Category: ungjilli

Drejtuar Një Ateisti


Ne jemi çfarë ne mendojmë! Ne bëjmë çfarë ne dimë! Nëse mendoni se jeni i fortë, do t’i futeni një dyluftimi; nëse mendoni se jeni i dobët, do të përpiqeni t’a evitoni atë. Nëse mendoni se jeni i shëndetshëm, nuk do të shkoni tek mjeku për kurim. Por, nëse ju keni një dhimbje, mendja ju shkon tek një sëmundje serioze ndaj shkoni tek mjeku për t’u kontrolluar.

Ti bën atë që ti mendon! Ti mendon se je një ateist, pra nuk pranon që je krijuar nga një qënie e mbinatyrshme të cilit duhet t’i nënshtrohesh. Ti mendon se je një​ qënie kalimtare e një proçesi evolucioni miliona vjeçar, ku i forti mbijeton dhe i dobëti përshtatet. Sistemi yt botkuptimor nuk lejon për vlera morale! Bota shtazore dhe njeriu, si prejardhje e saj, nuk e njohin moralin. Xhungla nuk ka drejtësi! Luani ha këlyshin e antilopës dhe prindërit e saj nuk hakmerren, as kërkojnë shpagim. Ti mendon se je produkt i evolucionit, por ti nuk jeton në përputhje me këtë bindje.
Nëse u ndodh ndonjë gjë të afërmve të tu, ti mund të mos hakmerresh, por brenda teje do të vlojë dëshira për drejtësi e hakmarrje. Nëse ti je një gangster, ti nuk do të gjesh paqe derisa të kesh vënë ‘drejtësi’, edhe pse ti jeton prej padrejtësisë që u shkakton të tjerëve.
Veprat dhe ndjenjat e tua tregojnë që thellë brenda teje ti beson në drejtësi; ti beson që drejtësia, pra morali, ekziston. Ti mund të përpiqesh t’a mohosh Perëndinë si përcaktues dhe dhënës i njohjes midis së mirës e së keqes​! Ti mund të thuash se morali është thjeshtë një kontratë sociale e përcaktuar nga bota e shumicës (ligjet në demokraci). Por, nëse nesër kjo shumicë voton që prona jote të konfiskohet pa asnjë shpërblim, ti mund të bindesh për shkak të dobësisë apo pamundësisë tënde për të kundërshtuar. Por përbrenda ti do të ziesh për shpagim. Ti nuk mund të jesh dakort me përcaktimin e shumicës se çfarë është e mirë për shoqërinë.
Kjo dëshirë nuk përputhet me botkuptimin tënd. Ti po vepron ndryshe nga çfarë t’i mendon. Kjo tregon se ti duhet të kesh një tjetër botëkuptim brenda teje të cilin ti e ndrydh e përpiqesh t’a mohosh. Ti je duke jetuar një gënjeshtër! Botkuptimi yt i mbijetesës së më të fortit është një gënjeshtër. Ti nuk mund të lësh gjërat të rrjedhin, as mund t’a pranosh se je më i dobët.

Ti je mbruajtur që në lindje me ndjenjën e së mirës e së keqes. Kur lendon apo ofendon dikë ty të lind dëshira për mëshirë, falje, e paqtim. Ndërkohë, kur dikush të ofendon apo lëndon, ti mbushesh me dëshirën për hakmarrje, shpagim dhe drejtësi. Ti kërkon të mirën për vete, por dëshiron e bën të keqen për tjetrin.  Ky është mëkati: të dish çfarë është e mira dhe të mos e bësh atë.

Thellë në zemrën zemrën tënde ti e di që Perëndia ekziston, si sinonim i drejtësisë, por ti e shtyp atë mendim sepse ti nuk do të japësh llogari për gjëndjen tënde. Ti ke një sëmundje vdekjeprurëse! Ti je mbruajtur dhe lindur në mëkat! Çdo tendencë e zemrës tënde në çdo çast është i destinuar të përfundojë në mëkat. Perëndia ka thenë se paga e tij për mëkatin tënd është vdekja. Por ti ke një problem tjeter! Ti jeton në mohim. Ti mohon të jesh i sëmurë me shpresën se do të jetosh. Aq sa shmanget problemi për strucin kur ai e fut kokën nën rërë, po aq mohimi i problemit tënd nuk e asgjeson atë. Mëkati yt do të gjej e ti do të paguash për të pavarësisht jetës në mohim të mëkatit.

Por për sëmundjen tënde vdekjeprurëse ka një ndërhyrje kirurgjikale që të shpëton. Por ti nuk mund të shkosh tek kirurgu po nuk pranove që je i sëmurë e ke nevojë për kurim. Ndaj, prano sot që ke problem me mëkatin e se ke rebeluar ndaj Perëndisë. Ai ka një rrugë shpëtimi për ty.
Pagën e dënimit tënde​ si pasojë e mëkatit tënd Perëndia e kaloi në llogari të Jezus Krishtit, të cilin ai e bëri kurban si flijim zëvëndësues për ty e për mua.
Jezusi është Perëndia i mishëruar. Ai është njëkohësisht tërësisht Perëndi dhe tërësisht njeri. Duke qënë Perëndi, ai i jep flijimit të tij një vlerë të pamasë. Vetëm kështu ky flijim është i aftë të shlyejë mëkatin e pamasë të njerëzimit në çdo kohë – një sakrificë, një herë për të gjithë që e besojnë. Duke qënë tërësisht njeri ai është i aftë të zëvendësojë për njerëzimin. Jezusi vdiq për ty! Por ky është vetëm një pjesë e lajmit. Perëndia a ngjalli atë prej së vdekurish duke të provuar se Ai e pranoi sakrificën e Jezusit në vendin tënd.
Prano gjendjen tënde në nevojë për një shpëtimtar, beso në Krishtin si flijimin e vetëm që plotëson kushtet e drejtësisë së Perëndisë, dhe pranoje atë si Shpëtimtar dhe Zot të jetës tënde.
Dhe ti do të shpëtohesh e do të jetosh, sepse Ai është i vërtetë, besnik ndaj asaj që thotë, e mbi të gjitha, i aftë të bëjë gjithçka që thotë.
Mos jeto në mohim! Jeto duke e pohuar!

Princi i Predikuesve

  Një biografi e Çarls Hadën Spërxhën (Charles Haddon Spurgeon)

 “Shpeshherë më ndodh të mendoj se kur të jem lart në qiell, mbase mund të më kaplojë dëshira për të vizituar punën time këtu në Tabernakull, për të parë nëse do t’i qëndrojë sfidave të kohës duke vazhduar të japë fryt edhe pas ikjes time. A do ta ruani të vërtetën? A do të qëndroni të kapur fort pas të moçmeve doktrina madhështore të Ungjillit? Apo edhe kjo kishë do të marrë rrjedhën që kanë marrë shumë të tjera, duke u larguar nga thjeshtësia e besimit dhe duke u dhënë pas shërbesave të bukura për syrin por të themeluara në doktrina të rreme? Mendoj se nuk kam se ç’të bëj tjetër veçse të kthehem përmbys në varr në ndodhtë kjo. Zot, kurrë mos lejo që kjo të ndodhë!” (Çarls Hadën Spërxhën)

 Çarls Hadën Spërxhën (19 qershor 1834 – 31 janar 1892) ishte një pastor dhe predikues baptist doktrinhirist, shërbesa e të cilit përkoi me periudhën e sundimit të Mbretëreshës Viktoria, ose me atë që njihet ndryshe si periudha viktoriane. Për shkak të predikimeve të tij besnike ndaj Biblës, plot patos e fuqi fjale, në sajë të ndikimit të të cilave mijëra frymë u shpëtuan dhe një kishë e madhe e solide siç është Tabernakulli Metropolitan u kthye në një qendër të fuqishme adhurimi e shërbese në mes të Londrës, Spërxhëni njihet ndryshe si Princi i Predikuesve të krishterë. Për jetën e tij është folur shumë, ndërsa biografitë që janë shkruar rreth këtij personazhi që spikat në historinë e Lëvizjes Ungjillore Britanike të shekullit XIX mbushin një bibliotekë të tërë, ja pse në këtë artikull do të ndalemi vetëm në disa pika të jetës së këtij shërbëtori besnik e të zellshëm të Perëndisë, të cilat mbartin mësime të vlefshme për ne të krishterët doktrinhiristë shqiptarë në ditët e sotme.

