Une Besoj…(i)

Une Besoj…(i)

(Artikulli ne PDF)

Kur flasim për Krishterimin e vërtetë apo Biblik, ne me të drejtë e quajmë atë besimi i Krishterë dhe jo religjioni i Krishterë. Kjo jo pa qëllim apo arsye. Koncepti dhe praktika e besimit është në themel të Krishterimit të vërtetë sepse besimi është në qendër të kuptimit biblik të shpëtimit dhe shpengimit të njeriut nga mëkati, faji dhe pasojat e tij. Pa besim nuk ka shpëtim. Pa besim askush nuk mund ti pëlqejë Perëndisë dhe të ketë një marrëdhënie me të. Prandaj Krishti na urdhëron “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!” (Gjo. 14:1). Kjo është arsyeja që Perëndia na dha edhe Biblën. Apostulli Gjon thotë “Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë,” (1 Gjo. 5:13). Si në Dhiatën e Vjetër, ashtu edhe në Dhiatën e Re Perëndia na instrukton se i drejti do të jetojë për shkak apo me anë të besimit (Hab. 2:4 dhe Rom 1:17). Prandaj dhe Kredoja fillon me fjalët “Unë besoj”. Kjo kredo është shprehja e një besimi personal, sepse personalisht do të japim llogari një ditë para Perëndisë, dhe personalisht ne duhet të rrëfejmë e besojmë për shpëtimin tonë, si edhe sepse “pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë,” (Heb. 11:6).

Por çdo të thotë të besosh? Besimi është një koncept me shume dimensione, aq sa shumë njerëz mendojnë se besojnë, ndërsa ata që besojnë vërtetë kanë dyshime për besimin e tyre. Në këtë kapitull, ne do të eksplorojmë ndryshimin ndërmjet besimit të vërtetë dhe atij që nuk është.

Besimi Sipas Botës

Për persona të ndryshëm dhe në kontekste të ndryshme besimi ka kuptime të ndryshme. Disa e përdorin fjalën besim për të shprehur mosbesim apo pasiguri. Një udhëtar mund të pyesë një tjetër: A do të arrijmë në destinacion në kohë? Përgjigja e bashkudhëtarit të tij “Besoj se po” shpreh pasigurinë e tij dhe nuk reflekton gjithnjë realitetin apo se ­çfarë ai mendon me të vërtetë. Në këtë rast fjala besoj qëndron si sinonim i fjalës shpresoj, i një shprese ta pasigurt dhe të bazuar në asgjë. Për disa të tjerë shprehja “Unë besoj” përdoret për të shprehur një opinion personal, të cilin jemi të gatshëm që ta debatojmë me një tjetër por që për të cilin nuk jemi absolutisht të sigurt, një opinion të cilin jemi madje edhe të gatshëm për ta ndryshuar nëse na jepen argumente të forta. Në këtë rast fjala besoj qëndron si sinonim i fjalës mendoj.

Në disa raste të tjera, ne themi besoj për gjëra që janë vërtetët të rëndësishme për ne, për vërtetësinë e të cilave jemi të bindur e madje insistojmë me ngulm madje edhe duke rrezikuar veten. Në këtë rast fjala besim qëndron sinonim me fjalën bindje apo siguri.

Po në të njëjtën mënyrë, shumë persona kanë një dimension besimi në jetën e tyre edhe për sa i përket Perëndisë, një besim që nuk ndërtohet mbi të vërtetën absolute. Shumë kanë besime fetarë për shkak të familjes në të cilin janë lindur e rritur-kështu ata kanë një besim tradicional. Shumë të tjerë i besojnë Perëndisë në përgjithësi sepse i përshtatet më mirë përjetimeve që ka pasur personi në jetë-besim subjektiv. Dikush tjetër kë një lloj besimi tek ekzistenca e Perëndisë sepse për atë vetë kjo është diçka e vërtetë, pavarësisht se si është e vërteta absolute-besim relativist apo postmodern.

Për disa të tjerë, në këtë jetë, të besosh funksionon më mirë se sa të mos besosh-një besim pragmatik. Për dikë tjetër, të besuarit e diçkaje hyjnore ka efekte pozitive emocionale-një besim psikologjik. Për disa, të besuarit i jep një kuptim dhe qëllim më të mirë ekzistencës së tyre-një besim filozofik.

Të gjitha këto nivele besimi dhe arsye për të besuar nuk ngrihen mbi të vërtetën absolute por mbi probabilitetin.

