Pyetja 5: A ka më shumë se një Perëndi?

Pyetja 5: A ka më shumë se një Perëndi?

Përgjigjja: Ka vetëm një: Perëndia i gjallë dhe i vërtetë.

Katekizmi i Shkurtër, pasi na ka dhënë  një përkufizim të shkurtër, konciz dhe të saktë të Perëndisë tonë, e vazhdon shtjellimin e doktrinës Biblike të Perëndisë duke e plotësuar atë përkufizim me dy koncepte jetësore për një kuptim të saktë të Perëndisë, që (1) Perëndia është një unitet; (2) Perëndia është një unitet prej tre personash, një Trinitet. Në këtë studim do të shqyrtojmë konceptin e parë.

Krishterimi është një besim monoteist. Monoteizmi është ai sistem religjioni që beson se ka vetëm një Perëndi. Nën këtë sitëm renditen Krishterimi Biblik dhe Myslimanizmi. E kundërta e monoteizmit është Politeizmi, apo besimi në shumë Perëndi. Në këtë sistem përfshihen të gjitha sistemet e tjera religjioze, që nga perënditë Greko-Romane deri tek Mormonizmi i kohës së sotme.

Ka vetëm një Perëndi

Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është Zoti i vetëm” (LiRip. 6:4).

Deklarata e Parë e përgjigjes 6 është se ka vetëm një Perëndi.  Përse është e rëndësishme të fillohet me këtë deklaratë? Një teolog i vjetër ka argumentuar:

Që ne të fillojmë në mësimet tona në lidhje me Trininë e Shenjtë; nuk duhet të fillojmë duke thënë se janë Tre dhe pastaj më pas të vazhdojmë të themi se ekziston Një, që të mos japim nocione false për natyrën e atij si Një; por ne duhet të fillojmë duke deklaruar të vërtetën e madhe se ekziston Një Perëndi në një kuptim të thjeshtë dhe të rreptë dhe pastaj të vazhdojmë të flasim për Tre, e cila është mënyra në të cilën misteri u zbulua në mënyrë progresive në Shkrime. Në Dhiatën e Vjetër lexojmë për Unitetin; në të Renë, ne jemi ndriçuar në njohjen e Trinisë.[1]

Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është Zoti i vetëm” (LiRip. 6:4). Ky ishte objekti i adhurimit të Izraelit në Dhiatën e Vjetër, baza e tërë predikimit të mëvonshëm të profetëve,[2] ajo që e mbante të bashkuar atë si komb, si dhe qëllimi i tij si një popull i veçantë, të ishte në sytë e tërë botës supersticioze, një dëshmi për unitetin e një Perëndie unik, Perëndia i gjallë dhe i vërtetë.[3]

Madje edhe arsyetimi i shëndoshë teist duhet të na çojë po në këtë përfundim. Perëndia duhet të jetë vetëm një. Vetëm një duhet të jetë shkaku i ekzistencës së gjithçka në këtë botë, përndryshe do të kishte përplasje në qëllime. Plotfuqishmëria e Perëndisë bazohet mbi lirinë e Tij për të bërë planin e Tij sipas dëshirës dhe mënyrës së Tij. Nëse do të kishim më shumë se sa një Perëndi të gjallë dhe të vërtetë, atëherë do të kishim një konkurrencë Perëndish, që do të kundërshtonin planet e njëri-tjetrit, dhe me të, do të frustronin edhe tërë krijesën. Uniteti i dizenjimit të universit, harmonia e operimit të saj, provojnë që u krijua dhe qeveriset nga një dorë e vetme. Kur e krahason këtë doktrinë, me panteonin e perëndive të botës Greko-Romane, “perëndi” të cilat ishin tërë kohës në kontradiktë e luftë të hapur për pushtet me njeri-tjetrin, që frustronin planet e njëri-tjetrit dhe madje përdhunonin krijesat njerëzore të njëri-tjetrit, kuptojmë se sa e logjikshme është dëshmia biblike se Perëndia është një i vetëm, unik, i gjalle dhe i vërteti Perëndi. Besimi në unitetin e Perëndisë (Se Perëndia është një), është baza e një besimi apo religjioni të vërtetë.

