Category: Krishtlindje

Dhurata e Papërshkrueshme

Krishti është dhurata e papërshkrueshme e Perëndisë dhënë njerëzimit. Kjo është deklarata e Apostullit Pal, dhe në fakt e tërë Biblës për Krishtitn.Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të papershkrueshme, (2 Kor. 9:15). Është një traditë e Krishterë që të shkëmbehen dhurata për Krishtlindje, dhe sot kjo është në mendjen e shumë personave. Fëmijët mendojnë se çfarë do të marrin si dhuratë nga prindër a të afërm. Prindërit mendojnë nëse do të jenë anë gjendje që tu blejnë ndonjë dhuratë këtë Krishtlindje fëmijëve të tyre. Kur Pali shkroi këto fjalë ai po falënderonte Kishën e Korintit për dhuratat që u kishin dërguar të varfërve të Jerusalemit atë vit. Kjo temë ia pat kthyer vëmendjen Palit tek dhurata e Perëndisë për njerëzimin, Krishtin të cilin ai e quan dhurata e papërshkrueshme e Perëndisë për ne. Por çfarë e bën këtë dhuratë kaq të papërshkrueshme? Çdo gjë njerëzore është e përshkrueshme. Është hyjnia e Krishtit ajo që e bën atë të tillë.

Në fakt, shumë janë përpjekur ta përshkruajnë këtë dhuratë. Piktorët e Rilindje janë munduar të bëjnë këtë, dhe në mënd më vijnë veçanërisht Madona e Rafaelit apo Lindja sipas Fra Filipo Lippit. Por piktorët e kuptonin që veprat e tyre nuk arrinin ta përshkruanit plotësisht këtë dhuratë dhe prandaj vazhduan që të pikturonin dhe prodhonin kryevepra. Muzikantët janë përpjekur të përshkruajnë dhuratën e Perëndisë në Krishtin. Messiah e Geroge Frederick Handdel me të lavdishmin “Kori Hallelujah”, apo Johan Sebastian Bahu me Oratorion e Krishtlindjes përpiqet të bëjë të njëjtën gjë. Janë kryevepra të muzikës e megjithatë nuk arrijnë të përshkruajnë plotësisht dhuratën e Perëndisë që është Krishti. Sado madhështorë të jenë ato as nuk i afrohen korit të engjëjve mbi fushat e Betlehemit apo korit të engjëjve që lexojmë tek Libri i Zbulesës, “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve,” (Zbulesa 5:13). Por përse është kjo dhuratë kaq e papërshkrueshme?

Perëndia-Njeri

Së pari, për shkak të vetë natyrës së saj. Dhurata është Krishti, dhe të përshkruash atë është të përshkruash se kush është ai dhe se çfarë ka bërë ai për ne. Së pari, Krishti është një me Atin, personi i i Dytë i Trinisë, i trupëzuar, Perëndi prej Perëndia. Kjo automatikisht e bën të papërshkrueshëm siç duhet pasi nuk ka fund përshkrimi i Perëndisë së pafundmë në madhështinë, fuqinë, njohjen, shenjtërinë, dashurinë, forcën e mëshirën e Tij. A mund të shpjegojmë ne se çdo të thotë të jesh vetë-ekzistues që nga përjetësia, pa fillim e pa fund? A mund të shpjegojmë ne se çdo të thotë që Perëndia është frymë, i pafund, i përjetshëm e i pandryshueshëm? Kur Moisiu e pyeti Perëndisë se me çfarë emri duhet t’ia bënte të njohur Perëndinë popullit të Izraelit, Perëndia u përgjigj, Jehovah “Unë Jam Ai Që Jam,” (Eksodi 3:14). Përshkrimi i Krishtit bëhet akoma edhe më i vështire kur shikohet në kontekstin e Trinisë dhe të marrëdhënies që këta tre persona kanë ndërmjet tyre.

Hiri Sovran

Së dyti, kjo dhuratë është e papërshkrueshme edhe për shkak të hirit me anë të së cilës na është dhënë. Shumica e dhuratave që njerëzit shkëmbejnë me njëri-tjetrin nuk kanë të bëjnë më hirin por me detyrën, obligimin apo borxhin. Por Perëndia nuk është anëtar i racës njerëzore. Raca jonë është në armiqësi me Perëndinë. Ne jemi armiqtë e tij, bijtë plëngprishës të bekimeve të tij, madje edhe të këtij universi. Pali tha “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne,” (Rom. 5:8).

Dhuratë Jetëndryshuese

Së treti, dhurata e Perëndisë që është Krishti, është e papërshkrueshme për ne për shkak të efekteve që kjo dhuratë prodhon në ne dhe që është e pamatshme nga qeniet njerëzore. Kjo dhuratë realizon gjithçka në ata që e besojnë Perëndinë në Krishtin. Mund të theksojmë për momentin shtatë efekte:

Si efekt i parë, Krishti sjell faljen e mëkateve dhe paqe me Perëndinë në përputhje me hirin e pasur të Perëndisë. Ne jemi vërtetë në rebelin ndaj Perëndisë, e megjithatë Perëndia na ka dashur ndërsa ne ishim ende armiq të tij. Por Ai nuk mjaftohet me kaq. Ai na i fal mëkatet përmes sakrificës së Krishtit. Më këtë kuptojnë heqjen e mëkatit dhe fajit të mëkatit. Në fakt Bibla flet për hedhje “në fund të detit tërë mëkatet tona,” (Mikea 7:19). Perëndia thotë “I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar,” (Isaiah 44:22). Davidi shkroi “Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona” (Psa. 103:12). Ndarsa Apostulli i Krishti shton “Dhe nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre,” (Heb. 10:17).

Si efekt i dytë, besimtari në Krisht, është i shfajësuar përpara tribunalit të Perëndisës. Falja është një veprim që heq, ajo harron të kaluarën. Shfajësimi nga Perëndia është një akt pozitiv, ajo na sjell në një status të ri përpara Perëndisë, një status që ne nuk e kishim më parë dhe as nuk mund ta arrinim nga vetja jonë. Bibla flet për besimtarin si i veshur me drejtësinë e Krishtit. Përpara ne ishim të veshur me leckat e vetë-drejtësisë sonë që konsiderohen, në rastin më të mirë të tyre, të qelbura për hundën dhe standardin e shenjtërisë së Perëndisë. Shfajësimi i hedh ato tek këmbët e Kryqit të Krishtit dhe na vesh mantelin e drejtësisë së tij, me anë të së cilit dalim përpara Perëndisë të pranuar.

Si efekt i tretë, dhurata e Perëndisë, Krishti na adopton në familjen e Perëndisë. Më parë ne ishim të ndarë nga Krishti, të përjashtuar nga qytetaria e Izraelit shpirtëror dhe të huaj ndaj besëlidhjes dhe premtimeve të saj (Efe. 2:12). Por tani, “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë” (1 Gjonit 3:1). Si fëmijët e tij, ne sot kemi privilegjin e futjes në prezencën e Perëndisë në çdo kohë dhe për çdo gjë sepse dimë se na do me një dashuri Atërore hyjnore, dhe tërë kërkesat tonë merren e plotësohen sipas urtësisë dhe njohjes së tij të përsosur për ne.

