Katekizmi i Shkurtër i Uestminsterit

Pyetja 1: Cili është qëllimi kryesor i njeriut?
Përgjigjja: Qëllimi kryesor i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe ta gjejë kënaqësinë në Të përjetë.

Pyetja 2: Çfarë standardi na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar si mund ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të?
Përgjigjja: Fjala e Perëndisë, Dhiata e Vjetër dhe ajo e Re, është i vetmi standard që na drejton sesi mund ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të.

Pyetja 3: Çfarë na mësojnë kryesisht Shkrimet?
Përgjigjja: Shkrimet na mësojnë kryesisht se çfarë duhet të besojë njeriu në lidhje me Perëndinë dhe çfarë detyre kërkon Perëndia nga njeriu.

Pyetja 4: Çfarë është Perëndia?
Përgjigjja: Perëndia është Frymë, i pafund, i përjetshëm dhe i pandryshueshëm në qenien, urtësinë, fuqinë, shenjtërinë, drejtësinë, mirësinë dhe të vërtetën e Tij.

Pyetja 5: A ka më shumë se një Perëndi?
Përgjigjja: Ka vetëm një: Perëndia i gjallë dhe i vërtetë.

Pyetja 6: Sa persona ka në Perëndinë?
Përgjigjja: Ka tre persona në Perëndinë: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë ; dhe këta të tre janë një Perëndi, të njëjtë në substancë dhe të barabartë në fuqi dhe lavdi.

Pyetja 7: Çfarë janë dekretet e Perëndisë?
Përgjigjja: Dekretet e Perëndisë janë qëllimi i Tij i përjetshëm, sipas këshillës së vullnetit të Tij, përmes së cilës, e për lavdinë e Tij, Ai ka paracaktuar gjithçka që ndodh.

Pyetja 8: Si i zbaton Perëndia dekretet e Tij?
Përgjigjja: Perëndia i zbaton dekretet e Tij në veprën e krijimit dhe në atë të providencës.

Pyetja 9: Çfarë është vepra e krijimit?
Përgjigjja: Vepra e krijimit është: Perëndia e krijoi gjithçka nga asgjëja, me anë të fjalës së fuqisë së Tij, në hapësirën e gjashtë ditëve, dhe gjithçka ishte shumë e mirë.

Pyetja 10: Si e krijoi Perëndia njeriun?
Përgjigjja: Perëndia e krijoi njeriun mashkull e femër, shëmbëlltyrë së Vet, në njohuri, drejtësi dhe shenjtëri, dhe e vuri sundimtar mbi krijesat.

Pyetja 11: Cilat janë veprat e providencës së Perëndisë?
Përgjigjja: Veprat e providencës së Perëndisë janë mbajtja dhe qeverisja e Tij plot shenjtëri, urtësi dhe fuqi e të gjitha krijesave, si dhe e të gjitha veprimeve të tyre.

Pyetja 12: Çfarë akti të veçantë providence ushtroi Perëndia ndaj njeriut, në gjendjen në të cilën e krijoi?
Përgjigjja: Pasi e krijoi njeriun, Perëndia hyri në një besëlidhje jete me të, me kusht bindjen e përkryer, duke e ndaluar të hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, përndryshe do të vdiste.

Pyetja 13: A vazhduan prindërit tanë të parë të qëndronin në gjendjen në të cilën u krijuan?
Përgjigjja: Prindërit tanë të parë, të lënë në lirinë e vullnetit të tyre, ranë nga gjendja në të cilën ishin krijuar, duke mëkatuar ndaj Perëndisë.

Pyetja 14: Çfarë është mëkati?
Përgjigjja: Mëkati është çdo mospërputhje me ligjin e Perëndisë, ose çdo shkelje e tij.

Pyetja 15: Cili ishte mëkati, për shkak të të cilit prindërit tanë të parë ranë nga gjendja në të cilën ishin krijuar?
Përgjigjja: Mëkati për shkak të të cilit prindërit tanë të parë ranë nga gjendja në të cilën ishin krijuar, ishte ngrënia e frutës së ndaluar.

Pyetja 16: A ra tërë njerëzimi në shkeljen e parë të Adamit?
Përgjigjja: Për shkak se besëlidhja e bërë me Adamin nuk ishte vetëm me të, por dhe me tërë pasardhësit e tij, i tërë njerëzimi, i ardhur brez pas brezi prej tij, mëkatoi përmes tij dhe ra bashkë me të në shkeljen e tij të parë.

