apo efekti transformues dhe asnjë rëndësi praktike për të.

Problemi është se besimi historik nuk është besim shpëtues. Jakobi 2:19 na instrukton se “edhe demonët besojnë [se ka vetëm një Perëndi] dhe dridhen.” Engjëjt e rënë kanë parë dhe përjetuar Perëndinë personalisht, ishin prezent kur ai krijoi tokën, njeriun e gjithçka tjetër. Ata ishin prezent dhe madje u përballën me Krishtin kur ishte në tonë. Por kjo njohje e tyre nuk është për shpëtim. Besimi që ata kanë tek ekzistenca e Perëndisë që i krijoi ata nuk është një besim shpëtues.

Krishti në shëmbëlltyrën e atij njeriut që e kishte ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë dhe jo mbi shkëmb thotë: “Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë,” (Mat. 7:26). Në debatin që Apostulli Pal pati me Mbretin Agripa lexojmë për besimin historik që ky i fundit kishte ndaj Fjalës së Perëndisë. “O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson”. Atëherë Agripa i tha Palit: “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë”,” (Vep. 26:27-27). Besimi i Agripës në Shkrimet e Shenjta dhe Profetët nuk ishte një besim shpëtues.

Po kështu, për Simon Magjistarin shkruhet se, “besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i mahnitur,” (Vep. 8:13). Filipi e mendoi Simonin për të Krishterë duke i dhënë atij edhe privilegjet e anëtarësimit në Kishë dhe të sakramenteve. Simoni gjithashtu nuk dyshonte tek vetja e tij. Por më pas, Apostulli Pjetër i deklaron atij, “Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë…sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë,” (Vep. 8:21,23).

Besimi i përkohshëm nga ana tjetër, është besimi ndaj të vërtetave të Perëndisë siç na renditen në Bibël, një besim që shoqërohet me një nxitje të ndërgjegjes dhe afeksioneve të personit, por që nuk janë të rrënjosura në një zemër të rilindur. Termin e merr nga Mateu 13:20, 21. Ai quhet një besim i përkohshëm, sepse nuk ka një karakter të qëndrueshëm dhe nuk arrin që të mbahet fort tek perëndia në momentet e sprovave të jetës. Ky nuk është një besim hipokrit, sepse ata që e kanë atë, vërtetë mendojnë se besojnë, por një besim imagjinar pasi edhe pse duket i vërtetë ai është kalimtar e jetëshkurtër dhe në përgjithësi ngrihet mbi emocionin dhe synon shijimin e jetës dhe jo lavdinë e Perëndisë. Tek Luka 8:4-15 lexojmë për shëmbëlltyrën e mbjellësit:

Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage. Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën….Fara është fjala e Perëndisë. Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen. Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen.

Bibla flet gjithashtu edhe për persona që kanë një besim madje të prodhuar nga vetë puna e Frymës së Shenjtë në zemrat e tyre dhe që bazohet mbi deklaratat Biblike, mrekullitë, profecitë, predikimi i Fjalës së Perëndisë, dhe besimi që kanë ndaj vetë Personit të Perëndisë për shkak të mirësisë dhe bekimeve të Perëndisë në jetën e tyre. Heb. 6:4 flet për këtë kategori “besimtarësh” kur thotë “sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë.” E megjithatë ata nuk ishin të rilindur apo të rrethprerë në zemër (Lip. 30:6, Kol. 2:11). Kjo është historia e Izraelit në Dhiatën e Vjetër. Rasti i popullit të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër, është një rast solemn dhe që kërkon ekzaminimin e zemrave tona. Për ta Perëndia tha “sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës”, thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim” (Jer. 13:11). Kjo kapje pas Perëndisë, si ajo e mishit pas kockës, është e njëjtë më aktin e besimit tek Perëndia dhe e lëshimit në duart e Tij për bekimin e mbrojtjen tonë (2 Mbre. 18:5-6). E megjithatë, për ta Perëndia deklaroi “Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë,” (Jer. 13:10).

Besimi Sipas Biblës

Bibla nuk na jep një përkufizim të plotë teologjik e sistematik mbi besimin e vërtetë. Ai përkufizim duhet deduktuar nga e tërë Bibla. Deklarata më e afërt me një përkufizim teologjik të plotë gjendet tek Hebrenjve 11:1 që thotë se besimi është “siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen.”

Por vini re së pari, dallimin që autori i Hebrenjve bën ndërmjet besimit dhe shpresës. Këto janë dy ide në lidhje të ngushtë me njëra tjetrën, por që megjithatë ngelen të ndryshme nga njëra-tjetra. Pali gjithashtu vë në dukje dallimin ndërmjet besimit dhe shpresës, tek 1 Kor. 13, ku flet për triadën e virtyteve Kristiane: besimin, shpresën, dhe dashurinë. Por përpara se sa të eksplorojmë lidhjen ndërmjet këtyre dy koncepteve, le të shikojmë konceptim biblik të shpresës, sepse ajo është e ndryshme nga mënyra se si e përdorim në jetën e përditshme.

Zakonisht, ne e përdorim fjalën shpresë për t’ju referuar një gjendje emocionale të dëshirës në zemrat tona, për diçka që ne do të dëshironim të ndodhte në të ardhmen, por për të cilën ne nuk jemi të sigurt se do të ndodhë. Të gjithë ne do të dëshironim dhe sigurisht që shpresojmë se një ditë Ekipi Kombëtar i Futbollit do të kualifikohet për në Kampionatin Evropian apo atë Botëror. Kjo është një dëshirë që ne kemi, një shpresë ndoshta e kotë sepse asgjë nuk është e sigurt me mënyrën se si luajnë futbollistët Shqiptar në ndeshjet ndërkombëtarë për Shqipërinë.

Por ka një shpresë qe nuk të turpëron (Rom. 5:5), dhe shpresa për të cilën flet Bibla i referohet një dëshire për një përfundim që është absolutisht i sigurt. Kjo bazohet në premtimet e dhe personin e Perëndisë. Kur Perëndia i jep një premtim popullit të tij për të ardhmen, dhe Kisha kapet pas saj, kjo shpresë bëhet spirancë e sigurt e shpirtit. Heb 6:19 thotë “Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit.” Premtimet e Perëndisë për të ardhmen tonë janë spiranca e besimtarit për sot.

Kur Bibla e përkufizon besimin si “siguria (substanca) e gjërave që shpresohen,” ajo kupton se besimi komunikon e transmeton thelbin e shpresës. Shpresa gjithnjë shikon përpara. Nëse shpresa bazohet në diçka që Perëndia ka bërë apo premtuar se do të ndodhë në të ardhmen, atëherë kjo shpresë e gjen substancën e saj në besimin e sigurinë në atë që ka bërë premtimin. Kështu, unë kam shpresë sepse kam besim tek Perëndia që gjithnjë i qëndron besnik fjalëve e premtimeve të tija. Për shkak se i besoj premtimeve të Perëndisë për të nesërmen, shpresa ime nuk është një fantazi apo dëshirë që projekton në murin e mendjes ëndrra që shihen me syhapur. Shpresa ime ka përmbajtje, dhe bazohet në të.