Por përpara se ta bëjmë këtë ia vlen të dëgjojmë të rrëfyer prej vetë Spërxhënit historinë e kthimit të tij në besim, gjë që ndodhi në mes të një stuhie dëbore në ditët e para të Janarit të vitit 1850. Spërxhëni ishte nisur për tek kisha e të atit (Gjon Spërxhën, i cili ishte një pastor independent) në Hajth Hill të Kolçesterit, kur një stuhi e tmerrshme dëbore ia preu rrugën, duke e shtyrë që të hynte në sallën ku mblidhej një kishë e vogël metodiste primitive që gjendej në Rrugën e Artilerisë.

Ja se si e rrëfen vetë Spërxhëni këtë moment: “Disa herë mendoj se edhe sot do të dergjesha në terr e dëshpërim, po të mos kishte qenë për mirësinë e Perëndisë, i cili dërgoi një stuhi dëbore të dielën në mëngjes, kur isha në rrugë për tek vendi i adhurimit. Kur e pashë që nuk shkohej dot më tutje, u ktheva në një rrugicë dhe kështu mbërrita tek një kapelë e vogël metodiste primitive. Aty brenda gjeta të mbledhur jo më shumë se dymbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë vetë. Drejtuesi i kishës nuk kishte mundur të vinte për ta drejtuar shërbesën atë ditë: ma merr mendja për shkak të borës së madhe. Kështu që i takoi një varfanjaku, i cili mbase ishte me profesion këpucar a rrobaqepës a diçka e ngjashme, të ngjitej në katedër për të predikuar. Ky tipi nuk bënte gjë tjetër veçse përsëriste vargun e ditës, mbase sepse nuk dinte çfarë të thoshte tjetër. Vargu i ditës ishte: “Shikoni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër” (Isa 45:22)* [*Shënim: Ky është përkthimi në shqip i këtij vargu siç paraqitet tek King James Bible]. Ai as që i shqiptonte si duhet fjalët, por për mua kjo nuk kishte rëndësi, sepse mu duk se pashë një dritë shprese për veten në këtë varg. Ai e filloi kështu predikimin e Tij: “Miqtë e mi, ky është vërtetë një varg shumë i thjeshtë, sepse na thotë: “Shikoni”. Nuk duhet ndonjë përpjekje a mundim i madh për të shikuar. Nuk duhet as ta lëvizim këmbën apo gishtat e dorës, duhet vetëm të “shikojmë”. Nuk na duhet që ta mbarojmë universitetin që të mësojmë se si të shikojmë. Mund të jesh edhe budallai më i madh dhe prapë se prapë mund të shikosh. As nuk të duhet të marrësh një rrogë të majme vjetore që të shikosh. Gjithkush mund të shikojë, madje edhe fëmija më i vogël mund ta bëjë këtë. Por shikoni se çfarë thotë ky varg. Ai thotë: “Shikoni nga Unë”. “Po, është e vërtetë”, tha ai në dialektin e Eseksit, “Shumë prej jush sot shohin drejt vetes. Por nuk ia vlen ta ngulësh shikimin atje, sepse nuk keni për të gjetur ngushëllim tek vetja”. Atëherë, ky njeri i mirë vazhdoi të predikonte në këtë mënyrë: “Shikoni nga Unë, sepse djersa më është e përzier me gjak. Shikoni nga Unë, sepse po varem në kryq. Shikoni nga Unë, vdiqa dhe më varrosën. Shikoni nga Unë, u ringjalla. Shikoni nga Unë se po ngjitem sërish në qiell; shikoni, jam ulur në të djathtë të Atit. Oh, ju lutem, shikoni nga Unë! Shikoni nga Unë!” Pasi vazhdoi nja 10 minuta duke thënë këto fjalë, ai e hodhi vështrimin drejt meje aty ku isha ulur, dhe kam përshtypjen që mes kaq pak njerëzve ai e kuptoi se nuk isha pjesëtar i asaj bashkësie, dhe më tha: “Djalosh, po më dukesh shumë i mjerë”. Është e vërtetë, sepse kështu ndihesha atë të diele, por nuk isha mësuar që dikush nga katedra e predikimit të thoshte fjalë të tilla rreth paraqitjes sime. Megjithatë, ato fjalë më lanë shakull në vend. Ai vazhdoi: “Dhe kështu do të mbetesh i mjerë përjetësisht, i mjerë në jetë dhe i mjerë në vdekje, në qoftë se nuk i bindesh vargut të sotëm. Mirëpo, dije se do të shpëtohesh, në qoftë se i bindesh atij që në këtë çast, pa mënuar”. Atëherë ai bërtiti, siç mund të bëjë vetëm një metodist primitiv: “Djalosh, shiko nga Jezu Krishti”. Dhe në atë moment retë u shpërndanë, terri u shporr tutje, dhe unë pashë diellin, më vinte të ngrihesha dhe të këndoja me të madhe së bashku me ata njerëz për të Çmuarin Gjak të Krishtit”.

Pas këtij kthimi dramatik në besim, Spërxhëni pagëzohet më 3 Maj 1850 në një lumë pranë Isëllhamit, duke u bërë një anëtar aktiv i një kishe baptiste që gjendej në atë qytezë. Nga fundi i atij viti, ai mban predikimin e parë të fjalës përpara një grupi besimtarësh në një shtëpi fshati në Teversham, pranë Kembrixhit. Qysh prej atij predikimi të parë bie në sy dhuntia e Spërxhënit për ndarjen e Shkrimit, shërbesë të cilën siç e thamë më sipër ai e kryente duke i qëndruar besnik Biblës, duke folur me një gjuhë të thjeshtë e të qartë, por plot patos e fuqi fjale. Duke e njohur këtë dhunti të Spërxhënit, një kishë baptiste në Uotërbiç, Kembrixhshajër, e thërret të shërbejë si pastori i saj në vitin 1852, ndërsa me udhëzim të Bashkimit Baptist të Britanisë së Madhe, Spërxhën caktohet si pastori i ri i Nju Park Strit Chepëll në Sauthark të Londrës, bashkësi e cila më herët qe drejtuar nga figura të njohura të lëvizjes baptiste doktrinhiriste, sikurse hartuesi dhe nënshkruesi i Rrëfimit Baptist të Londrës të vitit 1689, Benxhamin Kiç, teologu Gjon Gill, si dhe Gjon Ripon, bashkësi e cila në atë kohë po humbiste besimtarë dita ditës për shkak të transformimit ekonomiko-shoqëror të zonës ku gjendej. Falë shërbesës ngulmuese dhe besnike të fjalës nga ana e Spërxhënit, anëtarësia e Nju Park Strit Chepëll do të njohë veç rritje qysh prej emërimit të tij në detyrën pastorale, rritje e cila e arriti pikën e saj kulmore në ngritjen e një ndërtese të re në vitin 1861 dhe në shndërrimin e kësaj bashkësie në Tabernakullin Metropolitan.