Nga ana tjetër, ka shumë nga ata që e shikojnë vetën si të Krishterë, që besojnë se janë në rregull me Perëndinë e Biblës sepse i kanë besuar atij, Birit, Frymës, dhe madje edhe Kishës së Tij, dhe madje edhe të tjerët i konsiderojnë të tillë. Por sipas Biblës, besimi i tyre kategorizohet ose si besim i përkohshëm ose si besim historik.

Besimi Historik është pranimi apo pohimi që dikush i bën të vërtetave të Biblës por pa një reagim të brendshëm shpirtëror e transformues. Dikush mund të besojë se Jezus Krishti ishte një person historik, ashtu siç se edhe Skënderbeu e Ali Pashë Tepelena. Personi që ka një besim historik beson tek detajet e jetës së Krishtit siç na renditet ato në Bibël, ai madje edhe mund të besojë se ai i ngjall vërtetë nga vdekja dhe u ngjit në të djathtë të Atit në Qiell. Por për atë, të tëra këto janë vetëm fakte historike. Ai nuk i beson Krishtit për shpëtimin e tij. Këto të vërteta të Shkrimit nuk kanë kurrfarë influence apo efekti transformues dhe asnjë rëndësi praktike për të.

Problemi është se besimi historik nuk është besim shpëtues. Jakobi 2:19 na instrukton se “edhe demonët besojnë [se ka vetëm një Perëndi] dhe dridhen.” Engjëjt e rënë kanë parë dhe përjetuar Perëndinë personalisht, ishin prezent kur ai krijoi tokën, njeriun e gjithçka tjetër. Ata ishin prezent dhe madje u përballën me Krishtin kur ishte në tonë. Por kjo njohje e tyre nuk është për shpëtim. Besimi që ata kanë tek ekzistenca e Perëndisë që i krijoi ata nuk është një besim shpëtues.

Krishti në shëmbëlltyrën e atij njeriut që e kishte ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë dhe jo mbi shkëmb thotë: “Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë,” (Mat. 7:26). Në debatin që Apostulli Pal pati me Mbretin Agripa lexojmë për besimin historik që ky i fundit kishte ndaj Fjalës së Perëndisë. “O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson”. Atëherë Agripa i tha Palit: “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë”,” (Vep. 26:27-27). Besimi i Agripës në Shkrimet e Shenjta dhe Profetët nuk ishte një besim shpëtues.

Po kështu, për Simon Magjistarin shkruhet se, “besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i mahnitur,” (Vep. 8:13). Filipi e mendoi Simonin për të Krishterë duke i dhënë atij edhe privilegjet e anëtarësimit në Kishë dhe të sakramenteve. Simoni gjithashtu nuk dyshonte tek vetja e tij. Por më pas, Apostulli Pjetër i deklaron atij, “Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë…sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë,” (Vep. 8:21,23).

Besimi i përkohshëm nga ana tjetër, është besimi ndaj të vërtetave të Perëndisë siç na renditen në Bibël, një besim që shoqërohet me një nxitje të ndërgjegjes dhe afeksioneve të personit, por që nuk janë të rrënjosura në një zemër të rilindur. Termin e merr nga Mateu 13:20, 21. Ai quhet një besim i përkohshëm, sepse nuk ka një karakter të qëndrueshëm dhe nuk arrin që të mbahet fort tek perëndia në momentet e sprovave të jetës. Ky nuk është një besim hipokrit, sepse ata që e kanë atë, vërtetë mendojnë se besojnë, por një besim imagjinar pasi edhe pse duket i vërtetë ai është kalimtar e jetëshkurtër dhe në përgjithësi ngrihet mbi emocionin dhe synon shijimin e jetës dhe jo lavdinë e Perëndisë. Tek Luka 8:4-15 lexojmë për shëmbëlltyrën e mbjellësit:

Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage. Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën….Fara është fjala e Perëndisë. Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen. Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen.