Përkufizimi i besimit vazhdon me shprehjen “tregim (evidenca) i gjërave që nuk shihen.” Autori i këtij përkufizimi përmend një prej shqisave të trupit të njeriut përmes së cilës ne grumbullojmë informacion dhe fitojmë njohuri, shqisën e të shikuarit. Kur dikush sfidon një tjetër duke i thënë: “Hë pra, ma provo,” ai i referohet parimit se të shikosh është të besosh. Kjo është mjaft Biblike, pasi Shkrimi i Shenjtë nuk na thërret që ti besojmë Perëndisë përmes një besimi të verbër dhe irracional përmes së cilës ne bëjmë një kërcim në errësirë. Thirrja për ti besuar Ungjillit bazohet në dëshmitë e shumta të dëshmitarëve okularë që regjistruan në Shkrimet e Shenjta atë që panë dhe dëgjuan më sytë e veshët e tyre. Pjetri insiston, “Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular të madhështisë së tij,” (2 Pje. 1:16). Po kështu edhe historiani Luka, e fillon Ungjillin që mban emrin e tij me fjalët “Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, m`u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t`i shkruaj sipas radhës…që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar,” (Luka 1:1-4). Këtu Luka flet për gjëra që ai i ka provuar e evidentuar mbi bazën e dëshmive të dëshmitarëve okularë. Po më të njëjtën mënyrë e besim tek ngjallja fizike e Krishtit, flet edhe Pali kur i apelohet dëshmitarëve okularë të kësaj ngjarjeje historike: “u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Më pas iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Më së fundi m`u shfaq edhe mua, si në dështimit,” (1 Kor. 15:4-8). Pali thotë, unë besoj se Krishti u ngjall nga të vdekurit sepse mbi 500 dëshmitarë okularë e kanë parë atë me sytë e tyre, dhe madje Atë e pashë edhe unë vetë. Pra, ne kemi besuar sepse kemi parë.

Pra, ka një lidhje në Dhiatën e Re ndërmjet besimit dhe shikimit, e megjithatë, autori i Letrës së Hebrenjve e përshkruan besimin si siguria dhe bindja e patjetërsueshme e gjërave ende të papara. Ateistët nga njëra anë, dhe shumë besimtarë nga ana tjetër, gabimisht e ngatërrojnë besimin ndaj gjërave ende të papara si besim i verbër. Ata thonë se vetëm i verbëri nuk shikon, dhe se rrjedhimisht besimi tek gjërat e papara është besim i verbër, dhe se kjo është diçka e virtytshme. Ata ndajnë besimin nga arsyeja si dy gjëra vet-përjashtuese. Kjo është tepër larg asaj që thotë Heb. 11:1-2. Besimi është evidenca apo prova e gjërave që nuk i shikojmë ende. Evidenca është diçka e prekshme, e qartë. Evidenca është diçka që ne mund ta njohim përmes shqisave tona. Me fjalë të tjera ai thotë, se edhe pse ne nuk mund ta dimë se çfarë na sjell e nesërmja, Perëndia është ai që e di këtë gjë. Kështu, nëse Perëndia njeh e kontrollon të nesërmen, dhe nëse unë i besoj Perëndisë, premtimeve, fuqisë e mirësisë së tij ndaj meje për të ardhmen time, unë kam besim në diçka që nuk e kam parë ende. Ky besim më shërben si provë, si evidencë sepse objekti i saj është Perëndia. Ne e njohim Perëndinë dhe e dimë se ai nuk gënjen kurrë, nuk ndryshon kurrë, është i pagabueshëm dhe i pa-rezistueshëm në ato gjëra që bën, e mbi të gjitha i përsosur në gjithçka. Dhe kështu, besimi që unë i jap atij nuk është diçka e paarsyeshme. Përkundrazi, do të ishte e paarsyeshme që unë të mos i besoja një personi të tillë.

Kështu, kur ne deklarojmë “Unë Besoj…”, kur recitojmë Kredon e Apostujve, ne shpallim se qëndrojmë, prehemi e pushojmë të sigurt në vullnetin e pandryshueshëm të Perëndisë, pra që ai, për shkak të hirit e dashurisë së Tij për ne, do të na japë dhe madje na ka dhënë shpëtimin e premtuar e predikuar përmes profetëve dhe apostujve, në personin dhe veprën e Krishtit që ka ardhur, është kryqëzuar, ringjallur e që kthehet përsëri për bekimin tonë. Kur deklarojmë “unë besoj…”, ne rrëfejmë se prehemi e qëndrojmë në të vërtetat e Ungjillit dhe premtimet e Perëndisë që na janë bërë në Krisht. Siç thotë edhe Katekizmi i Shkurtër, “Besimi në Jezus Krisht është një hir shpëtues, përmes së cilit e marrim dhe mbështetemi vetëm në Atë për shpëtim, siç na është ofruar në ungjill.

Kredoja e Kredove

(Kredoja e Kredove ne pdf)

Unë besoj

në Perëndinë

Atin e Gjithëpushtetshëm
krijuesin e qiellit dhe të tokës;

në Jezus Krishtin,

Birin e tij të vetëm,
i cili u mbars nga Fryma e Shenjtë,
u lind nga Virgjëresha Mari,
i cili vuajti nën Pontin Pilat,
u kryqëzua,
vdiq e u varros;
ai zbriti në ferr;
ditën e tretë ai u çua prej së vdekurish,
u ngjit në parajsë
dhe ulet në krahun e djathtë të Perëndisë, Atit të Gjithëpushtetshëm,
prej nga do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.

në Frymën e Shenjtë,

Kishën e shenjtë të përgjithshme,
bashkësinë e shenjtorëve,
faljen e mëkateve,
ngjalljen e trupit dhe
jetën e përjetshme.

AMEN

Ndër tërë kredot e shkruara nga Krishterimi në këto dymijë vjet, Kredoja e Apostujve është më e njohura. Pastori i famshëm Baptist F.B. Meyer shkroi një komentar mbi Kredon e Apostujve dhe e titulloi atë qëllimisht Kredoja e Kredove (The Creed of Creeds).[1]

Origjina Historike

Por çfarë të drejtë ka kjo kredo që të mbajë emrin e Apostujve në titullin e saj? Tradita e Katolike insiston se kjo kredo u shkrua nga vetë Apostujt, ditën e Rrëshajave kur Fryma ra mbi ta, dhe se secili prej Apostujve kontribuoi nga një frazë të kësaj kredoje. Kjo traditë vjen nga pena e Rufinusit të Aquileisë (340-410 Pas Krishtit), një prej etërve e shkrimtarëve të hershëm të Krishterimit, dhe teksti i plotë i saj gjendet në librin e tij Një Komentar mbi Kredon e Apostujve,[2] i shkruar rreth vitit 400. Për këtë arsye, Kisha Katolike e konsideron këtë kredo të Frymëzuar nga lart, e të barabartë me Biblën.