Efekti i katërt, si fëmijë të Perëndisë ne jemi edhe trashëgimtarë të Tij. Pali shkroi “Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë me të dhe lëvdohemi me të” (Rom. 8:17).  Ne posedojmë gjithçka së bashku me Krishtin. Gjithçka? Kjo është sigurisht një gjë e pakuptueshme pklotësisht dhe sigurisht edhe e papërshkrueshme për ne sot.

Efekti i pestë, ne kemi dhuratën e Frymës së Shenjtë që na bashkon e njëson me Krishtin, dhe në fakt na bën ne si komunitet zgjatim të trupit të tij. Trupat tanë, ne si bashkësi jemi tempuj të Perëndisë i cili banon në ne.

Efekti i gjashtë, ne kemi paqen hyjnore që tejkalon çdo situatë dhe që është përtej përshkrimit njerëzor. Prandaj Pali shkruan “Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo njohuri, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Fil 4:7).

Reagimi Ynë Praktik

Por vini re të dashur në Krishtin, Pali tha “Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të pa-shpjegueshme,” (2 Kor. 9:15). Fakti që është e pashpjegueshme plotësisht nuk do të thotë që duhet të jetë e papërçueshme apo e pathënë, apo e papërdorshme. Çfarë duhet të bëjmë me këtë mesazh?

Së pari duhet të falënderojmë Perëndinë. A e keni falënderuar Perëndinë për dhuratën e shpëtimit? A e keni falënderuar Perëndinë ndonjëherë në jetën tuaj për ndonjë gjë? Në këtë periudhe festash të fundvitit ne falënderojmë e falënderohemi mjaft herë. Por nëse dhurata e Perëndisë është kaq madhështore, kaq e mrekullueshme, kaq e papërshkrueshme, atëherë ne vërtetë duhet “të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij.”

Por të mos harrojmë se falënderimet më të mira nuk janë vetëm me fjalë por me vepra ungjillore. Cilat janë këto?

Nëse nuk i ke besuar ende Krishtit, nëse nuk ke shkuar tek ai me pendime për mëkatet e tua, me besim në dashurinë dhe plotësinë e tij për të të pastruar e pajtuar me Perëndinë, sot është dita për të bërë këtë gjë. Nëse nuk ke shkuar tek ai si Shpëtimtari yt, dhe ta adhurosh atë siç bënë barinjtë e dijetarët para 20 shekujve, sot është dita që të bësh këtë gjë. Bëhu i Krishtit dhe bëje atë tëndin. Kapu pas tij me anë të krahëve të besimit dhe pendimit, përmes lutjes e përkushtimit.

Nëse i përket tashmë Atij, shprehe mirënjohjen tënde përmes shërbimit. Ti ke se çfarë të ndash me të tjerët. Shtrihu drejt tyre në emër të Krishtit. Le të jetë dhurata e dashurisë së Perëndisë për ty modeli i dhuratës tënde të dashurisë për të tjerët.

Së fundi, mos harro se ke jo vetëm obligimin për ti folur Perëndisë për dhuratën e tij, por edhe për ti folur të tjerëve për këtë Krisht. Vini re që në historinë e Krishtlindjes, kushdo që morri mesazhin e saj, e ndau apo ia përçoi atë edhe të tjerëve. Dijetarët nga lindja thanë “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar” (Mateu 2:2). Ndërsa barinjtë “mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë,” (Luka 2:17). Simeoni lavdëri Perëndinë (Luka 2:28). Ana profetesha “lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem,”  (Luka 2:38). Kjo e fundit është kombinimi i duhur i gjërave, falënderimi ndaj Perëndisë dhe dëshmia ndaj të tjerëve. Perëndia rifreskoftë zemrat dhe besimin tonë këtë Krishtlindje në këtë dhuratë, Krishtin Zotitn tonë. AMEN.

 

 

Njerez qe Humben Krishtlindjen

Në javën e parë të Qershorit të vitit 1944, Generali i famshëm Gjerman, Feldmareshal Erëin J.E. Rommel, i njohur ndryshe si “Dhelpra e Shkretëtirës,” po forconte fortifikimet mbrojtëse në bregdetin perëndimor të Francës, përfshi edhe Normandinë, fortifikime që ndërtoheshin kundra sulmit të pritshëm të Aleatëve Perëndimor kundra invazionit Hitlerian për çlirimin e Evropës. Rommeli e pat fituar nofkën “Dhelpra e Shkretëtirës” për shkak të taktikave dhe strategjisë që përdori në fushatën ushtarake në Afrikën e Veriut nga 1941-1943. Ai ishte i bindur se Gjermania do ta humbiste luftën nëse Aleatët do të arrinin të zbarkonin në Francë. Dhe kështu, ai kishte bërë gjithçka që mund të bënte për mbrojtjen e bregdetit, dhe meqë përkeqësimi i motit, në atë fillim të Qershorit e kishte bërë në dukje të vështirë zbarkimin e Aleatëve, Rommeli mori disa ditë pushim që të ishte në Berlin me 6 Qershor për ditëlindjen e bashkëshortes së tij. Sot, 6 Qershori festohet si dita e zbarkimit të Aleatëve në Normandi, dhe njihet ndryshe si D-Day, dhe në fakt është dita kur u thye fuqia Hitleriane dhe kur u sigurua fitorja e ardhshme e luftës së Dytë Botërore në favor të Aleatëve.

Rommeli ishte një gjeneral që e kuptonte rëndësinë historike të zbarkimit të Aleatëve në Normandi. Ai bëri tërë përgatitjet për të mos e lejuar atë gjë. Por kur zbarkimi nisi, Rommeli nuk ishte atje sepse ishte i angazhuar me gjëra të tjera. Rommeli kishte humbur shansin e tij për shkak të angazhimeve të tjera të jetës.

Shumë njerëz të tjerë përgjatë tërë historisë së njerëzimit kanë patur fatin e Rommelit. Por nga të gjitha këto raste, më tragjikja është historia e atyre që kanë humbur Krishtlindjen, madje vetë Krishtin për shkak të angazhimeve të tjera të jetës. Kur flas për njerëz që humbën Krishtlindjen, sigurisht që së pari i referohem atyre që humben shansin për të përjetuar Krishtlindjen e parë, lindjen e Zotit Jezus Krisht. Por gjithashtu unë sot i adresohem edhe atyre që humbasin sot Krishtlindjen, gjënë më të rëndësishme që ekziston, vetë Zotin Krisht për shkak të angazhimeve dytësore. Dhe kjo është tragjedia e kohës tonë.