Pyetja 17: Në çfarë gjendjeje e çoi njeriun rënia?
Përgjigjja: Rënia e çoi njeriun në një gjendje mëkati dhe mjerimi.

Pyetja 18: Ku qëndron mëkati i asaj gjendjeje në të cilën ra njeriu?
Përgjigjja: Mëkati i asaj gjendjeje në të cilën ra njeriu qëndron në fajin e mëkatit të parë të Adamit, në humbjen e drejtësisë së mëparshme dhe në shthurjen e tërë natyrës së tij, që në përgjithësi quhet mëkati fillestar së bashku me të gjitha shkeljet e veprave që burojnë prej tij.

Pyetja 19: Cili është mjerimi i gjendjes në të cilën ra njeriu?
Përgjigjja: I tërë njerëzimi, me rënien e tij, humbi bashkësinë me Perëndinë ; është nën zemëratën dhe mallkimin e Tij ; ndaj është pre e tërë mjerimeve të kësaj jete, e vetë vdekjes, si dhe përjetësisht e të gjitha vuajtjeve të ferrit.

Pyetja 20: A e la Perëndia njerëzimin të humbasë në gjendjen e mëkatit dhe të mjerimit?
Përgjigjja: Perëndia, thjesht për pëlqimin e Tij, që nga përjetësia, zgjodhi disa për në jetë të përjetshme dhe hyri në një besëlidhje hiri, për t’i çliruar ata nga gjendja e mëkatit dhe e mjerimit, dhe për t’i sjellë ata në një gjendje shpëtimi, përmes një Shpenguesi.

Pyetja 21: Cili është Shpenguesi i të zgjedhurve të Perëndisë?
Përgjigjja: Shpenguesi i vetëm i të zgjedhurve të Perëndisë është Zoti Jezu Krisht, i Cili, si Bir i përjetshëm i Perëndisë, u bë njeri, dhe i tillë vazhdon të jetë, Perëndi e njeri, në dy natyra të veçanta, por një person, përgjithmonë.

Pyetja 22: Si u bë Krishti njeri, duke qenë Biri i Perëndisë?
Përgjigjja: Krishti, Biri i Perëndisë, u bë njeri duke marrë një trup të vërtetë, dhe një frymë me arsye, i ngjizur prej fuqisë së Frymës së Shenjtë në barkun e virgjëreshës Mari, i lindur prej saj, megjithatë i pamëkat.

Pyetja 23: Cilat ofiqe ushtron Krishti si Shpenguesi ynë?
Përgjigjja: Krishti, si Shpenguesi ynë, ushtron ofiqin e profetit, e priftit dhe të mbretit, si në gjendjen e përulësisë, ashtu edhe në atë të lartësimit.

Pyetja 24: Si e ushtron Krishti ofiqin e profetit?
Përgjigjja: Krishti e ushtron ofiqin e profetit duke na zbuluar, përmes Fjalës dhe Frymës së Tij, vullnetin e Perëndisë për shpëtimin tonë.

Pyetja 25: Si e ushtron Krishti ofiqin e priftit?
Përgjigjja: Krishti e ushtron ofiqin e priftit duke na ofruar një herë e përgjithnjë vetveten, si një flijim për të kënaqur drejtësinë hyjnore, për të na pajtuar me Perëndinë e duke ndërmjetësuar vazhdimisht për ne.

Pyetja 26: Si e ushtron Krishti ofiqin e mbretit?
Përgjigjja: Krishti e ushtron ofiqin e mbretit duke na nënshtruar për veten e Tij, duke na sunduar e duke na mbrojtur, si dhe duke frenuar e mposhtur të gjithë armiqtë e Tij dhe tanët.

Pyetja 27: Ku qëndron përulësia e Krishtit?
Përgjigjja: Përulësia e Krishtit qëndron në faktin që u lind në një mjedis të rëndomtë ; nën pushtetin e ligjit ; vuajti mjerimet e kësaj jete, zemëratën e Perëndisë dhe mallkimin e vdekjes në kryq ; në varrosjen dhe qëndrimin nën pushtetin e vdekjes për njëfarë kohe.

Pyetja 28: Ku qëndron lartësimi i Krishtit?
Përgjigjja: Lartësimi i Krishtit qëndron në ngjalljen e Tij prej së vdekuri ditën e tretë, në ngjitjen në qiell, në uljen në të djathtë të Perëndisë Atë dhe në kthimin për të gjykuar botën në ditën e fundit.

Pyetja 29: Si bëhemi pjesëmarrës të shpengimit të blerë prej Krishtit?
Përgjigjja: Ne bëhemi pjesëmarrës të shpengimit të blerë prej Krishtit, përmes zbatimit efektiv të tij tek ne, me anë të Frymës së Tij të Shenjtë.