E vërteta është së rrëfimi i Rufinusit ka të tëra elementet letrare dhe historike të një legjende, dhe në fakt është larg të së vërtetës. Ndër Kishat në lindje të Adriatikut, kjo kredo nuk u pranua kurrë të kishte origjinën dhe autoritetin që Kisha në perëndim të Adriatikut i atribuonte asaj, dhe për këtë arsye, ndryshe nga Kredot e Nikeas dhe të Kalcedonit, nuk mund të thuhet se Kredoja e Apostujve është një kredo ekumenike. Delegatët e Kishave të Lindjes madje e sfiduan autorësinë e saj “apostolike” në Koncilin e Firences më 1438-1445. Në këtë pikë të Mesjetës, mosdashja e Kishës Ortodokse në njohjen e origjinës “apostolike” të Kredos kishte të bënte edhe me marrëdhëniet e këqija që kjo kishë kishte me Kishën Katolike pas skizmës së madhe të vitit 1054 A.D. Por mbi të gjitha ajo kishte të bënte me parimin se nëse një dokument do të ishte apostolik dhe i frymëzuar nga Perëndia ditën e Rrëshajave, ajo pa tjetër do të gjendej në atë formë në ndonjë nga faqet e Dhiatës së Re. Marcus Eugenicus, Metropolitani i Efesit dhe një prej delegatëve të lindjes në këtë Koncil, deklaroi se “Nëse do të ishte e tillë, Libri i Veprave të Apostujve do të bënte fjalë për të në përshkrimin që i bën koncilit të parë apostolik në Jerusalem.”[3] Ky është një argument i parë pse nuk kjo Kredo nuk mund të merret si e shkruar nga Apostujt.

Së dyti, nëse kjo kredo do të ishte në qarkullim që nga koha e Apostujve dhe e shkruar prej tyre, atëherë Etërit e Kishës së Hershme, që erdhën shumë dekada më vonë, do ti ishin apeluar kësaj kredoje në debatet e tyre me heretikët që dolën nga mesi tyre. Fakti që në asnjë rast nuk i apelohen zyrtarisht kësaj kredoje, provon se ajo ose nuk ishte ende në ekzistence, ose ishte në segmentet e para të evoluimit të saj.

Së treti, Etërit e Kishës së Hershme nuk do të kishin prodhuar kaq shumë kredo në 400 vitet e para të jetës së Kishës, nëse tashmë do të kishin një kredo që mbante vulën dhe autoritetin Apostolik, dhe tek e cila mund të apeloheshin për çdo debat teologjik.

Për këto arsye dhe shumë të tjera, edhe Reformatorët Protestantë me në krye John Calvin e Martin Luther, dhe si rrjedhim Kisha ungjillore kudo nëpër botë pas tyre, nuk e pranoi Kredon e Apostujve si të shkruar prej tyre, dhe as e frymëzuar prej Frymës së Shenjtë.[4]

Por përse duhet të marrin nën studim dhe përdorim këtë kredo?

Arsyeja që ne kemi për ta quajtur atë “Kredoja e Apostujve,” ka të bëjë me doktrinën dhe qëllimin që ajo përmbush. Ajo përmban doktrinën apostolike dhe pikat kryesore të predikimit apostolik. Për këtë arsye mund të themi se kjo kredo është si ajo e besimit dhe e predikimit të Apostujve. Si një përmbledhje e tyre, dhe për aq kohë sa i qëndron besnike mësimit apostolik, ne mund të themi se kjo është Kredoja e Apostujve. John Calvin shkroi:

Unë e quaj atë Kredoja e Apostujve pa u merakosur shumë për autorësinë e saj sepse edhe etërit e hershëm e konsideruan atë gjithnjë që të ishte një përmbledhje e mësimit të tyre (apostujve)…e kështu e gjykojmë atë të jetë e padebatueshme, dhe e vemja gjë që ka rëndësi për ne, është fakti që e tërë historia e besimit tonë përmblidhet në të, në një mënyrë të saktë dhe në renditjen e duhur, dhe se kjo kredo nuk përmban asgjë që nuk garantohet e mësohet nga vetë Shkrimi i Shenjtë.[5]

Për këtë arsye pra ajo mund të quhet kredoja e apostujve dhe konsiderot sot nga të gjithë një kredo ekumenike përreth së cilës të Krishterët të çdo lloj denominacioni mund të mbillen në unitet.

Në fakt kredoja është zgjerimi i Mateut 28:19: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë.” Etërit e Kishës së Hershme besuan se Mateu 28:19 ishte kredoja që Jezusi i pat dhënë Kishës.

Është pikërisht besimi i Kishës mbi Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë që kjo kredo përkufizon, dhe ka shumë mundësi që kjo kredo u konstruktua kështu për të rrëfyer besimin e Kishës mbi këto doktrina madhështore e themeltare, të cilat kishin qenë që nga fillimet e saj thelbi i predikimit apostolik e misionar.[6]

Athanasi i Aleksandrisë (296-373 A.D) shkroi: “Përmbledhja e tërë besimit tonë gjendet në fjalët e pagëzimit të Krishterë, ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë.’”[7] Po kështu Augustini shkroi, “Zoti ynë Jezus Krisht, pas ngjalljes së tij të lavdishme prej të vdekurit, dhe pak para ngjitjes tek Ati, i besoi si trashëgimi dishepujve të tij këto mistere të besimit duke u thënë, ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë’”[8]

Ati i famshëm i Kishës së Hershme, Ambrozi i Milanit është i pari që e përmend Kredon e Apostujve në një letër të tij në vitin 389 A.D.[9] Më pas, nxënësi i tij, Augustini i Hippos gjithashtu ndërton një metodë instruktimi për të krishterët mbi këtë kredo.[10] Por kemi evidenca historike që kjo kredo ishte rrëfimi i kishës edhe shumë kohë para këtyre etërve. Tertulliani (160-225 A.D) na ka lënë një formë të hershme të saj që në vitin 220, dhe madje edhe para tij, Ireneasi (130-202) kryepastori i Lionit dokumenton ekzistencën e kësaj kredoje tashmë në formim e sipër. Historiani Philip Schaff ka dokumentar evolucionin e kësaj kredoje nga shkrimet e Etërve të Kishës së Hershme,[11] ndërsa studiues të tjerë kanë argumentuar bindshëm se që nga vitet 180 A.D. kemi një kredo të shkruar dhe në përdorim, edhe pse jo në këtë formë siç e kemi sot.[12]

Përdorimi i Kredos

Siç u tha më lart, kredoja është zgjerimi i Mateut 28:19 dhe ka një strukturë të trefishtë, për të reflektuar kështu Trininë. Në format e hershme të saj, ajo kishte një strukture pyetësori dhe ishte rrëfimi publik i besimit që bëhej nga besimtari i ri përpara dhe gjatë momentit të pagëzimit.