Hanxhiu

Personi i parë që të vjen në mendje si njeriu që ishte më afër Krishtlindjes por po aq edhe larg saj, është hanxhiu i hanit ku nuk bujtën Maria dhe Jozefi, dhe ku nuk u lind Krishti. Tek Ungjilli i Lukës 2:7 lexojmë se Maria e lindi Krishtin “e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.Bibla nuk e përmend hanxhiun, emri i tij nuk dihet, sepse nuk ka arsye që emri i tij të mbahet mend. Por dihet që çdo han ka një hanxhi apo hanxhesh. Dekreti i Cezar Augustit për një census të përgjithshëm të tërë Perandorisë Romake, kishte shkaktuar me siguri një prurje vizitorësh në qytetin e vogël të Betlehemit, që nuk njihej si qytet turistik dhe që do të thoshte një impenjim të paparë dhe fitime të konsiderueshme për të zotin e hanit të vetëm të qytetit. Frederich Buechner është një shkrimtar Amerikan i cili ka shkruar një version ta dramatizuar nga këndvështrimi i hanxhiut të arsyes se përse ai nuk është në historinë e Krishtlindjes, dhe kështu në imagjinatën e Buechner, hanxhiu shfajësohet kështu:

“Unë të flas si njeri i kësaj bote,” tha Hanxhiu. “Jo si një idealist, por si një realist. A e di ti se cdo të thotë të kesh hotel, të drejtosh një biznes, një familje, të drejtosh gjithçka që ka rëndësi në këtë botë? Është si të humbasësh në një pyll prej njëmilion pemësh,” tha Hanxhiu, “dhe çdo pemë është një gjë mëshumë që duhet bërë. A u ndërruan çarçafët? A i veshën fëmijët palltot? A i bënë detyrat? A kemi para mjaftueshëm sa për të mbyllur muajin? Sot kemi se ç’të hamë dhe se ç’të veshim, por nesër si do t’ia bëjmë? Një milion pemë. Një milion gjëra…ne nuk kemi mundësi për të tjera gjëra, nuk kemi sy mjaftueshëm për ndonjë gjë tjetër, dhe çfarëdo lloj gjëje tjetër të shikojmë kthehet në një pemë më shumë.”[1]

Bota ka qenë dhe është e mbushur sot me hanxhinj të tillë, njerëz që e konsiderojnë veten realist, por që në fakt janë materialistë që nuk përjetojnë mrekullinë, bekimin dhe kuptimin e Krishtlindjes thjesht për shkak të preokupimeve të shumta të jetës, punës, familjes, shoqërisë, pushtetit, parasë, influencës, etj.

Në këtë moment nuk po i referohem jo-besimtarëve të kësaj bote, njerëzve që tashmë janë larg Krishtit dhe Krishtlindjes. Nuk mund të qortohet Cezar Augusti se humbi Krishtlindjen. Ai ishte tepër larg për të mos e humbur atë. Nuk mund të qortohen Grekët apo Babilonasit, pasi ishin tepër larg Krishtit. Ata që duhet të qortohen janë qytetarët e Betlehemit, Judenjtë, populli i Perëndisë sipas Dhiatës së Vjetër. Sot duhet të qortohet në Krishterët, sepse janë pikërisht ata që duhet të vënë re realitetin, kuptimin dhe implikimin që ka për ne trupëzimi i Perëndisë, dhe lindja e tij si njeri përmes Maries. Jemi ne ata që duhet të vëmë re më shumë kuptimin dhe mrekullinë e lindjes së Krishtit, e ardhjes së Perëndisë në këtë botë me qëllim që të vuajë për ne, që të vdesë për ne, që të ngjallet që ne të kemi jetë përjetësisht.

Vite më parë, pastori i njohur A. W. Tozer i shqetësuar për shpërqendrimin që pësojnë të Krishterët për shkak të preokupimeve të kësaj bote shkroi:

Çdo epokë ka karakteristikat e veta. Sot ne jetojmë në epokën e kompleksitetit, qoftë ajo religjioz apo jo. Thjeshtësia që ishte në Krishtin është e rrallë në botën e sotme. Në vend të saj shikojmë projekte, metoda, organizata dhe një botë aktivitetesh frenetike që mbushin kohën dhe të vjedhin vëmendjen por që kurrë nuk mund të kënaqin apo përmbushin dëshirimin e vakumin e zemrave tona. Cekëtia e përjetimeve tona të brendshme, cekëtia e adhurimit, dhe imitimi servil që ne i bëjmë botës dëshmojnë se ne sot e njohim Perëndinë shumë pak dhe se paqja e tij rradhëherë gjendet brenda nesh. Nëse ne duam ta gjemë Perëndinë, ne duhet të kalojmë përmes kompleksitetit të kësaj bote përmes metodës së thjeshtësisë.[2]

Po kështu, le të mos harrojmë se veprimet tona nuk kanë pasoja vetëm për ne por edhe për ata rreth nesh. Së bashku me hanxhiun, atë Krishtlindje të parë e humbën edhe familja dhe të afërmit e tij, madje edhe bujtës të rastit që providenca e Perëndisë i pat sjellë aty atë natë. Për shkak të preokupimeve të jetës, hanxhiu humbi rastin që të shikonte, ti shërbente dhe të adhuronte Krishtin, ai dhe familja e tij, si edhe humbi rastin që të drejtonte të tjerët gjithashtu tek Perëndia-njeri, dhe në fjalët e Nolit, ai dhe të afërmit e tij ishin anës dritës të paparë.

Herodi

Personi i dytë që humbi Krishtlindjen e parë ishte Herodi. Herodi ishte një Hebre dhe mbreti kukull i Izraelit i komanduar nga Roma. Herodi ishte plotësisht antipatik, një dhelpër e vjetër, fajtor për shumë vrasje, përfshi këtu të paktën për vrasjen e gruas dhe tre fëmijëve të tij. Si çdo politikan e vrasës ai nuk kishte fe. Ai mund të ishte vetëm një cinik. Ai e njihte traditën e Izraelit, e kishte Biblën, kishte në shërbim të tij studiues, priftërinj e teologë, dhe ai shumë thjesht mund të mos e kishte humbur shansin për të qenë një aktori pozitiv në dramën e madhe të shpëtimit që Perëndia po aktivizonte për bekimin e tërë botës, por mbi të gjitha ai mund të kishte qenë vetë tek këmbët e Krishtit për falje, për adhurim e shërbim.

Ungjilli i Mateut na tregon se Herodi ishte në shtëpinë e tij në Jerusalem kur i erdhi lajmi i një delegacioni nga Lindja që kërkonte të vizitonte dhe adhuronte mbretin e porsalindur. Ata po pyesnin nëpër qytet se ku mund ta gjenin mbretin e porsalindur, Mesinë. Herodi u shqetësua pa masë nga ky lajm. Ai thirri drejtuesit religjiozë të vendit për të zbuluar nga Dhiata e Vjetër se ku duhej të lindte Mesia. Përgjigja që i erdhi ishte-Në Betlehem! Kështu ai e drejton delegacionin nga Lindja për në Betlehem me kërkesën që sapo ta gjenin Mesinë, Mbretin e porsalindur, ti raportonin atij që edhe ai të bënte të njëjtën gjë. “Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj,” (Mateu 2:8). Por qëllimi ishte vrasja jo adhurimi i Perëndisë-njeri, ishte mëkati dhe jo shpëtimi i vetvetes, ishte rendja drejt shkatërrimit të plotë të shpirtit të tij dhe jo rendja drejt hirit shpëtues të Perëndisë.

Kështu Herodi kishte tërë informacionin e duhur për shpëtimin e tij, dinte vendin, Shkrimet, madje ai dinte edhe kuptimin e Krishtlindjes, mund të kishte përfituar nga aplikimi i hirit të Perëndisë në jetën e tij por ai i humbi të tëra këto shanse për shkak të lakmisë e ambicies që robëronte zemrën e tij.