Pikërisht në këtë pikë ia vlen të ndalemi për të theksuar mësimin e parë që marrim nga Spërxhëni: Gjithë jetën e tij, ai nuk bëri gjë tjetër veçse predikoi me zell e besnikëri Shkrimin e Shenjtë, duke shpallur pa frikë e fuqishëm Sovranitetin absolut të Perëndisë dhe mëkatshmërinë tërësore të njeriut, rënien dhe shthurjen e të plotë të këtij të fundit. Këtë ai e bëri përkundër qasjes liberale e pragmatiste që karakterizonte ungjillorizmin e kohës së tij, i cili kishte nisur të dorëzohej përpara frymës Perëndi-mohuese e Bibël-zhvleftësuese të epokës, duke hequr dorë prej shumë doktrinave thelbësore në lidhje me Zotin Jezu Krisht, veprën e Tij shpëtuese dhe me pagabueshmërinë e Biblës, apo duke e zbehur rëndësinë e tyre për kishën dhe besimtarët. Pa dëgjoni pak këto fjalë që thotë Suzana Spërxhën, bashkëshortja e Princit të Predikuesve, në lidhje me bashkëshortin e saj të dashur: “Më ndodh shpesh të mendoj për arsyet se përse Çarli është kaq i pëlqyer nga njerëzit, aq më tepër duke pasur parasysh se asnjëherë nuk ua bën qejfin turmave që të fitojë pëlqimin dhe aprovimin e tyre. Ndodh shpesh që mesazhi i tij është i ashpër, megjithëse ai ia komunikon publikut me një zemër të butë. Një herë e dëgjova të thotë: “Nuk do t’ia përshtatim Biblën kësaj epoke, por kur të kemi mbaruar punë, falë hirit të Perëndisë, do ta kemi përshtatur këtë epokë me Biblën.” Synimi dhe përpjekja e tij e vazhdueshme është të kënaqë Perëndinë në vend që të argëtojë njerëzit. Kam arritur në përfundimin se janë pikërisht ndershmëria dhe integriteti i tij, por dhe konfidenca e tij molepsëse në Shkrimin e Shenjtë, ato që i tërheqin njerëzit tek ai”. Ka vëllezër që thonë se Spërxhëni u predikoi gjatë jetës së vet më pak se 60-vjeçare 10,000,000 njerëzve, duke përfshirë këtu edhe Mbretëreshën Viktoria, anëtarë të tjerë të familjes mbretërore të kohës, deputetë të parlamentit britanik, Kryeministrin britanik Uilliam Gladstoun, shkrimtarin Gjon Raskin, aktivisten Florens Najtingeil, dhe Gjeneralin Xhejms Garfild, i cili më pas do të zgjidhej si President i Shteteve Të Bashkuara të Amerikës. Sipas burimeve të tjera, kaq i angazhuar në detyrën e shenjtë të ndarjes së fjalës ishte Spërxhëni sa që shpesh i ndodhte të predikonte 10 herë në javë në kisha dhe bashkësi të tjera, përveç Tabernakullit Metropolitan.

Nuk mund ta lë pa përmendur një episod nga jeta e Spërxhënit, i cili tregon se sa e rëndësishme është prania e besimtarëve të mirëformuar nga ana doktrinore në jetët e besimtarëve të rinj. Meri King ishte kuzhinierja e shëndoshë dhe trupfortë e Akademisë Njumarket në Kembrixh, shkollë në të cilën Spërxhëni 15-vjeçar u regjistrua në vitin 1849. Gjatë dy viteve të mëpasme, “kuzhinierja”, kështu e thërrisnin studentët me përkëdheli Zj. King, do ta ushqente djaloshin Spërxhën jo vetëm me ushqim material, por edhe me atë frymëror. Ja se ç’tregon Spërxhën në autobiografinë e vet në lidhje me “kuzhinieren”: “Ajo ishte një grua e perëndishme, së cilës i pëlqenin gjëra të tilla të mira, sikurse doktrinat e shëndosha kalviniste… Sa e sa herë fola me të rreth besëlidhjes së hirit, zgjedhjes personale të shenjtorëve, bashkimit të tyre me Krishtin, ngulmimit të tyre deri në fund, dhe për atë se çfarë do të thotë perëndishmëri që sjell jetë, dhe besoj se prej saj mësova shumë më tepër se do të kisha mësuar prej nja gjashtë doktorëve të teologjisë nga ata që kemi në ditët e sotme”. Megjithëse njohuria e saj rreth Shkrimit ishte mbresëlënëse, Zj. King ishte gjithashtu edhe një grua e perëndishme në çdo aspekt të jetës së saj të krishterë, një grua që ashtu siç i “ushqente fort” studentët e saj e “jetonte fort” jetën e besimit në tërësinë e saj. “Ka disa të Krishterë që e shijojnë, shohin dhe kënaqen me besimin në jetët e tyre dhe që fitojnë një njohuri kaq të thellë rreth tij, njohuri të cilën asnjë libër nuk ta fal edhe po ta kaloje jetën duke kërkuar për të nëpër libra”, shkruan Spërxhën, duke e bërë të qartë se Zj. King ishte pikërisht një prej këtyre të krishterëve. Princi i predikuesve nuk e harroi kurrë Zj. King dhe rolin formues që ajo kishte luajtur në jetën e tij, aq sa shumë shpesh u thoshte njerëzve përreth vetes: “Pa mendoni, ishte një kuzhiniere ajo që ma mësoi teologjinë!” Në fakt kur mori vesh se ajo gjendej në vështirësi ekonomike, Spërxhëni u kujdes për mirëqenien e Zj. King duke i dërguar rregullisht çeqe deri në ditën e fundit të jetës së saj. Shembulli i Zj. King duhet të na frymëzojë të gjithëve ne, besimtarëve me përvojë në jetën e besimit, sepse ashtu si ajo edhe ne jemi të thirrur që t’i ndërtojmë nga ana doktrinore besimtarët e rinj përreth nesh. Të gjithë jemi të thirrur të jemi studiues dhe njohës të mirë të doktrinave të besimit tonë, pra, teologë të mirë, dhe po ashtu të gjithë jemi të thirrur që t’i ndërtojmë besimtarët e rinj në doktrinë të shëndoshë, sikundër janë edhe doktrinat e hirit.

Siç e thashë më sipër Spërxhëni e zhvilloi shërbesën e tij në një periudhë historike kur lëvizja ungjillore britanike, por edhe vetë Bashkimi Baptist pjesë e të cilit ishte Tabernakulli Metropolitan, kishte filluar të molepsej prej një fryme liberale e pragmatiste, e cila në thelb të saj kishte degradimin apo zhvleftësimin e Biblës, si edhe heqjen dorë prej shumë doktrinave thelbësore në lidhje me Zotin Jezu Krisht dhe veprën e Tij shpëtuese. Kur i shtojmë kësaj edhe faktin se një pjesë e mirë e Bashkimit Baptist e kishte vështirë ta gëlltiste doktrinhirizmin e pakompromis të Spërxhënit dhe po rrëshqiste gjithnjë e më hapur drejt Arminianzmit, bëhet edhe më e qartë natyra e konfliktit në të cilin Spërxhëni luajti një rol aq thelbësor për mbrojtjen e doktrinës së shëndoshë në fundin e viteve 80 të shek. XIX. Polemika mes Spërxhënit dhe degraduesve apo zhvleftësuesve siç i quante ai, e cila vazhdonte prej vitesh nën rrogoz, shpërtheu publikisht pasi që dy artikuj të shkruar nga Spërxhëni u botuan tek revista e Tabenakullit Metropolitan Shpata & Mistria në Mars dhe Prill të vitit 1887. Në këto artikuj ai denonconte saktë e shkoqur indiferencën e Baptistëve britanikë ndaj doktrinës së shëndoshë, e cila sipas tij shfaqej qartë në degradimin apo zhvleftësimin e Biblës për shkak të përqafimit në masë e naiv nga ana e tyre të asaj teorie hermeneutike që njihej ndryshe kritika moderne biblike. Mirëpo, siç e shihte me largpamësi Spërxhëni, rezultati përfundimtari i kësaj teorie nuk ishte gjë tjetër veçse zhveshja e Biblës nga autoriteti i saj hyjnor si Zbulesa e shkruar e Perëndisë dhe kthimi i saj në një vepër letrare të ngjashme me kryeveprat e letërsisë botërore. Polemikat vazhduan në publik dhe jashtë syve të publikut, por asnjëra nga palët nuk hoqi dorë nga qëndrimet e saj. Kështu konflikti i degradimit apo i zhvleftësimit, siç është bërë i njohur në historinë e kishës, përfundoi me daljen e Tabernakullit Metropolitan nga Bashkimi Baptist në 26 Tetor 1887. Si kundërpërgjigje ndaj këtij veprimi të Spërxhënit dhe bashkësisë së tij, më 18 Janar të 1888, Bashkimi Baptist miratoi një mocion censure (kritikë publike) ndaj Princit të predikuesve, predikuesit më të mirënjohur të mbarë Bashkimit. Në të gjithë këtë histori Spërxhëni na jep një mësim të vyer për atë se si duhet luftuar për doktrinën e shëndoshë dhe se si duhet mbrojtur ajo edhe atëherë kur përballë kemi vëllezër në besim, të cilët kanë filluar ta shpërfillin e degradojnë doktrinën e drejtë, ngaqë janë dorëzuar përpara frymës së epokës. Spërxhëni ngrihet vigan mbi historinë e kishës në Shek. XIX, duke na bërë thirrje që të ngulmojmë deri në fund dhe të mos e dorëzojmë as Biblën dhe as doktrinat e hirit përkundër përpjekjeve të kishës ungjillore moderne për ta zbutur të parën dhe për t’i neutralizuar të dytat.