Besimtarit të ri i bëhej tre herë pyetja; Çfarë beson? Dhe ndërsa ai deklaronte-“Unë besoj në Perëndinë Atin e Gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit dhe të tokës,” drejtuesi i kishës derdhte ujë mbi kokë duke thënë-“Unë të pagëzoj në Emër të Atit.”

Më pas pyetja bëhej përsëri, dhe përgjigja që vinte prej besimtarit ishte-“Unë besoj në Jezu Krishtin, Birin e tij të vetëm, i cili u mbars nga Fryma e Shenjtë, u lind nga Virgjëresha Mary, i cili vuajti nën Pontius Pilate, u kryqëzua, vdiq e u varros; ai  zbriti në ferr; ditën e tretë ai u çua prej së vdekurish, u ngjit në parajsë dhe ulet në krahun e djathtë të Perëndisë, Atit të Gjithëpushtetshëm, prej nga do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit,” drejtuesi i kishës derdhte përsëri ujë mbi kokën e tij duke i thënë-“Unë të pagëzoj në Emër të Birit.”

Herën e tretë besimtari rrëfente-“Unë besoj në Frymën e Shenjtë, Kishën e shenjtë të përgjithshme, bashkësinë e shenjtorëve, faljen e mëkateve, ngjalljen e trupit dhe jetën e përjetshme,” dhe përsëri drejtuesi i kishës derdhte ujë mbi kokën e tij duke i thënë-“Unë të pagëzoj në Emër të Frymës së Shenjtë, Amen.”

Kështu, që nga fillimet e saj, kredoja përdorej gjatë shërbesës së adhurimit. Ajo ishte një shprehje personale e besimit, por që bëhej publikisht nga një njeri që mund të mos e njihte Biblën dhe doktrinën Kristiane në tërësi dhe thellësi të saj, por kishte instruktimin e njohjen e mjaftueshme e shpëtuese për tu bërë trup i Krishtit. Besimtarët e rinj e mësonin këtë kredo dhe kuptimin e saj pas një kohe të konsiderueshme instruktimi, që do të thotë se që nga fillesat e saj, kredoja ishte jo vetëm një element i shërbesës publike të adhurimit të Perëndisë ditën e Diel, por ishte gjithashtu edhe plani mësimor për instruktimin e dishepullimin e besimtarëve të rinj, që është edhe qëllimi i këtij libri.

Që në fillesat e saj Kisha Ungjillore apo Protestante siç njihej në ato kohë, përqafoi si përdorimin e Kredos së Apostujve për qëllime liturgjike, pra ajo recitohej njëzëri nga bashkësia diku nga fillimi i shërbesës, por edhe për instruktim. Martin Luter shkroi një komentar të shkurtër mbi këtë kredo për instruktimin e fëmijëve të vegjël.[13] Institute of Christian Religion, vepra madhështore teologjike e Reformatorit John Calvin është e strukturuar përreth Kredos së Apostujve dhe është në fakt një shtjellim i saj.[14] Calvin e shkroi këtë vepër për ti provuar drejtuesve fetarë dhe politikë Evropianë, se besimi i ri protestant / ungjillor nuk ishte një besim i ri, por i vjetër sa edhe vetë Kisha, se i përmbahej mësimit biblik dhe se përqafonte doktrinat apostolike si ato që gjendeshin në Kredon e kredove. Ndërsa reformatori Holandez Herman Witsius shkroi një komentar voluminoz prej katër volumesh mbi Kredon e Apostujve.[15] Që nga kjo kohë, pastorë e teologë të çdo gjeneratë e denominacioni nuk kanë reshtur të shkruari tekste instruktimi mbi këtë kredo.

Struktura e Kredos

Së pari, kjo kredo është Trinitariane. Siç u tha më lart, kredoja ka një strukturë të trefishtë, pasi na instrukton mbi personin dhe veprën e gjithsecilit prej tre personave të Trinisë. Ajo fillon me Atin, atributet dhe veprën e tij, vazhdon me personin dhe veprën e Birit, dhe përfundon me personin dhe veprën e Frymës që aplikon veprën e Kryqit në jetën e Kishës dhe të besimtarit deri në përjetësi.

Së dyti, kjo kredo është historike. Bukuria e kësaj kredoje qëndron edhe në faktin se ajo tregon një histori, historinë e shpëtimit tonë në renditje kronologjike. Perëndia është në fillim, Ai krijon; më pas Ai dërgoi Birin, të ngjizur e lindur në mënyrë të mrekullueshme prej një virgjëreshe, i cili lindi, vuan, vdes e ngrihet, e që sot mbretëron si Perëndi fitimtar duke drejtuar historinë për drejt konsumimin përfundimtar që përfundon me ringjalljen e madhe dhe gjykimin e tërë botës. Dhe më pas, i dërguar, Fryma agon mbi Kishën, bashkësinë e shenjtorëve për ti dhënë jetë asaj, faljen e mëkateve, e madje edhe ngjalljen e trupit për në jetën e përjetshme. Bibla na tregon këtë histori shpëtimi, dhe po kështu bën edhe kredoja jonë, sepse edhe vetë jetët tona janë historia e aplikimit të shpëtimit në ne.

Së treti kjo kredo është faktuale. Ajo nuk është një liste ligjesh, teorish a spekulimesh. Ajo është një listë faktesh që kanë ndodhur në kohë dhe në hapësirë. Njeriut modern mund të mos i pëlqejnë shumë gjëra, dhe mund të ketë shumë opinione të ndryshme mbi Biblen, Krishterimin edhe Perëndinë. Çdo njeri mund të ketë opinionet e tij, por jo faktet e tij. Faktet janë ato që janë. Njeriu mund të injorojmë Perëndinë dhe të insistojë që ai nuk ekziston, por kjo nuk e ndryshon faktin që Ai është Ati i gjithëpushtetshëm, Krijues i qiellit e i Tokës.

Së katërti, kredoja gjithashtu mban edhe balancën e duhur për sa i përket prioriteteve. Historia e shpëtimit tonë buron sipas Kredos nga Perëndia drejt nesh dhe jo anasjelltas. Historia nuk fillon me ne por kur Perëndia e fillon atë (Jobi 38:4). Sa ndryshe është ky rrëfim nga dëshmia që buron nga fjalët dhe jeta e shumë besimtarëve që e vënë veten e tyre në qendër të ekzistencës së Perëndisë dhe të shpëtimit të siguruar prej Krishtit. Aq më tepër që nëse ne e njohim Perëndinë, kjo nuk është sepse ne ishim shpirtërorë apo të zgjuar. “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Kor. 2:14). Kjo është sepse Biri është ai që na e ka bërë të njohur Atin (Gjo. 14:9). Krishti tha “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur,” (Gjo. 1:18). Ati është ai që na deshi ne i pari (1 Gjo. 4:19), dhe që na u vet-zbulua (Heb. 1:1-2), duke na zbuluar kështu mëshirshëm zemrën e tij ndaj nesh përmes historisë së shpëtimit në Bibël.