Shumë njerëz kudo në botë humbasin shansin për të përjetuar dhe për tu bekuar me gjërat e mira të kësaj bote që vijnë nga dora bujare e Perëndisë për shkak të ambicies dhe interesit vetjak që i robëron. Akoma më shumë humbasin shansin për tu takuar me Krishtin, për të marrë faljen, për të lënë tek këmbët e tij barrën e fajit e mëkateve, dhe për të qenë vërtetë të lirë në Krishtin. Ambiciozëve të kësaj bote Krishti u thotë “Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?” (Marku 3:36). Ambicia jote më e madhe duhet të jetë të gjesh dhe të kapesh përmes krahëve të besimit pas Krishtit, atij që zbriti e hyri në këtë botë nga dashuria i tij për ty, dhe që madje edhe vdiq që të bëhej Shpëtimtari yt.

Drejtuesit Fetarë

Disa persona të tjerë që humbën Krishtlindjen ishin edhe drejtuesit fetarë të Izraelit, kryepriftërinjtë, skribët e farisenjtë. Nëse kishte persona që nuk duhet ta humbnin shansin për të rendur tek këmbët e Krishtit ishin pikërisht ky grup njerëzish pasi ishin ata më shumë se çdo kategori njerëzish të tjerë në tërë Izraelin që kishin kohën dhe mundësi për të dalluar Krishtin që kishte ardhur në përputhje me profecitë e Dhiatës së Vjetër. Ata kishin Shkrimet. A nuk ishin ata që instruktuar Herodin dhe Dijetarët nga Lindja për vendlindjen e Mesisë? E megjithatë ata nuk lëvizën nga vendi dhe nuk shkuan në Betlehem së bashku me Dijetarët për ta pritur, adhuruar e për ti shërbyer Krishtit. Ata që u tregonin të tjerëve rrugën nuk e ndoqën vetë atë.

Çfarë i pengoi ata për ta bërë këtë gjë? Nuk mund ta themi me siguri, por ndoshta ishte letargjia shpirtërore që karakterizonte këtë klasë njerëzish në kohën e Krishtit. Ndoshta ishte krenaria në faktin që vetë Herodi pati nevojë për ekspertizën e tyre. Ndoshta ishte mendjemadhësia e njerëzve të rëndësishëm e të pushtetshëm që jetojnë nëpër kryeqytetet e botës dhe pranë pushtetarëve të fuqishëm e të pasur si Herodi. Ndoshta ishte fakti që ata nuk kishin ne zemër dashurinë për Perëndinë. Krishti pat thënë për ta njëherë “Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju. Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni,” (Gjoni 5:42-43).

Këtë e shikon në të gjitha religjionet e botës, por ajo çfarë duhet të na shqetësojë është kur kjo gjendet në mes të kishave të vërteta të Krishtit. Shumë të Krishterë e drejtues Kishash mund të jenë në gjendje ti përgjigjen pyetjeve të vështira biblike apo teologjike, por mund të mos kenë etjen për të njohur Perëndinë. Shumë vetë mund të dinë gjëra mbi Perëndinë por mund të mos e njohin atë vetë. Bota ka njohur mjaft teologë ateiste e priftërinj jobesimtarë. Shumë të Krishterë nuk e njohin dhe nuk e përjetojnë atë realitetin e prezencën jetësore e gëzimdhënëse të Zotit Jezus Krisht. Kuptohet që njohja është e rëndësishme, ne mund ta njohim Perëndinë vetëm nëse njohim Krishtin siç na është zbuluar në faqet e Biblës. Sigurisht që ne duhet të lexojmë e studiojmë Biblën rregullisht, sistematikisht dhe madje me laps në dorë. Kështu bënin edhe farisenjtë e priftërinjtë e Izraelit, dhe këtyre Krishti u tha: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën” (Ungjilli i Gjonit 5:39-40). Ti o njeri mund ta njohësh e studiosh Biblën që dëshmon për Krishtin, e megjithatë mund të mos e zbulosh atë atje. Madje ti edhe mund edhe të mos i besosh atij edhe pasi ta kesh zbuluar Krishtin atje dhe pse mund të mos kesh asnjë arsye racionale për të mos i besuar atij. E megjithatë kërkon jetën e përjetshme e paqen me Perëndinë. Nëse do jetën duhet të duash Krishtin, nëse do paqen me Perëndinë duhet të pranosh sakrificën që Krishti bëri për ty në Kryqin e Golgotës. Krishti tha “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Nuk ka jetë pa Krishtin, nuk ka jetë jashtë Krishtit. Prandaj Apostulli Pal thotë atyre që besojnë se “jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë” (Letra Drejtuar Kolosianëve 3:3). Qëllimi nuk është njohja e Biblës por e Autorit të Biblës. Dhe vetëm nëse ne njohim Krishtin ne mund të njohim Perëndinë.

A e njeh ti Autorin e Biblës, të jetës së përjetshme, të vetë ekzistencës tënde? Nëse do ta njihje jeta jote do të ndryshonte radikalisht. Ti do të gjeje më së fundi përmbushjen e boshllëkut që jehon brenda zemrës tënde. Zemra jote do të gjente prehje nëse ajo do të prehej në krahët e Krishtit. Ti madje do të harroje vetveten. Ti do të çliroheshe jo vetëm nga frika e vdekjes, nga barra e fajit të mëkatit që të rëndon, por madje edhe nga meskiniteti i kësaj jete. Ti nuk do të kishe më frika nga Perëndia, nga bota, nga vetja, nga jeta dhe madje as edhe nga vdekja.  Ti do të ndjeje një dashuri të re, ta pa provuar më parë, ta pa shpjegueshme, një dashuri pasiononte për Perëndinë dhe për njeriun, një dashuri që do të të shtynte të të bëje gjëra të mrekullueshme ta. Ti më së fundi do të kishe arritur në shtëpi, do të ishe i/e plotë dhe i/e lumtur. Jeta jote do të ishte e fshehur bashkë me Krishtin në zemrën e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse Perëndia u trupëzua, jetoi ndër ne, e madje vdiq i kryqëzuar nga ne…për ne, për ty. Përule pra vetveten, lerë krenarinë, prano që ti ke nevojë për Zotin, për Krishtin. Shko tek Ai. Ai tashmë të ka ftuar që ta bësh këtë gjë kur të tha “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj,” (Ungjilli Sipas Mateut 11:28-29).



[1] Buechner, Frederick. The Magnificent Defeat. New York: Seabury Press, 1966, faqe 66-67.

 

[2] Tozer, A. Ë. The Pursuit of God. Harrisburg, Pa: Christian Publications, 1948, faqe 17-18.