Pyetja 30: Si e zbaton tek ne Fryma shpengimin e blerë prej Krishtit?
Përgjigjja: Fryma e zbaton tek ne shpengimin e blerë prej Krishtit, duke punuar besim në ne, dhe në këtë mënyrë, duke na njësuar me Krishtin në thirrjen tonë efektive.

Pyetja 31: Çfarë është thirrja efektive?
Përgjigjja: Thirrja efektive është puna e Frymës së Perëndisë, përmes së cilës, duke na bindur për mëkatin dhe mjerimin tonë, duke na ndriçuar mendjet në njohjen e Krishtit dhe duke na ripërtërirë vullnetin tonë, Ai na bind dhe na bën të aftë të përqafojmë Jezu Krishtin, i Cili na jepet falas përmes Ungjillit.

Pyetja 32: Çfarë përfitojnë në këtë jetë ata që janë të thirrur efektivisht?
Përgjigjja: Ata, të cilët janë të thirrur efektivisht, përfitojnë në këtë jetë drejtësimin, birësimin dhe shenjtërimin, si edhe përfitime të tjera që shoqërojnë ose burojnë prej këtyre.

Pyetja 33: Çfarë është drejtësimi?
Përgjigjja: Drejtësimi është një veprim i hirit falas të Perëndisë, përmes të cilit Ai na fal të gjitha mëkatet tona dhe na pranon si të drejtë në sytë e Tij, vetëm për shkak të drejtësisë së Krishtit që na është llogaritur neve, dhe i marrë vetëm përmes besimit.

Pyetja 34: Çfarë është birësimi?
Përgjigjja: Birësimi është një veprim i hirit falas të Perëndisë, përmes të cilit ne pranohemi në numrin dhe kemi të drejtën e të gjitha privilegjeve të bijve të Perëndisë.

Pyetja 35: Çfarë është shenjtërimi?
Përgjigjja: Shenjtërimi është puna e hirit falas të Perëndisë, përmes të cilit ne ripërtërihemi në tërësinë e njeriut, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, dhe aftësohemi gjithnjë e më shumë të vdesim ndaj mëkatit dhe të jetojmë për drejtësinë.

Pyetja 36: Cilat janë përfitimet të cilat në këtë jetë shoqërojnë ose rrjedhin prej drejtësimit, birësimit dhe shenjtërimit?
Përgjigjja: Përfitimet që në këtë jetë shoqërojnë ose rrjedhin prej drejtësimit, birësimit dhe shenjtërimit, janë siguria e dashurisë së Perëndisë, paqja e ndërgjegjes, gëzimi në Frymën e Shenjtë, shtimi i hirit dhe qëndrueshmëria në këtë gjendje deri në fund.

Pyetja 37: Cilat janë përfitimet që besimtarët marrin prej Krishtit kur vdesin?
Përgjigjja: Shpirtrat e besimtarëve, kur këta të fundit vdesin, bëhen të përsosur në shenjtëri dhe kalojnë menjëherë në lavdi, dhe trupat e tyre, duke qenë ende të bashkuar me Krishtin, prehen në varr deri në ditën e ringjalljes.

Pyetja 38: Cilat janë përfitimet që marrin besimtarët prej Krishtit kur të ringjallen?
Përgjigjja: Kur të ringjallen, besimtarët, të ngritur në lavdi, do të njihen haptazi dhe do të shfajësohen në Ditën e Gjykimit, do të bekohen përsosmërisht, duke e gjetur plotësisht kënaqësinë tek Perëndia, për gjithë përjetësinë.

Pyetja 39: Çfarë detyre kërkon Perëndia nga njeriu?
Përgjigjja: Detyra që Perëndia kërkon nga njeriu është bindja ndaj vullnetit të Tij të zbuluar.

Pyetja 40: Çfarë i zbuloi së pari Perëndia njeriut si standard për t’iu bindur?
Përgjigjja: Standardi, të cilin Perëndia i zbuloi së pari njeriut për t’iu bindur, ishte ligji moral.

Pyetja 41: Ku gjendet i përmbledhur ligji moral?
Përgjigjja: Ligji moral gjendet i përmbledhur në Dhjetë Urdhërimet.

Pyetja 42: Cila është përmbledhja e Dhjetë Urdhërimeve?
Përgjigjja: Përmbledhja e Dhjetë Urdhërimeve është që ta duam Perëndinë, Zotin tonë, me gjithë zemrën tonë, me gjithë shpirtin tonë, me gjithë forcën tonë dhe me gjithë mendjen tonë; si dhe të duam të afërmin tonë porsi vetveten.