Së pesti, kjo kredo është Kristo-Centrik. Ajo ka në qendër të saj jetën dhe veprën e Krishtit. Nga 109 fjalë, 73 prej tyre kanë të bëjnë me Krishtin. Në mënyrën e saj, Kredoja mburret me dhe prezanton ungjillin. Cili është qëllimi i ungjillit? Të flasë për lumturinë tënde? Të flasë për shpëtimin nga flakët e ferrit? Të flasë për profecitë e gjuhët e panjohura apo pagëzimin me Frymën e Shenjtë? Të flasë për fundin e botës? Të flasë për pendimin, besimin, rilindjen, apo dishepullimin? Jo! Ungjilli flet vetëm për Krishtin. Apostulli Pal tha:

Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni, dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Më së fundi m’u shfaq edhe mua, si në dështimit. (1 Kor. 15:1-8)

Ky Kristocentrizëm i Kredos na tregon dy gjëra për Kishën e Hershme: Së pari, Kisha e hershme predikonte doktrinë dhe kishte në qendër të saj Krishtin, Së dyti, heretikët e asaj kohe e kishin sulmuar Ungjillin pikërisht në pikën e saj më qendrore, tek Doktrina e Jetës dhe Veprës së Krishtit.

Së fundi, kjo kredo ka një frymë pozitive dhe ndërtuese. Ndryshe nga disa kredo të tjera bashkëkohore, si ajo që njihet si Kredoja e Athanasit, që është e mbushur me kërcënime e mallkime kundra heretikëve, Kredoja e Apostujve ka një ton pozitiv, rrëfyes e ndërtues. Pa ju trembur deklarimit të së vërtetës, konstruktuesit e Kredos rrëfyen atë që besonin dhe e bënë këtë gjë me mjaft hir e përulësi.

Kufizimet e Kredos

Kredoja e Apostujve nuk është e përsosur. Sigurisht që asnjë kredo, katekizëm apo rrëfim besimi nuk mund të jetë. Vetëm Fjala e Perëndisë, sepse është e frymëzuar nga vetë Perëndia mund të jetë pa gabime. Kredot, si produkte njerëzore mund të gabojnë, dhe duhet të ngelen standarde teologjike të nënrenditura dhe të varura nga Bibla, dhe kredot duhet të pranohen si autoritete doktrinare vetëm për aq larg sa në mënyrë besnike përfaqësojnë dhe përmbledhin doktrinën biblike. Në këtë drejtim, par aq sa thotë, Kredoja e Apostujve është plotësisht e saktë. Kufizimet e Kredos kanë të bëjmë me ato që nuk thotë.

Kredoja nuk përmend doktrina themelore si ajo e Shfajësimit vetëm përmes besimit në Krishtin; e Frymëzimit të Biblës; e Sovranitetit të Perëndisë në shpëtimin e mëkatarëve; e Sakramentit të Pagëzimit dhe të Darkës së Zotit. Aq më pak Kredoja nuk përmend doktrina të dyta edhe pse po aq të rëndësishme si ajo e mënyrës së administrimit të Kishës apo e martesës. Si rrjedhim, shumë persona dhe Kisha që ne nuk do ti konsideronim që të Krishterët biblikë apo si Kisha të vërteta mund ti aderohen kësaj Kredoje. Dëshmitarët e Jehovait dhe Mormonët mund të thonë, ‘Unë besoj në Perëndinë Atin e Gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit dhe të tokës.’ Kisha Katolike e Romës mund ta recitojë me ndërgjegje të pastër këtë kredo, edhe pse kjo Kishë mohon se shpëtimi është vetëm nga Hiri, vetëm përmes instrumentit të besimit që vihet vetëm në Krishtin. Madje edhe teologët liberalë mund të nënshkruajnë në fund të kredos sepse ajo nuk flet për doktrinën e frymëzimit të Biblës dhe për çështjet e seksualitetit njerëzor. Kjo është arsyeja, që kredoja duhet marrë dhe përdorur për aq sa na shërben, dhe shumë madje, por gjithmonë duhet suplementuar më rrëfime më të plota të besimit si Kredoja e Nikeas, Kredoja e Kalcedonit, dhe Rrëfimi i Uestminsterit. Në vetvete, Kredoja e Apostujve nuk është e tërë e vërteta Biblike, por për aq larg sa shkon, ajo është plotësisht e vërtetë, dhe për këtë arsye ajo ka qenë shumë e vlefshme dhe shume e dashur për Kishën e Krishtit në çdo vend e epokë ta saj.

Dhe kështu është për të ardhur keq që shumë pak të Krishterë e njohin dhe janë në gjendje që ta riprodhojnë nga memoria këtë kredo. Historikisht, memorizimi i kësaj kredoje ka qenë i detyrueshëm si për fëmijët që vinin në Kishë ashtu edhe për ata që besonin e pagëzoheshin pas asaj moshe. Kjo Kredo dikur recitohej njëzëri nga të Krishterët çdo të diel gjatë shërbesës së adhurimit. Humbja e këtyre praktikave është humbje për Kishën. Në një kohë kur kudo nëpër botë, të Krishterët duhet të qëndrojnë të bashkuar përreth trungut të besimit Kristian, tendenca e Kishës është defragmentarizimi doktrinal, insistimi i pa mend që doktrina është përçarëse, dhe refuzimi për të pranuar se uniteti të cilin kërkon Apostulli Pal kur thotë “ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes”(Efe. 4:3) sigurohet vetëm kur kemi unitet përreth doktrinave Apostolike të “besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë” (Efe. 4:13). Ne duhet të zbulojmë e vlerësojmë urtësinë e të vjetërve në konstruktimin e Kredos së Apostujve. Ndërsa fryma e kohës moderne është arrogante, nihiliste dhe zhvlerësuese për urtësinë e të vjetërve, Perëndia thotë “Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Jeremia 6:16).


[1] F. B. Meyer, The Creed of Creeds: A Series of Short Expositions of the Apostles’ Creed (New York: Revell, 1906).

[2] Kelly, J. N. D., Rufinus, Rufinus: A Commentary on the Apostles’ Creed (Westminster, Maryland: The Newman Press, 1955).

[3] J N D Kelly, Early Christian Creeds (Hoboken: Taylor and Francis, 2014), 4.

[4] Kisha Katolike e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj kredos. Ne Katekizmin e Kishës Katolike, botim i vitit 1994 thuhet: “Kredoja e Apostujve quhet kështu sepse me të drejtë është një përmbledhje besnike e besimit apostolik.” (Catholic Church, Catechism of the Catholic Church (Vatican City : Chicago, IL: Libreria Editrice Vaticana ; [distributed by] Loyola University Press, 1994), faqe 53, par. 194).