Dhuratat e Besimit

“…disa dijetarë nga lindja arritën…mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.” (Mateu 2:1, 11)

Mbretër-Bërës nga Lindja

Historia e lindjes së Krishtit shoqërohet edhe me një ngjarje tjetër që historikisht ndodhi ndoshta edhe me shume se dy vjet pas lindjes së tij por që për shkak të kontekstit të saj është parë gjithmonë si pjesë e historisë së lindjes së Krishtit. Bëhet fjalë për ardhjen e disa personave të rëndësishëm nga Lindja. Në tekstin origjinal termi që përdoret për ta është ma,goj (magos), një titull që përdorej nga Babylonasit, Mediasit dhe Persët ndaj një grupi të veçantë personash publikë. Këta ishin dijetarë, priftërinj, astrologë, e parashikues të fatit apo interpretues të ëndrrave e vizioneve. Ata nuk ishin mbretër apo magjistarë siç mund të jetë dëgjuar nëpër këngë apo literature artistike e vizuale. Ata ishin mbret-bërës. Një prej funksioneve që kjo klasë e veçantë personash kishte, ishte edhe konfirmimi dhe kurorëzimi i mbretërve të rinj që vinin në krye të mbretërive në Lindje. Pjesë e këtij grupi, në Dhiatën e Vjetër ishte edhe Danieli, i cili u pat lënë atyre edhe profeci të shumta për ardhjen e një mbreti të ri, e një mbreti hyjnor, e një mbreti mbi tërë mbretërit e dheut.

Në kohën e duhur, Perëndia u zbulon përmbushjen e profecive dhe i drejton ata për në Izrael për të konfirmuar e kurorëzuar këtë mbret të ri. “Ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.” Eventualisht ata përfundojnë në shtëpinë e Maries dhe Jozefit “dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.” Ungjill-shkruesit nuk na japin shumë informacion mbi këta magi nga lindja, dhe jo pa qëllim. Mateut i intereson më tepër fakti që jo-judenj, madje edhe mbretër-bërësh të Perandorive madhështore si ato të lindjes erdhën për të adhuruar Mesinë, dhe për ti sjellë atij dhurata. Adhurimi i Krishtit dhe dhuratat që iu ofruan atij janë fokusi kryesor i ngjarjes.

Metali i Mbretërve

Është e thjeshtë për të kuptuar se përse ari ishte dhurata e duhur dhe e përshtatshme për Jezus Krishtin. Ari është metali i mbretërve. Kjo është e konfirmuar edhe nga arkeologjia moderne. Ofrimi i arit ishte deklarata e këtyre mbretër-bërësve mbi të drejtën e Jezus Krishtit për të mbretëruar. Ai ishte mbreti që duhej të vinte, siç edhe ishte profetizuar nga Mikea 5:2 “Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.” Ofrimi i arit ishte shpallja e Krishtit si mbreti që duhej të vinte dhe përmbushja e të tëra profecive të Dhiatës së Vjetër.

Temjani i Pastërtisë

Është po kështu e thjeshtë për të kuptuar se përse edhe temjani ishte një dhuratë e duhur dhe e përshtatshme për Krishtin. Temjani përdorej në Tempull për adhurim. E përzier me vajin, ajo përdorej për vajosjen e priftërinjtë për shërbimin e adhurimit në Tempull. Po kështu ajo përdorej edhe për ofruar blatimin ushqimor, që ishte jë blatim falënderimi dhe adhurimi ndaj Perëndisë, një sakrificë e pranueshme dhe kënaqësi dhënëse ndaj Perëndisë.  Në dhënien e kësaj dhurate, këta dijetarë priftërinj e mbret-bërës, deklaruar Krishtin të jetë gjithashtu edhe Kryeprifti ynë, e tërë jeta e të cilit do të ishte “një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia,” (Filipianëve 4:18). Është interesante që temjani nuk përzihej kurrë me flijimet për mëkatet. Ne shikojmë në simbolizmin e këtyre dhuratave mbretërimin e përjetshëm dhe shenjtërinë e Krishtit si Mbreti dhe Kryeprifti ynë. Ai erdhi nga përjetësia, nga gjiri i Hyjit, Personi i dytë i Trinisë që të përmbushë veprën e çlirimit. Ai erdhi i përgatitur për të bërë vullnetin e Atit dhe të përmbushë të tëra obligimet e Ligjit. Vetëm kështu ai do të bëhej i pranueshëm që të vdiste në kryq, dhe vetëm përmes atij kryqi të shpëtonte botën. Mbajtësi i mëkatit duhej të ishte pa mëkat vetë.

Shenja e Vdekjes

Ashtu siç ari ishte metali i mbretërve dhe temjani simboli i shenjtërisë, mirra ishte simboli i vdekjes. Mund të kuptohet shumë lehtë se sa e rëndë, keq-ndjellëse dhe madje edhe ofenduese është që ti ofrosh një bebeje dhe familjes së tij shenjën e vdekjes. Mirra përdorej në atë kohë për të balsamosur të vdekurit. Por në rastin e Krishtit, kjo dhuratë nuk ishte as e çuditëshmë dhe as ofenduese. Ajo ishte një dhuratë besimi. Ne nuk e dimë me siguri se sa të qarta i kishin këta dijetarë nga lindja aspektet e ndryshme të shërbesës së Krishtit dhe mbi të gjitha doktrinën e vdekjes së tij në Kryq. Por një gjë është e sigurt, ata e bënë këtë gjë të shtyrë nga Perëndia. Për ata ishte një akt dhe dhuratë besimi. Isaia 53:4-6 thotë “Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. 5 Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. 6 Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.” Krishti duhej të vuante dhe të vdiste për mëkatin tonë, dhe mirra ishte dhurata që simbolizonte këtë aspekt të shërbesës së Krishtit.

Ari për mbretërim! Temjani për shenjtërinë! Mirra për vuajtjen! Por vjen një ditë që mirra nuk do të jetë më një dhuratë për Krishtin. Isaia 60 flet për ardhjen e dytë të Krishtit në fund të kësaj epoke për të inaguruar aktin final të konsumimit të premtimeve të Perëndisë. Kapitulli fillon me “Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty,” (v. 1). Vazhdon me përshkrimin se si tërë kombet do të vinë tek Krishti, dhe vargu 6 përshkruan dhuratat që do ti ofrohen atij. “Një mori devesh do të të mbulojë, dromedarë të Madianit dhe të Efahut, ato të Shebas do të vijnë të gjitha, duke sjellë ar dhe temjan dhe do të shpallin lëvdimet e Zotit.” Në ardhjen e dytë të Krishtit do të kemi një skenë të ngjashme me atë të ardhjes së tij të barë. Krishti do të mbretërojë, dhurata do ti ofrohen. Ar dhe temjan, por jo mirrë. Ai do të mbretërojë në plotfuqishmëri dhe shenjtëri, por nuk do të përjetojë vuajtje. Jezus Krishti vdiq në kryq një herë dhe përgjithmonë. Vepra e shpëtimit ka përfunduar. Nuk do të ketë më nevojë për vuajtje, sakrifica e vdekje.