Pyetja 43: Cila është parathënia e Dhjetë Urdhërimeve?
Përgjigjja: Parathënia e Dhjetë Urdhërimeve është në këto fjalë: Unë jam ZOTI, Perëndia Yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.

Pyetja 44: Çfarë na mëson parathënia e Dhjetë Urdhërimeve?
Përgjigjja: Parathënia e Dhjetë Urdhërimeve na mëson se, për shkak se Perëndia është ZOTI, Perëndia Ynë, dhe Shpenguesi, e kemi për detyrë t’i zbatojmë të gjitha urdhërimet e Tij.

Pyetja 45: Cili është urdhërimi i parë?
Përgjigjja: Urdhërimi i parë është: “Mos ki perëndi të tjerë para meje”.

Pyetja 46: Çfarë kërkohet në urdhërimin e parë?
Përgjigjja: Urdhërimi i parë na kërkon të njohim dhe të pranojmë Perëndinë si të vetmin Perëndi të vërtetë dhe si Perëndinë tonë, dhe ta adhurojmë e ta lëvdojmë Atë ashtu siç duhet.

Pyetja 47: Çfarë ndalohet në urdhërimin e parë?
Përgjigjja: Urdhërimi i parë ndalon mohimin ose mosadhurimin dhe moslëvdimin e Perëndisë së vërtetë si perëndi, dhe si Perëndia ynë, dhe dhënien e atij adhurimi e lëvdimi që i takon vetëm Atij, dikujt tjetër.

Pyetja 48: Çfarë na mësojnë veçanërisht fjalët “para meje”, në urdhërimin e parë?
Përgjigjja: Fjalët “para meje”, në urdhërimin e parë, na mësojnë se Perëndia, i Cili shikon gjithçka, vëren dhe është shumë i indinjuar me mëkatin e të pasurit të ndonjë perëndie tjetër.

Pyetja 49: Cili është urdhërimi i dytë?
Përgjigjja: Urdhërimi i dytë është: Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe as mos u shërbe, sepse unë, ZOTI, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz, që e dënon paudhësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.

Pyetja 50: Çfarë kërkohet në urdhërimin e dytë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e dytë kërkohet marrja, këqyrja dhe mbajtja pastër në tërësi e gjithë atyre ceremonive dhe adhurimit fetar, të cilat Perëndia i ka caktuar në Fjalën e Tij.

Pyetja 51: Çfarë ndalohet në urdhërimin e dytë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e dytë ndalohet adhurimi i Perëndisë përmes figurave apo çfarëdo mënyre tjetër që nuk është caktuar në Fjalën e Tij.

Pyetja 52: Cilat janë arsyet bashkëngjitur me urdhërimin e dytë?
Përgjigjja: Arsyet bashkëngjitur me urdhërimin e dytë janë: sovraniteti i Perëndisë mbi ne, autorësia e Tij në ne dhe zelli që Ai ka për adhurimin e vet.

Pyetja 53: Cili është urdhërimi i tretë?
Përgjigjja: Urdhërimi i tretë është: Mos e përdor emrin e ZOTIT, të Perëndisë tënd, kot, sepse ZOTI nuk do ta lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.

Pyetja 54: Çfarë kërkohet në urdhërimin e tretë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e tretë kërkohet përdorimi i shenjtë dhe me nderim i emrave, i titujve, i atributeve, i urdhërimeve, i Fjalës dhe i veprave të Perëndisë.

Pyetja 55: Çfarë ndalohet në urdhërimin e tretë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e tretë ndalohet përdhosja dhe keqpërdorimi i të gjitha gjërave përmes të cilave Perëndia e bën Vetveten të njohur.

Pyetja 56: Cila është arsyeja bashkëngjitur me urdhërimin e tretë?
Përgjigjja: Arsyeja bashkëngjitur me urdhërimin e tretë është se, sido që t’i shmangen shkelësit e këtij urdhërimi dënimit njerëzor, prapëseprapë ZOTI, Perëndia ynë, nuk do t’i lejojë ata që t’i shmangen gjykimit të Tij të drejtë.

Pyetja 57: Cili është urdhërimi i katërt?
Përgjigjja: Urdhërimi i katërt është: Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar. Puno gjashtë ditë dhe në ato bëj të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është shabat, e shenjtë për ZOTIN, Perëndinë tënd; mos bëj në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë ZOTI krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në ta, dhe ditën e shtatë ai pushoi; prandaj ZOTI e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.