[5] Jean Calvin and Ford Lewis Battles, Calvin: Institutes of the Christian Religion (Louisville, Ky.: Westminster John Knox Press, 2001), II.xvi.18.

[6] William Barclay, The Apostles’ Creed (Louisville, Ky.: Westminster John Knox Press, 1998), 3.

[7] Herman,  Fraser, Donald,, Witsius, Sacred Dissertations: On What Is Commonly Called the Apostles’ Creed (Escondido, CA; Phillipsburg, NJ: The den Dulk Christian Foundation ; Dist. by Presbyterian and Reformed Pub. Co., 1993), 12.

[8] Ibid., 12.

[9] Ambrose, The Letters of S. Ambrose, Bishop of Milan (Oxford: J. Parker, 1881), 284.

[10] Augustine, The Augustine Catechism: The Enchiridion on Faith, Hope, and Charity (Hyde Park, N.Y.: New City Press, 2008), 35.

[11] Philip., Schaff, David S., Schaff, The Creeds of Christendom: with a History and Critical Notes (Grand Rapids, Mich.: Baker Book House, 1983), 52-56.

[12] F. L. Cross and Elizabeth A. Livingstone, eds., The Oxford Dictionary of the Christian Church, 3rd ed. rev. (Oxford ; New York: Oxford University Press, 2005), 90. Henry Scowcroft Bettenson ,, Documents of the Christian Church (London; New York: Oxford University Press, 1963), 23. Joseph H. Lynch, The Medieval Church : A Brief History (London; New York: Longman, 1992), 7.

[13] Martin, Luther, Lee Wolf, Bertram, Reformation Writings of Martin Luther (Cambridge: James Clarke, 2002).

[14] Jean Calvin and Ford Lewis Battles, Calvin: Institutes of the Christian Religion (Louisville, Ky.: Westminster John Knox Press, 2001).

[15] Herman, , Fraser, Donald,, Witsius, Sacred Dissertations: On What Is Commonly Called the Apostles’ Creed (Escondido, CA; Phillipsburg, NJ: The den Dulk Christian Foundation ; Dist. by Presbyterian and Reformed Pub. Co., 1993).

Kredot e Katekizmat

Nga Leonard Doka

Mbi Kredot…    

Fjala kredo vjen nga latinishtja, qe do te thote “une besoj”. Kur Jezusi pyet Pjetrin “Kush besoni se jam une”, ky i fundit u pergjigj “Ti je Krishti, Biri i Perendise se gjalle (Mat. 16:15-16). Ajo eshte nje rrefim publik dhe deshmi publike. Ne Bibel na kerkohet qe te shpallim besimin (Mat.10:32-33) qe heret kisha ka formuluar nje permbledhje doktrinore per rrefim e udhezim publik. Kredo me e perhapur, njohur e perdorur eshte ajo qe quhet Kredo e Apostujve:

Besoj te Perendia Ati i plotfuqishem; beresi i qiellit dhe dheut dhe ne Jezu Krishtin, Birin e tij te vetemlindur, Zotin tone. Ai u ngjiz nga Fryma e Shenjte, lindi nga virgjeresha Mari. Vuajti nen poncin Pilat, u kryqezua, vdiq e u varros. Ai zbriti ne Hades. Te treten dite u ngjall dhe u ngjit ne te djathte te Perendise Atit te Plotfuqishem, pewj nga do te vije per te gjykuar te gjallet e te vdekurit. Besoj ne Frymen e Shenjte, kishen e shenjte mbareboterore, bashkesine e shenjtoreve, faljen e mekateve, ngjalljen e trupit dhe jeten e perjetshme.

     Martin Luteri ka thene se nuk ka deklarate me te shkurter e koncize, e te pershtatshme per perdorim publik, duke permbledhur bazat e besimit. Kredo ne vend qe te fokusohet ne ndjenjat personale apo pervojat, na drejton te vepra objektive e Perendise ne histori, per ne. Na largon nga subjektiviteti i jeteve tona ne dicka qe eshte kryer tashme. Para belbezimit te besimtareve ne sherbesen e adhurimit, shpallja e Kredos me dashuri e entuziazem eshte nje pervoje besimi. Te nxit shume me shume per ta praktikuar besimin sesa thjesht ta shpallim. Shume te krishtereve ungjillore u ngjall dyshime perdorimi i kredove ne adhurim, duke menduar se mungon spontaneiteti por cdo perseritje sjell tundimin e formalizmit apo mosmirenjohjes. Tre vaktet e ushqimit cdo dite, akti i dashurise, lutjet, te hapurit e adhurimit me lutje, etj. Tundimi per te harruar dhenesin nuk duhet te na beje qe te mohojme dhuratat. Ato jane ne vetvete bekime dhe mundesi per mirenjohje. Edhe kishat me anti-liturgjike i zhvillojne traditat e tyre. Ceshtja eshte qe te mos adhurojme pa njohje e dashuri.

     Dëshmitarët e Jehovait, Mormonët, myslimanët e të tjerë shpallin se i besojnë biblës. Por çeshtja e vërtetë është a besojnë ata çfarë bibla mëson? . Slogani “Asnjë kredo përveç biblës” është i kotë, sepse nuk të jep mjet dallimi midis grupeve kuktike apo heretike dhe Kishës së Zotit Krisht. Rreziku është real që autoriteti e mjaftueshmëria r Biblës do të mbytet nga kredo e pohime njerëzore, por frika e abuzimit të tyre nuk mjafton që të përjashtohen nga adhurimi apo jeta kishtare. Ato përbëjnë një shërbim të dobishëm në jetën e kishës.

     Dy kredot ekumenike të kishës janë përdorur për shumë shekuj në adhurimin publik të kishës. A duhet ta vazhdojmë praktikën? Çfarë ndodh kur i recitojmë ato në adhurim? Por që të jemi besnikë ndaj Biblës, këto kredo duhen përdorur, sepse ajo kërkon që ta shprehim publikisht besimin tone në gjuhë precise. Kur dikush të pyet se çfarë beson si i krishterë, duhet t’i përgjigjesh me një përmbledhje të asaj që beson se mëson Fjala. Mund të thuash : Besoj se Bibla mëson…besoj se…(jo domosdo duhet përdorur Kredo e Apostujve, por diçka e tillë që përmbledh saktë besimin). Edhe ata që pretendojnë se nuk kanë kredo kanë në fakt një të tillë. Bibla e kërkon që të bëjmë një pohim personal e publik të besimit (Mat. 10:32-33; 16:13-17; Gjoni 6:66-69; Rom. 10:9-10; 1 Tim. 6:13).