Dhurata Tona

Sot ne duhet ti ofrojmë Krishtit dhuratat tona të besimit. Në një farë mënyre, ne gjithashtu mund t ofrojmë atij përmes besimit ar, temjan dhe mirrë. Mirra nuk është vetëm simboli i vdekjes së Krishtit, por edhe e vdekjes tonë shpirtërore që është pasojë e mëkatit. Lëreni atë në këmbët e Krishtit duke rrëfyer mëkatet, duke rrëfyer se ju besoni se ai vdiq për mëkatin tuaj,dhe duke i kërkuar që ai t’ju pranojë si fëmijën e tij përgjithmonë. Pas kësaj ejani tek ai dhe ofrojini temjanin tuaj. Pranoni e rrëfeni se jeta juaj është plotësisht e papastër ndërsa e Krishtit ishte përjetësisht e shenjtë. Bibla na mëson se Krishti jeton përmes Frymës së Shenjtë në besimtarin dhe kështu prodhon në të vepra të mira. Këto vepra të mira janë “një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia,” (Filipianëve 4:18). Së fundi, ejani tek ai me arin tuaj. Rrëfeni të drejtën e Krishtit për të mbretëruar në jetën tuaj. honi “Ju jeni Zoti dhe Zotëria im, Mbreti im.” Kërkojini atij që të drejtojë jetët tuaja në mënyrë që ta nderoni e ti shërbeni siç duhet përjetë. Sillni dhuratën tuaj të besimit, mirrë, temjan dhe ar dhe do të ecni në rrugën e ngushtë por të sigurt të bekimit dhe gëzimit shpirtëror. Këto janë dhuratat e vërteta të besimit. Këto janë të vetmet dhurata që ju mund ti ofroni atij që nga hiri ka dhënë gjithçka për ju.

VJERSHË PËR KRISHTLINDJET

 
Nga Rilindësi, Gjerasim Qiriazi

Për shumë vjet, miq të dashur,
Qofshi të paqësuar,
Krishtlindjen me të ardhur
Na kanë gëzuar.
Sihariqe u kam prurë,
Po dëgjoni me kujdes,
Për të mos qenë më sëmurë,
Po gjithë jetën me shëndet.
Krishti, bir’ i Perëndisë,
Shpëtimtar i njerëzisë,
Duke zbritur këtë ditë,
Nga qielli na thërret:
“Ejani të gjithë tek unë,
Ju që jeni në mundim,
Do të ju marr barrën tuaj,
Dhe do të ju jap shpëtim.
Jam i bute dhe i qetë,
I përunjur në zemër,
Do të ju jap të ëmbël jetë ”
Zotërinj që më dëgjoni,
Sihariqet që ju solla
Sot ditën ta kremtoni,
Se sot gjeti shpëtim bota.
Këto erdha që të ju them,
Ju kam sjellë edhe dhurata,
Dua zemrat që të gëzoj,
Gjithkujt që më vështron…
O druzë e malit me lule,
Për Krishtlindjen na dhe,
E stolisur si nuse,
Bukuri të madhe ke.
Posi dielli lart në qiell,
Që shkëlqen mbi gjithë yjtë,
Kështu ti përpara nesh
Me dritën na vret sytë.
Qiparis me degë shumë,
Si palloi me pendë shkruar,
Dhuratat që na ke prurë
Vallë kush na i ka dërguar?
Posi bleta që rrot,
Mbushur portokaj e fiq,
Qiqra edhe sheqerka,
Dhe shumë farësh të tjera;
Si kopsht ndërtuar me lule,
Si parajsë e vërtetë,
Dhuratat që na prure
Na i sjellësh për shumë vjet.
Sihariqe dhe dhurata,
Gjithë sonte ç’na ke prurë,
Gjithnjë do t’i kujtojmë,
Do të mos i harrojmë kurrë.

Kuptimi i Krishtlindjes: Nje Shpetimtar Unik

Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: “Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje””. 16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. 17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit. 18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur. (Gjoni 1:15-18)

clip_image001uptimi i Krishtlindjes është në fakt thelbi i Krishterimit historik. çfarë kombet festojnë kudo nëpër botë është deklarimi i faktit që Perëndia mishërizoi vetveten për tju afruar njeriut për shpëtimin e tij. Kjo njihet si Doktrina e Mishërizimit: Perëndia u bë njeri në Jezusin nga Nazareti. Ky është fakti dhe doktrina që e veçom Krishtërimin nga të gjitha fetë e tjera. E veçantja apo unikja e Krishtërimit është se Perëndia ka marrë iniciativën dukë i veshur vetës mishin njerëzor për ta shpëtuar njerëzimin. Biri i Perëndisë u bë njeri që njerëzit të bëheshin bij të Perëndisë. Kjo është çfarë e bën Krishterimin unik. Një nga emrat e Krishtit është Emmanuel që do të thotë “Perëndia në mesin tonë.” Dhe ky person ishte vetë Jezus Krishti, personi i Dytë i Trinisë i veshur me mish njeriu. Dhe për këtë arsye, ai është personi më unik në këtë botë. E përdor termin unik apo i veçantë pasi vetë Apostulli Gjon e përdor këtë term kur i referohet Krishtit. P. Shemb: Gjoni e quan Krishtin “i vetëmlinduri Bir.” Fjala që ai perdor në Greqishten e vjetër (monogenesis) në fakt do të thotë “i vetëm për nga lloji,” apo unik. Krishti ishte Biri unik i Perëndisë. Dhe ky është kuptimi i krishtlindjes: Perëndia i vetëm i kësaj bote, një person unik, ofroi Birin, të vetmin person të dytë të trinisë së Shenjtë për tu mishërizuar, një mënyrë unike kjo për të shpëtuar njeriun, dhe si rrjellim, çfarë na është dhuruar për Krishtlindje është një person unik, një Shpëtimtar unik. Ky deklarim është qëllimi i Apostullit Gjon në 14 vargjet që lexuam më parë. Apostulli Gjon e krahason Krishtin me Gjon Pagëzorin në fillim dhe pastaj me Mojsiun për të theksuar Krishtin si Shpëtimtarin Unik të njeriut. Unë do të hap përpara jush këtë mëngjes këto katër vargje përmes katër pikave kryesore. 1) Unik në Personin e Tij, 2) Unik në Resurset e Tij 3) Unik në Dhuratat e tij, 4) Unik në Zbulesën e Tij.

Unik në Personin e Tij

clip_image002rishti është së pari unik në personin e Tij. Është e vështirë të gjesh një lider shpirtëror më impresionues se sa Gjon Pagëzori. Një engjëll anonçoi lindjen e tij duke thënë “Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit… dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s’ëmës” (Luka 1;15). Gjoni pati një mesazh dhe shërbesë frymëzuese për këdo që inspiron të bëhet një lider. Ai thirri Israelin në pendim dhe bindje ngaj Perëndisë. Mbi të gjitha ai kishte guxim, karakter dhe integritet. Ai konfrontoi drejtuesit hipokritë dhe madje edhe vetë Mbretin Herod.

Por sipas vetë Gjon pagëzorit, ai nuk ishte shpëtimtari që ne duhej të dëshironim dhe ndiqnim. Vargu 15 thotë “Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje”” (Gjoni 1:15). Gjoni thotë që edhe pse ai lindi përpara Krishtit dhe e filloi shërbesën e tij përpara Krishtit, Krishti është një lider shpirtëror i një niveli më të lartë pasi ai është unik në personin e Tij. Me fjalët “sepse ishte përpara meje” Gjoni thekson pri-ekzistencën e përjetshme të Krishtit. Krishti është vetë Perëndia i përjetshëm dhe për këtë arsye Ai qëndron unik mbi çdo qenie tjetër njerëzore. Krishti është unik edhe në krahasim me liderët e feve të tjera. Krishti është i vetmi person që u ngrit nga të vdekurit dhe jeton përgjithmonë për të qenë Shpëtimtari ynë tek i cili ne mund të mbështetemi plotësisht.