Si duhet ta kuptojmë deklaratën që Perëndia është një? A është i njëjtë me deklaratën e Islamit në thirrjen që vjen nga minaretë? Cili është kuptimi i deklaratave insistuese Biblike që Perëndia është një? A përdoret në kundërshtim me deklaratën e mëvonshme të Krishterimit që Perëndia është Triunë, ku edhe Biri edhe Fryma janë pjesë e të njëjtës Perëndi?

Fjalët “vetëm një” në Shkrimet nuk përdoren në kontrast me Birin ose Frymën e Shenjtë, siç e përdor Islami, por në kontrast me ato perëndi false që njerëzimi ka ngritur në zemrën e vet. Fraza “vetëm një” nuk përdoret as në sensin numerik,[4] edhe pse kjo përfshihet në deklaratë. Arianizmi, Socianizmi deklaroni se ka vetëm një perëndi suprem, por shume perëndi të tjera inferiore. Nuk është ky kuptimi ynë. Triteistët deklarojnë se ka vetëm një natyrë hyjnore që ndahet ndërmjet tre perëndive të ndryshme. As ky nuk është kuptimi ynë që Perëndia është vetëm një. Po kështu, nuk besojmë me Sabellianizmin që ka vetëm një person hyjnor por që njihet me tre emra të ndryshëm.

Fjalët “vetëm një” deklarojnë se nuk ka asnjë si Perëndia, dhe as të barabartë me të në të gjitha cilësitë që përkufizoi Katekizmi 4. Perëndia është plotësisht unik, plotësisht tjetër, plotësisht i veçantë nga gjithçka tjetër. Fraza tregon për një vetmi absolute. Kjo është quajtur një unitet transcendent,[5] ose njësia e asaj që është e pandashme, dhe që nuk i nënshtrohet logjikës, filozofisë, apo aritmetikës njerëzore.

Kjo është mënyra se si duhen kuptuar deklarata biblike që renditen më poshtë:

    • Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është Zoti i vetëm. – LiRip. 6:4
    • Tani e shikoni që unë jam Ai dhe që nuk ka Perëndi tjetër përbri meje. Unë të bëj që të vdesësh dhe të jetosh, unë të plagos dhe të shëroj dhe nuk ka njeri që mund të të lirojë nga dora ime. – LiR. 32:39
    • Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, ju dhe shërbëtori që kam zgjedhur, me qëllim që ju të më njihni dhe të keni besim tek unë, si dhe të merrni vesh që unë jam. Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër. – Isaia 43:10
    • Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia. – Psalmi 86:10
    • Jezusi i tha: «Shporru, Satan, sepse është shkruar: “Adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij”». – Mateu 4:10
    • Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të drejtësojë të rrethprerin prej besimit, dhe të parrethprerin nëpërmjet besimit. – Mateu 3:30
    • Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një. – 1 Kor. 8:4
    • Dhe ndërmjetësi nuk është ndërmjetës i njërit vetëm, kurse Perëndia është një. – Gal. 3:20
    • …një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, përmes të gjithëve dhe në ju të gjithë. – Efe. 4:6

Siç do të shohim në studimin e radhës mbi Katekizmin 6, asnjë nga këto vargje nuk përjashton Birin apo Frymën nga qenësia “vetëm një” e unitetit tw Perëndisë, dhe se si Biri ashtu edhe Fryma e shenjtë ndajnë me Atin të njëjtën natyre e esencë hyjnore, atribute, vepra, adhurim dhe lavdi. Por përpara se të shkojmë atje, le të shqyrtojmë shkurtimisht dy koncepte të tjera në përkufizimin e Perëndisë.