Bibla flet gjithashtu edhe për persona që kanë një besim madje të prodhuar nga vetë puna e Frymës së Shenjtë në zemrat e tyre dhe që bazohet mbi deklaratat Biblike, mrekullitë, profecitë, predikimi i Fjalës së Perëndisë, dhe besimi që kanë ndaj vetë Personit të Perëndisë për shkak të mirësisë dhe bekimeve të Perëndisë në jetën e tyre. Heb. 6:4 flet për këtë kategori “besimtarësh” kur thotë “sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë.” E megjithatë ata nuk ishin të rilindur apo të rrethprerë në zemër (Lip. 30:6, Kol. 2:11). Kjo është historia e Izraelit në Dhiatën e Vjetër. Rasti i popullit të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër, është një rast solemn dhe që kërkon ekzaminimin e zemrave tona. Për ta Perëndia tha “sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës”, thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim” (Jer. 13:11). Kjo kapje pas Perëndisë, si ajo e mishit pas kockës, është e njëjtë më aktin e besimit tek Perëndia dhe e lëshimit në duart e Tij për bekimin e mbrojtjen tonë (2 Mbre. 18:5-6). E megjithatë, për ta Perëndia deklaroi “Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë,” (Jer. 13:10).

Besimi Sipas Biblës

Bibla nuk na jep një përkufizim të plotë teologjik e sistematik mbi besimin e vërtetë. Ai përkufizim duhet deduktuar nga e tërë Bibla. Deklarata më e afërt me një përkufizim teologjik të plotë gjendet tek Hebrenjve 11:1 që thotë se besimi është “siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen.”

Por vini re së pari, dallimin që autori i Hebrenjve bën ndërmjet besimit dhe shpresës. Këto janë dy ide në lidhje të ngushtë me njëra tjetrën, por që megjithatë ngelen të ndryshme nga njëra-tjetra. Pali gjithashtu vë në dukje dallimin ndërmjet besimit dhe shpresës, tek 1 Kor. 13, ku flet për triadën e virtyteve Kristiane: besimin, shpresën, dhe dashurinë. Por përpara se sa të eksplorojmë lidhjen ndërmjet këtyre dy koncepteve, le të shikojmë konceptim biblik të shpresës, sepse ajo është e ndryshme nga mënyra se si e përdorim në jetën e përditshme.

Zakonisht, ne e përdorim fjalën shpresë për t’ju referuar një gjendje emocionale të dëshirës në zemrat tona, për diçka që ne do të dëshironim të ndodhte në të ardhmen, por për të cilën ne nuk jemi të sigurt se do të ndodhë. Të gjithë ne do të dëshironim dhe sigurisht që shpresojmë se një ditë Ekipi Kombëtar i Futbollit do të kualifikohet për në Kampionatin Evropian apo atë Botëror. Kjo është një dëshirë që ne kemi, një shpresë ndoshta e kotë sepse asgjë nuk është e sigurt me mënyrën se si luajnë futbollistët Shqiptar në ndeshjet ndërkombëtarë për Shqipërinë.

Por ka një shpresë qe nuk të turpëron (Rom. 5:5), dhe shpresa për të cilën flet Bibla i referohet një dëshire për një përfundim që është absolutisht i sigurt. Kjo bazohet në premtimet e dhe personin e Perëndisë. Kur Perëndia i jep një premtim popullit të tij për të ardhmen, dhe Kisha kapet pas saj, kjo shpresë bëhet spirancë e sigurt e shpirtit. Heb 6:19 thotë “Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit.” Premtimet e Perëndisë për të ardhmen tonë janë spiranca e besimtarit për sot.

Kur Bibla e përkufizon besimin si “siguria (substanca) e gjërave që shpresohen,” ajo kupton se besimi komunikon e transmeton thelbin e shpresës. Shpresa gjithnjë shikon përpara. Nëse shpresa bazohet në diçka që Perëndia ka bërë apo premtuar se do të ndodhë në të ardhmen, atëherë kjo shpresë e gjen substancën e saj në besimin e sigurinë në atë që ka bërë premtimin. Kështu, unë kam shpresë sepse kam besim tek Perëndia që gjithnjë i qëndron besnik fjalëve e premtimeve të tija. Për shkak se i besoj premtimeve të Perëndisë për të nesërmen, shpresa ime nuk është një fantazi apo dëshirë që projekton në murin e mendjes ëndrra që shihen me syhapur. Shpresa ime ka përmbajtje, dhe bazohet në të.