Krishti është ai shpëtimtari për të gjithë ju që dëshironi një drejtues të vërtetë. Ne jetojmë në shekull gurush dhe vipash, dhe kjo edhe në aspektin shpirtëror. Ne ndjejmë nevojën për të pasur drejtues. Ne kemi nevojë për dikë që mund ti besohet, që mund të ndiqet, që mund ti bindemi dhe që mund të na drejtojë për në drejtimin e duhur. Tek Mateu 9 lexojmë këto fjalë: “35 Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull. 36 e duke parë turmat, pati dhembshuri për to, sepse ishin të abuzuar, dhe të shpërndarë si delet pa bari.” Këtë Krishtlindje ky popull gjendet me më pak shpresë për të ardhmen se sa vjet; gjendem më i abuzuar, më i hallakatur e më i varfër. Krishti ka dhembshuri për këtë popull. Por Krishti ka gjithashtu edhe zgjidhjen unike për ne. Rrënja e çdo problemi social, civil apo kombëtar është në fakt shpirtëror. Pa u adresuar më parë problemi shpirtëror nuk do të zgjidhen problemet e tjera. Në të njëjtin kapitull (Mateu 9) ne lexojmë: “37 Atëherë ai u tha dishepujve të vet: “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. 38 Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij”.” Pas kësaj, menjëherë në fillim të Mateut 10, Krishti cakton 12 Apostujt e Tij. Predikimi dhe besimi i ungjillit dhe i personit Unik të Krishtit është zgjidhja e vetme që mund të adresojë nevojat e këtij vendi. Të gjitha bekimet apo përfitimet e tjera shoqërore apo sociale burojnë nga marrëdhënia që një komb apo një person ka me Krishtin. Dhe ky është edhe kuptimi i vargut 16. Krishti është unik jo vetëm në personin e tij, por Krishti është unik edhe në resurset e tij.

Unik në Resurset e Tij

clip_image003argu 16 thotë: “Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir përmbi hir.” Krishti ka plotësinë e të gjitha bekimeve shpirtërore dhe fizike për të cilat ne kemi aq shumë vevojë. Asnjë nevojë e jona nuk është më e madhe se sa mundësia e Krishtit për ti adresuar ato. Kur vera mbaroi në Kanë, Krishti ktheu ujin në verë. Krishti rigjeneroi shpirtin e prostitutës së rënduar nga barra e mëkatit dhe e turpit. Atë që kishte qenë i çalë për 38 vjet Krishti e shëroi. Kur turmat e ndiqnin të uritura, Krishti i ushqeu. Atij që ishte i lindur i verbër, Krishti i dha shikimin. Kur Llazari dergjej i ftohtë në varrin e tij prej tre ditësh, Krishti i dha jetën. Të gjitha këto mrekulli të rreshtuara në ungjillin sipas Gjonit janë shembuj të plotësisë së natyrës së Tij hyjnore. Krishti mund të na bekojë në të gjitha nevojat tona nga plotësia e tij e pafund, nga hyjnia e Tij e plotfuqishme, dhe nga burimi i pashtershëm i dashurisë së Tij për ne. është për këtë arsye që Gjoni thotë “Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir përmbi hir.” Hir përmbi hir nënkupton që jo vetëm Krishti na jep hir nga hiri i tij hyjnor, jo vetëm që Krishti na ka shpëtuar përmes hirit dhe na jep përsëri hir pas shpëtimit tonë, por mbi të gjitha që Krishti dërgon dallgë të vazhdueshme hiri mbi ne me qëllim që ne kurrë të mos gjendemi zbuluar, ashtu siç edhe fundi i detit nuk gjendet kurrë i zbuluar e pa ujë. Krishti është unik e i pashtershëm në resurset e tij për ne.

Hiri i Krishtit gjendet në shumë forma të ndryshme. Situata të ndryshme kërkojnë forma të ndryshme hiri. Ne kemi nevojë për një hir kur kemi dhe një hir tjetër kur nuk kemi. Ne kemi nevojë për një hir në rini dhe një tjetër në pleqëri. Ne kemi nevojë për një hir kur jemi nën persekucion dhe një tjetër nën paqe. Kemi nevojë për një hir në gëzime dhe për një hir tjetër në hidhërime.” Boshllëku i shpirtrave tonë mund të mbushet vetëm nga plotësia e hirit të tij. Paraja, fama, pushteti e njeriu nuk do ta mbushin dot kurrë atë vakuumin e pafund që është në shpirtin e gjithkujt. Krishti tha “”Kushdo që pi nga uji i kësaj bote do të ketë përsëri etje, 14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:13-1).

Kuptimi dhe besimi i këtij fakti, që Krishti është unik në resurset e Tij, shkakton dy efekte në jetët tona. Se pari, na mundëson që të gjejmë prehje, ngushëllim dhe siguri në çdo situatë. Është për këtë arsye që Apostulli Pal shkroi kështu nga burgu “Unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam. 12 Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. 13 Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” përmes hirit të tij (Filipinëve 4:11-13).

Në këtë kontekst, një rrezik që i kanoset besimtarëve zakonisht është një lloj vendpushimi shpirtëror. Shumë prej nesh pasi kanë marrë një masë të caktuar hiri, ulen në një si plate shpirtërore dhe bëjnë pushim në vend që të synojmë për më shumë nga hiri që gjendet kaq pafundësisht në Krisht. Nëse ju keni paqe, Krishti mund tju japë edhe më shumë. Nëse ju kini njohuri shpirtërore, falje, pendim, vet-disiplinim, bindje e besnikëri, gëzim e progres, Krishti ka më shumë nga këto për ju.

Efekti i dytë që shkakton hiri i Krishtit në jetët tona është që ne fillojmë që të kemi hir për të tjerët. Në mënyrë të pa evitueshme, nëse hiri po derdhet në ne, hiri do të derdhet edhe nga ne. Kur marrim hir, gjithmonë edhe japim hir. Krishti e mbush gotën tonë me hirin e tij me qëllim që ajo të derdhet edhe për të tjerët rreth nesh. Martin Luter shkroi “Ky burim është i pashtershëm. Nuk thahet kurrë, një burim i përjetshëm. Sa më shumë të tërheqim prej saj, aq më shumë do të japë.”