Spërxhëni përbën një shembull frymëzues për të gjithë ne të krishterët doktrinhiristë të ditëve të sotme për zellin, besnikërinë dhe këmbënguljen, me të cilën i shërbeu Zotit përkundër vuajtjeve, sëmundjeve, sprovave, dhe madje edhe depresionit, të cilat qenë bashkudhëtarë të pandashëm të viteve të shërbesës së tij. Në fillimet e shërbesës së tij Spërxhëni pësoi një fatkeqësi të madhe. Ja se ç’ndodhi: në tetor të vitit 1856, bashkësia e tij duhet të mbante një shërbesë në Pallatin e Muzikës që gjendej në Kopshtet Mbretërore të Sareit, sepse ndërtesa e kishës nuk i mbante dot ata mijëra vetë që vinin për të dëgjuar Princin e Predikuesve çdo të diele. Mirëpo, ndërsa Spërxhëni kishte nisur predikimin në Pallatin e mbushur me 10,000 njerëz, dikush ia priti: “Zjarr, zjarr!” dhe befas paniku e pushtoi sallën. Në përpjekje për të dalë nxitimthi nga salla, njerëzit u përplasën dhe shtypën njëri tjetrin. Shtatë të vdekur dhe dhjetra të plagosur ishte bilanci i kësaj ngjarjeje tragjike. Pas saj, Spërxhëni kaloi një tension të madh mendor, i cili dyshohet se mund të ketë qenë dhe shkaku kryesor i depresionit që do ta kapte për herë të parë dy vjet më pas. “Nuk besoj se ka pasur ndonjë frymë tjetër që iu afrua aq shumë furrës së çmendurisë e megjithatë shpëtoi prej saj për një qime”, do të shkruante më vonë Spërxhëni në lidhje me vuajtjet emocionale e mendore që e pasuan tragjedinë e Pallatit të Muzikës. Një shok i Spërxhënit thoshte gjithnjë se ka shumë gjasa që vdekja në një moshë aq të re e Princit të Predikuesve të ketë ndodhur edhe për shkak të “kalvarit të vuajtjeve mendore, të cilat ai i përjetoi pas asaj nate të frikshme”. Mirëpo, Spërxhëni përjetoi edhe vuajtje familjare, për shkak të shëndetit të bashkëshortes së tij, si dhe pamundësisë së saj për t’i dhënë atij më shumë se dy fëmijë. Suzana Tompson Spërxhën lindi dy binjakë, Tomas dhe Çarls Spërxhën Xhunior, disa muaj pas tragjedisë së Pallatit të Muzikës, dhe më pas ajo nuk pati mundësi t’i jepte fëmijë të tjerë Princit të predikuesve, i cili me sa duket kishte shumë dëshirë të kishte sa më shumë fëmijë, si për të imituar familjen e tij, e cila përbëhej prej tetë fëmijëve bashkë me Spërxhënin. Në vitin 1865, në moshën 33-vjecare Suzana Spërxhën kthehet në një invalide për shkak të një sëmundjeje të pashpjegueshme, dhe nuk arrin të shërohet as pas një operacioni që kreu mbi të katër vjet më pas Xhejms Simpson, babai i gjinekologjisë moderne. Këtyre vuajtjeve duhet t’u shtojmë edhe vuajtjet fizike që i shkaktonin Spërxhënit sëmundjet e tij të shumta, por dhe depresioni. Ai vuante nga cerma, reumatizma dhe sëmundja e Brajtit (inflamacioni i veshkave). Për shkak të sëmundjeve dhe dhimbjeve që i shkaktonin ato ai u detyrua të largohej shpesh e më shpesh nga kisha e tij për periudha pushimesh në jug të Francës, në qytezën e Mentonit, ku edhe do të vdiste më 31 Janar të vitit 1892. Në këtë pikë nuk kemi se si të mos flasim për betejat e shpeshta të Spërxhënit me depresionin. Shpërthimi i parë i depresionit ndodhi në vitin 1858, ose dy vjet pas tragjedisë së Pallatit të Muzikës. Është shumë e vështirë ta përfytyrojmë Spërxhënin, Princin e predikuesve, shërbëtorin e Zotit plot energji, dhunti, mendjemprehtësi dhe aftësi drejtuese, të qante porsi një foshnje e të mbyllej në vetvete i rrethuar nga errësira e depresionit pa asnjë shkak e krejt papritmas. Mirëpo, siç tregon vetë Spërxhëni, aspekti më i keq i depresionit ishte mungesa e shpresës, e cila binte si një re e zezë dhe mbytëse mbi të: “Ai shuli i hekurt, i cili në një mënyrë kaq të mistershme e kyç derën e shpresës dhe i mban frymët tona në një burg të zi e të zymtë, atë shul vetëm një dorë hyjnore mund ta hapë”. Megjithatë, Spërxhëni e shihte depresionin si “vesin” e tij më të madh. “Depresioni”, thoshte ai, “nuk është virtyt, madje unë besoj se është një ves. Më vjen shumë turp nga vetja kur bie në depresion, por jam edhe po aq i sigurt se nuk ka kurë më të mirë për të sesa besimi i shenjtë në Perëndinë”. Në mbyllje të kapitullit të vuajtjeve të Spërxhënit duhet të themi se përveç vuajtjeve fizike e familjare, Spërxhënit iu desh të duronte edhe një jetë të tërë talljesh dhe shpifjesh, të cilat në shumicën e rasteve qarkullonin përmes medias dhe ishin të llojit më të keq të mundshëm. Ndodhte që gazetat e asaj kohe shkruanin keq për të, por edhe kolegë të tij që nuk linin rast pa e përçmuar dhe pa u tallur me Princin e predikuesve, madje disa shkuan deri aty sa vunë në dyshim kthimin e tij në besim dhe thirrjen e tij për shërbesë. Mirëpo, vuajtjet më të mëdha në këtë drejtim iu shkaktuan gjatë konfliktit të degradimit apo zhvleftësimit me Bashkimin Baptist në fundin e viteve 80 të Shek. XIX. “Nuk ka njeri që mund të flasë më keq për mua sesa kanë bërë këta. Kanë shpifur për mua nga koka tek këmbët dhe më kanë keqparaqitur përpara opinionit publik deri aty ku nuk mban më. Reputacioni im ka mbaruar dhe nuk kanë se çfarë dëmi të më bëjnë tjetër,” do të thoshte Spërxhëni në lidhje me këtë periudhë. Megjithatë, përkundër gjithë këtyre vuajtjeve dhe përndjekjeve Spërxhëni ngulmoi në shërbesën e tij deri në fund, duke predikuar fuqishëm Fjalën e Perëndisë deri në predikimin e fundit, të cilin e ai mbajti më 7 qershor të vitit 1891.