Përkufizimi i besimit vazhdon me shprehjen “tregim (evidenca) i gjërave që nuk shihen.” Autori i këtij përkufizimi përmend një prej shqisave të trupit të njeriut përmes së cilës ne grumbullojmë informacion dhe fitojmë njohuri, shqisën e të shikuarit. Kur dikush sfidon një tjetër duke i thënë: “Hë pra, ma provo,” ai i referohet parimit se të shikosh është të besosh. Kjo është mjaft Biblike, pasi Shkrimi i Shenjtë nuk na thërret që ti besojmë Perëndisë përmes një besimi të verbër dhe irracional përmes së cilës ne bëjmë një kërcim në errësirë. Thirrja për ti besuar Ungjillit bazohet në dëshmitë e shumta të dëshmitarëve okularë që regjistruan në Shkrimet e Shenjta atë që panë dhe dëgjuan më sytë e veshët e tyre. Pjetri insiston, “Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular të madhështisë së tij,” (2 Pje. 1:16). Po kështu edhe historiani Luka, e fillon Ungjillin që mban emrin e tij me fjalët “Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, m`u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t`i shkruaj sipas radhës…që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar,” (Luka 1:1-4). Këtu Luka flet për gjëra që ai i ka provuar e evidentuar mbi bazën e dëshmive të dëshmitarëve okularë. Po më të njëjtën mënyrë e besim tek ngjallja fizike e Krishtit, flet edhe Pali kur i apelohet dëshmitarëve okularë të kësaj ngjarjeje historike: “u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Më pas iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Më së fundi m`u shfaq edhe mua, si në dështimit,” (1 Kor. 15:4-8). Pali thotë, unë besoj se Krishti u ngjall nga të vdekurit sepse mbi 500 dëshmitarë okularë e kanë parë atë me sytë e tyre, dhe madje Atë e pashë edhe unë vetë. Pra, ne kemi besuar sepse kemi parë.

Pra, ka një lidhje në Dhiatën e Re ndërmjet besimit dhe shikimit, e megjithatë, autori i Letrës së Hebrenjve e përshkruan besimin si siguria dhe bindja e patjetërsueshme e gjërave ende të papara. Ateistët nga njëra anë, dhe shumë besimtarë nga ana tjetër, gabimisht e ngatërrojnë besimin ndaj gjërave ende të papara si besim i verbër. Ata thonë se vetëm i verbëri nuk shikon, dhe se rrjedhimisht besimi tek gjërat e papara është besim i verbër, dhe se kjo është diçka e virtytshme. Ata ndajnë besimin nga arsyeja si dy gjëra vet-përjashtuese. Kjo është tepër larg asaj që thotë Heb. 11:1-2. Besimi është evidenca apo prova e gjërave që nuk i shikojmë ende. Evidenca është diçka e prekshme, e qartë. Evidenca është diçka që ne mund ta njohim përmes shqisave tona. Me fjalë të tjera ai thotë, se edhe pse ne nuk mund ta dimë se çfarë na sjell e nesërmja, Perëndia është ai që e di këtë gjë. Kështu, nëse Perëndia njeh e kontrollon të nesërmen, dhe nëse unë i besoj Perëndisë, premtimeve, fuqisë e mirësisë së tij ndaj meje për të ardhmen time, unë kam besim në diçka që nuk e kam parë ende. Ky besim më shërben si provë, si evidencë sepse objekti i saj është Perëndia. Ne e njohim Perëndinë dhe e dimë se ai nuk gënjen kurrë, nuk ndryshon kurrë, është i pagabueshëm dhe i pa-rezistueshëm në ato gjëra që bën, e mbi të gjitha i përsosur në gjithçka. Dhe kështu, besimi që unë i jap atij nuk është diçka e paarsyeshme. Përkundrazi, do të ishte e paarsyeshme që unë të mos i besoja një personi të tillë.

Kështu, kur ne deklarojmë “Unë Besoj…”, kur recitojmë Kredon e Apostujve, ne shpallim se qëndrojmë, prehemi e pushojmë të sigurt në vullnetin e pandryshueshëm të Perëndisë, pra që ai, për shkak të hirit e dashurisë së Tij për ne, do të na japë dhe madje na ka dhënë shpëtimin e premtuar e predikuar përmes profetëve dhe apostujve, në personin dhe veprën e Krishtit që ka ardhur, është kryqëzuar, ringjallur e që kthehet përsëri për bekimin tonë. Kur deklarojmë “unë besoj…”, ne rrëfejmë se prehemi e qëndrojmë në të vërtetat e Ungjillit dhe premtimet e Perëndisë që na janë bërë në Krisht. Siç thotë edhe Katekizmi i Shkurtër, “Besimi në Jezus Krisht është një hir shpëtues, përmes së cilit e marrim dhe mbështetemi vetëm në Atë për shpëtim, siç na është ofruar në ungjill.