Pyetja 58: Çfarë kërkohet në urdhërimin e katërt?
Përgjigjja: Në urdhërimin e katërt kërkohet mbajtja e shenjtë përpara Perëndisë e atyre afateve kohore, të cilat Ai i ka përcaktuar në Fjalën e Tij; shprehimisht, një ditë të tërë nga shtatë, për të qenë një shabat i shenjtë për Të.

Pyetja 59: Cilën prej shtatë ditëve ka përcaktuar Perëndia për të qenë shabati javor?
Përgjigjja: Prej fillimit të botës, deri në ringjalljen e Krishtit, Perëndia përcaktoi ditën e shtatë të javës për të qenë shabati javor ; dhe, që prej asaj kohe e deri në fund të botës, ditën e parë të javës, e ky është shabati i krishterë.

Pyetja 60: Si duhet shenjtëruar shabati?
Përgjigjja: Shabati duhet shenjtëruar përmes një pushimi të shenjtë në tërë atë ditë, madje duke hequr dorë edhe nga disa punë dhe argëtime të kësaj bote që janë të ligjshme në ditët e tjera ; dhe duke e kaluar tërë kohën në ushtrim të adhurimit publik dhe privat të Perëndisë, me përjashtim të kohës që duhet për punët e domosdoshme dhe për veprat e mëshirës.

Pyetja 61: Çfarë ndalohet në urdhërimin e katërt?
Përgjigjja: Në urdhërimin e katërt ndalohet mosbërja ose kryerja pa kujdes e detyrave të kërkuara dhe përdhosja e ditës përmes përtacisë ose asaj që është mëkat në vetvete, ose përmes mendimeve, fjalëve apo veprave të panevojshme që lidhen me përfshirjet dhe argëtimet e kësaj bote.

Pyetja 62: Cilat janë arsyet bashkëngjitur me urdhërimin e katërt?
Përgjigjja: Arsyet bashkëngjitur me urdhërimin e katërt janë: Perëndia na lejon gjashtë ditë në javë për të kryer punët tona personale ; pronësia që Ai shpall mbi të shtatën ; shembulli i Tij personal ; dhe bekimi prej Tij i ditës së shabatit.

Pyetja 63: Cili është urdhërimi i pestë?
Përgjigjja: Urdhërimi i pestë është: Ndero atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që ZOTI, Perëndia yt, po të jep.

Pyetja 64: Çfarë kërkohet në urdhërimin e pestë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e pestë kërkohet ruajtja e nderit dhe kryerja e detyrave që u takojnë të gjithë atyre që, sipas pozitës dhe marrëdhënieve të tyre të ndryshme, janë mbi, nën apo të barabartë me ne.

Pyetja 65: Çfarë ndalohet në urdhërimin e pestë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e pestë ndalohet mosbërja apo çdo veprim kundër nderit dhe detyrave që i përkasin kujtdo në pozitat dhe marrëdhëniet e tyre të ndryshme.

Pyetja 66: Cila është arsyeja bashkëngjitur që lidhet me urdhërimin e pestë?
Përgjigjja: Arsyeja bashkëngjitur që lidhet me urdhërimin e pestë është premtimi i një jete të gjatë e me bollëk (për aq sa do t’i shërbejë lavdisë së Perëndisë dhe të mirës së tyre) për të gjithë ata që e zbatojnë këtë urdhërim.

Pyetja 67: Cili është urdhërimi i gjashtë?
Përgjigjja: Urdhërimi i Gjashtë është: Mos vrit.

Pyetja 68: Çfarë kërkohet në urdhërimin e gjashtë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e gjashtë kërkohet të bëhen të gjitha përpjekjet e ligjshme për ruajtjen e jetës sonë dhe të të tjerëve.

Pyetja 69: Çfarë ndalohet në urdhërimin e gjashtë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e gjashtë ndalohet vetëvrasja ose marrja padrejtësisht e jetës së tjetrit, apo çdo tentativë për sa më sipër.

Pyetja 70: Cili është urdhërimi i shtatë?
Përgjigjja: Urdhërimi i shtatë është: Mos shkel besnikërinë bashkëshortore.

Pyetja 71: Çfarë kërkohet në urdhërimin e shtatë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e shtatë kërkohet ruajtja e pastërtisë sonë dhe e tjetrit, në zemër, fjalë dhe sjellje.

Pyetja 72: Çfarë ndalohet në urdhërimin e shtatë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e shtatë ndalohen të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet e papastra.