Perëndia i Gjallë

“Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij” (Jeremia 10:10).

Perëndia ynë është një Perëndi i gjallë. E themi këtë në kundërshtim me çdo gjë tjetër që njerëzimi e ka quajtur perëndi. Pali shkroi, “ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një” (1 Kor. 8:4). Ato, “kanë gojë, por nuk flasin; kanë sy, por nuk shohin” (Psa. 115:5).

Nga ana tjetër, Perëndia i Biblës është vet-ekzistent. Ai madje është burimi i jetës dhe ekzistencës së gjithçka tjetër që ekziston. “Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi” u tha Pali filozofëve të kohës së tij (Vep. 17:28). I Krishteri madje ka edhe një jetë të dytë, një jetë të re, si shpirtërore ashtu edhe të përjetshme, e cila buron prej Perëndisë. “sepse keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. 4 Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të” (Kol. 3:3-4)

 

Perëndia i Vërtetë

“Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij” (Jeremia 10:10).

Cilësimi “i vërtetë” jepet në kontrast nga idhujt, apo Perënditë fallso që njerëzimi ka imagjinuar, shpikur apo institucionalizuar, si në zemër, ashtu edhe në shoqëritë e ndryshme njerëzore përgjatë shekujve. Perëndia i gjallë jeton, apo është, jo në imagjinatë, por në të vërtetë. “Ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një” (1 Kor. 8:4). Prandaj edhe Krishti tha se ne duhet që ta adhurojmë Perëndinë në frymë dhe në të vërtetë. Perëndia është vërtetë, Perëndia është e tërë e vërteta, dhe është i vetëm Perëndi i vërtetë. Si rrjedhim, epitetet i gjallë dhe i vërtetë janë të lidhura pazgjidhshmërisht sepse janë një në unitetin e natyrës së Perëndisë. Perëndia i gjallë është i vetmi Perëndi i vërtetë, dhe Perëndia i vërtetë duhet të jetë një Perëndi i gjallë.

Por pyetja që dikush mund të shtrojë është: Si shpjegohet që në Bibël termi “perëndi” përdoret edhe për entitete të tjera? Pali përdor termin “të ashtuquajtura” për këto Perëndi: “Sepse, ndonëse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell a në tokë (sikurse ka shumë perëndi dhe shumë zotër), 6 por për ne ka vetëm një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij” (1 Kor. 8:5-6). Ja disa shembuj dhe shpjegimet e tyre:

    • Zoti i tha Moisiut: «Shiko, unë po të bëj si perëndi për Faraonin dhe vëllai yt, Aaroni, do të jetë profeti yt. – Eksodi 7:1. Moisiu quhet perëndi ndaj Faronit sepse u dërgua prej Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë, të ishte përfaqësuesi i Tij ndaj Faronit, të plotësonte qëllimin që Perëndia kishte përmes tij ndaj Faronit.
    • Autoriteti shtetëror quhet perëndi tek Psalmi 82:6 sepse vepron si krahu i Perëndisë mbi tokë, si shpata e Tij, dhe për këtë arsye edhe ne duhet që ti bindemi atij. “Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhrit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin dënim mbi veten e tyre” (Rom. 13:2)
    • Idhujt quhen Perëndi, sepse idhujtarët mendojnë se idhujt janë perëndi.
    • Barku quhet nga Pali si perëndia i idhujtarëve: “fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata e çojnë mendjen vetëm në gjërat tokësore” (Filipianëve 3:19).
    • Satani është quajtur perëndia i kësaj epoke për shkak të fuqisë që është lejuar atij nga vetë Perëndia i gjallë e i vërtetë, mbi të ligjtë, dhe bijtë e mosbindjes: “…të cilëve perëndia i kësaj bote ua verboi mendimet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata” (2 Kor. 4:4).[6]