Një gjë tjetër që më pëlqen tek Spërxhëni është pasioni dhe zelli i tij për shpëtimin e frymëve të humbura nga skllavëria e mëkatit për në jetë të përjetshme. Nuk kishte javë që një numër njerëzish të mos ktheheshin në besim tek lexonin predikimet e tij të zjarrta dhe biblike, të cilat botoheshin rregullisht falë një shërbese besnike të Tabernakullit Metropolitan. Ai dhe pleqtë e kishës së tij qëndronin përherë syçelë për të identifikuar frymët që po rilindnin brenda bashkësisë së tyre të madhe. “Një vëlla,” shkruante Spërxhëni, “ka fituar për veten titullin e qenit tim të gjahut, sepse gjithnjë është në gatishmëri për të kapur zogjtë e plagosur brenda bashkësisë”. Spërxhëni nuk ekzagjeronte aspak kur tha: “Më kujtohet kur predikoja nëpër fshatra, ndodhte shpesh që me gjithë frymën time vuaja për shpëtimin e të humburve, atëherë e ndjeja se si çdo nerv i trupit tim tendosej dhe arrija deri aty sa prej syve të mi mund të rridhte çurg në formë lotësh e gjithë brendësia e trupit tim, vetëm e vetëm që të fitoja për Krishtin qoftë edhe një frymë të vetme”. Nuk gabojmë aspak po të themi se Spërxhëni e kaloi jetën duke u tretur nga lavdia e Perëndisë dhe për shpëtimin e të humburve.

Tek po shkruaj këto rreshta rreth Princit të Predikuesve, nuk mund të rri pa përmendur një prej veprave të Tij më të mirënjohura, më të botuara dhe më të përkthyera anekënd botës. Bëhet fjalë për libërthin e leximeve devocionale Mëngjes dhe Mbrëmje, të cilin kam pasur privilegjin ta përkthej para do vitesh në gjuhën shqipe. Ndalem tek këto lexime devocionale sepse ato na paraqesin një tablo mbresëlënëse të perëndishmërisë së zellshme, të frytshme dhe aktive që e përshkonte jetën e Spërxhënit si filli i kuq i Arianës. Ky është, pra, vëllezër dhe motra, një mësim tjetër që marrim nga Spërxhëni, pra, që suksesi i shërbesës të tij predikuese dhe pastorale kishte një burim të vetëm: një jetë besimi të gjallë, një jetë lutjeje të pareshtur, një jetë përuljeje përpara Zotit dhe varësie të plotë nga Perëndia, por edhe një jetë lufte kundër mëkatit dhe gjërave të pashenjta. Dëgjojeni pak se ç’shkruan Spërxhëni tek leximet e datës 30 maj në lidhje me mëkatin: “Shumë vuajtje mund të shkaktojë një tumor i vogël. Një re e vogël mund ta mbulojë tërë diellin. Dhelprat e vogla i dëmtojnë vreshtat dhe mëkatet e vogla bëjnë zarare të mëdha në një zemër të butë si kjo e jona. Mëkatet e vogla bëjnë strofulla në zemër dhe e mbushin atë plot me gjëra të cilat Krishti i urren shumë, duke bërë që Ai të mos ketë përbashkësi dhe shoqëri të papenguar me ne. Një mëkat i madh nuk mund ta shkatërrojë të Krishterin, por një mëkat i vogël mund ta bëjë jetën e tij të mjerë. I Krishterë ç’punë ke ti me mëkatin? A nuk të kushtoi shtrenjtë ajo vepër e ligë? Fëmijë i djegur përse vazhdon të luash me zjarrin? Çfarë, kur i ke shpëtuar një herë dhëmbëve të luanit, ç’do që shkon prapë tek strofulla e tij? A nuk ke vuajtur shumë nga gjarpri i moçëm?” Ja një lexim tjetër që na flet për hirin e pafund të Zotit tonë Jezu Krisht: “Zoti ynë Jezus na jep pa reshtur dhe nuk e mbledh dorën e tij për asnjë moment të vetëm. Për sa kohë që ka një enë hiri që nuk është mbushur plot, vaji do të derdhet pa kursim. Ai është dielli që shkëlqen përherë, Ai është manna që bie pa pushim përreth kampit, Ai është shkëmbi në shkretëtirë nga brinjët e tejshpuara të të cilit burojnë vazhdimisht rrjedha jete, shiu i hirit të Tij bie pa reshtur, lumi i bollëkut të Tij rrjedh pambarimisht, dhe po ashtu edhe burimi i dashurisë së Tij gurgullon me bollëk”. Në fund ja edhe disa rreshta të tjerë të shkruar nga Spërxhën në leximin e datës 5 prill rreth përulësisë së frymës: “Përulësia e frymës është gjithmonë mbartëse e një bekimi të vërtetë. Nëse i zbrazim zemrat tona nga dashuria për veten me siguri Zoti do t’i mbushë ato me dashurinë e Tij. Ai që dëshiron një përbashkësi më të ngushtë me Krishtin duhet t’i kujtojë këto fjalë të Zotit: “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime”. Përkuluni nëse doni të ngjiteni në qiell. A nuk themi ne vallë për Jezusin: “Ai zbriti me qëllim që të ngjitej?” Ashtu si Ai duhet të bësh edhe ti. Duhet të rritesh për poshtë që të ngjitesh lart, sepse përbashkësinë më të ëmbël me qiellin e kanë veç frymët e përulura dhe vetëm ato. Perëndia nuk i mohon asnjë bekim një fryme plotësisht të përulur”.

Mirëpo, jeta e Spërxhënit nuk ishte vetëm shërbesa e fjalës dhe ajo pastorale, sepse për Princin e predikuesve përkujdesja për shtresat në nevojë, e veçanërisht për fëmijët e rrugës dhe ata të familjeve të varfra, ishte po aq e rëndësishme sa e mësipërmja. Ja pse, në vitin 1857 ai themeloi një organizatë humanitare, e cila quhet Spurgeon’s dhe vepron sot në mbarë botën. Veprimtaria kryesore e kësaj organizate ishte ndërtimi i jetimoreve dhe i atyre që njiheshin ndryshe si Shkollat Rreckamane, në të cilat u grumbulluan me dhjetëra fëmijë, shumica prej tyre jetimë, të cilët endeshin nëpër qytet duke jetuar si lypsarë, hajdutë, apo vagabondë. Këta fëmijë më së fundi kishin një strehë ku të fusnin kokën, një tryezë ku të hanin gjellë të ngrohta e të shijshme, por edhe shkolla ku të mësonin shkrim e këndim, aritmetikë e histori, si edhe Fjalën e Zotit. Siç thoshte vetë Spërxhëni: “Ne jemi një kishë e madhe, ndaj duhet të kemi një zemër të madhe për këtë qytet”. Ja pra tek është një mësim të vlefshëm në këtë pikë, sepse edhe ne të krishterët e sotëm doktrinhiristë duhet të kemi një zemër të madhe për qytetet ku jetojmë, duke ndihmuar më të dobëtit, të cilët në shumicën e rasteve janë jetimët dhe fëmijët e rrugës. Mirëpo, përpjekjet e Spërxhënit nuk kufizoheshin në hapjen dhe menaxhimin e përditshëm të dhjetëra jetimoreve dhe Shkollave Rreckamane anembanë Londrës, sepse ai qe veçanërisht aktiv në ngritjen e strukturave që do të përgatisnin për shërbesë shërbëtorët e Perëndisë. Fryti i këtij angazhimi të pakursyer të Spërxhënit ishte hapja e Kolegjit të Pastorëve, ose siç njihet sot Kolegji i Spërxhënit (Spurgeon’s College). Në hapjen e tij në vitin 1861, kolegji numëronte 21 studentë, numër i cili u rrit në vitet pasuese deri në 100 studentë gjatë një viti akademik. Mirëpo ky nuk ishte një Seminar Teologjik apo një Kolegj Bible si gjithë të tjerët, sepse siç thotë një bashkëpunëtor i Spërxhënit: “Ngado që të vinin njerëzit, për të gjithë ishte shumë e qartë se Kolegji nuk ekzistonte për të bërë shërbëtorë por për t’i trajnuar ata. Po qe se dikush nuk jepte prova të qarta se ishte thirrur për të predikuar… ai nuk ishte i mirëpritur, sado të mëdha të ishin dhuntitë e tij në një fushë tjetër”.