Pyetja 73: Cili është urdhërimi i tetë?
Përgjigjja: Urdhërimi i tetë është: Mos vidh.

Pyetja 74: Çfarë kërkohet në urdhërimin e tetë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e tetë kërkohet mospërvetësimi dhe zgjerimi i paligjshëm i pasurisë dhe i pronave tona dhe të të tjerëve.

Pyetja 75: Çfarë ndalohet në urdhërimin e tetë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e tetë ndalohet gjithçka që pengon apo mund të pengojë padrejtësisht pasurinë dhe pronat tona dhe të të tjerëve.

Pyetja 76: Cili është urdhërimi i nëntë?
Përgjigjja: Urdhërimi i nëntë është: Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

Pyetja 77: Çfarë kërkohet në urdhërimin e nëntë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e nëntë kërkohet mbajtja dhe promovimi i së vërtetës mes njëri-tjetrit, i emrit tonë të mirë dhe i të afërmit, veçanërisht kur dëshmojmë.

Pyetja 78: Çfarë ndalohet në urdhërimin e nëntë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e nëntë ndalohet gjithçka që dëmton të vërtetën ose dëmton emrin tonë të mirë edhe të afërmit tonë.

Pyetja 79: Cili është urdhërimi i dhjetë?
Përgjigjja: Urdhërimi i dhjetë është: Mos dëshiro shtëpinë e të afërmit tënd; mos dëshiro gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as ndonjë gjë tjetër që është e të afërmit tënd.

Pyetja 80: Çfarë kërkohet në urdhërimin e dhjetë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e dhjetë kërkohet kënaqësi e plotë me gjendjen tonë, një frymë e drejtë dhe bamirëse ndaj të afërmit dhe gjithçkaje që i përket atij.

Pyetja 81: Çfarë ndalohet në urdhërimin e dhjetë?
Përgjigjja: Në urdhërimin e dhjetë ndalohet çdo pakënaqësi me gjendjen tonë, çdo lakmi apo hidhërim për të mirat e të afërmit tonë, dhe çdo veprim apo ndjesi e pazakontë ndaj gjithçkaje që i përket atij.

Pyetja 82: A mundet ndokush t’i mbajë përsosmërisht urdhërimet e Perëndisë?
Përgjigjja: Që prej rënies, askush nuk ka qenë i aftë në këtë jetë t’i mbajë përsosmërisht urdhërimet e Perëndisë, por çdokush i shkel ato përditë në mendje, fjalë dhe vepër.

Pyetja 83: A janë të tëra shkeljet e ligjit njësoj të urryera?
Përgjigjja: Disa mëkate në vetvete dhe, për shkak të disa pasojave, janë më shumë të urryera në sytë e Perëndisë se disa të tjera.

Pyetja 84: Çfarë meriton secili mëkat?
Përgjigjja: Secili mëkat meriton urrejtjen dhe mallkimin e Perëndisë si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën që pason.

Pyetja 85: Çfarë kërkon Perëndia prej nesh, në mënyrë që t’i shpëtojmë urrejtjes dhe mallkimit që meriton mëkati ynë?
Përgjigjja: Për t’i shpëtuar urrejtjes dhe mallkimit të Perëndisë që ne meritojmë për mëkatin, Perëndia na kërkon besimin në Jezu Krishtin, pendimin që sjell në jetë, dhe përdorimin e zellshëm të të gjitha mjeteve të dukshme, përmes të cilave Krishti na komunikon përfitimet e shpengimit.

Pyetja 86: Çfarë është besimi në Jezu Krishtin?
Përgjigjja: Besimi në Jezu Krishtin është një hir shpëtues, përmes të cilit e marrim dhe mbështetemi vetëm në Atë për shpëtim, siç na është ofruar në ungjill.

Pyetja 87: Çfarë është pendimi që sjell jetë?
Përgjigjja: Pendimi që sjell jetë është një hir shpëtues, përmes të cilit mëkatari, prej një ndjesie të vërtetë të mëkatit të tij dhe të kuptimit të mëshirës së Perëndisë në Krishtin, me pikëllim dhe urrejtje për mëkatin e tij, kthehet te Perëndia, me qëllimin e plotë dhe përpjekjen për një bindje të re.

Pyetja 88: Cilat janë mjetet e dukshme përmes të cilave Krishti na komunikon përfitimet e shpengimit?
Përgjigjja: Mjetet e dukshme dhe të zakonshme përmes të cilave Krishti na komunikon përfitimet e shpengimit janë urdhërimet e tij, veçanërisht Fjala, sakramentet dhe lutja ; të cilat bëhen efikase te të zgjedhurit për shpëtim.