     Kredoja është e pashmangshme, por çështja është a do të jetë kredo personale një përmbledhje e saktë dhe besnike e besimit të krishterë? Sa here që një pastor ngjitet në podium, ai i shpjegon bashkësisë çfarë beson se shkrimi mëson. Ai thotë “unë besoj (kredo-latinisht) se ky pasazh do të thotë…. A duhet t’i refuzojë bashkësia shpjegimet e përmbledhjet e tij suplementare ndaj biblës, me sloganin “asnjë kredo përveç Krishtit apo biblës”? Sigurisht që jo. Ne e njohim ndryshimin midis autoritetit dytësor të fjalëve shpjeguese të pastorit (kredos së tij) dhe atij kryesor të Fjalës së Perëndisë. Akoma më shumë, kredot historike na pajisin jo thjesht me kredon e një pastori të asaj që mëson bibla, por me kredon e kishës së lashtë të të gjitha kohërave! Sa më shumë autoritet ka Kredo e Apostujve se predikimi i një pastori, si përmbledhje e besimit apostolik.

     Këto kredo janë rrëfyer nga kisha universale. Atëherë, nëse Fryma e Shenjtë e ka drejtuar kishën në këto përmbledhje të besimit, ne duhet të mendojmë mirë para se t’i refuzojmë ato. Kur i recitojmë në dielave në mëngjes, ti bashkohesh me bashkësinë e shenjtorëve, duke u solidarizuar me kishën e të gjitha kohërave. Kur këto kredo hiqen nga shërbesa, siç ndodh në shumë kisha ungjillore, ato zëvendësohen nga të tjera që nuk mund të jenë kurrë “katolike” apo universale.

Një fjalë për katekizmat..

     Shumë të krishterë kanë një dyshim të madh ndaj katekizmave, duke i parë si të kishës katolike të Romës. Ata mendojnë po ashtu se nëse Bibla predikohet, atëherë katekizmat s’janë të nevojshme. Ka dhe një prirje ndaj përvojave, sa kundërshtojnë doktrinën precise apo formulimin e saj. Kisha e hershme ka qenë shumë familjare me largimin nga besimi të besimtarëve të shpallur, që e nxiste atë të kultivonte metoda për të udhëzuar të konvertuarit para pagëzimit. Kjo periudhë instruktimi edhe nëpërmjet katekizmave e lejonte katekumenin (kandidatin që do të pagëzohej) që të vendoste nëse donte t’i nënshtrohej pagëzimit të krishterë dhe i jepte mundësi kishës që të dallonte vërtetësinë e konvertimit. Pastaj, pas një periudhe agjërimi dhe lutje me kishën, kandidatët pagëzoheshin. Katekizmat përdoreshin pra për ruajtjen e pastërtisë së kishës.

    Etër të kishës si Tertuliani dhe Augustini kanë shërbyer si katekistë në kishë. Julian apostati (v.360 pas Kr.) i druhej aq shumë efektshmërisë së këtij përdorimi saqë i mbylli tërë shkollat e krishtera dhe vendet e literaturës publike dhe e ndaloi mësimin e të rinjve.

    Më vonë, Sharlemanje insistoi që çdo i pagëzuar duhet të dijë të paktën Lutjen e Zotit dhe Kredon. Por epoka e artë e katekizmave ishte gjatë reformacionit. Si Luteri edhe Kalvini u jepnin përparësi udhëzimit katekizmor dhe e shihnin suksesin e reformacionit si të varur nga besnikëria e protestantëve ndaj këtij procesi. Ja çfarë i shkruan Kalvini protektorit të Eduardit të VI, Somersetit, më 1548: “Më beso, lartmadhëri, se Kisha e Perëndisë nuk mund të ruhet pa katekizmin, se është si fara që duhet të ruhet që gruri të mos mbarojë por edhe të shtohet, ndaj nëse dëshiron që të kesh një punë të qëndrueshme, mundohu që të vegjlit të udhëzohen në një katekizëm të mirë”. Katekizma e Hedelbergut dhe ajo e Uestminsterit kanë pasur një ndikim të madh mbi protestantizmin. Ajo e Heidelbergut, nis me dy pyetje që vendosin formatin për tërë mbetjen e dokumentit.

Pyet. Kush është i vetmi ngushëllim i juaji në jetë dhe vdekje?

Përgj. Që unë, me trup dhe me shpirt,a në jetë dhe vdekje, nuk jam i vetvetes,b por i përkas Shpëtimtarit tim besnik Jezus Krishtit,c i cili me gjakund e Tij të çmuar ka larë plotësisht të gjitha mëkatet e mia,e dhe më ka çliruar mua nga e gjithë fuqia e djallit,f dhe kështu më ruan muag që pa vullnetin e Atit tim qiellor asnjë fije floku të mos më bjerë,h që vërtet të gjitha gjërat të mund të jenë nën shërbim për shpëtimin tim,i për këtë arsye me anë të Frymës së Tij të Shenjtë Ai më siguron mua për jetën e përjetshme,j dhe më bën mua, që me gjithë shpirt, që këtej e tutje, të jem i vullnetshëm dhe i gatshëm për të jetuar në Të.

     Megjithëse me qindra katekizma janë shkruar në Angli, në shekullin e 17-të, më ndikueset kanë qenë ato që dolën nga Asembleja e Uestminsterit, ajo e Shkurtër dhe e Zgjeruar. Xhon Bunian thotë: “Katekizma është një udhëzim për të paditurit, që Perëndia ta bekojë për zgjimin e shumë shpirtrave dhe shpëtimin me anë të besimit në Krishtin”. Kurse puritanët i përdornin katekizmat si mjete ungjillëzuese. Edhe baptistët, duke përfshirë ato jugorë prodhuan një sërë katekizmash dhe i kanë përdorur në mënyra të ndryshme. Përveç mësimeve nga historia, shkrimi vetë na nxit që t’i përdorim. Metju Henri, një studiues biblik puritan thotë: “Katekizmat kanë një dobi aq të efektshme ndaj predikimit të Fjalës, sa kishte ofiqi i Gjon Pagëzuesit ndaj Krishtit, përgatit udhën dhe drejton rrugën”. Marrëdhënia midis udhëzimit përgatitor dhe pastërtisë së adhurimit është ndërthurur në historinë e Izraelit. Populli urdhërohej që t’i mësonte fëmijëve në rrugët e Perëndisë. Kur një fëmijë izraelit pyeste të atin “Ç’kuptim kanë dëshmitë, statujat dhe gjykimet që Zoti Perëndi ju ka urdhëruar” prindi do t’i përgjigjej me një përmbledhje të veprave të fuqishme të Perëndisë për shpengimin e popullit (Ligji i Përt. 6:20-25). Dikush ka thënë se e tërë historia e Izraelit ka qenë përgatitje katekizmore për predikimin e Pjetrit në Ditën e Rrëshajave (Veprat 2:16). Apolli, para se të takohej me Akuilën dhe Prishilën ishte “katekizmuar” në rrugët e Zotit dhe po mësonte besnikërisht gjërat që kishin të bënin me Krishtin (Veprat 18:25). Ç’efektshmëri vetëm nga ky “katekizmimim” i tij!

