Zoti i Lavdisë

Letra e Jakobit ka një varg interesant në të cilin Fryma e Shenjtë lidh fjalën lavdi me emrin e Jezusit:

“Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë” (Jakobi 2:1).

Po te njëjtin konstrukt përdor edhe Apostulli Pal tek 1 Kor. 2:7-8 ku thotë:

“por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë, 8 të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.”

Të dashur nga Perëndia, Krishti është lavdia e Perëndisë, Shekina. Sipas Dhiatës së Vjetër, termi shekina përdorej për manifestimin e dukshëm të Perëndisë së padukshëm. Shekina ishte një re ndriçuese apo një dritë që shkëlqente fort brenda resë që shoqëronte Izraelin dhe që sinjalizonte prezencën e Perëndisë në mesin e popullit të Tij. Ajo ishe lavdia e shfaqur e Perëndisë. Të rrëfesh që Krishti është Shekina është të deklarosh se Krishti është prezenca e Perëndisë, manifestimi i Tij në gjithë lavdinë e Tij. Në Krishtin ne shikojmë manifestimin e lavdisë së Perëndisë. Për këtë arsye Emri i Tij është Emanuel, Perëndia me ne, (Mateu 1:23).

Kur Dhiata e Re i atribuon lavdi Jezus Krishtit, ajo rrëfen hyjninë e Krishtin, dhe e deklaron atë Perëndi prej Perëndie, Zotin e Gjithëpushtetshëm të Dhiatës së Vjetër. Termi lavdi, kur përdoret për Krishtin, përdoret gjithnjë si një atribut hyjnor që i takon atij prej të qenit Perëndi. Këtë lavdi, Krishti refuzon që ta ndajë me njeriun siç edhe lexojmë tek Isaia “Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura” (Isa.42:8). Për këtë arsye engjëjt i kënduan Krishtit “Lavdi Perëndisë” tek Luka 2:14; për këtë arsye të njëzetë e katër pleqtë në fronet qiellore tek Zbulesa 4:4-11, duke përfaqësuar popullin e Perëndisë si të Dhiatës së Vjetër ashtu edhe të Dhiatës së Re, “hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë: “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan”.” Dhe kështu Apostulli Gjon deklaron se “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14).

Të dashur në Krishtin, le ti bashkohemi ushtrisë engjëllore, Kishës Trimfante që pushon sot në vende qiellore në Prezencën e Perëndisë dhe le të adhuromë Qengjin duke thënë:

“”I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin…Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve,” (Zbulesa 5:12-13).

 

 

Vargu i Ditës

“Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.” — 1 Corinthians 1:10 Listen to chapter . Powered by BibleGateway.com.

Buletini Liturgjik