Unik në Dhuratat e tij

clip_image004rishti nuk është unik vetëm në personin e tij dhe në resurset e tij. Krishti është së treti Unik edhe në Dhuratat e Tij. Vargu 17 thotë “Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit” (Gjoni 1:17). Nëse gjon Pagëzoi ishte i rendësishm, Mojsiu ishte akoma edhe më shumë. Perëndia e përdori Moisiun për të shpëtuar Israelin nga skllavëria Egjiptianase, për ta udhëhequr Israeln për në tokën e Premtuar dhe për ti dhënë atij 10 Lidhet e Perëndisë. Por Krishti është akoma edhe më unik në dhuratat e Tij shpëtuese për popullin e Tij. Moisiu dha Ligjin, por , por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

Le të mos e nënvlerësojmë Ligjin e Perëndisë port ë kuptojmë rolin e saj në referencë më Hirin e Perëndisë. Ligji na u dha nga vetë Perëndia për të kuptuar dhe dalluar ndërmjet të mirës dhe të keqes. Pali thotë tek Rom 7:7 “Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: “Mos lakmo!” Detyra e Ligjit është të na vërë në dukje dhe të na bindë për mëkatin tonë. Kaq! Detyra e ligjit është të na bëjë shpallë nevojën tonë për hirin dhe faljen nga Perëndia. Dhe kjo është dobësia e Ligjit. Shën Augustini shkroi “Ligji të kërcënon por nuk të ndihmon, të urdhëron por nuk të shëron, të shpalos por nuk të heq mëkatin dhe dënimin e tij.” Pali thotë tek Gal 3:24 “Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.” Ligji është i mirë pasi është udhërrëfyesi unë për tëk Krishti, por hiri vjen vetëm përmes Jezus Krishtit. Artur Pink (autori i librit mbi atributet e Perëndisë të cilin po e studiojmë të mërkurave në darke) rendit disa aspekte se si hiri është më i mirë se sa ligji. Ai thotë: “Ligji zbulon çfarë është në njeriun – mëkat, hiri zbulon çfarë është në Perëndinë – dashuri. Ligji kërkon drejtësi nga njerëzit, hiri sjell drejtësinë e Perëndisë tek njerëzit. Ligji e dënon të gjallin me vdekje, hiri e sjell të vdekurin në jetë. Ligji flet për çfarë njeriu duhet të bëjë për Perëndinë, hir flet se çfarë Perëndia bëri për njeriun.”

Krishti, thotë vargu sjell gjithashtu edhe të vërtetën. Moisiu besnikërisht deklaroi të vërtetën e Perëndisë. Fjala e Perëndisë është e vërtetë në të tera gjeneratat, por këtu vargu kupton me fjalën “e vërteta” është që është reale në krahasim me atë që është simbolike. Moisiu i dha manës Judenjve në shkretëtirë, Krishti është buka e vërtetë e jetës që vjen nga qielli (Gjoni 6:35). Moisiu dha gjenqin e sakrificës si simbol të faljes së mëkateve, ndërsa Krishti ishte qengji i vërtetë i Perëndisë i cili heq mëkatet e të gjithë atyre që besojnë në të” (Gjoni 1:29). Krishti është unik në dhuratat e tij, në resourset e tij, në personin e tij, por së fndi, Krishti është Unik edhe në Zbulesën e tij për ne.

Unik në Zbulesën e Tij

clip_image005rishti është unik si shpëtimtar pasi ai është i vetmi person që mund të na zbulojë Perëndinë. Vargu 18 thotë: “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur atë.” Në Dhjatën e Vjetër njërëz të Perëndishëm patën dëshirë të shikonin Perëndinë por ai qëndronte i fshehur “në një re të dendur” siç tha Solomoni tek (1 Mbret 8:12). Profeti Elija mundi të dëgjonte vetëm një zë. Abrahami foli me engjëj. Moisiu qëndroi i shtangur përpara shkurres që digjej dhe nuk konsumohej por asnjëri nuk arriti ta shikonte Perëndinë. Kur Mojsiu insistoi të shikonte lavdinë e Perëndisë, përgjigja që mori ishte: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë”. Lavdia e Perëndisë është shkatërruese për njeriun. Por lajmi i mirë i Krishtlindjes si edhe kuptimi i saj është ky: Perëndia më së fundi na ka zbuluar vetveten e tij duke e mbuluar atë në mishërizim. Ati Perëndi dërgoi personin e Dytë të trinisë që tu zbulojë Perëndinë njerëzve, dhe për të mos e shfarosur njerëzimin me lavdinë e shenjtërisë së Tij, Biri i Perëndisë e mbuloi lavdinë e tij duke marrë mbi vete natyrën njerëzore. Perëndia na zbulohet duke mbuluar vetveten më mishërizimin dhe lindjen e Krishtit Jezus. Dhe është për këtë arsye që Jezus Krishti është unik në zbulesën e tij, në zbulesën që ai na ofron mbi Perëndinë. Krishti erdi që të sigurojë zbulesën e Perëndisë në një mënyrë të tillë që ne të jemi në gjendje ta marrim atë. Kjo është arsyeja që Krishti është me i lartë se Gjon Pagëzori, se Mojsiu, se Buda apo se Muhameti. Krishti ishte Perëndia i mishërizuar, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i të njëjtës esencë me Atin dhe Frymën e Shenjtë, personi i dytë i Trinise, Perëndia i tmerrshëm, i përjetshëm, i pafund, i shenjtë.

Kjo do të thotë që Krishti është i vetmi Shpëtimtar për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin Perëndinë dhe të njihen prej tij. Fjala na e ka bërë të njohur, në Greqishten Biblike është eksegesato, që studiuesit e përdorin si term për të simbolizuar procesin e interpretimit të Biblës. Dhe kjo është çfarë Krishti bën për ne. Ai na shpall, jep, interpreton Perëndinë, Ai na e zbulon neve atë. Nëse doni të dini se si është Perëndia dhe se cili është vullneti i Tij për ju dhe për këtë botë studioni Krishtin dhe Fjalën e tij. Kjo është arsyeja përse Apostulli joni e quan Krishtin Fjala. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. 2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. 3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:1-3). Kjo është se si Krishti është Unik në Zbulesën e Tij për ne.

Krishti është Unik si Shpëtimtar. Ai është unik si lider shpirtëror për të gjithë ata që dëshirojnë një të tillë pasi ai ka dhe tek ai përmblidhet e tërë njohja e vërtetë për tek Perëndia. Krishti është Shpëtimtari Unik për të tërë ata që janë bosh dhe dëshirojnë që të mbushen, shpirtrat tanë janë krijuar nga arkitekti hyjnor në një mënyrë të tillë që ato të gjejnë përmbushje në këtë jetë vetën nëse mbushemi me Perëndinë. Krishti është Shpëtimtari për të tërë ata që dëshirojnë të jenë të lirë, pasi liria gjendet në përmbushjen e qëllimit për të cilin ne njerëzit jemi krijuar – të njohim Perëndinë dhe të shijojmë lavdinë dhe prezencën e Tij. Për të gjitha këto, Krishti është i vetmi Shpëtimtar. Krishti tha “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta.” Që do të thotë, e vetmja rrugë e vërtetë për tek jeta e përjetshme me Perëndinë.

Kjo është arsyeja e lindjes së Krishtit. Ky është kuptimi i Krishtlindjes. Por a është Krishti Shpëtimtari yt? Nëse beson dhe lëshon veten në krahët e Tij, Krishti do të jetë Shpëtimtari yt gjithashtu. Ai vetë tha, “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (gjoni 3:36). Nëse ju i keni besuar Krishtit, a jeni ju duke tërhequr hir nga burimi i pashtershëm i Tij? Nga plotësia e Tij çdo besimtar merr hir përmbi hir. Le të jetë motoja jonë fjalët e Apostullit Pjetër kur tha, “Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë. Amen” (2 Pjet. 3:18).

Predikuar nga Pastor Albert Kona me 23 Dhjetor, 2007, Kisha Reformuar Durres.