Pyetja 89: Si bëhet Fjala efikase për shpëtim?
Përgjigjja: Fryma e Perëndisë e bën leximin, por veçanërisht predikimin e Fjalës, një mënyrë efikase për bindjen dhe konvertimin e mëkatarëve, dhe për ndërtimin e tyre në shenjtëri e ngushëllim, përmes besimit, për shpëtim.

Pyetja 90: Si duhet të lexohet dhe të dëgjohet Fjala, në mënyrë që të bëhet efikase për shpëtim?
Përgjigjja: Në mënyrë që Fjala të bëhet efikase për shpëtim, ne duhet ta dëgjojmë atë me përkushtim, përgatitje dhe lutje ; ta marrim atë me besim dhe dashuri ; ta përvetësojmë në zemrat tona dhe ta zbatojmë në jetët tona.

Pyetja 91: Si bëhen sakramentet mjete efikase për shpëtim?
Përgjigjja: Sakramentet bëhen mjete efikase për shpëtim, jo prej ndonjë virtyti të tyre apo të atij që i administron ato, por vetëm prej bekimit të Krishtit dhe punës së Frymës së Tij në ata që i marrin këto sakramente me besim.

Pyetja 92: Çfarë është një sakrament?
Përgjigjja: Një sakrament është një urdhërim i shenjtë, i caktuar nga Krishti, ku, përmes shenjave të dallueshme prej shqisave, Krishti, si dhe përfitimet e besëlidhjes së re, përfaqësohen, vulosen dhe zbatohen te besimtarët.

Pyetja 93: Cilat janë sakramentet e Dhiatës së Re?
Përgjigjja: Sakramentet e Dhiatës së Re janë Pagëzimi dhe Darka e Zotit.

Pyetja 94: Çfarë është Pagëzimi?
Përgjigjja: Pagëzimi është një sakrament ku larja me ujë në emër të Atit, e të Birit, e të Frymës së Shenjtë, shënon e vulos shartimin tonë në Krishtin dhe pjesëmarrjen në përfitimet e besëlidhjes së hirit, si dhe zotimin tonë për të qenë të Zotit.

Pyetja 95: Kujt mund t’i administrohet Pagëzimi?
Përgjigjja: Pagëzimi nuk mund t’u administrohet atyre që janë jashtë kishës së dukshme, derisa ata të rrëfejnë besimin e tyre në Krishtin dhe bindje ndaj Tij ; por fëmijët e atyre që janë anëtarë të kishës së dukshme duhet të pagëzohen.

Pyetja 96: Çfarë është Darka e Zotit?
Përgjigjja: Darka e Zotit është një sakrament, ku, prej dhënies dhe marrjes së bukës dhe verës, sipas përcaktimit të Krishti, shpallet vdekja e Tij ; dhe marrësit e denjë të saj bëhen pjesëmarrës të trupit dhe gjakut të Tij, jo në ndonjë mënyrë trupore apo mishërore, por prej besimit, me të gjitha përfitimet e Tij, për ushqimin e tyre frymëror dhe rritjen në hir.

Pyetja 97: Çfarë kërkohet për ta marrë denjësisht Darkën e Zotit?
Përgjigjja: Prej atyre që duan të marrin pjesë denjësisht në Darkën e Zotit kërkohet shqyrtimi i vetvetes për aftësinë e tyre dalluese të trupit të Krishtit ; për besimin e tyre, që të ushqehen me Krishtin ; për pendimin e tyre, dashurinë dhe bindjen e re ; përndryshe, si të padenjë, ata hanë dhe pinë dënim për veten e tyre.

Pyetja 98: Çfarë është lutja?
Përgjigjja: Lutja është ofrimi i dëshirave tona përpara Perëndisë për gjëra që janë në përputhje me vullnetin e Tij, në emrin e Krishtit, duke rrëfyer mëkatet tona, dhe me mirënjohje falënderuese për mëshirat e Tij.

Pyetja 99: Çfarë standardi na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar në lutje?
Përgjigjja: E tërë Fjala e Perëndisë mund të përdoret për të na drejtuar në lutje ; por standardi i veçantë për drejtim është ajo formë lutjeje, të cilën Krishti ua mësoi dishepujve, e quajtur zakonisht si Lutja e Zotit.