     Shkrimi e mbështet këtë metodë. Ligji i Përt.6 “Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t’i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua”. Ky lloj instruktimi përfshinte mësimin përmendësh të bazave kryesore. Edhe meditimi nuk ndodh pa një përmbajtje ekzistuese dhe meditimi i përshkruar te Ps.119, mbi Ligjin, është i lidhur domosdo me këtë metodë udhëzimi. Pra, shihet qartë se katekizma ndihmon në ngulitjen e Ligjit apo të vërtetave.

     Studiuesit i shohin përmbledhjet e besimit, në formë pohimi të besimit apo katekizëm, në Dhiatën e Re. Ato shërbejnë për nxitje, këshillim, ndërtim e paralajmërim. Këto copëza pohimesh të tilla duken në pasazhe të tilla si Efes. 4:4-6; 1 Tim. 1:15-17; 3:12-16; 2 Tim. 1:8-10; 2:11-13; and Titit 1:11-14.

     Fraza “thënie besnike” te Tim.1:15 dhe 3:1 dhe 4:9, paraqet një formulë konfesionale apo madje katekizmore. “Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët”. Pohimi i Palit “Misteri i perëndishmërisë” nis me një frazë që ka një formë ndajfoljore të fjalës “rrefej” apo “pohoj” dhe përkthehet fjalë për fjalë “rrëfyeshmërisht e madhe”. Idiomatikisht dmth “pamohueshmërisht”. Duket se Pali e sheh këtë rrëfim si mburojë ndaj mësimeve të rreme, se te 1 Tim.4:6 ai paralajmëron Timoteun mbi gabimet e dualizmit asketik, që mohon mirësinë e krijimit dhe realitetin e mishërimit, vdekjes, ngjalljes dhe ngjitjes trupore të Krishtit në qiell. Fraza “fjalë besimi” te v.6 ka një marrëdhënie të fortë verbale ndaj “thënieve besnike” te 1:15, 3:1,4:9, and 2 Tim. 2:11. Një thënie besnike duket se mishëron fjalë që përmbledhin të vërteta të caktuara të besimit, që identidikohen me “doktrinën e shëndoshë” që Timoteu ndjek. Pali i kujton atij se ushqimi shpirtëror dhe doktrinor që ka marrë në fëmijëri është një themel i fortë dhe madje esencial për një shërbesë efektive me popullin e Perëndisë. Tomas Uatson dhe Metju Henri janë të bindur se “forma, modeli, standardi i fjalëve të shëndosha” janë një lloj katekizme: “parimet bazë të orakujve të Perëndisë”. Praktika e të mësuarit me modele të sakta verbale ishte vendosur mirë me mandat hyjnor në kulturën judaike. Disa kanë frikë se katekizmat kanë prirje që të zëvendësojnë shkrimet. Në dritën e rasteve ekstreme në mesjetë, kjo është e drejtë, por në fakt katekizmat na mësojnë qartë dhe saktë çfarë mëson Shkrimi.

Disa dobi praktike të katekizmës:

Eshtë praktike. Të kursen kohë nga saktësia formuluese dhe sistematike e të vërtetave. Shumë prindër mundohen me gjetjen e një mjeti për të krijuar diskutime shpirtërore dhe biblike me fëmijën. Disiplina e katekizmimit e tërheq prindin e fëmijën, studentin e mësuesin, së bashku në aktivitetin më të dobishëm dhe ndërtues-nënshtrimin e zemrës e mendjes ndaj mësimeve të Biblës. M.Henri thekson: “Katekizmimi juaj ju detyron që të shpenzoni së paku një farë kohe mirë dhe më pas të reflektoni me kënaqësi çastet tuaja të çmuara”. Së dyti, katekizma jep bazën ndërtuese prej nga mund të kuptohet Shkrimi. Kalvini e ka kuptuar këtë vërtetën e këtij parimi dhe e ka përdorur shkëlqyeshëm. Ai ka shkruar një katekizëm për të gjitha familjet gjenoveze dhe e shpjegon përkushtimin e tij ndaj këtyre ideve në parathënien ndaj botimit francez të 1545 të “Institutes of the Christian Religion”. Ai flet për përfitimet e kishës duke pasur me shkrim një trajtimin e çështjeve bazë, që përbëjnë të vërtetën e krishterë. Ata që e shfrytëzojnë mirë këtë avantazh do të “jenë gati që të përparojnë më shumë në shkollën e Perëndisë brenda një dite se një tjetër për tre muaj”, pasi ai e di bazën preferenciale të çdo fjalie dhe ka një standard prove për çdo gjë që i paraqitet”.

Ndonëse një katekizëm nuk përmban tërë bukurinë e Shkrimit, përmban “esencialet e besimit, themelet dhe shtyllat kryesore”. Sipas Henrit, katekizma është si një “hartë e tokës së premtuar, me ndihmën e së cilës mund të udhëtojmë me sytë tanë brenda një kohe të shkurtër”. Pra, katekizma nuk mund ta zëvendësojë biblën, ashtu si një hartë nuk e zëvendëson udhëtimin. Ashtu si harta ndihmon për udhëtimin, të nxit dhe të jep një ide të përgjithshme dhe udhëtimi të ndihmon që ta kuptosh hartën më mirë, edhe katekizma është ndaj Shkrimit.

Po ashtu, një bashkësi e katekizmuar sjell predikime dhe predikues më të mirë’. Sipas Uatsonit “Të predikosh pa katekizmim, është si të ndërtosh pa themel”. Autori i hebrenjve mundohet me vështirësi, pasi lexuesit e tij nuk ishin themeluar si duhet në parime themelore teologjike (Heb.5:11-14). Besimtarët janë në gjendje të ushqehen me qumështin e kulluar të fjalës dhe dimensioni pastoral i kullotjes së kopesë merr një nuancë të re dhe mjaft nxitëse.

Përdorimi tjetër i saj është dëshmia ndaj besimit tonë se shkrimi është i qartë dhe mund të mësohet sistematikisht.

Ajo ndihmon në prodhimin e mendjeve që janë të prirur ndaj logjikës dhe analizimit.

Katekizmimi biblik shërben për nxitjen e besimit në konfktin e besimtarit me botën, mishin e djallin.

Ato po ashtu sigurojnë themelin teologjik për të reformacion, zgjim shpirtëror dhe për shmangien e entuziazmit fanatik.

Ja si e përmbledh Spërxhën çështjen:

Në çështjet e doctrines, do të shihni bashkësi që shpesh kthehen në heterodoksë gjatë 30 apo 40 viteve, për shkak të mungesës së katekizmimit të fëmijëve në doktrinat esenciale të Ungjillit. Edhe sikur fëmijët të mos i kuptojnë tërë pyetjet e përgjigjet, thjesht që qëndrojnë në kujtesë, do të kenë një dobi të madhe kur të vijë mosha e kuptimit, që i njohin këto përkufizime të shkëlqyeshme të gjërave të Perëndisë…do të jetë bekim për ata, më i madhi…në jetë dhe vdekje, kohë e përjetësi, më i madhi që Perëndia mund të japë.