Dëshiroj ta mbyll këtë artikull me fjalët që tha njëri prej kolegëve e ndihmësve të Spërxhënit në veprën e shërbesës, i miri Arçibald G. Braun, ndërkohë që arkivoli me trupin e Princit të Predikuesve, i cili kishte mbi vete një Bibël të hapur pikërisht tek faqja ku gjendet Isaia 45:22 (vargu i rilindjes së Spërxhënit), po mbulohej me dhe. Nuk besoj se ka fjalë më të përshtatshme sesa këto për ta përshkruar jetën e përkushtuar të shërbesës që jetoi Princi i predikuesve:

“Punëtor i palodhur i arave, mundi yt ka përfunduar. Sa të drejta janë hullitë që ke hapur. Asnjëherë nuk e ktheve kokën pas tek lëroje arat. Sa të korra të bollshme kanë prodhuar farat që ke mbjellë plot durim, sa shumë e ke pasuruar qiellin me duajt që ke lidhur dhe sa shumë do të vazhdojë të pasurohet në vitet që do të vijnë megjithëse prehesh në përjetësi. Kampion i Perëndisë, betejat e tua, në të cilat ke luftuar aq gjatë e me fisnikëri, kanë përfunduar; shpata jote, të cilën kurrë nuk e hoqe nga dora, ka rënë tashmë, sepse e ke zëvendësuar me një degë palme. Përkrenarja nuk ta shtyp më ballin aq shpesh të lodhur nga mendimet vërshuese rreth betejave, një kurorë fitimtari është vendosur mbi të nga dora e Komandantit të madh duke qenë shpërblimi yt plotësisht i kënaqshëm. Në këtë varr, do të pushojë për pak kohë pluhuri yt i çmuar. Pastaj do të vijë Shumë i dashuri yt dhe me të dëgjuar zërin e Tij do të ngrihesh sakaq nga banesa jote prej dheu, duke pasur të njëjtin trup të lavdishëm si edhe Ai vetë. Atëherë do të ndodhë që me trup, frymë e zemër do të madhështosh shpengimin e Zotit. Deri atëherë fli o i dashuri ynë. E lëvdojmë Perëndinë për ty dhe nëpërmjet gjakut të besëlidhjes së përjetshme shpresojmë dhe presim të përlëvdojmë Perëndinë së bashku me ty. Amen”.

Krishti: Udha, e Vërteta dhe Jeta

Një teolog i vjetër ka thënë që Perëndia shpesh vepron kështu: kur ne mëkatojmë më shumë kundër tij, ai qëndron gati për të na dhënë mëshirat më të mëdha. Dhe ai e bën këtë që të zmadhojë sa më tepër dashurinë e tij. Ne gjejmë një shembull të kësaj tek fjalët që sapo ju kam lexuar. Zemra e Jezusit nuk u derdh asnjëherë me një dashuri më të butë dhe më sovrane për dishepujt e tij, sesa kur u tha: Zemra juaj mos u trondittë. Ata ishin tronditur nga shumë gjëra. Ai u kishte thënë se do të largohej prej tyre; që njëri prej tyre do ta tradhtonte – që një tjetër do ta mohonte – që të gjithë do të ofendoheshin për shkak të tij po atë natë. Ndoshta ata mendonin se ai do të largohej prej tyre nga inati. Por cilido qoftë shkaku i tronditjes së tyre, gjoksi i Jezusit ishte si një enë e mbushur plot, dhe këto fjalë ishin pikat e dashurisë që u derdhën prej tij – Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Sigurisht fjalë të tilla si këto, të buta dhe plot besim tek dishepujt, nuk ishin pëshpëritur asnjëherë më parë në këtë botë të ftohtë. Atëherë mendoni pak se sa e ftohtë, sa e errët, sa e pamenduar është pyetja me të cilën Thomai ndërpret fjalimin qiellor – Thomai i tha: “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?” Por shihni se me ç’durim duron Jezusi plogështinë e tyre zemërftohtë! Me ç’dashuri ai fillon t’u mësojë vetë alfabetin e shpëtimit, dhe i kthen Thomait jo vetëm një përgjigje, por një përgjigje që ia tejkalon pyetjes – i jep më shumë se sa mund të kërkonte apo mendonte. Ai pyeti për udhën dhe vendin, por Krishti përgjigjet, Unë jam udha, e vërteta dhe jeta: askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Duke e vlerësuar këtë, pra, si një përshkrim të plotë të shpëtimit të ungillit, le të shqyrtojmë pjesët e ndryshme të tij.

I.     Krishti është Udha. – Unë jam udha… askush nuk vjen, etj. E gjithë Bibla dëshmon që ne nuk kemi asnjë udhë për tek Ati nëpërmjet natyrës sonë. Nga natyra jemi plot mëkat, dhe nga natyra Perëndia është pafundësisht i shenjtë – d.m.th., ai largohet nga mëkati. Ashtu si një bimë e ndjeshme e cila sipas natyrës së saj largohet nga prekja e dorës së njeriut, kështu edhe Perëndia, nga vetë natyra e tij, largohet nga prekja e mëkatit. Ai është përjetësisht i ndarë nga mëkatarët; ai i ka sytë tepër të pastër për të parë të keqen.

(1.)    Kjo u është mësuar Adamit dhe patriarkëve duke u lënë një përshtypje të thellë. Për sa kohë që Adami ecte në shenjtëri, Perëndia banonte në të, dhe ecte me të, dhe kishte bashkësi me të; por kur ra Adami, Zoti Perëndi… e dëboi njeriun [nga parajsa]; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës. Kjo shpatë flakëruese midis kerubinëve ka qenë një simbol madhështor i Perëndisë – Perëndisë të drejtë që urren mëkatin. Në ferrishte, ai iu shfaq Moisiut si zjarr konsumues – në tempull, ai u shfaq midis kerubinëve në lavdinë më të zbutur që quhej Shekinah; por këtu ai u shfaq midis kerubinëve si shpatë – një Perëndi i drejtë që urren mëkatin. Dhe ju lutem të vini re që kjo shpatë vërtitej nga çdo anë për të ruajtur rrugën e pemës së jetës. Po të mos ishte vërtitur nga çdo anë – po të kishte lënë ndonjë monopat pa vështruar – atëherë Adami shumë mirë mund të ishte përvjedhur duke përdorur atë monopat, duke çarë rrugën e tij drejt pemës së jetës. Por jo; pavarësisht se ç’rrugë ai provoi – sado të fshehtë, sado të ngushtë, sado të pjerrët dhe sado të vështirë – sado në heshtje ai zvarritej – prapë ky meteor flakërues e takonte dhe dukej sikur i thoshte, si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë? Asnjë mish nuk do të shfajësohet… për veprat e ligjit. Nuk është për t’u habitur që Adami u ul, i lodhur nga kërkimi i kotë për një rrugë tek jeta; sepse nga natyra njeriu nuk ka asnjë rrugë për tek Ati.