Aplikime

Zemra e perëndishme menjëherë duhet të nxjerrë disa implikime e aplikimi personale nga tërë këto të vërtetë biblike. Ato mund të jenë të shumta dhe duhet të jenë personale. Por disa aplikime të përgjithshme dhe të përbashkëta janë këto:

    1. Është shumë e rrezikshme që të rendim pas perëndive të tjera. Psalmisti na kujton: “Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t’i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre” (Psa. 16:4).
    2. Lutjet tona duhet të ngrihen lart vetëm drejt Perëndisë, jo Marisë, as shenjtorëve apo engjëjve, as ndaj gurëve apo vendeve të shenjta. E gjitha lavdia duhet ti shkojë vetëm Perëndisë, po kështu edhe lutjet tona.
    3. Le ta duam Perëndinë tonë mbi çdo gjë tjetër, madje me tërë fuqinë e qenies tonë. “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (Psa. 73:25).
    4. Le ta falënderojmë Perëndinë që nuk na ka lënë në supersticionin e paganëve por na ka thirrur në dritën e Birit të Tij për bekimin tonë. Le ta falënderojmë gjithashtu, se si Perëndi i gjallë, Ai do të jetë përjetë me popullin e Tij.
    5. Nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, le t’i paraqitni trupat tonë si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, që është shërbesa jonë e mençur (Rom 12:1).
    6. Sepse Perëndia është një frymë e pastër, Perëndia i gjallë dhe i vërtetë, le ti ofrojmë Atij një adhurim në frymë dhe në të vërtetë siç edhe na e ka kërkuar përmes Krishtit (Gjoni 4:23-24).
    7. Së fundi, le të mos jetojmë praktikisht si ateistë. Është e mundur që një besimtar, nga frika e botës harron frikën e Perëndisë, jeton për të impresionuar dhe kënaqur botën në vend që të jetojë për kënaqësinë e Perëndisë, si dhe të mohojë Perëndinë përmes mendimeve, fjalëve dhe veprime që nuk e nderojnë Perëndinë, apo që praktikisht e mohon Perëndinë, sovranitetin e Tij, dhe besnikërinë e Tij ndaj popullit të Tij.

Shënime

[1] John Henry Newman, Parochial and Plain Sermons in Eight Volumes. Vol. 6 Vol. 6 (Westminster, Md: Christian Classics, 1967), 349–350.

[2] Alexander Whyte and Westminster Assembly, A Commentary of the Shorter Catehism (Edinburgh: T. & T. Clark, 1949), 14.

[3] Henry Belfrage, A Practical Exposition of the Assembly’s Shorter Catechism; Exhibiting a System of Theology in a Popular Form, and Particularly Adapted for Family Instruction., vol. 1 (Edinburgh: W. Oliphant, 1835), 114.

[4] Whyte and Westminster Assembly, A Commentary of the Shorter Catehism, 13.

[5] Ibid.

[6] Alexander Smith Paterson, A Concise System of Theology on the Basis of the Shorter Catechism (New York, R. Carter & brothers, 1860), 41.

Bibliografi

Belfrage, Henry. A Practical Exposition of the Assembly’s Shorter Catechism; Exhibiting a System of Theology in a Popular Form, and Particularly Adapted for Family Instruction. Vol. 1. 2 vols. Edinburgh: W. Oliphant, 1835.

Newman, John Henry. Parochial and Plain Sermons in Eight Volumes. Vol. 6 Vol. 6. Westminster, Md: Christian Classics, 1967.

Paterson, Alexander Smith. A Concise System of Theology on the Basis of the Shorter Catechism. New York, R. Carter & brothers, 1860.

Whyte, Alexander and Westminster Assembly. A Commentary of the Shorter Catechism. Edinburgh: T. & T. Clark, 1949.

Vargu i Ditës

“Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij. Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.” — Psalm 68:4-5 . Powered by BibleGateway.com.

Buletini Liturgjik