Pyetja 100: Çfarë na mëson parathënia e Lutjes së Zotit?
Përgjigjja: Parathënia e Lutjes së Zotit, që thotë: Ati ynë që je në qiej, na mëson t’i afrohemi Perëndisë me gjithë nderimin e shenjtë dhe mirëbesimin, siç i afrohen fëmijët një ati, i gatshëm dhe i aftë për të na ndihmuar ; dhe se duhet të lutemi për të tjerët e me të tjerët.

Pyetja 101: Për çfarë lutemi në kërkesën e parë?
Përgjigjja: Në kërkesën e parë, që thotë: U shenjtëroftë emri Yt, lutemi që Perëndia të na bëjë të aftë ne dhe të tjerët për ta lavdëruar Atë në çdo gjë që Ai na zbulohet ; dhe se Ai do t’i rregullojë të gjitha gjërat për lavdinë e Tij.

Pyetja 102: Për çfarë lutemi në kërkesën e dytë?
Përgjigjja: Në kërkesën e dytë, që thotë: Ardhtë mbretëria Jote, lutemi që mbretëria e Satanit të shkatërrohet dhe që mbretëria e hirit të përparojë, që ne dhe të tjerët të futemi dhe të mbahemi në të, dhe që ardhja e mbretërisë së lavdisë të përshpejtohet.

Pyetja 103: Për çfarë lutemi në kërkesën e tretë?
Përgjigjja: Në kërkesën e tretë, që thotë: U bëftë vullneti Yt në tokë si në qiell, lutemi që Perëndia, përmes hirit të Tij, të na bëjë të aftë dhe të gatshëm që ta njohim, t’i bindemi dhe t’i nënshtrohemi vullnetit të Tij në çdo gjë, ashtu siç bëjnë engjëjt në qiell.

Pyetja 104: Për çfarë lutemi në kërkesën e katërt?
Përgjigjja: Në kërkesën e katërt, që thotë: Bukën tonë të përditshme na e jep sot, lutemi që të marrim prej dhuratës së Perëndisë një racion të mjaftueshëm të të mirave të kësaj jete, dhe të gëzojmë bekimet e Tij bashkë me to.

Pyetja 105: Për çfarë lutemi në kërkesën e pestë?
Përgjigjja: Në kërkesën e pestë, që thotë: Dhe na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë, lutemi që, për hir të Krishtit, Perëndia do të na i falë lirisht tërë mëkatet tona, gjë për të cilën ne nxitemi të lutemi, pasi prej hirit të Tij ne aftësohemi t’i falim të tjerët nga thellësia e zemrës.

Pyetja 106: Për çfarë lutemi në kërkesën e gjashtë?
Përgjigjja: Në kërkesën e gjashtë, që thotë: Dhe mos lejo të biem në tundim, lutemi që Perëndia të na mbajë larg tundimit për mëkat, ose të na ndihmojë dhe të na çlirojë kur tundohemi.

Pyetja 107: Çfarë na mëson përfundimi i Lutjes së Zotit?
Përgjigjja: Përfundimi i Lutjes së Zotit, që thotë: Sepse jotja është mbretëria dhe fuqia, dhe lavdia, përjetë. Amen! na mëson që ta gjejmë nxitjen për lutje vetëm te Perëndia dhe në lutjet tona ta lëvdojmë Atë, duke ia atribuuar mbretërinë, fuqinë dhe lavdinë vetëm Atij. Dhe si dëshmi e dëshirës sonë, dhe si të sigurt që na ka dëgjuar, ne themi: Amen!

 

Copyright © Albert J. Kona, 2018
Autori: Albert J. Kona

Citimet biblike janë marrë nga Bibla, botimi 2009.
E drejta e autorit © SHOQËRIA BIBLIKE SHQIPTARE (A.B.S.) TIRANË
Përdorur me leje. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Teksti i Katekizmit lëshohet nga autori në public domain nën termat e Creative Commons Attribution 4.0 International License.

Për  lavdi të Perëndisë, bekimin e Kishës dhe shpërndarjen e të vërtetës, ju jeni të lirë që ta kopjoni, rishpërndani apo të ndërtoni mbi këtë tekst, në formën e plotë apo pjesë të saj, për aq kohë sa nuk ndryshoni tekstin, dhe respektoni termat e licencës: ju duhet që t’i referoheni këtij botimi; dhe ju nuk mund të aplikoni terma ligjorë ose masa teknologjike që ligjërisht i kufizojnë të tjerët përtej çfarë kjo licencë lejon.

https://creativecommons.org/licenses/by/4.0/

Vargu i Ditës

“Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij. Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.” — Psalm 68:4-5 . Powered by BibleGateway.com.

Buletini Liturgjik