Por Krishti thotë, Unë jan udha. Siç thotë tek Psalmi 16, Ti do të më tregosh shtegun e jetës. Asnjë njeri nuk mund ta gjente këtë shteg jete; por Jezusi thotë, Ti do të më tregosh… ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësiJezusi mëshironte bijtë e shkretë të Adamit që po përpiqeshin më kot të gjenin ndonjë rrugë për të hyrë në parajsën e Perëndisë, dhe ai e la gjirin e Atit, vetëm me qëllim që ai të na hapte një rrugë për tek gjiri i Atit. Dhe si e bëri ai këtë? Duke shpëtuar nga vigjëlimi i shpatës flakëruese? Jo; sepse ajo vërtitej nga çdo anë. Atëherë, a e bëri duke ushtruar autoritetin e tij hyjnor, dhe duke urdhëruar tehun vezullues të tërhiqej? Jo; sepse kjo do të thoshte ta çnderonte ligjin e të Atit, në vend që ta zmadhonte. Prandaj ai u bë njeri në vendin tonë – po, madje u bë mëkat. Perëndia bëri që mbi të të binin paudhësitë e ne të gjithëve. Ai doli përpara në vendin tonë për të takuar atë meteor të zjarrtë – ai ra poshtë tehut të tij përshkues; sepse mbajti mend fjalën e Profetit, që është shkruar, “Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim dhe kundër njeriut që është shoku im,” thotë Zoti i ushtrive.

Dhe tani, duke parë që tehu vezullues është i mbuluar në ijet e Shpengimtarit, mëkatari më fajtor – kushdo qofsh – çfarëdo qofsh – mund të hysh nëpërmjet trupit të tij të gjakosur – mund të gjesh një rrugë për të hyrë në parajsën e Perëndisë, të hash nga pema e jetës, dhe të jetosh përgjithmonë. Eja shpejt – mos dysho; sepse ai thotë, Unë jam udha.

(2.)    I njëjti fakt – pra që njeriu nga natyra nuk ka asnjë rrugë për tek Ati – i është mësuar me përshtypje të thellë edhe Moisiut dhe popullit të Izraelit.

Kur Perëndia pranoi me hir të banonte mes bijve të Izraelit, ai banoi në mënyrë të veçantë në vendin më të shenjtë – në ndarjen më të brendshme të tempullit hebre. Atje shenja e dukshme e pranisë së tij qëndroi midis kerubinëve – të cilët herë na përshkruhen

Por Jezusi thotë, Unë jam udha. Jezusit i erdhi shumë keq që ne ishim mbyllur jashtë më të shenjtit – jashtë pranisë së Perëndisë; sepse ai e dinte nga përvoja faktin që në atë prani ka shumë gëzim. Por si e hapi ai atë rrugë? A e hoqi vellon, që të përvidheshim fshehurazi dhe kollaj në praninë e Atit? Jo, por ai e ofroi veten – një ofertë për të kënaqur drejtësinë hyjnore dhe të na pajtojë me Perëndinë. Tha: “U krye!” Dhe duke ulur kryet, dha frymën. Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund. U krye – dënimi i ligjit u mbajt – kërkesat e ligjit u plotësuan – rruga u mbarua – veli u shqye, nga maja e deri në fund! Tani nuk na mbetet asnjë fije nga ai veli i tmerrshëm për të na e prerë rrugën. Mëkatari më fajtor – më i pështirë midis jush të gjithë tani gëzon liri për të hyrë përmes velit të shqyer, nën dritën e fytyrës së Jehovait – për të banuar në të fshehtën e tabernakullit të tij – për të soditur bukurinë e tij, dhe për të admiruar tempullin e tij. si një dritë e paafrueshme dhe lavdiplotë – herë si një re që mbushte tempullin. Por kjo ndarje më e brendshme, ose më e shenjta (ose vendi i fshehtë, siç quhet në Psalmet), ndahej nga vendi i shenjtë [që nuk ishte më i shenjti] me anë të një perdeje ose një velloje, dhe përmes asaj velloje asnjë njeri nuk lejohej të kalonte, që të mos vdiste, përveç Kryepriftit, i cili hynte njëherë në vit, gjithmonë me gjak. Tani, asnjë figurë nuk mund të shprehte më qartë faktin që rruga për tek më i shenjti nuk ishte shfaqur ende – që asnjë njeri mëkatar nuk ka asnjë rrugë për të hyrë në praninë e Perëndisë.

Dhe tani, miqtë e mi, a është kjo udha në të cilën ju i afroheni Atit? Krishti thotë,Unë jam udha… askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Prandaj, nëse do të rrini ende në udhën tuaj të vjetër, cilado qoftë – udha e lotëve, ose e pendesave, ose e betimeve për t’u përmirësuar, ose e shpresave që Perëndia nuk do t’ju trajtojë me rreptësi – nëse nuk doni të paralajmëroheni, do të zbuloni në ditën e gjykimit që shpata e kerubinëve vërtitej nga çdo anë, dhe që ju do të liheni pre të zjarrit konsumues.

Por oh! Nëse ka ndonjë njeri që nuk gjen dot paqe në asnjë rrugë vetë-drejtësie – nëse ka ndonjë njeri prej jush i cili sheh se është i humbur në vetvete – ja, Krishti po të thotë, Unë jam udha – e vetme, ashtu siç thotë në një vend tjetër, Unë jam dera – e vetme. Është një udhë e plotë, e lirë dhe e hapur, dhe është një udhë për mëkatarët. Pse të presësh edhe një çast tjetër? Dikur ka qenë një mur ndarës midis teje dhe Perëndisë; por Krishti e ka shembur. Dikur Perëndia ka qenë i zemëruar; por zemërimi i tij është larguar nga kjo udhë e bekuar. Në Krishtin ai është gjithmonë shumë i kënaqur.

II. Krishti është e Vërteta. – E gjithë Bibla, dhe e gjithë eksperienca, dëshmojnë se ne nga natyra jemi injorantë për të vërtetën. Sigurisht, ka shumë të vërteta që njeriu i pakthyer në besim i di. Ai ndoshta di të vërtetat e matematikës dhe të aritmetikës – si dhe shumë nga të vërtetat e zakonshme dhe të përditshme; por me gjithë këtë nuk mund të thuhet që jobesimtari di të vërtetën, sepse Krishti është e vërteta. Krishti mund të quhet gurkyçi i harkut të së vërtetës. Po të hiqet gurkyçi i harkut, i gjithë harku kthehet në gërmadhë. Ata janë vërtet të njëjtët gurë, por të gjithë kanë rënë, janë mbuluar dhe ngatërruar – pa rregull – pa qëllim. Në po këtë mënyrë – po të hiqet Krishti, i gjithë harku i së vërtetës mbetet; por të gjithë gurët kanë rënë – nuk kanë koherencë – nuk kanë rregull – dhe nuk kanë qëllim. Krishti mund të quhet përmbledhja e sistemit të së vërtetës. Po të hiqej dielli nga sistemi ynë diellor, çdo planet do të turrej në konfuzion. Do të ishin të njëjtët planetë; por forcat e tyre kundërshtare do t’i tërhiqnin andej-këtej, dhe çdo rruzull do të përplasej me të tjerët në një ngatërrim të pafundëm. Gjithashtu – po të hiqet Krishti, i gjithë sistemi i së vërtetës turret në konfuzion. Të njëjtat të vërteta mund të jenë në mendje, por të gjitha ngatërrohen dhe përplasen në labirinte të pazgjidhshme; sepse rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë. Por po të zbulohet Krishti ndaj një shpirti të pakthyer – dhe jo vetëm me anë të një njeriu që i flet për Krishtin – por nga vetë Fryma e Shenjtë, atëherë nuk i zbulohet një e vërtetë, por e vërteta. Kështu vendoset gurkyçi në harkun e së vërtetës; rimëkëmbet dielli në qendër të sistemit. Në një mendje të tillë, e gjithë e vërteta bëhet e rregullt dhe e dobishme.

Tani ai njeri di të vërtetën në lidhje me veten e tij. A është e vërtetë që Biri i Perëndisë la gjirin e të Atit për të mbajtur zemërim në vendin tonë? Atëherë kjo ka ndodhur sepse unë ndodhem nën zemërim. A u bë Zoti Jezus një shërbëtor, që t’i bindej vullnetit të Perëndisë si zëvendës i mëkatarëve? Atëherë kjo ka ndodhur sepse unë jam pa asnjë drejtësi, një fëmijë i mosbindjes.

Përsëri, kur njeriu e njeh Krishtin, ai njeh gjithashtu edhe të vërtetën në lidhje me Perëndinë. A është e vërtetë që Perëndia e dorëzoi lirisht Birin e tij për vdekje për ne të gjithë? Atëherë, nëse unë besoj në Jezusin, nuk ka dënim për mua. Perëndia është Ati im, dhe Perëndia është dashuri.

Miqtë e mi, a e keni parë Krishtin, i cili është e vërteta? A ju është zbuluar ai, jo nëpërmjet mishit dhe gjakut, por nëpërmjet Frymës së Perëndisë? Atëherë ju e dini se sa e vërtetë është që në të janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes – që ai është Alfa dhe Omega, fillimi dhe fundi i të gjithë njohurisë. Por nëse nuk e keni parë Krishtin, atëherë nuk dini asgjë akoma siç duhet ta dini; e gjithë njohuria juaj është si një urë pa gurkyç – si një sistem planetar pa diell. Ç’të mirë do të kesh në ferr, nga fakti që dinit të gjitha shkencat e botës – të gjitha ngjarjet e historisë, dhe të gjithë politikën e nxituar të ditës suaj të vogël? A nuk e dini që vetë njohuria juaj do të kthehet në një instrument torture në ferr? Oh, në atë ditë sa do të dëshironi të kishit lexuar më pak gazetën dhe më shumë Biblën – që bashkë me gjithë fitimet tuaja do ta kishit fituar diturinë – dhe që bashkë me të gjithë njohuritë tuaja do ta kishit njohur Shpëtimtarin, njohja e të cilit është jetë e përjetshme.

III.    Krishti është Jeta. – E gjithë Bibla dëshmon se ne nga natyra jemi të vdekur në faje dhe mëkate – që ne nuk kemi aspak fuqi për të ecur në shenjtëri në këtë botë, ashtu si një njeri i vdekur nuk ka fuqi të çohet dhe të ecë. Shkrimi dhe eksperienca dëshmojnë njësoj se nga natyra jemi të vdekur në faje dhe mëkate; megjithatë në këtë vdekje nuk jemi fare joaktivë, sepse na thuhet që në këtë vdekje ne ecim sipas ecjes së kësaj bote – sipas prijësit të pushtetit të erës.

Kjo e vërtetë na mësohet me përshtypje të thellë në atë vegim të profetit Ezekiel, ku ai u çua nga Fryma dhe u vendos në mes të një lugine të hapur plot me eshtra të thata; dhe ndërsa i kaloi rreth e qark, ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata.

Pikërisht kjo është pamja e botës në sytë e çdo fëmije të Perëndisë. Eshtrat e thata janë në sasi të madhe, dhe janë shumë të thata; dhe ai bën të njëjtën pyetje që Perëndia i bëri Ezekielit – A mund të rijetojnë këto kocka? Po, po, miqtë e mi; dhe a nuk ju mëson edhe eksperienca të njëjtën gjë? Është e vërtetë që të vdekurit nuk mund të dinë se janë të vdekur; por sikur ta prekë Zoti zemrën tuaj, do ta gjeni: ne profetizojmë përpara kockave të thata; sepse kjo është mënyra e Zotit – kur profetizojmë, hyn fryma. Ju keni qenë gjithmonë si një njeri që bën not në drejtim të rrjedhës – dhe asnjëherë si një njeri që noton kundër rrymës. Shqyrtoni zemrën tuaj, dhe shikoni se si ajo është kthyer kundër të gjitha urdhërimeve; ju e ndieni ditën e Sabatit [pushimit] si diçka të lodhshme – në vend që ta quani një gëzim dhe të nderuar. Nëse jeni përpjekur ndonjëherë t’i zbatonit urdhërimet e Perëndisë – t’i përmbanit sytë nga dëshirat jo të ligjshme, gjuhën nga fjalët e zemërimit, ose thashethemet, ose hidhërimi; ta përmbanit zemrën nga keqdashja, zilia dhe lakmia – nëse jeni përpjekur ta bënit këtë ndonjëherë, dhe supozoj që shumica e jobesimtarëve janë përpjekur ta bënin – a nuk keni zbuluar se kjo ishte e pamundur? Tamam si ringjallja e të vdekurve. A nuk zbuluat një luftë brenda vetes suaj? O sa e qartë duket që jeni të vdekur dhe jo të rilindur! Mos u habisni që ne ju themi se duhet të lindni përsëri. Duhet të bashkoheni me Krishtin, sepse Krishti është jeta.

Ta zëmë sikur do të ishte i mundur bashkimi i një gjymtyre të vdekur me një trup të gjallë, në një bashkim aq të plotë saqë të gjitha venat do të merrnin rrjedhën e purpurt të gjakut të gjallë – të bashkohen kockat, pejzat, dhe nervat – a nuk e shihni që ajo gjymtyrë, sado e vdekur më përpara, do të bëhej një gjymtyrë e gjallë? Më përpara, ajo ishte e ftohtë, e mpirë, dhe pa lëvizje, plot me kalbje; tani ajo është bërë e ngrohtë, e butë dhe plot jetë dhe lëvizje. Është një gjymtyrë e gjallë, sepse është bashkuar me atë që është jetë.

Apo, ta zëmë sikur do të ishte i mundur bashkimi i një dege të tharë me një hardhi të gjallë, aq plotësisht saqë të gjitha kanalet e saj do të merrnin rrjedhën e lëngut bujar, a nuk e shihni që ajo degë, sado e vdekur më përpara, do të bëhej një degë e gjallë? Më përpara, ajo ishte e thatë, e pafrytshme dhe e vyshkur; tani është plot me lëng, jetë dhe energji. Është një degë e gjallë, sepse është bashkuar me hardhinë, që është jeta e saj.

Epo mirë, në po këtë mënyrë, edhe Krishti është jeta e çdo shpirti që i ngjitet atij. Ai që është i bashkuar me Zotin është një frymë. A është shpirti juaj si një gjymtyrë e vdekur – e ftohtë, e mpirë, pa lëvizje, dhe plot me kalbje? Ngjitjuni Krishtit – bashkohuni me të nëpërmjet besimit, dhe do të jeni një frymë – do të bëheni i ngrohtë, energjik, plot aktivitet, në shërbim të Zotit.

A i ngjan shpirti juaj një dege të tharë – të thatë, pa fryt, të vyshkur, pa gjethe? Ngjitjuni Krishtit; bashkohuni me të, dhe do të jeni një frymë. Do të zbuloni që Krishti është jeta; jeta juaj do të fshihet me Krishtin në Perëndinë. Do të thoni se jetoj; por nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.

Mbani mend, pra, miqtë e mi jobesimtarë, që e vetmja mënyrë për ju që të shenjtëroheni është të bashkoheni me Krishtin. Dhe mbani mend, miqtë e mi besimtarë, që nëse shenjtëria juaj bie ndonjëherë, kjo ndodh sepse nuk i ngjiteni Krishtit aq fortë sa më parë. “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju – kështu do të jepni shumë fryt. Të shkëputur nga unë, ju nuk mund të bëni asgjë.”

DUNDEE, 1836.